Gazeta kombëtare “Bota sot”, kremtoi 20 vjetorin e themelimit në një ceremoni madhështore në prani të dhjetëra mysafirëve, akademikë si Mark Krasniqi, deputetë familjarë të gazetarëve të vrarë, përfaqësues të federatave të sportit të Kosovës, përfaqësues të mediave, yje të estradës dhe mysafirë të ndryshëm.
Ceremonia, e cila u moderua nga Maksim Gjokaj, u mbajt me fillim në ora 17.00, në hotelin Sëiss Diamond në Prishtinë, filloi me një minutë heshtje në nderim të bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve të vrarë të “Bota sot”, Enver Malokut, Xhemail Mustafës (bashkëpunëtor), Bekim Kastratit (gazetar) dhe Bardhyl Ajetit (redaktor).
Në mesin e atyre që nderuan ceremoninë ishte edhe akad. Mark Krasniqi, familja e gazetarit dhe redaktorit të vrarë të “Bota sot” Bardhyl Ajetit, gazetarë dhe publicist nga Kosova e Maqedonia, yje të estradës si Zanfina Ismaili, Rovena Stefa, Gresa Behluli, Burim Hoxha, mis Kosova 2007 – Arbnora Ademaj etj.
Në fjalën e tij, editori i “Bota sot” Xhevdet Mazrekaj, të cilën e përcolli drejtoresha Dafina Xhemaj, theksoi historikun, peripecitë dhe perspektivën e zhvillimit të “Bota sot” dhe rrethanat e zhvillimit të mediave.
Z. Mazrekaj theksonte se “Bota sot”, nisi botimin e saj, në kohë e rrethana shumë të ndërlikuara për shqiptarët e stërvuajtur nga pesha e rëndë e robërisë, që po tentonte të ngulfaste Kosovën. “Gazetën “Bota sot”, e themelova me ndihmën e shumë miqve të mi, disa prej të cilëve kanë ndërruar jetë, sikurse miku im i paharrueshëm, njeriu i jashtëzakonshëm, energjik, njëri prej penave më brilante të publicistikës shqiptare, shkrimtari ideologu Teki Dervishi. Le të jetë kjo ceremoni një homazh edhe për mikun tim Tekiun”, pohoi Mazrekaj.
Më tej ai shpjegoi se si ishte frymëzuar ta themelonte gazetën “Bota sot”. “Isha i mahnitur nga tregimet dhe suksesi i mediave perëndimore, por më shumë se nga ato, ishte i papranueshëm pozicioni inferior i shqiptarëve, imazhi gri me të cilin paraqiteshin shqiptarët (në media), ishte ndikimi i propagandës serbe tek relacionet e fuqishme diplomatike dhe ndikimit në media apo nga faktorë të tjerë, të cilët ndoshta s’arrijmë dot ti kuptojmë përballë kulturave të tjera. Por, ishte ajo ndjesi, që s’më linte të qetë, unë doja një zgjidhje për këtë, ndoshta ishte një ide që prej kohësh kisha filluar ta stisja, por nuk e kisha menduar seriozisht, deri në vitin 1995, gati 20 vjet më parë, kur mora vendimin definitiv, ta bëjmë hapin e parë, me shpresë se sado pak do të ndikonim në proceset shqiptare, pa menduar për rivalët dhe sfidat që mund të prodhonte hyrja në botën e mediave, që rëndom quhet si pushteti i katërt”, tha ai.
Ai tha se qëllimi kryesor ishte që nëpërmjet gazetës të afirmohej dhe krijohej mendësia shqiptare dhe ajo për çështjen e Kosovës.
Ai tha se në atë kohë ishte e pamundur të besohej se mund të botohej një gazetë e pavarur, jashtë kontrollit, ndikimit apo levave të shtetit.
Mazrekaj tha se fillimi ishte jo vetëm i vështirë, por tepër drithëronjës. “Por, pas një viti botimi “Bota sot”, tashmë ishte në zemrën e diasporës dhe ngadalë e sigurt po pushtonim zemrat e lexuesve, zemrën shqiptare në të katër anët e botës, nga Zvicra në Amerikë”, tha ai.
Tirazhet e “Bota sot” në vitet në vijim ishin të jashtëzakonshme, më mbresëlënësi ishte ai në vitet tragjike të luftës, kur tirazhi mbi 100 mijë copa, boshatisej që në mëngjes, askush se gjente në mesditë gjithandej.
“Ishte e habitshme se si kur kishte informacione më të veçanta, si ato për betejën e Koshares dhe të tjera, përpihej gazeta, thjesht zhdukej nga tregu. Nga këtu e gati 20 vjet më parë, pa bërë askund reklamë, është e habitshme se si lajmi e merrte dhenë, ndërkohë që s’kishte as rrjete sociale – fb, twiter etj., apo portale që ta shpërndanin lajmin se çfarë lajmi kishim atë ditë në gazetë”.
Ai tha se 20 vjeçari i “Bota sot”, dy dekada jetë plot frymëzim e përkushtim, mos të mbetet si një homazh për mediat e shtypura, për një mesazh për opinionin, por edhe institucionet që të kthejnë vëmendjen kah ne, sepse ne jemi këtu, të gjallë dhe të fuqishëm për të ndërmarrë çdo gjë në hap me kohën, dhe për të sfiduar çdo gjë, për ta çuar së bashku më tej jetën tonë, mediumin e printuar.
Ai kujtoi rrugën e vështirë të informimit. “Ishim të parët që shkruanim për vrasjet politike të atdhetarëve shqiptarë gjatë dhe pas luftës, duke hulumtuar për zbardhjen e tyre, sfidë para së cilës ndodhemi edhe sot, dhe nuk mund të mos bëjmë thirrje që ato të zbardhen, sepse ia kemi për borxh edhe brezave që do të vijnë, edhe familjarëve të viktimave, por edhe sepse ne vetë ishim viktimë, u vra bashkëpunëtori ynë Enver Maloku, bashkëpunëtori ynë dhe këshilltar i presidentit Rugova Xhemail Mustafa, gazetarët dhe redaktorët tonë Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti…”, tha ai.
Ai kujtoi një tjetër moment delikat të përballjes me kërcënimin të tërë redaksisë në Cyrih. “Edhe unë dhe stafi im në Zvicër ishim cak i një sulmi me bombë…, që fatmirësisht vetëm një Zot, e ndaloi të shpërthente për të vrarë e gjymtuar të gjithë ata, që atë ditë (data) ishim në zyrat e redaksisë! Ishte aq perfide, sa edhe policia zvicerane se kuptoi kurrë kush e dërgoi! Por, pavarësisht të gjithave, ne jemi këtu, me ju sot dhe mot, për të festuar këtë përvjetor dhe dhashtë Zoti, edhe shumë të tjerë!”, tha ai.
“Bota sot” eci stoike brenda misionit të saj -e kritikuar ashpër nga kurset majtiste politike dhe e lavdëruar deri në qiell nga qindra mijëra lexues të saj, që në “Botën sot” e shihnin dhe e shohin rrugën e pavarësisë definitive të shqiptarëve si komb, pajtimin definitiv kombëtar dhe realizimin e idealeve shekullore.Ndërsa, kryeredaktori i “Bota sot”, Idriz Morina, foli në kontekst të rolit të mediave dhe perspektivës së vendit. “Kosova është e lirë, por ka dhimbje, të cilat mbase në përvjetore të tilla nuk do të duhej të zihen n’goje, për hir të ecjes përpara, për hir të përparimit, forcimit të shtetit të ëndërruar, ku shqiptarët do të bëheshin pjesë e botës me shembullin e atdhedashurisë së tyre të ushqyer me sakrifica mbinjerëzore”, tha Morina.
Ai tha se në këtë jubile, 20 vjetorit, rrugëtimit jo pak madhështor të gazetës kombëtare “Bota sot” nuk duan ta shohim atdheun nën dhembjet dhe vuajtjet e përsëritura. “Ky vend ka nevojë të rilind, dhe, rilindjes duhet t’i shërbejmë me devotshmëri të gjithë. “Bota sot” e ka këtë vullnet dhe kurrë nuk do të pushojë së punuari për ta lartësuar misionin e saj të shenjtë në shërbim të vendit dhe popullit”, tha ai. Bota sot.