Nga Hazir Mehmeti/
Fjalё pёrshёndetёse në emër të mërgimtarëve/
I nderuari Ministër për Diasporë, z. Lbrahim Makolli,
I respektuari bacë Rifat Jashari, familja Jashari dhe familje të dëshmorëve,
Të nderuar ish ushtarë, invalidё e veteranё të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar udhёheqёs e qeveritarё të Skenderajt,
Të nderuar mërgimtarë, mysafirё e pjesëmarrës,
Kam nderin dhe jam i priveligjuar qё në emër të tё gjithё mërgimtarëve gjithandej globit t’ju përshëndesë dhe t’ju dёshiroj mirё se ardhje e pushime tё kёndshme nё vendlindje.
Është krenari e nder i veҫantё t’ju drejtohem nga këtu, nga vendi i shqipeve, nga Prekazi heroik, djep i legjendave me Kryelegjendën, Komandantin Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari në emër të mërgimtarëve, me dëshirën për prosperitetin e vendit tonë të shenjtë, Kosovës dhe gjithë Shqipërisë Natyrale..
Mërgata jonë jetoj dje e jeton sot me shqetësimet e sfidat e shumta që ka Kosova, si shtet i ri. Ne jemi pjesë e saj dhe do tё përpiqemi për ta ndihmuar pa reshtur në të gjitha format e mundshme ekonomike, politike e kulturore.
Ne do përpiqemi të jemi krahu i fortë në hapat e zhvillimit dhe integrimit të Kosovës krahas vendeve të tjera të Europës.
Prekazi, këtu ku jemi tubuar sot, është vendi i frymëzimit tonë, vend i ndërgjegjësimit tonë se, ku jemi dhe ku shkojmë me veprimet tona, që herë-herë janë të luhatshme e të dëmshme për vendin për të cilin u derdh aq shumë gjak e u bënë aq shumë sakrifica shekujve.
Këtu, më shumë se askund tjetër, duhet kujtuar e rikujtuar vuajtjet tona shekullore, duhet kujtuar Ushtrinë Çlirimtare e Kosovës, e cila lindi nga gjiri i popullit liridashës dhe me luftë e sakrifica solli Lirinë, duhet kujtuar i gjithë populli ynё i shumvuajtur, por kurrё i nёnshtruar, i cili mbijetoi dhe sot e gёzojmё LIRINË.
Vendit tonë i detyrohemi për të gjitha, ashtu siç qeveria e Kosovës i detyrohet mërgatës për të gjitha nevojat e saj.
Ministria e Diasporës ka bërë hapa fillestar drejt njohjes së nevojave që ka mërgata e mërgimtari dhe hapjes së rrugëve të kthimit të kapitalit dhe investimeve të tyre në vendlindje. Kjo u shpreh me përkrahjen nga mërgimtarët të rrjetëzimit të bizneseve shqiptare gjithandej botës.
Aktiviteti i Ministrisë së Diasporës dhe Arsimit, u shpreh në ngritjen e interesimit për mësimin e gjuhës amtare nga sa më shumë nxënës në shtete ku jeton e vepron mërgata jonë. Këtu duhet një punë këmbëngulëse dhe e vazhdueshme e përbashkët dhe kemi arsye të mos jemi të kënaqur.
Si mësues që jam, bëjë thirrje nga këtu, nga Prekazi Legjendar, të të gjithë prindërit mërgimtarë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës amtare. Ky tani është patriotizmi që kërkohet në ruajtja e gjuhës së shenjtë shqipe dhe identitetit tonë kombëtar.
Ajo u shpreh në hapjen e Qendrave Kulturore në disa kryeqytete me peshë ku jeton mërgata shqiptare. Ne do i përkrahim pa rezervë aktivitetet e tyre kulturore të cilat do rrisin afirmimin tonë para kulturave të kombeve tё tjera si formë e integrimit gjithëkulturor gjithandej botës.
Sot këtu, Prekazi flet për arsye në veprimet tona karshi vendit. Interesi i vendit sot kërkon dorën tonë të sinqertë në rrugën e ndërtimit drejtë progresit.
Faleminderit Familja Jashari!
Faleminderit Prekazi historik!
Faleminderit Ju tё pranishëm për vëmendje!
Prekaz, 2 gusht 2014