• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRUMP: ANIJA E MARINËS USNS COMFORT DO TË TRAJTOJË PACIENTË ME COVID-19

April 6, 2020 by dgreca

NEW YORKCITY , 6 Prill 2020 – Gov. Andrew Cuomo njoftoi të hënën pasdite se Presidenti Donald Trump miratoi kërkesën e tij për të lejuar USNS Comfort të trajtojë pacientët me COVID-19. Anija e Marinës mbërriti javën e kaluar dhe që atëherë ka qëndruar kryesisht bosh, por USNS Comfort tani është më në fund gati për të vënë në përdorim 1000 shtretërit.  Presidenti Trump ka thënë se e kishte pasë të vështirë t’u mbushte mendjen atyre që të trajtonin pacientët e infektuar me COVID-19, por pas lutjeve të Cuomos, Trump dha urdhrin që anija të trajtonte pacientët e infektuar me virus si nga New York-u ashtu edhe nga New Jersey. Anija dhe Javits Center u planifikuan fillimisht që të trajtonin pacientët jo të COVID-19 për të ndihmuar në zbutjen e tejmbushjes të spitaleve të New York-ut.

Ne kemi nevojë për ndihmë me pacientët COVID,- tha Cuomo. Guvernatori Cuomo komentoi se me 1000 shtretërit shtesë të anijesdhe 2.500 në Javits Center, do të jetë një lehtësim i madh për sistemin spitalor. Deri më tani, 4,758  njujorkezë kanë vdekur nga COVID-19. 

    *** 

SHBA, 10,871 VIKTIMA

10 mije e 871 njerëz kanë vdekur në SHBA nga koronavirusi. Zyrtarët thonë se kjo do të jetë javë sfiduese.Ky rekord u arrit të hënën, menjëherë pasi zyrtarët paralajmëruan se kjo do të jetë java më e vështirë. Nga spitalet e Miçiganit është raportuar se kanë edhe gjashtë ditë materiale dhe më pas duhen furnizime urgjente.

 New York, New Jersey dhe Detroiti do të kenë ende ditë të vështira, paralajmëroi sekretari amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Shtete të tjera në SH.B.A. do të kenë rritje të shifrave të të infektuarëve dhe të viktimave,ka paraljmëruar Dr. Brett Giroir për emisionin “Sot” të NBC. 

Në mbarë vendin, virusi COVID-19, ka infektuar më shumë se 367,000 njerëz, ndërkohë që numri i të vdekurve ka arritur në 10.871, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.

“Ne në të vërtetë, thjesht po shohim majën e ajsbergut, por duhet të jemi parapërgatitur pasi testet që kemi në dispozicion paraljmërojnë rritje të shifrave”, tha Dr. Panagis Galiatsatos, një mjek i Johns Hopkins.

Megjithatë ka edhe shenja përparimi.Shumë amerikanë po gjejnë mënyra krijuese për të ndihmuar. Dhe në New York City, epiqendra amerikane e koronavirusit, kriza e pandemisë, mund të përfundojë së shpejti, thane zyrtarët e New York-ut.

Në spitalet në Miçigan-it, kemi pak pajisje mbrojtëse personale, tha guvernatori Gretchen Whitmer.

“Në spitalin Beaumont, kemi vetëm për tre ditë Maska N95… Në sistemin shëndetësor Henry Ford, kemi më pak se katër ditë,” tha Whitmer.

Në disa spitale, “ka më pak se tre ditë deri sa të mbarojnë mbulesat e fytyrës dhe më pak se gjashtë ditë derisa të mbarojnë veshjet kirurgjikale”, tha Whitmer .

Shteti i goditur më së shumti, New York, raportoi se numri i vdekjeve nuk po rritet aq fort sa ka qenë parashikimi.Numri i përgjithshëm i vdekjeve arriti në 4,758 të hënën, nga 4,159 të Dielën.

Guvernatori Cuomo tha të hënën se shkalla e infeksionit po bie, dhe kjo për faktin se “distanca sociale po funksionon”, por ne, paralajmeroi ai, nuk do të tolerojmë, do të respektojmë distancimin social.

Guvernatori i Konektikatit Ned Lamont tha që niveli i rritjes së infeksionit nuk po ecën shpejt.”Distanca jonë sociale mund të ketë një ndikim pozitiv,” tha ai.

Në të gjithë Luizianën, 14,867 njerëz janë infektuar me koronavirus dhe të paktën 512 kanë vdekur , duke pasur 35 të vdekur në 24 orët e fundit. Guvernatori John Bel Edwards tha se po të vazhdojë rritja e infeksionit, ventilatorët mund të mbarohen në fund të javës.

COVID-19- BOTA NË SHIFRAT NË 24 ORËT E FUNDIT

Në 24 orëshin e fundit Bota regjistroi 5 mijë e 220 viktima duke e cuar numrin total të të vdekurve në 74 mijë 697, ndërkohë që edhe numri i të infektuarëve u rrit me 72 mijë e 850 të infektuar, duke e ngritur shifrën e përgjithshme në 1 milion e 346 mijë e 566. Numrin më të madh të viktimave sërish e ka SHBA me 1 mijë e 255 në 24 orë, duke regjistruar në total 10 mijë e 871 viktima. Ndërsa numri i të infektuarëve u rrit me 30 mijë e 331 në 24 orë, duke pasur numrin më të madh në botë 367 mijë. Numrin më të madh të viktimave sërish e mbanë New York-u me 599 të vdekur në 24 orë(total 4 mijë 758). New Jersey regjistroi 86 viktima(në total 1,003), ndërkohë që raportoi 3 mijë e 585 të infektuar(numri total 41 mijë e 90), Michigani 110 viktima(në total 727),plus 1 mijë e 503 të infektuar(në total 17 mijë 221), California-33 viktima (në total 380), plus 982 të infektuar(në total 16 mijë e 19); Louisiana 35 viktima (në total 512), plus 1 mijë e 857 të infektuar(në total 14 mijë 867), Massachusetts 29 viktima(në total 260) pus 1 mijë 337 të infektuar(në total 13 mijë e 837), Florida 33 viktima(në total 254), plus 1 mijë 279 të infektuar të rinj(në total 13 mijë 629), Pennsylvania 29 viktima(në total 179) dhe të infektuar të rinj 1 mijë 167(në total 13 mijë e 127), Illynois 33 viktima(në total 307) dhe të infektuar të rinj 1 mijë e 6(në total 12 mijë e 262) dhe Washingtoni 43 viktima në 24 orët e fundit(në total 381) dhe 342 të infektuar të rinj(në total 8 mijë e 88).

Duke u kthyer në Europë:  Franca raportoi 833 viktima në 24 orë(në total 8 mijë 911), ndërkohë që numri i rasteve të rinj ishte më i ulët nga ditët e tjera, vetëm 5 mijë e 171(në total 98 mijë e 10), nga ana e saj Italia regjistroi 636 viktima plus(në total 16 mijë 523) dhe 3 mijë e 599 të infektuar(132 mijë 547). Spanja raportoi 700 viktima(në total 13 mijë e 341) dhe një numër më të paktë të infektuarish 5 mijë e 29(në total 136 mijë e 675) etj…

Pergatiti:Dalip Greca

6 prill, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 6 prill, Anija e Marines

6 Prill 1911- FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

April 6, 2018 by dgreca

Ded Gjo Luli Traboini Pantheon (2)

1 flamuri-i-decicit.DEDË GJO’ LULI (1840 – 1915)/Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; që tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të Parvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë… E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…

Edhe dielli që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë.

Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

107 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Atë Flamur të bekuem, që u shpalos nga gjokset e At Mati Prennushit e At Buon Gjeçaj!..

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…

***

  • Shenim nga F. Radovani: Pjesë nga libri i F.Radovanit “DEDË GJO’ LULI”, botue në vitin 2011, me rasen e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit në Deçiq…

Melbourne, 5 Prill 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 6 prill, Der Geo Luli, Flamuri, Fritz radovani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT