• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një përvjetor i shënuar i një shkrimtareje tëshquar

September 27, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr.Eshref Ymeri-

Në nderim të 60-vjetorit të lindjes  së Mjeshtres së Fjalës Artistike Mira Meksi–
http://www.zemrashqiptare.net/images/article/2020_02/52616/u6_Mira-Meksi.jpg

Ditëlindja! Ditë gëzimi, apo edhe ditë e përjetimit të një ndjenje trishtimi të lehtë, se u moshuam edhe një vit? Ka mendime të ndryshme. Sepse secili ka këndvështrimin e vet. E kuptueshme. Jeta prandaj edhe është interesante se ka larmitë e veta.

Me kalimin e moshës, disa kanë ndjesinë se pak ditë para festimit të ditëlindjes, atyre sikur u prishet humori dhe shenjat tregojnë se janë duke përjetuar një rënie shpirtërore. Vitet ikin dhe njeriu i ndryshon përfytyrimet e veta pë jetën. Ai ka qejf të kthehet drejt rrënjëve, sepse në jetë vjen e merr një rëndësi të madhe cilësia, jo sasia. Dhe vjen një ditë kur ai mendon seriozisht për njerëzit që e rrethojnë, i heq syzet, përmes së cilave bota i është dukur si fushë me lule, Kësisoj, ai, në mesin e jetës, fillon të vërejë gjëra, të cilat më herët nuk i kishin rënë në sy. Një sërë syresh vazhdojnë të repektojnë disa shprehi që kanë zënë vend me kohë në jetën e tyre dhe mundohen t’u përmbahen atyre, çka, me kalimin e kohës, bëhet burim i një tensioni të brendshëm.

Në mënyrë që në jetën e njeriut të vijë diçka e re, ai duhet të lirojë vend brenda vetvetes ose duhet ta zgjerojë hapësirën e vet për të tjerët. Sepse këtu mund ta ketë burimin njëra nga arsyet e rënies së lehtë shpirtërore para festimit të ditëlindjes, paçka se njeriu mund të mos jetë i vetëdijshëm për një gjë të tillë. 

Festimi i ditëlindjes nuk mund të sjellë gëzim për një ditë, aq më tepër kur edhe shumë urime që vijnë, mund të tingëllojnë formale.

Është e kuptueshme që janë të shumë ata, që, me afrimin e ditëlindjes, rrinë e vrasin mendjen se çfarë kanë mundur të arrijnë dhe çfarë nuk kanë mundur ta arrijnë në jetë. Dhe nëse rezultatet e jetës nuk u kanë sjellë gëzim, është e kuptueshme që kjo do të reflektohet në gjendjen shpirtërore.

Një tjetër arsye e fortë e një gjendjeje të tillë shpirtërore, është sjellja në kujtesë e ditëlindjeve në moshën e fëmijërisë. Në moshë të re, ngjarjet dhe rrjedha e jetës rendin me një shpejtësi marramendëse dhe njeriu nuk arrin të vërë veshin dhe të dëgjojë vetveten. Kurse kur piqet, ai ka më shumë kohë për përsiatje dhe për të hyrë në kontakt me botën e tij të brendshme.

Ndodh edhe shpeshherë kur gëzimi është paksa i venitur gjatë festimit të ditëlindjes, për arsye se disa kërkesa që fshihen brendas shpirtit, nuk ka qenë e mundur të përmbushen. Se gëzimi është i lidhur me shpirtin. Sa më shumë njeriu e ka të zhvilluar logjikën dhe mendimin racional, aq më shumë ai largohet nga shpirti i vet.

Njeriu e ka të organizuar jetën në atë mënyrë, që ndjenjat dhe logjika, si dy pole të një gjysmësfere, nuk mund të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. Sa më shumë synon të eci në jetë ashtu siç e mëson mendja, aq më shumë ai e humbet ca lidhjen me shpirtin e, për pasojë, edhe gëzimin nga pak.

Gëzimi është cilësi dhe tipar i shpirtit. Është burim i brendshëm në thellësinë e zemrës së njeriut.

Personaliteti politik, njeriu i shquar i  letrave, diplomati i njohur dhe njëri nga udhëheqësit e luftës për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banjamin Franklin (1706-1790), ka lënë një porosi të vyer për brezat pasardhës:

“Mundohu ta gjesh gëzimin në jetë. Kjo është mënyra më e mirë për ta tërhequr drejt vetes lumturinë”.

        E kam njohur Mirën në vitin 1984, kur ajo u emërua përkthyese në Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Ishte një redaksi e madhe, me një personel prej 48 përkthyesish dhe disa daktilografiste, në të cilën përballohej një punë mjaft e vëllimshme për përkthimin e letërsisë politike në 8 gjuhë të huaja. Asokohe isha përgjegjës i Redaksisë. Mira i kishte përfunduar studimet universitare për frankofoni dhe midis pedagogëve që i kishin dhënë mësim në fakultet, kanë qenë edhe pedagogë francezë  dhe Profesor Vedat Kokona, një personalitet i shquar i kulturës sonë mbarëkombtare dhe njohës i shklqyer i kulturës franceze dhe asaj botërore.

Si studente e talentuar, që gjatë viteve të studimit në fakultet, ajo kishte studiuar gjuhën spanjolle dhe gjuhën italiane. Për gjuhën spanjolle kishte pasur një pasion të veçantë, prandaj edhe u punësua si përkthyese pikërisht në sektorin e spanjishtes të asaj redaksie. Talenti i saj si përkthyese, kishte shpërthyer që në moshën e pararinisë. që gjatë viteve të gjimnazit, në moshën 16-vjeçare, kur kishte arritur të përkthente  nga frëngjishtja novelën-përrallë alegorike“Princi i vogël” (Le petit prince) të shkrimtarit dhe poetit francez Ekzyperi (Antoine de Saint-Exupéry – 1900-1944), si edhe në vitet studentore, kur ajo pati kuturisur të përkthente me sukses poezi të Vedat Kokonës në frëngjisht. 

Mira nuk qëndroi deri në fund në sektorin e spanjishtes. Aty nga fundi i viteve ’80, ajo u transferua në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ku e priste “varka e saj e parapëlqyer” drejt hapësirave “kaltërore” të  përkthimit artistik, i cili edhe më shumë ushtroi mbi të një ndikim hyjnor për t’u bërë një shkrimtare me emër në botën e letrave shqipe.

Ja si e kujton Mira kohën kur punoi në Redaksinë e gjuhëve të huaja:

“Ishte vera e vitit 1984, kur, e porsadalë nga studimet universitare, iu bashkëngjita punëtorëve të përkthimit politik në gjuhë të huaj, në sektorin e spanjishtes…  E mësuar me përjetimin e një lloj klime liberale karshi dogmave të kohës gjatë viteve të studimeve të mia të larta për filologji frënge, – ku pedagogët francezë kishin luajtur një rol të madh jo vetëm me profesionalizmin, qytetarinë dhe shpirtin e tyre të lirë, por edhe me librat e ndaluar që më jepnin fshehurazi, ashtu siç kishte luajtur rol të jashtëzakonshëm miqësia me profesorin tim të paharruar Vedat Kokonën dhe të vëllain e tij Nedim Kokonën, një tjetër intelektual par excelence, –  me shumë drojë dhe frikë në zemër kapërceva derën e hekurt të sektorit të gjuhëve të huaja të “8 Nëntorit”, e cila, kohërave kur unë punova në Redaksi, nuk e kishte më rojen e mistershme të dikurshme pas saj. Ishte koha kur s’kisha shumë që e kisha kaluar pragun e të qenit vetëm një lexuese e thellë, serioze dhe e përkushtuar ndaj letërsisë së madhe të botës, dhe po hyja ngadalë, por sigurshëm, në udhën e përkthimit dhe të krijimit të mirëfilltë letrar… Kishte pasur raste që ishin përkthyer edhe 50 faqe në ditë nga një përkthyes i vetëm, ndonëse norma ishte katër faqe në ditë…  Ishte “parajsa intelektuale dhe profesionale”, ku u rrita dhe u formësova, ku, pasi futa duart në magjen ku gatuhej brumi i përkthimit politik, gjeta volinë për t’iu dhënë përkthimit letrar, dhe kjo, për tërë jetën, ishte, ndoshta, i vetmi vend në Shqipërinë tonë të izoluar ku mund të thithej një grimë ajri me parfumin e lirisë dhe të botës së madhe”.

Zëvendësimi i sistemit u shoqërua në mbarë vendin me shpërbërjen e gjithçkaje, në të gjitha sferat e jetës, që nga objektet “e panevojshme” industriale, deri te shtëpitë botuese. Populli shqiptar “nuk kishte më nevojë” për “asnjërin” nga ato objekte dhe aq “më pak” për shtëpitë botuese. Sikur kasta politike në pushtet të kishte pasur fuqi hyjnore, me siguri që do ta kishte nxjerrë në ankand edhe ajrin, për t’ua kaluar në pronësi oligarkëve, në mënyrë që popullit t’ia shisnin me çmim të vendosur sipas tekave të veta. Kjo do të kishte qenë një “mrekulli e vërtetë”.

Viti 1990 Mirën e gjeti një intelektuale tashmë të pjekur. Pas vitit 1990, Mira, ashtu si edhe të gjithë përkthyesit e tjerë të Redaksisë, si edhe krejt punonjësit e të dyja shtëpive botuese, u gjendën me jetën ballë për ballë. Redaksia u kishte shërbyer përkthyesve si një universitet tjetër, si një kudhër e vërtetë për të përballuar “tërmetin” që po afrohej. Ata e gjetën veten shumë shpejt, duke u sistemuar në punë të ndryshme, madje edhe në fushën e diplomacisë, meqenëse përveç gjuhës së përkthimit në Redaksi, ata, që të gjithë, zotëronin edhe gjuhë të tjera.

Mira, si një intelektuale e formuar dhe me një vizion të gjerë për jetën, u orientua shpejt në situatën e krijuar. Mjaft e talentuar, e zgjuar nga natyra dhe me një shpirt praktikë, në vitet ’80-90 dhe në vijim, përveç sukseseve që shënoi në përkthimin e letërsisë artistike, kur, përmes penës së saj, erdhën në gjuhën nshqipe vepra të më shumë se 20 autorëve të huaj, ajo ra në sy për tri gjëra me peshë.

Së pari, në vitin 1994 ajo bashkëthemeloi dhe punoi si Drejtore e Fondacionit të parë kulturor privat shqiptar “Velija”. Pikërisht me nismën e saj, siç e thekson ajo në një intervistë të paradokohshme që i ka marrë Leonard Veizi për gazetën “Fjala” të datës 19 shtator, “u krijuan,çmimet e para private letrare, të cilat u dhanë për 8 vjet me radhë, dhe mendoj dhanë kontribut në ndërtimin e sistemit të vlerave në letërsi”. 

Duhet përmendur Çmimi Kadare që ju dha shkrimtarit argjentinas, të njohur në mbarë botën, Ernesto Sabato (1911-2011), i cili, kur e mori atë Çmim, pati deklaruar: “Ky ishte më i madh se Çmimi Nobel”.

Së dyti, në vitin 1996, Mira themeloi dhe drejtoi revistën letrare “Mehr Licht” (Më shumë dritë – sipas shprehjes së famshme të Gëtes), anëtare e rrjetit evropian letrar “Eurozine”. Ajo revistë ka pasë qenë një faqe e ndritur në historinë e kulturës letrare mbarëkombëtare. Ajo pati shërbyer për adhuruesit e letërsisë si një dritare e shkëlqyer me vlera të jashtëzakonshme enciklopedike për prurjet e pamata nga krijimtaria më e mirë letrare mbarëkombëtare dhe botërore. Revista, me më shumë se 400 faqe, vazhdoi të botohej për 16 vjet me radhë dhe ka hyrë në fondin e artë të letërsisë sonë. Por paskëtaj ajo u “largua për në pasjetë”, u fik, u shua, mbaroi. Në kujtesën e lexuesve ajo “avulloi”, u ngrit drejt hapësirës, u shndërrua në një “meteor” që qarkullon nëpër humnerat qiellore dhe vazhdon të mbajë në sipëfaqen e vet emrin e skalitur me merak “Mira Meksi”.

Së treti, gjatë viteve 2002-2010, Mira ka qenë Drejtore e Përgjithshme e “TV ALSAT”. Drejtimi i këtij kanali televiziv me shikueshmëri të lartë, ka pasë qenë një kontribut i ndjeshëm i drejtpërdrejtë i saj në fushën e mjeteve informative pamore.

Të shumta janë veprat artiske që Mira ka krijuar në disa gjini letrare, si romani, novela, tregimi, eseistika dhe letërsia për fëmijë. Ajo ka kontribuar, gjithashtu, në lëmin e publicistikës, me botimet e saj në shtypin shqiptar, si edhe në shtypin francez.

Të shumta janë edhe vlerësimet që i janë bërë Mirës për përkthimet artistike dhe për veprat artistike origjinale. Ajo është nderuar më shtatë Çmime, me një Titull nderi dhe me Urdhrin  “Comendadora” i Meritës Civile, i akorduar nga Mbreti i Spanjës Huan Carlos I.

Jam më se i bindur se Mira nuk rend absolutisht pas Çmimeve. Megjithatë, kur atë e ka vlerësuar aq lart mbreti i Spanjës, do të kishte qenë shumë mirë, sikur parapavijat e Presidencës në Tiranë të ishin kujtuar me kohë dhe t’i kishin çuar Presidentit propozimin për t’i akorduar një Çmim të lartë.

Një meritë të veçantë ka Mira për përkthimin e veprave të veta artistike në frëngjisht, madje edhe të rikrijuara në këtë gjuhë. Kjo është një dukuri shumë e rrallë në kulturën  tonë kombëtare. Ky është një talent i jashtëzakonshëm që haset rrallë edhe në kulturën botërore. Me këtë rast, ja çfarë i ka deklaruar ajo Leonard Veizit në intervistën e lartpërmendur:

“Të gjitha romanet e mia, përveç romanit “Porfida-Ballo në Versailles”, i cili është i përkthyer, i kam rishkruar në frëngjishte. Por edhe ky roman do të ribotohet në Francë më 2021, i rikrijuar në frëngjishte nga unë… Është një punë shumë e vështirë, e cila më merr vërtet shumë kohë. Është pothuaj sikur i shkruaj nga dy herë librat e mi. Sepse bëhet fjalë për një rikrijim në frëngjishte, është e pamundur që shkrimtari ta përkthejë veprën e tij, njëlloj siç mund të bënte me veprën e një shkrimtari tjetër… Si shkrimtare frankofone, kam më shumë shanse për t’u botuar. Ishte në të vërtetë propozimi i botuesit të Editions Persee, kur lexoi një përmbledhje në frëngjishte të romanit “E kuqja e demave”, që të më botonte si shkrimtare frankofone. Një ndërmarrje që rezultoi pozitive dhe që vazhdoi me romanet e tjera”.

Merreni me mend, të nderuar lexues, se sa lart e vlerëson botuesi francez veprën e Mirës në frengjisht, saqë i ngjallë një interesim të veçantë jo vetëm si përmbajtje, por edhe si nivel artistik i përkthimit apo i rikrijimit në këtë gjuhë. 

Në veprën artistike të Mirës, lexuesi zbulon për shijet e veta jo vetëm atë që eshtë e nevojshme, e dobishme, por edhe atë që është e bukur. Aty ai vëren thellësinë e qiellit kaltëror, vezullimin e yjeve në hapësirat e tij të pamata,  perëndimin e ndezur të diellit flakërues, paqyrimin e tij në morinë e pafundme të pikave të vesës mëngjesore, shpërthimin e fuqishëm të ndjenjave të dashurisë dhe dhembjen dridhëruese që ajo mbart në shpirtërat njerëzorë. Ai ndjek me endje dhe herë-herë edhe me një kërshëri të pazakontë rrëfimet artistike të Mirës dhe, tek ecën nëpër hapësirat e atdheut amë, tek ndjek lodrimin embëlor të valëve lozonjare të detit hijerëndë pranë brigjeve amtare dhe fëshfërimën  solemne të gjethnajës së pyllit aty pranë,  edhe ai mundohet ta kuptojë të bukurën sa më mirë. Madje edhe vetë të dijë si ta krijojë dhe si ta mbrojë atë. Dhe në zemrën e tij nisin të shpërthejnë filizat e fisnikërisë së shpirtit njerëzor. Pikërisht ky është ai ndikim i fuqishëm që ushtron proza artistike e Mirës mbi edukimin e lexuesit. 

Tri gjëra më kanë lënë mbresa të thella në krijimtarinë artistike të Mirës.

Së pari, erudicioni i saj i jashtëzakonshëm. Në këndvështrimin tin, erudicioni i shkrimtarit shërben si uji i freskët, pa të cilin nuk mund ta përballosh dot zhegun e verës. Erudicioni atij i shërben si një përtejanë (sfond) e sigurt për shtjellimin mjeshtëror të ngjarjeve në veprën e vet artistike, për rikrijimin sa më të natyrshëm të skenave nga më të ndryshme për ngjarjet që pasqyron, për shndërrimin me një elegancë mahnitëse të të vërtetave jetësore në të vërteta artistike. Është pikërisht erudiconi i jashtëzakonshëm i Mirës që ka bërë të mundur krijimin  e krejt korpusit të veprave të saj, çka bie në sy veçanërisht në romanin “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe te novela “Hakmarrja e Kazanovës”.

Së dyti, mjeshtëria e saj e rrallë. madje e jashtëzakonshme, për skalitjen e ndjenjave të dashurisë. Mira e përshkruan pasionin e të dashuruarve me tone të ndezura, me një ndërkëmbim ngjyrash ëmbëlake, të shoqëruar me vellon e një drite poetike. Në krejt krijimtarinë artistike, Mira zbulon filozofinë e vet për dashurinë, çka të kujton krijimtarinë e disa autorëve francezë, të tillë, si Prosper Krebijoni (Prosper Jolyot de Crébillon – 1674-1762), Zhan Marmonteli  (Jean-François Marmontel – 1723–1799) dhe Sebastian Shamfori (Sébastien-Roch Nicolas de Chamfort – 1741-1794).  

Së treti, pasuria gjuhësore e krijimtarisë artistike. Leksiku i Mirës është një thesar i çmuar për gjuhën shqipe. Proza e saj është një “arkeologji gjuhësore”. Shumë fjalë ajo i ka nxjerrë nga harresa pikërisht me merakun dhe me pasionin e një arkeologu për kulturën dhe jetën e periudhave të lashtësisë. Ajo, me një guxim të kuturisur, krijon fjalë të reja dhe kompozita fantastike me brumin e shqipes në gatimoren e saj të pasur.

Mira e meritonte plotësisht ta priste dhe ta festonte 60-vjetorin e lindjes me një ngazëllim të jashtëzakonshëm, pikërisht për sukseset e arritura në krijimtarinë artistike, për jetën publike që përmenda më lartë, për vlerësimet e larta që i janë bërë. Por… Jeta ka të papritura. Dhe ndodhi ajo që thotë aktorja, shkrimtarja dhe komediania e njohur amerikane Fenni Fleg (Fannie Flagg – 1944):

“Mund të rastis që të torturohesh për një kohë të gjatë dhe mandej, kur për diçka nuk të ka shkuar mendja fare, fati, pa pritur e pa kujtuar, bën një piruetë befasuese”.

Më shumë se një muaj para festimit të 60-vjetorit më 27 shtator, Mirës i ndodhi një fatkeqësi e rëndë: Nëna e saj e dashur, Mami Nora e shtrenjtë, ndërroi jetë më 18 gusht. Kjo ngjarje e papritur ia ka rënduar së tepërmi gjendjen shpirtërore. Sepse Mami Nora ka qenë Kryezonja e edukimit të saj me tipare të shkëlqyera karakteri, ajo ka shërbyer për të si një Bibël e vërtetë. Ishte pikërisht Mami  Nora ajo që Mirës i futi në gjak dashurinë për Gjuhën Shqipe, Gjuhën e Perëndive, siç e ka quajtur Naimi i Madh dhe Aristidhi i Madh. Falë edukimit të Mami Norës, tash sa vite, para lexuesit del një Mirë e çiltër si vetë thjeshtësia, e hijshme si vetë bukuria, me takt si vetë fisnikëria, dinjitoze si vetë krenaria, e prerë si vetë drejtësia, e zgjuar si vetë mençuria, zemërbardhë si vetë shenjtëria. 

Unë dhe bashkëshortja ime e çmuar, Havaja, Mirën e urojmë nga zemra për 60-vjetorin e lindjes. Jemi të bindur se ajo do ta përballojë këtë gjendje të rënduar shpirtërore dhe do të gjejë forca për ta vazhduar po me kaq suksese krijimtarinë e vet artistike, sepse krijues të formatit intelektual të Mirës janë pasuri kombëtare.

Santa Barbara, Kaliforni

23 shtator 2020

Filed Under: LETERSI Tagged With: 60 Vjetori i Lindjes, Mira Meksi, Prof.dr.Eshref Ymeri

“Mallkimi i priftërshave të Ilirisë” i Mira Meksit botohet në italisht

July 24, 2017 by dgreca

Shtepia botuse “Toena” ne Tirane përmes një njoftimi derguar në E-mailin e Gazetës Dielli njofton se sapo ka dalë në qarkullim në libraritë italiane, mes të cilave La Feltrinelli, romani i Mira Meksit Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë me titullin La maledizione delle sacerdotesse d’Illiria përkthyer nga shqipja në italisht nga përkthyesit Shpëtim Doda dhe Valentina Notaro. Romani është botuar nga Salento Books, në kolanën Nadir-Besa, dhe shoqërohet nga pasthënia e autores.

1 Mira Meksi PriftereshatNë kopertinën e romanit shkruhet: “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është një roman i parezistueshëm historik, në të cilin historia, legjenda dhe miti bashkohen për t’i dhënë zë njërës prej periudhave më pak të dokumentuara historikisht…”.Ndërsa për autoren shkruhet: “Mira Meksi, shkrimtare dhe përkthyese shqiptare, përfaqëson një nga zërat më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm në panoramën letrare të periudhës pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës”.

Romani Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë u botua për herë të parë në shqip nga Botimet Toena në vitin 2014, ku në edicionin e 17-të të Panairit të Librit në Tiranë, njohu rekord shitjesh. Lexuesi i këtij romani të rrallë historik u rrit edhe më shumë pas ribotimit të tij të ripunuar nga autorja në vitin 2015 sërish nga Botimet Toena. Në vitin 2015 romani u nderua me çmimin Rexhai Surroi të Kosovës për letërsinë, si romani më i mirë i shkruar në gjuhën shqipe, botuar në vitin 2014. Në ceremoninë e marrjes së këtij çmimi në Prishtinë, Mira Meksi u shpreh ndër të tjera:

“… Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, roman mbi Ilirinë dhe mbretëreshën e saj Teutën, simbol dhe shenjë identitare për ne shqiptarët, është ndërtuar dhe shkruar në çdo kaptinë, në çdo syth dhe në çdo fjalë të tij nën udhëheqjen e dy parimeve: së pari, nën udhëheqjen e nevojës për një rizgjim dhe përforcim të kujtesës dhe ndërgjegjes historike kombëtare, aq i domosdoshëm në kohët e globalizmit, që sa vjen dhe po njeh një shtrirje me ritme galopante; së dyti, nga parimi se historia nuk përfshin në vetvete vetëm një repertor ngjarjesh dhe jetimesh, por edhe një repertor përjetimesh – përjetimet gjatë ngjarjeve dhe përjetimet pas ngjarjeve, me bindjen e palëkundur se pikërisht këto përjetime janë tërë ajo çka formëson ajthin e kujtesës dhe ndërgjegjes historike të një populli”.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: "Mallkimi i priftërshave të Ilirisë", botohet Italisht, Mira Meksi

– Priftëreshat e Ilirisë janë edhe rojtaret e këtij misioni të Teutës

November 5, 2014 by dgreca

PERSONAZH/ Flet shkrimtarja Mira Meksi: Kam ndërtuar Ilirinë time dhe Teutën time/
“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” psikologjia e personazheve realë historikë, i përgjigjet botës ilire/
Nga Albert ZHOLI/
Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” ka ngjallur shumë diskutime në publik. Por edhe vetë kritika nuk është treguar e heshtur për të treguar indiferente. Mund të themi se romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një ndër romanet më intrigues në treg, për vetë subjektin, fabulën, mënyrën e rrëfimit, ngjarjet e shumta dhe me karakter të thellë historik. Ky roman përbën në vetvete një letërsi ndryshe, që përkon me risitë e kësaj mënyre të shkruari tek krijuesit tanë.
Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një roman me ngjyresë historike. Në ç’raport qëndron historikja me fiksionin në roman?
Meqenëse, ka një mangësi të konsiderueshme të dokumentacionit historik, duket sikur peshorja anon nga fiksioni, trilli; nga legjendat dhe mitet. Në të vërtetë, shtyllat e fuqishme që mbajnë ngrehinën e romanit janë historike: personazhet historikë, kronologjia e ngjarjeve dhe zhvillimeve historike, betejat, ideali i Teutës. Gjithsesi, ky roman me ngjyresë historike ka një veçanti: objekt rrëfyes ka Kujtesën. Mbi të gjitha, është një roman historik, ku psikologjia e personazheve realë historikë, por edhe atyre të fiksionit, i përgjigjet asaj epoke, botës ilire.
Personazhi kryesor, Teuta, paraqitet edhe si mishërimi hyjnor i gjarprit-totem të Ilirisë. Me çfarë mekanizmi keni punuar për ta realizuar këtë?
Miti i lashtë grek i Kadmit dhe Harmonisë, të parëve me prejardhje hyjnore të ilirëve, miti bazik i këtij romani, rrëfen për birin e tyre Ilyriosin, që foshnjë e mbështolli gjarpri duke i përçuar vetitë e tij hyjnore. Për analogji, në roman Teuta ushqehet me limfën e gjarprit–totem të ilirëve dhe shndërrohet kështu në mishërimin njerëzor të tij.
Romani juaj nis me një skenë të fuqishme, ku mbretëresha e Ilirisë, Teuta, përgatitet të vrasë veten. Përse keni zgjedhur një fund të tillë për Teutën mbretëreshë dhe luftëtare? Historike, fiksion?
Të dyja bashkë. Historia nuk thotë asgjë për fatin e Teutës pas luftës së parë iliro-romake dhe pushtimit të Ilirisë prej Romës. Ka gojëdhëna që rrëfejnë për vetëvrasjen e mbretëreshës Teutë, por trupi i saj nuk u gjend kurrë. Ky ka qenë një ngacmim për t’i dhënë asaj një fat të tillë në roman, por edhe vetë rrjedha ngjarjeve aty të shpinte. Nga ana tjetër, ngacmimi vuri në lëvizje mekanizmin e trillit, i cili iu përgjigj idesë se, edhe pas zhdukjes fizike, Teuta, apo më mirë shpirti i saj, do të vazhdonte të printe Ilirinë.
Vetëvrasja e saj duket si një akt i vullnetshëm i saj, por helmi që përdor është “mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, i cili është edhe titulli i romanit. Duket sikur kjo vetëvrasje është një akt i përgatitur që më parë, apo sikur është jashtë vullnetit të saj. A mund të na e sqaroni?
Gjithçka lidhet me misionin e epërm të Teutës, e cila përveçse është strategia e luftërave pushtonjëse të Ilirisë dhe farkëtarja e lavdisë së vendit të saj, është edhe shpirti i popullit të saj dhe përtëritësja e prejardhjes së tij hyjnore. Priftëreshat e Ilirisë janë edhe rojtaret e këtij misioni të Teutës. Ato i druhen dobësisë njerëzore të mbretëreshës, zemra e së cilës dashuron një burrë. Mallkimi i tyre në formën e helmit është pikërisht për të vrarë zemrën njerëzore, në çastin kur ajo do të bëhet pengesë për të përmbushur misionin e Teutës. Pa dashur të zbuloj më shumë nga romani, mund të them se vetëvrasja e Teutës është njëkohshëm edhe e vullnetshme edhe e diktuar nga fuqitë jashtë saj.
Si në përgjithësi të gjithë romanet që keni shkruar, rrëfimi bëhet në retrospektivë. Njëlloj si te romanet “Porfida Ballo në Versailles”, apo “E kuqja e Demave”, edhe në këtë roman, skena e fillimit është edhe skena përmbyllëse. Po shkruhet që ky libër ka strukturën e trupit të një gjarpri, një gjarpri që kafshon bishtin e tij. Çfarë simbolike mbart e gjithë kjo?
Është tamam kështu, kujtesa e gjarprit të skalitur si tatuazh në trupin e Teutës i rrëfen ngjarjet pasi ato kanë ndodhur. Dhe nuk i shpëton asnjë detaj, madje qashtërsia e tyre është e jashtëzakonshme. Në retrospektivë. Romani hapet me një skenë nistore, e cila është edhe skena përmbyllëse në mbarimin e saj. Është struktura e një uroborosi, gjarprit që kafshon bishtin e tij dhe që bart një simbolikë sa të fuqishme, aq edhe të lashtë. Është simboli i vijimësisë, i ciklit të mbyllur të jetës dhe i përjetësisë.
Shkrimtari sillet edhe si historian, pa dyshim. Dhe është zgjedhja e tij. Historianët e lashtë, por edhe ata modernë një pjesë, japin si shkak të fillimit të luftës së parë romako-ilire vrasjen e ambasadorëve romakë prej Teutës. Në romanin tuaj ndodh krejt ndryshe. Cila të jetë vallë e vërteta historike?
E kam shpallur që në krye të herës se nuk mëtoj të jap të vërtetën historike me këtë roman. Kam ndërtuar Ilirinë time dhe Teutën time, sigurisht duke u bazuar në fakte historike, në realitetin e asaj kohe, por edhe në mite dhe legjenda, e duke ia nënshtruar të tërën prosedeve të trillit romanesk. Polibi i lashtësisë, sidomos, shkakun e luftës së parë iliro-romake, e paraqet si hakmarrjen e Romës ndaj Teutës, për vrasjen e ambasadorit të saj menjëherë pas audiencës që dy të dërguarit e Romës patën me Teutën, dhe ku i kërkuan të ndalonte piraterinë ilire që bënte kërdinë mbi anijet tregtare italike. Historianë modernë kanë hedhur dyshimet e tyre mbi shkaqet e vërteta që shtynë Romën të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Ilirisë. Kam interpretuar edhe unë faktet historike që njohin një shumësi interpretimesh. Në roman, vrasja e ambasadorit romak është thjesht një Casus Belli, një shkak për luftë i sajuar dhe i kërkuar nga Roma, e cila mëtonte të kishte zotërimin e porteve të Hadrias, të cilat ishin në dorën e Teutës.
Beteja e Medionit, por edhe betejat detare janë përshkruar me një hollësi të jashtëzakonshme. Kemi llojet e anijeve, armatimet, formacionet e ushtrisë, teknikat e luftimit. Dhe janë zhvilluar përpara gati 2300 vjetësh. Si ia keni dalë t’i përshkruani kësisoj?
Historianët e lashtësisë kanë dhënë jo pak fakte historike mbi betejat kryesore që unë kam përshkruar në roman. Jo vetëm për betejën e Medionit, por edhe të Kerkyrës, ku Polibi jep deri edhe emrin e komandantit të flotës së Ligës së etolëve dhe akejve. Detajet për to, mënyrat e luftimit të kohës, por edhe ndërtimin e anijeve, lembeve, katafrakteve, triremave dhe pesëremave, por edhe armët e përdorura, – dhe ushtria ilire e Teutës, si ajo e tokës, ashtu edhe flota e saj, qenë të pajisura me armatimet më moderne të kohës, – u morën për analogji nga betejat e kohës që zhvilluan grekët apo qoftë edhe romakët, dhe për të cilat ka shumë më tepër të dhëna historike. Pjesa tjetër është një studim i mirëfilltë në bazë skemash i këtyre betejave dhe përshkrimi i tyre.

***
Prozatore, përkthyese letrare, publiciste dhe botuese
Themeluese dhe drejtore e revistës letrare ( 3 numra në vit) 16 vjeçare Mehr Licht, anëtare e rrjetit europian të revistave letrare eurpiane EUROZINE
Themeluese dhe drejtuese e dy kanaleve televizive ne Tirane dhe shkup “Alsat Tv”
Aktiviteti Letrar
Ka përkthyer nga gjuha e huaj në shqip autorë si:
Dumas, M. Yourcenar, M. Duras, Baudelaire,Lamartine, Rimbaud etj dhe Marquez, Borges, Neruda, Paz, Sabato, Allende, Javier Marias, Vargas Llosa, Saramago, Fuentes, Cela, Lorca, Bernardo Atxaga, etj
Ka përkthyer nga shqipja në frëngjisht dhe në spanjisht:
“30 vjet Poezi” të I. Kadare; Antologjia e Poezisë së sotme shqipe në spanjisht
Vepra origjinale dhe punime: Romanet: “Frosina e Janinës”; “Porfida –Ballo në Versailles”, “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave”
“ Planeti i ngrirë”; “Fantazma me sy njeriu”
(Romane për adoleshentë)
Novelë: “ Ballo në Versailles”
Përmbledhje me tregime: “ Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; “Zonja plake e Parisit”
Antologjia e Poezisë së sotme Aragonase Eseistikë: “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”
Letërsi për fëmijë: Katër përmbledhje me përralla dhe një novelë e ilustruar: “Magjistrica e 12 pasqyrave”

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Zholi, Mira Meksi, priftereshat e Ilirise

Grabitqarja tronditëse Mira Meksi

October 29, 2014 by dgreca

Esse nga Novruz Xh. Shehu/
Ndërsa thyhej me rropamë gjysmë shekulli komunist, emri i Mira Meksit u lakua në publicistikën e Amerikës Latine e të Spanjës si “Lulja pirate e Gabosë”, kolumbianit të famshëm Gabriel Garsia Markez.
Markezi i letrave nuk shqeu sytë, siç bënë menaxherët e tij të kujdesshëm, vendosi duart në mes dhe qeshi aq fort sa që i ra mbi tavolinën e punës një portret origjinal i Francesko Gojes.
Diku Garsia Markez kishte lexuar se në vitet 1936-1939, një grup shqiptarësh ishin radhitur krah luftëtarëve të Spanjës në përballje të diktatit e terrorit. Një prej tyre ishte poet dhe kishte emrin Pietro, i cili kishte shqyer betonin në këmbët e urës së lumit Ebro dhe kishte strehuar aty një përmbledhje vargjesh me titullin “Kënga në kohërat e kolerës”.
Ndoshta ky akt meriton piraterinë e “Dashuria në kohën e kolerës” prej bashkë-atdhetares së tij, mendoi Markezi.
Këngë, dashuri, kohë, kolerë…
Markezi fshiu lotët që i detyroi e qeshura ndërsa ftoi të ulej shqiptaren rebele në sallonin e rezervuar enkas për pritjen e personaliteteve të shquar të planetit.
“Si një bletë që përndjek polenin nga mijëra kilometra larg e që sa afrohet të jep tronditjen e bukur…” mendoi rishtas duke shënuar “vërtet tronditje e bukur që dinë të ta falin engjëjt shpërndarës të mesazheve universale”.
E KUQJA
Nuk u shëndrrua në emblemë vetëm se është ngjyra e gjakut të Krishtit. Mijëra Jezus në komunitetin njerëzor investuan para tij atë që quhet Gjak.
E kuqja është gjaku në buzët e toreadorit në puthjen kafshim prej mbretëreshës së seksit.
Është gjaku në shpatullat e demit që vërsulet me energjinë thuajse kozmike të vjelë duartrokitjet e arenës dhe turmës, të komunikojë me vështrimin e gjaktë në vështrimin aq të gjaktë të toreadorit.
Është prishja e virgjërisë te piklat e rënë në ankthin e rinimit të adoleshencës me tërë ankthin e rrënimit të Murit të Berlinit.
Është në petalet e trëndafilit që thërret bletët me alfabetin e saj, e në Papaver Rhoeas që ndez grunjërat e fantazinë me opiumin që mbart nëpër enët e venave.
Është balta e Beratit mbas vrasjes së mijëra ushtarëve në betejën e Skënderbeut mbi turqit 500 vite më parë.
Është ajo ngjyrë e blatuar në mijëra ikona të Spanjës e të Botës e në ikonat e kryemjeshtër Onufrit, ngjyrë që e kapi në ajrin universal shkrimtarja e talentuar Mira Meksi duke e blatuar në arkitekturën e romanit “E kuqja e demave”.
ARENA
Mira, është nusja e çuditshme e fisit të çuditshëm të Meksajve të Labovës së Tepelenës, që për pesë shekuj i ka dhënë qindra personalitete kulturës dhe historisë kombëtare e evropiane. Ndoshta në arenën e toreadorit Antoniu Manuelit me mbretëreshën e seksit Maria Vitoria e me mbretëreshën Teuta ajo ka patur parasysh gjeneralin me bukuri të jashtëzakonshme Petro Meksi. Gjeneral Petro në mesin e shekullit hyri të teorodojë në arenën e Erosit me dy mbretëresha: të Greqisë e të Francës. Të dyja e dashuruan marrëzisht e Athina përjetoj mijëra kopje te letrave të tij, të ngjitura sokakëve si armë beteje prej mbretëreshave të përfshira nga tmerri xhelozisë.
Kjo arenë është ajo e luftës së brigadave internacionale në Spanjë (1936-1939) ku dhanë emblemën e gjakut jo pak djem nga Shqipëria.
Kjo arenë është ajo e Skënderbeut kundër turqve dhe e mijëra betejave të tjera që siguruan ngjitjen e popujve në shkallët e historisë.
Kjo arenë e luftës së jetës me vdekjen, së dashurisë me urrejtjen, së marrëzisë me urtësinë, së injorancës me diturinë, së paqes me mirësinë, së humanizmit me krimin, është ajo arenë e përjetshme ku arti kryen misionin e tij të përjetshëm.
STILI
Ajo nuk e ka shkruar, ajo e ka qëndisur me filigramë këtë vepër, që çuditërisht nuk i ra në sy dopio Markut, kryetarit të komisionit emblemë në Ministrinë e Kulturës së nënës sonë të shtrenjtë Shqipëri.
Mira Meksi ka një stil të vetin brenda konstruktit klasik të romanit. Ajo di të rrëfejë si një aristokrate:
Me kujdes me fjalë të zgjedhura të madhërishme ku në idilin e dashurisë spanjolle shpërfaq në sallonet evropiane kulturën dhe personalitetin e artit shqiptar.
Aty këtu ajo preferon realizmin magjik duke kapërcyer kështu kohërat dhe kombet, të gjallët e të vdekurit, mistikën e realen, duke kaluar nga manastiri Vernelas në Spanjë te Kastro e Beratit në Shqipëri, nga shek.XXI në shek.XV e anasjelltas nga arena e Onufrit në botën e ngjyrave tek Antonio Manueli në arenën e demave.
GJUHA
E përzgjedhur çdo fjalë e fjali, me elegancën dhe kujdesin e një femreje elegante. E ndërsa fshihen jo pak herë fjalë arkaike, ajo i preferon ato në emër të qëndisjes së prozës së saj me relike duke ja rritur kështu ndjeshëm vlerat.
Ka disa fjalë të reja që ajo i ka realizuar duke zbatuar me korrektësi ligjësinë e fjalë formimit të gjuhës Shqipe e duke pasuruar fondin e saj: vetmevete, gatizëshme, ditë e vapët, qiellin të tejlartë, të shumësigurt, rrëzëkofshën, zëzërima, makthi i flurthët, të pavakishme, shtizime, kursyerazi, të njëmijfaqëta, fillbiseda etj.
Përngjitja e fjalëve shqipe në mënyrën e duhur i jep asaj vlera të reja dhe është shqipja kjo gjuhë magjike që ta jep këtë mundësi.
…
A mund të shtohet diçka në ribotimin e mundshëm të “E kuqja e demave”?
Në rast se do të kemi parasysh zbulimin e fundit të një ditari të shkruar në pllaka balte prej Onufrit, besoj se arena e Erosit të tij me ngjyrat dhe ikonat do të theksojë dhe shtojë arkitekturën dhe përmasat e romanit në ribotim.
…
Mira Meksi e njohur më shumë si përkthyese e shquar, që ka sjell në Shqipëri, Markezin, Sabaton, Cortazar-in, Dumas-in, Borges-in, Nerudan etj. Tani më është konsoliduar si shkrimtare e mirëfilltë. Mendoj se nuk gaboj se kjo vepër është ndër tre romanet e saj më të arrirë e pse jo e mundshme për tu paraqitur me dinjitet në fondin e letërsisë evropiane.
Të shkruash është e thjeshtë të bësh art është thuajse e pamundur e po qe se u bë e mundur kjo realizohet vetëm nga engjëjt e artit e të fjalës së mesazheve universale.

Filed Under: ESSE Tagged With: grabitqarja tronditese, Mira Meksi, Novruz Xh. Shehu

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT