• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY NGJARJE ME RËNDËSI FETARE DHE KOMBËTARE NË TROJET SHQIPTARE

August 24, 2017 by dgreca

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Këshilli për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit ka shpërndarë njoftimin zyrtar dhe ftesat për Shënjtërimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 5 shtator 2017, që bie në 20-vjetorin e vdekjes dhe në 1-vjetorin e shenjtërimit të saj.  Ndërsa dy ditë më parë, me 3 shtator do të zhvillohet ceremonia e dedikimit të Katedralës së re Shën Pjetri në Tivar, një qëndër kjo e vjetër kishtare me një histori të gjatë, duke filluar nga themelimi i saj në shekullin e 9-të.    Kështu pra sivjet dhe brenda më pak se dy javësh, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtin vit, dy qendra të mëdha në trojet shekullore autoktone shqiptare, përfshirë Dardaninë antike, po e rivendosin namin e vet historik.Në njoftimin e Administraturës Apostolike të Prizrenit thuhet gjithashtu se ceremoninë madhështore në Prishtinë do ta kryesojë i dërguari personal dhe special i Papës Françeskut, hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.  Në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës evokohet pak histori për vendin ku është ndërtuar Katedralja, e ku ndër të tjera thuhet:  “Në afërsi të Ulpianës, Shën Florit dhe Laurit, martirëve tanë të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), krejt afër varrit dhe eshtrave të zhdukur të arqipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe të ftojmë në shugurimin e Shenjtërores, “Nëna Tereze” në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë”.

Njoftim-ftesa shënon gjithashtu një historik të zhvillimit të idesë për ndërtimin e Katedralës, shënon se duke konsideruar “faktet e mësipërme historike, si dhe nevojën e kahershme të Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e kësaj Shenjtërore.  Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio Sterlicchio dhe grupi i tij nga Roma, gur-themeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova, me pjesëmarrje të kardinalit amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef Gashi, Imzot Dodë Gjergji, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore dhe të shumë besimtarëve dhe qytetarëve”.

auto_71503597248

Mesazhi i Nënë Terezes në gjuhën e saj amëtare drejtuar popullit shqiptar nga Oslo e Norvegjisë në vitin 1979

auto_711503597246

Ne Foto: Katedrala Shën Nëna Tereze në Prishtinë

Ndërkaq, thuhet se vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark SOPI, (11 janar 2006), si dhe e Presidentit të  Dr. Ibrahim Rugova, (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të procesit të ndërtimit. Por me emërimin dhe ardhjen e ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Gjergji,  ky proces u përshpejtua, ndërkohë që puna për ndërtimin e katedralës filloi më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze”, thuhet mëtej.

Në njoftim/thirrjen dërguar nga Mons. Lush Gjergji, e arritur të mërkurën(24 Gusht) në postën time elektronike theksohet domethënja, mesazhi dhe objektivat kryesore që mbartë prania e katedralës kushtuar Nënë Terezes në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Aty thuhet se:   “Shenjtërorja “Nëna Tereze” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë.  Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës, kushtuar bijës së këtij populli të lashtë, “Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, që u bë motra Tereze e Loretos (1929); Nëna Tereze, “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobeliste e Paqes (1979), e Lumja Nëna Tereze (2003); Shën Nëna Tereze (2016)”, përfundon njoftimi i Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, në lidhje me ceremoninë e 5 shtatorit 2017 në Prishtinë.

Ndërkohë që shugurimi i njoftuar tanimë i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë me 5 shtator ka siguruar edhe më heret publicitetin e merituar si ngjarje me rëndësi për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo, një tjetër Katedralë Katolike Shqiptare po merr një pamje tjetër, gjithashtu e ndodhur historikisht dhe aktualisht, në trojet autoktone shqiptare.  Është fjala për Katedralën e vjetër, tani të rindërtuar të Tivarit, e cila ka një histori të lashtë mbi 900-vjeçare, por edhe të pasur historikisht, nga pikëpamja fetare dhe kombëtare në trojet shqiptare, si njëra prej qendrave kryesore të katolicizmit në Shqipërinë e Veriut.

(Një shënim personal, nëqoftse më lejohet të përmend lidhjet e mia qysh në fëmijëri me këtë qëndër historiko-fetare.  Ishte prej derës së Katedralës së vjetër të Tivarit që Arkipeshkvi i atëhershëm, Aleksandër Tokiqi, fund gushtin e vitit 1965 — kur isha vetëm 15 vjeç – së bashku me prindërit e mi më përcolli për në anijen që shkonte nga porti i Tivarit për në portin e qytetit Rijeka në veri-perëndim të Kroacisë, për të vazhduar mësimet në gjimnazin klasik të urdhërit të salezianëve).

850x636_721503597244

Kështu, pra dy qendra të mëdha shqiptare, jo vetëm fetare por edhe kombëtare, po e rivendosin namin e vet historik në Dardani dhe në trojet shqiptare, Tivar-Ulqin-Malësi.  Këto dy qendra me rëndësi, nën rrethana të ndryshme historike kanë patur dhe do të kenë shumë të përbashkëta, ndërkohë që në frymën e Nënë Terezës, do t’i shërbejnë shqiptarëve, që të shtojnë dashurinë jo vetëm ndaj Perendisë, por edhe dashurinë ndaj njëri tjetrit – ku pa dallim feje a krahine, si vëllëzër të një gjaku, siç thuhet edhe në njoftimin e Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, “Ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”.

Në të vërtetë, ishte kjo frymë dashurie, qytetërimi dhe bashkjetese fetare midis shqiptarëve të një gjaku – sidomos atyre në diasporë, por jo vetëm — që bëri të mundur financimin për ndërtimin e këtyre dy objekteve fetaro-kombëtare. Përsa jam në dijeni, ishin kryesisht ndihmat financiare të grumbulluara sidomos nga komuniteti shqiptaro-amerikan — pjesëtarë të tri feve kryesore të shqiptarëve pa dallim, në Shtetet e Bashkuara — por edhe amerikanë miqë të shqiptarëve, të cilët dhuruan shuma të mëdha drejtë realizimit të përfundimit të këtyre dy objekteve.  Ndërtimi i këtyre dy katedraleve është rezultat i ndihmës shqiptare për shqiptarët. Ishte kënaqsi të shikoje organizimet vjetore të lojës së golfit, organizuar nga Anton Raja me shumë shokë, ku merrnin pjesë shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine dhe shumë dashamirës të dy besimeve — vëllëzrit myslimanë dhe ortodoksë — me qëllim mbledhje fondesh nga viti në vit, ekskluzivisht, për ndërtimin e katedralës së Nën Terezës në Prishtinë.  Këto takime vjetore do të mbeten gjatë në kujtesën e pjesëmarrsëve.

Shqiptarët e Amerikës e kishin kuptuar me kohë rëndësinë e themelimit të qendrave fetare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe mbëshetetjes së ndërtimit të këtyre objekteve në trojet shqiptare në Ballkan, sidomos pas shëmbjes së komunizmit.  Qëndrat fetare shqiptare dhe komuniteti shqiptaro-amerikan pa dallim kanë njohur jo vetëm dobinë shpirtërore por edhe rolin patriotik të këtyre qendrave, duke filluar nga veprimtaria fetaro-patriotike e Fan Nolit dhe themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergji në Boston e deri tek kohët e fundit por edhe më heret, në një histori jo të largët.  Duhet përmendur Teqenë Bektashiane në Detroit, xhamiat e shumëta shqiptare në qytetet kryesore të Amerikës,  kishat ortodokse shqiptare gjithashtu dhe kishat katolike si motra që me vite i kanë shërbyer këtij komuniteti, por edhe nuk janë kursyer kurrë së ndihmuari edhe projekte të ndryshme anë e mbanë trojeve shqiptare – përfshirë edhe ato fetare, siç janë rastet e lartëpërmendura.  Synimi është dhe ka qenë gjithmonë që me këto qëndra – në një botë të huaj shpesh të rënduar nga goditjet e fatit, larg familjeve e të dashurve — të mbahen gjallë sa është e mundur, jo vetëm besimi, por edhe gjuha, zakonet e doket, thjeshtë kombëtare.  Megjithë sulmet e dikurshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj imigracionit “armiqësor” dhe megjithë indiferentizmin që shpesh është shfaqur ndaj diasporës nga qeveritë post-komuniste të Shqipërisë dhe të Kosovës – flas kryesisht për komunitetin shqiptaro-amerikan të cilin e njoh deri diku  diaspora ka ndihmuar me zemërgjërsi dhe i ka dalë zot kombit të vet, pa kërkuar kurrë asnjë shpërblim, qoftë material qoftë politik për përpjekjet e tyre në ndihmë të Atdheut.

Besoj se shumë prej nesh që jetojmë këndej oqeanit mbetemi të interesuar dhe vuajmë për fatet e bashkombasve tanë në Ballkan. Kjo ndodhë ndoshta për arsye poetike, ndoshta për ndiesi shpirtërore, ndoshta për dashurinë ndaj një historie të lavdishme por shpesh të vështirë dhe plot vuajtje.  Për mua personalisht, madje edhe në një moshë të shkuar, interesimi për fatin e shqiptarëve kudo, mbetet gjithnjë një dashuri idealesh, që gjenë kënaqësi në vetvete, pa kërkuar asgjë hiç – në mbrojtje sado pak të vogël, të një pasurie dhe historie kombëtare të trashëguar nga të parët tanë – por që megjithse larg nga Atdheu i zanafillës sonë – na jep mundësi që ta quajmë veten shqiptarë në një botë të huaj.  Kjo, pra është edhe arsyeja që krenohemi me emërin e Nënë Terezës, sepse na nderon dhe na bën krenarë që ta quajmë veten shqiptarë — kudo që na ka hedhur fati i jetës në këtë botë.  Kështuqë, shpresoj që edhe inaugurimi, javën e parë të shtatorit, i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë dhe i Katedralës Shën Pjetri në Tivar, të jenë festa mbarëkombëtare, takime vëllazërore, pa dallime fetare a krahinore, a po ngjyrash të tjera.  Një gjë e tillë do të ishte shpërblimi më i madh për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e tyre.  Do të ngushëllonte gjithashtu edhe zemrat e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë pa dallim feje, por të cilët kontribuan në ndërtimin e këtyre dy monumenteve madhështore, pikërisht për këtë arsye, sepse krenohen me emërin shqiptar. Shpërblim tjetër më të mirë se këtë nuk dëshiron askush.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 2 ngjarje Kombetare, E TIVARIT, Frank shkreli, Katedralja e Prishtines

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT