• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Protesta-Kryetari Basha: Çohu rini, çohu Shqipëri!-Rama ik! Meta ik!

December 8, 2015 by dgreca

Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha/

Të  dashur qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, Motra dhe vëllezër, Zonja dhe zotërinj,

Sot, në ditën tonë më të bekuar, në ditën e Lirisë, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të jashtëzakonshëm të qytetarëve të lirë, për të kërkuar njëzëri, si një trup i vetëm, për të diktuar me fuqinë e mendjeve dhe zemrave tona largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të bëje gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rama ik! Meta ik!

Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje.

Ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të  pranojmë duke bërë sehir largimin e  popullit,  largimin tuaj nga Shqipëria.

Ose të rrëzojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë.

T’i nënshtrohemi tiranisë së vjedhjes, krimit dhe varfërisë ose te reagojmë sot, nesër do të jetë vonë.

Rrugë të mesme nuk ka.

Nuk ka më kohë e nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me dyzet hajdutë.

Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë.

Pritja e mbaroi kohën e saj.

Propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre dhe tani ngjallin vetëm neveri, vetëm indinjatë.

Përballë  krizës që vetëm thellohet;

Përballë varfërisë që vetëm rritet;

Përballë korrupsionit dhe makutërisë marramendëse;

Përballë zgjedhjeve të marra peng me  dhunë dhe blerje votash;

Përballë rrugëve të mbyllura të fatit për çdo shqiptar, përfshirë edhe rrugët e eksodit  të  dhimbshëm;

Përballë 1001 të zezave që ju i dini fare mirë sepse i keni plagë në trup, në zemër dhe në shpirtin tuaj

Kjo është përgjigjja dhe nuk ka tjetër

Kjo është zgjidhja dhe nuk ka tjetër: Të largohen, të ikin, të shporren.

Kjo është zgjidhja që vjen nga vuajtja, dëshpërimi, nga zhgënjimijuaj.

Kjo është zgjidhja  që vjen vuajtja, nga poshtërimi që ju bën një kryeministër që si hakmarrje ndaj lirisë që shqiptarët e fituan 25 vite më parë, zgjohet dhe ngryset me fjalët burg, burg, burg, për njerëzit e thjeshtë.

Kjo është zgjidhja që vjen nga kundërshtimi, nga papajtueshmëria dhe revolta popullore kundër aferave të megakorrupsionit dhe vjedhjes masive të pasurisë publike nga e gjithë kupola qeveritare me në krye Edi Ramën.

Kjo është zgjidhja që vjen nga mbushja e kupës dhe vrasja e shpresës se me këtë qeveri s’mund të ketë as një ditë të mirë.

Është zgjidhja që vjen nga zgjimi i vrullshëm i një populli tërë:

Ç’janë këta që gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë dhe as skuqen, as nxihen?

Ç’janë këta që vjedhin, vjedhin, vjedhin dhe as skuqen, as nxihen, por vetëm fryhen e kapardisen?

Ç’janë këta që janë lëshuar si hordhi me kërbaç në dorë kundër popullit të tyre duke u mburrur se po bëjnë shtet.

Po bëjnë shtetin e tyre, shtetin ku pushteti i tyre është i veshur me krim, e krimi me pushtet.

Shtet ku ligjin e bëjnë narkotrafikantët, tutorët me të cilët ndajnë  paratë.

Shtet ku i pamunduri kalbet në burg për një kupon dhe kryehajdutët sa më shumë vjedhin aq më shumë kapardisen.

A është ky shteti ynë? Ky është shteti i tyre, e nuk mund të jetë e nuk është kurrë shteti ynë.

Të ikin, të largohen, të shporren!

Kjo është e vetmja zgjidhje për ta. Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në dy vite mandatin e saj katërvjeçar. Ajo është barrë shtesë, kosto shtesë për çdo shqiptar.

Me skandalet e tyre të përditshme, me bllokimin që i kanë bërë hetimit  kombëtar e ndërkombëtar të mega-aferave të tyre  të  pista,  Rama-Meta  nuk kanë të drejtë morale dhe politike për të vazhduar më asnjë ditë në detyrat që mbajnë.

Ikni, largohuni, shporruni!

Sepse kjo qeveri nuk është më në gjendje të korrigjojë kursin e saj të katastrofës kombëtare. Nuk munden, jo vetëm sepse janë të paaftë, siç e treguan në këto 2 vite, por edhe sepse më e keqja dhe më  fatalja, janë ata vetë që kanë kurdisur mekanizmin oligarkik të korrupsionit që mund ta ndalojmë vetëm duke e shkatërruar nga themelet.

400 milionë dollarë mungojnë nga tatimet dhe doganat.

400 milionë dollarë  është  shifra e tmerrshme e dështimit, shifra e tmerrshme e grabitjes, e korrupsionit, kontrabandës dhe  evazionit për llogari të  xhepave të Edi Ramës dhe lubive të tij.

Po kush është Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, kush  është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ku bëhet gjithë kjo batërdi? Kush është kryeoligarku? Asnjë iluzion. Ka qenë dhe është vetëm Edi Rama.

Atë e gënjen  mendja se  mund të vazhdojë  të vjedhë e t’i punojë doganat e tatimet si t’i kishte të vetat. E gënjen mendja se nuk ka kush ta shkarkojë.

Ka, ka  kush e shkarkon.

E shkarkojnë qytetarët, e shkarkoni ju.

Kaq do të mjaftonte për t’i dhënë duart, për ta flakur nga dritaret këtë bandë që pozon si qeveri.

Por nuk mbaron këtu.

Kanë zhdukur  tenderin, kanë zhdukur garën si asnjëherë më parë me qëllim që paratë publike që po i bëjnë rrush e kumbulla.

E ndajnë me njëri-tjetrin me mburrje, duke u treguar dhëmbët dhe madje edhe burgun atyre që i tregojnë me gisht si kusarë.

E keni dëgjuar, e keni ndjerë dhimbjen dhe jeni skandalizuar. Tenderi pa garë i “Jaguar” për Ramën dhe ministrat- se nuk ju rri rehat në  makinat  që kanë- i jepet  ndërtuesit të vilës së Ramës.

Tenderi tjetër 5 milion euro i jepet në tavolinë-ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës.

30 tendera për ortakun e Beqës së Shëndetësisë, tendera e koncesione pa garë, si pagesa të stërmajme nën dorë, për Vali Leskjan, për Kokëdhimën, për Ahmetjan, për Gjiknurtët, për deputetët, për oligarkët e rrethit të ngushtë Rama-Meta.

777  milionë euro para të djersës dhe gjakut tuaj që i ndajnë dhe i vjedhin në investime luksi dhe shërbime fiktive  që nuk i prek njeri, siç është i famshmi Check-up. Tenderi 100 milion dollarë që i është dhuruar oligarkes së oborrit.

Kjo del e tepron për ta flakur Edi Ramën dhe bandën e tij të 40 hajdutëve.

Por prapë nuk mbaron këtu.

5 net më parë bllokuan hetimin për CEZ-in. Hëngrën pa u skuqur dhe pa u nxirë fjalën e dhënë.  Treguan se janë përlyer deri në fyt. Pranuan se ata janë fajtorët, se ata janë hajdutët dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të shpërdorimit dhe vjedhjes së parave dhe pasurive publike ne punishten e madhe të kusarisë që punon natë e ditë, 24 orë nonstop,  për të shtuar e shumëfishuar pasuritë 200 milionëshe të Edi Ramës dhe luksin me 40 hajdutë e tij.

Qershia e zezë mbi këtë tortë që qelbet erë është narko-taksia e Saimir Tahirit,për narkotrafikantët me patentë. Shqiptarë a ju ka zënë ndonjëherë veshi një maskaradë  të këtij niveli? A keni parë apo dëgjuar në Europë apo në botë një ministër të Brendshëm në shërbim të trafikantëve të drogës që kapardiset  me dorën e kryeministrit në sup,  në vend që të shporret nga sytë këmbët dhe të përballet më ligjin?

Nuk meritojnë të quhen qeveri. Nuk janë qeveri.

Janë një bandë.

Bandë që s’ka ndërmend të ndalet po nuk i ndalem ne e po nuk i ndalëm sot.

Motra dhe vellëzër,

Nuk mund të ndodhë, nuk duhet të ndodhë të ikë populli dhe të qëndrojë qeveria. E kundërta po, e kunderta është sot mision, detyrë për çdo shqiptar.

Të ikin, të largohen, të shporren.

Populli është fuqia supreme në demokraci.

Ata mendojnë se kjo është parullë.

Ne duhet t’ju tregojmë se ky është ligji i artë i demokracisë.

Ata thonë se shqiptarët nuk e kapërcejnë dot kufirin e këmbënguljes  dhe vendosmërisë civile që e detyron një qeveri të bjerë në rrugë demokratike paqësore, siç bëjnë popujt e qytetëruar në demokracitë perëndimore, siç bënë së fundmi edhe fqinjët tanë në Maqedoni dhe Rumani.

Por ne jemi gati, ne jemi të përgatitur ta bëjmë këtë kapërcim të madh.

Ne nuk do të lodhemi, nuk do të nënshtrohemi. Ky është fillimi i një stine  protestash që do të ndalet vetëm kur të arrijë objektivat e saj popullore.

Ka nisur mosbindja civile.

Në këmbë qytetarë e qytetare. Në këmbë shqiptarë e shqiptare.

Largimi i qeverisë Rama-Meta është zgjidhja.

Qeveria teknike  është zgjidhja.

Çlirimi i vendit nga duart e kusarëve është zgjidhja.

Zgjedhjet e reja me rregulla  demokratike të shkruara e të zbatuara, është zgjidhja.

Na ka thirrur në këtë mision të ri 8 dhjetori i  vitit 1990, dita kur  studentët e lavdishëm të Universitetit të Tiranës shpërthyen Lëvizjen studentore demokratike për Shqipërinë si gjithë Europa.

Liri nga Tirania komuniste, ishte thirrja e tyre.

Liri nga Tirania e krimit, e korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë.

Ikni, largohuni shporruni!

Vëllezër e motra,

Shqipëria është e madhe për ne të gjithë. Atë e kanë zvogëluar injorantët dhe kusarët  në timonin e qeverisjes.

Pasuritë e Shqipërisë dalin dhe teprojnë për gjithë shqiptarët. Ato i kanë bërë të mangëta dhe mallkim shpirtvegjëlit dhe të babëziturit në timonin e qeverisjes.

Shqipëria mban e mund të mbajë me punë, mirëqenie e dinjitet shumë me shumë se sa jemi.

Atë e kanë bërë njerkë dorëmbledhur për shumicën e shqiptarëve një grusht peshkaqenësh me Edi Ramën në krye, që janë më pak se 1 përqind e popullisisë, por që zotërojnë mbi 90 përqind të pasurive tona.

Në cilin vend të lirë të  botës  ka ekzistuar dhe ekziston ky hendek, ky kontrast kaq i madh? Askund. Ky nuk është pushtet demokratik. Kjo është është xhungla e kleptokracisë.

Prandaj është çuar rinia, prandaj është çuar është çuar Shqipëria!

Çohu rini, çohu Shqipëri!

Ka shpëtim, ka rrugëdalje, ka  një të ardhme.

Alternativa e shpëtimit janë liria dhe ligji, taksat e ulta dhe qeverisja e përgjegjshme, llogaridhënia dhe transparenca, demokracia pjesëmarrëse dhe zgjedhjet e lira.

Por e gjithë  kjo kërkon si parakusht largimin e bandës së xhunglës, krijimin e qeverisë  teknike, përgatitjen e zgjedhjeve të reja ku populli do të zgjedhë lirisht qeverinë që dëshiron.

Dhe nuk ka forcë, nuk ka forcë ta ndalojë sot shumicën e bashkuar të shqiptarëve që vendosin të luftojnë pa kompromis, sot, nesër dhe çdo ditë për këtë zgjidhje. Nuk ka qeveri ta ndalojë.

Ne i kemi dalë zot dhe ne do t’i prijmë këtij vendimi. Le të jetë 8 dhjetori 2015 dita që kujton dhe bën histori. Le të shkruajmë së bashku një faqe të re ne historinë e civilizimit tonë.

Faqja ku shkruhet se shqiptarët u ngritën, u bashkuan dhe përmbysën me forcën e  bashkimit një qeveri që kish dalë nga binarët, që  i  vidhte, po i rrënon, dhe po i dëbonte.

Faqen ku shkruhet se shqiptarët nuk pranuan kokulur tiraninë e re. Se shqiptarët nuk ranë në natën e gjatë të padrejtësisë, korrupsionit, krimit dhe varfërisë.

se shqiptarët u ngritën dhe morën në dorë fatet e tyre. Faqen ku shkruhet se Shqipëria ngrihet, se shqiptarët ngrihen! Ngrihen dhe ecin përpara. Ngrihen dhe ecin drejt dritës së Zotit! Rroftë Liria! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 8 Dhjetor, Fjalimi i Luzim Bashes, ne proteste

8 DHJETOR, DITA E RINISE

December 8, 2012 by dgreca

 

TIRANË-Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e   pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë   iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore   që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Akti i tyre publik,   sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të   vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë   së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Me rastin e kësaj feste kombëtare nuk munguan mesazhet dhe nga arena   politike. Kryeministri u shpreh gjatë një koncerti festiv për të rinj   organizuar nga Ministria e Kulturës, kurse kryesocialisti Rama mblodhi të   rinj në një lokal rroku në qendër të Tiranës. Duke përmendur studentët   dhjetoristë, politikanët shprehën dhe mesazhet për rininë e sotme.

FATMIRA HAJDARI: DITË EMOCIONUESE
Bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari, udhëheqësit të lëvizjes së   studentëve të dhjetorit të vitit 1990 Fatmira Hajdari, e cila mori fjalën e   para në ceremoni u shpreh se kjo ditë përbën një emocion të vecantë.

“Është shumë emocionues ky moment që së bashku me këtë shi përurojmë bustin e   Azem Hajdarit, bashkëshortit tim, mikut dhe vëllait tuaj. Gjej rastin të   falënderoj kryeministrin që ishte iniciatori i këtij memoriali dhe ishte ai   që dha idenë që ky bust të qëndrojë këtu ku ka nisur dhe lëvizja studentore”,   u shpreh Fatmira Hajdari.

INAGUROHET BUSTI I AZEM HAJDARIT
Në “Qytetin Studenti”, ku 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të   Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e   protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën   rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë u inaugurua busti i tribunit të   lirisë Azem Hajdari. Në ceremoninë e zhvilluar pasditen e sotme ishte i   pranishëm kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili shoqërohej nga   bashkëshortja e të ndjerit Azem Hajdari dhe figura të njohura të PD-së.

Berisha: Azem ti je gjalle! Rini, me 23 Qershor votoni bashkimin kombetar,   hidhni poshte bllokistet

Kryeministri Sali Berisha mbajti një fjalim në koncertin festiv të organizuar   nga Ministria e Kulturës me rastin e Ditës së Rinisë.

Në një fjalim Berisha kujtoi me pathos ngjarjet e 8 Dhjetorit të vitit 1990   kur studentët shqiptarë u përleshëm me policinë në emër të lirisë së   Shqipërisë nga diktatura.
“Studentët e ‘90 u përballën me diktaturën hoxhiste. Më 8 dhjetor, studentët   dhe prijësi i tyre Azem hajdari gjunjëzuan diktaturën. Gjunjëzuan regjimin e   bllokmenëve primitivë që iu ndalonte shqiptarëve me ligje e kushtetutë   besimin te zoti, Krishti, Muhameti, pronën, lëvizjen e lirë, regjimin që edhe   pas rënies së perdes së hekurt vari disidentë shqiptarë në sheshet e qyteteve   tona, e në vitet 90 ekzekutoi në kufijtë me tela, 97 bashkëmoshatarët tuaj,   për fajin e vetëm se donin të lëviznin të lirë. Rroftë Azem Hajdari. Azem ti   je gjallë!”

Duke lidhur ditën e sotme me 23 Qershorin, ditën kur mbahen zgjedhjet   parlamentare, kryeministri u bëri apel të rinjve të votojnë kundra opozitës.
“Jam i bindur se ju të rinj dhe të rejat e Shqipërisë, po prisni me padurim   që me 23 qershor të rrëzoni murin e bllokimit të ëndrrës suaj evropiane që   kanë ngritur pinjollët e bllokmenëve hoxhistë. Të humbur kanë qenë ata që   janë përballur me ju, gjithmonë”.

Sipas tij, ata qe rrezuan regjimin hoxhist do te rrezojne edhe neobllokmenet   qe kane bllokuar me voten e tyre endrren evropiane te te rinjve.
“Ju sot nuk jeni të rinjtë e një vendi anëtarë të BE, ndërkohë që në   dhjetorin e vitit ’90 ju shpallët për moto Shqipëria si Evuropa, në 20 vite   ju të rinjtë e Shqipërisë, vendin tuaj e nxorët nga bunkeri hoxhist, më i   izoluar i botës, e bëtë anëtarë të aleancës së NATO, vendin e qytetarëve që   lëvizin të lirë. Sot pas 22 vitesh, bijtë e etërve që ngujuan Shqipërinë në   izolimin më të thellë përdorin votën e tyre në Kuvend, pushtetin që u kanë   dhënë qytetarët për të bllokuar endrrën tuaj evropiane, projektin tuaj   evropian”- tha Berisha.

Sipas tij, ‘neobllokmenët e rinj duan të hakmerren ndaj te rinjve për   Vaterlonë që ata i rezervuan ju etërve të tre në dhjetorin e vitit ’90’.

Po kështu së bashku me ditën e zgjedhjeve, kreu i qeverisë përsëriti idenë e   bashkimit kombëtar në sallën e mbushur me të rinj.
“Jemi një komb i vetëm që nuk na ndan asgjë kurrë në botë përveç kufijve të   padrejtë të vendosur me traktate të padrejta. Kufij që copëtuan në 5 copa   trupin e Shqipërisë”.

“Jam i bindur se ju do bëni ju të vërtetë ëndrrën e bashkimit kombëtar, ndaj   ju ftoj të gjithëve ju, të vazhdojmë ëndrrën e lirisë, më 23 qershor të   votojmë për lirinë, dinjitetin, për ëndrrën tonë kombëtare, Shqipërinë   Europiane, shqiptarët e bashkuar”

Rama apel te rinjve: Të bëjmë të mundur të pamundurën

Kryetari i Partisë Socialiste ka mbledhur sot të rinjtë në ambientet e një   lokali roku në Tiranë për tu folur mbi Ditën e Rinisë.
Rama theksoi se ajo ditë nuk i përket së kaluarës, sa i përket së tashmes dhe   së ardhmes.
“Ishte një ditë që do ta kujtonim si një ditë të shkuar, por 8 dhjetori është   një ditë e tashme për të folur për të ardhmen”.

Sipas Ramës, sot është dita për të ecur përpara.
“Ajo që unë dua të përsëris sot, 8 Dhjetori i 22 viteve më parë ishte momenti   kur të reja dhe të rinj si ju sot vendsoën të hedhin një hap të rrezikshëm të   marrin përsipër dicka që ishte një shtysë drejt një të panjohure. Asnjë nuk e   dinte se cfarë do ndodhte më pas, ndodhi ajo që ndodhi. Por, mund të ndodhte   që lëvizja e të rinjve mund të mos arrinte qëllim por edhe të dështonte, të   shtypej.
Sot nuk jemi ndryshe. Sot të ecim para në një rrugë të përbashkët është   domosdoshmëri. Të bëjë të mundur ëndrrat. E pra sot, më shumë sesa atëherë   është e qartë se nga hedhja e një hapi të mëtejshëm, duke u marrë me   politikën për të mos e lënë politikën të marrë para dëshirën tënde është një   investim i sigurt për veten tënde. Sot më shumë se atëherë është e qartë se   nga hedhja e një hapi duke u përfshirë në politikë, është një investim i   sigurtë për të nesërmen, që s’ka rrezikun që kishte 22 vite më parë, investim   që pa asnjë dyshim do e cojë më tutje për mirë rrugën e përbashkët”, u shpreh   Rama para të rinjve.

Në kujtim të ditës së Rinisë, Rama ka kujtuar vullnetin e të rinjve 22 vite   më parë, duke ftuar të rinjtë e sotëm të bëhen bashkë për qëllime të mëdha,   për ndryshim e për të bërë të mundur, gjërat që secili më vete i ka të   pamundura t’i bëjë.
“Njerëzit morën në dorë mundësinë për të vendosur vetë dhe varet nga njerëzit   se sa shumë duan ta përdorin mundësinë, varet nga secili prej jush se sa   dëshiron dhe sa vullnet ka që mundësinë për të vendosur vetë ta përdorë deri   në fund dhe më atë të bëjë të mundura gjëra që duken të pamundura. Asgjë nuk   është e pamundur kur të zakonshmit vendosin të përdorin mundësitë që kanë në   dispozicion, se njerëzit e zakonshëm janë të jashtëzakonshëm kur të   zakonshmit bëhen bashkë, për qëllime më të mëdha, ambicie më të mëdha, se sa   ato që realizohen secili më vete, pa realizuar këto nuk ka hapësirë për   ambicie vetjake”- tha Rama.

Majko: Kjo është dita e Studentëve dhe jo e Politikës
Deputeti socialist Pandeli Majko vlerësoi sot në rrjetin social Facebook,   se në këtë ditë të shënuar mungojnë ata njerëz që kryen betejën para 22   vitesh.

“ 8 dhjetor 1990 – 8 dhjetor 2012 Pak rreshta dhe shumë kujtime për Lëvizjen   Studentore të Dhjetorit. E vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e   Shqipërisë. Mungojnë të “munguarit”, Arben Broci dhe Azem Hajdari, si   stacione të kohës që jetuam…Cdo brez ka betejën e tij për të fituar”.

Sipas Majkos, kjo është dita e Studentëve dhe jo e Politikës.
“Vëllezër dhe motra kudo ku jeni, GEZUAR 8 Dhjetorin! Eshtë dita e studentëve   jo e politikës! Historia vazhdon… Mesazhi i Lëvizjes nuk ka ndryshuar!”.

8 Dhjetori
Për shkak të ngjarjeve të mëdha, ajo u njoh si Dita e Rinisë Shqiptare. 8   Dhjetori, është shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë,   në kujtim të Lëvizjes Studentore të vitit 1990.

Studentët protestues të dhjetorit ’90 kishin aspirata dhe ideale të larta   kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen “E   duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave   perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin   e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Me lëvizjen dhe idetë e saj u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë   qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore duke e shndërruar   Lëvizjen Studentore në një revolucion kombëtar demokratik. Vlerat e kësaj   dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e   tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë: një fituese dhe një të humbur. Koha tregoi   se të fituar ishin të gjithë, shteti, shoqëria dhe individët, partite( Newz   24)

 

 

 

 

 

KRYEMINISTRI NE DITEN E RINISE

 

Kryeministri Berisha përshëndeti sot të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit me rastin 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë, gjatë një koncerti të madh festiv të organizuar në Tiranë nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Në përfundim të fjalës së tij përshëndetëse, para qindra e mijëra të rinjve të pranishëm, Kryeministri Berisha lançoi edhe faqen e tij në Facebook. Duke i ftuar të rinjtë të komunikojnë së bashku, Kryeministri u shpreh “prej shumë vitesh shkëmbej qindra mesazhe në ditë me të rinjtë, me qytetarët shqiptarë kudo që janë dhe tani janë bërë me qindra e mijëra të tilla. Prej kohësh kam një dëshirë të madhe, një lakmi të thellë shpirtërore, që në Facebook të jem njëri prej miqve tuaj, të komunikoj me ju. Ndaj dhe zgjodha këtë ditë, këtë takim, për të ardhur tek ju me profilin tim në Facebook”.

Në fjalën e tij, me rastin e Ditës së Rinisë, Kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur të reja e të rinj të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Përshëndetje të përzemërta! Jam shumë i lumtur që kremtoj së bashku me ju 8 dhjetorin, ditën e rinisë, ditën tuaj, që është edhe ditëlindja e lirive dhe dinjitetit, të drejtave të mia njerëzore, si dhe të mbarë shqiptarëve. Ju, të dashur të reja dhe të rinj, jeni këtu bashkëmoshatarë me lirinë, por moshatarë me ju janë sot liritë individuale dhe dinjiteti njerëzor i të gjithë shqiptarëve, që hynë në dimrin e viteve ’90 si qytetarët më të shtypur, më të varfër, më të mjerë, më të izoluar, më të dëshpëruar të globit. Ata të gjithë festojnë me ju këtë ditë, si ditëlindjen e tyre të dytë.

Gëzuar festën tuaj, festën e lirisë së shqiptarëve!

Më 8 dhjetor të vitit 1990, studentët e Universitetit të Tiranës, me në krye tribunin e lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdarin, u përballën në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit me diktaturën më të egër në Evropë, me regjimin e bllokmenëve Hoxhistë që për 45 vjet me radhë persekutoi, burgosi, ekzekutoi me gjyqe apo pa gjyqe, iu mori jetën me sëmundje në burgje, kampe përqendrimi apo kooperativat e skllavërisë socialiste qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë.

Më 8 dhjetor 1990, studentët liberatorë dhe prijësi i tyre legjendar, Azem Hajdari, gjunjëzuan regjimin e bllokmenëve primitivë që iu ndalonte shqiptarëve me ligj dhe kushtetutë besimin tek Zoti, tek Krishti, tek Muhameti, iu ndaloi pronën, lëvizjen e lirë, regjimin që edhe pas rënies së Perdes së Hekurt vari disidentë në sheshet e qyteteve tona dhe që vetëm në vitin 1990 ekzekutoi në kufijtë e rrethuar me tela me gjemba të Shqipërisë 97 bashkëmoshatarët tuaj, për fajin e vetëm se ata donin të lëviznin të lirë dhe me një akt makabër zvarriti në rrugët e Sarandës dhe Shkodrës, trupat e njomë, të pa jetë të tyre, për të terrorizuar të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë.

Azem, ti je gjallë!

Nga data 8 dhjetor e vitit 1990 dhe në vazhdim, energjitë tuaja rinore të pashtershme, entuziazmi juaj i pakufishëm dhe vizioni juaj evropian, guximi qytetar i të rinjve, do të shndërroheshin në uraganin e lirisë që do të përmbyste më 22 mars të vitit 1992 diktaturën hoxhiste, do të ndante epokat dhe historinë e shqiptarëve.

Nder për jetë studentëve të dhjetorit, studentëve liberatorë!

Të dashur të reja dhe të rinj shqiptarë,

Më 28 nëntor të viti 2012, kombi që 100 vjet më parë parashikohej të fshihej nga faqja e dheut, nga trojet e tij mijëra vjeçare, shqiptarët e shqiptaret në trojet e tyre dhe kudo në botë përjetuan, gëzuan dhe kremtuan festën e të gjitha festave të 100 viteve të fundit. Ata nga thellësitë e shpirtit derdhën në vatrat e tyre familjare, në rrugët e sheshet e qyteteve, fshatrave të tyre, shkollave, lokaleve gëzimin, harenë, ngrohtësinë, respektin, dashurinë më të madhe për njëri-tjetrin, për baballarët, për gjyshërit e tyre, për fëmijët, për flamurin e Skënderbeut, për tokën e tyre, për Skënderbeun. Por, më 28 nëntor dhe çdo ditë të vitit të 100 të pavarësisë së Shqipërisë të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë, të moshuarit, të gjithë shqiptarët kudo që janë sot të lirë u ndjenë, mbi të gjitha, më krenarë se kurrë ndonjëherë më parë me trimërinë, guximin, heroizmin, sakrificën, atdhetarizmin, flamurin, fitoret e tyre. Nga thellësitë e shpirtit të tyre mijëra vjeçar, nga çdo por i qenies së tyre fisnike jehoi më fuqishëm se kurrë kushtrimi – “Krenar me qenë shqiptarë!”

Krenarë me qenë shqiptarë, por shumë më krenarë me qenë e re dhe i ri shqiptar, sepse në një kohë kur kombi dergjej, lëngonte nën diktaturën më të egër të Hitlerit të pas Luftës, në një kohë vendi ishte ngujuar në bunkerin e vet-harresës dhe kur bota po harronte emrin e tij, të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi u ngritën me kurajo mbinjerëzore dhe në një betejë si ajo e Davidit me Golian, shkallmuan dyert e mbyllura për lirinë e shqiptarëve, na rikthyen ne lirinë dhe dinjitetin e munguar, bënë të lirë shqiptarët në Shqipëri.

Zoti i bekoftë ata, ju dhe rininë shqiptare!

Krenar me qenë shqiptarë dhe më krenar me qenë i ri shqiptar. Ju vërtet sot nuk jeni të rinjtë e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, ndërkohë që në dhjetorin e vitit ’90 ju shpallët për moto “Shqipëria si Evropa”, por në 20 vite ju, të rinjtë e Shqipërisë, nxorët vendin tuaj nga bunkeri hoxhist, nga vendi më i izoluar i botës dhe e bëtë atë vend anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendin e qytetarëve që lëvizin të lirë pa viza në mbarë Evropën.

Sot, pas 22 vitesh, bijtë e etërve që ngujuan Shqipërinë në izolimin më të errët në tërë historinë e saj, përdorin votën e tyre në Parlament, pushtetin që u kanë dhënë qytetarët që ju bënë të lirë, për të bllokuar projektin tuaj evropian. Neobllokmenët e rinj duan të hakmerren ndaj jush, për ‘Vaterlonë’ që ju u rezervuat etërve të tyre në dhjetorin e vitit 1990.

Unë jam i bindur se ju, të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, po prisni me padurim që më 23 qershor të vitit që vjen të rrëzoni me votën tuaj të lirë murin e bllokimit të ëndrrës tuaj evropiane që kanë ngritur pinjollët e bllokmenëve hoxhistë.

Të humbur kanë qenë gjithmonë ata që janë përballur me ju.

Ne do të fitojmë!

Krenarë me qenë shqiptarë dhe më krenarë me qenë i ri shqiptar, sepse vërtet ju sot nuk keni nivelet më të larta të shkollimit, të shoqërisë dixhitale dhe të punësimit siç meritoni, por ju sot keni ritmet më të larta në Europë të shkollimit. Sot, 92% e të rinjve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe 72% e maturantëve tanë ndjekin përkatësisht shkollat e mesme dhe universitetet e vendit. Ne duam votën tuaj për të kapur së bashku, në mandatin e ardhshëm, cilësitë më të larta të shkollimit, për tu bërë ju arkitektët e vërtetë të së ardhmes së shkëlqyer tuaj, të shqiptarëve, të fëmijëve tuaj, të brezave që vijnë.

Krenar me qenë shqiptar, më krenar me qenë e re ose i ri shqiptar. Unë e di se sot ju ende nuk keni nivelet më të larta të shoqërisë dixhitale, të cilat mendja juaj reaktive, imagjinata juaj e pakufishme po i pret me padurim, por ju, përsëri, keni ndër ritmet më të larta në botë të rritjes së Shqipërisë dixhitale. Vetë gjashtë vjet më parë përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8%, kurse sot ai është 13 herë më i lartë. Sot ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë, komunikoni në Facebook më shumë se të rinjtë e shumë e shumë vendeve të zhvilluara. E kam për nder, e kam për kënaqësi të jem në Facebook që sot, që Ditën e Rinisë, si një mik i çdonjërit prej jush. Ju ftoj të bashkoheni me mua, të komunikojmë lirisht. Ne e duam votën tuaj, votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, për të ngjitur së bashku Shqipërinë në majat më të larta të shoqërisë dixhitale.

Sot është krenari me qenë shqiptar, por dhe më krenari me qenë i ri dhe e re shqiptare, sepse ju sot ende nuk jeni të rinjtë e një vendi të pasur, apo një vendi të zhvilluar, por në një hark kohor të shkurtër prej dy dekadash mundi, djersa, energjia, mençuria, vizioni juaj, Shqipërinë e rrezuar përdhe, që përpëlitej e dergjej në varfëri ekstreme, e ngritët në këmbë dhe me shpejtësi po e ngjisni atë, po e çoni të sigurt në zenitin e zhvillimit. Shqipëria është zhvilluar dhe rritur këto 20 vite më shpejt se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë. Ajo me padurim pret votën tuaj si eliksirin e saj më 23 qershor, për t’i dhënë mandatin që ta shndërrojë atë në vend të zhvilluar, në Shqipërinë evropiane. Unë e di, gjithashtu, se sot jo të paktë janë të rinjtë dhe të reja e papunë, por të gjithë e dinë se në këtë kohë krize më të thellë që Europa ka njohur, Shqipëria është i vetmi vend që ka dyfishuar eksportet, trefishuar investimet dhe jo vetëm nuk ka pasur rritje, por ka pasur ulje të papunësisë. Unë ju jap fjalën ju se do të bëj gjithçka që votën tuaj të 23 qershorit ta shndërroj në mirësi, në vende pune, në punësim për ju, të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë.

Krenar me qenë shqiptar dhe shumë më krenar i ri shqiptar, sepse për 100 vite me radhë ju ishit guximi, trimëria, heroizmi, shpirti i pamposhtur i kombit shqiptar. Për shqiptarët rinia dhe liria janë një binom përjetësisht i pandarë. Betejat tuaja për liri dhe dinjitet njerëzor janë legjenda e vërtetë trimërisë, sakrificës, atdhedashurisë. Ishit ju, ishin të rinjtë e kombit shqiptar që 100 vjet më parë u përballën me aleanca barbare që u vërsulën të tërbuara mbi trojet etnike shqiptare për copëtimin e tyre, shuarjen nga harta të kombit tonë të lashtë. Ishin luftërat, kryengritjet e mëdha të të rinjve shqiptarë të të gjitha trojet etnike, të fillimit të shekullit të shkuar, që tronditën Evropën dhe botën, si dhe bënë të mundur shpalljen në Vlorë të pavarësisë së Shqipërisë. Dhe më pas, pas pushtimit të ri të vendit, do të ishin djemtë dhe vajzat shqiptare që do t’i kthenin ditën e parë pushkën okupatorit dhe në vitet në vazhdim do të krijonin në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo që ishin njësitë e luftëtarëve të lirisë dhe me një rezistencë të pamposhtur, beteja heroike, me gjakun, jetën, rininë e tyre do ta rreshtonin kombin në anën e fitimtarëve, do të dilnin fitimtarë nga një luftë mizore.

Sot, në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, në këtë 22 vjetor – ditëlindje të lirive tona, është krenari me qenë shqiptar, por më shumë krenari me qenë i ri dhe e re shqiptar, sepse jeni ju, vajzat dhe djemtë e kombit që vetëm 14 vjet më parë, sërish si luftëtarë lirie, u mblodhët nga të katër anët e botës shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora, emigracioni, Evropa, Amerika e kudo që ishit, dhe u përballët në qytetet, fshatrat, në fushat dhe malet e Kosovës dhe trojeve të tjera etnike shqiptare me pushtuesit e shekullit, zhvilluat luftën e fundit çlirimtare të Europës, luftuat dhe fituat kundër një armiku të egër, shumë e shumë herë më të fuqishëm. Mijëra të reja dhe të rinj ranë në fushë-beteja për të fituar pavdekshmërinë, por ata me sakrificën e tyre sublime i rikthyen kombit lirinë kombëtare, e cila për një shekull ishte grabitur nga pushtuesit.

Sot, është krenari me qenë shqiptar, por më krenari se kurrë me qenë i ri shqiptar, sepse ju, të rejat dhe të rinjtë e këtij kombi, këto 100 vite ishit dhe jeni më shumë se çdo gjë tjetër misionarë të lirisë shqiptare, misionarë të lirisë së kombit shqiptar. Shqiptarët sot janë të lirë dhe ata lirinë e tyre ua dedikojnë vetëmohimit, sakrificës, flijimit, martirizimit të vajzave dhe djemve të kombit tonë. Por, përsëri shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete. Unë, siç kam besim tek Zoti, kam besim se do të jeni ju, të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, që nuk do të pranoni kurrë të mbeten të shuara ëndrrat e dhjetëra mijëra bashkëmoshatarëve tuaj që flijuan jetën dhe rininë e tyre për ëndrrën më të bukur, idealin më të shenjtë të shqiptarëve, atë të bashkimit kombëtar. Ne vërtet sot jetojmë në pesë shtete, por ne jemi një komb i vetëm, me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me një gen, me një gjak, me një prijës të pamposhtur – Skënderbeun, me një flamur. Ne jemi një komb i vetëm që nuk na ndan dot asgjë në botë, përveç kufijve të vendosur me zjarr, me hekura dhe traktate të padrejta mbi trupin e kombit dhe trojeve tona, kufij të cilët copëtuan në pesë pjesë trupin dhe trojet shqiptare që dergjeshin pas shekujsh robërie.

Unë jam këtu sot më besimplotë se kurrë tek të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, se ju nën moton “të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën” do të shëroni plagët që rrjedhin prej një shekulli në trupin e kombit tonë, do të bëni të parëndësishëm kufijtë që e copëtuan atë, do të bëni të vërtetë ëndrrën e bashkimit kombëtar.

Ju ftoj të gjithëve ju të vazhdojmë betejën tonë të lirisë. Më 23 qershor të votojmë për liritë, të votojmë për dinjitetin, të votojmë për mirëqenien, të votojmë për ëndrrën tonë kombëtare, Shqipërinë evropiane, shqiptarët të bashkuar.

Zoti i bekoftë të rejat dhe të rinjtë e këtij kombi!

Zoti i bekoftë shqiptarët, flamurin, idealin e bashkimit të tyre!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Gëzuar!”
08/12/2012

Filed Under: Kronike Tagged With: 8 Dhjetor, Dita e Rinise

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT