SHBA do pajisin Ushtrinë shqiptare me 250 automjete të blinduara/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i dhurojnë ushtrisë shqiptare 250 automjete të blinduara. Këtë e konfirmoi dhe Ministrja e Mbrojtjes e RSH, më datën 21 nëntor, në Komisionin e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Parlamentit shqiptar. “Brenda 10 ditësh do të nëshkruajmë marrëveshjen, dhe pjesa e parë prej 78 automjetesh, pritet të mbërrijë që në muajin Janar 2017”, shpjegoi ministrja, duke shtuar se vlera, vetëm e pjesës së parë, arrin në 15 milion dollarë. Theksojmë se njësitë e ushtrisë shqiptare deri më tani, gjatë misioneve jashtë vendit, kanë përdorur kryesisht automjete të lehta, ndërsa në rastet e angazhimit në operacione që paraqisnin rrezikshmëri, kanë udhëtuar me automjete të ushtrive aleate. Gjithashtu në mbështetje të kompletimit të ushtrisë me armatim dhe municion të standarteve të NATO-s, pritet dhe furnizimi me 5 mijë armë automatike, dhuratë nga Italia, me një vlerë prej 10 milion eurosh. “Ministria e Mbrojtjes italiane, ka përgatitur një ligj të posaçëm për kalimin e këtyre armëve, dhe ai pritet të miratohet nga parlamenti italian në muajin dhjetor”, tha Ministrja Shqiptare e Mbrojtjes. Ndërkohë pjesë e kësaj ndihme është dhe pajisja e trupave tona speciale me armë automatike, ndihmë e SHBA, të cilat do zvëndësojnë “Kallashnikovët” e Traktatit të Varshavës. Nënvizojmë se Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni gjatë këtyre 25 viteve, kanë dhuruar me miliona dollarë ndihma për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. {Sh.K}