NGA Dr. PRENJO IMERAJ/
Më 14 shtator të këtij viti mbushen plot 70 vjetë nga tragjedia e Grehotit.Tridhjetë e tre dëshmorët e Grehotit, të cilët Partia Komuniste Shqiptare i kishte shpallur armiq të popullit dhe të Partisë, duke u denigruar edhe varret, ndërsa familjet që lanë pas ju nënështruan morsës së luftës klasore të pa skrupulltë, më në fund me ardhjen e shtetit demokratik u vendosën në pjedestalin e lavdisë kombëtare. Ata qysh nga viti 1992 prehen në varrezën e Dëshmorëve e ngritur atje ku ranë këtu e shtatëdhjetë vjetë më parë. Në vitin që jemi, varreza u rindërtua dhe zbukurua në mënyrë dinjitoze.
Për luftën e Grehotit kanë shkruar shumë shqiptarë, dëshmitarë okularë, ish komunistë, nacionalistë madje edhe miq të huaj, por sot ne po sjellim përpara lexuesit se ç’kanë lënë pas me kujtimet e tyre luftëtarët e divizionit fashist Italian Peruxhia që u ndeshën në mënyrë të pa barabartë me çetën nacionaliste “Shqiponja” të komanduara nga Hysni Lepenica. Nuk po bëjmë asnjë koment, për manovrën djallëzore të komunistëve shqiptarë,qëndrimin konseguent në politikën e ditës të oficerit anglez Tilman,atashuar pranë shtabit partizan të zonës parë operative Vlorë-Gjirokastër dhe pabesinë e komandantit të divizionit fashist Kiminelo, që i pat premtuar prefektit të Gjirokastrës Veip Runa se divizioni do i dorëzohej forcave nacionaliste…
XHIOVANI BONOMI
“Shqipëri 1943. Marshimi tragjik i ushtrisë italiane nga Tepelena e Gjirokastra në Sarandë”.
Bietti Milano, Itali 1983(f. 71-87)
Përktheu nga italishtja Etleva L. Memisha. Mars 1999
“Gjatë aksionit një komision partizanësh hyri në kampin tonë duke ofruar ndihmë kundër nacionalistëve.Gjenerali iu përgjigj që momemantilisht nuk kishm nevojë…”
KAPITULLI I DYTE
Momente dramatike
1- Paralajmërimet e para.
Në fakt në Gjirokastër jeta nuk shkon vaj. Pretendimet nga ana e partizanëve rriten, godasin në qendër dhe konfuzioni është më i madh.
Për ti mbajtur momentalisht në mbikqyrje dhe për të fituar kohë, stimulohen më datën 11 dhe 12 shtator marrëveshje me partizanët dhe nacionalistët. Që të dy këta të krisur pretendojnë që ne t’u dorëzojmë armët. Përgjigja jonë është kategorike: “Nuk do t’u dorëzojmë kurrë armët të huajve, do t’i marrim me vete në Itali”.
Ata mendojnë se kanë të bëjnë me frikacakë, me të ndrojtur. Po, kemi humbur luftën dhe ndërgjegja na ka impresionuar, por nuk do të ndodhë kurrë që një ushtar Italian të frikësohet nga prepotenca. Kërkojnë me të gjitha mënyrat të na bëjnë të dorëzohemi me lajka dhe më pas me kërcënime. Shoku Boldini që kishte guxuar të hynte në Gjirokastër, për të blerë, u ndalua nga një patrullë nacionaliste dhe u çua në burgjet e kështjellës.Pas disa orësh u pyet para kryetarit të nacionalistëve të Gjirokastrës dhe, pasi u pyet mbi motivin e vajtjes në qytet ia bënë të qartë se ne e kishim humbur luftën, që ishim në tehun e shpatës dhe na leverdiste të futeshim në radhët e tyre. E liruan me qëllimin e caktuar që të vinte e të bënte propaganda tek ne. Mbas ditën e dates 11 u shpërndamë nja 40 burra gjysëm kilometri jashtë “qytetit” ushtarak për të bërë dru për kuzhinën. Mbi mal, para nesh, shohim të kalojnë grupe të ndryshme partizane që marshojnë drejt Gjirokastrës.Tenente Kalvieri jep urdhër për të hapur zjarr. I bindemi urdhërit, hapim zjarr për rreth një orë, por partizanët nuk përgjigjen. Kthehemi në kamp. Për të na bindur të pranojmë dorëzimin partizanët na dërguan edhe dy ushtarë të batalionit të parë tek ne, të cilët do të bënin propaganda mes nesh, me kusht që të ktheheshin në një orë të caktuar, për ndryshe do të vrisnin të burgosurit italianë që gjendeshin në duart e tyre. Vazhdojnë të vijnë në komandën tonë ambasadorë të të dy partive. Përgjigja jonë është gjithmonë e mesme…
***
“Më datën 11 në mëngjes tek sa u zgjuam-tregon Koralia-patëm surprizën e madhe që të mos shihnim më asnjë gjerman në qytetin ushtarak dhe as rrethinat. Urtë e butë ishin larguar gjatë natës. Për ç’farë motivi dhe pse në këtë mënyrë? Më mirë kështu. Armët janë akoma në duart tona. Mbrëmjen e 13-ës nacionalistët rreth 200 pushtuan krahun e majtë të qytetit ushtarak. Prandaj edhe ne jemi gati në pozicione, ndërsa Kolonel Lanca shkon për të biseduar. Më datën 11 hyri batalioni i 3-të, më datën 12 ose 13-të hyri batalioni i dytë çiklist”.
***
Datë 12 dhe 13 të shtatorit sollën dy batalione në Gjirokastër dhe kam përshtypjen e qartë që në këtë qytet ushtarak, siç kemi raportuar, mbretëron kaosi. Dhe në të vërtetë Gjirokastra jeton në kaos, një influencë jo të vogël ushtronte edhe ajo që transmetohej në radio. Lajmet nga Italia nuk ishin aspak ngushëlluese. Shpresonim që aleatët të merrnin me shpejtësi gadishullin dhe të hynin me flotë në Adriatik, por në fakt… gjermanët kishin përparuar dhe anglo-amerikanët ngelën të gozhduar. Një moment i bukur; radio transmeton giovanezza dhe lajmëroi lindjen e Republikës Sociale Fashiste. U çorientuam. Çfarë po ndodh në Itali? E kishi marrë qeverinë fashistët? Radio Palermo na jepte lajme për qeverinë e Badolios, por të rralla, të rastësishme, të shqetësuara. Italia kishte rënë në errësirë. Kush dinte të mbijetonte ishte i zoti… Ne, larg Atdheut, në një tokë të huaj dhe armike, nuk po ia dilnim mbanë. Për fat radio jonë u prish dhe kështu mbetëm plotësisht në errësirë për gjithçka.
Pas katër ditësh siç ishte parashikuar, autoblindat gjermane ato që kishin hyrë në fushën e Gjirokastrës për të na surveriuar, u larguan duke u drejtuar si edhe kollonat pararendëse, rrugës së Tepelenës.Ne u ndiem të çliruar. Ajo ditë ishte një përzjerje gëzimi dhe hareje, qetësie dhe prehje.Të gjithë bënin plane, ndonjë hidhte propozime në erë.Ushtarët u irituan, për të mos thënë u turbulluan.
2- Të rrethuar
Për të kuptuar sa u munduam dhe pozicionin tonë, duhet të kesh një ide topografike të paktën të përafërtë të qytetit. Gjirokastra vendoset mbi një shpat të luginës së Drinos, i cili rrjedh drejt Vjosës. Lumi rrjedh në një drejtim që shkon nga Gjirokastra në Tepelenë ndërmjet dy vargje malesh të lartë dhe të ngushtë dhe lugina paraqitet si një koridor jo i këndshëm dhe i egër, në fundin e së cilës gjarpëron lumi. Në mesin e bregut fillon rruga që të çon në Janinë. Gjysëm kilometri përpara Gjirokastrës lugina zgjerohet. Malet largohen rreth 3 ose 4 kilometra, duke arritur përsëri të marrin formën e koridorit, por më lirshëm se i pari pas 6-7 kilometrash. Formohet kështu një trekëndësh hapsinor relativisht i mysët dhe i mbyllur në të katër anët. Gjirokastra shtrihet në një shkëmb gipsi që hyn lehtësisht në trekëndësh.
I ashtuquajturi qytet ushtarak është një hapësirë që shtrihet mbi një plan të sheshtë dhe mjaft i rastësishëm, në të cilin ka baraka dhe vila druri për ushtarët dhe oficerë italianë. Ishte ndërtuar poshtë Gjirokastrës rreth 500 metra në veri nga shtrati i lumit. Pozicioni siç shihet ishte I disfavorshëm.
Të dominuar nga malet dhe qyteti civil, të mbyllur mes kreshtash të larta, nuk kishim veç dy koridorë të ngushtë për dalje. Për aeroplanët përbënim një objekt përfundimtar. Mëngjezin e datës 13 na u paraqit një surprisë e çuditëshme. Flamuj të kuq me shqiponja valëviteshin mbi Gjirokastër dhe mbi malet në jug përballë nesh, flamuj të tjerë të kuq pa emblemë valëviteshin në veri prapa krahëve tanë. E pamë të çuditur këtë gjë të re. Ç’kuptim kishte? E mësuam të vërtetën në mesditë.
Komunistët ose më saktë rebelët partizanë nën komandën e një majori anglez Tilman pushtuan zonën në veri perëndim; nacionalistët kishin pushtuar qytetin e Gjirokastrës dhe malet në jug-lindje. Ne ishim të rrethuar dhe të gozhduar.
Nga malet përpara qytetit tregon Koralia – zbresin një numër i madh shqiptarësh të armatosur që drejtohen drejt qytetit. Rreth ores 10 shohim të vijnë nga drejtimi i Manastirit, nga rruga e Tepelenës, rreth 200 shqiptarë të armatosur. Kalojnë pranë qytetit ushtarak duke na parë me përçmim e neveri. Pasi kanë arritur tek komanda e regjimentit, ndalojnë, pastaj me urdhër të një oficeri të tyre zënë pozicione në grope, me pushkët në drejtim tonë. E vëzhgojmë këtë manovër të tyre, kuptojmë që është përgatitje por nuk dyshojmë për gjë tjetër.
Pastaj, pothuaj mbas një çerek ore ngrihen dhe shkojnë të pozicionohen pas bregut të lumit. Të tjerë vazhdojnë të vini për disa orë. Na kalojnë përpara, të gjithë me një ndjenjë superioriteti dhe largohen për gjatë lumit. Në të njëjtën kohë shohim se nga malet përballë Gjirokastrës, nga të gjitha anët, zbresin me mijëra si këta mendje lehtë dhe derdhen rreth qyteti ushtarak. Jemi të rrethuar nga tre anët nga nacionalistët, prapa krahëve nga ana e malit kemi partizanët. Kuptojmë që situata është vështirësuar, jemi preh e një qetësie që shpreh atmosferë lufte. Zbresim në pozicione, përgatitemi për mbrojtje. Armiku ka kompletuar rrethimin”.
***
Për të sqaruar më mirë atë që ndodhi më vonë po shtojmë këtu dëshminë e qartë dhe të gjallë doktor Andorno: “Qyteti ushtarak ishte shkrumbëzuar nga temperature 54 gradë e diellit. Poshtë tendave dhe në baraka trupat gjysmë të zhveshur prisnin që koha të kalonte dhe të vinte fresku i mbrëmjes. Poshtë tendave të artilerisë pak oficerë me gjoksin përjashta, kullojnë djersë dhe pinë gllënkat e fundit të birrës, luajnë me letra, të tjerë shihnin të heshtur me bërrylat e mbështetur në tavolinë. Kush mund të flinte kur lufta kish mbaruar. Mendja shetiste dhe zemra ikte e vinte në një mijë mënyra të ndryshme, por gjithnjë e burgosur. Përpara nesh shkëmbinjtë prej dollomiti ishin si rezistencë për nxehtësinë që mbyste lagështinë e tokës dhe të fushave. Pak pas kazermave dhe barikadave të vogla rruga ishte edhe më e bardhë. Drinosi ishte katandisur në një vijëzë dhe burimet ishin zhdukur në të dy anët e lumit. Gjithëçka ishte e pa lëvizëshme, çdo gjë djallëzisht e heshtur si qetësia pararendëse e stuhisë. Robër të vetvetes! Megjithatë diçka lëvizte atje sipër mbas mbarimit të sheshtë.
“Shikoni, shikoni atje sipër tha dikush dhe tregoi me gisht drejt kështjellës mbi kodër”. Të gjithë u kthyen. “Ej cilët janë ata”-tha veterani Stefanini me theksin e tij fjorentin. -“Unë nuk shoh asgjë”-thirri tenente Pozeto i qorruar. “Ta hajë dreqi shikoni ç’farë rreshti dhe shikoni në të djathtë një kolonë tjetër që zbret, edhe në fushë. Dhe pamja e të gjithëve u bë më e zymtë . Nga tenda e artilerisë situata zotërohej mirë. Nga malet zbrisnin njerëz, ushtarakë me qylaf të bardhë shqiptare, armë në sup dhe flamuj të kuq me shqiponjën shqiptare. Udhëhiqnin kalorësit me kuajt e tyre të dobët dhe zbrisnin drejt nesh. Largësia ajrore midis nesh dhe atyre ishte një kilometer. Janë shqiptarë dhe shqiponja e zezë në fushë të kuqe tregon që janë nacionalistë. Sa të shtëna ishin drejtuar mbi ato kodra në netët e shkuara, kur ndonjë dritëz na dukej si sinjal. Dhe tani ja ku janë duke zbritur drejt nesh. Po afrohen kështu ngadalë sikur po shkojnë në shetitje. Zërat e përhapur nëpër qytet nga masa e të pa punëve po vijnë tani drejt nesh. Tani dallohen qartë. Në pamje të parë nuk kanë asnjë shenjë se duan luftë, megjithatë duken absolutisht inkoshientë. Qyteti sikur murmurin. Disa lëviznin. Të gjithë lëviznin. Disa thërrisnin. Pastaj zëra të kryqëzuar. Urdhëron komanda. Tendat acarohen, barakat vjellin ushtarë nga kapanonet, në grupe, në masë, të izoluar. Dhe pastaj mbas trinçesë. Secili në vendin e vet ende të pa vendosur, të gatshëm në pritje. Lufta ka mbaruar. Bateria gati, njerëz të lodhur, zile telefonash, komandat transmetoheshin gojë më gojë. Ndonjë arrin me vonesë dhe fundoset në teren bashkë me shokun dhe ngrin, pushka dhe toka me arrogancë prekin mjekrat tona.
Nga sipër nacionalistët vijnë si për një paradë të çuditëshme. Kjo radhë elementësh pak sipër tokës, ndaluar si në një lojë të çuditëshme. Tani janë shumë afër. Shumë duken të pa armatosur. “Mos qëlloni” ishte urdhëri për ne. “Prisni komandën. Do të sulmojmë vetëm në qoftë se na sulmojnë”. Sa janë? 600, 800? Ç’farë duan? Nuk mund të ecet kështu me kapadaillëk përpara mijëra njerëzve të armatosur. Të gjithëve na kapin ethet. Tani po kalojnë në fushën e aviacionit me qetësi, duke folur mes tyre me sytë përdhe gati të pa përgjegjshëm përderi sa guxojnë. Ne ndjekim avancimin e tyre dhe i shikojmë drejt e në sy si për t’i pyetur për situatën. Ç’farë duan? Pse vijnë kështu indiferentë kur e dinë që mijëra gojë zjarri janë fiksuar dhe janë gati të marrin shenjë trupat e tyre? Masa e qetë afrohej ngadalë ndërsa duart tona shtrëngonin me nervozizëm armët. Veshët tanë tashmë kishin nisur të dëgjonin oshtimat. Por urdhëri është të mos qëllojmë dhe përsëritet nga komandantët. Në kullën e përgjimit në mes të qytetit ushtarak qëndrojnë komandantët e artilerisë dhe pushkatarëve. Edhe gjenerali është në vendin e tij. Ç’do gjë është gati dhe situata është gjithmonë në disfavorin tonë, që shohim rrethin të mbyllet dhe nuk mund të gjuajmë sipas urdhërit që na është dhënë.
(Botoi Dielli ne numrine Gushtit 2013.Vijon ne numrin e ardhshem)