*Nxënësit e shkollave shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe Manhattan e pritën Ditën e Mësuesit me program të pasur Shqip/
*Oficerët e shërbimit zotërinj amerikanë të cilët kishin ardhur enkas për këtë ditë u befasuan nga pjesëmarrja e shumtë dhe kur mbaruam në fund na thanë se: “Ne sot mësuam shqip nga nxënësit tuaj një shprehje dhe dy fjalë të bukura si: “Gëzuar, Faleminderit dhe Bukë e krypë e zemër të bardhë”! /
Nga Keze Kozeta Zylo/
Dita e shenjtë e Mësuesit përkoi me ditën e shtunë, një ditë e dielltë ku nga çatitë e shtëpive zbardhte bora e ngrirë që të lëbyrte sytë. Nxënësit grupe-grupe me prindërit veshur si për festë erdhën pranë shkollës publike amerikane PS:205 në Brooklyn, në auditoriumin e saj dhe dhanë një koncert të pasur artistik. Mjediset e shkollës gumëzhinë SHQIP, ishin vetëm nxënësit shqiptarë që mbushën korridoret e shkollës dhe me lule në duar për mësueset e tyre i jepnin jetë dhe gjallëri. Oficerët e shërbimit zotërinj amerikanë të cilët kishin ardhur enkas për këtë ditë u befasuan nga pjesëmarrja e shumtë dhe kur mbaruam në fund na thanë se: “Ne sot mësuam nga nxënësit tuaj një shprehje dhe dy fjalë të bukura si: “Gëzuar, Faleminderit dhe Bukë e krypë e zemër të bardhë”! Qesha dhe sa krenare u ndjeva për komunikimin e ngrohtë amerikanë dhe shqiptarë me nxënësit tanë.
Shkolla Shqipe “Alba Life” që operon në tri lagje të Nju Jorkut: Staten Island, Brooklyn dhe Manhattan, në vitin e shtatë të saj feston për çdo vit me madhështi festën kombëtare të Mësuesit këtu në Amerikë.
Mësueset i përqafonin dhe gëzonin me lule në duar të dhuruar nga nxënësit e tyre të dashur. Programi i shkollës shqipe filloi egzaktësisht në orën 12:00 siç ishte parashikuar, çka flet për një seriozitet dhe shembull edukimi për fëmijët.
Prezantueset e programit Kristina Lisi dhe Klea Lisi nxënëse të shkollës shqipe në Manhattan drejtuan programin me plot talent dhe elekuencë në të folur Shqip.
Prezantueset ftuan të gjithë pjesëmarrësit të çohen në këmbë për të kënduar së bashku hymnet kombëtare nën drejtimin e artistes së vogël, nxënëses së shkollës Shqipe Kristina Melo, të cilat u kënduan me profesionalizëm dhe plot talent.
Në emër të Bordit të shkollës shqipe ka përshëndetur Dr.Valbona Zylo Watkins profesore në Universitet në Staten Island dhe mësuese pranë kësaj shkolle e cila pasi iu uroi gjithë mësueseve Gëzuar festën dhe shprehu mirënjohje për punën e tyre ajo ka përshëndetur dhe përgëzuar gjithëe prindërit dhe nxënësit për këte përkushtim kaq fisnik. Unë sot gjithashtu kujtoj me mall të madh dhe mësuesen time të klasës së parë, në shkollën “Kosova”, në Tiranë, mësuesen gojëmjaltë Nezin e cila sot është 83 vjeçe dhe i uroi asaj jetë të gjatë tha ndër të tjera Valbona.
Në këtë program u shfaq një vidio dokumentar përgatitur nga TV “Alba Life” për punën titanike të mësueseve dhe patriotëve të shquar që hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, dokumentar që u mirëprit me duartrokitje nga publiku.
Programin artistik e ka hapur shkolla Shqipe në Manhattan nën drejtimin e mësuese Liza Pëllumbit, vlen të përmendet se shkolla shqipe në Manhattan u hap për herë të parë në historinë e Diasporës në vitin 2014. Nxënësit Kevin Preldakaj, Luke Gjoni, Leonora Nilaj, Adnison Sinanaj, Ervan Mullolli, Erisa Ademi, Ereza Idrizi dhe Nora Hysaj kanë recituar poezi nga Fishta, Podrimja, etj dhe kanë emocionuar sallën me intepretimin e tyre.
Nxënësit e shkollës shqipe në Staten Island, e kanë filluar me poezinë “Shpata e Skënderbeut” interpretuar nga stërnipërit e Skënderbeut Rilind Bardhi, Naim Kasneci, Julinda dhe Rozafa Dimnaku. Poezia është shkruar nga poeti i shquar dhe akademiku Xhevahir Spahiu te cilit i uruan 70 vjetorin e datëlindjes.
Nxënëset Elira Xhemali, Dea Watkins, Dea Kerliu, Melinda Djinovic, Fiona Doda, Sabrina Velovic dhe Liana Doda kanë interpretuar poezi të ndryshme nga Asdreni, Çajupi, Fishta, Mjeda, Naim Frashëri, Guranjaku poezi që u mirëpritën me duartrokitje të përsëritshme nga publiku.
Pas recitimeve nxënësit vazhduan të këndonin këngën aq të njohur: “Hapa dollapa” nën drejtimin e sopranos së mirënjohur dibrane Deshira Ahmeti Kërliu dhe mësuese Afërditës.
Pas kësaj kënge në skenë kanë dalë nxënësit e shkollës shqipe në Brooklyn dhe është hapur me nxënësit e mësuese Afërditës.
Programi ka filluar me poezinë “Zemërgur” nga mësuesi martir Papa Kristo Negovani e interpretuar nga Brian, i cili ka disa vite në këtë shkollë dhe të bën krenare se si ai ka ecur aq bukur me shqipen si dhe si artist i vogël, se shkolla shqipe jo vetëm që të mëson të flasësh, por nëpërmjet saj të jepen mundësi pafund për të komunikuar me skenën dhe publikun. Nxënëset Gabriela Përmeti, Enxhi Bahcja, Lejla Hasani, Drilona Mehmeti, Griselda Përmeti dhe Arta Ibershimi kanë intepretuar poezi të bukura nga Adelina Mamaqi, Asdreni etj. Ndërsa Sabrina Lulanaj dhe Eda Kulla kanë interpretuar plot talent këngën: “Na afro një dritë”.
Nxënësit e mësuese Lavdijes si: Niko Skoda, Elsa Kulla, Olti Krasniqi, Blenda Shehu, Eda Kulla vazhduan programin e pasur me recitime nga poezitë e Naimit, Mjedës, Fishtës etj çka sollën gëzim dhe pikëza loti ndër sytë e prindërve dhe të gjyshërve të tyre kur dëgjonin fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre që ligjëronin Shqip në skenë.
Nxënësit kanë recituar poezi dhe kanë hedhur valle të bukura shqiptare.
Fëmijët e shkollës shqipe në Staten Island dhe në Manhattan kënduan këngën e mësuesit nën drejtimin e sopranos së mirënjohur Dëshira Ahmeti Kërliu.
Vallja e Pinguinit e përgatitur nga mësuesja asistente Adelina Halimi Sehu dhe mësuese Lavdija ishte tejet mbresëlënëse e cila u mirërprit me fërshëllima dhe duartrokitje të zjarrta.
Programi ka vazhduar me recitimet nga nxënësit e mësuese Marjanës. Nxënësit Anisa Bahcja, Aurora Shahu, Djellza Mehmeti dhe Arjela Ruci ligjëruan si bilbilat në degë me poezi nga Grillo, Bulku etj. Ata të bënin të ndiheshe krenarë me shqipen e tyre aq të kthjellët dhe të bukur kur e shqiptonin.
“Kënga jam shqiponja” e kënduar nga Anisa Bacja dhe shoqëruar nga kori i shkollës në Brooklyn përgatitur nga sopranoja Dëshira Ahmeti Kerliu i dhanë sallës një hare dhe gëzim të veçantë.
Edhe kënga: “Një lahutë një flamur” e kënduar nga Eda Kulla, shoqëruar nga grupi i valles të shkollës në Brooklyn nën drejtimin e mësuese Afërditës, ishte tejet mbresëlënëse dhe befasuese.
Kristina Melo përshëndeti mësueset me këngën e mësueses me kompozim të artistit të shquar prof.Petrika Melos dhe tekst të Kozeta Zylos këngë që fitoi çmimin e parë në festivalin e zërave të rinj në New York.
Programi është mbyllur me Hymnin e shkollës shqipe e cila ishte kënga finale nga gjithë shkollat pjesëmarrëse në Festivalin e parë të Shkollave Shqipe në Diasporë kompozuar nga Petrika Melo, intepretuar nga Kristina Melo, Sabrina dhe Eda Kulla shoqëruar nga kori i shkollës shqipe.
Nxënësit, mësuesit dhe themeluesit i ka përshendetur mësuesi veteran z.Frasheri i ardhur nga Shqipëria. Ai me një përvojë të pasur dhe plot emocion nga programi që pa dhe pjesëmarrësit në sallë përgëzoi punën e mësuesëve dhe të gjithë nxënësve që nderuan festën kombëtare të Mësuesit.
Prezantueset Lisi kanë ftuar në skenë themeluesin e shkollave Shqipe dhe producentin e TV “Alba Life”, z.Qemal Zylo i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, dhe një falënderim special ka shkuar për gjithë mësueset e përkushtuara me pasionin dhe dashurinë e tyre për punën si dhe iu ka uruar nxënësve që kurrë mos u ndalni për të mësuar Gjuhën Shqipe. Unë e kuptoj tha ai që fëmijët e lindur jashtë Atdheut po përballohen me vështirësi të mëdha për mësimin e gjuhës shqipe, por në se ne si prindër punojmë më shumë, sakrifikojmë dhe organizohemi në shkolla shqipe medoemos që do të ulet numri i fëmijeve që nuk flasin dhe shkruajnë shqip. Diaspora po përballohet me shume vështirësi, por mësimin e Gjuhës Shqipe duhet ta kemi në qendër të vëmendjes dhe te dorës së parë, pasi siç thotë Rilindasi Sami Frashëri se: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”, na bëjnë që të punojmë dhe më shumë. E për mos të pasur asnjë viktimë vazhdoi z.Zylo le të jemi të gjithë të organizuar në shkollat shqipe për mësimin e Gjuhës Shqipe. Në fund në shenjë mirënjohjeje z.Zylo iu ka dhuruar gjithë mësueseve dhe asistenteve nga një buqetë me lule të freskëta.
Festa e bukur e Mësuesit realizuar nga nxënësit dhe mësuesit e shkollës Shqipe “Alba Life” është filmuar nga stafi i TV ” Arb” me producent z.Xhevdet Pacova “Lumi”, si dhe Todd Watkins per TV “Alba Life”, dhe do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.
Të pranishmit u larguan me një kenaqesi të veçantë duke uruar njeri tjetrin: “Mirë u takofshim gjithmonë si në të tilla aktivitete kulturore dhe mbresëlënëse në Gjuhën Shqipe nga nxënësit e shkollave Shqipe “Alba Life” në New York!
7 Mars, 2015
Brooklyn, New York