• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rezoluta e Bujanit- 2 Janar 1944. PARA DHE MBAS (II)

January 20, 2014 by dgreca

 Me rastin e 70  vjetorit/

Nga Prof.  Sami Repishti/

 Me 12 shkurt 1945, me qellim te perhapjes masive se propagandes zyrtare, u themelue gazeta Rilindja e cila shpejt u transformue ne burimin kryesor te lajmeve per qytetaret e Kosoves. Njikohesisht, me qellim te mashtrimit te popullit shqiptar te Kosoves, ne prill 1945, u krijue Keshilli Nacional i Shqiptareve per Kosove e Rrafshin e Dukagjinit me qellim “.. te ndihmohej popullsia per shfrytezimin e fryteve te Luftes Nacional Clirimtare, per afrimim kombetar, per çlirim social, per ngritje politike, kulturore, arsimore…”Ne prill 1945, perfaqesuesit e Keshillit Nacional Shqiptar per Kosoven dhe Rrafshin e Dukagjinit, i paraqiten Presidentit J.B.Tito shtate kerkesat e tyne. Me gjithe premtimet e marruna nga Tito, roli i Keshillit Nacional i Shqipetareve perfundoi shpejt, udheheqja e tij u eliminue politikisht dhe nji pjese edhe fizikisht.

Ne kete atmosfere, u mblodh ne Prizren me daten 8-10 qershor 1945, per here te pare, Keshilli Nacional-Clirimtar i Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit. Gjate kesaj mbledhje u pa i qarte qellimi i serbeve me ushtrimin e frikes dhe te dhunes ushtarake kunder delegateve, te cilet nen presion te vazhdueshem u detyruen me deklarue si “pa vlere” Rezoluten e Bujanit, dhe me  kerkue bashkimin e Kosoves  “Krahine Autonome e Kosoves dhe Metohise-KAKM” si pjese e pandame e Federates Jugosllave dhe pjese perbase te Republikes se Serbise. Vendimet e mbledhjes se Prizrenit konfirmuen dyshimet e shume atdhetareve kosovare ne qellimet e serbeve. Por u ndertue si njisi “autonome”, berthame e mundeshme per “republike”

Me 7 gusht 1945, Mbledhja e III e AVNOJ-it aprovoi “kerkesen” e perfaqesuesve te Kosoves per pjesemarrje ne Federaten Jugosllave, dhe me 3 shtator 1945, nji vendim i ketill u muer edhe nga Kuvendi i Republikes se Serbise. Kosova ishte tashma nen sundimin e dy entiteteve: federative jugosllave dhe republikane serbe. Ashte e randesishme me vue ne dukje se Kosova u ba anetare e Federates jugosllave para se te perfshihej si pjese perbase e Republikes serbe.

Ne periudhen para-kushtetuese (nandor 1944 -31 janar 1946)  Kuvendi i Krahines Autonome te Kosoves e Metohise (KAKM)ka gezue nji pavaresi gjyqesore, si dhe perfaqesohej drejte per se drejti ne Keshillin Antifashist Nacional Clirimtar te Jugosllavise, (AVNOJ) nepermjet 15 deputeteve qe kishte zgjedhe Keshilli Krahinor per organin ma te nalte federal te pushtetit te ri.

Me 31 janar 1946, u  aprovue Kushtetuta e pare e Republikes Federative Demokratike te Jugosllavise, ku u konfirmue edhe “autonomia” e Krahines Autonome e Kosove-Metohise (KAKM). Aty thuhet:

“Republika e Serbise ka ne perbamje (u sastavu) te saj Provincen Autonome te Vojvodines dhe Krahinen Autonome te Kosove-Metohise” (Neni 2,seks.2, i Kushtetutes Jugosllave, 1946) .

Ne baze te ketyne akteve, gjendja e vendosun ne Kosove e aprovueme edhe nga organet legjislative te Federates Jugosllave dhe te Republikes se Serbise, KAKM nxori Statutin (jo Kushtetute!) e vet si aktin ma te nalte dhe ne pajtim me Kushtetuten e Federates Jugosllave. Per arsye politike, -marredhanjet e mira me Shqiperine dhe qellimet e matejshme te nji bashkimi me Jugosllavine,- Statuti i KAKM nuk u botue deri ne korrik 1948, mbas prishjes se marredhanjeve me Shqiperine.

Keqesimi i marredhanjeve shqiptaro-jugosllave (qershor,1948) krijoi nji situate te veshtire per KAKM ngushtoi veprimtarine e Krahines dhe forcoi varesine e saj nga Republika e Serbise. Per ma teper, Federate Jugosllave qe kishte marre persiper kryemjen e disa projekteve –kryesisht strukturen e komunikacionit dhe shendetesine –i pezulloi ata, ndersa Fondi i Federates nuk dha asnji dinar per zhvillimin e Kosoves. Ky fillim jo-parimor krijoi bazen e mbrapambetjes se KAKM, nji mallkim qe e shoqenoi deri ne fund. Vetem ne vitin 1953, filloi dhanja e huave me interese per Kosoven. Para kesaj date, huate federale kishin karakterin e “grant”it, dhurate direkte.

Ne vitin 1953, Serbia ia doli me ba ndryshimet e kushtetutes serbe, simbas te ciles, “krahimat” nuk shiheshin perseri si rezultati”…i vullnetit te lire te popullit me u bashkue me Serbine federale”, por si “te drejta te akordueme nga Serbia  per organizim te nji autonomie”. Ky  qendrim serb u konfirmue edhe me ndryshimin e disa dispozitave te Kushtetutes Federale te vitit 1946 (Kreu XI i Kushtetutes u zevendsue me nji kapitull te ri Kreu IV) te percaktuem si “Dispozitat Parimore mbi Organet e Pushtetit te Krahinave Autonome” KAKM ishte tashma nen kontrollin serb. Me qellim qe te eliminohej mundesia e nji “kthese”qe mund te ngrente Status-in e KAKM, Ligji Kushtetues Federal abrogoi dispoziten e “nenit 44” e cila mundesonte krijimin e republikave te reja, si dhe formimin e krahinave te reja autonome.

Nji zbritje e ketill e pozites se KAKM ka qene pikenisje per kerkesat kosovare me ngrite statusin e Kosoves ne rangun e nji “republike federale”, qe ne thelb, ishte nji kerkese e drejte per barazi kombetare. Me gjithe kufizimet e imponueme dhe mohimit te drejtave te garantueme nga Lufta Nacional-Clirimtare e popullit kosovar, prap se prap KAKM mbeti, ne thelb, nji njisi autonome me identitet te caktuem shqiptar,  si berthame e mundshme e nji shteti ne te ardhmen.

Si popullsi me shumice dermuese shqiptare te KAKM, shqiptaret nuk mund te trajtoheshin si “pakice kombetare”, nii qendrim-e trajtim- qe u perdorue per “pakicat” jashte KAKM, -ndersa madhesia e saj tokesore nuk lejoi qe ajo te bie ne nivelin e “rretheve” administrative. Perkundrazi! Madhesia e KAKM detyroi Republiken e Serbise te barazoje poziten e KAKM me ate te “Provinces” se Vojvodines, nji akt kushtetues , ne parim, cilesor.

Me ndryshimet kushtetuese te vitit 1963, gjendja e Kosoves u keqesue: dy krahinat autonome humben autonomine e tyne financiare e gjyqesore. Ne praktike, megjithese jo ne teori, ata u reduktuen ne dy njisi administrative serbe.

Krahas degradimit te konceptit te “autonomise” ne praktike per shqiptaret e Kosoves, Qeveria Federale, kryesisht serbe, adoptoi tri masa administrative “me eliminue rrezikun nacionalist”:

E para, shpernguljen masive te shqiptareve , kryesisht ne Turqi;

E dyta,  procesi terrorist i mbledhjes se armeve,

E treta, kufizime artificiale , me ngadalesue zhvillimin e ekonomise dhe kultures.

Me ndryshimet e vitit 1948 ne marredhanjet shqiptaro-jugosllave, popullsia e KAKM u “transformue” mbrenda dites nga propaganada jugosllave nga “bashkepunmetore te okupatorit” ne “staliniste” dhe ma vone “enveriste”. Qellimi i ketij deformimi duket se ka qene mos-perfillja e shqiptareve ne Jugosllavi, dhe perforcimi i mbrapambetjes se tyne ekonomike dhe kulturore; si mase e vorfen dhe pa kulture, ajo mund te manipulohej ma me lehtesi. Eliminimi i udheheqjes shqiptare te Krahines, dhe pengimi i daljes ne skene te nji klase te edukueme qe mund te sherbente me paraqite pikepamjet e shqiptareve me dituni e kambengulje –ashtu si ngaju ma vone- Beogradi synonte keqesimin e konditave jetesore ne Kosove, dhe eventualisht emigrimin masiv te tyne, nji fenomen negativ qe  mori zhvillim. Autori kosovar, Jusuf Buxhovi, spjegon:

“ … Ne perputhje me kete synim, do te mbyllet Instituti Albanologjik ne Prishtine, do te mbartet Shkolla Normale nga Gjakova ne Prishtine, qe pas pak edhe ajo do te mbyllet, do te serbizohen te gjitha emertimet e ndermarrjeve, fabrikave, ato te shoqatave kulturore apo klubeve sportive dhe te tjera, te cilat do te shkruhen me alfabetin cirilik; me nji fjale, do te anulohen te gjitha ata qe kishte kerkuar dhe jetesuar Keshilli Nacional i Shqiptareve nga  fillimi, dhe ne saj te angazhimit te veprimtarive te tij” (Kosova,316)

KJo veprimtari radikale serbe shkaktoi reagim ne popullsine shqiptare e cila çfaqi kundershtimin e saj me organizimin e levizjeve revolucionare te viteve ’60, programi i te cilave ishte “bashkimi me Shqiperine”, ne ate kohe diktature e eger staliniste. Perseri, vendimet e Bujanit dolen ne skene si pike frymezimi patriotik. Ky zhvillim tregonte mungesen e besimit te popullsise ne programet e perpunueme ne Beograd, e sidomos neglizhimin e arsimit dhe mohimin e fondeve financiare federative per zhvillim ma te shpejte ekonomik.

Krahas me kete prirje “revolucionare” u çfaq ne Kosove tendenca e njohun e “Levizjes Nacional Demokratike Shqiptare” (LNDSH) e viteve te para (1945-1947) per ndergjegjsimin e elementit aktiv e te afrimit me Boten e Perendimit, si dhe mospajtimit me ideologjine politike. Si rrjedhim, kerkesat per nji forcim te identitetit kombetar shqiptar  ne kuader te Jugosllavise Federale, filluen te ndryshohen, dhe bashkimi me Shqiperine u ba kerkesa kryesore e dites. Ne keto dite, çfaqet edhe aktivisti “enverist” Adem Demaçi, si figure simbolike e bashkimit me Shqiperine, nji kerkese se ciles i kishte kalue koha. Kosovaret, te shgenjyem nga zhvillimet politike  dhe terrori komunist ne Shqiperi, ishin te vendosun me pase shtetin e tyne, mundesisht me evolucion kushtetues, tue fillue me kerkesen “Kosova-Republike”.

Kane qene demonstratat masive te vitit 1968 ata qe i dhane levizjes kosovare karakterin e saj te qendrueshem: jo bashkim me Shqiperine, por nji proçes shtet-formues qe synon nji republike te Kosoves mbrenda kuadrit te Jugosllavise federative. Parulla “Kosova-Republike” u ba udherrfyese ideologjike e popullsise dhe forma ma e plote e kerkeses per barazi ne Federate, por jashte kuadrit te Republikes se Serbise.. Nji percaktim i ketill logjik u pergjigjej mire kerkesave te Kosoves- barazi pa ndryshim te kufinjve nderkombetare- dhe ngriti nivelin politik te levizjes; kosovaret kishin tashma nji objektiv te caktuem, historikisht te justifikuem, dhe jo agresiv e revolucionar., i cili nuk mund te kundershtohej me arsye, me gjithe kercenimin e dhunes ushtarake serbe.

Akuzat jugosllave per “kunder-revolucion” dhe “separatizem” nuk pranoheshin lehte nga qarqet e edukueme te shoqenise jugosllave (me perjashtim ndoshta te Serbise, Malit te Zi  dhe Maqedonise), as edhe nga qarqet diplomatike nderkombetare, amerikane dhe europiane (kryesisht gjermane).

Ky qendrim nuk pengoi autoritetet jugosllave me shtype egersisht çdo gjurme kundershtimi ne Kosove. . Nji aspekt i kesaj dhune ka qene persekutimi i klases se re intelektuale shqiptare, tani e njohun si forca udheheqse e levizjes mbarepopullore per nji Republike te Kosoves

Me Plenumin e IV te KQ te PKJ (qershor 1966) u krijue nji mundesi per shqiptaret e Kosoves me avancue programin e tyne qe synonte, si gjithnji ma pare, forcimin e lidhjeve direkte me Federaten Jugosllave, ne kurriz te dobesimit te lidhjeve te imponueme me force me Serbine. Ramja e A. Rankoviqi-it, koka drejtuese e shovinizmit serb, personi qe punoi ma se shumeti me avancue programin e nji “Serbie te Madhe” mbrenda Federates Jugosllave, ndezi shpresa te reja per nji levizje reformiste nga e cila do te perfitonte edhe Kosova. Ndryshimet kushtetuese (amendamentet) e vitit 1967 e ngriten nivelin e diskutimeve mbi Kosoven (dhe Vojvodinen) si “krahina autonome”  dhe ushqyen kerkesen “Kosova-Republike!”, nji kerkese e denueme rande nga Kushtetuta e vitit 1963, qe dobesoi lidhjet e Kosoves me Federaten, dhe plotesoi deshirat serbe per kontroll mbi Kosoven.

Nji zhvillim i paparapame –dalja ne skene e Jugosllavise si faktor kryesor per reforma liberale, fitoi simpatine e “vendeve te pa-angazhuara” (ish-kolonite) dhe bani te pamundun kthimin ne sistemin autoritar, centralist, qe preferohej nga forcat regressive te shovinizmit serb. Tashti, dalja ne skene me fuqi ne Jugosllavi e “çeshtjes kombetare” kerkonte nji zgjidhje te pranueshme, qe eventualisht do te sherbente edhe si shembull per shume vende te pa-angazhueme. Termi “pakice kombetare” u zevendsue me termin “kombesi”, popullsi qe nuk perban korpusin kryesor te nji kombi (zakonisht i perfaqsuem ne nji “shtet”- si Shqiperia per Kosoven).  Jusuf Buxhovi spjegon:

“ … Ky ndryshim nuk ishte vetem çeshtje terminologjie. Perkundrazi, kjo kishte te bente me nje perkufizim me adekuat per poziten e pjesetareve te kombesive si dhe rolin e tyne te ri qe do te kene ne Jugosllavi si subjekte te barabarta ne Federate, me çka krijohen kushte reale qe pozita e Krahinave (KAKM dhe PA e Vojvodines) te nxirreshin nga tutela serbe ku ishin futur me Kushtetuten e vitit 1963, per t’u kthyer ne ate te Federates…”(Kosova,328)

Nji zhvillim i ktille fatlum do te hapte rrugen per kerkesa ma te guximshme dhe ma konkrete nga ana e shqiptareve te Kosoves, siç jane anulimi i procesit te kurdisun te Prizrenit (1953) dhe pezullimi i shpernguljevet  shqiptare ne Turqi.

Ngritja e KAKM ne nivelin e nji njisie federale pruni edhe ndryshime substanciale ne Kosove; jo me pak randesi ka qene zevendsimi i anti-shqiptarit Dushan Mugosha si udheheqes i PKJ per Kosoven, me shqiptarin Veli Deva.

Pozita e forcueme e shqiptareve te Kosoves u perkrah edhe nga elemente reformiste te Federates jugosllave –kryesisht sllovene dhe kroate.  Ne veprimtarine e tyne kosovaret u perqendruen:

–          ne zhvillimin ekonomik te Kosoves; dhe

–          ne emancipimin ma te shpejte shoqenor dhe kombetar, si dhe ne emancipimin e kombesise shqiptare me forcimin e barazise, nji zhvillim qe duhej shprehe edhe nepermjet ndryshimeve kushtetuese  (Buxhovi,op.cit.331)

Gjendja e re krijoi mundesine e  zbulimit te diskriminimit te gjithaneshem serb ne Kosove, sidomos ne arsim dhe ekonomi, me synimin e pagabueshem ne reduktimin e Kosoves ne nji Krahine te paarsimueme dhe thellesisht te mbrapambetun ekonomikisht., ku vorfenia dhe paditunia do te ndihmojshin emigrimin e shqiptareve ne Turqi, nji objektiv kryesor serb.

Ne kete atmosfere optimizmi, ne Kosove nuk munguen edhe referencat ne Rezoluten e Bujanit dhe sidomos parimit te vete-vendosjes, tue perfshi edhe te drejten e shkeputjes. Ne prill 1968, Fadil Hoxha, udheheqes komunist kosovar, kerkonte haptazi njohjen me kushtetute te barazise kombetare ne mes te kombeve dhe kombesive….(perndryshe)…kjo kombesi (shqiptare) do te ishte jashte ose mysafire, ose diçka tjeter” qe la te kuptohet  nji “toke e pushtueme”.

Ne kete fryme u mbajt mbledhja e Aktivit te komunisteve te Gjakoves, nga ku doli qendrimi se “Kosova do te mund te behej Republike” . Nga ky formulim, Aktivi i Gjakoves kerkoi:

1)     Kombesia shqiptare te emertohet ‘kombi shqiptar’

2)      te percaktohet me Kushtetute perdorimi i flamurit kombetar shqiptar,

3)     te shpallet KAKM si “Republika e Kosoves’.

Qendrimet e Aktivit te Gjakoves u mirepriten ne te gjithe Krahinen. Ne Aktivin Politik te Prishtines u perseriten keto kerkesa, dhe u ngul kambe qe Kosova te njihet dhe te trajtohet si “njisi federale” me te drejta te plota.

Reagimi  serb kundrejt kerkesave kosovare ka qene i terbuem. Ne mbledhjen e forumeve publike qendrimi Kosovar u paraqit si “tratheti e serbizmit”.

Kunder-reagimi Kosovar mund te permblidhet ne deklaraten e prokurorit te pergjithshem te Kosoves, Rezak Shala:” Republika e Kosoves ashte imperativ i kohes, dhe nga kjo e drejte nuk duhet heqe dore”.

Megjithate, nen presionin e udheheqjes federale, kryesia e komunisteve te KAKM u detyrue te terhiqet. “Opsioni i Republikes se Kosoves nuk ka qene asnji here pjese e kerkeses se komunisteve te Kosoves…por pasurimi i pozites Kushtetuese te Kosoves ne nivel te Federates.” (Buxhovi, Kosova,104)

Kompromisi i arritun se Kosova duhet te ngrihet ne shkallen e njisise federale, por duhet formalisht te mbetet e lidhun edhe me Republiken e Serbise, u spjegue nga Fadil Hoxha si vijon:

”…Nuk don te thote se nuk mund te shtrohet çeshtja e Republikes….Por duhet te vleresojme se çka ashte reale, vertete reale dhe e mundshme ne kete drejtim te afirmimit te autonomise, qe don te thote esenca te arrihet dhe, nga ana tjeter, te kuptohet se çka ashte deshire”. (Buxhovi.op.cit.342)

Kjo “terheqje taktike” shkaktoi reagimin e masave te te rinjve studente te konviktit te Prishtines, dhe te disa shkollave te mesme ne Kosove, qytetin e Tetoves dhe Ulqinit qe  zgjaten, me nderpremje qe nga data 6 tetor deri me 27 nandor 1968, me kerkesen qe KAKM arsyetohet me te drejten e vetevendosjes –te konsakrueme ne Bujan,1944-  e te fitueme gjate luftes kunder okupatorit. Nderhymja e forcave shtypese  te policise serbe shkaktoi vdekjen dhe plagosjen me arme te studenteve. Por kerkesa “Kosova-Republike” u ba boshti kryesor  parullave per te gjithe shqiptaret e Kosoves, pa  dallim. Prirja per krijimin e nji shteti Kosovar predominoi, ndersa ideja e “bashkimit”me Shqiperine zuni vendin e dyte.

Demonstratat e vitit 1968  do te vejne shtetsine e Kosoves ne nji binare te pa kthese. Gjithashtu,  keto demonstrata konfirmuen edhe rolin udheheqes te klases intelektuale te Kosoves. Flakadani i rezistences per liri e pavaresi kaloi nga pushka e “kaçakeve” ne nji atmosphere vete-vrasje, ne penen krijuese te te rinjve te edukuem dhe me perspektive fitorje ne kondita ma te pershtatshme qe mund te krijonte situata nderkombetare. Ashtu si tregoi historia ma vone, u donte bashkimi i ktyne dy armeve me arrijte fitoren perfundimtare ne fund te nji shekulli te pergjakshem, si dhe mirekuptimi nderkombetar!.(vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: 2 Janar 1944, rexoluta e Bujanity, Sami repishti

REZOLUTA E BUJANIT- 2 JANAR 1944: PARA DHE MBAS

December 26, 2013 by dgreca

Me rastin e 70 Vjetorit/

Shkruan: Prof. Sami Repishti/

Ridgefield,CT.- 2 Janar 2014.- Me daten 31 dhetor 1943 deri me daten 2 janar 1944,  ne katundin Bujan (Bunjaj) te Tropojes, Republika e Shqiperise, nji grup patriotesh shqiptare me banim te perhershem ne Kosove dhe ne Republiken e Shqiperise, dhe nji grup perfaqsuesh te forcave politike e ushtarake pro-komuniste, Levizja Nacional Clirimtare e Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit, ne perpjekje me legjitimue rezistencen e tyne kunder pushtuesit fashist italian ma pare, dhe nazist gjerman ma vone,  u mblodhen per marrjen e vendimeve ne lidhje me drejtimin politik te ardhshem per Krahinen e Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit. Ne perfundim te bisedimeve trediteshe u vendos te paraqitet per aprovim nji Rezolute, ku te pershkrueheshin vijat kryesore politike te rezistences kunder pushtuesit, bashkepunimin me dy shtetet fqinj, Shqiperia dhe ish Jugosllavia, dhe te shprehej vullneti i lire i perfaqsuesve per te ardhmen e Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit, ne ate kohe te pushtueme nga okupatori gjerman., por e administrueme nga elemente nacionaliste, qe per arsye objektive, pranuen bashkepunimin me okupatorin. Rezoluta e Bujanit –ashtu si njihet tashti ne histori- u aprovue unanimisht nga 49 delegatet e akredituem e te pranishem, me kombesi shqiptare, serbe dhe malazeze.

Me kete akt guximtar, politikisht korrekt, te justifikuem, dhe te pranuem unanimisht, Kosova hyni ne histori si nji njisi politike autonome, ne pritje te fazes perfundimtare te Luftes se II Botenore, dhe fillimit te nji jete te  re ne arenen nderkombetare me identitet te percaktuem dhe orientim antifashist, pjese e Koalicionit te Madh Anti-fashist Anglo-Sovieto-Amerikan gjate L2B.

“Rezoluta e Bujanit” ashte nji dokument qe paraqet korrektesisht vijen politike te Partise Komuniste te Jugosllavise (PKJ) ashtu siç propagandohej ajo nga Levizjet Nacional-Clirimtare, ombrela te propagandes komuniste. Paragrafi i fundit kontestues duket si nji shtese e fundit per plotesimin e deshirave te disa anetareve dhe per nevojen absolute me qetesue shpirtenat e shqetesuem te popullsise se frikesueme shqiptare te Kosoves per te ardhmen e tyne. Megjithate, ky paragraph, mbetet kryesisht pjesa qe ruen vleren historike, dhe qe ma vone u kontestue fortesisht nga ana jugosllave:

Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit jane te banueme ne shumice nga shqiptaret, te cilet si gjithmone edhe sot duen bashkimin me Shqipenine.

Rruga e vetme qe populli shqiptar i Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit te bashkohet me Shqipenine asht lufta e perbashket me popujt e tjere te Jugosllavise, sepse kjo asht rruga e vetme me fitue lirine, ne te cilen te gjithe popujt, pra edhe populli shqiptar do te kene mundsi me vendose mbi fatin e tyne me te drejten e vetevendosjes deri ne shkeputje…

Kjo e drejte garantohet nga Ushtria Nacional-Clirimtare e Jugosllavise, Ushtria Nacional-Clirimtare e Shqipenise dhe nga aleatet tone te medhaj te Koalicionit Antifashist Anglia, Bashkimi Sovietik dhe Amerika, nga Karta e Atlantikut dhe nga Konferenca e Teheranit.

***

Para “Rezolutes se Bujanit”, qendrime politike dhe akte inkurajuese  kane pergatite terrenin per kete “kerkese” te guximshme,- “bashkimin e Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit me Shqiperine”-, siç ishte ajo e  Bujanit:

Ne dhetor 1942, dy udheheqes komuniste, Boro Vukmanovic dhe Ramiz Sadiku, sugjerojne formimin e nji Keshilli Krahinor per Kosoven e Metohine, te frymezuem nga vendimet e marruna ne Sesionin e Pare te AVNOJ (Keshilli Antifashist Nacional Clirimtar i Jugosllavise) Jajçe, nandor 1942.

Me  21 shtator 1943, Millosh Milic, delegat komunist i Partise Komuniste te Jugosllavise ne Kosove-Metohi sugjeron qe emni “Metohia” te kthehet ne “Rrafshi i Dukagjinit..…sepse ky ashte emni qe popullsia vendese perdoron; kjo popullsi shikon te ‘Metohia‘ nji emen serb”.

Shtator 1943. Emni Keshilli Nacional-Clirimtar per Kosoven e Metohine çfaqet publikisht ne Kosove

6 tetor 1943. Pavle Jovicevic-Rade, sekretar i Komitetit Krahinor te Partise Komuniste Jugosllave  (PKJ)per Kosove e Metohi konfirmon ekzistencen e Keshillit.

Tetor 1943.  Si reagim kunder suksesit te madh te Lidhjes se Dyte te Prizrenit qe ngjalli shume shpresa ne Kosove (shtator 1943) Fadil Hoxha, komandant i Shtabit Kryesor te njisiteve Nacional-Clirimtare dhe aradheve partizane te Kosoves, njoftoi pergatitjet per nji Konference qe “…do te ishte edhe me ma shume randesi se Lidhja e Prizrenit e vitit 1878”.

3-5 nandor 1943. Ne malet e Sharrit, Konferenca Konsultatve e PKJ per Kosove-Metohi vendose”…me thirre pa vonese mbledhjen e Keshillit Krahinor Nacional Clirimtar per Kosove-Metohi e Rrafshin e Dukagjinit…Partia ka ndryshue emnin nga “Metohia” ne “Rrafshi i Dukagjinit”, ashtu si e quen popullsia vendese.

15 nandor 1943.  Vendoset qe mbledhja te mbahet ne Drenice (territor i Kosoves) por rrethanat e jashtezakonshme nuk e lejojne. Mbas konsultimeve me elemente te Nacional Clirimtares nga Shqiperia, u vendos qe Mbledhja te mbahet ne Malesine e Gjakoves (jashte territorit te Kosoves, por mbrenda territorit te Shqiperise), ne katundin Bujan (Bunjaj).  Sali Mani ofroi shtepine e vet, mbasi mori garanci nga popullsia vendese se do te mbrojshin delegatet ne rast sulmi nga pushtuesit.

30 nandor 1943- Radio “Jugosllavia e Lire” njoftoi vendimet e marruna nga Sesioni II i AVNOJ-it ne Jajçe, ku Krahina e Kosoves nuk u thirr me marre pjese, megjithese ekzistojshin organet legjislative dhe ekzekutive te rezistences kosovare.

Gjysem-dhjetor 1943 –Te gjitha pergatitjet per konferencen vijojne me sukses. Kujdes i kushtohet punes per zgjedhjen e delegateve perfaqesues te kombeve  dhe kombesive qe banojne ne Kosove-Metohi.

31 dhjetor. 1943- Ma ne fund, mbahet Seanca I e Keshillit Nacional-Clirimtar per Kosoven e Metohine. Konferenca pershendetet nga perfaqsues te ndryshem te Ushtrise Nacional Clirimtare Jugosllave dhe asaj Shqiptare, si dhe nga FL. Andy Hands, i ML anglez ne Kosove, i vendosun prane Shtabit te njisive ishtarake te Levizjes Nacional-Clirimtare per Kosove e Metohi.

Mbas diskutimesh tre ditore,, Konferenca adoptoi unanimisht (49 delegate, 43 shqiptare dhe 6 serbe e malazez) Rezoluten e njohun e Bujanit (2 janar 1944), ku kerkohet “…bashkimi i Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit me Shqipenine”, nji hap  i madh cilesor ne afirmimin e Krahines se Kosove-Metohise si njisi politike me territor te percaktuem, dhe identitet te caktuem kombetar shqiptar.

Ky qendrim i Keshillit Nacional-Clirimtar te Kosove-Rrafshi i Dukagjinit hodhi bazat per krijimin e shtetit te ardhem te Kosoves, si popull shtetformues e jo si pakice kombetare.

Mbas nenshkrimit te Rezolutes, delegati Xhavit Nimani bani pyetjen:

” Pse nji pjese e popullsis shqiptare te Kosoves e Rrafshit te Dukagjinit nuk merr pjese ne luften e madhe te popujve liridashes kunder fashizmit?” Dhe u pergjegj: “Populli ashte i frikesuem nga perspektiva se ç’fare sjelle  e ardhmja… Atyne u thuhet:”Blloku anti–fashist udhehiqet nga Rusia. A nuk ashte Rusia qe ne te kaluemen ka ndihmue serbet?”

Dyshime te justifikueme! Zhvillimet e mavoneshme treguen sa te shgenjyem mbeten shqiptaret nga sjelljet e pakices serbe ne Kosove dhe shtetit serb ma vone.

12 janar 1944, Raporti i pare “zyrtar” i  dergohet Svetozar Vukmanovic Tempo-s, anetar i Byrose Politike te PKJ dhe i ngarkuem per punet ne zonen e jugut te Jugosllavise. Komiteti Krahinor per Kosove e Rrafshi i Dukagjinit , me anen e Pavle Jovicevic-Rade.  Sekretar, shkruen:

” Para marrjes se dy letrave tueja, ne kemi kuptue se kemi ba nji gabim, d.m.th. kemi ra ne pozita te Ballit Kombetar, sepse”…kemi pranue qendrimin e masave ne vend”(sic!) Ai shtonte:” …e kuptojme se kemi ba disa leshime, dhe se jemi fajtore per disa mungesa tona  dhe gabime; megjithate, tue pase parasyshe situaten (ne Kosove) ne te cilen gjindemi , ne nuk kemi qene ne gjendje me u paraqite ndryshe nga kjo”. Kjo ”situate” u krijue sidomos mbas kerkeses se Lidhjes II te Prizrenit per bashkim te menjihereshem me Shqiperine,(tetor 1943.)

Me 31 janar  1944, Materialet e Konferences se Bujanit i dergohen PKJ. Ne letren percjellese thuhet se “…Konferenca ka qene nji hap perpara ne punen tone te ardhme”. Aty, thuhet gjithashtu”…Ashte e vertete se shqiptaret quejne dhe identifikojne me emnin e vetem “Kosova”  te dy Krahinat e Kosoves dhe Rrafshit te Dukagjinit .

16 mars 1944.  Raportohet se Rezoluta e Bujanit ka ba nji pershtypje te forte ne popullsine vendese, dhe kjo ashte arsyja qe kundershtaret po riorganizohen ne Kosove.

28 mars 1944. K.Q. i Partise Komuniste Jugosllave kthen pergjigjen per Komitetin Krahinor te Kosove-Metohise, me nji mosaprovim te plote te qendrimit politik te percaktuem ne Bujan:

“…Ju nuk duhet te kishit themelue Komitetin Krahinor (“Pokrajinski”) sepse Krahina e juej nuk ashte nji province specifike dhe kompakte. Ju ashte dashte te formoni komitete lokale per çdo distrikt… Ju nuk ashte dashte te ndryshoni emnin “Metohia” me “Rrafshi i Dukagjinit”…dhe duhet te mbani titullin “Oblasni Komitet”(Komiteti  Rrethit)…Kini kujdes te mos krijoni keqkuptime ne mes jush dhe shtetit shqiptar persa i perket kufijve etj. Sepse, sot nuk ka randesi; problem kryesor ashte lufta kunder gjermaneve dhe te gjithe atyne qe  perkrahin; problem kryesor ashte mobilizimi i masave tona per lufte, afrimi i te gjithe kombesive per lufte te perbashket; çdo gja jeter ashte e dores se dyte… Mos harroni se levizja çlirimtare ne Jugosllavi sot ashte shume ma e forte se levizjet tjera te vendeve fqinje (siç ashte rasti per Shqiperine) dhe se çlirimi i tyne do te jete ma i lehte ne se mbeshteten tek popujt e Jugosllavise, me nji aleance vellazenore me ata, te cilet nga ana e tyne nuk do te shtypin asnji popull dhe nuk do te pushtojne asnji toke te huej” (firmue:Milovan Gjilas)

18 qershore 1944- Komiteti Krahinor i PKJ per Kosoven dhe Rrafshin e Dukagjinit adopton instruksionet e KQ te PKJ. Qe nga ajo dite, fryma dhe deklaratat e Rezolucionit te Bujanit u tradhetuen perjetesisht nga jugosllavet, me qe forca e argumentit u zevendesue me argumentin e forces ushtarake.

Rreth fundit te vitit 1944, njisite ushtarake Nacional Clirimtare u rriten me mobilizim te detyrueshem dhe arriten shumen 50.000 ushtare. Premtimet e Bujanit u harruen, Tradhetia jugosllave shkaktoi konfliktin ne Kosove me revolta te armatosuna. Udheheqsit shqiptare kosovare u shkarkuen nga detyrat e tyne, dhe ekzekutimet masive shkaktuen vdekjen e ma shume se 36.000  shqiptareve te pafajshem, qofte me masakra, si ajo e Tivarit, qofte me perleshje te hapuna si ajo me Shaban Polluzhen, ose me ekzekutimet me gjyq e pa gjyq…!

8 shkurt 1945- Vendoset administrata ushtarake per te gjithe Krahinen. Fshate te tana digjen nga serbet.

24 shkurt 1945. Sesioni II i AVNOJ-it Delegacioni malazias kerkon aneksimin e Kosoves, ose ta pakten ndamjen e Kosoves ne mes Serbis dhe Malit te Zi.

Fund i shkurtit 1945. Dy delegate nga Kosova, Miladin Popovic dhe Fadil Hoxha, paraqesin para Marshallit Tito tezen ne emen te Kosoves, tue kerkue njohjen e Kosoves si nji njisi politike autonome ne kuader te Jugosllavise federative.. Aleksander Rankovic dhe Milovan Gjilas, paraqiten tezen serbo-malazeze. dhe kerkojne ndamjen e Kosoves ne mes te Serbise, Malit te Zi dhe Maqedonise. U arrit ne kompromisin e padeshirueshem: Kosova Krahine autonome e klasit te dyte, si pjese perbase e Republikes se Serbise, ashte edhe pjese e Federates Jugosllave. Pjese tjera te viseve shqiptare i kaluen Serbise (Lugina e Presheves) Malit te Zi (Ulqini, Tivari, Kraja e Tuzi me rrethe) dhe Maqedonise (Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari, Struga, Prespa e rrethet e Ohrit).

5 prill 1945. Ne mbyllje te Sesionit te Kongresit I te PK te Serbise, nji grup te ftuarish nga Kosova-Metohia shprehen publikisht “deshiren e popullsise” se Kosoves dhe Metohise me u bashkue me Republiken e Serbise, si pjese perbase e saj.

Maj 1945- Formohet Keshlli Ekzekutiv per Kosove-Metohi, me kryetar nji malazias.

8-10 korrik 1945.  Hapet Sesioni I (i rregullt) i Komitetit Nacional-Clirimtar  per Kosove-Metohi, i mbajtun ne Prizren, Ai vendosi, nen gryken e pushkes, me revokue Rezoluten e Bujanit, dhe   bashkimin e Krahines Kosove-Metohi me Jugosllavine Federative, si pjese perbase e Republikes se Serbise. Rezoluta e Bujanit u denue si “gabim politik” dhe u anulue!

23 korrik 1945- “Rezoluta e Prizrenit” qe kerkon mbetjen e Kosove-Metohise ne gjiun e Federates Jugosllave aprovohet nga Presidiumi i AVNOJ-it .

3 shtator 1945-  Asambleja e Republikes Demokratike e Serbise “pranoi” qe Kosove-Metohija te jene pjese perbase te Republikes Demokratike te Serbise.

**  *

Ketu mbyllet cikli i komedise politike jugosllave, kryesisht serbe -me rrjedhime tragjike per shqiptaret sepse mohoi te drejten e tyne per nji trajtim te barabarte me ate kombeve tjera te Federates Jugosllave.

Megjithate, andrra e formimit te nji njisie politike me identitet te percaktuem nga nji popull shtet-formues me te gjitha prerogativat e nevojshme –pushtetet kegjislative, ekzekutive dhe gjyqesore – ne nji territor te percaktuem ligjerisht, qeveri qendrore me autoritet mbi te gjithe territorin, dhe marredhanje paqesore me njisite tjera federale, – nuk vdiq, as u pakesue.

Per 55 vjet me rradhe (1945-1999) popullsia shqiptare ne ish-Jugosllavine siç do te shohim ma vone, punoi rande, dhe sakrifikoi shume ne altarin e idealit te barazise ne mes te kombeve, dhe ma ne fund edhe te pavaresise saj te plote.

Rruga e ndjekun ka qene e gjate, e mundimshme,  heroike dhe e drejte.

(v I j o n)

==================================================================

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 2 Janar 1944, Rezoluta e Bujanit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT