Në kujtim të 30 dibranëve të humbur mes dallgëve/
9 mars… !
Kjo datë, kjo ditë, nuk figuron në asnjë kalendar as si ditë e bardhë dhe as si ditë e zezë. Është lënë në kornizën e një dite të zakonshme, si të gjitha ditët e tjera të rëndomta të kalendarit të jetës. Kështu e kanë lënë politika dhe politikanët, publicistika dhe publicistët, familjet dhe familjarët. Askush prej tyre, këto TETËMBËDHJETË vjet, që nga 9 marsi i vitit 1996, nuk është kujtuar dhe nuk kujtohet për të hedhur pak dritë për të çarë pak errësirën e natës së madhe që mbështolli ajo ditë. Një natë që të vë gishtat në sy, nën ujë e mbi ujë…
Natën e 9 marsit të vitit 1996, e premte në të shtunë, tridhjetë dibranë u tretën si kripa në ujë në ngushticën detare të Otrantos në udhëtimin klandestin drejt Italisë…
As mëngjesin e së shtunës, të dielë, të hënës, të martës, të mërkurës…as edhe një lajm, as edhe një germë e shkruar në gazetat e kohës, as edhe një zë në të vetmin televizion e radio të vendit !
Një fonogram nga Vlora në adresë të komisariatit të policisë të Peshkopisë përcillte lajmin e kobshëm se një djalë i ri nga Kllobçishti i Maqellarës, Sulejman Qoku, ishte gjetur në brigjet e Italisë, i mbytur…
Ishte ky “zë në kasafortë” që do të trondiste jo vetëm familjen Qoku por edhe dhjetëra familje të tjera që dinin se me të kishin qenë edhe djemtë e tyre. Kjo bëri që në zyrat e PTT në Peshkopi e Maqellarë të vërshonin burra e gra, nëna e motra me lot në sy në përgjigje të pyetjes “Ku janë djemtë tanë?”…
I kam jetuar dhimbshëm ato momente…
Më 14 mars 1996, e enjte, në një cep në faqen e parë të gazetës “Zëri i Popullit” botohet shkrimi: “Viktima të eksodit” – Një i mbytur në det dhe 30 të tjerë të humbur. Të gjithë nga Maqellara e Dibrës.
Ishte shkrim me firmën time…
Më 15 mars, e premte “Gazeta Shqiptare” boton lajmin mbi humbjen e një skafi ku kanë qenë ”34 vetë nga Dibra” dhe gjetjen në brigjet e Otrantos të kufomës së Sulejman Qokut nga Maqellara.
Më 27 mars, e mërkurë, Televizioni Shqiptar, pas 18 ditë heshtjeje, më në fund bëhet i gjallë. Spikerja njofton thatë se në brigjet e Italisë është gjetur një kufomë dhe se 29 dibranë të nisur me një skaf më 9 mars kanë humbur…
Më pas asnjë lajm, asnjë zë, as në gazeta, as në radiotelevizion, as në Kuvend, as nga “e majta” në opozitë, as nga “e djathta” në pushtet, asnjë veprim demokratik – protesta të familjarëve, greva urie…
Shteti dhe partitë politike ishin në ethet e zgjedhjeve të 26 majit 1996. Tragjedia dibrane e 9 marsit 1996 ishte hedhur në koshin e harresës…
* * *
Koha kalon. Deti Jon përsëri ngre dallgë. Vjen 28 marsi i vitit 1997. Vjen tragjedia e madhe ku “kateri i radhës” goditet nga “Sibila” dhe Otrantoja merr në gjirin e vet të errët shtatëdhjetë e ca jetë njerëzish, burra e gra, fëmijë që ende nuk kishin hedhur hapin e parë mbi tokë…
Kohët kishin ndryshuar. Zërat në kërkim të njerëzve formuan dallgë të mëdha, dallgë që kurrë, as atëherë dhe as sot e kësaj dite, nuk janë qetësuar…
…Më 28 mars, çdo vit, në gjirin e Vlorës dhe në det të hapur, nëna e nuse shamizeza u hedhin valëve lule të pranverës, të asaj pranvere që ata e lan pas në kërkim të një pranvere në vende të tjera…
… 9 janar 2004. Përsëri Otrantoja merr jetë njerëzish, kësaj radhe 28 vetë, 27 prej të cilëve shkodranë…
Nuk po zgjatem në përshkrim të “varrezës” gjigante të Otrantos, varrezë pa varre. Po kthehem tek “Tragjedia dibrane”…
Më 15 janar 2004 ministri i rendit Toska, duke bërë një përmbledhje të viktimave që humbën në valët e detit për herë të parë deklaron publikisht në Kuvend: “Do të isha i padrejtë të mos përmendja edhe tragjedinë e 30 dibranëve më 9 mars 1996 që u mbytën; askush nuk tentoi t’i shpëtonte dhe mizorisht fakti iu fsheh publikut dhe familjeve të tyre!”
Më 29 mars 2005 (sipas shtypit) ministri Toska bën një vizitë në familjen e Abdulla Hakores në Brezhdan i cili humbi djalin në këtë ngjarje tragjike. Ndërsa u ka dhënë familjarëve lajmin e hidhur ka qenë i pari që i ka ngushëlluar sipas zakoneve të vendit. Ministri Toska ka premtuar në emër të qeverisë se do të shihen të gjitha mundësitë për të ndihmuar financiarisht fëmijët e viktimave…(!)
Në një letër të hapur në adresë të ministrit Toska më 2 prill 2005 shkruaja:
Ju i nderuar Ministër thoni:
“Nga kontrolli i dokumenteve përkatës rezultoi se në vitin 1996 Policia Italiane ka njoftuar Policinë e Vlorës për gjetjen e dy kufomave me emrat Sulejman Qoku dhe Petrit Qoku nga fshati Kllobçisht i Maqellarës dhe më pas edhe katër kufoma të tjera të cilat nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit” (!)
Unë, në atë kohë, kam pas mësuar për gjetjen e kufomës vetëm të njërit, të S. Qokut që deputeti i PD-së, njeri i afërt i tij, Agron Qoku shkoi dhe e njohu vetë dhe e solli në Kllobçisht ku ka edhe sot e kësaj dite varrin e vet. Ju jepni edhe një emër, që të paktën unë nuk e kam ditë si të vdekur, të Petritit, por nuk jepni emrat e katër personave të tjerë që “nuk mund të identifikoheshin për shkak të dekompozimit”. Një përgjigje të tillë mund ta presësh nga kushdo por jo nga një ministër rendi. Çelësi për identifikimin e kufomave tashmë është kaq i njohur sa është bërë dhe po bëhet edhe në dhjetramijëra apo më shumë njerëz, viktima të Cunamit, është ADN-ja. A është bërë, qoftë edhe një veprim i vogël në testimin e atyre kufomave nëpërmjet testeve bashkëkohore? Me njoftimin që dhatë mendoj se keni sjellë një tronditje të re, të thellë, midis familjarëve të viktimave. Ata, me siguri, duan të dinë emrat e atyre djemve, të marrin eshtrat dhe t’i varrosin në fshatin e tyre, pranë dhimbjeve të tyre. Këtë, i nderuar Ministër, duhet ta bëni. Dhe ta bëni sa më shpejt të jetë e mundshme”.
Kaq është hapësira informative për djemtë e Dibrës. Shteti pas 9 vjetësh i deklaron të gjithë të mbytur. Katër prej tyre nuk u ve as emër dhe as mbiemër. Ata janë varrosur në tokën italiane pa identitet. Për të tjerët, ata që i mori deti, nuk flitet fare përveç një personi i cili edhe në vitin 2008 deklaron se ata “mbahen peng” në një burg të sigurisë së lartë në Korfus të Greqisë duke i dhënë ngjarjes ngjyrë mitologjike…
Tragjedia dibrane ndodhi në prag të zgjedhjeve të 26 majit 1996, zgjedhje të njohura për dhunën dhe arrogancën, për manipulimin ekstrem. Politikës së djathtë në pushtet nuk i interesonte publikimi i ngjarjes. Kështu do t’i deklaronte “shoqërisht” një gazetari një personalitet i lartë i shtetit të kohës: “Ata janë mbytur por ne nuk na intereson publikimi i ngjarjes”.
Ishte i justifikueshëm për partinë demokratike në pushtet një veprim i tillë. Heshtja për të ishte votë për zgjedhje.
Por a ishte e justifikueshme heshtja në ato ditë të marsit, prillit dhe majit 1996 për partinë në opozitë, atë socialiste?
Pse deputetët socialistë nuk thanë as edhe një fjalë të vetme në Kuvend?
Kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet dhe “fjala kryengritëse” në kërkim të të vërtetës së 9 marsit 1996 është zënë (apo e kanë zënë) në fyt.
Më 9 janar të vitit 2009, në përvjetorin e pestë të “Tragjedisë së Karaburunit” as gazetat, as televizionet, as politikanët as familjet nuk heshtën. Nuk heshtën as edhe ato ditë kur tre shkodranë me tre arkivole të hapur kërkojnë nëpërmjet grevës së urisë ose të sillen eshtrat e fëmijëve të tyre ose të futen ata të vdekur. Politika e të dy krahëve të mëdhenj, PD e PS, hesht.
Të mos heshtësh, të ngrihesh në këmbë, të protestosh me të gjitha mënyrat demokratike është shenjë kulture, shenjë qytetërimi të atij kahu që kërkojmë të shkojmë të gjithë.
Shkodra nuk hesht dhe nuk do të heshtë kurrë për 9 janarin 2004.
Vlora nuk hesht dhe nuk do të heshtë kurrë për 28 marsin 1997.
Mua, si gazetar, më ka takuar fati i keq i përcjelljes publike të një ngjarje të rëndë. Do të doja të jenë gjallë, qoftë edhe në një “burg të sigurisë së lartë”, të mbyllur si në legjendat dhe mitet e moçme helene. Por mbi të gjitha do të doja të vërtetën, do të doja që njerëzit pranë ngjarjes të flasin, do të doja që arkivat të hapen deri në rreshtin e fundit. Nuk e dua unë. E do e vërteta, e do historia. Ata djem, duam s’duam ne, donë apo nuk donë politika, kanë hyrë në histori, janë bërë pjesë e tragjedive shqiptare të këtij tranzicioni pa kuptim.
Sot është 9 mars. Jam larg Dibrës, që të ndalesha pak tek ura e Topojanit e t’i jepja Drinit një tufë “kukrekësh – Dite Vere” për t’ia përcjellë…detit.
Jam larg Vlorës që, bashkë me shamizezat dibrane, të hidhja edhe unë një karafil mbi dallgët e detit…
Jam larg atdheut por pranë detit, një deti të huaj. Po këpus nga pjeshka e kopshtit ku punoj një degë me lule të sapoçelura. Po e hedh në detin e Pireut duke iu lutur dallgës t’i çojë në detin e shpirtit të “Djemve të Dibrës”
Abdurahim Ashiku
Athinë, 9 mars 2014