-Kjo ditë shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet me 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë/
-Edhe vatranë nga SHBA në “Ditët e Nënë Terezës”. Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite me afër 2 milionë dollarë/
PRISHTINË, 24 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, të shtunën, më 26 gusht 2017, ora 19:00, në Katedralen e Kryeqytetit të Kosovës, do të bëhet hapja e “Ditët e Nënë Terezës”.
Kjo ditë shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet me 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Për këtë rast është përgatitur një program kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës, si dhe një ekspozitë e fotografive.
PROGRAMI I 26 GUSHT 2017:
Gjon Gjevelekaj “Nënës së mire”, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
“Lamtumirë” (poezi), Jehona Gashi
Fjala e përshëndetëse: Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës
Alfredo Catalani: EBBEN! NE ANDRÒ LONTANA, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
Recitim të Poezive të Nënë Terezës, Lumnie Sopi
Shenjtëresha e Dashurisë – Shën Nënë Tereza, Don Lush Gjergji
Avni Mula: AGIMET SHQIPTARE, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)
Poezi të Nënë Terezës, Bislim Muçaj
Ekspozitë me fotografi
Koktej rasti
PAPA FRANÇEKU KA EMËRUAR KARDINALIN SHQIPTAR IMZOT ERNEST S. TROSHANI, TË DËRGUARIN E TIJ TË VEÇANTË PËR KREMTIMIN E SHUGURIMIT TË KATEDRALES NËNË TEREZA
Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, u njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë në 15 Korrik 2017.Po në këtë ditë Ipeshkvia e Kosovës ka shpallur Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.Kremtimi fillon me hapjen e “Ditëve të Nënë Terezës”, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.
Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.
Në Këshillin Organizativ janë: Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, Vikari Gjaneral Mons. Lush Gjergji, Kancelari Don Shan Zefi, Famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, Sekretari i Ipeshkvit Don Meriton Dedaj, Drejtori i Caritasit Don Vitor Sopi, Ekonomi Don Kastriot Idrizi, Dekani Don Lenc Sopi.
Në “Ditët e Nënë Terezës” do jenë të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ndodhen në këtë kohë vere në Kosovë.
Në verën e vitit të kaluar- ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.
Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtonim gjatë bisedës.
Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të gjithë vatranëve.
“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.
Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.
Katedralja nisi të ndërtohet derisa shënohej në Kosovë edhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…