
Kosta Nake/
Prej më shumë se një shekulli elita e studentëve të mëkuar në vendlindje dhe të formuar në universitetet evropiane, së bashku me relievin karakteristik të Gjirokastrës përbënin një dyshe unikale me vlerën e një thesari të çmuar të kombit. Pjesë e asaj elite ishte Musine Kokalari. Duke lexuar dialogjet e kësaj përmbledhjeje me tregime të shkruar 90 vite më parë, nuk mund të mos ndiesh një ngecje në fyt nga mendimi që autorja e tyre jo vetëm u burgos, por edhe iu hoq mundësia për të vazhduar komunikimin me lexuesit, për të shpalosur talentin e vet, pse jo, të kishte dhe majën e vet në letërsinë shqiptare dhe jo vetëm. Edhe pse në moshë fare të re, ajo arriti të krijojë një profil letrar të vetin që me botimin e parë.
Karakteristika e parë: Vështrimi i shkrimtares së re 22-vjeçare fokusohet te femra shqiptare dhe problematikat që lidhen me familjen dhe raportet e saj me kohët që po ndryshonin; krijon një galeri karakteresh femërore që portretizohen bukur me ca penelata të shpejta.
Portretizimi i karaktereve u besohet personazheve të tregimit. (Duhet mbajtur parasysh gjatë leximit shqiptimi i fjalëve me “i” në vend të “y” veçanërisht te fjalët shumë të përdorura si – sy dhe di – dy si dhe përdorimi i “l” në vend të “j” si te fëmila – fëmija, golë – gojë, malë – majë, mile – mijë.) “E ke parë, Firuze të keqen, ndonjë herë këtë vajzë? E ç’i pëlqeu, të keqen, se mos ka dhe bukurinë? Xhuxhmaxhuxhe, di grushte një mbi një; pastaj një e tharë, e vdekur e pakallur… Lere, të parit, më keq akoma, e shëmtuar. Me si të kërcyerë, që kur të vështron, sikur do të të hajë, hundën sa një xhore, golën sa një kamare, pa le kur qesh, i dalin ata dhëmbët si të kaut.” (f.33)
“Lere mos e nga moj nënë, nuk i hidhnja dot sitë, si qe bërë e si qe plakur. I qenë thelluar sitë, buzët pisë të zeza. E shqierë e e ndukur, se jeleku i rinte di pëllëmbë i gjërë…” (f.50) Vendin kryesor në jetën familjare e zë marrëdhënia e nderë vjehrrë – nuse që ishte vazhdim i një raporti të vështirë të mëparshëm dhe mbeti aktual edhe pas një shekulli. Në Gjirokastrën e viteve ’30 kishte filluar të frynte era e re e modernizmit që vinte për shkak të kontakteve me botën perëndimore. Kjo shpaloset që te tregimi i parë, ku martesa tradicionale me shkuesi po kërcënohej nga martesa me dashuri: “Femrat në ditën e sotme duallnë malë çardhakut… nuk mblidhen në shtëpi, mbetën udhëve… me kërcinj hapur, me llërë zbuluar… (f.3-4), ç’janë ato roba që më mbajnë pas trupit, sikur do t’u çahen veshur… (f.6), me t’u martuar, nuk zënë punë me dorë…mbarsen, s’tunden nga vëndi se mos e shtien…” (f.7)
Njohja e thellë e jetës prej autores, pa të cilën askush nuk mund të bëhet shkrimtar, e shohim te tregimi “Ulurima e qenit” ku, përveç interpretimit të bestytnisë që lidhet me kuisjen e qenit, tregohet mali i punëve të shtëpisë që duhet ngjitur përditë prej grave: “Ja, vate në qilar, kish enët për të larë. Vuri tenxherenë mbi zjar… Pastaj bukën për të mbrujtur, pulat për të lëshuar… Pastaj agai do të ngrihesh, kafeja për të bërë, shtresat për të ngritur, filxhanët për të larë… Pastaj kallamboqi do celfisur, gruri do rrahur, petërat për të bërë…” (f.73-75)
Vështrimi i shkrimtares kthehet nga djemtë dhe burrat kur trajtohet tema e kurbetit si te tregimi “Udhën e mbarë pastë” ku përcjellja festive shoqërohet me këngë popullore që zbulojnë një njohëse të mirë të foklorit. Vajtimi me ligje te tregimi “Kulloi odaja” ka jo vetëm panoramën e një fatkeqësie familjare, por edhe madhështinë e shpirtit të popullit që dhimbjen e zbraz përmes fjalës. Te tregimi “Burri shoku i qenit” goditja është e fortë sepse Beqiri u martua pa mbushur të dyzetat gruaja e vdekur, “sa mbilli sitë, e harroi.” (f.22) Kurse te tregimi “Ulurima e qenit” kemi një model tjetër patriarkal: “Burrë-ziu nat’ e ditë në kumar e raki; kurrë nuk vuri mënt si në djalëri ashtu dhe në pleqëri. Të tëra i bëri rrush e kumbulla.” (f.75)
Karakteristika e dytë: Ngaqë mjedisi gjirokastrit konsiderohet i njohur, gjithë pesha e mesazheve dhe zbulimi i karaktereve shkarkohet mbi replikat që shkëmbehen midis gjitoneve ose femrave që kanë një lidhje farefisnore. Nganjëherë dialogu ashpërsohet deri në kufijtë e konfliktit, siç ndodh me nënën dhe bijën te tregimi që i ka dhënë emrin gjithë vëllimit; siç ndodh me Merushen dhe Havanë te tregimi “Për mustaqet e Çelos”, ose depërton në shqetësimet familjare si dialogu i Feridesë me Nexhmijenë te tregimi “Burri shoku i qenit”, dialogu Xhevro – Razo te tregimi “Një qen që hamulit nuk ha.” Fati i kunatave fatpadala vjen nëpërmjet dialogut Aishe – Bedo te tregimi “Është e thellë”. Nganjëherë dialogu ia lë vendin rrëfimit si te Firuzja me Behijen te “Paç fatin e të ligave”, te tregimi “Udhën e mbarë pastë” me darkën e organizuar për përcjelljen e një djali në kurbet, te tregimi “Kulloi odaja” për një rast morti. Një hapësirë më e madhe për monolog ka te tregimi “Mos qofshin vjehrat e zeza” dhe një tërheqje për të rrëfyer autori është krijuar te tregimi “Ulurima e qenit.”
Karakteristika e tretë: Dialogu ndërtohet sipas karakteristikave të ligjërimit bisedor dhe Kokalari zgjidhte zakonisht vetëm dy bashkëbiseduese, si një mundësi për të theksuar kontrastin dhe për t’u përqëndruar te problemi për të cilin debatohet. Ligjërimi bisedor karakterizohet nga hyrja e drejtpërdrejtë në temë që i jep dinamizëm veprimit, pa treguar mjedisin, pa paraqitur personazhet; ai dallohet nga përdorimi i shpeshtë i shprehjeve frazeologjike që janë jo vetëm sintezë e mençurisë popullore, por kanë edhe ngarkesë të figurshme: u bëmë si këmbët e dhisë (f.3), s’e nxjerr qimen nga qulli (f.7), nuk ia var njeri torbën (f.10), është mësallë me dy faqe (f.26), e mori derrin në thes (f.33), s’kishe ku të hidhje gjilpërën (f.50), etj., etj.
Ashpërsimi i dialogut sjell në fushën e betejës mallkimet, çastet e gëzimit pasohen me urime, të dyja së bashku tregojnë një përjetim nga afër të autores të asaj që ndodh në qytet. Forma më e butë e kundërshtimit realizohet me pjesëzën “mos”: “mos më mer mënden, mos më rokanis, mos më shkul zorët,” (f.3) “mos më mbush barkun me vrer” (f.4), etj. Po kjo trajtë mund të shprehë edhe mallkim: “mos pastë hair nga fëmila” (f.31), “mos e trettë balta” (f.36)
Forma më e egër është përdorimi i foljeve në mënyrën dëshirore: “U thafçin e mos u bëfçin më mirë…” (f.3), “ju daltë zverku, ju plastë dell’ i ballit” (f.
, “dhëntë Zoti e zëntë qoshenë, i martë dorën dhe golën…” (f.72); ose përdorimi i shprehjeve me ngarkesë të lartë emocionale: “U! Pika në kokë.” (f.4)
Shumë i natyrshëm dhe plot humor për lexuesin është dialogu i gjitoneve Merushe e Hava që hidhen degë më degë, nga goditja e një djali, te pula e humbur, te ndarja me nusen, te martesa e motrës me vëllanë e burrit të vdekur dhe përfundojnë me kërcënime e zënie për flokësh.
Merushja: Do të ta bëj kocen copë e çikë…
Havaja: Oh, t’u thafçin ato duar gjer në rëzë. (f.16)
Sa të ashpra dhe pa kompromis janë mallkimet, po aq të bukura e dashamirëse janë urimet, madje thirret në ndihmë edhe dhanorja epentetike: “Më paç udhën e mbarë, vafç e arthç shëndoshë, të dëgjofça mirë, qofsh sa malet dhe i dërgofç shtëpisë një milë të mira” (f.43), “pastë këmbën e mbarë.” (f.59)
Në ligjërimin bisedor mjedis emocional krijon përdorimi i fjalëve tingullimituese, një pasuri e jashtëzakonshme e sjellë brenda 80 faqeve të librit: “Ç’janë ato të hira e të dala, fërc tek njëra, fërc tek tjetra” (f.6), “Njeri s’pjetën si është ki djalë, se ç’punë bën, po vu… vu… se ka para…” (f.25) “Kjo frësht një t’ja bërë dhe tatëpjetë shkallëve…” (f.28), “E di ç’të bëj, të këput kokën, trak, si të pulës…” (f.29) “Me të ardhur në funt të shkallës, bram i ra ibrikut.” (f.45) “Ajo sa e fillonte, grap nga gola kjo.” (f.51) “Shtëpinë e mban pastër, po ja bën vjehrëzeza, pllëc atje e pllëc këtu me ato këmbë.” (f.62) “Cëngër cëngër cfakat-o/ U asdisnë plakat-o.” (f.72) etj., etj.
*
Pjesën e dytë të këtij vëllimi e përbëjnë shkrimet e botuara në gazetën “Tomorri” në verën e vitit 1940, ato janë konceptuar si një rubrikë e përjavshme që sjell përshtypjet e një nëne shqiptare të moshuar për 20 ditët e qëndrimit në Itali. Është po ai stil i përmbledhjes paraprijëse, me një rend kronologjik të ndodhive, veçse numri i grave kufizohet në dy: nënua dhe gjitonia Haso që është në rolin e kureshtares naive, të tjerët janë kalimtarë e figurantë si teto Shanua apo nuset e shtëpisë.
Rrëfenjat fillojnë me kthimin e nënosë nga Italia dhe, si ndodh në këto raste, interesimi kokë për kokë për çdo pjesëtar të familjes së madhe. Një grua e mbyllur brenda mureve të shtëpisë bën një dalje të beftë para botës së madhe, një mjedis patriarkal gjunjëzohet para shteti kapitalist të zhvilluar, duke filluar që nga lundrimi me vapor.
Gjithçka i ngjan një ballafaqimi mes dy botëve me kontraste të thella mes tyre. Dita e parë, lartësitë e ndërtesave që i bëjnë njerëzit të duken si miza, nuk janë asgjë para raportit të ndryshëm të marrëdhënieve në çift: “Gratë ngriheshin në këmbë, burrat u mbanin palltot, pa u jepnin çantën, u linin radhën përpara, pastaj i merrnin nga krahu e dilnin jashtë… Atje, moj të keqen, se mos janë vetëm të ratë që nisen. Gratë në shkallën time më kishin buzët katër okë. Me çantë në dorë, hedhur dhelpra tej e më tej, me thonj të kuq, ruaza në qafë, me këpucë me thundra të larta.” (f.92)
Kokalari luan me detajet kur bisedat e grave i zbret te këpucët italiane që “një herë t’i vishni këtu në gurët e Gjirokastrës, u dolli tabani” (f.94), përshkruan mahnitjen e nënosë nga parqet e bukura, nuk ua di emrat eskalatorit e shatërvanit, por këto s’janë gjë para burrave e grave që rrinë afër afër, para atij djalit që “ia kish hedhur dorën pas krahëve asaj vajzës, (pa qenë vëlla e motër) dhe pësh pësh i flitte dhe gë gë qeshin të di bashkë.” (f.96)
Vajtja në teatër është dramë e vërtetë për nënonë që nuk arrin të dallojë kufirin midis skenës dhe realitetit: “jemi të papara dhe të paditura, po të them të drejtën, atje është maskarallëku sheshit.” (f.98)
Shqipëria analfabete duke filluar nga fëmijët dhe Italia ku njerëzit vazhdojnë të mësojnë nëpër institucionet e dijes pa dallim moshe, është e pakonceptueshme për një grua shtëpiake, edhe pasi e mbesa po bën shkollë mbi shkollë. Por gjuha vete ku dhemb dhëmbi: “Vajzë, mësimin e bëre si e deshe vetë, po burrën ta gjej unë… po e more vetë, më dodhe nga zemra.” (f.101) Shkëmbimi i librave mes mbesës dhe një djali në sytë e nënosë kthehet në tërmet, se hapen fjalë, se qimen e bëjnë tra dhe “vajzës më mirë t’i dalë siri se nami.” (f.104)
Dy shkrimet e fundit përqëndrohen te realiteti shqiptar, te burrat si Hasani që i mbytin hallet me raki duke ua lënë grave gjithë barrën e shtëpisë. “A thua se u mblodh në shtëpi si gjithë burrat, a thua se pieti një herë, moj, se ç’duan kjo fëmila?” (f.106)
Shkrimi i fundit dallohet nga gjithë të tjerët nga hapësira që i është lënë mjedisit familjar e natyror. “Të di plakat shoqe u ngrenë dhe pëshër-pëshër vanë te porta. Hasua u ul mbi sufa, nënua friu prakun dhe zuri vend atje. Portën e la gjismë të hapur… Dielli qe futur prapa maleve sa s’dukesh fare, shtëpitë nxinin dhe pemët bënin fësh-fësh nganjëherë, po ka një çikë erë në darkë. Këmbë dëgjoheshin në sokak, ishin burrat që ktheheshin nga pazari. Kush kishte nga një çirek ndënë sqetull, kush nganjë karpuz në dorë, ati-këtu ndonjë djalë me gjiveç që avullonte, se posa kishte dalë nga fura… Të dija ndënjën një copë herë pa folur, kur ja nënua duke i treguar me gisht Hasos, i thotë: I sheh se ç’verdhojnë kumbullat e Shuqos? Kulupinë u ka bërë sivjet, me një thien degët.” (f.108)