Për ata që mohuan dhe harruan/
Publikohet për herë të parë, zyrtarisht, numuri i dëshmorëve, prej 6904, të rënë gjatë
Lëvizjes Antifashiste 1939 – 1944/
Nga Enver Lepenica/
Në vitin 2012, në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Ministria e Mbrojtjes, nën kujdesin e ministrit Arben Imami, botoi librin “Dëshmorët e Atdheut”, “Real-Stamp”, Tiranë 2012. Autorët e librit janë: Kolonel Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi dhe Nënkolonel (R) Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj dhe Alida Vrioni, kjo e fundit si duket emëruar për të prishur syrin e keq!
Në këtë libër, janë publikuar të gjith dëshmorët e Atdheut të tre periudhave: 28 nëntor 1912 deri më 7 prill 1939, 7 prill 1939 deri më 31 dhjetor 1944 dhe të periudhës nga 1 janar 1945 deri ditët e sotme, të ndarë sipas qarqeve të vendit.
Dëshmorët e Atdheut janë identifikuar me emrin, atësinë dhe mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen si dhe datën dhe vendin ku kanë rënë dëshmor.
Sipas këtij libri, janë evidentuar mbi bazën e dokumentave, dëshmorët sipas qarqeve të vendit: Berati 570 dëshmorë, Dibra 252, Durrësi 138, Elbasani 451, Fieri 886, Gjirokastra 1077, Korça 1058, Kukësi 210, Lezha 38, Shkodra 180, Tirana 506, Vlora 1424 dëshmorë. Shuma e përthishme, për të gjith Republikën arrin në 6790 dëshmorë, që po t`u shtojmë këtyre edhe dëshmorët me kombësi italiane të botuar në këtë libër, 114 dëshmorë, shuma gjithësej shkon në 6904 dëshmorë, dhe jo 28 mijë dëshmorë si na paskan mashtruar komunistët për 47 vjet me radhë dhe që këtë mashtrim u munduan ta mbronin edhe gjatë këtyre 24 vjetëve në liri me anë të propogandës në gazetat e tyre “Borba”, “Pravda”, “Zhemin Zhibao etj.
Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se për herë të parë gjatë 100 vjetëve të Shtetit shqiptar, evidentohen Dëshmorët e Atdheut, ata që janë mburrja dhe lavdia e kombit tonë, ata përpara së cilëve duhet të përulemi përjetësisht me nderim, sepse ata e bënë Shqipërinë që gëzojmë ne sot dhe na dhanë nder e lavdi në botë.
Nga ana tjetër për herë të parë shqiptarët mësojnë të vërtetën historike mbi numurin e dëshmorëve të rënë gjatë Lëvizjes Antifashiste. Pra nuk janë 28 mijë dëshmorë aq sa na kanë mashtruar komunistët për 47 vjet, por vetëm 6904 dëshmorë. Në se shifrës prej 6904 dëshmorë, të renë gjatë Lëvizjes Antifashiste, u shtojmë edhe dëshmorët e periudhave 1912 – 7 prill 1939 dhe nga 1 janari 1945 deri në ditët tona numuri i dëshmorëve shkon afro 10 mijë vetë.
Kështu që, ky botim i jep fund diskutimit që është bërë vazhdimisht pas vitit 1990, dhe provon në mënyrë përfundimtare atë fakt që shumë historianë, studjues, publiçist etj., kishin parashtruar para publikut se numuri prej 28 mijë dëshmorëve është thjesht një mashtrim dhe propogandë bajate komuniste e se numuri dëshmorëve në fakt nuk e kalon shifrën 7000 vetë.
Për të gjitha këto arsye botimi këtij libri ishte i mirëpritur dhe i dëshëruar nga i gjithë populli, i cili duhet të di dhe të njohë historinë e tij të vërtetë.
Dëshmorët janë siç thotë kënga popullore: Vitet tutje, juve t`hu.
Harresë, pa dituri, apo luftë klasash e Bernard Zotaj-t?!
E mora këtë libër dhe e hapa tek vendlindja ime, Vlora dhe Lepenica, që i ka dhënë Atdheut më shumë dëshmorë se çdo qark tjetër, duke u renditur në vendin e parë, si qark dhe si rreth.
Po ndërsa kërkoja ne fshatin e origjinës Lepenicë, nuk e gjeta emërin e kryedëshmorit Hysni Lepenica. Ndonjë gabim thash me vete, dhe për të provuar këtë, u mundova të gjej emërat e dëshmorëve ët tjerë, që ranë bashkë me Hysni Lepenicën në luftë kundër fashizmit italin, në Grehot të Gjirokastrës, më 14 shtator 1943. Por nuk gjeta asnjë nga emrat e 33 dëshmorëve të rënë në këtë betejë!
Kujtesa ime u kthye shumë vite më pas, që nga viti 1992, kur Hysni Lepenica u shpall Dëshmor i Atdheut, u jam përgjegjur shumë herë pleqëve të skerozuar të Enver Hoxhës të cilët kërkuan përpara organeve të larta të shtetit t`i hiqej titulli dëshmor Hysni Lepenicës, si ballist!!!
Heqja e pa justifikuar, e emrave të 33 dëshmorëve ballistë nga lista e dëshmorëve të Atdheut, më ktheu edhe një herë në atë kohë dhe më nxiti të denoncoj publikisht, këtë akt të pa moralshëm, si dhe t`i përgjigjem njerit prej botuesve e këtij libri i cili me buzëqeshje për “injorancën” time më deklaroi: “Hysni Lepenica nuk është dëshmor i Atdheut… “ Arsyetimet e më tejshme po ja lë ndërgjegjies së bashkëbiseduesit tim.
Fakti që, autori këtij shkrimi, është historiani i vetëm i Hysni Lepenicës, vepër e vlerësuar nga Prof. dr. Beqir Meta, akademist, Prof. dr. Hysni Myzyri, redaktor i Historisë së Shqipërisë, Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, në Institutin e Historisë, duhet ta bënte bashkbiseduesin tim që të më pyeste mua dhe jo të më jepte mësime.
Është pikërisht kjo vepër që është vlerësuar dhe është marrë për bazë në të gjitha fushat e dijes dhe për pasojë Hysni Lepenica ka zënë vendin e meritur në Historinë e Shqipërisë. Mbi bazën e kësaj vepre Hysni Lepenica ka marrë me të drejtë vlerësimet më të larta që jepen në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nga mosmirënjohja primitive dhe e pamoralëshme e disa njerëzve dhe segmenteve të shtetit, ndaj autorit të kësaj vepre.
Për më shumë, për patriotizmin e Hysni Lepenicës, do t`u rekomandoja lexuesve, ndërmjet të tjerave, veprën e Prof. Paskal Milos “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, botuar këtë vit.
Faktet botërisht të njohura nuk ka nevoj të provohen, thuhet në një nga parimet themelore të drejtësisë. Kështu psh., kur themi Parti Komuniste nuk ka nevoj të provohet se është në fakt një Parti Terroriste, sepse është fak botërisht i njohur.
Pra edhe qënia dëshmor e Hysni Lepenicës, është fakt botërisht i njohur, dhe nuk ka nevoj të provohet nga ana ime, por jemi të detyruar të bëjmë këtë për lexuesin e gjerë.
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 423 datë 23.9.1992, regjistruar në protokollin e Këshillit të Ministarve, nr. 2366/1 datë 24.9.1992, 33 të rënët, në Grehot të Gjirokastrës, më 14 shtetaor të vitit 1943, janë shpallur dëshmor të Atdheut. (Shih bashkangjitur, faksimilen e vendimit) Sipas dispozitave ligjore në fuqi Komisioni Shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, lexuesi duhet të verë re: Komision Shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, ka paisur me Çertifikatën e Dëshmorit të 33 pasardhësit e këtyre dëshmorëve, të cilët edhe janë trajtuar financiarisht, si të gjith pasardhësit e dëshmorëve të tjerë të Atdheut.
Qënia dëshmor e të rënëve në Grehot, u hap përsëri publikisht në vitin 2003, nga pleqtë e sklerozuar të Enver Hoxhës, me gjithëse lëvizin me uturak nën vete, patën fuqi të ndërmernin një aksion me goditje të përqëndruar për t`i hequr titullin e dëshmorit Hysni Lepenicës, sepse ishte ballist!
Vullnetarëve të Enverit, iu përgjegj Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës, autorë të tjerë në shtypin e përditshëm, si dhe nga autori i këtij shkrimi.(Shih për më shumë: Gazetën “55”, datë 2 deri 9 korrik 2003, si edhe shumë artikuj të tjerë në shtypin e ditës)
Për këto arsye dhe shumë të tjera, autori i librit Bernard Zotaj, nuk duhet të kishte arritur deri këtu, të hiqte nga lista e dëshmorëve, 33 bij të kësaj toke, që ranë për lirinë e Atdheut tonë të përbashkët. Bernard Zotaj, më mirë se të gjith të tjerët, e di, se 33 të rënët në Grehot janë shpallur dëshmorë, e di, si bir i asaj krahine, e di, si historian i Zonës së Parë Operative Vlorë Gjirokastër, e di, si botues i disa librave me armiq e tradhëtaë, e di, si vjelës i kujtimeve të komunistëve smokthinjotë, të denoncuar për krime të shumta, nga fshatarët e tyre, së fundi, e di, edhe njohës i historisë së Ballit Kombëtar, sidomos i “armiqve të popullit”, të asaj krahine.
Ky person është gjithashtu në dijeni të plotë të përpjekjeve që janë bërë për t`i hequr titullin e Dëshmorit të Atdheut, Hysni Lepenicës, disa thonë edhe si frymëzuesi i këtyre mbetjeve.
Nga ana tjetër Barnard Zotaj, pavarësisht nga bindjet e tij politike, ishte nëpunës i shtetit dhe aq më shumë oficer, dhe si i tillë duhet të respektote vendimet e qeverisë së vendit të tij, aq më tepër ato vendime për të cilat ai paguhet që t`i njohë, e që ti di, dhe në fund mosnjohja nuk e shkarkon nga përgjegjësia.
Frederik Shiler ka thënë se “Njeriu me veprën e tij fotografon veten”, kështu, me këtë veprim Bernard Zotaj, ka fotografuar veten e tij se është në anën e atyre pleqëve të sklerozuar, vullnetarë të Enverit që u përpoqën gjatë 24 vjetëve, më kot, tu heqin titullin e dëshmorit 33 të rënëve në betejën e Grehotit, më 14 shtetor 1943.
Historia duhet shikuar si një mjet që nxjerr gabimet e brezave ose bën vlerësimin e tyre dhe JO si mjet që mbron falsifikimet dhe krimet e djeshme.
Një vrejtje e fundit për autorët, jo pa rëndësi. Autorët duhet të kishin paraqitur në libër edhe listën emrore të 45 bijëve të lavdishëm të popullit anglez, që nga ushtari e nënoficeri deri tek nënkolonel A.F.C.Nikols, majori G.E.Lejzëll, kapiten G.A.Pasnos, kapiten G.B.Dherëv që ranë në tokën shqiptare për lirinë e këtij populli. Vetëm populli anglez, ndihmoi shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore. As rusët dhe as jugosllavët nuk dhanë asnjë ndihmë për popullin tonë në atë kohë të vështirë.
Këta dëshmorë, që ranë për lirinë tonë, nuk u njohën zyrtarisht nga banda terroriste e Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos, duke shmangur kështu “rrezikun anglo-amerika”!!! Po autorët e librit ç`farë rreziku shmangën, duke mos i renditur në listën e dëshmorëve të atdheut tonë? Por fakti i vërtetë historik, i njohur botërisht, është se ata derdhën gjakun e tyre të lavdishem për lirinë popullin tonë, prandaj ata edhe në formë shënimi duhet të përfshiheshin në këtë libër. (Shih për më shumë: Enver Memishaj – Lepenica “Pseudonime të përdorura gjat Lëvizjs Antifashiste 1939 – 1944”, Geer, Tiranë 2005)
***
Për mua është detyrë dhe nder që të mbroj të vërtetën historike, për një patriot të shquar, për një dëshmor të Atdheut, për një personalitet të vlerësuar “Nder i Kombit”, duke hedhur posht shpifjet, intrigat dhe falsifikimet të bëra me ndërgjegjia apo pa ndërgjegjie.Derguar per DIELLIN nga autori i shkrimit,Botuar se pari në gazetën “55”, Tiranë, dt. 30. 12. 2014, f. 16-17