Në nderim të 60-vjetorit të lindjes së Mjeshtres së Fjalës Artistike Mira Meksi–
Ditëlindja! Ditë gëzimi, apo edhe ditë e përjetimit të një ndjenje trishtimi të lehtë, se u moshuam edhe një vit? Ka mendime të ndryshme. Sepse secili ka këndvështrimin e vet. E kuptueshme. Jeta prandaj edhe është interesante se ka larmitë e veta.
Me kalimin e moshës, disa kanë ndjesinë se pak ditë para festimit të ditëlindjes, atyre sikur u prishet humori dhe shenjat tregojnë se janë duke përjetuar një rënie shpirtërore. Vitet ikin dhe njeriu i ndryshon përfytyrimet e veta pë jetën. Ai ka qejf të kthehet drejt rrënjëve, sepse në jetë vjen e merr një rëndësi të madhe cilësia, jo sasia. Dhe vjen një ditë kur ai mendon seriozisht për njerëzit që e rrethojnë, i heq syzet, përmes së cilave bota i është dukur si fushë me lule, Kësisoj, ai, në mesin e jetës, fillon të vërejë gjëra, të cilat më herët nuk i kishin rënë në sy. Një sërë syresh vazhdojnë të repektojnë disa shprehi që kanë zënë vend me kohë në jetën e tyre dhe mundohen t’u përmbahen atyre, çka, me kalimin e kohës, bëhet burim i një tensioni të brendshëm.
Në mënyrë që në jetën e njeriut të vijë diçka e re, ai duhet të lirojë vend brenda vetvetes ose duhet ta zgjerojë hapësirën e vet për të tjerët. Sepse këtu mund ta ketë burimin njëra nga arsyet e rënies së lehtë shpirtërore para festimit të ditëlindjes, paçka se njeriu mund të mos jetë i vetëdijshëm për një gjë të tillë.
Festimi i ditëlindjes nuk mund të sjellë gëzim për një ditë, aq më tepër kur edhe shumë urime që vijnë, mund të tingëllojnë formale.
Është e kuptueshme që janë të shumë ata, që, me afrimin e ditëlindjes, rrinë e vrasin mendjen se çfarë kanë mundur të arrijnë dhe çfarë nuk kanë mundur ta arrijnë në jetë. Dhe nëse rezultatet e jetës nuk u kanë sjellë gëzim, është e kuptueshme që kjo do të reflektohet në gjendjen shpirtërore.
Një tjetër arsye e fortë e një gjendjeje të tillë shpirtërore, është sjellja në kujtesë e ditëlindjeve në moshën e fëmijërisë. Në moshë të re, ngjarjet dhe rrjedha e jetës rendin me një shpejtësi marramendëse dhe njeriu nuk arrin të vërë veshin dhe të dëgjojë vetveten. Kurse kur piqet, ai ka më shumë kohë për përsiatje dhe për të hyrë në kontakt me botën e tij të brendshme.
Ndodh edhe shpeshherë kur gëzimi është paksa i venitur gjatë festimit të ditëlindjes, për arsye se disa kërkesa që fshihen brendas shpirtit, nuk ka qenë e mundur të përmbushen. Se gëzimi është i lidhur me shpirtin. Sa më shumë njeriu e ka të zhvilluar logjikën dhe mendimin racional, aq më shumë ai largohet nga shpirti i vet.
Njeriu e ka të organizuar jetën në atë mënyrë, që ndjenjat dhe logjika, si dy pole të një gjysmësfere, nuk mund të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. Sa më shumë synon të eci në jetë ashtu siç e mëson mendja, aq më shumë ai e humbet ca lidhjen me shpirtin e, për pasojë, edhe gëzimin nga pak.
Gëzimi është cilësi dhe tipar i shpirtit. Është burim i brendshëm në thellësinë e zemrës së njeriut.
Personaliteti politik, njeriu i shquar i letrave, diplomati i njohur dhe njëri nga udhëheqësit e luftës për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banjamin Franklin (1706-1790), ka lënë një porosi të vyer për brezat pasardhës:
“Mundohu ta gjesh gëzimin në jetë. Kjo është mënyra më e mirë për ta tërhequr drejt vetes lumturinë”.
E kam njohur Mirën në vitin 1984, kur ajo u emërua përkthyese në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Ishte një redaksi e madhe, me një personel prej 48 përkthyesish dhe disa daktilografiste, në të cilën përballohej një punë mjaft e vëllimshme për përkthimin e letërsisë politike në 8 gjuhë të huaja. Asokohe isha përgjegjës i Redaksisë. Mira i kishte përfunduar studimet universitare për frankofoni dhe midis pedagogëve që i kishin dhënë mësim në fakultet, kanë qenë edhe pedagogë francezë dhe Profesor Vedat Kokona, një personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombtare dhe njohës i shklqyer i kulturës franceze dhe asaj botërore.
Si studente e talentuar, që gjatë viteve të studimit në fakultet, ajo kishte studiuar gjuhën spanjolle dhe gjuhën italiane. Për gjuhën spanjolle kishte pasur një pasion të veçantë, prandaj edhe u punësua si përkthyese pikërisht në sektorin e spanjishtes të asaj redaksie. Talenti i saj si përkthyese, kishte shpërthyer që në moshën e pararinisë. që gjatë viteve të gjimnazit, në moshën 16-vjeçare, kur kishte arritur të përkthente nga frëngjishtja novelën-përrallë alegorike“Princi i vogël” (Le petit prince) të shkrimtarit dhe poetit francez Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry – 1900-1944), si edhe në vitet studentore, kur ajo pati kuturisur të përkthente me sukses poezi të Vedat Kokonës në frëngjisht.
Mira nuk qëndroi deri në fund në sektorin e spanjishtes. Aty nga fundi i viteve ’80, ajo u transferua në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku e priste “varka e saj e parapëlqyer” drejt hapësirave “kaltërore” të përkthimit artistik, i cili edhe më shumë ushtroi mbi të një ndikim hyjnor për t’u bërë një shkrimtare me emër në botën e letrave shqipe.
Ja si e kujton Mira kohën kur punoi në Redaksinë e gjuhëve të huaja:
“Ishte vera e vitit 1984, kur, e porsadalë nga studimet universitare, iu bashkëngjita punëtorëve të përkthimit politik në gjuhë të huaj, në sektorin e spanjishtes… E mësuar me përjetimin e një lloj klime liberale karshi dogmave të kohës gjatë viteve të studimeve të mia të larta për filologji frënge, – ku pedagogët francezë kishin luajtur një rol të madh jo vetëm me profesionalizmin, qytetarinë dhe shpirtin e tyre të lirë, por edhe me librat e ndaluar që më jepnin fshehurazi, ashtu siç kishte luajtur rol të jashtëzakonshëm miqësia me profesorin tim të paharruar Vedat Kokonën dhe të vëllain e tij Nedim Kokonën, një tjetër intelektual par excelence, – me shumë drojë dhe frikë në zemër kapërceva derën e hekurt të sektorit të gjuhëve të huaja të “8 Nëntorit”, e cila, kohërave kur unë punova në Redaksi, nuk e kishte më rojen e mistershme të dikurshme pas saj. Ishte koha kur s’kisha shumë që e kisha kaluar pragun e të qenit vetëm një lexuese e thellë, serioze dhe e përkushtuar ndaj letërsisë së madhe të botës, dhe po hyja ngadalë, por sigurshëm, në udhën e përkthimit dhe të krijimit të mirëfilltë letrar… Kishte pasur raste që ishin përkthyer edhe 50 faqe në ditë nga një përkthyes i vetëm, ndonëse norma ishte katër faqe në ditë… Ishte “parajsa intelektuale dhe profesionale”, ku u rrita dhe u formësova, ku, pasi futa duart në magjen ku gatuhej brumi i përkthimit politik, gjeta volinë për t’iu dhënë përkthimit letrar, dhe kjo, për tërë jetën, ishte, ndoshta, i vetmi vend në Shqipërinë tonë të izoluar ku mund të thithej një grimë ajri me parfumin e lirisë dhe të botës së madhe”.
Zëvendësimi i sistemit u shoqërua në mbarë vendin me shpërbërjen e gjithçkaje, në të gjitha sferat e jetës, që nga objektet “e panevojshme” industriale, deri te shtëpitë botuese. Populli shqiptar “nuk kishte më nevojë” për “asnjërin” nga ato objekte dhe aq “më pak” për shtëpitë botuese. Sikur kasta politike në pushtet të kishte pasur fuqi hyjnore, me siguri që do ta kishte nxjerrë në ankand edhe ajrin, për t’ua kaluar në pronësi oligarkëve, në mënyrë që popullit t’ia shisnin me çmim të vendosur sipas tekave të veta. Kjo do të kishte qenë një “mrekulli e vërtetë”.
Viti 1990 Mirën e gjeti një intelektuale tashmë të pjekur. Pas vitit 1990, Mira, ashtu si edhe të gjithë përkthyesit e tjerë të Redaksisë, si edhe krejt punonjësit e të dyja shtëpive botuese, u gjendën me jetën ballë për ballë. Redaksia u kishte shërbyer përkthyesve si një universitet tjetër, si një kudhër e vërtetë për të përballuar “tërmetin” që po afrohej. Ata e gjetën veten shumë shpejt, duke u sistemuar në punë të ndryshme, madje edhe në fushën e diplomacisë, meqenëse përveç gjuhës së përkthimit në Redaksi, ata, që të gjithë, zotëronin edhe gjuhë të tjera.
Mira, si një intelektuale e formuar dhe me një vizion të gjerë për jetën, u orientua shpejt në situatën e krijuar. Mjaft e talentuar, e zgjuar nga natyra dhe me një shpirt praktikë, në vitet ’80-90 dhe në vijim, përveç sukseseve që shënoi në përkthimin e letërsisë artistike, kur, përmes penës së saj, erdhën në gjuhën nshqipe vepra të më shumë se 20 autorëve të huaj, ajo ra në sy për tri gjëra me peshë.
Së pari, në vitin 1994 ajo bashkëthemeloi dhe punoi si Drejtore e Fondacionit të parë kulturor privat shqiptar “Velija”. Pikërisht me nismën e saj, siç e thekson ajo në një intervistë të paradokohshme që i ka marrë Leonard Veizi për gazetën “Fjala” të datës 19 shtator, “u krijuan,çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi”.
Duhet përmendur Çmimi Kadare që ju dha shkrimtarit argjentinas, të njohur në mbarë botën, Ernesto Sabato (1911-2011), i cili, kur e mori atë Çmim, pati deklaruar: “Ky ishte më i madh se Çmimi Nobel”.
Së dyti, në vitin 1996, Mira themeloi dhe drejtoi revistën letrare “Mehr Licht” (Më shumë dritë – sipas shprehjes së famshme të Gëtes), anëtare e rrjetit evropian letrar “Eurozine”. Ajo revistë ka pasë qenë një faqe e ndritur në historinë e kulturës letrare mbarëkombëtare. Ajo pati shërbyer për adhuruesit e letërsisë si një dritare e shkëlqyer me vlera të jashtëzakonshme enciklopedike për prurjet e pamata nga krijimtaria më e mirë letrare mbarëkombëtare dhe botërore. Revista, me më shumë se 400 faqe, vazhdoi të botohej për 16 vjet me radhë dhe ka hyrë në fondin e artë të letërsisë sonë. Por paskëtaj ajo u “largua për në pasjetë”, u fik, u shua, mbaroi. Në kujtesën e lexuesve ajo “avulloi”, u ngrit drejt hapësirës, u shndërrua në një “meteor” që qarkullon nëpër humnerat qiellore dhe vazhdon të mbajë në sipëfaqen e vet emrin e skalitur me merak “Mira Meksi”.
Së treti, gjatë viteve 2002-2010, Mira ka qenë Drejtore e Përgjithshme e “TV ALSAT”. Drejtimi i këtij kanali televiziv me shikueshmëri të lartë, ka pasë qenë një kontribut i ndjeshëm i drejtpërdrejtë i saj në fushën e mjeteve informative pamore.
Të shumta janë veprat artiske që Mira ka krijuar në disa gjini letrare, si romani, novela, tregimi, eseistika dhe letërsia për fëmijë. Ajo ka kontribuar, gjithashtu, në lëmin e publicistikës, me botimet e saj në shtypin shqiptar, si edhe në shtypin francez.
Të shumta janë edhe vlerësimet që i janë bërë Mirës për përkthimet artistike dhe për veprat artistike origjinale. Ajo është nderuar më shtatë Çmime, me një Titull nderi dhe me Urdhrin “Comendadora” i Meritës Civile, i akorduar nga Mbreti i Spanjës Huan Carlos I.
Jam më se i bindur se Mira nuk rend absolutisht pas Çmimeve. Megjithatë, kur atë e ka vlerësuar aq lart mbreti i Spanjës, do të kishte qenë shumë mirë, sikur parapavijat e Presidencës në Tiranë të ishin kujtuar me kohë dhe t’i kishin çuar Presidentit propozimin për t’i akorduar një Çmim të lartë.
Një meritë të veçantë ka Mira për përkthimin e veprave të veta artistike në frëngjisht, madje edhe të rikrijuara në këtë gjuhë. Kjo është një dukuri shumë e rrallë në kulturën tonë kombëtare. Ky është një talent i jashtëzakonshëm që haset rrallë edhe në kulturën botërore. Me këtë rast, ja çfarë i ka deklaruar ajo Leonard Veizit në intervistën e lartpërmendur:
“Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë… Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër… Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera”.
Merreni me mend, të nderuar lexues, se sa lart e vlerëson botuesi francez veprën e Mirës në frengjisht, saqë i ngjallë një interesim të veçantë jo vetëm si përmbajtje, por edhe si nivel artistik i përkthimit apo i rikrijimit në këtë gjuhë.
Në veprën artistike të Mirës, lexuesi zbulon për shijet e veta jo vetëm atë që eshtë e nevojshme, e dobishme, por edhe atë që është e bukur. Aty ai vëren thellësinë e qiellit kaltëror, vezullimin e yjeve në hapësirat e tij të pamata, perëndimin e ndezur të diellit flakërues, paqyrimin e tij në morinë e pafundme të pikave të vesës mëngjesore, shpërthimin e fuqishëm të ndjenjave të dashurisë dhe dhembjen dridhëruese që ajo mbart në shpirtërat njerëzorë. Ai ndjek me endje dhe herë-herë edhe me një kërshëri të pazakontë rrëfimet artistike të Mirës dhe, tek ecën nëpër hapësirat e atdheut amë, tek ndjek lodrimin embëlor të valëve lozonjare të detit hijerëndë pranë brigjeve amtare dhe fëshfërimën solemne të gjethnajës së pyllit aty pranë, edhe ai mundohet ta kuptojë të bukurën sa më mirë. Madje edhe vetë të dijë si ta krijojë dhe si ta mbrojë atë. Dhe në zemrën e tij nisin të shpërthejnë filizat e fisnikërisë së shpirtit njerëzor. Pikërisht ky është ai ndikim i fuqishëm që ushtron proza artistike e Mirës mbi edukimin e lexuesit.
Tri gjëra më kanë lënë mbresa të thella në krijimtarinë artistike të Mirës.
Së pari, erudicioni i saj i jashtëzakonshëm. Në këndvështrimin tin, erudicioni i shkrimtarit shërben si uji i freskët, pa të cilin nuk mund ta përballosh dot zhegun e verës. Erudicioni atij i shërben si një përtejanë (sfond) e sigurt për shtjellimin mjeshtëror të ngjarjeve në veprën e vet artistike, për rikrijimin sa më të natyrshëm të skenave nga më të ndryshme për ngjarjet që pasqyron, për shndërrimin me një elegancë mahnitëse të të vërtetave jetësore në të vërteta artistike. Është pikërisht erudiconi i jashtëzakonshëm i Mirës që ka bërë të mundur krijimin e krejt korpusit të veprave të saj, çka bie në sy veçanërisht në romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe te novela “Hakmarrja e Kazanovës”.
Së dyti, mjeshtëria e saj e rrallë. madje e jashtëzakonshme, për skalitjen e ndjenjave të dashurisë. Mira e përshkruan pasionin e të dashuruarve me tone të ndezura, me një ndërkëmbim ngjyrash ëmbëlake, të shoqëruar me vellon e një drite poetike. Në krejt krijimtarinë artistike, Mira zbulon filozofinë e vet për dashurinë, çka të kujton krijimtarinë e disa autorëve francezë, të tillë, si Prosper Krebijoni (Prosper Jolyot de Crébillon – 1674-1762), Zhan Marmonteli (Jean-François Marmontel – 1723–1799) dhe Sebastian Shamfori (Sébastien-Roch Nicolas de Chamfort – 1741-1794).
Së treti, pasuria gjuhësore e krijimtarisë artistike. Leksiku i Mirës është një thesar i çmuar për gjuhën shqipe. Proza e saj është një “arkeologji gjuhësore”. Shumë fjalë ajo i ka nxjerrë nga harresa pikërisht me merakun dhe me pasionin e një arkeologu për kulturën dhe jetën e periudhave të lashtësisë. Ajo, me një guxim të kuturisur, krijon fjalë të reja dhe kompozita fantastike me brumin e shqipes në gatimoren e saj të pasur.
Mira e meritonte plotësisht ta priste dhe ta festonte 60-vjetorin e lindjes me një ngazëllim të jashtëzakonshëm, pikërisht për sukseset e arritura në krijimtarinë artistike, për jetën publike që përmenda më lartë, për vlerësimet e larta që i janë bërë. Por… Jeta ka të papritura. Dhe ndodhi ajo që thotë aktorja, shkrimtarja dhe komediania e njohur amerikane Fenni Fleg (Fannie Flagg – 1944):
“Mund të rastis që të torturohesh për një kohë të gjatë dhe mandej, kur për diçka nuk të ka shkuar mendja fare, fati, pa pritur e pa kujtuar, bën një piruetë befasuese”.
Më shumë se një muaj para festimit të 60-vjetorit më 27 shtator, Mirës i ndodhi një fatkeqësi e rëndë: Nëna e saj e dashur, Mami Nora e shtrenjtë, ndërroi jetë më 18 gusht. Kjo ngjarje e papritur ia ka rënduar së tepërmi gjendjen shpirtërore. Sepse Mami Nora ka qenë Kryezonja e edukimit të saj me tipare të shkëlqyera karakteri, ajo ka shërbyer për të si një Bibël e vërtetë. Ishte pikërisht Mami Nora ajo që Mirës i futi në gjak dashurinë për Gjuhën Shqipe, Gjuhën e Perëndive, siç e ka quajtur Naimi i Madh dhe Aristidhi i Madh. Falë edukimit të Mami Norës, tash sa vite, para lexuesit del një Mirë e çiltër si vetë thjeshtësia, e hijshme si vetë bukuria, me takt si vetë fisnikëria, dinjitoze si vetë krenaria, e prerë si vetë drejtësia, e zgjuar si vetë mençuria, zemërbardhë si vetë shenjtëria.
Unë dhe bashkëshortja ime e çmuar, Havaja, Mirën e urojmë nga zemra për 60-vjetorin e lindjes. Jemi të bindur se ajo do ta përballojë këtë gjendje të rënduar shpirtërore dhe do të gjejë forca për ta vazhduar po me kaq suksese krijimtarinë e vet artistike, sepse krijues të formatit intelektual të Mirës janë pasuri kombëtare.
Santa Barbara, Kaliforni
23 shtator 2020