Nga Gëzim Llojdia/
1.
Kujtojmë këtu se rreth 25 vjet më parë,”Flamurtari” i Vlorës gjunjëzoi Partizanin e Beogradit duke e larguar nga kupat e Evropës .Aty nga vitit 2000, kam intervistuar një ndër ata sportistët e Vlorës.
Bomberi i shquar i “Flamurtarit”, ai që rrëzoi në gjunjë radhën e portierëve shqiptarë të viteve 80, quhet Vasil Ruci. Ka lindur në Vrenezë, kështu thirret edhe sot ajo që përmendej si lagja pranë agjensisë. Vendlindja është rregjistruar në muaj të brishtë: 17 Shkurt 1958.Ja cili ishte rrëfimi i tij.
Viti 1987.”Partizani” i Beogradit në atë kohë mbërrinte nga ajo pjesë e ngrysur e Ballkanit. Në Vlorë, kjo skuadër gjeti një tjetër skuadër që ishte gati ta hante të gjallë. Ishte politika që e konsideronte atë një lojë politike. Situata në Shqipëri ishte e ndezur. Kurse në Vlorë tensioni ishte ca gradë më tepër. Nuk flitej veç për fitore. Ishte harruar gruri e misri. Propaganda ishte drejtuar tek “Flamurtari”. Presionet dhe trysnia ishte e jashtëzakonshme. Fitorja 2:0 në Vlorë me gol të Iliadhit, dhe një autogol. Temperatura u rrit përpara se të shkonim në Beograd. Përpara se të kapërcenim kufirin na thanë: Duhet të fitoni se kjo është një lojë politike. Situata në Beograd ishte tjetër. Ata e konsideronin thjeshtë një lojë. Goli i Kushtës na çliroi nga dy përgjegjësi, ajo politike dhe ajo sportive. Pas minutës së 72 kualifikimi ynë ishte i sigurt. U kualifikua edhe pse në Beograd humbën 2:1. Kështu e rrëzuam “Partizanin” e Beogradit, e cila mbante në skuadër emra të mëdhenj, Smajç, Xhurobski dhe Katanec. Ky i fundit është trajner i Sllovenisë, që zhvilloi ndeshje të mëdha në evropianin e fundit.Si vajtja dhe kthimi u përshkuan me avion dhe autobuzë. Në Han të Hotit kemi ndjerë për herë të parë reprezaljen e shtetit. Deri atëherë ajo ishte drejtuar tërthorazi, por aty gjetëm “fytyrën” e asaj kohe.Sapo mbërritëm në kufi, doganierët ishin të ngrysur dhe na thanë se me një urdhër nga lart do të kontrollohej autobuzi. Ferko do të thërriste: përgatituni për zhveshje, gati i kanë hekurat këta. Na zbritën, na kontrolluan duke na zhveshur. Çmontuan edhe sedilet për ti kontrolluar. Tahos, Ziajt, Cipit, mua, na morën nga një Tv që na i kishin dhuruar kosovarët. Ata kishin ardhur atë ditë nga viset e Kosovës. Populli shkodran na priti me lule. Bllokoi autobusin dhe bëri festë sikur të ishim ekipi i tyre.
2.
– “Futbolli, krahasohet me artin, për nga bukuria. Gjithë ato ëndrra u pikëzuan një ditë. Më mori një shok tek “Shtëpia e Pionierit” dhe më dorëzoi tek Skënder Ibrahimi. Provoje, i tha, edhe këtë. Më dha një bluzë. Futu, më tha, por mos ki frikë”. Kështu e fillon prezantimin e tij Vasil Ruci, dhe më tej vazhdon:”E kisha ëndërruar të bëhesha futbollist. Aty gjeta një ditë të gjithë ata që do të mbeteshin yjet e futbollit. Ishte Perlat Musta, Kreshnik Cipi, Hasan Lika, Kokalari, Mile, Kërçini, H. Gega, Agron Dauti. Ishte një spartakiadë, ku u shpallën më të mirët. Kishim humbur. Dridheshim në pushim, më saktë qamë, kur hymë, fituam 3:1. Kështu u bëra protagonist për ekipin e të rinjve. Dy vjet aty, rreth moshës, 15-17 vjeç kam kaluar me të rinjtë. Më kujtohet që në një kampionat kam shënuar 14 gola. Në konceptin e një sulmuesi, golat janë epiqëndra e tij. Në fillim kam provuar mesfushën si lojtar, më vonë gjendem sulmues i “Flamurtarit”.- Me ndihmën e B. Birçes kam luajtur ndeshjen e parë në vitin 1976 ku përballë ishte Kavaja. Bëra një gol, që më drodhi nga emocionet. Depërtova tek sulmuesit që ishin hijerëndë me peshë në futbollin e Vlorës. Ishte një treshe; Sh. Zilja, S. Curri dhe P. Xhaho. Një ditë të ftohtë para përgatitjes, trajneri Birçe i thotë A. Sulos, një sulmuesi potent, por që kishte pësuar rënie se do të qëndronte në stol. Po qe se do të qëndroj në stol, tha ai, do të largohem fare. I madhi Agron, nga ajo ditë u largua, më vonë, aty rreth viteve 78 u rikthye, tashmë si trainer i Vlorës.
Vitet ’80 do të konsiderohen si një hap cilësor i “Flamurtarit”. Askush nuk do të mendonte më vonë se ky ekip do të pëlqehej aq shumë, do të adhurohej, herë për golat, herë për vallzimin në fushë, herë për rezultatet. Por si ndodhi kjo?
– Ekipet e qyteteve të tjera ishin të ngjashme me njëri-tjetrin, për nga mënyra se si luanin, si fitonin dhe si humbnin ndeshjet, kupat, apo kampionatin. Në atë kohë kishte ekipe rebele, që fitonin një ndeshje, njëzet humbnin. Kështu në pamundësi për të thyer Tiranën, në jo pak kohë, bëmë bllokimin e saj. Tek ajo ndrisnin dy sulmues Kola, Minga. Sot nuk dihet ku janë shpërndarë ata, por ekipi i viteve 80 përbënte një skuadër dinjitoze, ishin P. Ruci, F. Ziai, E. Liçaj, A. Canaj, K. Cipi, Sh. Zilja, Xhaho, Taho. Ndërkohë krahas tyre vijnë prurjet e vitit 60, Ferku, Bubeqi, Gjondeda. E përshkruar kjo rrugë është e tillë, 82, 93 nënkampion, 83 dhe 84 në finale, 85, 86 fitues. Prekëm dy kupa. Për fatin tonë jo fort të dëshiruar mbetëm 6 herë nënkampion. Viti 83 e në vijimësi lexohet, vitet e të mëdhenjve. Tirana mbante peshën. Mbrojtësit e saj ishin të vështirë për të depërtuar. Lekbello, Bimo, Baçi, Vladi. Ishte koha e sportistëve “star” të Tiranës. Po atë kohë do të formonin vargonin e pafund të dhimbjes time, në mospjesëmarrjen me “Flamurin” në kupat e Ballkanit. Për herë të parë në këto vite, skuadra zbriti në vjeshtë në takimet me Aek të Athinës dhe Velezh të Mostarit. Nuk më lejuan të merrja pjesë në të dy takimet, duke u kthyer në një spektator të thjeshtë që vuan tragjedinë e popullit të tij, vuanja “biografinë”. “A. Sulo më tha: Vasil ik bëj biografinë në Dhërmi dhe hajde më pastaj. Ekipi iku, dhe në vendin tim morën Kovaçin dhe ndonjë nga rrethet. Në Evropë, Barcelona ruan emrin e saj me autoritetin e ekipit të madh. Në Spanjë, por edhe në Evropë kishte formuar varganin e pafund të titujve. Barcelona mbërriti në Vlorë, në vjeshtë, në shtatorin e Kupave të Evropës. Në formacionin e saj, yjet ishin prezent. Në portë Zubizareta i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle. Linekeri, ylli i Anglisë, lojtar i kombëtares. Ishin gjithashtu Hjuxh si dhe spanjollët e kombëtares Karasko, Alberto, Miguer, Viktor. Më kanë pyetur të gjithë, ndonëse kanë rrjedhur vite: Si e bëre golin? Sot po e përmbledh me dy radhë: Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk shohin portën. Zubizareta me gjithë lëvizjet, ishte një portier i mahnitshëm. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën. Ky ishte një gol që nuk u ngjante të tjerëve, ndërsa në portë ishte një portier, që gjithashtu, nuk u ngjante të tjerëve. Me aftësitë dhe lartësinë ai përbënte një portier të madh, i cilësuar si më i miri në Evropë. Barcelona vërtet u befasua, por e ka mbledhur veten. Na ndëshkuan me një gol.
Qafe Bari- Kështu ka ndodhur 30 vjet më parë
Një kujtesë e tmerrshme/
Sot jemi këtu në këtë humnerë, vend të fshehtë që vetëm një ndërgjegje gjakatare mund ta zbulojë. Do të ishte shumë me vend nëse do ta thoshim se ky kapitull i tmerrshëm i së kaluarës do të kishte marrë fund.
Sot në këtë 30 vjetor të asaj dite të përgjakshme të majit 1984, ne humbëm tre nga shokët tanë të vuajtjes në tmerrin komunist.
Po. Ja këtu tek ky copë shesh, u derdhën shkulmet e gjakut të të ndjerit, Sandër Sokoli.
Po. Këtu u përleshën dhe e gjunjëzuan policinë, trimat Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Këta dy vetë trima vetëtima, i ndiqnin nga pas njerëz po aq guximtarë me një urrejtje të paimagjinueshme për komunizmin: Haxhi Baçinovski, Konstandin Gjordeni, Ceni nga Elbasani, Bajrami nga Fushë-Kruja, Vllasi nga Vlora, Sokol Progri, Martin Leka nga Dukagjini një burrë sa i mençur dhe i urtë, i cili u përpoq për t’i zbutur gjakrat por më kot. Ishin plot të tjerë që u bashkuan me Tomën dhe Sokolin dhe si përfundim të këtij skenari të Ministrisë së Brendshme, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja e paguan me jetë, duke vaditur me gjakun e tyre fushën e antenës në Kuç të Shkodrës.
Po. Atje i gjeta mbas shumë vitesh kërkimi bashkë me familjarët e tyre. Të përqafuar ishin, siç qenë krah për krah kur e detyruan policinë t’ia mbathte duke lënë këtu kapelet me yllin e urryer të xhelatit Stalin e diktatorit vendas. Askush nga ne, që kemi qënë në këtë ferr, nuk e beson se këtu u luajt ajo tragjedi e llahtarshme, për të vetmen arsye se nuk sheh as një dykëmbësh apo zvarranik me uniform e kallash në dorë e me kapele të ngjeshur deri në vetulla, të ulërinte e të torturonte këta bij nënash.
Po. Pa asnjë dyshim, ky është vendi i përleshjes. Ja – atje është dhoma e torturave, e kur më erdhi rradha të futesha brenda, na prisnin civilë të sigurimit me dru në dorë, që qëllonin pa pushim e me urrejtje. Dyshemeja e asaj dhome ishte mbuluar me gjak, po ashtu edhe muret e lyer me gjakun tonë.
Edhe sot, mbas 23 vjetësh, këta heronj të vërtetë, nga kjo e ashtuquajtur demokraci, mbetën të cilësuar “terroristë”. E thënë troç, me Ligjin që u miratua për integrimin dhe dëmshpërblimin ekonomik, nga bijtë e sekretarëve të parë, apo këlyshë të tjerë komunistash e sigurimsash, – nuk përfitojnë-.
Ky ligj duhet parë, të gjendet një klauzolë, e gjaku i këtyre martirëve, të mos shkojë i humbur. Këta që qeverisin sot, duhet t’i rregullojnë fajet e qeveritarëve të para 23 Qershorit, nëse duan të dallohen nga ata. Duhet të rregullohet edhe ajo që u propozua dhe u vendos si datë përkujtimore 21 Maji i 1973 me rastin e revoltës së parë komuniste, ku u ngrit flamuri pa yll, u pushkatuan 4 djem Nënash dhe u dhanë qindra vjet burg për 64 të tjerë.
Ky propozimi i bërë nga deputeti i Vlorës dhe M.K.R.S.Z. Bujar Leskaj po ajo qeveri e quajtur demokratike, e kundërshtoi. Ishte po ky deputet e ministër që çeli një fond fillestar për bërjen Muze të burgut të Spaçit, shumën prej 50 milion lekë, por edhe këto humbën. I vetmi person që e ndjente me shpirt dhe i vlerësonte vuajtjet e të burgosurve politikë dhe nuk u kursye asnjëherë për ne, është Z.Leskaj. Madje ka bërë dhe një libër për poetët dhe shkrimtarët e pushkatuar dhe burgosur, të titulluar “Muzat e Qëndresës”.
Po në këtë ditë të përgjakshme, unë kam bërë një përshkrim të ngjarjes, të pajisur me dokumenta nga arkivi i sigurimit, titulluar “Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990”, dhe Aldo Bumçi, ministri i asaj kohe, më premtoi, më gënjeu për gati 1 vit e gjysëm, bashkë me një nga udhëheqësit kryesorë të revolucionit komunit të vitit 1997 Frrok Çupi, nuk pranuan të dalë ky libër.
Edhe pse shumë ishin të interesuar që ky libër të mos dilte, ai e pa dritën e diellit dhe ftoj të gjithë të interesuarit që duan të dinë për këtë revoltë, t’a lexojnë dhe të japin mendimin e tyre.
Tani kam në dorë “Revoltën e Spaçit të vitit 1973”. Edhe ky libër do kompletohet me dokumenta arkivore.
Duke përfunduar, me dhimbje sot po kujtojmë dhe do vazhdojmë t’i kujtojmë këta trima të pa përkulur përgjithmonë.
NË ERRËSIRË
Kujtimit të Sokol Sokolit e Tom Ndojës, pushkatuar më 8
Qershor ora 00.00. 1984, Shkodër
Gërmuan vrasësit tokën e butë
Hëna kullonte gjak mbi bajoneta
Nën rreze gjaku gjaksat mbollën kufoma
Nga lart heshtëte vigjëlon antena
Në mëngjez të nesërmen një kal
Tërkuzet e s’kullot si përditë në lëndinë
Ndjen plumbat që u shkrehën gjakun që u derdh
Kufomat fshehur në natën që nxin
Shkojnë vite kalin prapë era e gjakut
E ndiell dhe e ndal te gropa e fshehtë
Cep më cep i bije fushës, por kthehet
Te varret e humbura shkelur pa ditë e pa net
Antena lart heshtëte, jepte lajme në fitore
Veç kali atë bar se ha e rreh e shkelmon
Antena e di: Sokolin dhe Tomën aty i vranë
Në një natë ku veç hëna krimin vajton
Kali i ndjen krismat therur në gjak
Kali barit i trembet i bije me shkelm
Dhe një ditë uli kokën u tret e u mpak
Mbi fushën mbjellur me varre e me helm
Edhe një herë: PUSHOFSHI NË PAQE
Miku Juaj
Tri motrat Hoxha: Kushëri e kishim Enverin, por na internoi 30 vjet ne Saver Lushnjes
Edhe sot, që është më e moshuara ndër tri motra, Handan Hoxha, tenistja e parë femër në Shqipëri, vazhdon të jetë në qendër të të gjitha lëvizjeve në shtëpi. Sado që i ka kaluar 85 vite jetë, ka mbetur më e shkathëta. Është ajo që ngrihet e para nëse duhet mbyllur një derë, nëse duhen sajdisur miqtë me qerasje, nëse duhet gjetur ndonjë foto e vjetër nëpër sëndukët e vegjëlisë… është më elegantja. 15 vitet që është marrë me sport, kanë lënë ende shenja në fizikun e saj.
Motra më e madhe, Suzana, ndryshe Suzi, siç e thërrasin të gjithë, ka qenë dikur mësuese e teorisë së solfezhit në Liceun Artistik. Më e vogla, Nermini, është marrë gjithnjë me gjuhët e huaja. Ende sot që është në prag të të 80-ave, vazhdon të ketë 2 nxënës, të cilëve u mëson anglishten.
Të tria motrat, dikur, aq vite larg sa e kanë të zorshme ta kujtojnë, jetonin të lumtura në shtëpinë e tyre të madhe fare pranë Liceut Artistik. Mësonin gjuhë të huaja me mësues privat, merrnin mësime sporti, kalonin pushimet në një nga 4 vilat e vetme në plazhin e Durrësit, derisa gjithçka u ndërpre me thikë. Çifligjet e trashëguara nga i gjyshi e patën kohën e artë për shumë pak kohë. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje, sado që, siç mund të hamendet nga mbiemri i tyre, Hoxha, ishin të afërmet e ish-diktatorit. Me shtëpitë përballë në Gjirokastër, prejardhjen e përbashkët, e me hyrjedalje familjare, prej tij morën pajën e vetme që të tria patën në jetë, 30 vite e 6 muaj internim.
Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar. Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, pranojnë të flasin, duke thënë vazhdimisht që “kemi nevojë për qetësi, nuk duam intervista”.
Sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut…, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.
“Ç’bëmë” ishte ajo e të parëve tuaj që ju dënoi për 30 vite?
Ishin 30 vite e 6 muaj (ndërhyjnë të saktësojnë të tria thuajse një zëri). Ishte fundi i vitit ’59, kur erdhi kamioni me policë në shtëpi e na ngarkoi për të na transferuar në Savër të Lushnjës.
Nga ju erdhi persekutimi, nga babai, gjyshi…
Në fakt, historia nis që nga gjyshi, sado që arsyeja e fundit ishte prej vëllait. Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ishdiktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.
Nga ç’shkruhet e nga ç’thoni ju, pasuria ka qenë “dëmi” i parë…
Po, por nuk u shfaq menjëherë. Jetuam për pak vite mirë, ashtu siç ishim mësuar gjithnjë. Mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin. Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.
A nuk ishte shumë për kohën gjithë kjo liri që ju jepte babai?
Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” {(nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej.(Kortezi Panorama)