Interviste e posacme me ish deputetin në parlamentin e pare pluralist te Malit të Zi, Xheladine Zeneli/
Ish deputeti në parlamentin e pare pluralist te Malit të Zi, Xheladine Zeneli autori i librit” Diaspora dhe Vendlindja” , veprimtar i njohur komunitetit shqiptar ne SHBA, mori pjese ne zgjedhjet e fundit te pergjithshme parlamentare ne Mal te Zi, dhe nje jave pas atyre zgjedhjeve ai i dha gazetarit tone ne New York, Beqir Sina, ne interviste ldhur me eto zgjedhje.
Sipas të dhënave të zgjedhjeve parlamentare të së dielës së kaluar në Mal të Zi, Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Gjukanovic fitoi 36 mandate në parlamentin republikan, i cili numëron 81 vende.
Intervistoi : Beqir SINA/
Zoti Zeneli : Gjithmonë simbas jush : Përse partia në pushtet dhe kryeministri Gjukanoviç e kanë kaq të vështirë për të marrë mbi 50% të votave. Pavarësisht te asaj qe quhet suksesit të tij dhe kontributit që ka dhënë ai për pavarësinë e Malit të Zi, kemi akuzat e opozitës për nepotizëm dhe korrupsion, a mendoni ju se këto po ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve, duke dëmtuar partinë e Gjukanoviçit? dhe kush humbi dhe kush fitojë në këto zgjedhje ?
Zeneli : Në zgjedhjet parlamentare të 16 Tetorit nuk mund thuhet se pati ndonjë fitues në kuptimin e plotë të fjalës, sepse nga 16 listat zgjedhore që garuan asnjëra nga ato nuk fitoj shumicën absolute parlamentare. Partia Demokratike e Socialistëve ( DPS) me në krye Millo Gjukanoviq fitoj shumicën relative me 36 mandate, me ç’rast i duhet të bëjë kualicion me ndonjë subjekt (apo subjekte) tjetër me qëllim që arrijë shumicën minimale prej 41 nga gjithësejt 81 sa ka Kuvendi i Malit të Zi .Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2012 PDS-ja pësoj një rënie prej rreth 5% të votave të përgjithëshme. Në zgjedhjet e vitit 2012 PDS-ja e Gjukanoviqit kishte 46.3% kurse në zgjedhjet e këtij viti muar 41.4%. Kjo rënie, në mes tjerash mund t’i atribohet faktit se qytetarët e Malit të Zi kanë filluar të “lodhën” me e pushtetin 26 vjeçar të PDS-së me në krye Millo Gjukanoviq.
S’ka dyshim se korrupcioni ekonomik dhe politik në nivel të qeverisjes shtetërore ka luajtur gjithashtu rol në rënien e përkrahësve të PDS-së,posaçërisht tek të rinjët. Me rastin e zgjedhjeve të fundit, vlen të përmendet se derisa PDS-ja pësoj një rënie, në anën tjetër një pjesë e opozitës ( pjesa e saj me program qytetar) pat një ngritje. Befasia e këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet arritja e 8 mandateve të një grupimi të ri politik ” Demokratët e Malit të Zi”, të cilët patën në qendër të vëmendjes së fushatës së tyre parazgjedhore, luftën kundër korrupcionit.
Prej se ju ishit një ndër anëtarët e parë të parlamentit pluralist në Mal të Zi, këmi një diagram vetëm tëtposhtë të deputetve shqiptarë, nga 4 ranë në 3, 2 dhe tani vetëm 1 . Pse ? Kësaj rradhe patëm edhe një risi, atë që u quajt bashkimin e disa partive e cila u trumbetua si “fitore” e Pirros, mendojë unë ngaqë suksesi ishte “0” Përse ?
Zeneli :Në zgjedhjet e para shumëpartiake të vitit 1990 nga radhët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, si parti e parë shqiptare dhe e vetme e asaj kohe, ne fituam 4 vende deputetësh në parlament ( 125 anëtarësh), kurse sot pas 26 viteve, nga tre lista zgjedhore në formë kualicionesh, të përbëra nga 9 sukjekte politike , arritën të fitojnë vetëm një mandat !. Hera e dytë dhe e fundit kur partitë shqiptare fituan 4 deputetë ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 1996. Që nga atëherë, niveli i përfaqësimit të shqiptarëve në nivelin më të lartë legjislativ të Malit të Zi ka ardhur duke u zvogëluar dhe si i tillë edhe forca e veprimit politik të tyre duke u dobësuar, dhe mbetja me një mandat në zgjedhjet e fundit është degradimi më i madh deri më tani i këtij neveli të përfaqësues të shqiptarëve në Mal të Zi.
Sa i përket bashkimit të partive nuk mund të bëhet fjalë për një bashkim të mirëfilltë të shqiptarëve , derisa ata u paraqitën në këto zgjedhje me tri lista dhe rezultati pas zgjedhjeve dëshmon më së miri se sa ishin të bashkuar.
Shumica e partive politike shqiptare në Mal të Zi, ka tashmë disa kohë që e kanë humbur busollën e orientimit të vet dhe secila prej tyre vazhdon rrugën në drejtim të ndryshëm,sipas interesave , përfitimeve dhe nevojave të veta momentale. Njëkohësisht, këto parti janë:
-Pa një platformë apo strategji të përbashkët politike;
-pa një vizion të qartë dhe të qendrueshëm për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi;
-pa një politikë parimore ndaj pushtetit qendror;
-pa një bashkëpunim të mirëfilltë të përbashkët të faktorit politik shqiptar;
-pa një agjendë lidhur me ndërgjegjësimin e faktorit të jashtëm ( ndërkombëtar) për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve në Mal të
Një thënie e njohur thotë:”Nëse nuk e di se për ku je nisur, ke kujdes se mund të mos mbërish dot atje “!
Simbas jush çfarë duhet të kërkojnë tani shqiptarët – a janë në pozitën për të “kushtëzuar” formimin e qeverisë ? apo do të jenë sërish lojal brenda ndonjë partie parlamentare ? Kur dihet se Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Gjukanovic fitoi 36 mandate në parlamentin republikan, i cili numëron 81 vende.
Zeneli :Nuk jam shumë i sigurtë se a do jenë shqiptarët në pozitë të kushtëzojnë tani pasi që tani ata janë të përfaqësuar në minimum. Ata ishin në pozitë më të mirë që të kushtëzojnë në mandatin e kaluar kur patën dy vende deputetësh. Por edhe pse ishin disa herë në pozitë që të kushtëzojnë pushtetin qendror , ata nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Nëse gjykojmë nga e kaluara subjektet parlementare shqiptare (apo kualicionet e tyre) i kanë dhënë përkrahjen partisë në pushtet,pra PDS-së, çka pritet që t’a bëjnë edhe në vazhdim, edhe përkundër faktit se shqiptarët në përgjithësi nuk kanë përfituar asgjë nga një bashkëpunim i tillë në të kaluarën ,kurse pozita e shqiptarëve,jo vetëm që nuk ka ndryshuar por ka pësuar përkeqësim gjatë kohës kur subjektet politike të tyre kanë përkrahur apo kanë qenë në kualicion me PDS-në e Gjukanoviqit. Parashikohet se përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në parlamentin malazez, bashkë me përfaqësusit e tjerë të partive të pakicës boshnjake ( 2 deputetë) dhe asaj kroate( 1 deputetë) të jenë pjesë e formimit të qeverisë së re me PDS-së, e cila ka 36 mandate dhe së bashku do të kenë 40 , çka përsëri nuk mjafton,kështu që do të kërkohet përkrahje e ndonjë partie opozitare me qëllim që të arrihet numri i nevojshëm i shumicës parlamentare.
Përse mendon se “Vota e shqiptarëve pati vlerën e një bankonote 50 euro”?
Zeneli :Kjo nuk është diçka që unë mendoj, por blerja e votës është një realitet që e pohojnë shumë dëshmitarë okular, një dukuri kjo e cila ndodh vazhdimisht si pjesë e fushatës parazgjedhore dhe e procesit zgjedhor në Mal të Zi. A është kjo blerje e votës në formën e €50 eurove apo në ndonjë formë tjetër materiale, kjo ka pak rëndësi. Me rëndësi është që të dihet se bëhet tregti me votën. Gjithashtu, është evidente se me qëllim të përfitimit të votës, iu ofrohet apo premtohet votuesve vende të punës ( shpeshëherë fiktive) nga ana e partisë në pushtet.Pra, bëhet fjalë për tentimin e korruptimit të votuesve.
Shqiptarët arritën të marrin më pak mandate, se kurr, po të ishin të bashkuar ashtu si ju e keni komentuar gjithmonë para zgjedhjeve a mendon se mund të merrnin 4 mandate si në kohën tuaj ?
Zeneli : Më lejoni që në pika të shkurta të sqaroj se pse ishte e pamundur që në këto zgjedhje subjektet politike shqiptare të fitojnë disa mandate:
-Subjektet politike shqiptare garuan me tre lista ;
-Fushata negative ndërmjet listave shqiptare dhe retorika e ashpër kundër njëra tjetrës ,në vend që të përqendrohet fushata e tyre ndaj partisë së pushtetit qendror (DPS-it) ;
-Ligji zgjedhor i cili nuk i favorizon shqiptarët si popull i veçantë . Përndryshe si shpjegohet fakti se Iniciativa Qytetare Kroate ( HGI), subjekti i pakicës kroate në Mal të Zi, me 0.50% të apo me 1500 vota, fitoj një mandat (deputet) kurse njëri ndër Kualicionet Shqiptare merr 0.90% apo 3500 vota dhe mbet pa mandat ( deputet) ?!
-Zhgënjimi i elektoratit shqiptar në udhëheqësit e vet politik të cilët, tashmë me vite të tëra shfrytëzojnë votën e tyre për realizimin dhe arritjen e interesave të tyre pesonale apo grupore. Gjithashtu,elektorati shqiptar e ndien vehten se manipulohet me votën e tyre në at mënyrë se kur është koha të kërkohet përkrahja e tyre, ( pra, para zgjedhjeve) partitë politike paraqiten para tyre si ” mbrojtësit” më të mëdhenj të të drejtave të tyre dhe të çështjes kombëtare shqiptare, por pas zgjedhjeve, ata, pra subjektet politike shqiptare vihen në garë se cili prej tyre do arrijë më parë në krahët e partisë në pushtet (PDS-së), partisë e cila ka përgjegjësinë kryesore për pozitën e disfavorshëme të shqiptarëve në 26 vitet e fundit dhe mos realizimin e të njëjtave drejta kombëtare të tyre.
–Cili ishte roli dhe kontributi i shqiptarëve të Amerikës, pra ju që jetoni në SHBA, në këto zgjedhje ?
Zeneli :Shqiptarët në diasporë, përkatësisht shoqatat dhe organizatat me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA, vazhdimisht kanë bërë thirrje për unitetin e faktorit politik shqiptar, jo vetëm me rastin e këtyre zgjedhjeve por gjithëherë edhe në të kaluarën, por siç shihet thirjet e diasporës kanë hasur në vesh të shurdhër. Kam informata të drejtëpërdrejta se edhe me rastin e këtyre zgjedhjeve ka pasur tentim dhe angazhim ,së paku nga një udhëheqës i një shoqate në diasporë për dalje me një listë shqiptare në zgjedhjet e 16 tetorit,por fatëkeqësisht pa sukses.
Kurse në anën tjetër diaspora dhe shoqatat e lartpërmendura janë angazhuar dhe gjithnjë angazhohen në ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, përmes formave të ndryshme demokratike siç janë protestat paqësore në mbrojtje të të drejtave të bashkëvendasve dhe bashkëkombasve të tyre, lobim përmes ligjëvënësve amerikam etj. Mirpo, shpeshëherë ne në diasporë e ndijejmë vehten se jemi të vetmuar në këtë drejtim, duke pasur parasysh mungesën e përkrahjes së faktorit politik shqiptar në vendlidje ndaj aktivitetit tonë i cili ka të bëjë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe kjo mungesë e përkrahjes nganjëherë kalon në të kundërtën e asaj se për çfarë angazhohemi ne. Për shembull, kur shoqatat dhe organizatat shqiptare në SHBA organizuan protestën masovike, dy vite para Shtëpisë së Bardhë me rastin e vizitës së kryeminstrit malazez, për të protestuar politikën e tij diskriminuese ndaj shqiptarëve, një pjesë e faktorit politik shqiptar bën kualicion ,mbështet apo i jep votëbesim të njëjtit person( pra Gukanoviqit dhe partisë së tij), ndaj të cilit ne protestojmë në Washington DC !.
-Çfarë mund të bëjë diaspora për të luajtur një rol tjetër në mesin e partive shqiptare në Mal të Zi ?
Zeneli : Në rend të parë diaspora duhet të përqendrohet në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe lobizmit të kërkesave të tyre pranë qendrave vendimmarrëse dhe me influencë,rol ky që diaspora e luajtur gjatë gjithë historisë së vet,posaçërisht me rastin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Pra, edhe në rastin e shqiptarëve në Mal të Zi , inkuadrimi i diasporës së Amerikës në rrjedhat politike në vendlindje, kryesisht duhet të bëhet pranë Kongresit, Senatit, apo Administratës amerikane dhe përmes tyre,të bëjë presion tek qeveria e Malit të Zi për realizimin e të drejtave të plota të shqiptarëve.
Mendoj se diaspora duhet të udhëheqë gjithmonë një politikë me karakter afatgjatë kombëtar dhe në asnjë mënyrë të bëhet vegël e politikave ditore partiake në vendlindje, aq më tepër kur këto parti nuk po gjejnë gjuhën e perbashkët lidhur me realizimin e kërkesave jetike të shqiptarëve në Mal të Zi. Pra,unë jam kundër politizimit të diasporës në aspektin e mosngjyrosjes së saj me njollat e partive politike në vendlindje .Egzistimi i partive të shumta politike shqiptare në Mal të Zi e vështirëson në mënyrë të skajshme veprimtarinë e diasporës . Mendoj që shpeshëherë ndasit politike në vendlindje reflektohen edhe në diasporë dhe ne si pjesëtarë të saj duhet të bëjmë çmos që këto ndasi ,përçarje dhe polarizimet e tyre të mos barten edhe këtu.
Në raport me faktorin politik në vendlindje , diaspora duhet të mbajë qendrim parimor, në at mënyrë që të jetë kritik ndaj aktivitetit të tyre kur këto aktivitete nuk japin rezultate apo janë anti kombëtare dhe duke bërë trysni të vazhdueshme ndaj tyre për unifikimin e këtij faktori, megjithëse kjo është dëshmuar një sfidë tepër e madhe për diasporën.