• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VITI 1968: KOSOVË-SHQIPNI, JEMI NJI

November 29, 2017 by dgreca

-Kosova para 49 viteve 28 Nëntorin e festonte edhe me demonstrata me kërkesa për të drejtat e shqiptarëve/demonstratat-ne-prishtine_1968

-“Pavarësia kombëtare”, shkrim i Ibrahim Rugovës në 28 Nëntor të vitit të demonstratave 1968/demonstrata_1968_prishtine

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar uronte edhe për plotësimin e Pavarësisë së Shqiptare – për Pavarësinë e Kosovës dhe Njohjen Ndërkombëtare/Ibrahim-Rugova-interviste-ATSH-dhe-keshilltari-Xhemail-Mustafa-e-gazetari-Behlul-Jashari-22-shtator-1994--Kosova feston 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë edhe me koncerte e festivalet “Kosovarja këndon” e “Rapsodia Shqiptare”/

Mitrovice-Shkolla Skenderbeu

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/Gazeta-Rilindja-pavaresi-Kosove-22-shkurt-2008-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-JashariPRISHTINË, 28 Nëntor 2017/ Në Kosovë, 28 Nëntori festohet tradicionalisht edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë edhe si Ditë e Flamurit, festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante, ndërsa para 49 viteve, në 1968, festohej edhe me demonstrata me kërkesa për të drejtat e shqiptarëve.

Prishtina-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-25-Nentor-2017

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të ditës së nesërme, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë,  Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve në Kosovë e askund, e të tjera.Në Prishtinë, marshi i  fillimtarëve të demonstratës, mes të cilëve isha atëherë nxënës i vitit të tretë të Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Filologjik)  dhe në mbrëmjen e 27 nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.Skenderaj-Festival

Historianët kanë shënuar se, pas demonstratave të organizuara në 6 tetor në Prizren, në 8 tetor në Suharekë dhe në 19 tetor në Pejë, në  27 nëntor 1968 rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe në 22 e 23 dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave shqiptare ishin: “Kosova Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj…

Në demonstratën në Prishtinë  pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi  Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, në 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.

Në gazetën e studentëve “Bota e Re”, që dilte në Prishtinë, në numrin e festës së 28 Nëntorit të vitit të demontratave 1968, Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci.

Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe  pasi e quante një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vijonte: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.

Dhe, në përfundim të shkrimit për Ditën e Flamurit shprehej: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.

Pas mëse 21 viteve nga 28 Nëntorit 1968, Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Presidenti historik Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur, edhe si plotësim i pavarësisë shqiptare.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova edhe në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

Ishte 3 vjetori i Referendumit, të 26 deri 30 shtatorit 1991, për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, të cilin gjatë intervistës Presidenti Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në 11 tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova, duke folur edhe për këtë gjatë intervistës, vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar” dhe se opcioni i parë ishte Kosova e pavarur.

Dhe, “…që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”, theksonte Presidenti i parë, historik, i Kosovës.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator që e kishte themeluar dhe e udhëheqëte, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës, të udhëhequra nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin -pavarësinë e Kosovës, Rugova i parashikonte e kërkonte edhe në intervisten ekskluzive, të parën të një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet…”, shprehej ai në atë intervistë para 23 viteve.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithësesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e vlerësonte shumë Agjencinë Telegrafike Shqiptare, median e parë të Shqipërisë me korrespondent në Kosovë, për informimin nga Kosova e për Kosovën, derisa intervistën e parë e cilësonte edhe një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën që zhvillova atëherë po edhe në raste të tjera.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar uronte edhe për plotësimin e Pavarësisë së Shqiptare, duke përkujtuar se pavarësia u cungua pa vullnetin e shqiptarëve, uronte për Pavarësinë e Kosovës dhe Njohjen Ndërkombëtare.

Në mesazhin  e jubileut të  90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për festën e 28 Nënrorit 2002, Rugova  president edhe i zgjedhjeve të para nacionale në Kosovën e lirë nga qershori 1999, mes tjerash theksonte:

“Dita e 28 Nëntorit është data më e shënuar në historinë moderne shqiptare pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Dita e 28 Nëntorit e vitit 1912 është po ashtu Dita e Pavarësisë shqiptare, e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve.

Në këto 90 vjet, shqiptarët u forcuan në të gjitha viset e tyre. Pavarësia e Kosovës, që bazohet në vullnetin e shprehur të popullit, do të qetësonte Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe këtë pjesë të Evropës e të botës.

Pra, një Kosovë e pavarur, e integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të është përcaktimi i popullit të saj.

Në Ditën e Flamurit, do theksuar se forcimi i shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, është evident dhe në progres e sipër.

Po ashtu, edhe Shqipëria është në rrugë të mirë të konsolidimit demokratik dhe ekonomik”.

Në vitin 2005, Presidenti Rugova, u ka drejtuar për herë të fundit qytetarëve të Kosovës mesazhin e urimit  për Fetsën e 28 Nëntorit :

“Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin.

Sot të gjithë e themi me krenari se 28 Nëntori i vitit 1912, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë gjithëshqiptare që u përgjysmua, është dita më e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë, pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që këtë vit bie në 600-vjetorin e lindjes së Tij.

 Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miqtë tanë, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës”.

Më pak se dy muaj më pas Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova u shua në 21 janar 2006, në Prishtinë. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Kosovës, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik…

 Ibrahim Rugova ka lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe pas pak ditësh do shënohet 73 vjetori i ditëlindjes së tij.

Presidenti historik Rugova ishte arkitekti i pavarësisë së Kosovës të shpallur pas shuarjes së tij në 17 Shkurtin historik 2008 e të njohur deri tash nga 115 shtete, 10 vjetori i së cilës do festohet pas më pak se tre muajve.

 “Kosova shpalli pavarësinë bota e njeh shtetin më të ri”, ishte kryetitull balline i botimit special të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja për shpalljen e Pavarësisë së shtetit të dytë të shqiptarëve.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 Shkurti 2008 dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë”.

KOSOVA FESTON 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË EDHE ME KONCERTE E FESTIVALE

Në Kosovë 28 Nëntori i 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë festohet edhe me koncerte, ndërsa në qytetin e Ferizajt edhe me nisjen e festivalit tradicional “Kosovarja këndon” e në Skënderaj me festivalin “Rapsodia Shqiptare” sot edhe me ndarje çmimesh në mbrëmjen e tretë finale.

Në kryeqytet, Prishtinë, aktivitetet qendrore zhvillohen në sheshe, ku dje është hapur panairi “Blej Shqip” me pjesëmarrjen e 100 prodhuesëve, ndërsa sot mbahet koncerti festiv i shtatë shoqërive kulturore artistike e ansambleve të këngëve dhe valleve që veprojnë në komunë.

Në Gjilan, festimet e Ditës së Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë të nisura dje vazhdojnë sot edhe me rep/rok koncert  të artistëve lokalë, me  koncert  këngësh e valleesh të ansamblit me emrin e qytetit dhe solistëve e ansamble të tjera vendore gjilanase.

Organizime institucionale, koncerte festive për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë e të Flamurit Kombëtar Shqiptar mbahen edhe në qytete e lokalitete tjera, edhe nëpër shkolla të Kosovës, ndërsa ka edhe shumë organizime të tjera festive popullore, tradicionale, nëpër sheshet përplot defilime të qytetarëve e me buçitje daullesh si në dasma.

Në Mitrovicë, shkolla e mesme e ulët “Skënderbeu”, e Vaganicës, 28 Nëntorin e festës së Pavarësisë së Shqipërisë e ka edhe Ditë të Shkollës dhe e festoi edhe me koncert të nxënësve.

Kosova sot kudo me valimin e flamujve kuqezi të ngritur në festën e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë feston edhe drejt 10 vjetorit të Pavarësisë së saj të shpallur në 17 shkurtin historik 2008.

Në Kosovë, edhe në rrethana okupimi, edhe kur ishte i ndaluar, Flamuri Kombëtar Shqiptar është shpalosur dhe ka valuar në 28 Nëntor në shtëpitë shqiptare kosovare dhe në institucionet e tyre, gjithnjë në ecje të vendosur e plot sakrifica drejt lirisë e pavarësisë. Flamuri Kombëtar kuqezi u ka prirë shqiptarëve në Kosovë edhe në të gjitha luftërat për liri, edhe në luftën e fituar në pranverën e vitit 1999, me mbështetjen e botës demokratike.

Filed Under: Politike Tagged With: 1968, Behlul Jashari, Festa e Flamurit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT