• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE FRIKËSOHET SERBIA NGA LIGA SHQIPTARO-AMERIKANE ?!

June 2, 2020 by dgreca

Nga Leonora Laçi/

“GRENELL PUNON PËR SERBINË, TRUMP SHKARKOJE” Ky është tituli i artikullit të gazetës serbe Informer të dates 26 Maj, 2020, gazetë pro-qeveritare e cila botohet në Beograd në rreth 100,000 kopje. Më poshtë po sjellim të përkthyer pjesë nga ky artikull i cili vazhdon: “ Shqiptarët në panik, po mundohen ta ndryshojnë politikën e Washingtonit.  Grupi i 165 lobistëve shqiptarë, me influencë të madhe në SHBA i kanë dërguar letër Presidentit Donald Trump me të cilën kërkojnë shkarkimin urgjent të Richard Grenell, i dërguar special për bisedimet Beograd-Prishtinë.

         Lobistët shqiptarë e kërkojnë “kokën” e Grenell sepse, siç thojnë ata, ai haptas punon në interes të Serbisë dhe kundër interesave të shtetit  “të rrejshëm” të Kosovës. Diasporës shqiptare, e cila është shumë e pasur dhe me influence të madhe në qarqet lobiste në SHBA i pengon shumë se në detyrë të ndërmjetësuesit për dialog ka ardhur dikush që ka mirëkuptim për interesat dhe pozitat serbe.

         Letra i është dërguar Shtëpisë së Bardhë me 21 Maj dhe është nënshkruar nga 165 lobistë. Në te ndër të tjera thuhet:“I dërguari special për dialog Serbi-Kosovë Richard Grenell i ka dhënë përkrahje ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, gjë e cila e favorizon Serbinë dhe Rusinë. Ish kongresisti Joseph DioGuardi i cili me vite të tëra merret me situatën politike në Ballkan e kundërshton këtë gjë dhe kërkon nga qeveria Amerikane që Richard Grenell të lirohet nga kjo detyrë dhe të zëvëndësohet me dikend tjetër i cili është i paanshëm. Ne e përkrahim fuqishëm Joseph DioGuardin dhe mendojmë se kjo gjë do të ishte shumë e vlefshme për bisedimet paqësore në regjion”. 

       Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare Vatra, e krijuar  qysh në vitin 1912 në Bronx. Është indikativ fakti se në këtë distrikt, politikan kryesor është lobisti i rëndësishëm shqiptar, kongresisti Eliot Engel, përkrahës i flakët i pavarësisë së Kosovës. 

         Në letrën drejtuar Trump-it, lobistët shqiptarë e mashtrojnë atë se shtetin e rrejshëm të Kosovës e njohin 116 shtete të botës kur dihet se 18 prej tyre e kanë tërhjekë njohjen, pra janë më pak se gjysma e anëtarve të OKB-së. Në fund të letrës së botuar në gazetën Illyria, thuhet se “çfarëdo korigjimi i kufijve mund të shkaktojë luftë të re në Ballkan”

         I pyetur për koment, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç thotë se shqiptarët gënjejnë, i tërë koncepti i tyre është i rrejshëm, siç është i rrejshëm edhe shteti i Kosovës. Diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç thekson se pozita serbe është më e fortë në bisedime, se konfirmimi që Grenell mbetet në funksion të ndërmjetësuesit deri në fund të mandatit të kësaj Administrate, tregon se nuk ka ndryshime në politikën amerikane.  Ndërsa Vladimir Marinkoviç, nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, konstaton se Administrata Trump nuk i trajton shqiptarët njisoj si ato të mëparmet. Meritat kryesore për këtë i takojnë Vuçiqit i cili ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Administratën Trump”.Shkruar nga M.Dakiç

Ajo çfarë vëmë re nga ky artikull është se Serbia ende e ka në qendër të vëmendjes Kosovën dhe gjithçka ndodh aty qoftë në politikën e jashtëm apo të brendshme të saj dhe përpiqet me forcë t’i minimizoi njohjet që i janë bërë Kosovës më qëllim të shkatërrimit të saj.  

Liga shqiparo-amerikanë ka lobuar vazhdimisht në dobi të çështjes shqiptare sa herë e ka dashur nevoja. Aktualisht problemi më i madh i Kosovës është përpjekjet e Serbisë për ta shfrytëzuar krizën politike madje dhe të influencoi që pushtetin ta ketë në dorë një forcë politike apo figura politike që Serbia të mund t’i manipuloi lehtësisht.

Serbia i frikësohet shqiptaro-amerikanëve dhe zërit të tyre, i frikësohet lobimit të drejtë që ato po bëjnë në Administratën e Trumpit dhe në Kongresin Amerikan.

Nuk mund të harrohet kurrsesi sesi krimineli Millosheviq, në Hagë u patë shprehur me dëshpërim se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”.

Dhe sot puna e Ligës shqiptaro-amerikan nuk ka ndryshuar, më në krye ish kongresistin Joseph DioGuardin dhe krahun e djathtë të tij, znj.Shirley Cloyes DioGuardi,  këshilltaren për çështjet ballkanike.

Indikator i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Ligës dhe jetëgjatësinë e saj është roli i  Anetarëve te Bordit të saj, biznesmenëve, miqëve e prkrahëseve shqiptarë apo të huaj, duke i dhënë krah dhe mbështetje kauzës së DioGuardit për të levizur mekanizmat e nevojshëm të  politikës së  jashtme amerikane në dobi të kauzës shqiptare, ku dha rezultatet e pamohueshme siç ishte liria dhe pavarësia  e Kosovës, demokratizimin e Shqipërise, dhe përpjekjet për sigurimin e të drejtave të plota për shqiptarët në Kosovwn Lindore, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri! 

Po veçoj punën e veprimtarit z.Agim Aliçkaj ku siç shkruan gazeta serbe: “Ndër nënshkruesit e letrave, në mënyrë të veçantë dallohet Agim Aliçkaj, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Ligës së fuqishme Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Federatës Pan-shqiptare  Vatra, e krijuar  qysh në vitin 1912 në Bronx.” Z.Aliçkaj ka qënë mjaft aktiv me shkrimet e tij të botuar në shtypin shqiptar në Amerikë, Shqipëri e Kosovë. Artikuj që janë pritur mjaft mirë nga atdhetarët shqiptarë. Artikuj e tij të fundit janë: “Pavarësia e Kosovës dhe përkrahja amerikane.” “Kosova sot dhe ulja në bisedime me armikun.” “Letër e hapur Presidentit Trump -(Mos) respektimi i vlerave demokratike në Kosovë nga Ambasadori Richard Grenell” “Presidenti Hashim Thaçi e keqja më e madhe e Kosovës në 20 vitet e fundit”,  “Marrëveshja Thaçi- Vuçiç- Grenell humbje e lirisë së Kosovës”dhe “Kosova e ka zgjedhur rrugën e vet evropiane pro-amerikane”.

Këto artikuj kanë në qendër të tyre zgjimin e ndërgjegjjes kombëtare, dhe vë në dukje se duhet vepruar sa më parë për të mos e humbur Kosovën shtet. Asnjëherë nuk ka mbështetur politikanë të cilët e kanë shitur Kosovën për interesa personale, Kosova duhet të qëndroi mbi gjithçka. Krijimi i qeverisë së shpresës dhe antikorrupsionit Kurti-Osmani, ka qenë hapi i parë që duhej bërë dhe çdo vonesë ishte në dëm të shqiptarëve e në favor të serbve. Në letrën e hapur që i dërgon Presidentit Trump ai ngre disa pyetje mjaft të rëndësishme, citoj: “-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej tyre edhe të dyshuar si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së pavarësisë   e deri me sot?!  Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të rëndësishme?!  Si është e munduar që të përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për 40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik, administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.” Z.Aliçkaj mesa shohim nuk ndalet duke kritikuar politikat e këqija në Kosovë, duke mbështetur kauzat që duhen mbështetur e duke e mprehur penen sa herë që në Kosovë gjërat nuk shkojnë si duhet. Teksa lexoj artikujt e tij më vjen ndërmend shprehja e ish Presidentit Bill Klinton në Kosovë, në vitin 1999: “Ne ju ndihmuam ta fitoni luftën, tani ju fitojeni paqen.”  Sa e vështirë qënka ta ruash paqen.

Duhet theksuar se meritë të veçantë në ngritjen e zërit në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës kanë edhe 165 aktivistët e mirënjohur shqiptarë, të cilët citohen në artikullin serb, që e dërguan letrën e tyre Presidenitit, Senatit dhe Kongresit Amerikan. Letra e tyre me të gjithë emrat e të nënshkruarve është botuar në gazetën Illyria dhe shumë gazeta dhe portale të tjera.

Serbia i frikësohet të vërtetës, luftës së drejtë të shqiptarve, i frikësohet fakteve dhe historisë që është në favor të shqiptarve. Serbët nuk janë viktima dhe sado të lobojnë pranë Administratës së Trumpit, ata e kanë të humbur këtë luftë, ata nuk do ta kenë kurrë Kosovën. Politikanët shkojnë dhe vijnë, por çështjet e drejta janë gjithmonë aty bashkë me zgjidhjen e duhur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Aliçkaj, Leonora Laçi, Liga

KOSOVA HAS CHOSEN ITS EUROPEAN, PRO-AMERICAN PATH

May 29, 2020 by dgreca

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Kosva, Pro-American Path

KOSOVA E KA ZGJEDHUR RRUGËN E VET EVROPIANE PRO AMERIKANE

May 22, 2020 by dgreca

Shkuran: MA. AGIM ALIÇKAJ/

         -Kundërshtimi i politikës së gabuar të ambasadorit Grenell është veprim pro-Amerikan dhe detyrë kombëtare/

     Kemi pse të krenohemi me bukurinë, kulturën, traditën, historinë dhe vlerat e larta njerëzore të kombit shqiptar. Por kemi edhe pse të turpërohemi me mangësitë, vlerat e ulëta dhe të këqijat e shumta të një pjese të vogël të kombit. Punët e liga bëhen më lehtë dhe janë shumë të rrezikshme. Duhet një numër tepër i madh i atdhetarëve për ta mundur një numër shumë të vogël të tradhëtarve. 

         PSE E DUAM AMERIKEN?!

         Shfrytëzimi i pro dhe kundër amerikanizmit për nevoja politike dhe interesa personale është bërë i mërzitshëm dhe i kalon kufijtë e absurditetit. Më duhet ta përsëris për të disatën herë. Populli shqiptar, me shumicë, me të drejtë, me zemër dhe pa hile e do dhe e respekton Ameriken, për shumë arsye.

-Është vendi më demokratik, më i drejtë dhe më i fortë në botë, simbol i lirisë dhe garantues i vetëm i ruajtjes së paqes dhe rendit botëror.

-Kombi amerikan është i vetmi në botë i përbërë nga gati të gjitha kombet, racat dhe religjionet e tjera.

-Garanton plotësisht lirinë e fjalës, besimin fetar, individualitetin, pronën private, mirëqënien, dhe lumturinë personale.

-Qindra-mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet tona e kanë gjetë vetën dhe janë duke e përjetuar ëndrrën amerikane.

-Gjatë gjithë historisë ka qënduar në mbrojtje të kombit shqiptar, që nga presidenti Wilson, deri te presidentët Klinton dhe Bush.

-E ka ndihmuar çlirimin e Kosovës nga thundra shekullore serbe, e ka përgaditur dhe realizuar shpalljen e pavarësisë, ka investuar shumë në zhvillimin e Kosovës.

-Është i vetmi vend në botë, i cili mund ta mbrojë kombin shqiptar nga armiku i përbetuar, shumë i fortë, shovinizmi dhe hegjemonizmi Serbo-Rus. 

         Amerika nuk është pa të meta, por ato luftohen me mjete demokratike në mënyrë të përherëshme.

          Dashuria e përhershme e popullit shqiptar për Amerikën është e sinqertë dhe dallon shumë prej “dashurisë” së përkohëshme vetëm për interes të klikës serbe. Interesat strategjike të popullit shqiptar janë në përputhje me interesat strategjike të popullit amerikan. Populli serb me shumicë është pro-rus dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë.

          AMERIKA DHE DIALOGU KOSOVË-SERBI

          Përkrahja amerikane për popullin shqiptar nuk bënë të merret si e garantuar. As nuk duhet menduar se Amerika ka kohë të merret me punët tona në mënyrë të pafund. Ka shumë probleme botërore më të mëdha se çështja e Kosovës. Ne duhet ta ndërtojmë dhe forcojmë vetë shtetin tonë. Duhet të punojmë shumë dhe pandalë për ta merituar dhe siguruar përkrahjen e përherëshme amerikane. Ekziston mundësia që armiqët tanë me diplomaci shtetërore dhe veprime të fuqishme lobiste të depërtojnë te zyrtarë të lartë amerikanë, siç është rasti me Ambasadorin Richard Grenell. Presidenti serb Vuçiq për interesa të Serbisë, i ndihmuar nga presidenti  Thaçi për interesa personale dhe kryeministri Rama për tu treguar dikushi, kanë arritur ta bindin atë se shkëmbimi territorial është zgjidhja më e lehtë. Ai e filloi këtë duke anuar nga Serbia dhe duke bërë presion mbi Kosovën. Roli i tij në koordinimin me Thaçin dhe Mustafën e LDK-s në rrëzimin e qeverisë demokratike të Kosovës ishte i qartë. Kjo u bë me qëllim të krijimit të një qeverie kukull të kontrolluar nga Thaçi, e cila në dialog me Serbinë do ta pranonte shkatërrimin e Kosovës. 

         Këto veprime anti-shqiptare dhe anti-amerikane e kanë ngritur popullin shqiptar në këmbë në mbrojtje të shtetit të Kosovës. Ky popull i shumëvuajtur nuk ka rrugë tjetër veçse të kundërshtojë me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe protestat paqësore kudo në trojet tona dhe diasporë. Në Amerikë Liga Shqiptaro-Amerikane më në krye ish-kongresistin Joseph DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi janë duke punuar me të madhe me Kongresin Amerikan dhe administratën e presidentit Trump për ta ndryshuar politikën e gabuar të Ambasadorit Grenell në Kosovë. Pritet që kjo ligë sapo të lejojë situata, të organizojë demonstrata masovike në Uashington si në vitet e 90-ta kundër ndarjes së Kosovës. Po ashtu të bëjë dëgjime në Kongresin Amerikan ku Ambasadori Grenell do të jetë i detyruar t’i arsyetoj veprimet e veta. Kushdo që dyshon në aftësitë dhe mundësitë e Ligës mund ta vizitojë Web-faqen “aacl.com”dhe të njihet me punën e saj 30 vjeçare në shërbim të kauzës kombëtare. Kundërshtimi i një politike të gabuar të një zyrtari apo një pjese të një administrate amerikane është më vend. Nuk ka logjikë të dëgjohet verbërisht dikush që kërkon nga ti për të bërë vetëvrasje. Administratat dhe ambasadorët e Amerikës janë gjithmonë të përkohshëm. Miqësia në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan është e përherëshme. 

          Nëse vazhdohet me rrugën e ndarjes së Kosovës, populli shqiptar e rezervon të drejtën për të kërkuar bashkimin e të gjitha tokave shqiptare, të okupuara nga Serbia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Greqia. Të njëtën gjë mund ta kërkojnë edhe popujt e tjerë, të cilët jetojnë jashtë shteteve nacionale. Gjermania dhe shtetet e rëndësishme të Evropës e kundërshtojnë këtë ide. Ky do të ishte një gabim katastrofal me përmasa të rrezikshme destabilizuese për Ballkanin dhe mbarë Evropën.

         Dëshira e Ambasadorit Grenell për zgjidhje të shpejt të konfliktit shqiptaro-serb mund të realizohet nëse orientohet kah e drejta dhe realiteti. Ai duhet të bindet se njohja reciproke në kufijtë ekzistues me sigurim të drejtave të njëjta nacionale dhe njerëzore për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi është e vetmja zgjidhje. Nuk mund të bëhen bisedime për dëmtimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Kjo gjë ka përfunduar me shpalljen e pavarësisë me 17 Shkurt të vitit 2008. Kjo pavarësi në kufijtë ekzistues është njohur nga Amerika dhe më shumë se 100 shtete të botës, është konfirmuar nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë. Krimet e luftës nga shteti terrorist serb kundër popullit të pafajshëm shqiptar nuk mund të falen kurrë pa u dënuar fajtorët. Çështjet të tjera mbeten temë e bisedimeve të mëtutjeshme. Kjo zgjidhje mund të bëhet e shpejtë nëse Amerika dhe Evropa bëjnë presion të vërtetë mbi Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ajo duhet të vihet para vendimit, a don të bëhet pjesë e Evropës demokratike me të gjitha të mirat që vijnë me të apo të mbetet nën thundrën e Rusisë dhe Kinës me të qjitha të këqijat e sistemeve totalitare. Koha e ledhatimeve dhe lëshimeve ndaj agresorit serb duke i bërë presion viktimës shqiptare ka përfunduar. Kosova është gati, ajo e ka zgjedhë rrugën e vet Evropiane pro-Amerikane.

         GJYKATA KUSHTETUESE NË MBROJTJE TË SHTETIT

         Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është para një vendimi shumë të vështirë me përmasa historike. Presionet e ndryshme mbi Gjykatë, nga cila do anë qofshin janë të papranueshme. Vendimi për pezullimin e Dekretit të presidentit deri me 29 Maj tregon qartë seriozitetin dhe përkushtimin e saj ndaj drejtësisë. Duhet shpresuar se GJK do të përcaktohet për zgjedhje të lira, në favor të vullnetit të popullit

 e jo të nji presidenti me sjellje të qarta diktatoriale, anti-shtetërore, jashtë kompetencave të tij që mund të kualifikohen si antikushtetuese. Harta aktuale elektorale ka pësuar ndryshime qenësore dhe dallon shumë nga zgjedhjet e 6 Tetorit. Vetëm zgjedhjet e lira mund ta reflektojnë realitetin dhe janë mënyra e vetme e krijimit të legjitimitetit qeverisës. Në favor të kësaj  është deklaruar publikisht edhe njëri ndër hartuesit e kushtetutës nga radhët e PDK-s, profesor Arsim Bajrami. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë dhe shtylla e fundit e mbrojtjes së shtetit e përbërë nga gjykatës të kualifikuar me vlera të larta profesionale dhe njerëzore. Ata e dijnë fare mirë peshën e vendimit të tyre, i cili duhet të respektohet. Vendimet e Gjykatës Kushtetutese, të mira apo të këqija i vlerëson ardhmëria. Punët e këqija dhe dështimet e qeveritarëve i gjykon populli. Populli është mbi të gjithë dhe nuk ka forcë që mund ta ndalë në realizimin e të drejtave dhe aspiratave të veta. 

         PARTITË POLITIKE DHE SHPËTIMI I KOSOVËS

         Partitë politike janë subjektet më të rëndësishme të zhvillimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit. Ato konkurrojnë për pushtet në bazë të programeve dhe arritjeve të tyre. Pa hyrë në analizë të thellë të sukseseve dhe dështimeve, mund të thuhet me kompetencë së vetë fakti që pas 21 viteve lirie dhe 12 vite pavarësie ende duhet të merremi me mbrojtjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës, paraqet dështim të turpshëm të partive, të cilat qeverisën vendin gjatë kësaj kohe.

          Vetëvendosja ka arritur të bëhet partia më e madhe në Kosovë. Arsyet janë të thjeshta. Deri në zgjedhjet e 6 Marsit ishte parti opozitare. Lideri i saj Albin Kurti me kuadro të tjerë udhëheqës posedojnë aftësi dhe kualitete të larta. Rinia dhe një pjesë e madhe e popullit, me arsye e konsiderojnë VV-n të vetmen shpresë për ndryshime dhe shpëtimin e Kosovës. Luftimi i pakompromis i korrupsionit dhe kundërshtimi i ndarjes së Kosovës janë çështje kyçe të përkrahjes. Rrëzimi i padrejtë jodemokratik i qeverisë Kurti e ka shtuar shumë përkrahjen për VV-n. Çdokush bën gabime në qeverisje. Qeverisja kërkon aftësi, urtësi, maturi, vendosmëri, diplomaci, përshtatje në rrethana dhe situata të reja. Është e dobët kritika për dike pa ju dhënë mundësia për ta treguar veten me punë. Gabimet e së kaluarës në opozitë, nuk kanë peshë të madhe. Veçse, Vetëvendosja duhet të ruhet shumë nga rreziku i majtizmit, ekstremizmit fetar dhe mos tolerancës ndaj kundështarëve politikë. 

         Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e vjetër ka mbijetuar në sajë të autoritetit të pafund të presidentit të urtë historik Dr. Ibrahim Rugovës. Përçarjet, servilizmi, pjesëmarrja në korrupsion dhe qeverisje të keqe e gardës së vjetër më në krye Isa Mustafën e dobësoi dukshëm këtë parti. Në zgjedhjet e 6 Tetorit arriti për ta zënë vendin e dytë duke ju falënderuar znj.Vjosa Osmani me disa kuadro të reja. Bëhen qesharak ata që thojnë ndryshe. Me rrëzimin e qeverisë Kurti pjesë e së cilës ishte edhe vetë dhe përpjekjen për të krijuar qeveri të re të kontrolluar nga Thaçi dhe Lista serbe, garda anti-rugoviane e Mustafës është duke e dëmtuar rëndë LDK-n, demokracinë dhe ekzistencën e shtetit të Kosovës. Shpresa e vetme për të mbetur e fortë në skenën politike është lirimi nga detyra dhe dalja në pension e kryetarit të LDK-s Isa Mustafës, tërheqja nga formimi i një qeverie “Thaçjane”dhe përkrahja e kryeparlamentares Vjosa Osmani. Me sinqeritetin, edukatën e lartë shkollore, aftësinë profesionale, vendosmërinë, guximin politik, atdhedashurinë dhe vlerat familjare ajo është padyshim një nga figurat më të mëdha të vendit dhe pasardhëse e denjë e presidentit Rugova. Duke e shpëtuar vetveten, LDK-ja do të luante një rol shumë të rëndësishëm në shpëtimin e Republikës së Kosovës.

         Partia Demokratike e Kosovës ka dalë nga shpirti i luftëtarëve të lirisë të UÇK-s 

dhe komandantit legjendar Adem Jashari. Pritej se kjo parti do të ishte garancia më e

fortë e mbrojtjes dhe ndërtimit të shtetit. Por lidershipin e saj e përfshiu vetëkënaqësia,

meritoria, lakmia, korrupsioni, interesi personal dhe frika nga Gjykata speciale. Meqë 

qeverisi me Kosovën për një kohë shumë të gjatë PDK-s i takon përgjegjësia  kryesore 

për gjëndjen e vështirë në të cilën gjindet ajo sot. Ekzistenca e shtetit të Kosovës është 

e rrezikuar nga veprimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi. Bisedimet me Serbinë 

për shkëmbim territori janë shkelje e rëndë mbi vlerat e luftës dhe gjakun e dëshmorëve të cilët e dhanë jetën për liri. Shihet se ai është i futur pakthim në botën e vet të fantazisë dhe nuk e kupton lojën e presidentit serb Vuçiq me te dhe me fatin e 

Kosovës. Largimi i tij nga politika do të kishte ndikim pozitiv në forcimin e PDK-s dhe

do të ndihmonte shumë në shpëtimin e Kosovës nga domiminimi serb. Edhe miku madh i Kosovës, ambasadori William Walker i tha Thaçit se është i lodhur dhe duhet të  merrte pushim. Mjaft e ka “ndihmuar” Kosovën. Supozohet se arsyeja kryesore e 

përuljes së tij ndaj Serbisë është frika nga dosjet dhe mundësia e perfundimit në burg.

Por, më mirë e ka të shkojë në burg para, se sa pas shitjes së Kosovës. 

Nëse PDK arrinë të riorganizohet, lirohet nga Thaçi, prononcohet kundër shkëmbimit të territoreve dhe vazhdon me kërkesën për zgjedhje të reja, ardhmërinë e ka të sigurtë.

         QEVERIA E SHQIPËRISË NË SHËRBIM TË INTERESAVE SERBE

         Populli shqiptar nga të gjitha trojet tona e tregoi shpirtin e madh vëllazëror dhe 

atdhedashurinë, me përkrahjen e popullit të Kosovës gjatë vitit 1999. Të dhemb zemra kur e sheh kryeministrin Edi Rama në shërbim të Serbisë kundër interesave të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Këtë e bën të qartë përkrahja e tij për projektin serb mini-Shengen, bisedimet e fshehta me presidentin Thaçi dhe ate serb Vuçiq në dëm të Kosovës, vrapimi i turpshëm pas Vuçiq, lavdërimi  i tepruar i serbëve dhe nënçmimi i popullit dhe liderve të Kosovës. Shtrohet pyetja, a ia merr mendja atij se pas përqafimeve serbe fshihet qëllimi i nënshtrimit të Kosovës, krijimit të “Serbisë së madhe” dhe daljes në detin Adriatik nëpërmes tokave shqiptare? Dhe, çfarë mund të pritet nga një qeveri, e cila i përkrah armiqt e deklaruar të popullit shqiptar, shkatërron nga mbrenda vlerat kulturore kombëtare dhe demokracinë shtetërore?!

         Askush nuk ka të drejtë të bëjë pazare me tokat shqiptare. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Aliçkaj, Granelli, kosova, raga proamerikane

Marrëveshja humbjes së lirisë

May 6, 2020 by dgreca

MARRËVESHJA THAÇI-VUÇIÇ-GRENELL HUMBJE E LIRISË SË KOSOVËS/

-Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare në Kosovë/

 MA. AGIM ALIÇKAJ*/

Lufta për pushtet në Republikën e Kosovës ka marrë përmasa absurde tragji-komike, shumë të rrezikshme. Radio-televizionet, gazetat dhe mediat sociale janë të mbushura plotë me shkrime, intervista, debate dhe komente të ndryshme, nga më të ultat e deri te ato me vlera të larta letrare dhe patriotike. Është e kuptueshme përpjekja e çdonjërit për të arsyetuar qëndrimet e veta, por sharjet, fyerjet, gënjeshtrat, mashtrimet, dezinformatat dhe falsifikimet e ndryshme janë të pakuptueshme dhe shumë të dëmshme. “O, tempora, O, mores!” – do të thoshte poeti i njohur Edgar Allan Poe.

A MUND TË SHPËTOI LDK NGA VETËVETJA!?

Më bëri përshtypje postimi i z. Fatmir Bajraj në Bota Sot Group me titull: “LVV-ja do ta djegë Malin për një Lis”, në të cilin mbrohej dhe arsyetohej plotësisht LDK-ja për të gjitha gabimet dhe dështimet 12 vjeçare duke i fajësuar të tjerët. Komenti im ishte si vijon:

 “Z. Bajraj,  Respekt për qendrimet tuaja. E konsideroj vetën të pavarur por jo të paanshëm kur është në pyetje ekzistenca e shtetit të Kosovës. Çështja nuk është aq e  komplikuar si e paraqitni ju. Po flasim për fakte dhe gjëra që shihen haptas, e jo për supozime dhe mashtrime të cilat shumica e popullit i ka kuptuar.

Në njërën anë është Hashim Thaçi, i cili ka kapitulluar para Serbisë dhe po e shet Kosovën. Ai ështe i ndihmuar nga partitë e korruptuara që ishin në pushtet, përfshirë edhe pjesën anti-Rugoviane të LDK-së me në krye Isa Mustafen, të cilat janë fajtore për dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë. Nga ana tjetër është z. Albin Kurti me Vetëvendosjen dhe znj. Vjosa Osmani me grupin përparimtarë Rugovian të LDK-së, të cilët janë kundër ndarjes shkatërruese të Kosovës dhe korrupsionit të pakufi. 

Populli kërkoi ndryshime dhe me 6 tetor i votoi këta të dy. Duhet shtuar se përkrahja për ta është në rritje e sipër dhe se në zgjedhjet e ardhshme mund të fitojnë më shumë se 50% te votave. Ju me disa të tjerë po tentoni ta friksoni popullin me kinse rrezikun nga “anti-amerikanizmi, unitarizmi dhe bolshevizmi “. Të kuptohemi, anti-amerikan dhe antishqiptar janë vetëm grupi i parë që e solli Kosovën para katastrofës, askush tjetër. Bolshevizmi dhe unitarizmi për popullin e Kosovës tash për tash janë çështje abstrakte.  Populli dëshiron ta shoh së pari punën e Albinit dhe Vjosës për ta vlerësuar, jo të rrezohen pa e treguar vehtën.

LDK rrezikon të përçahet keq dhe të dobësohet plotësisht me fajin e vet dhe jo të VV-s.  Mendoj se për të shpëtuar LDK-ja e ka vetëm një rrugë, tërheqja nga formimi i një qeverie “Thaçjane” të kontrolluar nga Vuçiçi, kërkesa për zgjedhje të reja sapo të kaloi virusi dhe largimi i një pjese të gardës së vjetër nga radhet e veta.  Në këtë mënyrë mund të forcohet dhe të mbetet relevante në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pa marrë parasysh  vendimin e Gjykatës Kushtetuese, heret ose vonë do të mbahen. Kështu për LDK-në krijohet mundësia për t’i rezistuar me kompetence dhe në mënyrë demokratike “unitarizmin dhe bolshevizmin” si dhe gabimeve të mundshëm të VV-s. Jam i sigurt se komunizmi, bolshevizmi dhe ekstremizmi fetar nga cilado anë qoftë, nuk mund të zë rrënjë kurrë në Kosovë, pa marrë parasysh kush është në qeverisje”.

Deklarata e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, edhe pse me qëllime të caktuara, kundër krijimit të qeverisë Hoti dhe kërkesa për shkuarje në zgjedhje të reja është veprim shumë më i mençur se sa përpjekja LDK-së për të marrë pushtetin në mënyrë ilegale. Edhe nëse e realizojnë këtë dëshirë, “liderët” e vjetëruar të LDK-së do të ja shohin sherrin. Do të jenë të detyruar të marrin pjesë në tradhëtinë më të rëndë kombëtare që nga koha e tradhëtisë së komunistëve shqiptar më në krye diktatorin Enver Hoxha të dhënies së gjysmës së tokave shqiptare ish-Jugosllavisë.

KURRË MOS U NËNSHKROFT NJË MARRËVESHJE ANTISHQIPTARE!!

Fjala e urtë popullore thotë “Katundi që shihet kallauz nuk do”. Intervista e ish-diplomatit amerikan pro-serb, përkrahës i politikës së Ambasadorit Grenell në Ballkan, Z. James Hooper tregon haptas dhe qartas qëllimin e z. Grenell për ndarje të Kosovës. “Marrëveshja Vuçiç-Thaçi është gati, problem për të është vetëm për ta bindur kancelaren gjermane Angela Merkel dhe BE-në gjatë muajve maj e qershor”! Përndryshe, siç shprehet ai “po që se Grenell nuk e arrinë këtë, përfundon mundësia për t’i dhënë fund konfrontimit midis Serbisë dhe Kosovës”. Arroganca e z. Hooper me qëllim të  mashtrimit dhe frikësimit të popullit shqiptar është e pashembullt. Kurrë mos u nënshkroft një marrëveshje antishqiptare, Z. Hooper!

Kosova priti më shumë se nji shekull për ta fituar lirinë. Për 21 vjet lirie u keqpërdor rëndë nga politikanët e këqinj. Me luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e shtetit, e ndihmuar nga mërgata e fuqishme, Kosova forcohet dhe ka mundësi për të pritur , deri sa Serbia të shërohet nga sëmundja e urrejtjes dhe aspiratave hegjemoniste. Do të vijë koha kur Serbia do ta lusë Kosovën për njohje të dyanshme në kufijtë ekzistues me qëllim të hyrjes në Evropë. Populli i Kosovës nuk pranon marrëveshje të imponuar dhe nuk  e jep më asnjë pëllëmbë toke. Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare anti-njerëzore të kryera në Kosovë.

Kriminelët e luftës nuk mund të amnistohen kurrë.

THAÇI DHE VUÇIÇ E KANË GËNJYER AMBASADORIN GRENELL

Duhet bërë sqarim për ata që i keqkuptojnë ose i keqinterpretojnë me qëllim porositë e këtij shkrimi, të cilat janë të qarta. Amerika dhe Ambasadori Richard Grenell nuk mund të fajësohen për situatën e keqe në Kosovë. Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë investuar shumë dhe nuk janë kundër lirisë së Kosovës. Mirëpo, marrëveshja për ndryshim të kufijve është në favor të Serbisë dhe mund të barazohet me humbjen e lirisë së popullit të Kosovës. Thaçi dhe Vuçiç e kanë gënjyer Ambasadorin Grenell se mund ta shtyejnë këtë marrëveshje të nisur nga interesat e tyre të veçanta. I pari për interesa personale ndërsa i dyti për interesa të Serbisë. Ambasadori i ka pranuar manipulimet dhe gënjeshtrat e tyre si të vërteta pa i analizuar mirë, ai ka dalur hapur në anë të Serbisë dhe nuk mund t’i udhëheq bisedimet me sukses. Pra, këtu kemi të bëjmë me mospajtimin tonë me një politikë të gabuar të një zyrtari të lartë Amerikan në Kosovë dhe asgjë tjetër.

 Dëshira e jonë do të ishte që përfaqësuesit legjitim të Kosovës (jo Thaçi) të kenë mundësi të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe para Presidentit Trump të paraqesin qëndrimet dhe brengat tona, me propozime konkrete se si mund të zgjidhet situata.

Kritikat publike me qëllim të mirë nga mërgata shqiptaro-amerikane janë në pajtim të plotë me vlerat amerikane. Kjo nuk e prek dashurinë dhe respektin e përhershëm për Amerikën dhe popullin amerikan. Kundërshtimi i popullit shqiptar kudo, në trojet tona e në diasporë në çdo formë dhe më çdo mjet demokratik i marrëveshjes famëkeqe Vuçiç-Thaçi-Grenell është në interes të Kosovës, të Evropës dhe të Amerikës.

A MUND TA SHPËTOI KOSOVËN GJYKATA KUSHTETUESE ?!

Puna ka ardhë deri tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, organi më i  lartë i mbrojtjes së shtetit. Pavarësia e kësaj Gjykate është esenciale dhe vendimet e saj  duhen respektuar. Ka një arsye shumë të fortë pse në SHBA gjykatësit e Gjykatës Supreme zgjidhen në mënyrë të përjetshme. Ata nuk bënë të influencohen dhe të  shantazhohen. Mendoj dhe besoj se gjykatësit e GJK në rastin konkret do të gjykojnë  në mënyrë të drejtë, me integritet të lartë personal dhe profesional sepse kanë përgjegjësi historike për funksionimin e shtetit të Kosovës.  Këtë e treguan me pezullimin e dekretit të Thaçit për t’i dhënë LDK-së mandatin për krijimin e Qeverisë së re. Vendimi i Gjykatës po pritet me ankth kudo në tokat shqiptare dhe në diasporë. Hapësirat në kushtetutë mund ta lejojnë mundësinë për interpretim se kinse partitë humbëse mund të krijojnë qeveri nëse i “blejnë” votat e shumicës. Por, ky vendim nuk do të mund t’i qëndroi ballafaqimit me argumentat e anës tjetër. 

Veprimet e fundit anti-shtetërore dhe makinacionet anti-demokratike të Thaçit të ndihmuara nga Isa Mustafa me disa karrieristë të tjerë, janë të qarta dhe mund të  karakterizohen si antikushtetuese. Vetë profesor Arsim Bajrami, njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, përkrahës i PDK-s për një kohë të gjatë, në mënyrë të prerë deklaroi se: “ Kushtetuta e Kosovës nuk ju jep të drejtë partive humbëse të cilat arrijnë sukses ta rrëzojnë qeverinë aktuale me mocion mosbesimi, të krijojnë qeveri me kryeministër tjetër. Shpërndarja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje është e vetmja rrugë”-shton ai.

Problemet e lidhura me pandeminë dhe shpenzimet e organizimit të zgjedhjeve të lira janë argument bosh i atyre që i friksohen verdiktit të sovranit. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund të krijojnë legjitimitet qeverisës dhe ta qetësojnë popullin e nënçmuar dhe të zemëruar të Republikës së Kosovës. 

         Këtu vjen në shprehje thënia e vjetër latine: “Vox Populi, Vox Dei”!

Dëshiroj ta përfundoj me përsëritje të shkrimit tim të mëparshëm: “Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kanë dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të deklarojë as të mendojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Askush nuk guxon të bëjë pazare me tokat shqiptare. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marrë atë. Kombi shqiptar e don me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë!”

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Marrveshja Thaçi-Vuçiç-Granell

Gëzuar Pavarësia e Kosovës, Populli Shqiptar!

February 12, 2019 by dgreca

Nga Magjister Agim Aliçkaj */

1 Agim Aliçkaj

“To be or not to be” – “Të jesh apo të mos jesh” është pyetja më aktuale për Kosovën dhe Kombin Shqipëtarë sot, me rastin e 11- Vjetorit të shpalljes së pavarësisë së “mangët” të Kosovës.

Pavarësia!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008, padyshim, ishte ditë e madhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Edhe pse me mungesa të mëdha, ishte e vetmja mënyrë që Kosova, të bëhet e pavarur, dhe të njihet qysh në fillim nga vendet më të fuqishme të botës dhe vendet demokratike perendimore, përfshirë SHBA, dhe të tjera.

Kjo, u pëforcua edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Pa hyrë në një analizë të tij, plani i Ahtisarit përbën në vete koncesionet më të mëdha të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës për t’a arritur pavarësinë. Pas 11 vitesh të kësaj pavarësie, ngjarjet e fundit, fatëkeqësisht na bëjnë më shumë të brengosemi se sa të gëzohemi. Edhe, sa koncesione tjera në dëm të interesave të veta duhet t’i pranojë populli i Kosovës? Me punën këmbëngulese të armikut tonë dhe plotësisht me fajin tonë, Kosova rrezikon të shuhet si shtet.

Bisedimet me Serbinë dhe sanksionet e qeverisë së Republikës së Kosovës

Shtrohet pyetja se çka fitoi Kosova nga bisedimet me Serbinë prej shpalljes së pavarësisë deri më sot ?! Përveç disa çështjeve të vogla që ishin me shumë në interes të serbëve, Kosova, fitoi fusnota dhe zvogëlim të metutjeshëm të sovranitetit. Tashti kemi ardhë në pikën mê kritike të humbjes përfundimtare. Pse duhet të bisedohet me Serbinë kur ende nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, kur ende nuk ju kethen të pagjeturit familjeve shqiptarë në vuajtje të tmerrshme dhe të pafund, kur ende nuk pranon reparacionet për dëmet e shkaktuara. Nëse jemi shtet, pse duhet të bisedohet me Serbinë për çështje të mbrendshme të Kosovës?! A e kemi të qartë se për serbët e Kosovës duhet biseduar me përfaqësusit e sërbeve të Kosovës e jo me Sërbinë. Pse nuk ngritet çështja e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës lindore në nivel të drejtave të minoritetit serb të Kosovës.

Cili shtet demokratik mund t’a mohojë këtë të drejtë?

Sankcionet e fundit ekonomike të Kosovës kundër Serbisë na dhanë krenari dhe shpresë se, më në fund, edhe Kosova e mori veten dhe se edhe ajo “ ka një grusht të fortë”. Kjo, ka edhe një element tjetër shumë pozitiv, edhe pse me mundime, ekonomia e Kosovës orientohet nga Shqipëria dhe vendet tjera mike. Pse tashti duhet t’i nënshtrohemi presionit ndërkombëtare dhe fatëkeqësisht edhe atij të mbrendshëm për tërheqjen e tyre?! Serbia e thotë haptas: “ në pranojmë të hyjmë në bisedime vetëm nëse shqiptarët bëhen të arësyeshem dhe heqin sankcionet, por në kurrë nuk do t’a njohim pavarësinë e Kosovës”. Pas kësaj deklarate, çfarë kuptimi ka heqja e sankcioneve ?! Çfare kuptimi kanë bisedimet me Serbinë kur ajo po të tregon që më parë se nuk do të njeh si shtet kurrën e kurrës. Për ma keq, është e qartë se Serbia, përfaqësuesit e Kosovës dhe shqiptarët nuk i njeh as për njerëz e lërë më për bashkëbisedues të barabartë. Sankcionet nuk duhet të hiqen derisa Serbia, nuk i plotëson kushtet e lartëpermendura dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Asnjë shtet demokratik nuk ka të drejtë morale të ja mohojë këtë të drejtë legjitime Republikës së Kosovës. Pas njohjes së pavarsisë, marrëdhënijet ekonomike dhe ndërshtetërore me Serbinë duhet të rishqyrtohen, varësisht nga interesat e Kosovës dhe të bazuara në reciprocitet të plotë. Historia na mëson se Serbia nuk lëshon pe kurrë me bisedime. Ajo e njeh dhe respekton vetëm forcën dhe presionin e vërtetë ndërkombëtare. Nuk duhet bërë lëshime të panevojshme në dëm të vendit tonë për të ju hyrë në hatër ndërkombëtarëve.

Shkëmbimi i Territoreve

Të dhëmb zemra kur dëgjon disa politikan apo mendimtarë shqiptarë që thonë së populli i Kosovës nuk humbë asgjë me shkëmbimin e teritoreve me Serbinë dhe se kjo punë mund të kryhet “shumë lehtë”. Edhe më keq, ka nga ata që thonë se veriu i Kosovës është edhe ashtu “i humbur”. A është ky naivitet, budallëllek i kulluar, apo diçka tjetër që nuk dua ta besoj?! Edhe pse, me fajin tonë, një pjesë e teritorit të Kosovës kontrollohet nga minoriteti serb, kjo nuk është tokë e humbur pa u dhënë pëlqimi nga populli shqiptar dhe deri sa atë tokë, nuk e shkelë ushtria serbe. Nëse lejohet ushtria serbe të hyje në të, atëhere do të humbet përgjithëmonë. Për ta këthyer, do të duheshin bombardime tjera të Natos, dhe një luftë tjetër, gjë që nuk mund të ndodhë më. Në një shtet demokratik, askush nuk ka të drejtë të bëj pazarë me tokën e tij.

Askush!

Shihni shtetin më demokratik në botë, SHBA’të. Një President, që ka fuqi shumë më të madhe se cilido udhëheqës i Kosovës apo çfarëdo shteti tjetër, për dy vjet përpjekjeje, pa pëlqimin e opozitës, ende nuk arriti ta bëjë një murë dhe atë në tokën e vet, për mbrojtjen e kufirit të jugut nga ilegalet dhe trafikimi i drogave. Çfarëdo ndryshimi i kufijve të Kosovës do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptare gjatë gjithë historisë së tij. Pse duhet të mashtrohet populli ynë i shtrenjtë i Kosovës Lindore, me qëllim të aresyetimit të ndryshimit të kufijve, se do të mund bashkohet lehtë me Kosovën. Serbia kurrë nuk do t’a pranonte këtë, me kurrfarë bisedimesh, vetëm me luftë. Me hyrjen e Natos në Ballkan, luftat kan mbaruar. Pse, për 11 vjet pavarësie nuk e gjetëm mënyrën t’a bëjmë Kosovën Shtet të mirëfillëtë të pavarur dhe sovran? Dhe tashti, në vend se të merremi me mbrojtjen e vëllezërve tanë në tokat e veta, në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, ne edhe mëtutje duhet të mbrohemi në Kosovë?

Përkrahja e SHBA-ve, dhe Shteteve Demokratike Perendimore

Rroli i SHBA’ve në arritjen e rezultatit final për Kosovën është i pa-zëvendësueshëm . Eshtë gjë e njohur, se populli Shqipëtarë i don SHBA-të, me zemër dhe pa hile. Kemi arësye të forta, Amerika(nënkupto SHBA-të) na shpëtoi disa herë nga zhdukja si komb. Ne duhet dhe do të vazhdojmë t’a duam dhe respektojmë Amerikën përjetë. Amerika dhe NATO investuan shumë në Kosovë. Ishin faktor vendimtar në çlirimin, krijimin dhe njohjen e Kosovës si shtet me kufijtë ekzistues. Eshtë absurd të mendohet se do të çojnë dorë lehtë nga përkrahja e Kosovës. Mirëpo, Amerika nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ka shumë punë tjera më të vështira dhe më të rëndësishme. Në duhet vetë ta ndërtojmë shtetin tonë. Nëse jemi të organizuar, të fortë dhe të vendosur, përkrahja nuk do të mungojë. Eshtë i dëmshëm dhe i pabazë tentimi i disa politikaneve që ta përdorin faktorin Amerikan për aresyetim të qëndrimeve të tyre të gabueshme, shpesh antikombëtare siç është shkëmbimi i territorit me Serbinë apo heqja e sankcioneve ekonomike.

“Po thotë Amerika” !
Èshtë shprehja e tyre më e preferuar dhe më e keqëpërdorur për t’jua mbyllur gojën kundërshtarëve. Amerika është gjithëmonë për bisedime, por nuk e urdhëron kurrë një komb t’ja falë territorin tjetrit. Ata që janë marrë me veprime legale lobiste në Amerikë e dijnë shumë mirë, se gjatë këtyre 30 viteve veprimi, ka ndodhë që qëndrimet amerikane, nuk kan qenë në të njëjtën vijë me interesat tona kombëtare. Êshtë dashur të punohet me senatorë dhe kongresmen Republikan dhe Demokrat, për t’a ndërruar qëndrimin amerikan në favor të çështjes sonë të drejtë. Dhe kur e ke çështjen e drejtë, kur punon me zell, përkushtim dhe vendosmëri, Amerika, të përkrahë pa rezervë. Shumë kongresmen dhe senator, luftëtarë të dalluar për të drejta të njeriut e morën çështjen e Kosovës dhe kombit Shqiptarë me zemër. Për të realizuar përkrahjen e plotë të Amerikës sot, duhet plotësuar dy kushte themelore: organizim dhe mobilizim të gjithëanshëm gjithëpopullor në vendlindje dhe përforëcim të veprimeve lobiste në Amerikë. Evropa, është çështje tjetër, është e ngërthyer me interesa të shumta nga të gjitha anët, me influence të madhe nga Rusia. Edhe pse e dinte se çështja jonë ishte e drejtë, Evropa, nuk ka qenë gjithëmonë në anën tonë. Gjermania, Britania, Austria dhe Brukseli, janë duke mbajtur qëndrim parimore. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën sepse jemi pjesë e saj, por pa i dëmtuar interesat tona kombëtare. Dhe, nuk duhet të harrojmë se fati i popullit tonë vendoset në Amerikë.

Në mbrojtje të çështjes kombëtare

A është e mundur që populli jonë të reagojë edhe njëherë si komb, si në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe luftës së Kosovës? Ishte një gjë madhështore. Sot, ka ardhur koha ta bëjmë të njëjtën gjë, të ngritemi të gjithë në këmbë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Të gjithë në mbrojtje të Mitrovicës, me të gjitha metodat e mundëshme demokratike. Duke mbrojtur Mitrovicën, mbrojmë Prishtinën dhe Tiranën, mbrojmë Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin, mbrojmë Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin, mbrojmë Plavën, Gucinë dhe Tuzin, mbrojmë Çamërinë dhe mbarë kombin Shqiptarë anëkend botës. Eshtë e pakuptueshme, e çuditëshme dhe e frikshme, indiferenca e popullit tonë në këto ditë vendimtare për kombin tonë. Duke i shkruar këta rreshta, erdhi lajmi se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më në fund, u prononcua publikisht për situatën. Ishte një deklaratë e qëlluar dhe e fuqishme. Nuk kam informata të plota por shtrohet pyetja, ku janë të tjerët? Ku është ASHA e Shqipërisë dhe forcat politike të gjitha trojeve tona, ku janë organizatat jo-qeveritare, ku jan institucionet fetare të një kombi tolerant, ku janë të gjithë tjerët, ku është mbarë populli ynë? Varet nga të gjithë në se a do të fitojmë dhe t’a këndojmë sëbashku këngën “Sa e madhe është Shqiptaria” apo do të humbim me turp dhe të vajtojmë me vargjet e Pashko Vasës “ O moj Shqipni e mjera Shqiptari”.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro Amerikane dhe Anetar i Keshillit te VATRES

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Gëzuar Pavarësia e Kosovës, Populli shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT