Të Enjten me 13 Prill 2017, në mesditë, Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj, së bashku me anëtarët e Kryesisë Marjan Cubi dhe Dalip Greca-Editor i Diellit, pritën mësuesin nga Shqipëria, Dhimitër Vata, i cili aktualisht është mësues historie në Shkollën 9 vjeçare”Ibrahim Basha” në Kamëz-Tiranë. Mysafiri shoqërhej nga Skënder Meta, Luan Vata dhe Paris Cara. Mysafiri është në përfiundim të një vizite në SHBA.
Kryetari Buçaj i uroi mirëseardhjen mysafirëve dhe i informoi për veprimtaritë dhe qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në shtetet shqiptare dhe trojet etnike, veçanërisht për krizën në Shqipëri. Duke folur për Vatrën, Kryetari Buçaj, tha se Vatra është në prag të 105 vjetorit të themelimit të saj dhe të Kuvendit vjetor, ku do të bëhen edhe zgjedhjet e reja, pasi të përfundojnë ato të degëve nëpër Shtetet e Amerikës së Veriut dhe Kanada,të cilat zgjedhin delegatët e Kuvendit.
Në emër të mysafirëve z. Dhimitër Vata falenderoi kryetarin Buçaj me bashkëpunëtorë për pritjen e ngrohtë në Vatër. Skënder Meta, tha se tek Vatra, ne ish të persekutuarit e Shqipërisë, gjatë diktaturës komuniste, kishim varë shpresat për përmbysjen e sistemit.
Editori i Diellit i njohu mysafirët me veprimtaritë historike dhe Kombëtare të Vatrës, duke u ndalur në pikat kulmore të fushatave Kombëtare të Vatrës.Po ashtu ai i njohu mysafirët edhe me historinë 109 vjeçare të Gazetës “Dielli”, të cilën e editon që prej 8 vitesh.
Më pas mysafirët kanë vizituar arkivin e Vatrës dhe Bibliotekën e saj. Z Dhimiter Vata shkroi në librin e vizitorëve këto mbresa:”Sot, 13 prill 2017, më në fund u realizua një dëshirë e kahershme për të vizituar selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, krijesë e kolosëve Fan S Noli, Faik Konica me bashkëpunëtorët e tyre. U ndjeva veçanërisht mirë kur preka historinë dhe gjurmët kombëtare të Vatrës Shqiptare. Biseda e ngrohtë me Kryetarin Gjon Buçaj, anëtarin e Kryesisë Marjan Cubi dhe Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca ma bënë më emocionuese këtë vizitë.
Shumë respekt për Vatrën dhe vatranët. Një punë titanike Kombëtare prej më shumë se një shekull në shërbim të Kombit, na bën të gjithë ne shqiptarëve që ta nderojmë Vatrën dhe vatranët. Shqiptarët duhet ta dinë se këtu në SHBA është një Vatër, që e ka jetëgjatësinë më të hershme se vetë shteti i pavarur shqiptar dhe se në vitet kritike të mosegzistencës së Shtetit shqiptar të vdekur, ajo ka luajtë rolin e vetë shtetit. Nderim Vatrës dhe Vatranëve!
Në fund të takimit z. Dhimitër Vata i dorëzoi Kryetarit të Vatërs 30 Abetare dhe Fletore Pune për shkollat shqipe të Vatrës, të cilat ai i kishte blerë me shpenzimet e veta. Në njërën nga Abetaret, dhuruesi shkroi për nxënësin që do ta përdorë librin:” Dhuratë për ty, o bir/ bijë Shqiptari! Mësoje dhe besoje këtë gjuhë të të parëve të tu se kjo është gjuhë e shkruar dhe e ruajtur me gjakun e brezave”!
Dhimitër Vata, Nju Jork, 13 Prill 2017
Kryetari i vatrës dr. Gjon Bucaj, e falenderoi për këto dhurata të cmuara, të cilat do dërgohen shumë shpejt drejt shkollave shqipe në Florida nga vetë ai dhe Marjan Cubi, që do të vizitojnë degët ne fund të prillit.