


Sokol Paja/
New Jersey, 14 Nëntor 2024 – Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Seton Hall University, New Jersey bashkoi mbi 200 studentë shqiptarë për të festuar 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Studentë të shkëlqyer nga: Manhattan University, St John’s University, St Francis College, Rutgers University, Princeton University u bashkuan në një ceremoni madhështore nën ngjyrat e flamurit më të bukur në botë, flamurit kuq e zi. Studentët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenari kombëtare, vazhdimësi e trashëgimisë së shkëlqyer patriotike të mërgatës së Amerikës dhe garancia më e fortë e vazhdimësisë histirike shqiptare përtej Atlantikut. Dr. Ines Murzaku, Nancy Kajo dhe Arta Boljevic mbajtën fjalimet kryesore të mbrëmjes duke sjellë në pah vlerat më të çmuara kombëtare shqiptare, krenarinë patriotike të bashkimit të studentëve nën flamurin e shenjtë kuq e zi dhe suksesin e studentëve shqiptarë që mbizotëron në të gjitha universitetet amerikane. Organizatat që ndihmuan aktivitetin si: Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, valltarë nga Albanian American Cultural Center, Port Authority, Police Department, Illyrian Society, Albanian American Association of Ulqin etj mundësuan një festë kombëtare të shkëlqyer patriotike dhe atdhetare. Studentë, prindër, aktivistë të komunitetit shqiptar festuan deri në mbrëmje vonë festën më të shënuar për kombin shqiptar, pavarësinë. Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Seton Hall University ka 40 anëtarë aktivë, studentë të shkëlqyer që bëjnë krenarë me arritjet e tyre çdo shqiptar.