• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATJONI DHE “DIELLI”

August 29, 2020 by dgreca

–NË 25 VJETORIN E LINDJES…–

Atjoni shkëlqente prej poezisë. ….Dhe vetë është një poezi e magjishme–Adonis./

Gazeta “Dielli” ka botuar herë pas here për Atjon Zhitin, shkrime të tij dhe ç’kanë shkruar për atë, poezi, përkthime, vizatime të Atjonit, etj. 

Atjoni sot, në këtë 30 gusht, do mbushte 25 vjeç. Me këtë rast sapo doli në Prishtinë libri “Jam Atjoni”.

E shfletojmë, për të kujtuar se kush ishte ai. Ndërkaq na del që në krye ajo që tha dhe shkruajti për Atjonin, një nga poetët më të mëdhenj në botë, Adonis, që jeton në kryeqytetin francez, në Paris, kur u njoh me studentin shqiptar në Milano, në shtëpinë e poetit dhe mikut Sebastiano Grasso, president i PEN-Clubit Italian, ku Atjoni ishte anëtari më i ri, teksa studionte për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore”.

E shfletojmë librin dhe do të gjejmë diçka rrezellitëse, si ajo e Diellit”.

Ja CV e Atjonit:

– Në 30 gusht 1995 lindi në qytetin e Vlorës dhe u rrit mes poezisë, ngjyrave dhe muzikës në Romë, ku prindërit e tij, Eda dhe Visar Zhiti, punonin si diplomatë në Ambasadën e Shqipërisë në Itali.                           

– Kur ishte 3 vjeç e gjysmë, një vizatim i tij për “Nënë Terezen” u fut në një botim me shkrime të ilustruara, që i kushtohej Shenjtores tonë dhe kritikës pikërisht ai vizatim i tërhoqi vëmendjen, shkruajtën në gazetën “Osservatore Romano” të Vatikanit gazetari Gianpaolo Mattei dhe artikulli u botua dhe në Shqipëri e u ribotua dhe herë të tjera.

– Hapi një “ekspozitë fëminore” në Romë, në shtëpi, ku erdhën fëmijët e pallatit dhe e panë. i pëlqyen vizatimet dhe çokollatat që u dha mami i Atjonit. 

– Më pas hapi një tjetër ekspozitë në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve dhe u ftuan kalamajtë e lagjes, ku pati dhe një koktejl me ëmbëlsira dhe coca-cola.

– Mësimet e para i nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”, merrte pjesë dhe në teatër,   

– Arsimin 9 vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestren e shkollës deri dhe në Auditoriumin e madh të Romës.

 – Nisi studimet në Liceun e njohur klasik të Romës “Giulio Cesare”, nga kanë dalë personalitete të mëdha të kulturës dhe politikës, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i mësoi mjaft mirë, studioi dhe greqishten e vjetër dhe latinishten.

– Merrej me sporte, me not, kanotazh, për të cilat ka dhe diploma, me tenis, shah dhe futboll si gjithë moshatarët e tij.

– Pas kthimit në atdhe, kryen gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bën disa kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frengjisht e gjermanisht.

– Zgjidhet që të jetë antar i jurisë së Festivalit Ndërkombëtra të Filmit për fëmijë e të rinj, “Giffoni”, merr pjesë në disa veprimtari në Salerno në Itali dhe në Tiranë, në Shqipëri  

– Në 2013 fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi, pasioni i tij, në Milano, në Itali..

– Ndërkohë është zgjedhur anëtar i Parlamentit Rinor Europian, EYP, duke përfaqësuar Shqipërinë në disa konferenca si në Spanjë, Letoni, etj. 

– Vazhdonte interesi i tij për antikitetin, historinë dhe artet, i vizitoi të gjitha kështjellat shqiptare, muzeumet në Tiranë e Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër, etj, po kështu dhe muzeumet më të rëndësishme në Romë e Vatikan, por dhe në qytete të tjera të Italisë, në Firence, Venecia, Milano, edhe në Europë, në Athinë, Paris, Vjenë, Bukuresht, Pragë, Lajpic, etj,  e deri në Chicago, SHBA.  

– Ishte njohur me shkrimtarë në Tiranë e Prishtinë, miq të babait të tij, me Kadarenë e Podrimjen e akademik Rexhep Ferrin, me poetin e burgjeve, “Panin Plak”, Pano Taçi, etj, por dhe me të huaj, takoi poetin nobelist Tomas Tranströmer, avanguardistin austriak Hermann Nitsch, në Itali kishte takuar poetët Mario Luzi dhe nobelistin Derek Walcott si dhe piktorin shqiptar Ibrahim Kodra, edhe pianistin me fame botërore, kinezin Lang Lang, etj.    

– Pranohet anëtar i PEN Clubit Italian, nis miqësinë dhe bashkëpunon me Presidentin e tij, poetin dhe gazetarin Sebastiano Grasso, prej tij njihet dhe me personalitete, poetë nga bota, Adonis, Jevtushenko, Paulo Coelho, piktorë, fotografë, etj, 

– Jep ndihmesën e tij në botime, përkthen për antologjinë “Lajmëtarët e Europës”, me autorë të vrarë nga regjimi diktatorial, për përmbledhjen me poezi të Adonis, i cili botohej për herë të parë në shqip.

– Piktura të tij merren dhe për ballina librash, të botuara në Shqipëri, Kosovë e Itali.

– Në vitin e dytë universitar boton artikujt e parë filozofike, që ai i quante traktate, nën kujdesin e gazetarit Alfred Lela, më pas do të vazhdonin të dalnin dhe në media të tjera në Shqipëri e Kosovë, të diasporës në Itali, Zvicër, Angli, SHBA.

– Në 20 dhjetor 2014, kur kishte ardhur në Tiranë për pushimet dimërore të Krishtlindjes dhe Vitin e Ri, ndërkaq po bënte përgatitjet për një Konferencë të Parlamentit Rinor Europian, e udhëhiqte ai me qëllim që “Europa të shikonte Europë dhe në Shqipëri”, befas ndërpritet gjithçka tragjikisht, një aksident rrugor, teksa nxitonin për te parë lindjen e diellit buzë detit. 

Jeta e tij mbetet një udhëtim drejt dritës.

………………………………………………………………………………………..

  – Në vitin 2015 del libri i parë me shkrime të Aton V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, me jehonë në lexues dhe në median e shkruar dhe elektronike kudo ku flitet shqip.

– Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xiëllonja”, në Universitetin “Polis” në Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, profesor Gëzim Qendro, veprimtari që e pasqyruan mediat dhe kanalet televizive në vend.
        – Në vitin 2016 revista letrare dhe kulturore “Poeteka”, nr. 39, del i gjithë i ilustruar me vizatime bardhë e zi të Atjonit.

– Në 2017 botohet Albumi “Opera Atjon”, në shqip dhe italisht me vizatimet dhe  pikturat e tij, të fëminisë dhe adoleshencës, përgatitur nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa, me pasthënie të tij dhe parathënie nga Prof. Gëzim Qendro, kritik i njohur arti. Mbas përurimit, Albumi ka patur shpërndarje të gjerë dhe është mirëpritur brenda dhe jashtë vendit. 

– Me pikturat e Atjonit dhe me citate nga traktatet e tij kanë dalë disa kalendarë vjetorë, botime të “Onufri”-t, përgatitur nga Enxhi Hudhri. 

– Koncert për Atjonin në Romë, “Jehonë dhe butësi, dialog mes tingujve dhe një ëngjëlli”, në violinë Anyla Kraja dhe në pianoforte Fausto Di Cesare, me recitime nga krijimtaria e Atjonit.

– Në 2018, krahas  përmbledhjes me tregime e vizatime “Valixhja e shqyer”, botohet në Itali përmbledhja me poezi e vizatime me ngjyra, “Dove é la vita”, me dy autorë, Visar Zhiti-shkrimtar dhe Atjon Zhiti-piktor. 

Ndërsa libri tjetër me poezi “Të rritesh nga dashuria” bëhet me tre autorë, krahas Visarit dhe Atjonit është dhe Eda Zhiti, që paraprin botimin me një ese.

Në librin “Si na erdhi ai, i ndaluari, po i Visar Zhitit, Atjoni është personazh kryesor së bashku me poetin rus Evgeni Jevtueshenko.   

– Në librin e letërsisë të shkollave 9-vjeçare, 2019-2020, si tekst mësimor është dhe një poezi e Atjonit me fotografinë e tij. 

– Edhe në librarinë “Friend’s Book House” në Tiranë, mes fotografive të eskspozuara me disa shkrimtarë të njohur të vendit, është dhe portreti i Atjonit.

– Libri dhe Albumi i Atjonit janë tashmë në bibliotekat e shkollave ku ai studioi, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, në bibliotekën e njohur të Universitetit “Sacro Cuore” në Milano, etj, deri dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në SHBA.

– Shkrimet e Atjonit ribotohen herë pas here në median shqip në Shqipëri dhe në botë, janë bërë të njohura dhe në përkthim në italisht, kurse së fundmi janë botuar në rumanisht në revistën “Albanica”, që del në Rumani, me drejtor Dr. Luan Topçiu, etj.

– Piktorë të njohur kanë vizatuar Atjonin e vogël si Ibrahim Kodra, Maks Velo, Nestor Jonuzi, Skender Kamberi, Sali Shijaku, etj, kanë realizuar ikona në dru e qeramikë me Atjonin-engjëll murgesha nga Kosova Maria Grazia Ukaj e ikonografi italian Roberto Roncaccia, performanca nga Motër Elena Lulashi, ndërsa shoku i Atjonit, Denis Kapo ka realizuar një murale të madhe në “Osteria di Via Pre” në Milano, buzë lumit “Naviglio”, ku Atjoni shkonte shpesh. 

– Piktori Gjergj Kola në Itali ka shumë vepra si skica, akuarele, kompozime në vaj, murale me personazh Atjonin,  një portret i të cilit ndodhet i ekspozuar pranë “Louvre Museum”, në Paris.  

– Në 2020 del në Prishtinë libri “Jam Atjoni”, botimet “Bogdani” me rastin e 25 vjetorit të lindjes, nën kujdesin e poetit, Prof. Dr. Jeton Kelmendi. 

– Janë të shumtë ata qe i kanë kushtuar poezi Atjonit, edhe poetë të huaj, ndërkaq të njohur, studentë, kritikë arti, por dhe politikanë, presdidentë në Shqipëri e Kosovë, me të cilët është takuar Atjoni, kanë shkruar konsiderata për të impresionante, 

*   *   *

– Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit Çmimin “Atjon Zhiti” për antarin më të mirë të jurisë.

– Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “IWA BOGDANI” jep çmimin ndërkombëtar vjetor për poezi “Atjon V. Zhiti”, cili ka shkuar dhe në Argjentinë e në Japoni së fundmi..

– Në Tiranë, Bashkia e Kryeqytetit, ka emëruar dhe një rrugë me emrin “RRUGA E ATJONIT” ….

****

DO TA RREGULLOJMË BOTËN ME BUZËQESHJE

Kështu thoshte Atjoni. 

E dëshmon gjenerata e tij, shokët dhe dhe shoqet e shumta që e adhuronin kudo. 

Na e tregoi dhe studenti nga Kosova, në përurimin e librit “Për atë që dua(m)” të Atjonit në Universitetin Europian të  Tiranës, në Aula Magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, me të rinj, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të panjohur, vinin të tjerë, s’kishte më vende, rrinin dhe në këmbë, etj. 

Pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, mesazhet që përcjell e befasitë, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, “Vij nga Prishtina, – tha, – posaçërisht për këtë takim, jam student në Zyrih, Ylli Haziri quhem.

Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – vazhdoi ai – jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të  përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri.

Atjoni kishte dy dashuri të  mëdha, – tregoi ndër të tjera ai, teksa dridhej mes emocionesh të  dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt…”.

Atjoni dinte të bashkonte. Në një nga takimet e Parlamentit Europian të të Rinjve, ai është mes shokëve shqiptarë dhe serbë, ku me njërën dorë po mban të shpalosur flamurin e Republikës së Kosovë dhe me tjetrën atë të Serbisë. Me çiltërsinë e tyre, ata 19 vjeçarë,  benë atë që politika e dy vendeve, por dhe ajo ndërkombëtare, nuk po e realizon dot. Pranuan tjetrin. Fotoja e këtij çasti është vërtet  emblematike…

 “Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, na thoshte Atjoni – e përfundoi fjalën e tij studenti nga Kosova… 

Buzëqeshja e Atjonit mbetet vepër arti, ajo të bënte për vete, që jo vetëm ta doje, por dhe ta besoje Atjonin menjëherë. Ishte ai që këmbëngulte ndër shokë se duhej të studionin, në universitet jashtë sa më shumë, në Europë e Amerikë e të ktheheshin patjetër, se “Atdheun do ta bëjmë ne”, besonte, “më të bukur dhe më të fortë.”

“Ne do ta sundojmë botën me buzëqeshje e punë të pareshtur” – u bë credo-ja e tij, që ia gjeneratës së tij si emblemë.

KOHA ME ATJONIN

Ashtu siç ka “Rruga e Atjonit” në Tiranë, ka dhe një “Kalendar të Atjonit”, i shpërndarë në shumë shtëpi në shumë vende, me nga një pikturë të tij dhe me nga një thënie, të nxjerrë nga libri i Atjonit, në shqip, në italisht dhe anglisht.

Ato kanë bukurinë dhe mençurinë e moshës:

1 Të bësh të kthehen gjërat në shërbim të lumturisë së njeriut.

2. Drejtësia është ai princip, ku çdokush bën vetëm ato gjëra që prej natyre e ligji është thirrur të bëjë.

3- Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.

4- Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës.

5- Kërkimi është zhveshje

6- Të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë…

7- Dashuria ime është tek ju, sepse ju dua shumë, jam i menduar, se dua te jem te ju: zemër.

8- Dashuria për dije është e pa kohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu, etj.

9- Tirania luftohet me dije, gadishmëri ndaj vuajtjes, intelektualizëm dhe objektivizëm ndaj realitetit pa pasur frikë.

10- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.

11- Që konflikti të mos jetë torturë, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim. Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë.

12- Jeta s’duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetëshme, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thenë se është e kotë dhe e shkurtër, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë.

POEZIA DHE SI EPILOG NË “DIELLI”

Poetja nga Argjentina, Susana Roberts është fituesja e parë e Çmimit Ndërkombëtar në letërsi “Atjon Zhiti”, që e jep Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel.

Po sjellim dy poezi të saj:

SUSANA ROBERTS

ÇAST SUBLIM

I dashur Atjon, ku je këtë të diel pasdite,

ndërsa dielli sapo del me fytyrën tënde?

Vallë je në rrugën e gjerë, 

             të projektuar nga ëndrrat e tua?

Me padurim po rrëmon në çantë 

              për të gjetur shkrimet e tua.

Janë ato, njohuritë gjerdan 

               që shoqërojnë hapat e tua?

Po ashtu penelatat e tua abstrakte,

Diçka që s’munda ta shoh, pa e lexuar,

veç di se të kanë bërë të derdhësh lot.

Fytyra jote është kthyer në vetë diellin

Dhe ti së largu e njohe vështrimin tim

mbi rrugën e pambarimtë.

Më buzëqeshe dhe unë nuk munda 

                                   të mos shoh 

                                   dhe të mos e lexoj

ato që t’i zgjedh midis letrave të tua.

Qe veç një çast tek qëndroja në këmbë 

                                            në trotuarin

që thërriste dritën e rrugës tënde.

Me një lule të bardhë e të vogël në duar,

qëndrove e më the ta çoja 

                në një vend të rëndësishëm

                                      në fund të rrugës.

Në realitetin tim të largët vrava mendjen 

se për çfarë e kishe fjalën:

Për lirinë?… Për dritën?… Për paqen?…

(Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli)

KALENDARI, PËR ATJON ZHITIN

Përtej farit të largët dhe dimrit të ftohtë,

Këtu në tokën time jugore

Me ngjyrat e gushtit mbërrijnë në zemrën time

fjalët e tua, një prekje vallëzimi murgëror

dritë e kulluar e fushave të Tiranës.

Drejt këtij bregu afrohen,

shndritin dëlirësi ndjenjat e vërteta 

                                                  që ke shkruar.

Prapa, fshihet terri i këtyre kohëve covid-i,

jeta turbullohet, 

                flatrat e tua të ëmbla dhe mbrojtëse,

besim në kalendar janë, Atjon.

Fjalë të përjetshme do të jenë 

                             dhe vitet do t’i përshkojnë,

pa paranteza e pa synime.

Fjalët e gushtit një zgjim po vallëzojnë 

atë çka jemi dhe atë çka dëshirojmë të jemi

për të rrokur misionin tonë

si shpirtra dhembshurie hyjnorë 

                                      besimi dhe dashurie.

(Përktheu nga origjinali Erion Karabolli)

DISA NGA THËNIET PËR ATJONIN:

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

Helena dhe Ismail Kadare 

Shkrimtarë, Tianë-Paris.  

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro

Studiues, kritik arti, Tiranë

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa 

botues, kritik arti, Tiranë

      Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës… 

                Luan Topçiu 

  kritik arti, studiues,  Bukuresht, Rumani–

     …libri të Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë, një testament që do t’u drejtohet bashkëmoshatarëve të Tij më fatlume. Ai do të jetë si Ungjilli për ta…

            Eugjen Merlika–Studiues, Itali–

          ***

TË HUAJT PËR ATJONIN

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…                         

      Robert Elsie 

albanalog kanadez, 

Berlin, Gjermani

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…

        Sebastiano Grasso

Poet, President i PEN Clubit, Itali

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei–Gazetar, Romë, Italian–

– Në shkrimet e Atjonit ka filozofi,  jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekërit e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura aktualitetin…                                                                                  

       Mauro Geraci – Antropolog, studiues i letërsisë shqipe, Romë Itali.

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë.Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.                                                   

    Padre Marko I. Rupnik–Profesor Teolog, artist, Universiteti Gregorian. Romë.

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.

                  Kardinal Gianranco Ravasi

              Biblist, kritik arti.

                  Ministër i Kulturës Vatikan 

 …Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

           Adonis – Poet, Paris, Francë

Përgatiti “Dielli”, mbështetur në botimet e fundit…

C:\Users\User\Downloads\jam atijoni (2).jpg

Ballina e librit “Jam Atjoni”

Dhe disa skica nga Atjoni:

C:\Users\User\Desktop\Bardh-e-zi\New Scan-20150520182758-00032.tif
C:\Users\User\Desktop\Bardh-e-zi\New Scan-20150520181806-00017.tif

Bashkudhëtarë dhe kryqëzimi i hijeve                           “Syri në fletoren time”

IMG_2857
2016-06-14 17.15.55

“Bashkim duarsh”                                                           “Vorbull e re”

C:\Users\User\Desktop\A.V.E\1- VALIXHJA teksti e pikturat\2 per Ilustrimet e valixhes\14 mantelet.tif

                  “Hijet me ses yjeve”

Filed Under: Opinion Tagged With: 25 Vjetori, ATJONI DHE “DIELLI”, Lindja

Këto nuk duhen harruar

December 20, 2015 by dgreca

Në 25 vjetorin e përmbysjes së komunizmit/
Nga Reshat Kripa*/
Njëzetepesë vite pas ngjarjes së madhe të përmbysjes së regjimit totalitar nga rinia shqiptare, më dalin parasysh ata të rinj dhe të reja që pa iu trembur syri u ngritën me parullat “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”. Më kujtohet fëminia dhe rinia ime dhe e bashkëvuajtësve të mij gjashtëdhjetepesè vite më parë kur ngriheshin kundër po kësaj diktature të tmerrshme por me parullën “Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi,”
E pra, ne pranuam më mirë burgun se sa lirinë e cunguar .Pranuam burgun me thirrjen sublime: “Për Liri, për Shqipëri” sepse ky ishte atdheu ynë që lëngonte nën thundrën komuniste dhe ne nuk donim që ky të ishte i tllë. Për këtë qëllim u sakrifikuan mbi 7000 persona që u ekzekutuan apo vdiqën në burgjet e tmerrshme dhe mijra të tjerë që u burgosën apo u internuan dhe kjo luftë vazhdoi për gati një gjysmë shekulli. Ishte revolta e madhe viteve nëntëdhjetë që kurorëzoi këtë përpjekje titanike kundër komunizmit.
Natyrisht, neve që kemi vuajtur më tepër pasojat e regjimit komunist nuk kanë se si të mos na dalin parasysh pamjet e tmerrshme të atyre viteve të errëta. Personalisht mua më shfaqen pamjet e kampit të Shtyllasit në vitin 1954 ku, me urdher të operativit të sigurimit, toger Ademit, Sulejman Dizdari u mbulua me dhe i gjallë dhe ishte vetëm mrekullia e doktor Isuf Hysenbegasit të pa arritshëm që e shpëtoi nga vdekja e sigurtë. Më kujtohet kampi i Bulqizës ku po me urdhër të operativit toger Ademi një djalosh 17 vjeçar nga Mirdita, dha jetën në natën e acartë të janarit 1955 i lidhur në shtyllën e telefonit vetëm e vetën sepse nuk kishte mundur të realizonte normën e lartë të punës së detyruar. E pra, këtë toger Ademin, këtë kriminel, e takova një ditë në vitin 1998. Mendova se do të kërkonte falje për veprat e kryera por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, vazhdonte të punonte në Ministrinë e Brendëshme ku drejtonte një nga drejtoritë e saj. Mua m’u errësuan sytë. M’u shfaqën parasysh pamjet e një filmi gjerman, prodhim i pasluftës, që e kam parë në fëmininë time. Ishte historia e një mjeku nazist që në laboratorët e tij eksperimentonte llojet më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrenjtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. I kam harruar sekuencat e atij filmi por më ka mbetur e regjistruar në mendje finalja e tij. Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut duke thërritur: Jam i pafajshëm, jam i pafajshëm!” ndërsa prapa tij shfaqeshin dhomat e gazit dhe krimet e tjera të kryera sipas eksperimenteve të tij. Një zgjidhje e përkryer regjizoriale
Filmi kishte një titull shumë kuptimplotë: Vrasësit janë midis nesh” Ndaj unë pyes: Po vrasësit e kohës së përmbysur në vendin tonë ku janë? Duke u nisur nga ndodhitë e fundit të ngjarjeve rezulton se ata janë ende midis nesh, madje, si për ironi, dekorohen nga udhëheqësit e shtetit shqiptar Dhe unë personalisht e ndjej veten mjaft të fyer. E ndjej të fyer sepse shoh kriminelët që na kanë torturuar dhe fyer të ngrihen në majat më të larta të nderimit. Madje jo vetëm kaq por ata i gjen në krye të organeve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të organeve të drejtësisë. Në këto çaste më vijnë ndër mend fjalët e shprehura nga zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Me keqardhje deklaroj se sot në Shqipëri tendenca është që periudha e sundimit të diktaturës komuniste të kalohet në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë., sikur nuk ka ndodhur asnjë lloj genocidi. Më lejoni ta ilustrojë këtë me fakte.
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshiilit të Europës miratoi rezolutën Nr. 1096 “Masat për të çrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste” rezolutë që në Shqipëri as që u publikua farë, madje një gjë të tillë bëri edhe media e asaj kohe. Përse?
Në vitin 2006 përsëri Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një rezolutë tjetër, atë të përmendur më sipër, me Nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Lidhur më këtë Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Çuditërisht, në këtë miratim, deputetët socialist dolën nga salla dhe nuk e votuan. Përse? Unë nuk e di. Ata po të munden le përgjigjen.
Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e komunizmit. Çuditërisht lajmi nuk u njoftua nga asnjë burim. Përsëri edhe media heshti. Çdo gjë u mësua vetëm nëpërmjet medias elektronike jashtë atdheut. Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, kërkohej ngritja e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit.
Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi. Përsëri ky lajm kaloi në heshtje.. Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri i kalojnë disa herë atyre të kryera në ish vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një shembull. Sipas deklaratës së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, në Sllovaki dënimi i fundit me vdekje ishte ekzekutuar në vitin 1956, ndërsa te ne në vitin 1988, me varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim u krye kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit të jetës ai kërkonte gjak . Krahasimin bëjeni vetë, të nderuara zonja dhe zotërinj. Pak më lartë theksova rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë qysh në tetorin e vitit 2006. Le të shohim tani se si janë zbatuar disa nga pikat e kësaj rezolute
:
Pika 8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin,
drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhënë atij e bashkëpuntorëve të tij njga regjimi komunist.
Çfarë është bërë për këtë pikë/ As lëvizja më e vogël. Diktatori vazhdon të ruajë dekoratat e fituara në kohën e totalitarizmit, gjë që nuk ka ndodhur në vendet e tjera ish-socialiste A është e drejtë që një person i njohur si diktator të ruajë dekoratat e pamerituara?

Pika 10. Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dënim-Internimeve.

A keni dëgjuar, të nderuar zonja dhe zotërinj, të bëhen publike këto dokumenta? Madje as Instituti i Hetimit të Krimeve të Komunizmit i ngritur posaçërisht për këtë qëllim nuk i disponon.

Pika 11. Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruar.

Kanë kaluar 25 vjet dhe një ligj i tillë ende nuk është përfunduar. Edhe një i tillë i miratuar disa vite më parë, megjithse gjysmak, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, e përbërë nga gjykatës që prekeshin nga ky ligj. Kur do të përfundojë ky problem në një kohë që ish-vendet e tjera socialiste kanë kohë që e kanë zgjidhur? A do të jetë i dretë formulimi i tij apo përsëri gjysmak si i pari.

Pika 16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushatë kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

Për fat të keq në librat shkollore pothuajse nuk shkruhet fare pë genocidin komunist në Shqipëri. Ende nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit. Nuk është ngritur asnjë muzeum dhe nuk është kthyer në muze asnjë burg apo kamp i periudhës totalitare. Është marrë një vendim i Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e një memoriali në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit komunist por, megjithse kanë kaluar disa vite, ende nuk është vënë në zbatim
Me këtë rast dua të falënderoj shkëlqesitë e tyre Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Gjermanisë, për vlerësimin e bërë për të përndjekurit politikë të Shqipërisë duke vizituar kampin famëkeq të Spaçit, veprim që, deri më sot, nuk e ka bërë asnjë pushtetar, asnjë përfaqësues partie, asnjë deputet.
Falënderoj gjithashtu Shkëlqesinë e tij Presidentin e Republikës për dekorimin e martirëve të pushkatuar nga regjimi totalitar në këtë kamp hero dhe që këtë ceremoni e zhvilloi pikërisht në gjurmët e këtij kampi.

Pika 17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve,
akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare
komuniste.

` Kanë kaluar nëntë vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe ende nuk është gjetur kohë për organizimin e një konference të tillë, në një kohë kur janë organizuar qindra të tjera, deri edhe ato për homoseksualët, shumë herë më pak të rëndësishme se ai i të përndjekurve politikë. A do kenë dëshirën qeveritarët shqiptarë të marrë një nismë të tillë? Ne jemi në pritje.
Këto janë vetëm disa nga pikat e rezolutës në fjalë pasi aty përfshihen edhe rishikimi i datave simbol të sistemit komunist, hartimi i një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit, përmbushja e detyrimeve ligjore për zbatimin e statusit të të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dëmshpërblimin e tyre dhe akordimin e një fondi për gjetjen dhe rivarrosjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, detyrime që, deri më sot, kanë mbetur vetëm në letër
Para disa muajsh po shetisja me një mikun tim, që ka kryer 29 vjet në burgun komunist, në bulevardin “Bajram Curri” këtu në Tiranë. Kur po arrinim tek vendi ku ky bulevard bashkohet me rrugën e Kavajës, vështroj një pallat të kohës së perënduar me tulla silikate ku në njerën nga fasadat e tij ishte shkruar, që gjatë ndërtimit, me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”. U skandalizova. Si nuk u kishte rënë në sy asnjerit prej kryetarëve të Bashkisë kjo parrullë? Vallë a mund të ketë ndonjë shtet tjetër të Europës Lindore ku mund të ekzistojë parulla të tilla? Unë nuk e besoj. Atë çast mendja më shkoi edhe te raste të tjera të kësaj natyre. Mbi varrezat e dëshmorëve të kombit vazhdon “të ndriçojë” ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët që prehen aty paskan rënë për këtë yll. Për më tepër aty, nën këmbët e tij prehen edhe eshtrat e 22 martirëve të së ashtuquajturës bombë në legatën sovjetike dhe mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende grryejnë eshtrat e martirëve, Në qendër të Tiranës, në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, një mozaik i madh ku dy të tretat e tij i zenë “luftëtarët e lirisë” me yllin e kuq komunist në ballë dhe ndërtuesit e “Shqipërisë së re Socialiste” me gjokset përpara, ndërsa në një të tretën, paraqiten si liliputë heronjtë e historisë së mëparëshme të këtij kombi A është e denjë për një muze kombëtar një paraqitje e tillë e historisë së tij? Ishin pikërisht këto që më tërhoqën vëmendjen në ato çaste. Ne do të donim që qeveritë shqiptare të zbatonin ligjet dhe vendimet që ata vetë i kanë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe në radhë të parë të rezolutës mbi ndëshkimin e krimeve të regjimit komunist. Vetëm atëherë do të kishin plotësuar detyrimin që kanë ndaj shtresës së të përndjekurve politikë.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 Vjetori, keto nuk duhen harruar, renies se komunizmit, reshat kripa

Shqiptaret ne Mal te Zi-LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI SHËNON 25-VJETORIN

September 8, 2015 by dgreca

Ceremonia e festimit të 25-vjetorit  do të mbahet në hotelin MEDITERAN në Ulqin , në ditën e themelimit të LD në MZ-së, më 9 shtator 2015 në orën 20:00./

Nga Mehmet BARDHI/

Me 9 shtator 2015, kësaj të mërkurë, mbushën plot 25 vjet, kur më 9 shtator 1990, pas përgatitjeve të bëra, u mblodhën në Tuz të Malësisë përfaqësuesit nga të gjitha trevat shqiptare, sot në Malin e Zi: nga Ulqini e Ana e Malit, nga Kraja – Tivari, Tuzi – Malësia, Plava e Gucia dhe Rozhaja dhe themeluan, subjektin e parë politik të shqiptarëve, sot në Malin e Zi, Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, që ishte dhe është simotra e LDK-së, të Kryetarit e Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, partisë së parë politike shqiptare në ish-Jugosllavinë (23 dhjetor 1989).

Gjatë gjithë këtyre viteve, një çerekshekulli veprimtari, përkundër vështirësive e pengesave të shumta dhe të llojllojshme, me të cilat u përballëm: sulme, trillime, shpifje, kërcënime të natyrave të ndryshme, nga jashtë, herë-herë edhe nga përmbrenda, ia dolëm të qëndrojmë e të veprojmë pa u luhatur, të jemi në vazhdimësi parti parlamentare, parti e cila nuk i shkeli asnjëherë parimet dhe qëllimet për të mbrojtur interesat e të drejtat e shqiptarëve, por edhe të tjerëve pa dallim, parimet dhe zhvillimet demokratike, interesin mbarëkombëtar.

Prandaj, me lejoni që me kënaqësinë më të madhe T’JU UROJ 25-VJETORIN E THEMELIMIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI, T’JU UROJ KËTË JUBILE, JUBILE TË MADH, I CILI DO TË MBETËT KRENARI KOMBËTARE E MBARËKOMBËTARE.

Në këto momente festimi e krenarie i falënderoj dhe uroj të gjithë. Së pari, uroj themeluesit, nënshkruesit e aktit të themelimit, po edhe ata që na përkrahën gjithë këto vite (që kishte edhe vite lufte e vite të refugjatëve, të dëbuarëve me dhunë e zjarr të qindramijëra kosovarëve nga soldateska serbo-sllave), në cilatdo forma, i falënderoj zgjedhësit të cilët patën guximin, mençurinë dhe kënaqësinë të rrumbullaksojnë, në zgjedhjet lokale e parlamentare, LD në MZ- në.

Falënderojmë mërgatën shqiptare kudo që gjendën, në SHBA, Evropë e vende të tjera. Posaçërisht falënderojmë anëtarët, aktivistët dhe udhëheqësinë e parë dhe të mëvonshme të Degës së Çikagos të LD në MZ-së, dhe qendrat në Nju Jork e Gjermani.

Falënderoj shumë për përkrahjen që patëm nga subjektet simotra nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Presheva.

Falënderoj mediat, ato të cilat në mënyrë profesionale raportuan për aktivitetet tona, me çka na ndihmuan ne dhe proceset demokratike e kombëtare.

Një falënderim të posaçëm u drejtoj të gjithë atyre anëtarëve e veprimtarëve të cilët sot nuk janë më në mesin tonë. Atyre u qoftë i lehtë dheu i tokës arbnore.

Falënderoj edhe ata e ato, të cilët na përkrahën në fillimet e shumëpartiakësisë, e pastaj për arsye të ndryshme u larguan, në heshtje. I falënderoj sepse na përkrahën atëherë kur ishte nevoja më e madhe edhe për guximin qytetar e kombëtar. Atyre u themi se dyert e Lidhjes janë gjithëherë të hapura. Me këtë do të fitojë çështja shqiptare e demokracia. Është koha për bashkim.

Në fund fare, falënderoj edhe të gjithë ata që na këshilluan apo edhe na kritikuan me qëllim që t’i evitojmë të metat tona, në këtë rrugëtim sa të lavdishëm e qëllimmirë, aqedhe të vështirë e me plot pengesa edhe të paprituna.

Ndërsa, atyre që për arsye apo interesa të ndryshme, të ngushta personale “fitimpruese” dhe atyre të cilët në ndonjëfarë mënyre ishin apo janë të kapur, u themi se nuk do të na kenë bashkudhëtarë.

PRA, URIME 25-VJET LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI!

QOFSHI FAQEBARDHË!

P.S. Me ketë rast u kërkoj falje, atyre, përfaqësuesve të ndonjë dege, anëtari të LD në MZ, apo ndonjë mysafiri që rastësisht nuk i ka mbërri ftesa për ceremoninë e festimit të 25-vjetorit që do të mbahet në hotelin MEDITERAN në Ulqin , në ditën e themelimit të LD në MZ-së, më 9 shtator

2015 në orën 20:00.

URIME!

GËZUAR 25-VJETORI!

MEHMET BARDHI, kryetar i LD në MZ

Më 5 shtator 2015

Filed Under: Politike Tagged With: 25 Vjetori, Lidhja Demokratike, Mehmet Bardhi, ne Mlain e Zi

ME 10 MAJ DO TE PERKUJTOHET 25 VJETORI I RENIES SE NICK MERNACAJ

May 9, 2015 by dgreca

Të dielën me 10 MAJ 2015, ora 1 pm, në “Kensico Dam Plaza”, Valhalla – White Plains, NY do të organizohet takimi përkujtimor kushtuar martirit të Demokracis – Nick Mërnacaj, me rastin e 25 Vjetorit te renies.
Ky manifestim i përvitshëm që tashmë është pagëzuar si “Dita e Lirisë Shqiptare” organizohet nga familja Mërnacaj dhe komuniteti shqiptar. I pranishëm do të jetë edhe z.Mark Gjonaj, ansambleist ne Shtetin e Nju Jorku. Drejtues të shoqatave do të jenë të pranishëm. Shoqëria Kulturore “Kelemendi” ka përgatitur një program artistik enkas për këtë ngjarje.Në fund të aktivitetit do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamuri shqiptar.
Pjesmarrja e komunitetit është e mirëpritur.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 25 Vjetori, Nick mernacaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT