Nga MSC. Albert HABAZAJ/studiues/
Spiro Çomora, me prindër nga Vunoi i Himarës, u lind në Korfuz më 31 janar 1918 dhe mbylli sytë në Tiranë, më 16 prill 1973. Në profilin e tij letrar shfaqet si mbledhës folklori, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Shqiptarët, kur përmendin emrin e Spiro Çomorës, kujtojnë “Karnavalet e Korçës” dhe, kur shohin, lexojnë apo dëgjojnë për komedinë e famshme, u vjen ndërmend emri i paharruar dhe i papërsëritshëm atij vigani, që krijoi e la gjurmë në atë lloj të gjinisë dramatike, me subjekt gazmor, me vepra të cilat godasin veset e sjelljet e këqija të njerëzve, duke i vënë ato në lojë e duke i bërë qesharake. Letërsia e Çomorës u krijua, qarkulloi, u afirmua dhe u pëlqye në periudhën e Pasçlirimit. Veçse, edhe pse shkrimtari bregas iku shumë i ri, vetëm 55 vjeç, vepra e tij artistike satirike (rast unikal?) rrojti e freskët, rron e këndshme dhe mund të rrojë dhe 550 vjet, apo ndoshta mund të ketë fatin e përjetësisë, siç kanë përkthimet e tij të mëdha nga Homeri e Aristofani… Elsie, kur shqyrton dramaturgjinë në Shqipëri nga vitet 1944 deri më sot, përmend Kolë Jakovën që bëri hapin e parë në dramaturgjinë e realizmit socialist. Mbas tij përmend Spiro Çomorën e në vijim Sulejman Pitarkën, Ndrec Lukën, Andre Skanjetin, Jonuz Dinin, Loni Papën, Fadil Paçramin, Minush Jeron, Kujtim Spahivoglin, Ruzhdi Pulahën, Xhemal Brojën, Ibrahim Uruçin, Selman Vaqarin, Fadil Krajën, Hamza Minarollin, Dritëro Agollin, Naum Priftin, Dhimitër Xhuvanin, Teodor Laçon, Maku Ponen, Pëllumb Kullën, Fahri Balliun dhe Artur Zhejin. Nga bibliografia e S. Çomorës ka shënuar: “Karnavalet e Korçës”, Tiranë 1961, ribotim në Prishtinë 1986; “Dy me zero” Tiranë, “Naim Frashëri” 1969 dhe “Vepra letrare”, 4 vëll., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1979 -1980. Për autorin tonë shkruan: “Një dramaturg i njohur, poet satirik dhe humorist në vitet gjashtëdhjetë ka qenë Spiro Çomora (1918-1973) nga Vunoi në bregdetin himariot, i përmendur për komedinë me tri akte “Karnavalet e Korçës”, Tiranë 1961 përkthyer në greqisht (Athinë 1980) dhe “Dy me zero” Tiranë 1969. Në të parën veprimi shtjellohet në Korçë në vitin 1936 rreth përpjekjeve të pareshtura të një tregtari të pasur, por koprac, Nikollaq Jorganxhiut, për të martuar të bijën Afroviti me sa më pak pajë e shpenzime. Komedia zhvillohet në sfondin e kontradiktave të thella sociale dhe të varësisë gjithnjë e më të madhe të Mbretërisë së Shqipërisë nga Italia fashiste” (shih: Elsie, Robert: “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë – Pejë, Dukagjini, 1997, f. 431. Dhe kaq! Nga botimi më i ri i nivelit akademik “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (FESH, 2008) marrim këtë informacion: “Çomora, Spiro (1918 -1973. Poet dhe komediograf. Lindi në Korfuz në një familje nga Vunoi i Himarës. Ndoqi studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Romës. Nisi të shkruaj që para Çlirimit, por talenti i tij si letrar u zhvillua plotësisht më pas. Për një kohë të gjatë punoi si redaktor në revistën “Hosteni”. Në vjershat me temë politike e shoqërore të përmbledhura në librat “Për njoftim e për veprim” (1955), “Maska e fytyra” (1960), “Skena dhe prapaskena” (1962) satirizoi buroktatizmin, formalizmin, zakonet dhe shprehitë prapanike. S. Ç. Shkroi një varg skeçesh dhe komedish, ndër të cilat zë vend të shquar komedia “Karnavalet e Korçës” (1961; në përkthim greqisht: Athinë, 1980), ku fshikulloi mendësinë e borgjezisë tregtare, kotësinë e jetës, konformizmin dhe moralin hipokrit të saj. Ai dha ndihmesë edhe në letërsinë për fëmijë me një varg librash si, “Një tufë vjershash” (1952), “Shkolla jonë” (1954), “Çil, çil trëndafil” (1963) etj. S.Ç. punoi edhe në lëmin e përkthimeve; shqipëroi me mjeshtëri disa kryevepra nga letërsia antike greke, si “Odisea” e Homerit, “Lisistrata” e Aristofanit etj.” (Shih: FESH,1, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 401, zëri përgatitur nga Drita Siliqi). Në botimin enciklopedik të 1985-ës nuk trajtohet profili i tij si zë i përgatitur, por i përmendet telegrafisht emri për kontributin në letërsinë satirike: “…Ndër autorët që dhanë ndihmën e tyre në zhvillimin e këtyre llojeve [të letërsisë satirike, sidomos të krijimeve satirike në vargje si fejtoni, vjersha e shkurtër, epitafi, poema etj. – shën. im: A. H] janë N. Bulka, S. Çomora, D. Bubani etj., të cilët trajtuan tema të mprehta politike e shoqërore, fshikulluan burokratizmin, konformizmin, indiferentizmin, zakonet prapanike…”. (Shih: FESH, ASH RPSSH, Tiranë, 1985, f. 605). “Ndonëse me pak tradita, hapa përpara bëri edhe dramaturgjia me veprat e K. Jakovës (“Toka jonë” etj.), të S. Çomorës (“Karnavalet e Korçës”) etj.” (FESH, vep. e cit., f. 607). Dhe, së fundmi: “Dramaturgjia në letërsinë shqiptare pati një trashëgimi të vogël nga e kaluara. Ajo eci shpejt pas Çlirimit, duke pasqyruar luftën për lindjen e jetës së re kundër jetës së vjetër, konfliktet shoqërore që e përcjellin këtë luftë. Drama lulëzoi, duke ushqyer teatrin kombëtar. Në repertorin e tij qëndrojnë vazhdimisht drama “Toka jonë” e K. Jakovës, “Cuca e maleve” e L. Papës, “Familja e peshkatarit” e S. Pitarkës, komeditë “Prefekti” e B. Levonjës, “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës, “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës etj. (Po aty, f. 1055). Kuptohet që kjo do të ishte gjuha e shkrimit në ato botime, edhe pse të nivelit më të lartë, atij akademik – gjuha në funksion të kohës dhe në shërbim të sistemit në Shqipëri. Si e lexoj sot këtë tekst? Spiro Çomora ishte me shkollë të lartë dhe i arsimuar në Perëndim, në Universitetin e Romës, kur popullata shqiptare pothuaj qe analfabete dhe intelektualët e vërtetë numëroheshin me gishta, nuk ishin qindra… Përmendet fakti që Çomora është autor i komedisë “Karnavalet e Korçës”. Bukur. Shumë bukur. Ajo është kryevepra e tij në fushën e dramaturgjisë shqiptare dhe, ndoshta për tematikën sa lokale, aq universale, e, patjetër për mjeshtërinë e lartë artistike të ndërtimit të veprës kujtohet edhe sot me simpati ndër ne; si duket, do të jetë dhe nesër e bukur, e këndshme, argëtuese, zbavitëse, tërheqëse, thumbuese, fshikulluese dhe me mesazhe përmirësimi të shoqërisë, të grupeve përbërëse, të bashkësive më të vogla që realizojnë të tërën. Përmendet emri i tij si redaktor në revistën “Hosteni”. Mirë. Po shkenca e Bibliotekës, Bibliotekonomia na mëson se Klasifikimi Dhjetor Universal (KDU) mbi bazën e standarteve ndërkombëtare është klasifikim hierarkik. Rrjedhimisht, KDU është gjuhë informacioni dhe universi i informacionit, dituria (dijet e regjistruara) në KDU është e ndarë në dhjetë klasa, që zbërthehen e zbërthehen e zbërthehen…Kemi kuptuar që me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve. Në këtë klasifikim hierarkik, përkthyesi është shumë i rëndësishëm, sepse e trajton letërsinë tjetër për vete, si letërsi shkencore në rezonacë të plotë me letërsinë artistike, me logjikë, me koherencë, mbushur me emocion e me ndjenjë. Përkthyesi vjen i dyti, për nga rëndësia e vlerave, mbas autorit dhe qëndron përpara redaktorit, kryeredaktorit apo redaktorit përgjegjës. Në Bibliotekën tonë Kombëtare janë 40 regjistrime të Çomorës…
Faqja online e tij ka këtë informacion: Leu në ishullin e Korfuzit prej një familjeje vunjote, e cila kishte emigruar për arsye mirëqenieje në Greqi. Në vendlindje kreu mësimet fillore dhe të mesme, ndërsa shkollimin e lartë e filloi në Itali për drejtësi…Nis punë si mësues dhe mbledhës folklori, puna e të cilit përfshihet në radhojën e botimeve “Visaret e Kombit” IV gjatë kohës kur Ministri i Arsimit Koliqi dha urdhëresën për t’u mbledhur dhe botuar fruti i folkut. Pas luftës u vendos në Tiranë dhe pothuajse gjatë gjithë jetës punoi në revistën “Hosteni”. Në fillimet e veta nisi të shkruajë vjersha humoristike, të cilat i botoi tek “Hosteni”. Bën pjesë në komisionin e përbërë prej gjashtë vetëve që mbikëqyri e redaktoi përkthimin e “Iliadës” nga Shllaku, duke e shoqëruar botimin me studimin “Iliada dhe bota homerike”. Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike “Syfete”, “Për njoftim e për veprim”, “Maska dhe fytyra” dhe “Skena e prapaskena”. Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj., të cilat u botuan e u vunë edhe në skenë. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhën bërë”. Më vonë shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Syleshi”, “Iu hoqën petët lakrorit”, “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” më 1961 dhe “Dy me zero” më 1969. Spiro Çomora u muar edhe me përkthime, si poema “Skënderbeu” e shkruar nga Grigor Pŭrlichev më 1968. E sidomos i letërsisë antike greke për të cilën çmohej nga Gjon Shllaku. Më 1957 pruri fabulat e Ezopit “Sorra e pëllumbi”; “Paqen” 1958, “Lisistratat” 1960 dhe “Kalorësit” 1969 e Aristofanit; pjesë të zgjedhura nga Satirat e Junius Juvenalis dhe 12 këngët e para të “Odisesë” së Homerit të botuara vitin që vdiq”.
Nuk do të ndaloj gjatë në veprën letrare të Çomorës, që lexuesi shqiptar e ka të plotë në katër vëllime me kopertinë të trashë, botuar në Tiranë, nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në vitin 1980. Vëllimi i parë përmban krijimtarinë poetike të autorit; vëllimi i dytë komeditë; i treti skeçet dhe vëllimi katërt shkrimet satirike në prozë, si dhe disa artikuj e studime letrare. Me përjashtim të disa skeçeve të shfaqura nga estradat shqiptare, i gjithë materiali tjetër është marrë nga veprat e botuara të autorit dhe nga organet e shtypit periodik, kryesisht nga revista ‘Hosteni”, ku kontributi i Spiro Çomorës ka qenë i madh. Brenda vëllimeve, duke ruajtur kriterin gjinor botuesit i janë përmbajtur dhe kriterit kronologjik. Në këtë botim lexuesi gjen gjithë krijimtarinë letrare të Spiro Çomorës që ruan vlera edukative, estetike, morale dhe artistike edhe për lexuesin e sotëm. Redaktore e botimit është Rozeta Uçi. Emrin e Spiro Çomorës e gjejmë redaktor në librin “Antologji e poezisë antike greke” përkthyer nga Henrik Lacaj, botuar nga NSHB “Naim Frashëri” Tiranë, 1962. Nuk do të qëndrojmë as në këtë fushë, se, megjithë kontributet e tij të vlerta, del nga synimi i këndvështrimit, ngaqë është shumë e gjerë dhe e begatë veprimtaria e këtij njeriu të heshtur e punëmadh. Më vjen çudi, që përmendet për krijimet poetike, të cilat nuk kanë dhe aq vlera të qëndrueshme artistike, nuk i rezistuan kohës. Dhe në atë kohë nuk peshonin kushedi se çë. Dhe botohet një vëllim 391 faqësh me ato vjershurina! Përse bëhet kjo? Për të thënë: – Ja, kaq vlerë ka. Dihet që ai është poet i vogël apo mesatar (sikurse dhe Varfi, Luzaj, Kokoshi, Çaçi, të paktën flas për këta që kam nga Vlora) por , po ashtu dihet që Çomora ka qenë përkthyes i madh, sikurse Kokoshi, Luzaj, Çaçi, Varfi). SPIRO ÇOMORA KA PËRKTHYER NË SHQIP, KA RIKRIJUAR KRYEVEPRËN HOMERIKE “ODISENË”, një nga dy modelet e paarritshëm të botës së letrave! Pse nuk e evidentojnë këtë fakt të madh kritikucët tanë? Pse po e kalojnë ashtu, si diçka të thjeshtë? Përkthimi çomorian është ngjarje letrare. E theksoj këtë shqetësim, sepse nuk përmendet kurrkund, as në të tjera botime që kemi kërkuar, kontributi i tij i shkëlqyer si përkthyes, vetëm në fund e shkarazi. Në fakt, jo vetëm për Çomorën ndodh kështu. Të paktën, ndër profilet letrarë të autorëve vlonjatë, nga të cilët disa i kemi botuar edhe në gazetën ndërshqiptare “Dielli”, si K. Kokoshi, I. Luzaj, N. Hakiu e S. Çomora përmenden, ashtu shpërfillshëm, që, ja, edhe këta e bënë këtë gjë, sikur ata të kishin bërë diçka të rëndomtë, që i zuri hera…por përkthimet e tyre janë vlera, janë shqipërime, janë rikrijime. Pa u futur në bulëzimet e Rilindasve tanë, kujtojmë Fan Nolin e madh që bëri të flas shqip Shekspirin, Servantesin etj., sepse qe njeri i ditur, me kulturë të madhe, poliglot, stilist i artë. Afria që kishte me gjuhët e huaja greqishten, anglishten, frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen një gjuhë të stërholluar dhe elegante, duke na pasqyruar stilin e veprave të huaja me ngjyrat e ritmin e origjinalit. Po kështu, në vijim ata që hodhën themelet e ndërtesës së përkthimit, që krijuan shkollën e përkthimit shqip, pas farës diturore që mbollën Noli e Konica, si Sotir Papahristo, Lasgushi, Skënder Luarasi, Henrik Lacaj, Vedat Kokona, Jusuf Vrioni, Sotir Caci, Pashkë Gjeçi, Halit Selfo, Spiro Çomora, Vexhi Buharaja, Gjon Shllaku, Petro Zheji, Alqi Kristo e Robert Shvarc (vendosja e emrave, sipas ditëlindjes) janë Heronjtë Emblematikë të Përkthimit. Kur cilësojmë të Përkthimit nuk e kemi fjalën për ata njerëz të përkthimit, që bëjnë thjesht kthimin mekanik të letërsisë së huaj në shqip, se sot është dhe një mjet operativ digjital “Google translate”… Kemi parasysh pikërisht këta shqipërues, dijetarë e figura të shquara në shumë fusha, këta mjeshtra të përkthimit, që kanë dhënë një kontribut të shquar në krijimin e shkollës së përkthimit shqip, si përkthyes të talentuar të letërsisë botërore. Nga që përkthyes ka shumë, por ata që na lënë mbresa me artin e përkthimit janë pak, nuk do të ndalem tek emrat e tjerë të mëdhenj të përkthimit si Kuteli, Eqerem Vlora, Branko Merxhani, Lame Kodra, Martin Camaj, Koliqi etj., por po kujtoj e përmend me respekt ata që e vijuan dhe po e mbanë kaq lartësisht stafetën sa të bukur, aq të vështirë të përkthimit si Jorgo Bllaci, Aurel Pasari, Afrim Koçi, Nonda Varfi, Nasi Lera, Ardian Marashi, Pavli Qesku, Lili Bare, Shpëtim Çuçka, Mirela Kumbaro, Mira Meksi, Klodeta Dibra, Edmond Tupja, Ardian Klosi, Virgjil Muçi, Uk Zenel Buçpapaj, Jorgji Doksani, Bujar Doko, Zhak Pilika, Aleksandër Zoto, Aristidh Ristani, Klio Evangjeli e deri tek Mimoza Hysa e brezi i kohës që jetojmë. Emrat e rëndë të letrave si Fatos Arapi, Kadareja e Dritëroi janë gurë të çmuar në përkthimet tona, si diamanti, si ajo “Era pranverore” e Vaçe Zelës për muzikën shqiptare. Një fakt më çudit keq. Nga emrat e traditës, po thuaj të gjithë e kanë nga një “cen”. Po pse janë përndjekur, xhanëm!? Ca u vranë. Ca u burgosën. Ca u degdisën humbëtirave. Larg. Ku s’ka dy lek’ diell. Apo ku dielli të përvëlon. Ca u lanë në heshtje. U harruan. T’u humbte emri… Po ka një proverb latini: “Verba volant, skripta manent” (Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin, i merr era fjalët, e shkruara qëndron, ajo mbetet gjurmë, dokument përgjatë kohërave).
Përkthyes i kryeveprave të letërsisë antike: Duke kërkuar në Biblotekën Personale në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë, dhe, patjetër, mbasditeve në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemail”, Vlorë, ku punoj, përzgjodha botimet e Spiro Çomorës. Por, nuk do të trajtoj “Karnavalet e Korçës” se ajo dihet, njihet dhe është mbarëpopullore e më tutje. Shfletoj Aristofanin (Aristophanes): “Paqja” komedi, e përktheu nga origjinali Spiro Çomora, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve [me shkurtime: NSHB – shën. im: A. H], Tiranë, 1958, me 129 faqe. Libri çelet me tetë faqe e gjysmë shënime të Spiro Çomorës shkruar në Tiranë, korrik 1957. Komedia e botuar në shqip është e pajisur edhe me sqarimet e duhura e të plota gjatë tekstit, në fund të faqeve përkatëse. Gjykoj se ky libër dhe të tjerë të përkthyer nga Çomora apo “koka” si ai mund të shërbejnë si modele metodologjikë për përkthyesit dhe shkollat e përkthimit. Kam mendimin se shkrimtaria e Çomorës dhe e ekipit të ngushtë të këtij klasi shqipëruesish, e njeh mirë psikologjinë shqiptare, sa dhe atë greke etj., e njeh mirë pedagogjinë sa dhe artin e përkthimit, përndryshe s’ka se si të shpjegohet që na e bëjnë përkthimin (aq më tepër nga gjuhë të vështira si greqishtja) të lehtë e të bukur si muzikë. Çomora na bën këtë prezantim: “Për jetën e Aristofanit, i cili foli kaq shumë për jetën e njerëzve të kohës së tij, dimë fare pak gjëra. Ay lindi midis viteve 445 e 450 dhe vdiq pas viti 387 përpara E.R. Ishte prej fisit Pandhionis, prindërit e tij Filipi e Zinaida, ishin qytetarë të lirë dhe kishte tre djem: Filipin, Aràrin dhe Nikostràtin. Shkrojti 44 komedi, po vetëm 11 prej tyre shpëtuan në gjendje shumë të mirë gjer në ditët tona: “Akarnienët” v. 425 [p.e.r. – shën. im: A. H], “Retë” v. 423, “Kalorësit” v. 422, “Grerëzat” v. 422, “Paqja” v. 421, “Zogjtë” v. 414, “Lisistrata” v. 411, “Tesmoforet” v. 411, “Bretkosat” v. 405, “Parlamenti i grave” v. 392, “Pluti” v. 388. Pra shumicën e komedive të tij ay e shkrojti gjat kohës së luftës peloponeziane (431-404), e cila shënoi fillimin e mbarimit të botës greke… Aristofani është një kolos i fantazisë krijonjëse: krijon fjalë, krijon ngjarje, krijon legjenda dhe histori, zbret perënditë në tokë dhe shpie njerëzit në qiell (Paqja)…Të gjitha veprat e Aristofanit shprehin dashurinë e tij të thellë për jetën dhe për njeriun. Dhe kjo dashuri e Aristofanit nuk ka si prototip, si model nonjë ideal, jashtë realitetit, jashtë vendit dhe kohës. Aristofani është i huaj për çdo metafizikë. Ay e dashuron njerinë ashtu siç është, prej mishi e kockash, në jetën e përditshme…Ay qëndron me kamxhik në dorë gjithmonë. Po njerëzit s’i godit. Ay fshikullon “udhëheqësit” e këqij, godit mendimtarët e liq që trubullojnë mëndjen e popullit, godit zakonet e këqia që çkatërrojnë shoqërinë dhe i bëjnë qytetarët fatkeqë, ay godit çdo gjë që i pengon njerëzit- si individë e si unitet shoqëror- të shijojnë gëzimin e jetës dhe lumturinë. Satira e Aristofanit nuk drejtohet kundër njeriu “në vetvete”. Ay denoncon dobësitë dhe të metat e tij, shpesh e qorton me ashpërsi, po këtë e bën se ka besim tek ay. Ay nuk shpreh kurrë përbuzje ndaj popullit, ndaj njerëzve të thjeshtë. Ky humanizëm i thellë del mirë në shesh po të vihet re vëndi që kanë shërbëtorët në komeditë e tij. Ndërsa përpara- si na thotë vetë në Parabazën e “Paqes”- shërbëtorët hynin nëpër komeditë e ndryshme vetëm për të ngrënë dru e për t’u tallur, Aristofani hypi në skenë shërbëtorë si personazhe që luanin rolet kryesore në konfliktin dhe zgjidhjen e veprës. Ky humanizëm i tij shprehet gjithashtu dhe në qëndrimin që merr ay kundrejt gruas. Dhe është nder i madh për të, që, në këtë çështje të madhe shoqërore për çdo kohë, eci shumë përpara se koha dhe shoqëria e tij. Gratë janë të barabarta me burrat kur, në “Parlamentin e grave”, ato shtien në dorë qeverisjen e shtetit që ta shpëtojnë nga katastrofa. Po më shumë të barabarta me burrat janë ato kur, në “Lisistratën”, vendosin të marrin armët e të luftojnë që t’i japin fund luftës, derisa burrat i ka qorruar urrejtja ndaj shoku shokut dhe pasioni i katastrofës. Përkthimi i kësaj vepre në gjuhën tonë nuk u krye pa vështirësi. Satira ka specifikën e saj, si p.sh. stilin konciz, mendimet me dy presa, lojët e ndryshme të fjalëve, cilësi këto që spikatin në një masë të madhe edhe në këtë vepër të Aristofanit. Shprehja e tyre në një gjuhë tjetër- në besnikëri me origjinalin, po pa qënë i errët- është një punë delikate. Sigurisht, jo e pamundur. I theksova këto karakteristika të specifikës së Satirës, sepse ato janë shtyllat dhe ornamentet që pështetin dhe zbukurojnë çdo vepër të kësaj gjinie. U mundova të mos bëj një përkthim të lirë. Dhe besoj t’ja kem dalë mb’anë. Po kjo nuk do të thotë se kam nguruar të përdor “të drejtën e rikrijimit” që ka çdo përkthenjës i një vepre aristike” (Shih: Aristofani, “Paqja”, Tiranë, NSHB, 1958, f. 10,11). Këta paragrafë vola për të bërë një buqetë me lule për lexuesin e gazetës tonë të dashur “Dielli”, zgjedhur nga kopështi i mendimit të artë, që Mjeshtri Spiro Çomora pat’ mbjellë në Tiranë atë korrik të vitit 1957. Jo rastësisht i citova këto mendime të Ustait të Fjalës së Zgjedhur. Bota ndërtohet, ecë dhe zhvillohet me modele. Dhe krijuesi. Rikrijuesi (përkthyesi). Brezash. Krijuesi, në laboratorin e gjallë të krijimit merr e jep me personazhin që krijon. Apo me autorin që rikrijon. Dhe ÇOMORA. Më duket se ka ndikim të dukshëm pozitiv nga autori i tij i dashur, nga ARISTOFANI. Nga bota e tij, nga mendimet, nga idetë, nga shijet etike, estetike, morale e artistike, nga mesazhet që jep, pa dyshim, në përshtatje me rrethanat specifike të të qënit shqiptar, qytetar dhe banor i Shqipërisë, si krijues original e me botë të madhe humane. Pse, a nuk u ngjan Çomora si një Aristofan Shqiptar, pas afro 24 shekujsh, jo vetëm me profilin e kohës së jetoi?! Nga botimet enciklopedike, dimë që dramaturgu grek Aristofan, në të 11 komeditë e tij që kanë shpëtuar, karakterizohet nga situata të gjetura dhe nga një gjuhë e gjallë, që trajtojnë gjerësisht tema të aktualitetit. Komediografi antik satirizon politikanët dhe intelektualët (si Sokratin) dhe parodizon shkrimtarët bashkëkohës si Eskilni dhe Euripidin. Ka shfrytëzuar shumë fantazinë politike e shoqërore siç e tregon qyteti i zogjve (“Toka e qyqeve të reve”) te “Zogjtë”, si dhe ndërprerja e marrëdhënieve seksuale me burrat nga ana e grave që këndonin paqen te “Lisistrata”. Më duket se kanë kumbim edhe për sot ndër këto viset tona krijimet e Babait të komedisë klasike!… Vetëm për këto visare të shqipërimit, meriton përfillje të merituar Spiro Çomora dhe jo shpërfillje, mosvlerësim, mungesë vëmendjeje. Përse nuk ribotohen rikrijmet (përkthimet) e kryeveprave që na ka lënë trashëgim Spiro Çomora?! Patjetër, duke respektuar normat standarte të gjuhës së sotme shqipe. Përse?! S’ka profesionalizëm?! Kërkohen Para?! S’kanë interes botuesit?! Se gati gjithçka është kthyer tregti?!… Të njëjtën metodologji shkencore ndjek rikrijuesi Çomora me komedinë tjetër të përkthyer nga Aristofani “Lisistrata”, botuar në Tiranë nga NSHB “N. Frashëri” 1960, me 100 faqe, që nis me dy fjalë fillimtare prezantuese për lexuesin “Prolegomena”, me të cilat Çomora na njeh me gjendjen e vështirë të Athinës pas shkatërrimit që pësoi flota e saj në Siçili, në verën e vitit 413 p. E.R, me thesar të shkundur. Qyteti qante. Gjëma po pllakoste e… deri pa shpresë shpëtimi për athinasit. Për t’i bërë ballë gjendjes u formuan një farë komiteti i shpëtimit publik, me dhejtë komisarë në krye, tek të cilët u varën shpresat e fundit të shpëtimit të atdheut. Në këto rrethana e shkrojti Aristofani “Lisistratën”, e cila u shfaq në vitin 411 para E.R. Ja ç’ informacion na sjell Çomora: “Poeti u vërsul edhe një herë kundër luftës, me armët e fuqishme të artit të tij të madh e të ndërgjegjes së pastër qytetare, që të zbutë pasionet e të kthjellojë mendimet. Poeti – qytetar çvishet nga konsiderata të ngurta partie, universalizon ndjenjën e patriotizmit të vërtetë, dhe ngrihet shpirtërisht shumë lart, atje nga duket pastër në orizontin e gjerë tabloja tragjike e Greqisë së shkretuar nga lufta. Ay s’u drejtohet vetëm Athinasve, po edhe Spartanëve, të gjithë Grekëve, e i këshillon të heqin dorë nga një luftë çkatërrimtare, e cila vë në rrezik vetë ekzistencën e Helladës dhe pregatiste skllavërimin e saj nga Barbarët. Poeti mendon se tani nuk është koha e përshtatshme që t’i gjëndet filli përgjegjësisë së njërës ose tjetrës palë; një alternativë ka: o paqe, o çdukje e plotë. Kjo ndjenjë e lartë shpirtmadhësie e humanizmi e frymëzoi këtë komedi. Dhe poezia, në çdo kohë, s’ka si të mos krenohet për një fisnikëri të tillë shpirti e mendimi. Aristofani nuk u drejtohet luftëtarëveë, po grave të dy vendeve armiq, nënave, motrave dhe bashkëshorteve. Ato nuk merren me politikë, po u qan zemra për zinë që u solli lufta dhe për braktisjen e tyre kaqë vjet me radhë pa njerës të dashur pranë. Dhe që t’i përshtatet groteskut të Komedisë attike një situatë kaqë serjoze e dramatike, poeti imagjinon këtë fabul. Një femër Athinase, Lisistrata, fton në një mbledhje përfaqësonjëset e gjithë grave të Greqisë, pikërisht të Spartës, Beocisë e Peloponezit, dhe u parashtron planin e saj: të ndërpritet çdo marrëdhënie bashkëshortore me burrat, që kështu, nga halli, të detyrohen t’i japin luftës fund. Pas shumë ngurimesh, merret një vendim i përbashkët, gratë betohen dhe shkojnë e pushtojnë Akropolin, ku ndodhet thesari i Shtetit…”. Nuk po vazhdojmë më tej me subjektin, sepse është i njohur, por vlen të theksohet se nuk bën të lihet në heshtje sinqeriteti i plotë me të cilën u flet Aristofani, nëpërmjet Lisistratës, ambasadorëve të Spartës. Kjo nuk është e para herë që ai u jep të drejtat që u takojnë armiqve të Athinës; edhe më parë, në komedinë “Akarnienët”, Diceopóli kishte provuar me litar në grykë, se spartanët qenë detyruar nga të tjerët të hynin në luftë dhe Athina ishte vetë fajtore për zullumet që pësoi. Satira e poetit demaskon politikanët aventurierë, gjeneralët karrieristë dhe dallaveraxhinjtë e çdo marke e kallëpi, që ushqejnë zjarrin e luftës me lloj – lloj veprimesh të ulta, për interesin personal dhe ambicjen e tyre. “Lufta bëhet me para e për para”. Kjo e vërtetë është kaq e vjetër, sa vetë bota, kur u shtresëzua e u nda me klasa. Po pranë idesë qëndrore të pjesës, që është lufta për paqen, Aristofani ngre me forcë të madhe dhe problemin e të drejtave të gruas në shoqëri, duke shfaqur një virtyt emancipues të përparuar dhe patjetër të guximshëm për kohën e tij. Është interesant, se jehona e tonit polemist të Lisistratës, në debatin e saj me Komisarin, arrin deri në ditët tona, jo vetëm në komunitetet rurale e periferive. Përkthyesi Çomora sqaron: “Në tekst, Labitója, Kasneci dhe Ambasadori spartan flasin në dialektin lakón, si dhe koret finale të Spartanëve. Unë përktheva në dialektin geg pjesët e Kasnecit e të Ambasadorit Spartan, sepse mu duk që në këtë mënyrë stili i autorit respektohet sadopak më mirë dhe dialogu fiton më shumë gjallëri”. (Shih Aristofani, “Lisistrata”, Tiranë, NSHB “N. Frashëri”, 1960, f. 5). Kështu shkruan rikrijuesi në Tiranë, atë shtator të vitit 1958, kur po çonte për botim “Lisistratën”, të cilën e ka pajisur me shënime sqaruese në fund të librit. “Kalorësit” është një tjetër komedi e Aristofanit, shqipëruar nga origjinali prej S. Çomorës dhe botuar me 128 faqe në Tiranë nga NSHB “N. Frashëri”, 1962, e cila ka pak fjalë hyrëse për lexuesin dhe 15 faqe shënime mbyllëse nga përkthyesi. Futemi në situatë. Dihet që Aristofani për një vit zinte vend në Këshillin e Athinës. Nga kjo kohë, janë të njohura sulmet ndaj politikanit ushtarak me ndikim Kleonit (vdekur më 422) sulme, të cilat i paraqet edhe në veprat e tij, ndër të tjera në “Kalorësit” (424). Çomora na tregon, se Aristofani e shfaqi “Kalorësit” së pari gjatë festave të vitit 424, se lomediografi antik konkuronte për herë të parë me emrin e tij, fitoi dhe çmimin e parë me “Kalorësit”, duke lënë pas “Satirëve” të Kratinit plak (me çmim të dytë) dhe me çmim të tretë “Drumbartësve” (Ilofori) të Aristomenit. Përse poeti e quajti komedinë Kalorësit? Këtë na e spjegon qartësisht përkthyesi: “Kalorësit ishin e vetmja milici e përhershme e Athinës, e formuar nga 1000 të rinj, të zgjedhur nga familjet më të pasura; pra, përgjithësisht, aristokratë dhe armiq të Kleonit. Këta, menjëherë pas ngjarjes së Pilos [toponim – shën. im: A. H], nga fundi i verës së vitit 425, ishin dalluar në një ekspeditë kundër Korinthit, të komanduara nga Nikiasi. Me ndërhyrjen e tyre u sigurua fitorja. Prandaj Aristofani i zgjodhi si aleatë, e, ndofta, duke ditur se Kleoni nuk falte lehtë, mendoi të sigurojë dhe përkrahjen e tyre. Fabula e komedisë trajton një dramë familjare. Po alegoria e saj kapërxen të katër muret e asaj shtëpie dhe shtrihet në horizontin e gjerë të shtetit të Athinës, të mbarë botës greke. Thelbi i komedisë është demaskimi i demagogjisë. Këtu pikërisht qëndron vlera e saj politike e shoqërore dhe sot e kësaj dite. Aristofani e di se këtë luftë e shpërtheu dhe e vazhdon me një furi të pashembullt etja për hegjemoni mbi botën greke e Athinës dhe e Spartës. Interesat e mëdha ekonomike të klasave sundonjëse të atyre dy qyteteve, të atyre dy shteteve rivale, një ditë do të ndesheshin. Populli i Athinës po e paguan shumë shtrenjt këtë luftë. Ay do paqen me çdo kusht. Po Kleoni është për vazhdimin e saj, për mobilizimin total të popullit dhe të ekonomisë së vendit në shërbim të fitores. Atë, që nuk arritën ta shohin politikanët, e pa mendimi gjenial i poetit: lufta e peloponeziane shënoi fillimin e mbarimit të botës së vjetër greke! Dhe në mes të gjithë atij mjerimi, ngrihet titani dhe i tregon me gisht popullit, gjithë atyre që ushqehen akoma me ëndrra, se kush janë ata që e sundojnë, e vrasin dhe e varrosin në emër të atdheut!…I ra shorti Kleonit t’i presë shigjetat e Aristofanit. Po kushdo që të qe në vendin e tij e të sillej ashtu si ay në ato rrethana, këtë fat do të pësonte. Kanë kaluar 2400 vjet që atëherë. Politikanë, aventurierë, si Paflagoni dhe Agorakriti, bota ka patur e vazhdon të ketë. Kundër gjithë këtyre ngrihet si një shpatë e pamëshirshme satira e poetit dhe e mendimit të madh. Paralajmërimi që i bën ay popullit të Athinës, është një mësim i pavdekshëm edhe sot për popujt e sunduar nga kapitali, i cili nxit shovinizmin dhe ushqen e popullarizon luftën, që t’ja zgjatë vetes ditët” (shih “Kalorësit”, vep. e cit. f. 7). Ecim në kohë. Emri i Spiro Çomorës është si përkthyes edhe në vëllimin “Antologji e poezisë greke”, që është përmbledhja më e plotë poetike e botuar ndonjëherë në Shqipëri nga letërsia greke (Tiranë,”N. Frashëri”, 1986). Ky libër ka përkthime të poezisë re greke nga Aleks Çaçi, nga Kadareja, Dritëroi, Xhevahir Spahiu, Llambro Ruci etj. Spiro Çomora ka përkthyer “Dodekalogu i Evgjitit (Fjala e katërt- vdekja e Perëndive)”dhe “Fjala e pestë – Vdekja e të vjetërve” nga Kostas Pallamas (1859-1943), udhëheqësi shpirtëror e intelektual i Greqisë moderne, gjithashtu edhe shkrimtari i saj më i rëndësishëm. Maja merret me maja! “Dodekalogu i Evgjitit”, kjo poemë epiko – lirike, por me një domethënie të qartë alegorike, u shkrua në vitin 1906, dhe përbën një ndër kryeveprat e poetit. Për t’ia bërë të qartë domethënien e saj edhe lexuesit shqiptar Spiro Çomora botoi fragmentet e cituara nga dymbëdhjetë këngët e poemës, patjetër, shoqëruar me komentet përkatëse të domosdoshme. (Shih: “Antologji e poezisë greke”, vep. e cit. f. 64 -71, 289 – 293). Po në këtë antologji kemi një tjetër përkthim virtuoz të Çomorës nga një prej poetëve më të mëdhenj grekë dhe një figurë e shquar e poezisë europiane, Janis Ricos (1909-1990), nga poema e famshme “Mëhallat e botës”. E pra, a s’kam të drejtë kur them se me maja merren majat!…Padyshim, vulën si një nga kryepërkthyesit shqiptarë, si një ndër 7 yjet e përkthimit shqip të shekullit XX, ia vendosi Homeri i perëndishëm me poemën “Odisea”, një nga të parat poema të mrekullueshme të nivelit botëror, që krijoi poeti epik legjendar i botës antike greke. Te “Odisea”, të dhjetë vjetët vojtje e aventura të Odiseut, Homeri na i pasqyron me anë të kthimit në atdhe të heroit dhe një aksioni që zgjat 40 ditë. Në epiqendër ai vë Odiseun dhe pas tij vijnë i biri, Telemaku dhe e shoqja, Penelopa…Spiro Çomora ka përkthyer nga origjinali këngët I – XII të kësaj kryevepre homerike. Kjo ndërmarrje kaq e vështirë e delikate është realizuar në mënyrë të përsosur nga ky djalë i madh i Vunoit dhe i Shqipërsë, sepse “Odisenë” e Homerit na e ka dhënë në gjuhën tonë, duke ruajtur thjeshtësinë dhe madhështinë, besnikërinë ndaj origjinalit dhe shijes së shqiptarëve. Përkthyesi bën këtë bisedë të shkurtër me lexuesin në prill 1972, kur bëri “Odisenë” shqiptar…: “Ky libër i “Odisesë” përmbledh 12 këngët e para të mbarë poemës, e cila ka 24 këngë. Pa qenë pedant gjer në atë pikë sa ta përktheja këtë krijim artistik të pavdekshkëm fjalë për fjalë, u mundova ta vesh me rrobat poetike të shqipes, pa ju larguar as fjalës, as mendimit homerik. Dhe pse sepse, përveç masës së gjerë të lexuesve, që duhet ta kuptojnë sa më lehtë, studenti ynë i mesëm ose universitar duhet doemos ta shijojë Homerin jo nëpërmjet liçencave të një përkthimi të lirë. Vetëm kështu ai mund të çmojë vlerën universale artistike, filozofike, humanitare, patriotike të kësaj epopeje klasike…Kam përdorur me guxim hekzametrin, vargun e origjinalit, i cili, kur dimë ta lexojmë mirë, jo vetëm që s’bëhet monoton, por tingëlon si një muzikë e madhërishme. Dhe shqipes i shkon për bukuri! Dashuria e pakufishme për atdheun dhe për njerëzit më të dashur, përballimi i çdo sakrifice morale a fizike në shërbim të këtij ideali, përshkojnë tejembanë këtë poemë afro tridhejtë shekullore. Një falënderim mirënjohës meriton shoku Andrea Varfi për redaktimin letrar të këngëve, si dhe për shënimet e parathënien, të cilat e pasurojnë aq shumë përkthimin!” Emra si Spiro Çomora i përkasin dritërimit të mendimit, të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar. Ata vezullojnë…
*Albert Habazaj
, Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë