Nga Adem Gashi/*
Po e nis diskursin përurues për poezinë e Migenës me një vaki të natyrës redaktuese. Një prej autorëve të shumtë që unë kam redaktuar, kishte vite që ngulmonte t’ia redaktoja një vëllim me poezi. Duke ditur se autorët kanë shumë kërkesa, unë ngula këmbë në vetëm një kusht. I thashë: në çastin që e marr dorëshkrimin, unë harroj autorin. Migenës nuk ia vura as këtë kusht sepse nuk e njihja dhe as kisha lexuar gjë nga ajo. Dorëshkrimi i saj më bindi se nuk ishte e papërvojë në fushën e krijimtarisë letrare, se mbi të gjitha autorja ishte e begatë me kulturë gjuhësore, sepse gjuha është mjeti i domosdoshëm për këtë lloj krijimtarie. Natyrisht, edhe kjo autore kishte një kërkesë këmbëngulëse, shifrën njëqind. Në dorëshkrim qenë njëqind e dy poezi (një fatmirësisht e përsëritur dhe vetëm një për viktimizim). Megjithatë e pranoj se kërkesa nuk qe e natyrës thjesht formale, ngase libri do të botohej në kuadër të nëntorit të njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Poezitë pa përjashtim ishin të realizuara në gjithë paramentrat estetikë për botim, madje edhe ajo e viktimizuara. Në këtë punën e strukturimit formal të librit, duke gjetur lëvizjen si emanacion të përmbajtjes, i rekomandova autores titullin “Midis ritmeve”, por me të drejtën autoriale, ajo nxorri si argument arkivin e saj artistik, stisur shumë kohë më parë, sa në kornizën e mbamendjes, po aq edhe në kohën e shkrimit të tyre. Njëqind lirikat e Migenës dëshmojnë se ajo vjen në botën poetike me verbin e saj, sa origjinal në plan perceptimi të botës e jetës, po aq edhe në plan të realizimit artistik pa ndrojtje dhe pa pozë dukjeje. Njësia e parë që përthekon këtë cikël poezish, “Orët e jetës time”, mëqaket me motive loti, kolovajze, vdekje kali, vetmi hëne, ecje së prapthi, krejt si një lojë fëmijërie. Reminishenca që brumëzojnë lirika të ndjeshme. Njësia e dytë “Më trembin orët kur jam pa ty”, ngre në fron motivin e përjetshëm të dashurisë, motivin e kurorës të kësaj lirike i cili nga përmasa universale ngre fole në botën intime individuale dhe anasjelltas. Në këtë cikël poezish Migena jo vetëm ndihet e sigurtë por ka guximin që të bëj flirte formaliste duke provuar akrostikun, rimën e brendshme, bashkëbisedimin ose dialogun midis vetjeve si sekuenca dramatike të mbushjes shpirtërore. Herë- herë ajo i vë në funksion subjektesh edhe shenjat e pikësimit, një animizëm a metonimi që i bën të flasin pikëpyetjet, edhe presjet, edhe shenjat e tjera. Tek njësia e tretë “Koha që s’ecën”, regjistri i motivacionit vjen më i ngrysur, më i rënduar, më cerebral. Në fjalësin e saj poetik bëhet popullimi me nocione që dalin nga togfjalëshi habitor: Kujtimet qenkan lagur, si ikje, ndjekje, vdekje, vuajtje, bosh, mërzi, lodhje, ëndrra, e të tjera. Por pavarësisht amullisë së kohës që nuk ecën, ajo ruan ekuilibrin duke i shndërruar xhevahiret e zeza në gjerdan poezie. Njësia e katërt “Vdekje indiferencës” përmbledh lirikat që ashpërsojnë shqiptimin e ndjenjave, marrin referencë nga e vërteta, vetëdija dhe arsyeja, duke dëshmuar se Migena di të rebelohet e të ngrejë zërin e protestës, jo duke u kamufluar pas subjektit lirik po drejtpërdrejtë nga vetja. Motivet e atdhetarisë, shpesh të folklorizuara këtyre ditëve dhe sidomos vitin që shkoi, tek ajo janë zëvendësuar me motive qytetarie, duke u përmbajtur me një disiplinë e kulturë arti nga butaforia vrasëse skematike. Mendoj se konstatimi vlerësues që i rri më pranë kësaj lirike është kapja e jetës në lëvizje, aty ku koha dhe hapësira shkrihen në ritme, midis të cilave galon qenia e dashuruar. Natyrisht, nuk mungon as kundrimi ironik i dramave jetësore që, kur e kur, merr intonim thuaja sarkastik. Në perceptimin e lexuesit, poezia e Migenës vjen si një balerinë poetike që stis art në ritmin e lëvizjeve. Fundja, a nuk është Lëvizja fundament i materies?! Duke respektuar ritualin përurues për librin në kuadër të festës poetike të Gjakovës, Mitingut të 49-të të poezisë, nuk më bëhet të përfundoj fjalën time pa kapakun e florinjtë konstatues: Libri i Migenës është nga librat e rrallë më poezi që ruan në mënyrë të qëndrueshme ekuilibrat, pa amplituda rrënuese. Më ka rastisur të lexoj vëllime poetike ku nga një poezi antologjike në një faqe, në faqen tjetër shfaqet një skarto, një hedhurinë thuaja e palexueshme. Merreni këtë libër të autores Arllati. Hapeni në cilën faqe të doni, si ta sjellë rasti dhe do ta gjeni pa asnjë drojë lirikën e pastër me vulën e shprehjes së lëngshme e me musht jete të Migenës.
* Redaktori i librit
Migena ARLLATI, vëllimi me 100 poezi “Mendime në kornizë”
- 1. KONCEPT I GABUAR KOHE
Ndodh që ditët
të më duken vite,
ndodh që çastet
të më bëhen të palëvizshme,
ndodh që jetën
ta ndërroj me një orë.
Shfrenimi i Zotave Perëndi
Do të lumturohej si asnjëherë.
- 1. NËPËR ËNDËRRA ZGJUAR
E luta laureshën
të ma falte këngën,
ta këndonte për mua,
gjumi të më lodhej
e sytë të më mbylleshin.
Nënstrehët e dritareve
roje gati-tu qëndrojnë,
e lëshohen ultratinguj
që kujtesën time ndjekin.
Këngë e laureshës…
jo kaq fort,
kapërceje refrenin,
jo kaq fort!
Magjirat më ndjell
dhe endjet nëpër çaste gëzimi.
Ti, o këngë që më kënaqe,
ti, o këngë që të mirëpres,
ti, o këngë që ma largove fjetjen!
- 2. LOTË
U lodha së numëruari
dyqind pika loti
që nesër katërqind
presin të bëhen.
Si rrjedhin lotët?
Katërqind, tetëqind, dymijë e dyqind pika lot.
Sa e sa mijëra të tjera lot
që s’quhen më pika
po hauze, dete e oqeane sot.
Siç rrjedhin pa pushim
mes pllajave-faqe
të mjafta për përmbytje jo të një qenieje
po të një bote të tërë në paqe.
- 3. HËNA DHE TI
Nuk kam ëndërruar hënën të ulur mbi mua,
nuk kam ëndërruar lumin të shkojë lart,
po edhe nëse i kam ëndërruar
ato janë ashtu siç janë
në trajtën e tyre të origjinës.
Ty,
kam ëndërruar të të njoh,
dhe të të dua pa skaj,
pas dashurisë, dihet pastaj.
Sot ëndërroj të të takoj
pavarësisht të gjithave.
E ç’më duhet hëna mbi krye
kur mbi çdo gjë ti je,
e ç’më duhet të shoh lumin në ajër
kur mendjet tona takohen në re!
- 4. VEÇ KURORËN
Pa titull është kënga ime,
këndojeni si të doni!
Pa kuptim është fjala ime,
le ta shajnë gjithkund!
Dhe vështrimet pa drejtim janë,
le t’i marrë kush të dojë!
Dhe qiellin nuk e dua,
ndajeni mes jush atë që më takon!
Veç ti, o mbret
falma kurorën
një çast para vdekjes!
- 5. LUMTURIA
Lumturia,
kjo përrallë jetësh
më kujton sythin e palidhur,
ende të padalë
këputur nga djersa,
kalloja,
cingërima…
Lumturia,
në një barsoletë shekujsh
është kthyer!
- 6. PËR NE TË DY
Mirë qofshim edhe në jetën që na pret,
Bizhuteri në zemra varur,
Idili i dashurisë mëkatare
E sjelltë mes nesh të bukurën parajsë!
Gënjehet jeta me kalendarë,
Hiret tona botën vrasin
Etyde me yjet duke thurur çdo natë.
A do jemi të tillë edhe nesër, vallë?
Netëve të ndjera u bëfshim serenadë!
Ravijëzohet buzëqeshja lart mbi bust.
A do të jemi gjithmonë kështu vallë?
- 7. DASHURI MATEMATIKE
Po qe se: një edhe një
bëjnë dy
atëherë kuptohet: unë dhe ti
formojmë një çift.
Ç’shprehje abstrakte!
Një njësh i njehsuar në një
dhe një dysh i dyzuar nga vetë fjala.
Po unë dhe ti të tillë jemi,
a mos përqafim i errësirës
pasuar nga një puthje e vjedhur,
na kanë shtuar delikatesën?!
- 8. TERS
Cili është tersi nga ne të dy,
unë apo ti,
ti apo unë,
ne, të dy
apo askush nga ne?
Kur bie nata ti më pëshpërit:
“Të dua shpirt!”
Kur zbardh dita, ti më pëshpërit:
“Të dua e dashur!”
Tersi s’mund të jetë
në fjalor dashurie.
Unë të puth çdo ditë,
çdo mbrëmje, çdo mëngjes.
Tersi s’mund të ngjitet pas puthjesh.
Të dua shumë –
në mos qoftë kjo për ters!
- 9. PA POEZI
Shkruaj një rresht, një fjalë
si në një abis
në fletën e bardhë shkarravis
Përsëri shkruaj e fshij,
e fleta,
si vetë jeta
lëmsh e tëra,
s’u bëka dot poezi.
- 10. KUFOMË E GJALLË
Nëse vdes
mos më varrosni,
mishin kapërthyer ndër vete
jashtë ma lini!
Do të flasë ai më shumë
se ç’kam folur me heshtjen unë.
Do flasin ato që krimbat,
me zor të tjerëve nga dheu ua nxjerrin,
dhe bashkë me dhera lagështie
marrin dheun.
Nëse vdes,
dua të jem e pavarrosur,
një kufomë e gjallë që flet.
- 11. PËR TY
(Nënës, në ditëlindjen e saj)
Që prej dyzet vjetësh
ke ardhur në jetë,
e që prej njëzet vjetësh
mua më ke sjellë në jetë.
Sikur ta dija
sa mundime do të sillja
jetën s’do ta kisha dashur
sepse lotët e tu
shpirtin me brenga ma kanë izoluar.
Fjalët e tua
ujëvarë mendimesh tek unë kanë formuar.
Një çikëz buqëqeshje jotja
dëshirën për jetë
qindra fish ma shton,
e për të të parë të lumtur
bashkë me magjinë e fjalës “nënë”
Diçka me zemër sot të dhuroj.
- 12. NËNËS
Si nata kredhur në qetësi
më vijnë fjalët e tua, nënë
e jastëku i bardhë, i butë si bora
janë duart e tua që më ledhatojnë
kur flas me rrudhat e tyre.
Flokët, ato thinja ari
t’i dua më shumë se çdo vallëzim në botë,
e margaritarët e shpirtit thurur kurorë
mbi krye do të t’i vë,
shpërblim për dramën jetësore.
- 13. S’JAM MANEKIN
…se s’jam manekin
indiferencës t’i bëj strehë.
Kam mish e gjak e kockë
dhe ndiej,
se si damarëve të mi
ka një rrjedhë
që jep e merr jetë,
pavarësisht se fustanet
i vesh e i zhvesh vetë.
Ndaj
manekin s’dua të jem.
- 14. PAS PUTHJES SË PARË
Nga puthja e parë
çdokush veten jo mirë e ndjen,
paçka se me një zë thosh
“Jam mirë dhe shumë mirë”,
Një luleshtrydhe e këputur nga dikush
pastaj e futur në gojë tek ti.
Luleshtrydhja gjak e tëra ish
kullonte e magjepsje e saj shëmbëllente,
mbushur nga pritja e zemrës në vite
një çudi: si nuk shpërthente ?!
Më vonë,
mësuar me këputje luleshtrydhesh të tilla
të duket se lëndina do mbarohet,
por jo,
mbijnë të tjerë: trëndafila.
- 15. MOSPËRFILLJE E GËNJESHTËRT
Kur na akuzojnë për xhelozi
shpejt tezën e kundërt paraqesim,
mosinteresi del e përpihet
nga ai lumë i marrë fjalësh.
Jo vonë në vorbullën më të lehtë mbytet
sepse i gënjeshtërt është argumenti,
e mendimi xheloz sërish don të fshihet
nën tymin e cektë të mospërfilljes
duke treguar padashur një fakt:
DASHURI!
- 16. MES RITMEVE
Ritmi i tingujve
zemrën nga gjumi ma zgjon,
ritmi i tingujve
zemrën peshë ma çon.
Ritmi i tingujve,
ritmi i muzikës.
Ndoshta aty është fshehur Bet’hoven,
Ndoshta Iglesias,
Xhekson ndoshta,
Ndoshta është fshehur,
Emri delikat i jetës.
- 17. ORË
Orët e jetës sime
nisin atje ku mbarojnë.
Orë të zgjatura tërkuzë,
Orë të shtyra me zor,
Orë të pritura me ankth,
Orët e orëve të ditës.
Diku më duket se ka ngecur akrepi,
Atje tek orë e seminarit.
Orët e prishura duhen ndrequr,
përsëri prishen e ndreqen sërish
për t’u prishur e mos u ndrequr më kurrë.
- 18. INVERS
Trupën e një shfaqjeje cirku
kam nisur të shoh në kuzhinë,
ditën e një pranvere
gabimisht e ndiej në dimër,
dhe pulsin që lehtë rreh mbi damar
në flokë e ndiej gjithmonë e më shpesh.
Rekuiem këndohet në dasëm,
me puthje luftojnë ushtarët.
Thonë se Toka rrotullohet.
Asgjë më tepër !
- 19. ME KADARENË
Dy pika shiu ranë mbi qelq
dhe unë për ty seç ndjeva mall,
i dashur pritmë lart në qiell
do vijë ajo ditë dalëngadalë.
Do takohemi sërish mbi të vyshkurat lule
të përqafuar me mall të dukemi si në fotografi
dhe ujdhesat i shtrenjtë do marrim tutje
si dikur: ti plak e unë fëmijë.
Dhe më shumë kujdes
me mustaqet t’mos më bezdisësh,
dhe me shumë kujdes
gjymtyrët e plogëta të t’i fërkoj,
e bastunin në dorë unë fëmija
ta mbaj si t’isha perandor.
Dy pika zjarr ranë mbi zemër
E dashuri seç më ngjallën.
- 20. SYZE PËR QIELLIN
Për qiellin
do të blija një palë syze,
të shtrenjta, të shtrenjta
sa t’i dridhej fytyra kur t’i vinte.
Dhe në vendndodhjen e ylberit
vendin do ta kishin,
aty kur sytë tanë dot nuk shohin,
aty ku vështrimi s’na arrin,
aty ku as s’mund të përfytyrojmë.
Për këtë,
i bleva syze qiellit.
- 21. KËTU BËN FTOHTË
Këtu është ftohtë
ndaj gjithnjë kruspull rrimë.
Këtu është ftohtë
e mishi të rrënqethet.
Është ftohtë!
Temperatura e zemrës nën zero,
gjaku i kthyer në ujë,
palca në stalagmite të bardhë.
Këtu është ftohtë
këtë e dinë të gjithë,
Është ftohtë
ndonëse fjalët shkrihen mbi kaloriferë,
e mendja punon si për dreq.
E dinë të gjithë që këtu bën ftohtë
por ajsbergu vetëm majën ka lart.
- 22. MUNGESË E GJATË
Që në shpirt ka të mirë e të keqe
këtë e di engjëlli dhe djalli,
se një ekuinoks tokësor
është më i shkurtër se një përtëritje.
I kapur në dremitje
një zog i mirë, i gjorë,
rrëzon petalet e lehta të borës
nën qiellin e rrafshtë të gjetheve.
Një shkëndijë përplaset
e në personifikim të durimit është kthyer,
dhe një tjetër llomotit
me gjuhën krejt zbathur.
Sa herë dolën sonte ?
Një për mua,
një për ty,
E mbi akuj shëtisim,
pa u parë,
të vetëm, të verdhë
të mbetur pa diell !
- 23. HESHTJE VARRI
A mund t’heshtë një varr
me një skelet brenda ?
Edhe gjethet e rëna mbi të
bëjnë më shumë zhurmë se vetë heshtja.
Një unazë (e florinjtë ?)
pajton besnikërinë e fundit.
Klithma sorrash
prishin serenatën e shelgjeve.
Me ç’mall do ta donin heshtjen !!
- 24. … SEPSE
E desha jetën
sepse…
E dashurova atë
sepse…
E fala buzëqeshjen time
sepse…
Besoj se tani
keni një ide për preferencat e mia.
Për pak harrova:
E shkrova këtë poezi
sepse…
- 25. KËNAQEM ME TY NË LIBRA
Sonte s’më punoka mirë stilolapsi
dhe kolla për dreq, fillon e më nget.
E nga t’ia nis për të arritur tek ti,
tek çasti i idilit vdekës me ty ?
Ti s’di se dje jam puthur me ajrin,
se lamtumirën dot, jo, nuk ia dhashë,
i padukshëm është,
hej, ç’ligj duhet të ndryshojë vallë ?!
Ti s’di diçka më të bukur
se dashurinë në libra po provoj
se mall i Kadaresë, Pushkinit,
balsam për shpirtin, që të gjithë njësoj.
Dhe, nëse më i natyrshmi gëzim
ty do të të ngazëllejë,
dije se nga larg ta sjell unë
me lutjet kthyer në postierë.
- 26. DJERSË TË VETES
Më pëlqen të dal shëtitje
e të ec duke numëruar hapat e mi.
Ç’tjetër mund të bëj
për të parë gjurmët në kthim ?
Më pëlqen të jem vetëm ,
qoftë edhe me një bastun imagjinar
edhe të ec, të ec,
duke u lodhur së kontrolluari njësitë,
duke imituar bezdinë e atij
që ka për grua një mësuese gjuhe;
Jo ‘s’ por ‘z’,
jo pikëpyetje por reticensë.
E kështu të lodhem,
të lodhem në kontrollin
e një shëtitjeje solo,
aq më tepër nga vetja.
- 27. LOZONJARE, SI VAJZAT
Fryn era dhe gjethet e pemëve lodh,
Lëvizin të gjorat dhe fëshfërimë formojnë.
Sa bukur !
Si të veshura me minifunde
në një parakalim mode spërdridhën
padukshmërisë së ajrit.
Si lozonjare
që joshin djemtë t’u vijnë pas.
Po ç’kuptojnë ata
pas vajzave me ose pa minifunde
mahnitur.
Gjithet rrinë e qeshen të dëshiruara .
ç’faj u ka trungu
që ato janë aq larg ?!
- 28. MYKU I VETES
Një djalosh të buzëqesh atje
e ti ul kokën e turpëruar,
sikur patriarkalizmi shekullor
në trupin tënd të ketë kulluar.
E nga ky kullim
një rreze çiltërsie venitet.
Simpati e çastit ?
Dashuri e përnjëhershme ?
S’ka rëndësi.
Përballë saj
ti ke vënë mykun e stërlashtë,
për të thënë diçka më tepër,
je mbyllur brenda
në një guackë.
- 29. DËSHIRË E RE
Dua të shfryj si era
Me tallazat pafund të shpirtit.
Dua
të përplasem, vritem,
gjakosem, nxehem.
Dua
të shfryhem
të mos ngjaj si ballon brengash,
të lutem me pemët,
pallatet, njerëzit,
të shoh ç’formë zbrazëtie marr,
të ngatërrohem pafundësisht,
të puthem me lulet e parqeve,
të krihem me telat e korentit.
Dua…
Sa dua t’jem si era !
- 30. MYSAFIR PAS SHIUT
Në asfaltet e lagur
pluhuri ka ngjitur mrekulli,
e keqe e tij njësh me të është bërë.
Ne me këmbë e puthim
për ta sjellë si mysafir të rastit
në shtëpitë tona.