ME RASTIN E NJËQIND VJETORIT TË KRYENGRITJES SË SHTATORIT QË TRONDITI DIPLOMACINË BALLKANIKE DHE EVROPIANE/
Shkruan: Prof.dr.Vebi Xhemaili/
Pas pushtimit të fushës së Pollogut nga ushtria serbe, ajo hasi në rezistencë dy javore në fshatrat e Rekës mbi Mavrovë. Në këto beteja filloi lufta më e përgjakur e shqiptarëve të kësaj ane. Kryengritësit i bënë rezistencë të paparë ushtrisë së rregullt serbe që ishte e organizuar mirë, edhe me artileri dhe teknikë moderne, numerikisht shumë më e madhe. Për këtë arsye, forcat kryengritëse kërkuan ndihmë nga Komanda e Përgjithshme Shqiptare që ndodhej në Dibër. Qeveria e Përkohshme e Dibrës, pas një analize, më 29 shtator vendosi që kryengritësve mbi Mavrovë t’u dërgojë përforcime të reja, nga radhët e luftëtarëve që ishin në vijën mbrojtëse Ohër-Strugë, pasi që forcat serbe në këtë drejtim gjithnjë e më shumë po forcoheshin.[1]
Lajmi i përhapur për dorëheqjen e ministrit të Luftës, për shkak të sukseseve të mëdha të kryengritësve shqiptarë që po i afroheshin Tetovës, tronditi edhe vetë Mbretin e Serbisë, ndërsa Gjenerali i Armatës serbe, Zhivoin Mishiqi, u detyrua të japë dorëheqje.[2] Në këto rrethana politike, “çështja shqiptare” po mbushte faqet e para të gazetave evropiane. Gazeta zyrtare “Srpske Novine”, nga data 25 shtator 1913, botonte dy dekretet e Mbretit Pjetër, ku ai në bazë të nenit 5 të ligjit mbi organizimin e artilerisë dhe të Divizionit të Moravës, së bashku me regjimentin I dhe II, vihen menjëherë në gjendje të mobilizimit të plotë e të gatishmërisë.[3] Po ashtu, edhe gazeta “Samouprava”, në faqen e parë të saj, jep të dhëna për rrezikun që i kanoset Serbisë nga kryengritësit shqiptarë. Ajo shkon aq larg sa që kryengritësit shqiptarë i pagëzon edhe me emra fyes, në stilin e njohur serb: “Banda të armatosura”. Kjo gazetë vazhdon me akuzat se këta rebelë, “banda”, po e rrezikojnë “tokën e posa pushtuar serbe” dhe se kanë çliruar Dibrën, Strugën, Gjakovën, Gostivarin, Kërçovën dhe mbanë të rrethuar edhe Tetovën. Pra, ushtria serbe u tërhoq para një sulmi të fortë prej nga Manastiri dhe Shkupi.[4] Po ashtu, edhe gazeta “Politika” e Beogradit lajmëron se Dibra është marrë nga shqiptarët dhe se lufta me të madhe është përhapur në Kosovë dhe Maqedoni, kurse në të gjitha frontet janë të mëdha humbjet nga të dyja anët
Ushtritë serbe pasi e pushtuan Gostivarin e dogjën dhe u hakmorën për rezistencën e bërë. Regjimi serb vendosi për t’u hakmarrë dhe shfarosur popullsinë e pafajshme me burra, gra, fëmijë dhe pleq, duke djegur fshatrat për rreth dhe duke rrafshuar ato me tokë. Nga këto masakrime, mbi 5000 banorë e lëshuan Gostivarin me rrethinë dhe u nisën në mërgim kah Elbasani.[5] .[6] Kjo kryengritje përfshiu shtatë qarqe shqiptare dhe zgjati mbi dy muaj në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar.
BETEJA E MAVROVËS
Në betejën e Mavrovës, ushtria serbe në fillim u mbraps, Shqiptarët e Rrekës nën komandën e Hoxhë Tanushës, dukej se janë në prag të fitores.[7] Në këto çaste të vështira për ushtrinë serbe komandanti i tyre detyrua me revole në dorë të ndalë ushtarët e tij që filluan të iknin nga fushëbeteja.[8] Komanda serbe, për të shpëtuar nga disfata e plotë, kërkoi përforcime të reja. Asaj i erdhën në ndihmë njësitet e regjimentit XII, XX dhe njësiti “Car Llazar”. Forcat serbe filluan sulmin më 27 shtator, me artileri prej së largu, pasi me armë të tjera nuk mund të afroheshin në pozicionet e luftëtarëve shqiptarë. Sipas raporteve serbe, në këto sulme përmenden afër 40 vullnetarë të vrarë shqiptarë.[9] Më 28 shtator, forcat serbe arritën para Mavrovës, kurse këtyre njësiteve iu bashkëngjitë edhe regjimenti VII, që u kyç në sulmin e mëtutjeshëm. Më 29 shtator, serbët pasi pushtuan Mavrovën, vazhduan marshin nga fshatrat e Rekës, nëpër rrethinën e Zhirovnicës dhe Grykës të Lumit Radika, duke iu afruar Dibrës. “Raportet serbe japin një numër të madh të vrarësh nga kryengritësit”.[10]
Raportet e diplomatëve të huaj flasin për luftime të ashpra në të gjitha frontet e luftës, duke theksuar se përkundër epërsisë së ushtrisë serbe me armatim, kryengritësit shqiptarë të krahinës së Rekës në komandën e Hoxhës së Tanushës nuk zmbrapsën. Në vazhdim të raportit, konsulli austriak nga Beogradi thekson se vazhdojnë luftimet e ashpra, me humbje nga të dyja palët.[11] Për sukseset e dobëta të depërtimit të ushtrisë serbe në të gjitha frontet, lajmëronte edhe Zhitkovski nga Manastiri, sipas të cilit ushtria serbe nuk ishte në gjendje që të ripushtojë territoret shqiptare në vijën Strugë-Dibër-Kërçovë, kurse luftime tejet të rrepta ishin zhvilluar në territorin mbi Gostivar, në vijën Vracë-Mavrovë, me fshatrat përreth.[12] Derisa mbi Gostivar bëheshin luftime të ashpra, Jeliçka nga Shkupi njoftonte me telegram se kryengritësit paskan sulmuar në fushën e Pollogut, midis Tetovës dhe Gostivarit, një kolonë furnizimi të përbërë prej 4 kamionësh dhe 350 karrocash me bukë, ku “automobilat u dogjën, ndërsa ushqimi u rrëmbye”.[13]
Ata shqiptarë që nuk u nënshtruan urdhrave të komandës serbe, dënoheshin dhe dërgoheshin në burgjet e Shkupit. Krerëve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u grabiteshin fëmijët e tyre nga mosha 8-10 vjeçare dhe dërgoheshin në Serbi, kurse “deri tani vetëm në Tetovë janë grabitur 4 fëmijë”.[14] Sipas raportit të konsullit austriak, Von Storck nga Beogradi, po veprohet vërtet pa mëshirë kundër “arnautëve” të zënë rob, kështu që shfarosja e filluar e elementit jo sllav, do të kryhet tërësisht “me këto ekzekutime të shumta që u bënë në Tetovë dhe Gostivar”.[15]
Në betejën e Mavrovës përleshja me armë ka zgjatur 13 ditë, duke lënë një numër të vrarësh nga kryengritësit shqiptarë, por edhe pse mungojnë raportet serbe për numrin e të vrarëve nga ana e tyre, ka pasur të vrarë edhe nga ushtria serbe.122 Komanda dhe ushtria e saj më 30 shtator po përparonte kah lumi Radika në drejtim të Dibrës. Ushtria serbe sulmonte edhe nga Kërçova, ajo pasi mori përforcime të reja, kaloi në kundër ofensivë, kështu pas sukseseve në afërsi të Kërçovës te fshati Izvor, mori drejtimin e Dibrës. Në këtë betejë u plagos çetniku i njohur serb Vasilije Trbiq.[16]
Ushtria serbe pasi e shoi me gjak këtë kryengritje, u soll si e çoroditur mbi tërë popullsinë e pafajshme, shkruante gazeta “Radniçke Novine”. “Më kap tmerri kur i shoh dhe pyes vetveten, se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë sa të kryejnë kaq shumë mizori”.[17] Për sjelljet serbe dhe pastrimin etnik njofton edhe Mitropoli i Durrësit, ku thotë se “duke ikur nga barbaria serbe kanë ardhur shumë njerëz nga Dibra, Gostivari, Gjakova, Prishtina, Tetova, Prizreni, kurse me ta edhe mjaft bullgarë (bëhet fjalë për sllavo-maqedonasit)”.[18] Deri më 25 tetor nga Tetova dhe Gostivari janë shpërngulur me dhunë mbi 400 familje.[19]
Gjendjen faktike në Kosovë dhe trevat lindore më së miri e përshkruan nipi i Bajram Currit, Daljan Curri, i cili vetë u paraqit në konsullatën austriake në Shkodër, për t’u ankuar për gjendjen dëshpëruese të popullsisë në rrethet e Gjakovës dhe Prizrenit, për t’u lutur për këshillë dhe ndihmë. “Sipas dëshmive” të tij, serbët, respektivisht malazezët, bëjnë masakra më çnjerëzore në ato vise, kështu që Bajram Curri është i mendimit se ata i kanë caktuar vetes si qëllim për të shfarosur me gjithë gra dhe fëmijë shqiptarët që jetonin përbrenda kufirit të ri serb dhe malazez.[20]
Në letrën dërguar Mis Durhamit nga Manastiri, më 21 tetor 1913, përshkruhen krimet dhe masakrat që kanë bërë serbët në Dibër, Strugë, Ohër, Mavrovë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup.[21] Ushtria serbe u soll shumë keq edhe në pjesën e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, ku bëri kërdi në Prefekturën e Elbasanit, edhe pse popullsia e saj e mbajti me bukë. Ajo, kur u tërhoq nga këto anë, shkatërroi çdo gjë, madje duke plaçkitur edhe mobiliet e shtëpive.[22] Para këtij tmerri, një pjesë e madhe e popullsisë së këtyre krahinave u shpërngulë, ndërsa një pjesë e saj u vendosë në Shqipërinë e Mesme.[23] Për këtë situatë të krijuar, Serbia akuzonte Qeverinë e Vlorës, e cila me ndihmën e Esat Pashës dëshironte të dilte përsëri në det. “Serbia ëndërronte asgjësimin e Qeverisë së Vlorës” dhe pushtimin e Shqipërisë nga veriu, kurse Greqia nga jugu ende i mbante me këmbëngulje viset e pushtuara përreth Vlorës.
Më 18 tetor, Austro-Hungaria i dërgoi një ultimatum Serbisë, që brenda 8 ditëve të tërheq ushtritë e saj nga kufijtë politikë, të caktuar me vendimin e Londrës. Me “këshillimin” e Francës dhe të Anglisë, ushtria serbe në afatin e caktuar tërhoqi ushtrinë. Pra, lakmitë e daljes në detin shqiptar dhe politika pushtuese sllave pësuan një disfatë të plotë. Serbia deshi të dalë në det, edhe të ketë një koloni të saj: “Prandaj mbeti edhe pa det, edhe prej kolonisë së ëndërruar bëri një armik gjakatar”.[24]
Qeveria e Vlorës ndodhej në një pozitë të palakueshme: grekët assesi të largoheshin nga Shqipëria Jugore, ndërsa serbët nga Shqipëria Verilindore. Serbia këto qëllime ekspansioniste në tokat e pushtuara shqiptare mundohet t’i forcojë edhe më tepër me ndihmën e Esat pashë Toptanit dhe Arif Hiqmet Kumanovës, që ishin shpallur publikisht aleatë të Nikolla Pashiqit dhe “miqtë e Serbisë”.[25]
Në anën tjetër, Qeverinë e Vlorës nuk e njohu as Turqia. Ajo vazhdoi edhe më tutje që Shqipërinë e Pavarur ta radhisë si vend i pandarë të Perandorisë. Xhonturqit gjatë luftërave ballkanike përhapën një propagandë të fuqishme midis shqiptarëve mysliman, ku munduan të bindin popullatën shqiptare për çlirimin e trojeve të okupuara e të shkelura nga armiqtë, premtuan njohjen e Shqipërisë me kufijtë e saj Etnik, kjo ide gjeti mbështetje të fortë te forcat liridashëse kur panë se armiqtë sllavë morën vendin nëpër këmbë. Edhe Fuqitë e Mëdha vendosën të vënë “gurët e ndarjes”, pasi Shqipëria në këtë kohë nuk paraqiste forcë kombëtare midis Ballkanit. Dobësitë e shqiptarëve dhe përçarjet tyre për interesa të ngushta karrieriste bënë që Fuqitë e Mëdha ta ndajnë Shqipërinë copa-copa, sipas interesave të tyre politiko-strategjike, ky popull kreshnik u shndërrua një mall tregu për ta. (V.Xh).
Nga kjo situatë e paraqitur, shqiptarët e panë se nuk mund të pritej më shumë nga Fuqitë e Mëdha, ngase vetëm Austro-Hungaria nuk mund t’u bënte ballë shteteve të tjera evropiane. Prandaj, një pjesë dërmuese e popullatës shqiptare filloi ta kthejë kokën “prapa”, kah Turqia, duke thënë se është më mirë një Shqipëri autonome, se sa një shtet i “përgjysmuar” dhe gjoja i pavarur. Këtë ide më së shumti e propagandonin turkomanët e zakonshëm, të cilët assesi të bindeshin se “Shqipëria mund të ekzistojë edhe pa Turqinë”. Ideologët e kësaj ideje ishin turkomanët Ali Tetova dhe Beqir Grebeneja, dhe ideatori i unionit serbo-shqiptar, Arif Hiqmet Kumanova, të cilit Nikolla Pashiqi i kishte premtuar postin e princit të Shqipërisë në tokat e pushtuara që nga Dibra Tetova deri në Shkup. Ndërsa rryma turkomane ishte paguar nga pushteti xhonturk, për të rrëzuar Qeverinë e Përkohshme, duke përgatitur “komplot” kundër Ismail Qemalit.[26]
Por Ismail Qemali, si diplomat i shquar me një peshë të jashtëzakonshme në diplomacinë kombëtare dhe njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkan e më gjerë, ishte shumë i interesuar për ruajtjen e unitetit kombëtar në këto çaste kritike për Pavarësinë e vendit. Prandaj, njerëzit e Qeverisë pasi e burgosin Beqir Grebenenë, vetë Ismail Qemali urdhëroi që ta lëshojnë në liri, ndërsa për Esat Pashën ka deklaruar se “ky tradhtar duhet të vritet”.[27]
SHTYPI I HUAJ PËR KRYENGRITJEN E SHTRATORIT 1913
Shtypi i huaj i dha Kryengritjes së Shtatorit dimensione të mëdha politike. Në anën tjetër shtypi serb luajti anën e prokurorit ku shpeshherë ishte kontradiktor dhe i rezervuar. Gazeta “Pijemont”, më 23 shtator 1913, në vend të dukshëm shkruante për Kryengritjen Shqiptare, por vazhdonte më poshtë se Kryengritja Shqiptare i paska rrënjët diku jashtë vendit, duke involvuar në këtë kryengritje influencën dhe strategjinë austriake, kinse municioni dhe armët janë siguruar nga Mbretëria e Vjenës. Poashtu edhe gazeta tjetër serbe “Narodni list” duke shkruar për Kryengritjen Shqiptare kundër malazezëve dhe serbëve, konstatonte se shqiptarët janë të pajisur me armatim modern, ku vihet në pah se për shqiptarët ka prodhuar shumë armë “fabrika e Shtajerskës”.[28] Më poshtë, kjo gazetë vazhdon të sulmojë politikën italiane e cila shumë “subjektivisht” mundohet t’i sqarojë ngjarjet në Shqipëri dhe më gjerë në Ballkan. Ajo, kryengritjen dhe luftën shqiptare për çlirim e pavarësi dhe bashkëngjitje me shtetin amë, e shikonte si një grindje të re në Ballkan, në mes shteteve ekzistuese, ku Bullgaria dhe Turqia presin ngatërresa të reja për ndarjen e re të Ballkanit. Këto momente dhe trazira në Shqipëri mund t’i shërbejnë si “instrumente” shumë të lira interesave bullgare dhe atyre turke.[29]
Gazeta serbe “Pijemont” shkon edhe më larg, ku i jep vetes të drejtë që Serbia dhe Mali i Zi të okupojnë të gjitha pikat strategjike që janë në gjendje të garantojnë në të ardhmen “paqen, qetësinë dhe rregullin në Ballkan”. Kjo gazetë serbe, më në fund, pranon se përveç copëtimit të tokave të Shqipërisë, me një ngatërresë “të re” mund të copëtohet edhe ndonjë shtet tjetër që do t’ua shtrinte dorën e bashkëpunimit kryengritësve shqiptarë.[30] Edhe gazeta tjetër serbe “Samouprava”, si organ gjysmë zyrtar i pushtetit, boton në tërësi historinë e kryengritjes dhe merret me studimin e etnogjenezës së saj, duke i involvuar në këtë ngjarje me rëndësi disa shtete, si nxitëse dhe pjesëmarrëse në ndihma materiale.[31]
Shtypi serb në atë kohë ishte i mbushur plot mllef ndaj shqiptarëve. “Veçernje Novosti”, duke folur në kryeartikull, pos të tjerash, kërkon nga udhëheqësit e Malit të Zi dhe Serbisë jo vetëm dëbimin e shqiptarëve nga kufijtë e caktuar në Konferencën e Londrës, por të hyhet edhe brenda Shqipërisë së Pavarur dhe të “pushtohen” të gjitha ato pika dhe lokalitete që do të jenë më të nevojshme për ruajtjen e qetësisë dhe të rendit në kufijtë e posa caktuar, si dhe të kërkohet garancë nga Fuqitë e Mëdha, “që Shqipëria të mos e prishë më paqen dhe qetësinë në mes të Ballkanit”.[32]
Kjo gazetë vazhdon më poshtë me një porosi, se Serbisë dhe Malit të Zi nuk u mbetet asgjë tjetër veçse ta pushtojnë tërë Shqipërinë e Veriut deri te lumi Shkumbin, ndërsa kah deti të merret njëherë e përgjithmonë Durrësi, Lezha dhe Shëngjini, kurse atje “të valojë flamuri serb”.[33] Serbia dhe Mali i Zi kësaj radhe nuk kanë bërë mobilizim kaq serioz për të bërë “për herë të dytë shëtitje nëpër Shqipëri”, por për ta shkelur dhe gjunjëzuar përgjithmonë Shqipërinë, “atë tokë të pashkelur”, duke vu atje qetësinë dhe rregullin, duke i mbajtur përgjithmonë të nënshtruar nën regjimin serb.[34] Serbia, për këtë projekt, mobilizonte ushtarë të rinj, për t’i çuar në pozicione të tokave shqiptare, të pushtuara në Luftën e Parë Ballkanike, kinse për të shuar kryengritjen shqiptare. Si duket, përparimi i serbëve në Mat, tregon qëllimin e e vërtetë të shtrirjes deri në Adriatik.[35]
Propaganda serbe, për të mobilizuar sa më shumë ushtarë serbë, kishte përhapur lajmin se mbi 80 000 vullnetarë shqiptarë i kanë kapur pushkët dhe janë nisur kundër Serbisë.[36] Komanda serbe, me këtë mobilizim të ri të gjashtë regjimenteve të mobilizuara të Divizionit të Moravës, përgatiste një ofensivë të re luftarake të pushtimit të ri. Ky operacion u pagëzua: “Ekspeditë ndëshkimi”. Qëllimin e kësaj ekspedite kundër etnosit shqiptar, më së miri e shpreh koloneli Stojanoviq, i cili thotë se “sulmet e shqiptarëve do t’i zmbrapsim aq keq, sa që për një mënyrë të tillë vite me radhë do t’u mungojë qejfi për të përsëritur aksione të tilla si kjo kryengritje”.[37]
Koloneli Stefanoviq u deklarua haptazi para diplomatëve të huaj se për humbjet dhe shpenzimet e luftës së tanishme me Shqipërinë, Serbia ka për të kërkuar dëmshpërblime, “por ato do të jenë vetëm kompensim për rritjen e territoreve në favor të Serbisë”.[38]
Gazeta serbe “Samouprava” shkoi aq larg, sa që kërkoi nga Fuqitë e Mëdha thirrjen e sërishme të Konferencës për shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar, duke kërkuar arsye që ky vendim i marrë nga Fuqitë e Mëdha është në dëm të shtetit serb.[39] Ky akt është i pavend, sipas shtypit serb, dhe nuk i plotëson nevojat e kohës, “prandaj sot shtetet e tjera ballkanike pësojnë dëme të mëdha financiare dhe politiko-strategjike”.[40]
Opinioni serb shtronte pyetje: në qoftë se Evropa nuk i ndihmon Serbisë që të revidohet vendimi i Konferencës së Londrës dhe Shqipëria të ndahet në mes Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, atëherë pushteti serb është “i detyruar” që në vendet e pushtuara etnike shqiptare të ndryshojë kursin e veprimit politik: të shkojë në asimilim total, duke përdorur masa rigoroze: “Serbizim me çdo çmim”.[41] Kjo parullë ogurzeze e politikës serbe ishte lëshuar në të gjitha regjimentet e ushtrisë, policisë dhe aradhet çetnike-serbe. Prandaj, djegiet, plaçkitjet dhe vrasjet masive ishin shndërruar në një “sëmundje kronike”, duke filluar prej lart, nga komanda, deri te ushtari i fundit serb.[42]
Derisa komanda serbe mobilizonte ushtarë të rinj kundër kryengritësve shqiptarë, forcat shqiptare nën komandën e Isa Boletinit ishin duke përparuar në të gjitha drejtimet. Isa Boletini, në strategjinë e vet të kryengritjes, ishte shumë i interesuar për çlirimin e Tetovës dhe Gostivarit, për të dominuar me Grykën e Dervenit mbi Zhelinë, pasi kjo pikë strategjike kishte rol dominues për kryengritësit shqiptarë në bllokimin e rrugës Shkup-Tetovë dhe Shkup-Gostivar. Kjo rrugë e vjetër turke, që në luftërat e tij e kishte shfrytëzuar edhe Skënderbeu në luftërat e tij për ta marrë Shkupin, ka peshë të madhe strategjike ngase kalon rrëzë Malit të Thatë mbi fshatin Çellopek, Miletinë, Çegran, Forinë, Çajle dhe lidhë Shkupin me Gostivar.[43]
Kundër kësaj kryengritje të pastër shqiptare, regjimi i egër serb ishte kundërvu me tërë arsenalin e vet. Politika serbe, në këto rrethana, kishte angazhuar diplomacinë e saj me ndihmën e miqve të vet rusë e frëng. Ajo, me ndihmën e tyre, do të mundohet të bindë Fuqitë e Mëdha, se shqiptarët janë “fajtorë” që prishin qetësinë në mes Ballkanit, të ndihmuar nga Austro-Hungaria dhe Bullgaria. Për këto arsye, më 26 shtator, në Manastir arriti nga Beogradi shefi i sektorit konsullor në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, zoti Rakiq, për të ndihmuar kinse Komisionin Internacional. Pas arritjes së tij në Manastir, ai ka deklaruar para mjeteve të informimit, duke dashur të minimizojë kryengritjen shqiptare, se “në mesin e kryengritësve shqiptarë janë shumë oficerë bullgarë, me komandantin e tyre, kolonelin Markov”.[44]
Po ashtu, edhe gazeta “Pravda”, boton lajme fantastike, “gjoja për një aleancë të Shqipërisë me Bullgarinë dhe Monarkinë Austriake”. Kështu i kishte deklaruar zoti Pashiq, në vizitën që i bëri Vjenës, ministrit të punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontit Berthold.[45]
Kjo propagandë e hegjemonizmit serbomadh ishte shumë aktive edhe në eshalonët ushtarako-policore. Ekzistonte hidhërimi i madh kundër Austrisë dhe Bullgarisë, për arsye të akuzave serbe se këto kanë nxitur kryengritjen shqiptare me përpjesëtime kaq të mëdha, që, nga kronistët e kohës, u quajt edhe Lufta e Tretë Ballkanike. Prandaj këto forca haptazi deklaronin se “kundra arnautëve të kapur rob do të sillen pa mëshirë dhe do të bëhej shfarosja e tyre”.[46] Gazeta “Odjeg”, organi i “Partisë Radikale Serbe”, shkruante pa zbukurime se “arnautët komandohen prej oficerëve austriakë”.[47] Po ashtu, duhet theksuar se propaganda serbe kishte arritur të “bindë popullatën serbe” se nxitëse të lëvizjes shqiptare është Monarkia Austriake, së bashku me Bullgarinë. Si duket, ajo merr si pretekst për fillimin e kryengritjes, “takimet” e Irfan bej Ohrit me Millan Matovin.[48] Por këto takime sipas të dhënave më të reja fare nuk kanë pasur ndonjë peshë për udhëheqësit e Kryengritjes së Shtatorit, të cilët kërkonin me çdo kusht çlirimin e trevave të Shqipërisë Lindore dhe bashkim me shtetin amë. (V.Xh)
GJENOCIDI SERB NË TREVAT LINDORE SHQIPTARE PAS SHUARJES SË KRYENGRITJES SË DIBRËS
Komanda serbe, në këto rrethana, në vend që të qetësonte situatën, ajo ndërmerrte masa tejet të ashpra kundër popullsisë së pafajshme. Arrestimet e shqiptarëve myslimanë dhe turqve vazhdojnë pa ndërprerë. Shqiptarët e arrestuar në burgun e Tetovës nxirren jashtë qytetit dhe pa gjykim ekzekutohen.[49] Sipas raportit të nënkonsullit austriak, të përpiluar me të dhëna nga terreni në Tetovë, më 8-9 tetor, thuhet se “me të vërtetë po veprohet pa mëshirë kundër “arnautëve” të zënë rob dhe shfarosja e filluar më parë e elementit shqiptar do të kryhet tërësisht”. Posaçërisht shumë keq po sillet ushtria serbe në trevat lindore, ku pati kryengritje të armatosura. Ushtria serbe dhe komitët e saj po bëjnë ekzekutime të papara në fshatrat e Tetovës dhe Gostivarit.[50]
Raporti i konsullit Jeliçka në Shkup përshkruan më së miri situatën dhe rrethanat politike në Tetovë dhe më gjerë në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, pas mbarimit të Kryengritjes së Shtatorit. “Mjerisht, një monotoni e trishtuar duhet ta karakterizojë raportin e këtushëm, duke marrë parasysh përdhunimet dhe shtypjen e pjesës jo sllave të popullatës, zor se mund të ketë vend për të regjistruar të gjitha aksionet e regjimit serb”. Në veçanti, për sa u takon shqiptarëve myslimanë dhe turqve, ka pushuar së ekzistuari çdo siguri e pronës, lirisë individuale, të ndërgjegjes, si dhe e jetës.[51] Më poshtë në raport vazhdon: “Të gjitha xhamitë po mbyllen, pasi imamët e qyteteve dhe të fshatrave refuzojnë që ditën e premte, lutjen e Allahut ta zëvendësojnë me lutjen për sovranitetin e vendit, dhe në vend të Zotit, të përmendet emri i Kral Pjetrit”. Thirrja e ezanit nëpër minaret e xhamive është ndaluar rreptësisht, kështu që me të gjitha mjetet po punohet për “kthimin në fenë ortodokse”.
Sukses më të madh kanë pasur në krahinat kufitare, ndërsa në krahinën e Rrekës dhe Dibrës sot nuk ka mbetur askush prej konfesionit islam.[52] Më 29 nëntor kanë arrestuar shumë shqiptarë në Tetovë dhe Gostivar, shumë prej tyre të besimit islam kanë filluar të braktisin shtëpitë. Vetëm nga Tetova dhe Gostivari, prej 25-29 tetor, mbi 140 familje kanë ikur për në Shkup, për të vazhduar rrugën e migrimit për në Turqi.[53]
Konsulli austriak thekson, më 29 nëntor për të parë gjendjen faktike të shqiptarëve: “vetë e vizitova Tetovën, me qëllim që të bindem për gjendjen dhe situatën faktike, ku me sytë e mi pashë gjendjen trishtuese të shqiptarëve myslimanë”. Ata ishin të terrorizuar nga arrestimet e shumta, endeshin rreth e rrotull të druajtur e të ndrydhur, duke pritur në ankth rastin e vetëm për të shpëtuar nga zgjedha e sundimit serbo-sllav, duke sakrifikuar tërë pasurinë e patundshme, të cilën nuk guxojnë ta quajnë si të vetën”.
Në Teqen e Tetovës, njëra ndër më të pasurat në kohën e Perandorisë Osmane, ku para ardhjes së serbëve jetonin mbi 50 dervishë, duke shërbyer në një qendër të kulturës islame dhe duke dalë në ndihmë kalimtarëve të ndryshëm, të cilët gjenin strehim dhe ushqim pa pagesë. Me ardhjen e sunduesve serbë në Pollog, ata së pari plaçkitën vendet më të pasura dhe më të bukura të kësaj ane, e pastaj filluan t’i shfrytëzojnë për kazerma dhe nevoja ushtarake, si depo për municion dhe strehimore kuajsh.[54] Në raportin e vet konsulli austriak thotë: Unë dhe nënkonsulli britanik patëm një takim me udhëheqësin e fesë islame, Mutiveliun e Pollogut, Abdyrahman Beun, një shqiptar shumë i zgjuar dhe i nderuar, që kryente detyrën e Mutiveliut të Tetovës. Ky udhëheqës i shquar ishte shumë i pakënaqur me sjelljet barbare të ushtrive serbe dhe se kishte planifikuar të emigrojë në Shqipëri, për t’u bashkangjitur me patriotët e tjerë shqiptarë. Ai mbante lidhje të përhershme me Mehmet pashë Tetovën, Halim Beun dhe patriotë të tjerë që ndodheshin në taborin e Ismail Qemalit, që luftonin për bashkimin e trojeve shqiptare.[55] Ky mbante kontakte me diplomatët e huaj, duke i mbrojtur shqiptarët nga sjelljet e egra të ushtrisë dhe policisë serbe. Deri tani kishte luajtur rol të rëndësishëm me autoritetin që kishte, që të ndalë shpërnguljet e shqiptarëve për në Turqi.[56]
Se çfarë barbarizmash ka kryer ushtria serbe në Pollog dhe më gjerë, mund të konstatojmë nga raporti që na jep konsulli Jeliçka, pasi e vizitoi Tetovën nga fillimi i muajt nëntor të vitit 1913, pas mbarimit të Kryengritjes së Shtatorit. Në rrugën ndërmjet Shkupit dhe Tetovës, e cila është e gjatë 47 kilometra, në të cilën kryhen të gjitha shkëmbimet e prodhimeve në fushën tepër pjellore, e cila shtrihet deri në Gostivar, por edhe në krahinën e pasur dhe të populluar të Dibrës, “nuk takova një njeri dhe as një shtëpi të banuar, me përjashtim të dy haneve nga koha e turqve”.[57]
Shtypi shqiptar i kohës, në artikujt e vet ngriti lart idealet dhe luftën e popullit shqiptar, për çlirim e bashkim kombëtar. Përkrahje të madhe i dha kryengritjes shqiptare edhe shtypi progresiv botëror, duke folur haptazi për terrorin serb, që kryenin paramilitarët serbë dhe pushteti në viset e posa pushtuara shqiptare. Sipas shtypit të kohës, shqiptarët treguan haptazi me veprimet tyre luftarake se kurrë nuk do të njohin sundimin e egër policor serb në trojet e tyre historike, dhe se janë në gjendje çdo herë e në çdo kohë t’i mbrojnë vatrat e veta edhe me armë.
Pra kjo kryengritje edhe pse zgjati mbi dy muaj fare pak njihet në historiografinë botërore dhe nuk mund të krahasohet as me atë të Ilindenit, e cila ka zgjatur vetëm një ditë dhe ka përfshi vetëm një qark. Pra, Ilindenit i jepet shumë më shumë peshë në politikën shtetërore maqedonase, ku është e përkrahur edhe nga disa historianë shqiptarë. Ndërsa Kryengritja Shqiptare e Shtatorit, minimizohet nga vetë politikanët shqiptarë dhe institucionet e saja, nuk mbahet asnjë manifestim as në Kosovë, as në Shqipëri, as në Maqedoni.
[1] Qeveria e Përkohshme e Vlorës… dok. 280.
[2] Telegram nr.618 i Storckut nga Beogradi, më 27 shtator 1913; shtypi serb mundohet të arsyetojë dorëheqjen e gjeneralit serb Mishiq, kinse bëhet fjalë për daljen e tij në pension për shkaqe shëndetësore.
[3] Po aty, raport i Strockut marrë nga gazeta “Srpske novine” nr.198 më 25 shtator 1913.
[4] Gazeta “Samouprava” , Beograd, më 23 shtator 1913.
[5] Gazeta“ Liria e Shqipërisë” më 3 tetor 1913.
[6] Gazeta “Politika”, Beograd, më 23 shtator 1913.
[7] Shënime të mbledhura nga vetë autori i librit, prill, 2012.
[8] A.M-Shkup, filmi 41-30, “Ratna hronika” , f. 396.
[9] Po aty.
[10] Po aty, filmi 41-30 f. 396; sipas të dhënave serbe në këto beteja u vranë nga forcat shqiptare te 400 kryengritës, ndërsa nga ushtria serbe u vranë 4 ushtarë dhe u plagosën 9 veta, këto të dhëna i japim të pa korrigjuara, pasi nuk kemi pasur mundësi t’i verifikojmë në mungesë të dokumentacionit.
[11] HHStA-PAA, Raport i Storckut nga Beogradi drejtuar Vjenës më 4 tetor 1913.
[12] Telegram nr.222 i Zhitkovskit nga Manastiri dërguar Vjenës më 8 tetor 1913.
[13] HHStA-PAA Telegram i Jeliçkos nga Shkupi nr. 131 dërguar Vjenës më 11 tetor 1913.
[14] Po aty, raporti i njëjtë.
[15] Raporti nr. 218, i nënkonsullit nga Nishi Hofleuer, konsulli austriak Von Storck në Beograd, më 14 tetor 1913.
122 A.M.-Shkup, “Ratna hronika”, filmi 41-30 f. 395.
[16] Petar Stojanov, Makedonija vo vremeto na Ballkanskite i Prvata Svetsaka vojna 1912-1918, vep. e cit. f.198.
[17] Gazeta“ Radniçke novine” , Beograd, më 22 tetor 1913.
[18] AQSH-Tiranë, Fondi 136, dos.11 viti 1913.
[19] Raporti nr.145 i konsullit Jeliçka në Shkup, më 3 nëntor 1913.
[20] Raport nr.143 i konsullit austriak Majerhauser nga Shkodra, më 29 shtator 1913
[21] AQSH- Tiranë, Fondi 170 dos.13 viti 1913.
[22] AQSH-Tiranë, Prefektura e Elbasanit, Fondi 271, dos.34 viti 1913.
[23] AQSH-Tiranë, Fondi 136 dos.11 më 28 nëntor 1913.
[24] Dimitrije Tucoviq, Serbia e Shqipëria, vep. e cit. f. 83.
[25] Bogumil Hrabrak , Arbanashki upadi i pobune, vep. e cit. f.98.
[26] Gazeta “Populli”, Vlorë më 7 maj 1914: ArifHiqmet Kumanova punonte kinse për dovlet, në anën tjetër mbronte interesat serbe për shtrirjen e saj në Shqipëri
[27] Telegram nr. 192, nga Durrësi, më 3 tetor 1913
[28] Gazeta “Pijemont, Beograd, më 23 shtator 1913.
[29] Po aty.
[30] Po aty.
[31] Shtypi serb kundër politikës austro-hungareze “Samouprava”, “Politika”, “Pravda”, raport i Von Strock. më 21 tetor 1913; Telegram nr.199. i konsullit austriak nga Beogradi, dërguar Vjenës më 29 shtator 1913.
[32] “Veçrnje novosti”, Beograd, më 27 shtator 1913, f.1.
[33] Po aty.
[34] Po aty.
[35] Telegram nr.219, i Bertholdit nga Vjena dërguar Di San Guilano Romë më 18 tetor 1913.
[36] Po aty.
[37] Raport i atasheut austriak Gilinek nga Beogradi më 27 shtator 1913; (qëllimet serbe në lidhje me Shqipërinë.).
[38] Po aty.
[39] Po aty.
[40] Po aty.
[41] Raport i konsullit Jeliçka nga Shkupi Ministrit të punëve të Jashtme të Austrisë, Markagraf, më 29 shtator 1912.
[42] Po aty, Raport i konsullit Jeliçka nga Shkupi.
[43] Vebi Xhemaili, Sundimi i Parë serb në Pollog 1912-1915, (fejton), ”Flaka e Vëllazërimit”, Shkup 1992.
[44] Raport nga Selaniku, telegram nr. 18 më 28 shtator 1913; Diplomati Milan Rakiçi i ka takuar rrethit të ngushtë të Nikolla Pashiqit, ka qenë delegat i dërguar në Konferencën e Londrës, me deklaratat e veta dhënë shtypit të asaj kohe njihet në opinion si diplomat shumë tendencioz kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës. Ai Konferencës i ka paraqitur gjithmonë të dhëna të falsifikuara në lidhje me kufijtë dhe popullsinë e Shqipërisë Etnike para diplomacive të huaja.
[45] Telegram nr. 121 i zëvendës konsullit nga Nishi, më 11 tetor 1913.
[46] Telegrami nr. 218, i konsullit austriak Strock nga Beogradi, më 14 tetor 1913.
[47] Gazeta “Odejg” Beograd, më 29 shtator 1913.
[48] Album Almanaha “Struga” vep. e cit. f.102; Shpifjet serbe janë të pabaza, pasi çeta e Millan Matovit dhe Petar Çaulevit që ka vepruar në mes Kërçovës dhe Ohrit nuk ka pasur më shumë se 100 komitë.
[49] Telegram nr.148 i konsullit austriak nga Shkupi, më 6 tetor 1913.
[50] Raporti i nënkonsullit austriak nga Shkupi, më 11 tetor 1913.
[51] Raporti i konsullit Jeliçka nga Shkupi, më 3 nëntor 1913.
[52] Raporti i konsullit Jeliçka po aty, më 3 nëntor 1913.
[53] Po aty.
[54] Po aty ; në këtë raport shihet qartë se serbët në këto anë kanë plaçkitur gjithçka, edhe në këtë raport të konsullit austriak dhe zëvendës konsullit britanik, të cilët në mënyrë energjike ndërhynë te gjenerali i ushtrisë serbe Mishiq, që të urdhërojë oficerit serb, për të kthyer kalin arab të Sheh Babës të grabitur nga teqeja e “Harabatit” në Tetovë, i cili shërbente për nevojat e teqesë.
[55] Raporti i konsullit austriak nga Shkupi më 3 nëntor 1913; Abdyrahman beu mbante lidhje të ngushta me Shkupin, Prizrenin, Sofjen, Bukureshtin dhe qytete tjera me rëndësi për çështjen tonë shqiptare. Ky patriot kishte lidhje të ngushta patriotike edhe me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Elez Jusufin. Ai i informonte ata për të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Tetovë dhe Gostivar. Ky atdhetar mbante lidhje të ngushta me Qeverinë e Përkohshme të Vlorës duke e informuar për të gjitha rrjedhat politike në Pollog.
[56] Po aty.
[57] Po aty, raporti i njëjtë.