
Prof. Milazim KRASNIQI/
Që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid muslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar më 23 maj 2024 rezolutën për krimin e gjenocidit në Srebrenicë, që do të ketë si datë përkujtimi 11 korrikun. Rezoluta është dokument shumë i rëndësishëm, por sado që ta adresojë përgjegjësinë për gjenocidin, ajo nuk do të mund ta adresojë gjithë përgjegjësinë e Serbisë dhe të kombit serb për krimet e kryera kundër muslimanëve të Bosnjes dhe të Ballkanit për mbi një shekull. Aq me tepër që ato krime nuk janë sistematizuar e specifikuar saktësisht.
Shumë pyetje pa përgjigje
Prandaj, pyetjet si këto më poshtë, do të mbeten që të marrin përgjigje nga historiografia, e jo nga drejtësia. Pse ka ndodhë gjenocidi në Srebrenicë e në Bosnje, ku në mënyrë të planifikuar, janë ndarë meshkujt nga femrat dhe janë sistemuar për t’u ekzekutuar? Pse ka zgjatë aq vite rrethimi dhe bombardimi i Sarajevës, ku njerëzit janë vrarë në mënyrë të planifikuar, për të shkatërruar jo vetëm qëndresën civile, po edhe shëndetin mendor e riprodhues të boshnjakëve? Pse anekënd Bosnjes me mijëra trupa të viktimave boshnjake janë hedhur në lumenj, janë fshehur nëpër shpella, janë djegur? Pse sulmi në Reçak ka qenë aq brutal, ku trupat e të vrarëve janë masakruar, duke ua prerë edhe kokën ose gjymtyrët e tjera të trupit? Pse sulmi në familjen Jashari në Prekaz ka qenë joselektiv, ku janë vrarë fëmijë e gra? Pse janë bombarduar qindra fshatra shqiptare të Kosovës në mënyrë të planifikuar për ta realizuar spastrimin etnik? Pse janë bartë me kamionë qindra kufoma nga Kosova në Batajnicën e Beogradit, ose janë fundosur në ujërat e Liqenit Peruqac? Meqë gjenocidi në Srebrenicë e BeH dhe në Kosovë ka ndodhë në fundin e shekullit XX, nën reflektorët e medieve globale dhe të organizatave ndërkombëtare, në shikim të parë duket si një verbëri politike e Serbisë. Si ishte e mundshme që Serbia të organizonte krime aq të përbindshme, pa e pasur brengën për reagimet e opinionit publik dhe të organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në e NATO-n? Aq më tepër që pikërisht në këtë periudhë Rusia ishte në pikën më të dobët të saj si shtet, gjë që e bënte të qartë se ajo nuk mund ta ndihmonte projektin e ri të Serbisë së Madhe. Këtë gjë e ka pohuar edhe ish presidenti i federatës jugosllave, Borisav Joviqi, i cili pati pohuar se gjeneralit Kadijeviq, të cilin ai e Millosheviqi e kishin dërguar fshehurazi në Moskë, i ishte thënë prerazi se Rusia nuk mund t’u ndihmonte.
Hakërrimi serb i viteve 1991-1999 e kishte burimin te garancitë e vjetra
Atëherë shtrohet pyetja: ku e kishte motivimin dhe mbështetjen ai projekt gjenocidal kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës në fundin e shekullit XX, pas rënies së Murit të Berlinit, kur Serbia nuk e kishte as sponsorizimin e Rusisë, fjala vjen, si në luftërat ballkanike? Ka një shpjegim të vetëm të logjikshëm: që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid muslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi. Me atë rol si shtet vrasës dhe çrrënjosës i muslimanëve të Ballkanit, Serbia ka bërë spastrim etnik në vitet 1878-1879 në sanxhakun e Nishit, gjenocid në dy luftërat ballkanike. Për të gjitha ato krime që ka bërë shteti serb, është shpërblyer me territore e me aleanca të forta në konferencat e mëdha ndërkombëtare (Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Versajit.) Pra, e mësuar me atë praktikë të moçme, lufta e Serbisë në Bosnje në vitet 1991-1995 dhe në Kosovë në vitet 1998-1999, ka qenë me parashenjë të theksuar fetare, për çka tashmë ka shumë studime. Dëshmi ka në vetë publicistikën serbe, në deklarimet dhe veprimet e hierarkëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe në fjalimet e ndryshme të Millosheviqit, Sheshelit, Drashkoviqit, Vuçiqit. Fjala vjen slogani “osvetiti Kosovo” (të hakmirremi për Kosovën) gjithmonë i referohej një hakmarrjeje për disfatën serbe nga osmanët në vitin 1389, duke i perceptuar shqiptarët e shekullit XX si përgjegjës për ngjarjen e shekullit XIV. Pra, motivi i urrejtjes dhe i hakmarrrjes ishte me burim fetar. Këto dy agresione gjenocidale të Serbisë në vitet 1991-1999 janë filluar me pritshmërinë e kreut shtetëror e fetar serb se ai rol i hershëm i Serbisë do të tolerohej, e pakta për pacifikimin e boshnjakëve dhe të shqiptarëve. Vizita e Miteranit në Sarajevë, për bllokimin e presioneve kundër serbëve, mund të përdoret si një ilustrim. Në fakt, agresioni në Bosnjë u tolerua dhe u shpërblye, ndërsa në Kosovë u tolerua deri në një masë, por u ndëshkua. Konferenca e Dejtonit ia kufizoi Serbisë rolin hegjemonist në Bosnje në vitin 1995, por nuk ia eliminoi atë rol tërësisht. Republika Srpska, si krijesë dejtoniane, ende e ka atë rol shtrëngues kundër muslimanëve në Bosnje. (Në disa raste Republika Srpska është e koordinuar edhe me qarqet nacionaliste kroate të Hercegovinës dhe e përkrahur haptas nga liderë evropianë islamofob, si fjala vjen, Viktor Orbani.) Ndërsa bombardimet e NATO-s në muajt mars-qershor 1999, ia hoqën Serbisë rolin e shtetit kolonial nga Kosova, por nuk e çmontuan tërësisht prezencën e Serbisë në Kosovë. Prandaj Serbia atë prezencë po e shfrytëzon për të krijuar rrethana të reja për rolin e dikurshëm. Fatkeqësisht kanë ngelë disa shtete në Evropë (së bashku me Rusinë) që duan t’ia kthejnë Serbisë atë rol mbi shqiptarët e Kosovës.
Po eskponentët vendor të projektit islamofobik serb ç’po duan?
Për synimet e errëta të një hakmarrjeje të re kundër muslimanëve në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarqet serbe dhe qarqe të caktuara islamofobike evropiane kanë rekrutuar edhe ndoca eksponentë vendor, të cilët zhvillojnë luftë speciale psikologjike kundër shqiptarëve muslimanë pikërisht në Kosovë. Motoja e kësaj lufte speciale është se gjoja kalimi në Islam ka qenë devijim nga shqiptarizmi, prandaj muslimanët nuk janë shqiptarë, janë turko-arab. Çuditërisht në këtë pikë teza e tyre është e njëjtë me atë të krimineles serbe së luftës, Bilana Plavshiqit, e cila për muslimanët e Bosnjes thoshte se “bëhet fjalë për një material gjenetikisht të dëmtuar serb, që kishte kaluar në Islam.” Ka vite që kjo tezë bio-raciste e Bilana Pllavshiqit është adoptuar për përdorim edhe këtu në Kosovë, kundër shqiptarëve të besimit islam. Bile sa më shumë që po konsolidohet agresiviteti serb kundër Kosovës, aq më shumë po shtohet edhe kjo lloj lufte speciale e eksponentëve isamofob lokalë. Nuk ka asnjë dilemë që Serbia definitivisht i është rikthyer politikës së kryqëzatës ortodokse në drejtim të Kosovës, sipas modelit që pati zbatuar më shumë në Bosnje. Në Kosovë në vitet nëntëdhjetë nuk pati sukses ta zbatonte, sepse ajo doktrinë iu kompromentua tërësisht në Bosnje. Në këtë kontekst, edhe roli aktiv i katolikëve shqiptarë, si pjesë integrale e lëvizjes për pavarësi e çlirim në Kosovë, që nga pajtimet e gjaqeve, organizatat humanitare, lëvizja politike e deri te pjesëmarrja në UÇK, ua pati djegë në dorë letrat fundamentalistëve ortodoks serbë dhe shërbëtorëve të tyre. Por Serbia po tenton t’i rikthehet atij projekti, e bindur se shqiptarët në realitetet e reja, të provokuar vazhdimisht, ka mundësi ta humbin orientimin strategjik. Kjo shihet qartë jo vetëm në deklarimet e hierarkëve ortodoks serbë dhe politikanëve serbë. Absurde është që kjo shihet edhe në nisma vendore absurde të frymës së Rekonkuistës, të emërtuar si gjoja iniciativë për braktisjen e fesë islame. Në esencë hapja e kësaj teme synon të shërbejë si provokim për ta shndërruar reagimin e shumicës në një “provë të ekstremizmit islamik.” Ndërsa atë reagim pastaj Serbia ta shfrytëzojë si “corpus delicti” për ta rimarrë sërish kujdestarinë për disiplinimin e muslimanëve të Ballkanit, me theks te shqiptarët e Kosovës, meqë ata jetojnë në tokën të cilën serbët e kanë shpallur “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb.” Por ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi asnjë arsye ta humbin orientimin atlantik. Serbia e ka humbur Kosovën në procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, me spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare që ka shkaktuar. Serbia e ka humbur Kosovën në konfrontim me NATO-n. Prandaj ëndrra e saj për kthim hakmarrës në Kosovë nuk mund të realizohet kurrë përderi sa Kosova e shqiptarët janë aleat dhe pjesë e Aleancës Veriatlantike. Deri sa është kështu, ëndrra e Serbisë mbetet vetëm një makth i saj. Pas dënimit të krimit të gjenocidit në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pozita e Serbisë do të jetë në mënyrë afatgjate e kompromentuar. Përfundimisht mund të thuhet se vetëm nëse në Kosovë triumfon antiatlantizmi dhë nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë e ashtu ta kërcënonte Evropën, ai halucinacion i saj mund të tentojë të ringjallet. Por nuk duhet të injorohet pretendimi i saj kurrë, sepse siç ka thënë ideologu i Putinit, Aleksandër Dugini, lufta e Rusisë për ta rikthyer Kosovën brenda shtetit serb do të vazhdojë deri në ditën e fundit në Tokë!