• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI DEGRADOI POZITA E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI GJATË KOHËS SË PUSHTETIT TË MILLO GJUKANOVIQ-it ?

May 26, 2023 by s p

Xheladin Zeneli/

Foto: Bota Sot

Me 20 Maj 2023 u bë inaugurimi i presidentit të ri të Malit të Zi i dalur nga zgjedhjet e 2 Prillit 2023, ku fitoi kandidati i subjektit “ Evropa tani”, Jakov Millatoviq dhe humbi Millo Gjukanoviq, politikani me jetën më të gjatë politike jo vetëm në vendin e tij por edhe në rajon.Që nga ajo ditë (20 Maj 2023) M.Gjukanoviq për herë të parë në karrierën e tij 35 vjeçare politike, nuk do të mbajnë asnjë funksion politik apo shtetëror.

Lidhur me pushtetin e më shumë se tre dekadave të M.Gjukanoviq-it dhe partisë së tij dhe efektet e këtij pushteti në raport me shqiptarët në Mal të Zi, unë kam shkruar vazhdimisht, shkrime këto të cilat i kam përmbledhur në dy librat e mi autorial, me titull“ Diaspora dhe Vendlindja” (2011)dhe “Shqiptarët në Mal të Zi-Popull i rrezikuar”(2019).

Megjithate, me këtë rast do mundohem të bëj një përmbledhje të ngjarjeve dhe fakteve që dëshmojnë se pse pozita e shqiptarëve në Mal të Zi psoi një degradim të dukshëm gjatë kohës së pushtetit të M. Gjukanoviq-it dhe partisë së tij (PDS-së).

Protestat e Diasporës Shqiptare në Amerikë

Fillimisht ,dëshiroj të bëj një reflektim të shkurtë të së kaluarës ku përfshihen disa aktiviteteve të Diasporës Shqiptare në SHBA , përkatësisht të Diasporës me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi , e cila sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka shpenzuar kohë dhe energji të mëdha në protesta e demonstrata para përfaqësive diplomatike të Malit të Zi ,në Washington DC dhe në New York, ku ka ngritur zërin e saj sa herë që janë cenuar dhe mohuar të drejtat e bashkëkombasve tanë në Mal të Zi nga ana e pushtetit të Millo Gjukanoviqit dhe partisë së tij (PDS-së).

Në kuadër të këtyre altiviteteve, kemi marrë pjesë në seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan dhe kemi lobuar për kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, duke përfshirë të drejtën e përdorimin e simboleve tona kombëtare, të drejtën e themelimit të komunës së Malësisë me qendër në Tuzi, të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve në organet e administratës shtetërore, të drejtën e kthimit të pronave (Valdanosit në Ulqin,  Bjeshkëve të Nemuna  në Plavë etj.) Në ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare shqiptare në Mal të Zi, një rol të veçant dhe shumë të rëndësishëm ka luajtur Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye ish kongresistin me prejardhje  shqiptare, Joseph DioGuardi-n dhe bashkëshorten e tij, Shirley Cloyes DioGuardi.

Poashtu, gjatë këtyre dy dekadave të fundit ka pasur reagime të shumta të shoqatave dhe organizatave shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të  Zi, kundër ligjeve diskriminuese  ndaj shqiptarëve të qeverisë malazeze, kundër politikës asimiluese e shpopuluese  ndaj shqiptarëve etj.

Këtu nuk mund të lihet pa u përmendur protestat e Diasporës Shqiptare të Malësisë në Michigan me rastin e arrestimit, dënimit dhe burgosjes së bashkëvendasëve të tyre në aksionin e njohur famëkeq ‘ Fluturimi i Shqiponjës’ në Malësi, në shtator të vitit 2006, disa muaj pasi që Mali i Zi u shpall shtet i pavarur.

Pra gjithë ky aktivitet me vite të tëra në shërbim të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, është bërë gjatë kohës kur Millo Gjukanoviq ushtronte detyrën e kryeminstrit apo të presidentit dhe kur partia e tij (PDS) udhëhiqte me pushtetin në Mal të Zi.

M. Gjukanoviq, përgjegjës për shpopullimin e trevave shqiptare   

Mendimi im është se Millo Gjukanoviqin duhet gjykuar në bazë të asaj se sa çfarë ka bërë në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi gjatë tre dekadave të fundit dhe jo në bazë të asaj se çfarë ka bërë ai për shtetin e tij në aspektin gjeo-strategjik . Argumentin që unë e kam ndigjuar vite me radhë nga përkrahësit shqiptarë të  Gjukanoviqit është se ai eshtë një ‘politikan pro-përendimor’ i cili ‘shpalli pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësoi vendin e tij në NATO’, etj.

Unë gjithnjë vazhdoj të mendoj se pavarësia e Mali Zi   në vitin 2006, si dhe më pas  anatarësimi i tij në NATO, ishin projekte amerikane , kurse politika e jashtme e këtij shteti në një masë të konsiderueshme vendoset në Washington dhe Bruksel.

Për këtë është i vetëdijshëm secili president apo kryeministër që vjen në pushtet në Mal të Zi.

Është për tu habitur fakti se si votuesit shqiptarë të Gjukanoviq-it dhe partisë së tij, e kanë mohuar krejtësisht politikën e brendshme të tij, përkëtësisht politikën e tij në raport me pozitën e  shqiptarëve në këte shtet.Derisa M. Gjukanoviq, në njërën anë integroi shtetin e tij në strukturat euro-atlantike, ai në anën tjetër i dezintegroi shqiptarët dhe faktorin e tyre politik dhe është përgjegjësi kryesor  për zbrazjen dhe shpopullimin e vendbanimeve shqitare.

Duhet përmendur edhe ate se  një pjesë e përgjegjësisë për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve si dhe për mos realizimin e shumë kërkesave të tyre legjitime e mbajnë edhe disa parti politike shqiptare që kohë pas kohe për interesa personale, karrieriste apo partiake bënin kualicione qeverisëse, me PDS-në e Gjukanoviqit.

Gjatë më shumë se tre dekada të pushtetit të M. Gjukanoviq-it dhe partisë së tij, viset shqiptare vazhduan të mbetën viset më të pazhvilluara ekonomike në Mal të Zi, në rend të parë si rezulltat i mos investimit të atij pushteti por njëherit edhe shkatërrimin e ndërmarrjeve egzistuese të këtyre vendbanimeve. Mu për këtë arsy edhe përqindja më e madhe e numrit të emigruarëve ka rrjedh nga trevat me popullsi shqiptare gjatë këtyre tre dekadave , pra gjatë kohës kur M. Gjukanoviq dhe partia e tij mbanin pushtetin.Emigrimi i shqiptarëve në Mal të Zi ka qenë dukuri edhe para viteve ‘90-ta, por gjatë tre dekadave të fundit ka arritur përmasa alarmante sa që sot rreth gjysmës së numrit të shqiptarëve në këtë vend, jetojnë  në botën e jashtme.

Nga ky prizëm dhe sipas kësaj vije logjike, këtu duhet të përmendet një paradoks i veçantë që ka të bëj me disa pjesëtarë të Diasporës Shqiptare, pra me ata të cilët vazhdojnë gjithnjë ta përkrahin M. Gjukanoviq-in. Kjo përkrahje u shfaq edhe në rastin e zgjedhjeve të fundit  presidenciale të 2 Prillit 2023 ku disa pjesëtarë të Diasporës Shqiptare bën  thirrje publike që të votohet M. Gjukanoviq në këto zgjedhje.

Paradoksi qëndron në ate se të njëjtit pjesëtarë të Diasporës janë detyruar të largohen nga vendlindja e tyre dhe të emigrojnë në botën e jashtme pas viteve “90-ta e, mu për shkak të politikës së diskriminimit ekonomik por edhe politik, për shkak të mos zhvillimit e mos investimit apo për shkak të papunësisë dhe të pa përspektivës që pushteti i M. Gjukanoviq-it dhe partia e tij (PDS) kanë udhëhequr vite me radhë ndaj vendbanimeve shqiptare.

Shqiptarët në Mal të Zi gjatë pushtetit të Gjukanoviqit, ishin lypsarë i të drejtave të tyre në vendin e vet 

Që nga viti 1990 e deri në vitin 2020, gjatë periudhës kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka udhëhequr me pushtetin në Mal të Zi ( bashkë në koalicion edhe me parti të tjera), shumica e kërkesave e shqiptarëve në Mal të Zi, pra kërkesat që kanë të bëjnë me statusin politik dhe shoqëror të tyre në këtë shtet, nuk kanë hasur asnjëherë në mirëkuptim nga ana e këtij pushteti. Në fakt, kërkesat e shqiptarëve nuk ishin gjë tjetër veçse të drejta legjitime të tyre të garantuara me kushtetutën e dhe me ligjet në fuqi në Mal të Zi. Shpeshëherë këto të drejta janë (keq)përdorur në mënyrë perfide nga Podgorica si karrem për të tërhequr shqiptarët që ata të jenë pjesë e pushtetit  dhe të qeverisjes qendrore.

Të marrim për shembull të drejtën e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në organet e administratës dhe qeverisjes shtetërore,si e drejtë e cila është e garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi,por që çdo herë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare bëhej objekt negocimi i PDS-së me subjekte të caktuara politike shqiptare që pretendonin të ishin pjesë e pushtetit. Pyetja që shtrohet është se pse bëhej marrëveshje për diçka që automatikisht duhet të jetë e drejtë ligjore dhe kushtetuese e shqiptarëve?!.

Pra, gjatë kohës së qeverisjes së PDS-së, të drejtat legjitime të shqiptarëve kanë qenë gjithëmonë në mëshirën e pushtetit qendror,realizimi i të cilave mvarej nga vullneti politik i tij, duke i kthyer shqiptarët në lypsarë i të drejtave të tyre që iu takojnë.

Shembulli më tipik i kësaj ishte Komuna e Malësisë me ç’rast realizimi i rikthimit të statusit të plotë dhe me të drejta të barabarta të saj me komunat e tjera në Mal të Zi, u refuzua nga pushteti i M. Gjukanoviq-it për 27 vite me radhë, për llogaritjet politike të partisë së tij.

Të drejtat e një populli autokton i cili jeton në trojet e veta stërgjyshore, siç janë pra shqiptarët në Mal të Zi, nuk do të duheshin asnjëherë të jenë pjesë e diskursit politik  por të drejta të garantuara ligjore dhe kushtetuese.Përveç kësaj,Mali i Zi ka nënshkruar shumë marrëveshje e konventa ndërkombëtare të cilat garantojnë dhe sigurojnë të drejtat e popujvë pakicë ku bëjnë pjesë shqiptarët.

Millo Gjukanoviq, ishte personifikim i korrupcionit ekonomik dhe politik

Kur  përkrahet një politikan si M. Gjukanoviq, atëherë përkrahet një politikan mbi të cilin rëndojnë shumë akuza për korrupcion.Sipas burimeve të shumta të mediumeve të pavaruara dhe organizatave jo qeveritare ndërkombëtare që merren me aktivitetet e liderëve politik, kanë raportuar vazhdimisht për krimin e organizuar,për korrupcionin politik dhe ekonomik që e ka përcjellë dhe e ka karakterizuar Malin e Zi gjatë gjithë kohës që me pushtetin e tij ka udhëhequr M. Gjukanoviq.Në vitin 1915 M.Gjukanoviq u shpall “Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP(Orginized Crime and Corruption Reporting Project),një organizatë e njohur e cila merret me hetimin dhe zbulimin e korrupcionit të udhëheqësve qeveritar në vendet e ndryshme të botës.Revista britanike “Indepedent” e datës 19 Maj 2010 e vendosi Millo Gjukanoviq-in në një ndër 20 liderët më të pasur botëror, me vlerë prej 10 milion funta ku shfaq dyshime lidhur me prejardhjen e pasurisë së tij,duke pasur parasysh se si kryeministër qeverie,ai kishte pagën prej 1300- 1700 euro dhe ishte pushtetar i një ndër shteteve më të varfëra në rajon. Kurse sipas revistës “Forbes”,familja e Millo Gjukanoviq është një ndër familjet më të pasura në Mal të Zi me vlerë prej $167 milion dollarë ,por për pasurinë e vertetë të tij nuk egzistojnë të dhëna transparente. Një ndër mënyrat e pasurimit të Millo Gjukanoviq-it ka qenë edhe përmes shfrytëzimit të konfliktit të interesit, keqpërdorimit të pozitës (pozitave) të tia udhëheqëse shtetërore ,përmes korrupcionit, përmes pastrimit të parave etj.

Si përfundim,

Mali i Zi tani ka presidentin e ri dhe pas zgjedhjeve parlematare të muajit të ardhshëm do të këte edhe kryeministrin e ri.

Por pa marrë parasysh se kush është president si dhe kush do të jetë kryeministër i ri, aspiratat dhe sfidat e shqiptarëve në Mal të Zi për më shumë të drejta dhe për një status më të avancuar shoqëror dhe politik, do të vazhdojnë të jenë temë edhe në të ardhmen.

Është për keqardhje që në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 11 Qershor 2023 faktori politik shqiptar garon i ndarë, pjesa më e madhe e tyre dalin me dy lista zgjedhore, kurse një parti tjetër politike shqiptare garon në kualicion parazgjedhor me PDS-në. 

Derisa faktori dhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, vazhdojnë të jenë të përçarë, 

derisa mungon një unitet, kohezion dhe angaxhim i përbashkët i tyre në shërbim të interesit të përgjithëshëm, e që është përmirësimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, shqetësohem dhe brengosem se ashtu si gjatë pushtetit 30-vjeçarë të M. Gjukanoviq-it ,ata do të vazhdojnë edhe më tutje të jenë lypsarë  i të drejtave të tyre në vendin e vet.

Xheladin Zeneli

Maj 2023

Filed Under: Ekonomi Tagged With: xheladin Zeneli

JU TREGOJ PSE PO KANDIDOJ PER KESHILLTAR NE DUMONT-NJ

October 4, 2018 by dgreca

1 xheladin zeneli

Nga Xheladin ZENELI/*

Ka disa kohë që jam matur për të dhënë kontributin tim në shërbimin publik në vendbanimin tim në SHBA, por arsyeja kryesore që deri më tani nuk e kam bërë një gjë të tillë ka qenë ajo, se gjatë 25 viteve të fundit, prioritet i angazhimit tim ka qenë aktiviteti në kumunitetin tim shqiptar në New York me rrethe.
Vendimi im për t’u kandiduar për këshilltarë i Bashkisë (Komunës) në qytetin e vendbanimit tim, Dumont në New Jersey (Nju Xherzi )në zgjedhjet e 6 Nëntorit të këtij viti, nuk vjen nga motive për karrierë politike, por thjeshtë për disa arsye të tjera.

-Së pari që si taksapagues dhe qytetarë me përgjegjësi ,të mundohem që të jap edhe unë kontributin tim në proceset vendim-marrëse në qytetin (komunën) ku jetoj që nga viti 2004.Gjithëmonë më ka tërhequr mënyra demokratike e procesit zgjedhor në SHBA, si dhe fakti se shumica e atyre që garojnë apo kandidohen , posaçërisht në nivel të qeverisjes lokale, e bëjnë këtë në baza vullnetare dhe jo për për përfitime materiale pasi që kompensimi ndaj këshillëtarëve në shumicën e komunave është simbolik.Pra, në këtë nivel të qeverisjes angazhimi përceptohet jo si politikë, por si shërbim publik.
-Kur flitet për punën vullnetare atëherë duhet të përmendi edhe arsyen tjetër e angazhimit tim i cila ka të bëjë me ate se e ndijejë vehten të detyruar që në një mënyrë apo tjetër dhe brenda mundësive dhe kapaciteteve të mia të mundohem t’ja kthej kontributin aq të madh që ky shtet , pra SHBA ( me këtë edhe New Jersey-i si shtet i tij),në momente të rëndësishme historike ka dhënë për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë popullin shqiptarë.(Sa për informim, ish presidenti amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve
Woodrow Wilson, para se të bëhej presidenti i 28-të i SHBA , për një kohë të caktuar ai ishte banor dhe governator i shtetit të New Jersey-it);
-Arsyeja tjetër e vendimit tim është se mendoj se pjesëtarët e komunitetit shqiptarë duhet të inkuadrohen edhe më shumë në jetën shoqërore politike në vendbanimet ku ata gravitojnë në diasporë.Z. Mark Gjonaj këshilltari i parë shqiptarë në Bashkinë e New York-ut, i cili pa dyshim se është bërë frymëzim për të gjithë ne, vazhdimisht në fjalimet e tia me pjesëtarët e komunitetit shqiptar, gjithënjë iu bën apel atyre për një angazhim më të madh në procesin vendim-marrës në komunat apo bashkitë e vendbanimeve përkatëse me qëllim të faktorizimit të komunitetit shqiptarë në diasporë.Kohë më parë u publikua lajmi se në Staten Island jetojnë rreth 24,000 shqiptarë apo 5% e popullsisë. Pyetja që n’a imponohet është se sa prej tyre janë të inkuadruar si pjesë e procesit vendim-marrës në organet e qeverisjes lokale,pra pjesë e komunave apo bashkive përkatëse ?.
Më vjen mirë kur ndigjoj që pjesëtarët e komunitetit shqiptar në SHBA por edhe në diasporat e tjera, angazhohen në shërbimin publik dhe në proceset shoqëroro-politike ku ata gravitojnë ,por mendoj se pjesëtarët e komunitetit shqiptarë, posaçërisht gjeneratat e reja mund të bëjnë edhe më shumë në këtë drejtim.

Pak të dhëna për bashkinë -Dumont dhe qeverisjen e saj lokale

Dumont është një qytet në veri të shtetit të New Jersey-it, në rajonin Bergen ( Bergen County), me një distancë mesatare prej qendrës së Manhhatan-it në NY prej 17 milave apo 27 km). Ka marrë statusin e bashkisë në vitin 1894 , kurse emrin nga kryetari i parë i kësaj bashkie, Dumont Clarke. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2010, Bashkia e qytetit Dumont-it ka rreth 17,500 banorë.Struktura demografike është sa vijon: të bardhë 75.91%, hispanik apo latin 14.76%, afrikano-amerikan 0.18% dhe të racave të tjera 9.31%. Aty jeton edhe një numër i vogël i shqiptarëve për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete, por që me votën e tyre edhe mund të ndikojnë në zgjedhjet e Nëntorit.
Organi i qeverisjes lokale të bashkisë apo komunës së Dumont-it përbëhet nga Kryetari i Komunës dhe Këshilli Bashkiak i cili ka vetëm 6 Këshilltarë, pozita këto të cilat zgjidhen drejtë për drejti nga votuesit në baza partiake në zgjedhjet e përgjithëshme në muajin Nëntor.
Kryebashkiaku zgjidhet me mandat katërvjeçar kurse këshilltarët me mandat trevjeçar. Bashkia ka sistemin e qeverisjes lokale i cili praktikohet në një përqindje të madhe në shtetin e New Jersey-it sipas së cilit fuqinë egzekutive e posedon Këshilli dhe jo Kryetari i Bashkisë. Pra, organin legjislativ e përbëjnë 6 këshillatarët në mbledhjet e të cilëve kryeson kryebashkiaku, por i cili voton vetëm në rastin nëse votat e këshilltarëve janë të ndara në gjysmë.
Me këtë rast dëshiroj të bëj një krahasim: duke pasur parasysh faktin se gjithë kuvendi i bashkisë ( komunës) në fjalë përbëhet vetëm nga 6 këshilltarë, mendoj se sistemi i qeverisjes lokale në disa vende të Ballkanit, me theks të veçantë sistemi i qeverisjes lokale në Mal të Zi ku përfshihet edhe komuna e Ulqinit, mund të mësoj shumë nga mënyra e qeverisjes lokale në SHBA ,por kjo është një temë tjetër.
Në fund,
në listën e përbashkët në zgjedhjet e 6 Nëntorit 2018 për këshillatarë të Bashkisë e cila përbëhet nga tre kandidatë, janë edhe dy bashkëqytetarët e mi,kandidatët Stephen O’Neill dhe Joan Diore.

Me bindjen se do të kem përkrahjen tuaj të plotë, Ju falenderoj paraprakisht !

Xheladin Zeneli
Kandidat për Këshilltarë
Dumont, New Jersey
Shtator 2018

  • Marre nga fb i Xheladin Zenelit

Filed Under: Komunitet Tagged With: keshilltar ne Dumont, pse po kandidoj, xheladin Zeneli

Pse u burgos Dr. Nail Draga ?

May 13, 2017 by dgreca

DËNIMI I DR. NAIL DRAGËS DHE FARSA E ” SHTETIT LIGJOR” MALAZEZ !/

1 Nail Draga2 Draga

Ne FOTO:DR. NAIL DRAGA DHE BOTIME TE TIJ/

NGA XHELADIN ZENELI/

Dënimi me burg me afat prej 6 muajsh i ish drejtorit të Qendrës së Kulturës në Ulqin, Dr. Nail Dragës me akuzën e ” keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, është një akt skandaloz për institucionet e ashtuquajtuara të drejtësisë në Mal të Zi, për arsyen e thjeshtë se organet gjygjësore ndjekin penalisht një ish drejtues të një institucioni kulturor për kinëse një gabim të natyrës procedurale, por anashkalojnë dhe mohojnë krimet e vërteta dhe korrupcionin politik e ekonomik që kryehen në majën e piramidës së pushtetit në Mal të Zi !.

Gjithashtu, z. Draga i ngarkohet edhe akuza e dhënies me qira një objekt ( pronë e Shtëpisë së Kulturës), “pa shpalljen e tenderit publik” (!?). Për të parë se si “drejtësia apo gjykata” malazeze vepron në mënyrë selektive duke ndjekur penalisht raste tepër të pa rëndësishme apo me qëllime të caktuara ,kurse në anën tjetër duke mbyllur sytë ndaj epidemisë së korrupcionit që ka kapluar aparatin shtetëror, po iu sjellim disa dëshmi interesante.
MANS,një organizatë joqeveritare e cila merret me hetimin e korrupcionit shtetëror, raporton se në vitin 2012 agjensitë qeveritare në Mal të Zi kanë nënshkruar 147 marrëveshje paraprake, pa deklaruar tenderin publik. Shpeshëherë zyrtarët qeveritar manipulojnë me tenderët publik me qëllim që të përfitojnë kompanitë që janë më afër apo që preferohen nga partia në pushtet .Tentimet për të hetuar ,persekutuar dhe dënuar zyrtarët e lartë shtetëror për korrupcion apo krime të ngjajshme, nuk sjellin rezulltate .
MANS ka hetuar 333 raste të korrupcionit prej vitit 2006-2012 dhe ka zbuluar se gjykatat japin denime jokonsistente në këtë aspekt. Dënimet zakonisht janë të ashpërta për punonjësit që kanë pozita të ulta apo të mesme, kurse për zyrtarët e lartë të Qeverisë marrin dënime më të buta për kryerjen e krimeve më serioze siç është abuzimi apo keqpërdorimi i pozitës. Shembull më mirë për këtë është rasti i ish zyrtarit të lartë të PDS-së ,Svetozar Maroviq i cili abuzoj me pozitën e tij udhëheqëse duke plaçkitur vite me radhë ,buxhetin e Komunës së Budvës me dhjetra miliona dollarë dhe për këte krim ai është dënuar vetëm me tre vite e dhjetë muaj heqje lirije (!?). MANS gjithashtu raporton se në vitin 2014 , 59 institucione shtetërore të nivelit qendror dhe lokal kanë kryer veprime antiligjore me rastin e transakcioneve të ndryshme pronësore, por asnjë nga drejtuesit e tyre nuk janë sjellur para gjygjit. Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan , në raportet e tij për të drejtat e njeriut , vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen lidhur me problemin e korrupcionit të zyrtarëve të lartë në Mal të Zi duke theksuar se edhe “përkundër faktit se ligjet ofrojnë dënime kundër zyrtarëve të korruptuar, megjithate qeveria nuk i implementon me efikasitet të duhur ” .
Korrupcioni, keqpërdorimi i pozitës dhe krimi i organizuar fillon nga majat më të larta të pushtetit, pra nga politikanët dhe udhëheqësit kryesor shtetëror në Mal të Zi. Të flitet për korrupcion , për krim të organizuar, për keqpërdorim të pozitës dhe veprime të tjera antiligjore në këtë shtet, nuk mundet pa u përmend emri i ish kryeministrit dhe shefit të partisë së PDS-së, Millo Gjukanoviq i cili për rreth tre dekada me radhë( herë si kryeministër e herë si president i Malit të Zi), shërbeu si politikani numër një i Malit të Zi. Mali i Zi konsiderohet një shtet i vogël dhe i varfër por që Millo Gjukanoviq me familjen e tij ka një fuqi të madhe ekonomike dhe konsiderohet si një ndër klanet politike sunduese më të pasur në botë, kurse revista britaneze ” Indepedent”, e klasifikon Millo Gjukanoviq-in si një ndër 20 politikanët më të pasur në botë. Në vitin 2015 Gjukanoviq u shpall ” Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP, ( Organized Crime and Corruption Reporting Procect ) një oganizatë e njohur e cila merret me hetimin e korrupcionit të udhëheqëve qeveritar .

Pas gjithë kësaj që u tha më lartë, burgosja e Dr. Dragës tingëllon si farsë e veprimit të ” shtetit ligjor”. Pra, kur Qeveria arreston dhe burgos punonjës apo drejtues të thjeshtë ,për shkak të ndonjë çështje procedurale, mundohen të tregojnë se “drejtësia” vepron dhe se në Mali i Zi kinëse luftohet korrupcioni! Gjithashtu,në këtë mënyrë njëherit tentohet që të tërheqet vëmendja nga krimet serioze që bëhen në nivel shtetëror, ku janë të përfshirë shumë funksionerë të klasës politike dhe që për një kohë të gjatë dëmtojnë shoqërinë duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve, por që dora e drejtësisë nuk i arrin dot.
Nëse e njëjta akuzë apo kriterijum që është aplikuar ndaj z. Draga me rastin e dënimit të tij, të ishte aplikuar ndaj të gjithë të tjerëve që ushtrojnë funksione të shërbimeve publike në Mal të Zi, atëherë do të kishim dënime dhe burgime të përditshme në Mal të Zi !.

Pse u burgus Dr. Nail Draga ?

Dr. Nail Draga është një intelektual i njohur jo vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi por në mbarë hapësirën shqiptare në përgjithësi i cili mban gradën Doktor i shkencave gjeografike. Është autor i disa librave, ku kryesisht trajton çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi .
Gjatë viteve “80-ta, si intelektual i ri, dalë nga Univerziteti i Prishtinës, për aktivitietin e tij,vëzhgohej dhe përndjekej vazhdimisht nga organet e atëherëshme të sigurimit malazezo-jugosllav, me ç’rast policia e atëhershme i konfiskoj librarinë e tij private e cila nuk iu është kthyer asnjëherë.
Me vendosjen e sistemit shumpartiak në Mal të Zi, ishte një ndër të parët që u aktivizua duke ndihmuar në përpilimin e Statusit Special të Shqiptarëve në Mal të Zi në vitin 1992, një dokument i atëhershëm me rëndësi për të drejtat e shqiptarëve në këte republikë. I ftuar nga LQSHA në vitin 2003 dëshmon në Kongresin Amerikan në Washington DC, lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në Mal të Zi. Organizon dhe merr pjesë vazhdimisht në simpozijume, takime ,prezentime e mbledhje shkencore ku diskutohen çështjet me rëndësi jetike për shqiptarët në rajon. Në kuadër të ART-CLUB-it në Ulqin ( Shoqatës së Intelektualëve dhe Artistëve ) ka redaktuar dhe organizuar promovimin e dhjetra librave të autorëve të ndryshëm shqiptarë. Përmes shkrimeve, publikimeve, analizave të tija të shumta gjithënjë shpreh shqetësimin për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe çdo herë ngrit zërin e tij për padrejtësitë që iu bëhën shqiptarëve në shumë sfera të jetës shoqërore dhe në këtë mënyrë është bërë një zë i fuqishëm i ndërgjegjësimit të çështjes shqiptare në Mal të Zi.
Dr. Nail Draga në të gjitha pozitat që ka mbajtur deri më sot ndër të cilat ishin edhe drejtor i SHF ” Bedri Ekezaga” në Katërkollë ( Anë të Malit) si dhe drejtor i QK në Ulqin, i ka kryer me dinjitet, me ndërgjegje , etikë të lartë të punës dhe me përgjegjësi të plotë dhe në asnjë rast nuk ka pasur përfitime materiale. Këtë e vërteton edhe standardi modest i jetës së tij prej intelektuali. Vlen të përmendet se derisa ishte drejtor i Qendrës për Kulturë në Ulqin ka inicuar e organizuar aktivitete të shumta kulturore si Mbrëmjet e shumta Poetike , Panairet vjetore të Librit etj. dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për jetën kultorore dhe artistike të këtij qyteti.

Duke pasur parasysh një aktivitet të bujëshëm të një intelektuali të dalluar të çështjes kombëtare ,nuk ka se si të mos ngjallen dyshime lidhur me qëllimet dhe prapavijën e vertetë e burgosjes së Dr. Nail Dragës nga autoritetet malazeze! Dihet mirë se në një shtet ku gjykata dhe institucionet e drejtësisë janë të korruptuar dhe i shërbejnë klikës së ngusht të pushtetit, po i njëjti shtet është në gjendje që të kurdisë akte të caktuara gjygjësore ndaj të “padëshiruarëve” , ndaj atyre që ngrisin zërin vazhdimisht ndaj atij pushteti apo ndaj atyre që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të popullit të vet.

Dënimi dhe heqja e lirisë së intelektuali në çdo shoqëri është për t’u shqetësuar, posaçërisht dënimi i një intelektuali me përkatësi kombëtare shqiptare në Mal të Zi, ( pra, të Dr. Dragës), duke pasur parasysh të kaluarën e hidhur e regjimeve sllave ndaj intelegjencisë shqiptare, por njëherit dhe trajtimin dhe statusin e tanishëm të pabarabartë të shqiptarëve në përgjithësi në këtë shtet.

Xheladin Zeneli
13 Maj 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Pse u burgos, xheladin Zeneli

Xheladin Zeneli: Vota e shqiptarëve në Mal të Zi, 50 Euro

October 26, 2016 by dgreca

Interviste e posacme me ish deputetin në parlamentin e pare pluralist te Malit të Zi, Xheladine Zeneli/1-beqiri-xheladini

Ish deputeti në parlamentin e pare pluralist te Malit të Zi, Xheladine Zeneli autori i librit” Diaspora dhe Vendlindja” , veprimtar i njohur  komunitetit shqiptar ne SHBA, mori pjese ne zgjedhjet e fundit te pergjithshme parlamentare ne Mal te Zi, dhe nje jave pas atyre zgjedhjeve ai i dha gazetarit tone ne New York, Beqir Sina, ne interviste ldhur me eto zgjedhje.
Sipas të dhënave të zgjedhjeve parlamentare të së dielës së kaluar në Mal të Zi, Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Gjukanovic fitoi 36  mandate në parlamentin republikan, i cili numëron 81 vende.

Intervistoi : Beqir SINA/

Zoti Zeneli : Gjithmonë simbas jush : Përse  partia në pushtet dhe kryeministri Gjukanoviç e  kanë kaq të vështirë për të marrë mbi 50% të votave. Pavarësisht te asaj qe quhet suksesit të tij dhe kontributit që ka dhënë ai për pavarësinë e Malit të Zi, kemi akuzat e opozitës për nepotizëm dhe korrupsion, a mendoni ju se këto  po ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve, duke dëmtuar partinë e Gjukanoviçit? dhe kush humbi dhe kush fitojë në këto zgjedhje ?
Zeneli : Në zgjedhjet parlamentare të 16 Tetorit nuk mund thuhet se pati ndonjë fitues në kuptimin e plotë të fjalës, sepse nga 16 listat zgjedhore që garuan asnjëra nga ato nuk fitoj shumicën absolute parlamentare. Partia Demokratike e Socialistëve ( DPS) me në krye Millo Gjukanoviq fitoj shumicën relative me 36 mandate, me ç’rast i duhet të bëjë kualicion me ndonjë subjekt (apo subjekte) tjetër me qëllim që arrijë shumicën minimale prej 41 nga gjithësejt 81 sa ka Kuvendi i Malit të Zi .Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2012 PDS-ja pësoj një rënie prej rreth 5% të votave të përgjithëshme. Në zgjedhjet e vitit 2012 PDS-ja e Gjukanoviqit kishte 46.3% kurse në zgjedhjet e këtij viti muar 41.4%. Kjo rënie, në mes tjerash mund t’i atribohet faktit  se qytetarët e Malit të Zi kanë filluar të “lodhën” me e pushtetin 26 vjeçar të PDS-së me në krye Millo Gjukanoviq.
S’ka dyshim se korrupcioni ekonomik dhe politik në nivel të qeverisjes shtetërore ka luajtur gjithashtu rol në rënien e përkrahësve të PDS-së,posaçërisht tek të rinjët. Me rastin e zgjedhjeve të fundit, vlen të përmendet se derisa PDS-ja pësoj një rënie, në anën tjetër një pjesë e opozitës ( pjesa e saj me program qytetar) pat një ngritje. Befasia e këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet arritja e 8 mandateve të një grupimi të ri politik ” Demokratët e Malit të Zi”, të cilët patën në qendër të vëmendjes së fushatës së tyre parazgjedhore, luftën kundër korrupcionit.
 Prej se ju ishit një ndër anëtarët e parë të parlamentit pluralist në Mal të Zi, këmi një diagram vetëm tëtposhtë të deputetve shqiptarë, nga 4 ranë në 3, 2 dhe tani vetëm 1 . Pse ? Kësaj rradhe patëm edhe një risi, atë që u quajt bashkimin e disa partive e cila u trumbetua si “fitore” e Pirros, mendojë unë ngaqë suksesi ishte “0” Përse ?
 Zeneli :Në zgjedhjet e para shumëpartiake të vitit 1990 nga radhët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, si parti e parë shqiptare dhe e vetme e asaj kohe, ne fituam 4 vende deputetësh në parlament ( 125 anëtarësh), kurse sot pas 26 viteve, nga tre lista zgjedhore në formë kualicionesh, të përbëra nga 9 sukjekte politike , arritën të fitojnë vetëm një mandat !. Hera e dytë dhe e fundit kur partitë shqiptare fituan 4 deputetë ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 1996. Që nga atëherë, niveli i përfaqësimit të shqiptarëve në nivelin më të lartë legjislativ të Malit të Zi ka ardhur duke u zvogëluar dhe si i tillë edhe forca e veprimit politik të tyre duke u dobësuar, dhe mbetja me një mandat në zgjedhjet e fundit është degradimi më i madh deri më tani i këtij neveli të përfaqësues të shqiptarëve në Mal të Zi.
     Sa i përket bashkimit të partive nuk mund të bëhet fjalë për një bashkim të mirëfilltë të shqiptarëve , derisa ata u paraqitën në këto zgjedhje me tri lista dhe rezultati pas zgjedhjeve dëshmon më së miri se sa ishin të bashkuar.
     Shumica e partive politike  shqiptare në Mal të Zi, ka tashmë disa kohë që e kanë humbur busollën e orientimit të vet dhe secila prej tyre vazhdon rrugën në drejtim të ndryshëm,sipas interesave , përfitimeve dhe nevojave të veta momentale. Njëkohësisht, këto parti janë:
-Pa një platformë apo strategji  të përbashkët politike;
-pa një vizion të qartë dhe të qendrueshëm për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi;
-pa një politikë parimore ndaj pushtetit qendror;
-pa një bashkëpunim të mirëfilltë të përbashkët të faktorit politik shqiptar;
-pa një agjendë lidhur me  ndërgjegjësimin e faktorit të jashtëm ( ndërkombëtar) për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve në Mal të 
     Një thënie e njohur thotë:”Nëse nuk e di se për ku je nisur, ke kujdes se mund të mos mbërish dot atje “!
Simbas jush çfarë duhet të kërkojnë tani shqiptarët – a janë në pozitën për të “kushtëzuar” formimin e qeverisë ? apo do të jenë sërish lojal brenda ndonjë partie parlamentare ? Kur dihet se Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Gjukanovic fitoi 36  mandate në parlamentin republikan, i cili numëron 81 vende.
Zeneli :Nuk jam shumë i sigurtë se a do jenë shqiptarët në pozitë të kushtëzojnë tani pasi që tani ata janë të përfaqësuar në minimum. Ata ishin në pozitë më të mirë që të kushtëzojnë në mandatin e kaluar kur patën  dy vende deputetësh. Por edhe pse ishin disa herë në pozitë që të kushtëzojnë pushtetin qendror , ata nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi. Nëse gjykojmë nga e kaluara subjektet parlementare shqiptare (apo kualicionet e tyre)   i kanë dhënë përkrahjen partisë në pushtet,pra PDS-së, çka pritet që t’a bëjnë edhe në vazhdim, edhe përkundër faktit se shqiptarët në përgjithësi nuk kanë përfituar asgjë nga një bashkëpunim i tillë në të kaluarën ,kurse  pozita e shqiptarëve,jo vetëm që nuk ka ndryshuar por ka pësuar përkeqësim gjatë kohës kur subjektet politike të tyre kanë përkrahur apo kanë qenë në kualicion me PDS-në e Gjukanoviqit. Parashikohet se përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në parlamentin malazez, bashkë me përfaqësusit e tjerë të partive të pakicës boshnjake ( 2 deputetë) dhe asaj kroate( 1 deputetë) të jenë pjesë e formimit të qeverisë së re me PDS-së, e cila ka 36 mandate dhe së bashku do të kenë  40 , çka përsëri nuk mjafton,kështu që do të kërkohet përkrahje e ndonjë partie opozitare me qëllim që të arrihet numri i nevojshëm i shumicës parlamentare.
Përse mendon se “Vota e shqiptarëve pati vlerën e një bankonote 50 euro”?
Zeneli :Kjo nuk është diçka që unë mendoj, por blerja e votës është një realitet që e pohojnë shumë dëshmitarë okular, një dukuri kjo e cila ndodh vazhdimisht si pjesë e fushatës parazgjedhore dhe e procesit zgjedhor në Mal të Zi. A është kjo blerje e votës në formën e €50 eurove apo në ndonjë formë tjetër materiale, kjo ka pak rëndësi. Me rëndësi është që të dihet se bëhet tregti me votën. Gjithashtu, është evidente se me qëllim të përfitimit të votës, iu ofrohet apo premtohet votuesve vende të punës ( shpeshëherë fiktive)  nga ana e partisë në pushtet.Pra, bëhet fjalë për tentimin e korruptimit të votuesve.
Shqiptarët arritën të marrin më pak mandate, se kurr, po të ishin të bashkuar ashtu si ju e keni komentuar gjithmonë para zgjedhjeve a mendon se mund të merrnin 4 mandate si  në kohën tuaj ?
Zeneli : Më lejoni që në pika të shkurta të sqaroj se pse ishte e pamundur që në këto zgjedhje subjektet politike shqiptare të fitojnë disa mandate:
-Subjektet politike shqiptare garuan me tre lista ;
-Fushata negative ndërmjet listave shqiptare dhe retorika e ashpër kundër njëra tjetrës ,në vend që të përqendrohet fushata e tyre ndaj partisë së pushtetit qendror (DPS-it) ;
-Ligji zgjedhor i cili  nuk i favorizon shqiptarët si popull i veçantë . Përndryshe si shpjegohet fakti se Iniciativa Qytetare Kroate ( HGI), subjekti i pakicës kroate në Mal të Zi, me 0.50% të apo me 1500 vota, fitoj një mandat (deputet) kurse njëri ndër Kualicionet Shqiptare merr 0.90% apo 3500 vota dhe mbet pa mandat ( deputet) ?!
-Zhgënjimi i elektoratit shqiptar në udhëheqësit e vet politik të cilët, tashmë me vite të tëra shfrytëzojnë votën e tyre për realizimin dhe arritjen e interesave të tyre pesonale apo grupore. Gjithashtu,elektorati shqiptar e ndien vehten se manipulohet me votën e tyre në at mënyrë se kur është koha të kërkohet përkrahja e tyre, ( pra, para zgjedhjeve) partitë politike paraqiten para tyre si ” mbrojtësit” më të mëdhenj të të drejtave të tyre dhe të çështjes kombëtare shqiptare, por pas zgjedhjeve, ata, pra subjektet politike shqiptare vihen në garë se cili prej tyre do arrijë më parë në krahët e partisë në pushtet (PDS-së), partisë e cila ka përgjegjësinë kryesore për pozitën e disfavorshëme të shqiptarëve në 26 vitet e fundit dhe mos realizimin e të njëjtave drejta kombëtare të tyre.
   –Cili ishte roli dhe kontributi i shqiptarëve të Amerikës, pra ju që jetoni në  SHBA, në këto zgjedhje ?
Zeneli :Shqiptarët në diasporë, përkatësisht shoqatat dhe organizatat me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA, vazhdimisht kanë bërë thirrje për unitetin e faktorit politik shqiptar, jo vetëm me rastin e këtyre zgjedhjeve por gjithëherë edhe në të kaluarën, por siç shihet thirjet e diasporës kanë hasur në vesh të shurdhër. Kam informata të drejtëpërdrejta se edhe me rastin e këtyre zgjedhjeve ka pasur tentim dhe angazhim ,së paku nga një udhëheqës i një shoqate në diasporë për dalje me një listë shqiptare në zgjedhjet e 16 tetorit,por fatëkeqësisht pa sukses.
        Kurse në anën tjetër diaspora dhe shoqatat e lartpërmendura janë angazhuar dhe gjithnjë angazhohen në ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi, përmes formave të ndryshme demokratike siç janë protestat paqësore në mbrojtje të të drejtave të bashkëvendasve dhe bashkëkombasve të tyre, lobim përmes ligjëvënësve amerikam etj. Mirpo, shpeshëherë ne në diasporë e ndijejmë vehten se jemi të vetmuar në këtë drejtim, duke pasur parasysh mungesën e  përkrahjes  së faktorit politik shqiptar në vendlidje ndaj aktivitetit tonë i cili ka të bëjë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe kjo mungesë e përkrahjes nganjëherë kalon në të kundërtën e asaj se për çfarë angazhohemi ne. Për shembull, kur shoqatat dhe organizatat shqiptare në SHBA organizuan protestën masovike, dy vite para Shtëpisë së Bardhë me rastin e vizitës së kryeminstrit malazez, për të protestuar politikën e tij diskriminuese ndaj shqiptarëve, një pjesë e faktorit politik shqiptar bën kualicion ,mbështet apo i jep votëbesim të njëjtit person( pra Gukanoviqit dhe partisë së tij), ndaj të cilit ne protestojmë në Washington DC !.
-Çfarë mund të bëjë diaspora për të luajtur një rol tjetër në mesin e partive shqiptare në Mal të Zi ?
    Zeneli : Në rend të parë diaspora duhet të përqendrohet në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe lobizmit të kërkesave të tyre pranë qendrave vendimmarrëse dhe me influencë,rol ky që diaspora e luajtur gjatë gjithë historisë së vet,posaçërisht me rastin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Pra, edhe në rastin e shqiptarëve në Mal të Zi , inkuadrimi i diasporës së Amerikës në rrjedhat politike në vendlindje, kryesisht duhet të bëhet pranë  Kongresit, Senatit, apo Administratës  amerikane dhe përmes tyre,të bëjë presion tek qeveria e Malit të Zi për realizimin e të drejtave të plota të shqiptarëve. 
     Mendoj  se diaspora duhet të udhëheqë gjithmonë një politikë me karakter afatgjatë kombëtar  dhe në asnjë mënyrë të bëhet vegël e politikave ditore partiake në vendlindje, aq më tepër kur këto parti nuk po gjejnë gjuhën e perbashkët lidhur me realizimin e kërkesave jetike të shqiptarëve në Mal të Zi. Pra,unë   jam kundër  politizimit  të diasporës në aspektin e mosngjyrosjes së saj me njollat e partive politike në vendlindje .Egzistimi i partive të shumta politike shqiptare në Mal të Zi e vështirëson në mënyrë të skajshme veprimtarinë e diasporës . Mendoj që shpeshëherë ndasit politike  në vendlindje reflektohen edhe në diasporë dhe ne si pjesëtarë të saj duhet të bëjmë çmos që këto  ndasi ,përçarje dhe polarizimet e tyre të mos barten edhe këtu.
      Në raport me faktorin politik në vendlindje , diaspora duhet të mbajë qendrim parimor, në at mënyrë që të jetë kritik ndaj  aktivitetit të tyre kur këto  aktivitete nuk japin rezultate apo janë anti kombëtare dhe duke bërë trysni të vazhdueshme ndaj tyre për unifikimin e këtij faktori, megjithëse kjo është dëshmuar një sfidë tepër e madhe për diasporën.

Filed Under: Politike Tagged With: 50 Euro, xheladin Zeneli, Zgjedhjet ne Mal te Zi

Diaspora -LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI

September 23, 2016 by dgreca

PSE NUK DO TË MARR PJESË NË TAKIMIN E PRESIDENTIT NISHANI ME BASHKATDHETARËT NË NJU JORK?/

NGA XHELADIN ZENELI/

I nderuari President Nishani,

Së pari dëshiroj t’ju falenderoj për ftesën tuaj në takimin që Ju do të mbani në Nju Jork, këtë të Premte me 23 Shtator me pjesëtarët e komunitetit shqiptar .Në një rrethanë tjetër, do të ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë për mu që të marr pjesë në këtë takim, por më vjen keq që kësaj rradhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese për arsyen që do t’a potencoj më poshtë.

Me 12 Korrik të këtij viti, zyra e Presidentit të Shqipërisë, pra zyra e Juaj i ndau kryeministrit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, e cila iu dorozua nga kryetari i kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta me rastin e vizitës së tij në Podgoricë,dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë . Mendoj se vendimi për dekorimin e kryeministrit Gjukanoviq nga zyra e Juaj ishte e nxituar dhe si e tillë tepër e gabuar, për shkak se shteti shqiptar dekoroj kryeministrin i cili mban përgjegjësinë kryesore e mos realizimit e të drejtave të plota të shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë 25 viteve të fundit, dhe si e tillë është fyese për aspiratat e shqiptarëve autokton në këtë shtet dhe së dyti, shteti shqiptar dekoroj politikanin më të korruptuar në rajon.

Z. President,
Supozoj se një gjest i tillë ishte i nxitur nga motivi i përforëcimit të marrëdhenieve fqinjësore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por unë mendoj se pikë së pari, këto marrëdhënie duhen të bazohen në politikë parimore të shtetit tonë amë,ku prioriteti kryesor duhet të jetë interesi kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të asaj pjese të popullit e cila jeton jashtë kufijvë administrativ të tij, pra të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Të drejtat e tyre nuk mbrohen duke akorduar dekorime por duke hapur dialog me mirëkuptim të ndërsjelltë për çështje të hapura. Çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi është gjithënjë çështje e hapur dhe e pazgjidhur. Niveli i realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, do të duhej të ishte barometri kryesor i nivelit të marrëdhënieve me Malin e Zi nga ana e shtetit të cilët ne preferojmë t’a quajmë ” amë”, pra nga Shqipëria.

I nderuari President ,
Gjithashtu, akordimi i dekoratës në fjalë, dashur apo pa dashur nënkupton ate që Shqipëria aprovon metodat asimiluese dhe ç’kombëtarizuese që regjimi i Gjukanoviqit dhe i partisë së tij ( PDS) aplikon ndaj shqiptarëve me dekada me radhë. Për statusin e pa barabartë të shqiptarëve në Mal të Zi dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të cilat konstatojnë shkeljen e të drejtave të tyre kolektive kombëtare në shumë sfera të jetës si në ekonomi,punësim, përfaqësimin proporcional në organet e administratës shtetërore, arsimim, qeverisjen lokale në vendbanimet shqiptare, çështjet pronësore, planet hapësinore,infrastrukturë etj.

Z. President,
Nuk e di se a jeni në dijeni se pak kohë para dekorimit të kryeministrit malazez me ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, së paku në dy rastet e fundit në Ulqin dhe Budvë) u gjobitën shqiptarët për mënyrën festive të përdorimit të flamurit shqiptar. Ironia më e madhe është ajo se derisa në njërën anë kryeministrit malazez i dorëzohet dekorata me simbolin tonë kombëtar, në anën tjetër qeveria e tij, për të njëjtin simbol,dënon qytetarët shqiptarë!. Gjithashtu, nuk e di se a jeni në dijeni që në Mal të Zi egziston një ligj ( Ligji për Rendin dhe Qetësinë) i cili është aprovuar nga kuvendi dhe zbatohet nga qeveria e Millo Gjukanoviqit, flamurin shqiptar, i cili njëherit është edhe flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi, e konsideron si flamur i “një shteti tjetër” apo i një “shteti të huaj”, dhe si i tillë kufizon dukshëm përdorimin e tij në shtetin me të cilin Tirana zyrtare shpeshëherë thekson se ka ” marrëdhënie të shkëlqyera miqësore”.

Z. President,
Dekorimi i kryeministrit malazez ishte poashtu mohim i punës dhe veprimtarisë së organizatave shqiptare në diasporë me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi të cilat angazhohen me vite me radhë për lobizmin dhe sensibilizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në at shtet. Ju rikujtojmë se me 8 Prill të vitit 2014 organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA në bashkëpunim dhe me përkrahjen e disa organizatave të tjera të kumunitetit shqiptar dhe me mbështetjen e fuqishme të anëtarit të Asamblesë së Nju Jork-ut ,z. Mark Gjonaj, organizuan protestë paqësore para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në të njëjtën ditë kur kryeministri Gjukanoviq vizitoj kryeqyetin amerikan,protestë kjo e cila u cilësu nga disa mediume shqiptare si ” protesta më e madhe e dekadës në Uashington”. Kjo protestë kishte për qëllim ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi , përkrahjen e aspiratave për realizimin e të drejtave të plota të tyre dhe kundërshtimin e politikës diskriminuese të pushtetit malazez me në krye z. Gjukanoviq.

Përveç aspektit të mohimit të drejtave të shqiptarëve, me dekorimin e z. Gjukanoviq u bë edhe një gabim në aspektin moral.
Në fillim të këtij viti, Millo Gjukanoviq muar titullin “kriminel i vitit” nga organizata e njohur Projekti Raportues i Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit ( OCCRP) e cila merret me hetimin e korrupcionit të politikanëve dhe qeveritarëve të vendeve të ndryshme dhe si i tillë do të duhej të ishte personi i fundit që të konsiderohet për t’u dekoruar !

I nderuari z. President Nishani,

Me shpresë se do t’a kuptoni drejtë shqetësimin tim,shqetësim ky të cili mendoj se e ndaj edhe me shumë bashkëvendas dhe bashkatdhetarë të mij, si dhe me shpresë që Tirana zyrtare ( pra, shteti ynë amë) në të ardhmen do të demonstrojë më shumë ndieshmëri dhe ndërgjegje për vëllezërit dhe motrat tyre të një kombi,gjaku, gjuhe e flamuri, të cilët patin fatin e hidhur të jetojnë jashtë kufijëve administrativ të saj,
Ju përshëndes dhe uroj vizitë sa më të këndshme në Nju Jork !

Me nderime,

XHELADIN ZENELI

(Xheladin Zeneli eshte Ish-Deputet në Parlamentin e Malit të Zi)

Filed Under: Opinion Tagged With: bujar nishani, Leter Presidentit, xheladin Zeneli

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lot të bardhë…
  • UDHËKRYQET E KOSOVËS…
  • Çfarë është deliri madhështisë?
  • Nevoja urgjente për lidership
  • NJË KËSHILL MBARËKOMBËTAR, PËR TË KOORDINUAR STRATEGJITË DHE MBROJTJEN E INTERESAVE TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN…
  • Woodrow Wilson: Do të bëhej një komb i harbuar…
  • Veprat bamirëse të Mehmet Ali Pashë Kavallës në vendlindjen e tij
  • “VATRA” DHE SHTETFORMIMI KOMBËTAR
  • Aktivitetet e Vatrës kanë gjurmë të fuqishme në historinë e re të Kosovës
  • SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
  • STATEMENT BY AMBASSADOR JEFFREY M. HOVENIER September 24, 2023
  • Sulmi terrorist serb ndaj policisë së Kosovës, sulm ndaj sovranitetit të Kosovës
  • Kryeministri Kurti me anëtarë të kabinetit ndezën qirinj në nderim të heroit, Afrim Bunjaku
  • Më 23 Shtator 2023 Presidentja e Kosovës Dr. Vjosa Osmani Sadriu u takua me Diasporën Shqiptaro Amerikane në Manhattan
  • “Kosova do të jetojë përgjithmonë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT