• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETER PRESIDENTIT BIDEN

March 11, 2021 by dgreca

LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS JOSEPH BIDEN /

–Marrëveshja e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë e përqendruar në njohjen reciproke mund të arrihet vetëm me angazhimin e plotë të SHBA-ve

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *            

I nderuari  Zoti President Biden,      

          Unë do të doja të adresoja një çështje të rëndësishme të politikës së jashtme me të cilën jeni marrë gjatë pjesës më të madhe të jetës suaj politike shumë të suksesshme në Amerikë – ngjarjet tragjike pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

         Angazhimi dhe udhëheqja e juaj personale në ndalimin e katër luftërave të tmerrshme të shkaktuara nga shteti kriminal i Serbisë, i udhëhequr nga krimineli i luftës Slobodan Milosevic, ka ndihmuar në shpëtimin e jetës së miliona civilëve të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Përkushtimi juaj për mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut, paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore është i admirueshëm. Kjo çështje është shumë e ndjeshme për zemrat e qindra mijëra shqiptaro-amerikanëve si unë, të cilët i kanë shpëtuar shtypjes serbe dhe asaj komuniste dhe po përjetojnë ëndrrën amerikane në vendin më të mirë të botës.

         Unë kurrë nuk do ta harroj fjalimin tuaj frymëzues të mbrëmjes në New York, organizuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe udhëheqësit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi më 28 Prill 2002.

Ju thatë : “ Derisa populli serb të shikojë veten në fytyrë, të kuptojë se çfarë kanë bërë udhëheqësit e tyre, ata nuk do të jenë në gjendje të heqin këtë nocion të viktimizimit, ata kurrë nuk mund të shërohen nga sëmundja se ata janë të shtypurit dhe ky cikël  do të vazhdojë dhe do të vazhdojë…”

         Fatëkeqësisht, ata nuk i dëgjuan këshillat tuaja miqësore. Më shumë se dy dekada më vonë, Serbia nuk ka ndryshuar shumë, kështu që cikli po vazhdon. Qeveria shoviniste serbe e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, media e kontrolluar dhe kisha ortodokse serbe, po manipulojnë ende me popullin serb duke promovuar urrejtje për kombet fqinje, veçanërisht për popullin shqiptar, bazuar në gënjeshtra dhe  në “të drejtat historike” të tyre të rreme. Nacionalisti, shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiq ka deklaruar “Gënjeshtra është virtyti më i lartë i popullit serb… Serbët janë shpëtuar kaq shumë herë në histori me gënjeshtra”.

         Serbët kurrë nuk kërkuan falje për genocidin ndaj popullit shqiptar, ata e konsiderojnë veten si viktima dhe ende po e luajnë rolin e viktimës. Populli i Kosovës është në zi edhe sot, më shumë se 1500 njerëz janë ende të zhdukur. Shumë kriminel lufte ende ecin të lirë në Serbi dhe territore tjera të kontrolluara prej tyre. Vrasësit e tre shtetasve amerikanë vëllezërve Bytyqi ende nuk janë dënuar. Serbia nuk është ndëshkuar për krimet kundër njerëzimit. Drejtësia ende nuk është vendosur.

         Sjelljet destruktive armiqësore serbe kundër Kosovës, janë bërë më agresive pas fitores suaj të Presidencës në Amerikë dhe akoma më shumë pas zgjedhjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Kosovë. Ata kanë frikë nga ju sepse e dinë që ju e kuptoni situatën në Ballkan më mirë se kushdo tjetër, se ju qëndroni për një zgjidhje paqësore, të paanshme, të vërtetë dhe të qëndrueshme të konfliktit shqiptaro-serb, bazuar në drejtësi për të gjithë. Ata kanë frikë nga Z.Kurti dhe Znj. Osmani, sepse e  dinë se ata janë udhëheqës pro-perëndimorë, të pakorruptuar, të shkolluar, të aftë, të patrembur dhe shumë të popullarizuar.

         Kohët e fundit, nacionalistët serbë u janë drejtuar për ndihmë aleatëve të tyre në Evropë, të cilët kanë mirëkuptim ndaj qëllimeve të tyre shkatërruese, përfshirë parlamentarë racistë francezë dhe politikanë të tjerë që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian të cilët nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Njëri prej tyre është emisari i BE-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Z. Miroslav Lajcak. Ai i ngjan më shumë një misionari serb se sa një ndërmjetësuesi të paanshëm. Ai tashmë ka treguar paragjykimin e tij kundër Kosovës, duke kërkuar ndryshimin e kushtetutës së Kosovës me qëllim të krijimit të asociacionit të komunave të pastra etnike serbe dhe duke dhënë një intervistë me hartë në prapavijë e cila e tregon Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo plotësisht në kundërshtim me vlerat e proklamuara perëndimore të multietnicitetit dhe bashkëjetesës paqësore të nacionaliteteve të ndryshme.

          Ajo që është edhe më shqetësuese, Serbia po vazhdon me spastrimin etnik të popullit shqiptar në pjesën veriore të Kosovës dhe atë jugore të Serbisë. Kohët e fundit, presidenti serb Vuçiq ka takuar nacionalistë serbë, shovinistë dhe huliganë të udhëhequr nga Lista Srpska, duke u dhënë atyre udhëzime se si të pengojnë në një situate të re të krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ata po përdorin dhunë edhe ndaj serbëve që nuk pajtohen me politikat e tyre si Z. Nenad Rasiq, djali i të cilit u rrah keq në mes të ditës nga mbështetësit e Vuçiq. Znj. Rada Trajkoviq, një aktiviste serbe për të drejtat e njeriut ka deklaruar se ndihet e kërcënuar nga Vuçiq. Ekziston mundësia për më shumë dhunë të organizuar nga serbët me qëllim të destabilizimit të  mëtutjeshëm të Kosovës.

         Politika e Bashkimit Evropian e përkëdheljes së agresorit (Serbisë) dhe e presionit mbi viktimën (Kosovën) për 22 vjet , thjesht dhe logjikisht ka dështuar. Diplomatët perëndimorë janë përpjekur më kot për ta larguar Serbinë nga aleanca me Rusinë dhe Kinën në kurriz të popullit shqiptar. Ky lloj akomodimi i oreksit serb për grabitjen e tokave shqiptare është kaq i gabuar. Serbët janë rrëmbyes famëkeq të tokave të huaja që kurrë nuk ndalen, derisa të binden se nuk ka mundësi për të grabitur më.

          Qeveria despotike e Putinit po i mbështetë kërkesat e tyre për një “Serbi të Madhe” e cila u shërben aspiratave hegjemoniste ruse në Evropën Jugperëndimore. Ky projekt i planifikuar mirë është zbatuar nga serbët për më shumë se një shekull. Është i paraparë në detaje nga politikani serb Vaso Çubriloviq në librin e tij të quajtuar “Zhdukja e shqiptarëve”. Qindra mijëra civilë shqiptarë janë vrarë ose detyruar të emigrojnë në Turqi dhe vende të tjera. Misionarët e ndryshëm antishqiptarë po përpiqen ta ngatërrojnë atë duke e krahasuar me një projekt për të ashtuquajturen “Shqipëri e Madhe” i cili nuk ekziston. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të kishte një plan konkret dhe përpjekje të organizuar për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare të Serbisë Jugore ( Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Nish, Toplicë, Kurshumli dhe Sanxhak), Maqedonisë Perëndimore, Malit të Zi Jugor dhe Greqisë Veriore me Kosovën dhe Shqipërinë.

         Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari paraqet kompromisin më të madh dhe më të dhimbshëm që Kosova duhej ta bënte për të marrë një pavarësi të kufizuar dhe të mbikqyrur – shtet multietnik edhe pse më shumë se 90% është shqiptar, flamur pa simbole kombëtare, hymn kombëtar të pakuptimtë dhe të drejta të jashtëzakonshme për pakicën serbe si askund tjetër në botë. Prapëseprap, Kosovës vazhdohet ti bëhet presion nga disa diplomatë perëndimorë për të bërë më shumë kompromise, tashti në bisedime me agresorin, Serbinë shoviniste, e cila kurrë nuk i ndali përpjekjet për shkatërrimin e Kosovës. Do të dëshiroja që këta ndërmjetësues ta kuptojnë njëherë e përgjithëmonë. Mjaft është mjaft. Nuk mund të bëhen negociata dhe as kompromise me lirinë e një populli, kurrë. Edhe vetë zoti Ahtisaari në një intervistë për gazetën Kroate “Vecernji list” me 22 Korrik 2012 tha: “Nëse Serbia ka dëshirë le të shkojë te Rusia, nuk mund të pranohen koncesione tjera”

         Kurrë nuk do të ketë zgjidhje pa përfshirjen e plotë, të përhershme dhe serioze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja për Normalizim Ekonomik nën kujdesin e Adiministratës Trump, e nënshkruar në Uashington më 4 Shtator, 2020, ishte një fushatë publiciteti e organizuar nga një diplomat shumë jokonvencional, jodiplomatik, Z. Richard Grenell. Ai ndihmoi në shkarkimin e qeverisë demokratike të Albin Kurtit për të krijuar një qeveri kukull të Avdullah Hotit, e cila rezultoi në nënshkrimin e marrëveshjes e cila shërbente ekskluzivisht për interesat serbe. Kjo gjë u bë me shpresë që paratë dhe votat serbo-amerikane në shtetet konkurente si Michigan, Illinois, Wisconsin dhe Pennsylvania do të ndihmonin në zgjedhjen e Presidentit Trump. Edhe pse humbën, Z. Grenell vazhdon të sulmojë qeverinë në ardhje të Kurtit, të dalur nga zgjedhjet e lira demokratike, madhështore dhe historike. Shpresoj se Administrata e juaj do ta shpërfillë marrëveshjen e tij të parealizueshme pro-serbe si dhe pikëpamjet e tij jokonstruktive.

         E vetmja gjë e mirë që doli nga kjo marrëveshje ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, një akt i vonuar që pritej nga një vend demokratik proamerikan i bazuar në marrëdhënjet e shkëlqyera historike midis popullit hebre dhe shqiptar. Edhe kjo njohje e drejtë erdhi me polemika rreth vendosjes së Ambasadës në Jeruzalem, për shkak të kundërshtimit të fortë nga Evropa. Kjo situatë mundë të zgjidhet vetëm me angazhimin dhe udhëheqjen e Amerikës. Nga ana tjetër, qeveria serbe nuk ka bërë asgjë në realizimin e premtimit të tyre për të zhvendosur Ambasadën nga Tel Aviv në Jeruzalem. Si zakonisht, ata po vazhdojnë të luajnë rol të dyfishtë: mirëkuptim për palestinezët dhe miqësi me shtetet si Irani, ndërsa gënjejnë dhe përpiqen t’a bindin Izraelin se problemi i serbëve me shqiptarët  është i njëjtë me konfliktin izraelito-palestinez. 

         Realiteti është se konflikti midis Kosovës dhe Serbisë është politik dhe mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike. Një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe e përhershme nuk është e lehtë, por është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Duhet të fillojë me kuptimin dhe pranimin nga populli serb se serbët nuk janë viktimë, gjë e cila e krijon mundësinë për kërkim falje dhe përpjekje serioze për kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës. Kjo do të bëjë të mundur një dialog konstruktiv midis dy palëve të barabarta, i cili duhet të ndërmjetësohet nga diplomat të paanshëm amerikanë dhe evropian në arritjen e një marrëveshjeje për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të njejta njerëzore dhe nacionale për pakicat serbe që jetojnë në Kosovë dhe popullin shqiptar në Serbi. Rezultati përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë në mes të dy shteteve në kufijt aktual, pa komuna të pastra etnike dhe pa status ekstraterritorial për institucione dhe monumente fetare kudo qofshin ato. Kjo mund të arrihet vetëm me presion të vërtetë diplomatik, ekonomik dhe politik mbi Serbinë nga Amerika dhe Evropa.

         Z. President, në fjalën tuaj theksuat që Amerika duhet të qëndrojë e angazhuar deri sa të kryhet puna. Unë jam i sigurt se keni njohuri, përvojë, mençuri dhe fuqi  të mjaftueshme për ta përfunduar këtë punë. Ju tashmë e keni siguruar vendin tuaj në historinë amerikane duke u bërë Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Suksesi i arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare dhe të drejtë midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë trashëgimia e juaj e përhershme në historinë e kombit shqiptar, bashkë me Presidentin Wilson, Presidentin Clinton dhe Presidentin Bush. Për më tepër ju gjithashtu do të hyni në historinë serbe si lideri amerikan, i cili e ndihmoi kombin serb të lirohet dhe çlirohet nga djalli përmbrenda.

         Gjatë gjithë historisë, populli shqiptar ka treguar respekt dhe tolerance të pakrahasueshme për besimet e ndryshme fetare, racat dhe grupet etnike. Asgjë nuk e ilustron këtë më mirë sesa shpëtimi i të gjithë hebrenjve që jetuan ose arritën në tokat shqiptare duke ikur nga persekutimi nazist gjatë Holokaustit. Jam shumë krenar që babai im Arif Aliçkaj ishte pjesë e kësaj përpjekjeje fisnike mbarëshqiptare, e njohur me rezoluten amerikane H.Res. 812 në nëntor të vitit 2012.  Si njëri prej kombeve më të vjetra të civilizuara të Evropës Jugperëndimore, populli shqiptar i ka dhënë botës shumë personalitete të mëdha si Skënderbeu, i cili për 25 vjet me radhë e mbrojti Evropën nga pushtimi i Perandorisë Osmane dhe Shënjtores Nënë Tereza, simbolit të humanizmit dhe kujdesit për njerëzit e vuajtur dhe me nevoja në të gjithë botën.

         Populli shqiptar kurrë nuk e ka sulmuar ndonjë komb tjetër, ai gjithmonë i ka luftuar pushtuesit e huaj për të mbrojtur shtëpitë e veta dhe fëmijët e vet. Krejt çka don ky popull në këtë moment, është e drejta për të jetuar i lirë në tokat e veta stërgjyshore. Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj evropiane pro-amerikane. Ka ardhur koha që Serbia të zgjedhë a do të bëhet pjesë e Evropës demokratike apo do të mbetet nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës, me të gjitha aspektet negative që sjellin sistemet totalitare.

         Është fakt i vërtetë që populli shqiptar e do Amerikën më shumë se çdo komb tjetër në botë, ndërsa populli shumicë serb anon gjithnjë kah Rusia para Amerikës. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë.

        Zoti ju bekoftë juve, familjen tuaj dhe kombin amerikan !

        Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Aliçkaj, Joe Biden, Leter Presidentit

Zoti Meta, Ju mund të bëheni, President i Gjithë Shqiptarëve

August 30, 2018 by dgreca

Meta-6-e1535099400931Letër e hapur, një vërsnikut tim po edhe gjithë bashkvuajtësve të mi… /*
..
I nderuar zoti President i Republikës,
Ju drejtohem sinqerisht, dhe shpresoj që dikush prej nëpunësve tuaj, t’Ju a dëshmojë këtë qëndrim timin publik, qëndrim të një qytetari i cili në moshën 18 vjeçare, u detyruat të arratiset nga vendi i vet, nga fshati i vet, nga familja e vet. (Pra një kulak diaspore, që të jem korrekt me terminologjinë e vjetër, të arratisë sime.) vendosa t’Ju shkruaj, edhe pse shpesh ne të Diasporës… na thuhet me të madhe se: “S’duhet të merreni me punët e Shqipërisë!!!” Unë do të merrem!Kujtim CekaniNe Foto: Kujtim Cekani/

Të gjithë e dimë, të gjithë e njohim karierrën tuaj drejt postit të Presidentit… pra duam apo s’duam, me dashje apo pa dashje, sot s’do të merrem me gjykimin e rrugës dhe ngjitjes Suaj në pozitën ku jeni sot. Janë njëmijë probleme tjera, që unë do të përpiqem t’i mbledh në një pikë të vetme…
Ndërsa ju shkruaja, ndoqa një intervistë të një qytetari nga Skrapari me mbiemër Dyrmishi, që rrëfente për jetën e vet dhe pashë se Skrapari, kisht njerëz të urtë dhe fisnikë, çka ma lehtësoi shkrimin ndaj jush.

I nderuar President,
E kam ndjekur me emocione kontradiktore përkujtimin e Kampit të Shfarosjes së Fëmijëve në Tepelenë. Ndjeja urrejtje kur shihja të shpërndanit medalje për vuajtjet, pse shpesh mbas shpinës Suaj kohët e fundit kam parë buzqeshjen e diktatorit. Ndjeja përzjerje për zhurmën e padrejtë kur e shihja si shesh ahengu, atë vend vuajtesh dhe viktimash të pafajshme, ku të gjithë duhet të shkojmë si në një varrezë me kufoma hapur; ndjeja dhimbje se ishin mjaft edhe prej atyre që janë historia e gjallë dhe Legjenda e atij Kampi, e që unë dyshoj se vlerat e tyre të larta u keqpërdorën…
Simbas meje, Tepelena është një plagë e thellë e të gjitha vuajtjeve, e të gjitha kohrave.
Unë nuk kam qenë në Tepelenë, por kam qenë në tepelenat e tjera anekënd Shqipërisë… Në atë kamp të vdekjes ka qenë Nëna ime, Gjyshi im, Gjyshja ime, Dajët e mi, Tezet e mia… dhe në kujtimet e mia, rrëfimet e tyre ende sot lëshojnë currilë lotësh. Vërtet i kam me të dëgjuar tragjeditë e atjeshme, por ata, shpirtin i tyre se ç’kanë hequr, kur vdekja iu fliste në vesh me gjuhën e urisë dhe leckave: përditë e përnatë, e di mirë. Unë jam rritur me rrëfimet e tyre, me lotët e tyre, me drithërimat e shpirtrave të tyre, sepse kishin qenë shumë atje dhe sa herë mblidheshin të gëzonin ndonjë festë të vogël, më shumë qanin jetën dhe fatin e tyre tragjik. Dhe jo vetëm të tyre tashmë, por edhe të ne fëmijve, që rriteshim të përjashtuar dhe pa asnjë të drejtë…
Ju zoti President, jeni rritur në një familje tjetër, me një frymë tjetër, ku foto e diktatorit (për ju nuk ishte i tillë) ishte në ballë të murit. Ky ishte fati Juaj, por kur merr përgjegjsi të mëdha në jetë, ai fati i djeshëm, edhe pse mund të jetë fat i sotëm, nuk e lejon që pas shpinës suaj ndër festa të jetë sërish ai!!!
Por le të kthehem te thelbi i problemit që dëshiroj të komunikoj me Ju.
Me dëshirë a pa dëshirë, prania Juaj në Tepelenë, jo vetëm u bë objekt diskutimi, por më futët edhe mua në një krizë të madhe me vehten. Njera anë e imja më thoshte se Ju s’duhet të kishit shkuarr aty, Ju s’kishit të drejtë të shkelnit në atë kamp, ku kanë vdekur rreth treqind foshnja të pafajshme, pa e purifikuar më parë shpirtin Tuaj përmes kërkesës së faljes; Ana tjetër më thoshte, pse jo, edhe Ju ndoshta keni filluar të mendoni ta ndryshoni veten tuaj. Sepse shpesh politika, këshillon gjithnji të përkrahet fryma e ndryshimit, që mos të përfundoni nji ditë në kosh të harresës.
Pikërisht për këtë gjë, Ju drejtohem pikërisht Juve dhe jo ndokujt tjetër.
Eh, sa dua të besoja që është kjo e Dyta, ndryshimi juaj!

I nderuar zoti President,
meqë jemi, pothuaj të një moshe e të një brezi, doja të flisja hapur me Ju. Shpesh delni dhe thoni: Unë jam President i Shqipërisë!
Dakort! Pëlqimi apo mospëlqimi im s’ka asnjë vlerë, vlerë kanë punët tuaja. Pyetja që shtroj unë është: A jeni Ju edhe presidenti im, i tragjedive të mia dhe shumë sivëllezrve të mi, apo thjesht i Partisë suaj, i shtresave që e mbështetën diktaturën dhe veglat e saj; a dëshironi Ju të jeni edhe President i vuajtjeve të atyre njerzve të pafajshëm si unë (më detyruan të marr arratinë 18 vjeçar), i varreve pa emër, e varreve që s’u gjenden kurrë.
A jeni Ju edhe president i familjeve të ish kulakëve, ish ballistëve e nacionalistëve; atyre njerëzve të ndershëm që u detyruan të marrin rrugët e botës, pse në Shqipëri iu grabitën pronat, iu grabitën rininë, iu grabitën të drejtat më elemetare, e tani po ju grabitet edhe vuajtja…?!
A jeni ju President i gjithë shqiptarëve, apo vetëm atyre që mbajnë shallin e kuq në qafë…?!
Ju drejtohem ju zoti President, edhe pse me thënë të drejtën, brenda vetes ende nuk Ju njoh si Presidentin tim…
Do dëshiroja të gaboja për çka po ju shkruaj, po mendoj se jo!
Unë jam betuar me vete, që me komunistët nuk bëj kompromise. Simbas meje sistemi i tyre ka qenë kriminal dhe vepra e tyre s’mund të qëndronte në këmbë pa krimet dhe terrorin. Unë vetë jam një provë e gjallë! Ata na vranë e na prenë (jo me fjalë); ata na i mbyllën dyert e shkollave dhe profesioneve (jo me fjalë), ata na lanë kampeve me nofkën e përbindëshme të armikut edhe ne fëmijëve të vegjël… Nuk është pak besoj, por sot, më duhet t’Ju bëj lëshime. Më duhet të bëj një kompromis me Ju zoti President!
Desha a nuk desha unë, Ju më keni prekur thellë në plagë: Ju keni vënë këmbën në Kampin e Tepelenës! Për mua kjo nuk është pak, dhe në konceptin simbolik, me sinqeritet ua them është shumë:
Shqipëria, në këta 28 vite ka patur edhe presidentë të tjerë: ka qenë Berisha i Parë e i Dytë, ka qenë Mejdani, ka qenë Moisiu, ka qenë Topi, ka qenë Nishani… por ja që fati qe kokëfortë… dhe ka dashur që në Kampin e gjakut të Fëmijve të pafajshëm në Tepelenë të shkelni Ju…!
Kjo më ka tronditur si njeri, si burrë e si prind.

Zoti President,
Unë jam rritur me Tepelenën në shtëpi. Nëna ime sa herë kujtonte Tepelenën, i rridhnin lotët çurg si strehët e kasolles ku jetonim. Ajo kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, (ndoshta) edhe për fatin tim, por tmerri që kishte parë atje nuk shqitej nga sytë dhe fjalët e saj. Kishte parë pleq e plaka që jepnin shpirt për një copë bukë; kishte parë gra e vajza që ngarkoheshin në shpinë si mushka, përtej fuqive të tyre; por ajo nuk i harronte dot ata fëmijë të vegjël që vdisnin përditë… Foshnje pa asnjë faj, që shuheshin prej një shteti kriminal, pastaj i varrosnin me një grusht dhe, pastaj i çvarrosnin, pasta i varrosnin diku tjetër… ka parë gra të mbetura pa burra e tani edhe pa fëmijë, që shkulnin flokët e ulërinin nëpër terrin e natës me kujë, gjëra që ajo s’i harroi kurrë.
Zoti President, ju duhet ta kuptoni se unë jam i tmerruar, i terrorizuar sepse jam rritur me këto histori!

Zoti President,
unë e di që kolltuku Juaj është i rehatshëm. Kanë qenë edhe tjerë para Jush e do vijnë edhe tjerë mbas jush. Pra ka parë shumë. Një ditë, edhe ju do ta lini atë post. Por unë mendoj se Ju keni hedhur një hap ndryshe tjerëve, pse këmba juaj ka shkelur mbi plagët tona, si gjurmë shprese.
Atëherë mendoj: Ju keni çelsin të mbeteni në Histori, e të mos flakesh në harresë si paraardhësit e Tu, për të cilët unë personalisht, s’kam ndonjë konsideratë të veçantë për ta.
Jepini postit Tuaj Zoti President, mundësinë që ta kurosh këtë plagë të madhe kombëtare, dil nga “kazanët e Tiranës” dhe prononcohu hapur, jo në mbrojtje të ndonjë interesi meskin, po në emër të një morali të lartë, respektimit të tragjedisë së madhe që u shkaktoi diktatura dhjetra e qindra mijra njerzëve. Ka 60 vjet që është mbyllur Kampi i Tepelenës, dhe njerëzit e kujtojnë sikur të ishte dje… Këtë mos e harroni asnjëherë zoti President! Mund të vriten njerëz me urdhëra dhe dekrete, po Kujtesa nuk vritet as me urdhëra, as me dekrete po as me shtirje!
Shkëmbejeni qetësinë dhe favoret e pushtetit me burrëri dhe atdhetarizmën….
Dënojini krimet e komunizmit dhe bëjeni lanet diktatorin dhe foton e tij që shpesh shetit si hije mbas shpinës suaj…
Ndalojeni me ligj propagandën komuniste dhe lëvdimin e figurave të urryera të saj;
Lufto ta fusësh Historinë e vërtetë të Shqipërisë në gjithë tekstet shkollore;
Nëse ju do të keni guxim të bëni një gjë të tillë, Ju do të ngjiteni në lartësitë e respektit dhe të bëheni Hero i Përjetshëm i këtij vendi,
kështu dhe vetëm kështu Ju mund të bëheni President i Gjithë Shqiptarëve, përndryshe, asgjë më shumë veç një President i rradhës, me ndryshimin se nuk Ju hoqën nga loja e dominove…
Simbas meje, edhe mjaft prej atyre që e duan këtë vend, nuk mund të ketë kurrë President të Gjithë Shqiptarëve, jashtë kësaj llogjike dhe jashtë kësaj platforme!
Më dëgjoni, si vërsnikun tuaj, si njeriun e vuajtjeve të hershme! Kur ti vazhdoje Universitet, unë kapërceva natën, zbathur kufirin. Ti, i mendoje një karrierë të lartë jetës tënde; unë i mendoja vetes një Shqipëri të lirë, ku të mund të kthehesha e t’i gjeja prindët e mi gjallë, dhe jo varre pa emër…
Kështu na ka ndodhur paralelisht të dyve ne! Sot t’i ke shkelur në mortin tim, dhe unë jam i detyruar ta respektoj vendimin tuaj, mjaft të mos jetë farsë, si atyre që u del boja shpejt!
Për mua sot, pasuria më e madhe që mund të këtë Njeriu është Dashuria për vendin dhe tokën e tij. Unë e dua vendin tim, e kurrë s’jam kursyer për të. Besomë në këto që po të them! Të gjithë kemi kohë për të ndryshuar diçka brenda vetes sonë. Betohem për gjënë më të Shtrejtë në Botë, nënën time, që e kam shenjtoren të vuajtjeve, se po të më thosht dikush që: do të jeshë atdhetar e nacionalist i varfër, apo komunist e të keshë pasurinë e më të pasurit të Shqipërisë: më beso, edhe 100 jetë t’i kisha do të doja isha kështu siç jam.
Sepse kur vendin tënd e do me shpirt s’paska pasuri më të madhe, më të shtrenjtë e të pazëvendsueshme!

I nderuari zoti President,
E di që gjithçka që ju shkrova mund t’Ju duket një marrëzi naive, e kjo luftë që bëj me dy gjysmat e mia të vazhdojë edhe përtej kësaj bisede me ju, por nuk prish asnjë punë… Unë jam mësuar me humbjet, e përkohshme, sepse e di që e drejta një ditë, do të jetë në krahun tim…

Ah, kam edhe diçka tjetër, konfidenciale, për Ju zoti President.
Jam martuar pa dasëm… edhe prej rrethanave, po edhe pse s’më bënte zemra të bëja festë në një vend mbushur me varre paemër, në një tokë që ende rënkon. Shpresoj një ditë që kjo gjendje të kapërcehet e atëherë do të bëj një festë të vërtetë. Do ju ftoj edhe Ju në dasëm e kam një sebep të fortë, jam dhëndër në fshatin tënd. Ndoshta deri atëherë do të keshë bërë mjaft, që të jeshë President i gjithë shqiptarëve, ashtu si mendoj unë dhe shumë si unë në këtë vend.
Përndryshe beteja për ta ndryshuar këtë vend për mua e të tjerë do të vazhdojë pa u lodhur kurrë…

Me respekt të ndërdyshtë,
Kujtim Cekani
Gjermani..28/08/2018

  • E dergoi per Diellin Ervin Dine

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Meta, Kujtim Cakani, Leter Presidentit

Diaspora -LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI

September 23, 2016 by dgreca

PSE NUK DO TË MARR PJESË NË TAKIMIN E PRESIDENTIT NISHANI ME BASHKATDHETARËT NË NJU JORK?/

NGA XHELADIN ZENELI/

I nderuari President Nishani,

Së pari dëshiroj t’ju falenderoj për ftesën tuaj në takimin që Ju do të mbani në Nju Jork, këtë të Premte me 23 Shtator me pjesëtarët e komunitetit shqiptar .Në një rrethanë tjetër, do të ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë për mu që të marr pjesë në këtë takim, por më vjen keq që kësaj rradhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese për arsyen që do t’a potencoj më poshtë.

Me 12 Korrik të këtij viti, zyra e Presidentit të Shqipërisë, pra zyra e Juaj i ndau kryeministrit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, e cila iu dorozua nga kryetari i kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta me rastin e vizitës së tij në Podgoricë,dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë . Mendoj se vendimi për dekorimin e kryeministrit Gjukanoviq nga zyra e Juaj ishte e nxituar dhe si e tillë tepër e gabuar, për shkak se shteti shqiptar dekoroj kryeministrin i cili mban përgjegjësinë kryesore e mos realizimit e të drejtave të plota të shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë 25 viteve të fundit, dhe si e tillë është fyese për aspiratat e shqiptarëve autokton në këtë shtet dhe së dyti, shteti shqiptar dekoroj politikanin më të korruptuar në rajon.

Z. President,
Supozoj se një gjest i tillë ishte i nxitur nga motivi i përforëcimit të marrëdhenieve fqinjësore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por unë mendoj se pikë së pari, këto marrëdhënie duhen të bazohen në politikë parimore të shtetit tonë amë,ku prioriteti kryesor duhet të jetë interesi kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të asaj pjese të popullit e cila jeton jashtë kufijvë administrativ të tij, pra të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Të drejtat e tyre nuk mbrohen duke akorduar dekorime por duke hapur dialog me mirëkuptim të ndërsjelltë për çështje të hapura. Çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi është gjithënjë çështje e hapur dhe e pazgjidhur. Niveli i realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, do të duhej të ishte barometri kryesor i nivelit të marrëdhënieve me Malin e Zi nga ana e shtetit të cilët ne preferojmë t’a quajmë ” amë”, pra nga Shqipëria.

I nderuari President ,
Gjithashtu, akordimi i dekoratës në fjalë, dashur apo pa dashur nënkupton ate që Shqipëria aprovon metodat asimiluese dhe ç’kombëtarizuese që regjimi i Gjukanoviqit dhe i partisë së tij ( PDS) aplikon ndaj shqiptarëve me dekada me radhë. Për statusin e pa barabartë të shqiptarëve në Mal të Zi dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të cilat konstatojnë shkeljen e të drejtave të tyre kolektive kombëtare në shumë sfera të jetës si në ekonomi,punësim, përfaqësimin proporcional në organet e administratës shtetërore, arsimim, qeverisjen lokale në vendbanimet shqiptare, çështjet pronësore, planet hapësinore,infrastrukturë etj.

Z. President,
Nuk e di se a jeni në dijeni se pak kohë para dekorimit të kryeministrit malazez me ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, së paku në dy rastet e fundit në Ulqin dhe Budvë) u gjobitën shqiptarët për mënyrën festive të përdorimit të flamurit shqiptar. Ironia më e madhe është ajo se derisa në njërën anë kryeministrit malazez i dorëzohet dekorata me simbolin tonë kombëtar, në anën tjetër qeveria e tij, për të njëjtin simbol,dënon qytetarët shqiptarë!. Gjithashtu, nuk e di se a jeni në dijeni që në Mal të Zi egziston një ligj ( Ligji për Rendin dhe Qetësinë) i cili është aprovuar nga kuvendi dhe zbatohet nga qeveria e Millo Gjukanoviqit, flamurin shqiptar, i cili njëherit është edhe flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi, e konsideron si flamur i “një shteti tjetër” apo i një “shteti të huaj”, dhe si i tillë kufizon dukshëm përdorimin e tij në shtetin me të cilin Tirana zyrtare shpeshëherë thekson se ka ” marrëdhënie të shkëlqyera miqësore”.

Z. President,
Dekorimi i kryeministrit malazez ishte poashtu mohim i punës dhe veprimtarisë së organizatave shqiptare në diasporë me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi të cilat angazhohen me vite me radhë për lobizmin dhe sensibilizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në at shtet. Ju rikujtojmë se me 8 Prill të vitit 2014 organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA në bashkëpunim dhe me përkrahjen e disa organizatave të tjera të kumunitetit shqiptar dhe me mbështetjen e fuqishme të anëtarit të Asamblesë së Nju Jork-ut ,z. Mark Gjonaj, organizuan protestë paqësore para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në të njëjtën ditë kur kryeministri Gjukanoviq vizitoj kryeqyetin amerikan,protestë kjo e cila u cilësu nga disa mediume shqiptare si ” protesta më e madhe e dekadës në Uashington”. Kjo protestë kishte për qëllim ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi , përkrahjen e aspiratave për realizimin e të drejtave të plota të tyre dhe kundërshtimin e politikës diskriminuese të pushtetit malazez me në krye z. Gjukanoviq.

Përveç aspektit të mohimit të drejtave të shqiptarëve, me dekorimin e z. Gjukanoviq u bë edhe një gabim në aspektin moral.
Në fillim të këtij viti, Millo Gjukanoviq muar titullin “kriminel i vitit” nga organizata e njohur Projekti Raportues i Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit ( OCCRP) e cila merret me hetimin e korrupcionit të politikanëve dhe qeveritarëve të vendeve të ndryshme dhe si i tillë do të duhej të ishte personi i fundit që të konsiderohet për t’u dekoruar !

I nderuari z. President Nishani,

Me shpresë se do t’a kuptoni drejtë shqetësimin tim,shqetësim ky të cili mendoj se e ndaj edhe me shumë bashkëvendas dhe bashkatdhetarë të mij, si dhe me shpresë që Tirana zyrtare ( pra, shteti ynë amë) në të ardhmen do të demonstrojë më shumë ndieshmëri dhe ndërgjegje për vëllezërit dhe motrat tyre të një kombi,gjaku, gjuhe e flamuri, të cilët patin fatin e hidhur të jetojnë jashtë kufijëve administrativ të saj,
Ju përshëndes dhe uroj vizitë sa më të këndshme në Nju Jork !

Me nderime,

XHELADIN ZENELI

(Xheladin Zeneli eshte Ish-Deputet në Parlamentin e Malit të Zi)

Filed Under: Opinion Tagged With: bujar nishani, Leter Presidentit, xheladin Zeneli

Z. PRESIDENT, KTHENI DENIMIN ME VDEKJE!

July 7, 2015 by dgreca

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”/
New York, 7 Korrik 2015/
Deklaratë/
Drejtuar Presidentit të Shqipërisë Z. Bujar Nishani/
I nderuar Z. President!/
Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane “Shpresë & Paqe” (Hope & Peace) me Qendër në New York, ndjek me vëmendje ngjarjet në vend. Konkretisht jemi të shqetësuara për situatën e rëndë sociale që ndodhet Shqipëria përsa i përket vrasjeve ndaj të huajve e dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve jetimë.
Duke qenë se armët tashmë ndodhen në duart e njerëzve të pa ndërgjegjshëm e kriminelëve, organizata jonë është e mendimit se, Shqipëria duhet të aplikojë dënimin kapital – Me Vdekje.
Ngushëllojmë me këtë rast familjet e viktimave të dy turistëve çek si dhe popullin çek, si dhe dënojmë këtë akt barbar të shqiptarit kriminel në veri të vendit.
Njëkohësisht dënojmë dhunën që është ushtruar ndaj të miturve jetimë në Jetimoren e Shkodrës dhe e shikojmë të udhës që kujdestaret e kësaj qendre jo vetëm të pushohen nga puna, por edhe të marin dënimin e merituar nga drejtësia.
Për Organizatën e Gruas “Shpresë & Paqe”
Me respekt
Kryetarja
Mimoza Dajçi
Ne Foto:Ekzekutimi i denimit me vdekje per te fundit here eshte kryer 25 qershor 1992 në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera.Dy personat e ekzekutuar me vdekje ishin vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit. Ata u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”. Ata vranë pesë persona, mes tyre një foshnjë 8 muajshe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leter Presidentit, Mimoza Dajci, nag nju Jorku, Nishani

Artikujt e fundit

  • Lavdia dhe hyjnorja e Martin Camajt, si prani dhe frymë e teksteve letrare
  • “The Adriatic Review”: Mehmet Konica dhe Apeli për Presidentin Wilson
  • SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ
  • SEJDI DIDA – INTELEKTUALI QË I DHA HASIT ARSIM, KULTURË DHE IDENTITET
  • Kur SHBA flet për Kosovën pa folur me Qeverinë
  • Banaliteti i së keqes…
  • Në Kishën e Shën Tomës në New York u mbajt meshë falënderimi në nderim të Ambasadorit Frank G. Wisner II
  • SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO AMERIKANË DHE ALEANCA SHQIPTARE NJU XHERSI (NEW JERSEY)
  • JAVË E SUKSESEVE TË LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE NË WASHINGTON
  • Angjelin Preljocaj, Odiseja e baletmaestrit që iku nga Vërmoshi në barkun e nënës, për të qenë sot pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura
  • Shoqata “Gjergj Kastrioti”, mërgata shqiptare në Zvicër në promovim të veprës së heroit tonë kombëtar
  • Presidentja Osmani përkujton përvjetorin e Masakrës në burgun e Dubravës
  • Refuzimi i mbrojtjes në liri të të akuzuarve në Hagë, shkelje e të drejtave të njeriut
  • Të përdorur dhe të flakur…
  • 52 vite nga Kryengritja e Spaçit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT