• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova Rapublikë me Kushtetutë para 30 viteve drejt Pavarësisë

September 7, 2020 by dgreca

 -Kosova para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind, si dhe nga zgjedhjet e para pluraliste parlamentare dhe presidenciale të 24 Majit 1992

 -Në Kuvendin e Kosovës sot në një ceremoni solemne u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
-Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në  mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998: Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Shtator 2020/  Para 30 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01%  të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit  të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990, në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.

“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një nga intervistat që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, është shprehur Ilaz Ramajli në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur të mbajtur nga 26 deri më 30 Shtator 1991.

Ndërsa në 30 vjetorin e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, për median kosovare – Kohën, Ramajli tha se ndonëse për shkak të rrethanave, Kushtetuta e Kaçanikut nuk ka pasur mundësi të që të zbatohet plotësisht në territorin e Kosovës, por ajo ka qenë njëra ndër aktet më të përparuara në regjion.

“Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 u shndërruan me kohë në busullë të lëvizjes sonë paqësore politike dhe besoj se po këto akte kanë qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave. Mbështetur në Kushtetutën e Kaçanikut u organizua komplet jeta në Kosovë jashtë sistemit të Serbisë dhe mundësoi që shqiptarët e Kosovës dhe popujt e tjerë joserbë të organizojnë rezistencën e tyre jo të dhunshme më vonë edhe luftën çlirimtare”, ka thënë Ramajli.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 12 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Kosova para 12 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda dymbëdhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës 1990,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 12 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 117 shtete anëtare të OKB-së dhe njohja më e re është nga Izraeli, për të cilën delegacioni i Kosovës u njoftua derisa ishte në Uashington në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator 2020.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Kuvendin e Kosovës sot u shënua 7 Shtatori, respektivisht 30 vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut.

Në këtë solemnitet morën pjesë delegatë të përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë shpallur Kushtetutën e Kaçanikut në 7 Shtator të vitit 1990.

Në ceremoninë solemne në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës u bë ndarja e mirënjohjeve për delegatët, të cilët në 7 Shtator të vitit 1990 morën pjesë në shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

PRESIDENTI THAÇI: NGJARJET E 2 KORRIKUT DHE 7 SHTATORIT 1990, AKTE TË GUXIMSHME TË DELEGATËVE SHQIPTARË

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shkruan:

Vullneti i popullit tonë për liri dhe pavarësi ishte shekullor. I tillë ishte edhe vullneti i përfaqësuesve politikë. Ngjarjet e 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 ishin akte të guximshme të delegatëve shqiptarë, që dëshmuan vendosmëri dhe vetëdije të lartë kombëtare e shtetformuese.

Sot, me respekt të veçantë, kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, që në rrethana të jashtëzakonshme miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila ishte bazament i fuqishëm për ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale në Kosovë.

Liria dhe pavarësia ishin ëndërr e shumë brezave, që sakrifikuan gjithçka për t’i bërë realitet.

KRYEMINISTRI HOTI: TRI DEKADA NGA MIRATIMI I KUSHTETUTËS SË KAÇANIKUT

Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti  shkruan:

Më 7 Shtator të vitit 1990, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, akt ky që erdhi si rezultat i shpalljes se Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut të po atij viti.

Këto dy akte dhe sakrifica e pamohueshme e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, i vunë themelet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Megjithëse nën presionin dhe kërcënimin e tytave të armëve, Kushtetuta e Kaçanikut u votua me shumicë votash nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilëve jemi përherë mirënjohës.

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS

 -Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 Shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/

Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po risjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

 VITI  1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT 

PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i  Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:

Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.

Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.

Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT


PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik.

  
Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:


Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij viti.

Kjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.

Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës

Filed Under: Featured Tagged With: 2 korrik 1990, Behlul Jashari, Kushtetuta

Ngjarja e 2 korrikut 1990, paraqet një akt sublim në historinë më të re shqiptare

July 2, 2018 by dgreca

Nga Jahja LLUKA/1Kuvendi-Qeveria-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari
Një shekull robëri nuk arriti ta shuaj etjen e një populli shqiponjash që të zgjidhin krahët e tyre nga regjimi serbo -sllavë. Kombe dhe popuj janë shuar, janë harruar gjuhë e kultura, duke mos i qëndruar vuajtjeve dhe torturave. Fatin i tillë e patëm dhe ne por me një dallim, sepse në vuajtet e mëdha, kombi ynë nuk u shua por u rritë. Një dhimbje shekullore u shenjtërua në forcë edhe atëherë kur këmbanat binin në melodinë e qyqeve. Në çaste kritike kur gjithë skenaret e historisë dhe rrethanave botërore shkruheshin me gjakun tonë, një energji thyente ligjet duke i dhënë goditje të keqes që haptas donte të përbijë gjithçka shqiptare. Një frymë mençurie dhe atdhedashurie na mbajti edhe atëherë kur çasti vinte rrëmbyeshëm duke na e mohuar vet ekzistencën. Me 2 Korrik 1990, Kosova ishte para një faze kritike dhe jo vetëm sikurse asgjë nuk mjaftonte për ti shtruar zullumin një populli që pikonte gjak. Duhej guxim dhe mprehtësi për të marrë vendime që kushtonin me jetë. Duhej sakrificë për të çelur derën e s’ë ardhmes e cila nuk shihej në horizont sepse një sistemi të madh sikur ai i ish -Jugosllavisë, kishin filluar ti dridhen themelet. Fati i shqiptarëve të Kosovës matej si një fije e hollë peri e cila nëse këputej do sillte pasoja të hidhuna për Ballkanin dhe Evropën. Për ta filluar një lëvizje dhe për të marrë fatin -e një populli mbi supe duhej guxim i rrallë, urtësi dhe saktificë deri në vetëflijim. Delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës ishin të vetëdijshëm për rrethanat në të cilat gjendeshin e që kishte vetëm dy mundësi : heshtje përballë fatkeqsive të regjimit serb apo lëvizje revolucionare e cila poashtu do të ngjizte dhe të tjera pasoja, faturën e të cilave do e paguanin shqiptarët. Me gjithë këtë guximi për të miratuar publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpallë njësi e veçantë në kuadër të federatës jugosllave, paraqet një akt sublim. Dy muaj më pas me 7 shtator të njejtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik -Kushtetutën e Republikës s’ë Kosovës, vendim ky që formalisht i dha Kosovës statusin e Republikës. Këto ngjarje në historinë tonë më të re duhet trajtuar në mënyrë të veçantë, sepse pas tyre filluan lëvizjet e gjëra me karakter popullor të cilat kishin një synim të përbashkët “rrënimin e regjimit serbo-sllavë” deri në pavarësinë e Kosovës e cila ishte mohuar një shekull vuajtje, lotë, gjak e robni. Populli shqiptarë u tregua largpamës dhe I matur sepse ndryshe do ishte e pamundur të mbijetonin n’ato kohë.

Filed Under: Komente Tagged With: 2 korrik 1990, Jahja Lluka, Kosove

2 korrik 1990- 2 Korrik 2015, 25 vjetori i hapjes së ambasadave

July 2, 2015 by dgreca

Ato ditë në ambasadat e ndryshme hynë e dolën të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave, 4795 vetë/
Nga Albert Zh. Zholi/
Ndodhia/
Më dy korrik 1990 pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë çelën dyert e tyre për ata që donin të iknin nga Shqipëria. Si ndodhi kjo? Si mund të flakej brenda një nate frika gati dyzetë e pesëvjeçare se arratisja ishte tradhëti, dhe tradhëtia ishte një jetë e mjeruar edhe për ata që mbeteshin pas? Dihet konstitucioni ndërkombëtar i territoreve të ambasadave. Ato janë shtete Brenda shteteve dhe cënimi i territoreve të tyre konsiderohet si cënim kufijsh. Por për çudi asnjë ambasador i akredituar në Tiranë të cilit i qe “dhunuar” territori kombëtar nuk bëri ankesë pranë qeverisë shqiptare për marrjen e masave në mbrojtje të ambasadave. Përkundrazi. Ambasadori gjerman mori në mbrojtje të “plagosurit” rebelë, pa pranuar që ata t’idorëzoheshin drejtësisë shqiptare. Ditët e ambasadave gjithashtu do të kërkojnë analiza më të thella me zbulim dokumentash të fshehta. Por ngjarjet që pasuan më pas, sidomos skenat e ngjashme si në Kubë, etj…tregonin se skenat e ambasadave, (dikush preferoi të prishtedhe murin e jashtëm dhe me një ‘skodë” të vjetër të fuste me dhjetëra veta brenda), ishin inskenuar më parë. Pavarësisht se nga mjetet qeveritare shqiptare të asaj kohe, këto u quajtën mësymje të ”bandavehuligane”, në të vërtetë, sasia e madhe e njerëzve që hynë në ambasadat e huaja atë korrik të vitit 1900 ishte e tillë, që ky term komunist binte vetiu. Ne nuk dimë akoma se kush ishin organizatorët, apo nismëtarët, siç thuhet rëndom. Të tjerët, janë masa gjithëfarësh që nuk mund të përmbahen më. Ato ditët në ambasadat e ndryshme hynë e dolën s’a andej të mposhtur nga lotët e nënave nëpër kangjellat e ambasadave), 4795 vetë. Nga këta për në Gjermani shkuan 3163 vetë, në Itali 816, në Francë 549, për në Turqi 77, për në Poloni 52, për në Çekosllovaki 51, për në Jugosllavi 6, për në Egjipt 6, për në Bullgari 5, etj. Më pas shumë prej tyre, sidomos atë të vendeve lindore, do të mërgonin drejt SHBA, Kanadasë, Australisë e gjetkë. Të dhënat e fundit tregojnë se shqiptarët kanë mbritur edhe në Iran, Zelandën e re, e Argjentinë.
Dy korriku është kthyer tanimë në një datë për të përkujtuar djemtë dhe vajzat, gratë dhe fëmijët që kërkuan tempujt e shpresës duke hyrë në ambasadat e huaja, sepse pikërisht në këtë datë është realizuar një përleshje e ashpër ndërmjet njerëzve të thjeshtë dhe strukturave policore të diktaturës.

Në fakt…
Hyrja nëpër ambasada kish filluar dymbëdhjetë ditë më parë, më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur atë. Pas datës 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja, ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me anë të makinës së plehrave që në një farë mase konsiderohej një spektakël. Përveç ambasadës kineze dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan bujtësit, duhet thënë se të gjitha ambasadat e tjera reflektuan një bujari dhe mikpritje, e cila nuk duhet të harrohet nga politika e sotme shqiptare. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi gjithashtu edhe pas datës 2 korrik, por kjo hyrje është bërë lehtësisht nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë urdhër të mos reagonte më.

Çfarë ndodhi pas Popajve/
Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane. I pari që tentoi të kapërcente muret e ambasadës greke ishte një banor nga Narta e Vlorës, të cilin policët arritën ta kapnin pikërisht ndërsa përgatitej të gjente tangjenten fatale të lartësisë së murit, dhe duke e tërhequr me forcë, pasi e shtrinë përtokë, e goditën rrufeshëm me grushte dhe shkelma derisa i ra të fikët. Akoma edhe sot nuk është bërë ende publik emri i njeriut nga Narta për të cilin muri që kishte ëndërruar si limit shpëtimi u kthye papritur në një qeli burgu ose në një mur pushkatimi. Gjithashtu, një tentativë grupi për të hyrë në ambasadën gjermane kishte dështuar. Duhet shënuar se ato ditë thuhej që në “ambasadën franceze ka mundur të hyjë një njeri”, por kjo gjë qarkulloi në formën e legjendës, pa u konfirmuar ndonjëherë saktësisht. Gjatë këtij dhjetëditori u synuan edhe disa ambasada të tjera në rrugët më të përshtatshme, por pa rezultat.

Goditja e parë, 20 qershor/
Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj, më datë 20 qershor të vitit 1990 në orën 07.40, pasi kishte çuar në punë gratë punëtore të xhenios, u drejtua për tek ambasada greke, duke ndaluar në murin anësor të saj. Brenda, përveç Bujarit, ishte edhe Edmond Vokshi, i cili pas një tentative për kapërcim kufiri në Tropojë, së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ishte dënuar me dhjetë vjet burg. Ndërsa gruaja me punë korrektonjëse. Pasi hapën kapakun e sipërm të autobusit, ata kapërcyen murin rrethues, duke u bërë kështu dy banorët e parë të kozmosit të ndaluar deri atëherë. Më 28 qershor në ambasadë hyri edhe gruaja e Mondit së bashku me fëmijët. Por, si u përgatit aksioni i hyrjes. “Një ditë më parë unë isha takuar me Leonidhën (shefi i sigurimit të ambasadës) në hotel ‘Dajti’, ku e kisha parashikuar për herë të dytë pikësynimin tim përfundimtar. Pasi më parë e kisha takuar te pishinat, – thotë Bujari. – Në këtë takim të dytë Leonidha më tha se ‘për t’ju dorëzuar, nuk ju dorëzojmë kurrë, por data e nisjes suaj do të varet nga rrethanat e zhvillimeve të mëvonshme’. Kështu, të nesërmen, me të mbërritur në ambasadë, dy të rinjtë morën kontakte me personelin dhe gjithçka u rakordua brenda pak minutave. “Ndërkaq, nga territori i ambasadës gjermane kapërcyen dy të rinj të tjerë, Ardi dhe Bimi, të cilët pasi kaluan murin rrethues të gjermanes, u hodhën përsëri për tek grekja, – thotë ai. – Ambasadori gjerman mbërriti menjëherë në ambasadën greke duke na thënë se kush dëshironte të qëndronte tek ai, mund të vinte menjëherë, por ne na premtuan në ambasadën greke për kushte të mira, banesë dhe punë sapo të vinim. Kështu që qëndruam të gjithë atje”. Ndërkaq, në kryeqytet kjo ngjarje bëri një bujë të jashtëzakonshme si te njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe në instancat qeveritare. Mbahet mend se në Teatrin Kombëtar, ndërsa po vihej afishja që paraqiste shfaqjen e një komedie të re, njëra nga aktoret më të njohura të vendit, Eva Alikaj, u tha me zë të lartë organizatorëve: “Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të detyrohen të qeshin përpara kësaj gjendjeje”.

E pabesueshmja në ambasadën gjermane/
Pa u lënë frymë strukturave të shtetit të organizoheshin, më 2 korrik muri i ambasadës gjermane u shemb nga një skodë në të cilën ndodheshin rreth 20 veta, burra, gra dhe fëmijë. Përpara turirit të makinës ishin vendosur thasë rëre, ndërsa sipër saj, në formën e ushqimeve paraprake, kishin marrë edhe disa dele. Megjithëse gjithçka ishte planifikuar me hollësi, ndodhi që muri rrethues nuk ishte mur me tulla teke, por dopio. Kështu që pas goditjes së tij, shumë nga të pranishmit u gjakosën në fytyrë dhe në trup. Ashtu të gjakosur ata kapërcyen murin e shembur, duke shënuar kështu kuotë të re për shembjen e diktaturës. Duhet thënë se brenda në ambasadë ndodhej një grup të rinjsh, pasi Ivi së bashku me shokët e tij kishin kapërcyer murin më parë. Por..Në ambasadën turke arratisja u krye në mënyrë spektakolare, nëpërmjet makinës së plehrave. Duke pastruar plehrat e qytetit, njerëz të veshur si punëtorë të komunales zbarkuan në ambasadën turke duke shënuar një të papritur të re. Më pas, së bashku me të ardhurit e tjerë që kishin hyrë më parë, Koli, Mondi, Ganiu, Fredi, Ardi etj. ata morën vizat tranzit për në Greqi dhe natën e fundit fjetën në hotel “Arbëria”, ku duke pritur mëngjesin nuk vunë gjumë në sy.

Dita e rrallë 2 korrik 1990…/
Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada. Në këtë përleshje pati edhe shumë të plagosur, por qarkullojnë fjalë edhe për një numër enigmatik të vdekurish. Nga ana tjetër, njerëzit e policisë arrestonin pjesëmarrës të ndryshëm dhe i fusnin në makina, të cilat nxitonin nëpër rrugë, por edhe sot e kësaj dite asnjëri nuk e di destinacionin e tyre. “Unë shikoja që nga kangjellat e ambasadës greke këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej zjarrit policor ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, pastaj ngarkoheshin nëpër makinat ushtarake tip IFA, por nuk e di ku përfundonin,” thotë një përfaqësues i trupit diplomatik. Në dëshmi duhet shtuar se dy kameramanë të policisë së fshehtë filmonin të gjitha fytyrat e pjesëmarrësve në këtë përleshje.

Ditët që pasuan..
Ishte dhënë një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t’u lënë ndonjë porosi pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t’u futur në ambasada, ngacmoheshin prej policit përkatës: “Në qoftë se do të hysh, kapërce nga pjesa anësore e murit”.

Dyndje e jashtëzakonshme dhe…/
Në ambasada kishte një dyndje të jashtëzakonshme. Kuptohet që vështirësia ishte më e madhe për furnizimin me ushqime, por ato ambasada ku kishte një numër më të kufizuar, kushtet konsideroheshin më komode. Kështu, në ambasadën gjermane dhe italiane kishte më shumë probleme në ndarjen e ushqimeve, por duhet thënë se përkushtimi i personelit të mbetur (një pjesë e madhe e punonjësve të ambasadave ishin larguar) ishte në shkallën maksimale. Ndërsa në ambasadat turke, franceze, greke, çeke etj. ishte më e lehtë për të përballuar tranzicionin e pritjes dhe ndonjëherë ndodhte që refugjatët e ambasadës greke ndihmonin të afërmit në ambasadën fqinje me cigare, ushqime etj., por kjo ndodhi vetëm për njëfarë kohe, sepse pastaj nuk na lejonin më – thotë Edmondi. Dita gjithsesi ishte më lehtë për t’u kaluar, kurse nata më e vështirë. Ndodhte që natën policia e fshehtë shqiptare ngjitej në kangjellat e ambasadës duke u folur individualisht njerëzve që qëndronin aty. “Arbenit i ka vdekur nëna”, “Iliri ka motrën të sëmurë” , ose “Dilni, sepse ata kanë vendosur t’ju bëjnë sapun, njëlloj si dikur në kampet e përqendrimit” etj. etj. Përveç kësaj, ndonjëherë vinin njerëzit e shtëpisë të nxitur nga shteti, të cilët u bënin thirrje të afërmve për të dalë. Në të gjitha rastet ne ishim të vendosur të qëndronim, por kishte ndonjë që edhe dilte për arsye të ndryshme, – thotë Edmondi.

Në ditën e finales së madhe/
Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në kryeqytetin sportdashës të Shqipërisë u përcoll me një interes të paktë nëpër familje. Zërat e njerëzve ishin mekur plotësisht nga zhvillimet e fundit dhe shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kur u shënua goli i gjermanëve, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi, sepse kryeqyteti jetonte orët e tij më të vështira. Por pikërisht që nga ambasada gjermane papritur oshëtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin “Gjermani, Gjermani”. Dhe në çastin e golit ky entuziazëm arriti kulmin. Atëherë njerëzit që banonin në qendër dolën në rrugë dhe më shumë sesa ndeshjen e futbollin dëgjonin oshëtimat e të ngujuarve, me shpresën e kotë se mund të dallonin zërat e të afërmve. Atë ditë i gjithë kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë, po në atë masë sa ç’mund të ishte me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë etj., po qe se do të luanin në finale.

Me sytë nga atdheu!/
Në mëngjes, që pa gdhirë dita, autobusët u ngarkuan me refugjatë duke u nisur drejt Durrësit. Njerëzit e tjerë, familjarë ose të afërm, kishin bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga tjetër drejt Durrësit, duke parakaluar Laprakën. Me gjithë këtë devijim, edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me familjarë të të ikurve. Në Maminas autobusët janë ndalur përreth çerek ore. Gjatë kësaj ikjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj. të cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë, si “Nënës sime si kujtim”, duke shkruar gjithashtu ndonjë adresë. Ndonjëherë thonë se në Tiranë, ku ashtu si kudo ekzistojnë vjedhjet dhe plaçkitjet, po të humbi diçka nuk e gjen kurrë më. Por atë ditë ndodhi krejt ndryshe. Atë ditë kur kombi kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes së tij, sendet e tjera apo florinjtë nuk kishin vlerë. Atë ditë nuk humbi asgjë, sepse të gjitha sendet mbërritën brenda ditës në destinacionet e adresuara. Njerëz që trokisnin nëpër dyer për të sjellë sendet e gjetura, pëshpëritnin me lot në sy fjalët: “Kërkoja një shenjë të tim biri, por gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava njëlloj si për fëmijët e mi”. Iknin me sy të nga atdheu!

Filed Under: Histori Tagged With: 2 korrik 1990, 25 vjet, Albert Zholi, ambasadat

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT