• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dita e Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare

August 19, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Pas 20 vitesh, në 16 gusht 2016: Pranë shtatores së Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në hyrje të Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, zv/kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Agim Rexhaj, arkëtari i Vatrës e kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales në kryeqytetin kosovar, që vepron në Nju Jork, Marjan Cubi dhe anëtarë të tjerë të delegacionit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

KOSOVA-LUFTA NË LAJME/ Para 20 viteve, 19 gusht 1996/

Dita e Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare/

-“Besojmë, se së shpejti këtë ditë të shenjtorëve tanë, ta kremtojmë në Ulpianë të Prishtinës në liri e pavarësi të Kosovës, si kremte popullore”, theksohej në urimin e Presidentit Rugova para 20 viteve/

PRISHTINË, 19 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/  Para 20 viteve, 17 gusht 1996,Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova i dërgoi një urim Imzot Mark Sopit, Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës në atë kohë, me rastin e Ditës së shenjtë të kremtimit të 18 gushtit.
“Me rastin e Ditës së Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare, Florit e Laurit të viteve 117-138 pas Krishtit, pranoni urimet e mia të përzemërta.
Besojmë, se së shpejti këtë ditë të shenjtorëve tanë, ta kremtojmë në Ulpianë të Prishtinës në liri e pavarësi të Kosovës, si kremte popullore”, thuhej në urimin e Dr. Rugovës.

Ja çka raportoja para 20 viteve, në 19 gusht 1996:http://www.hri.org/news/balkans/ata/1996/96-08-19.ata.html

[14] ILLYRIAN-ALBANIAN SAINTS’ DAY IN KOSOVA

PRISTINA, AUG 19 (ATA)-By B.Jashari, The Saint’s Day of the Illyrian- Albanian Ulpiana and Dardania was celebrated on August 18 in the Prizreni parish.Attending the solemn pontifical Mass celebrated in the Albanian catholic church in Grazhdanik, which is named after St Flori and St Lauri, 117-138 After Christ, were many catholic and other believers from all over Kosova, ministers of the Kosova Bishopric parishes and Father Hil Kabashi.

St Flori and St Lauri are the first Illyrian-Albanian martyrs were were sacrificed for spreading Christianity.On the Saint’s Day, the President of the Republic of Kosova, Dr.Ibrahim Rugova, sent a message of greetings to Monseigneur Mark Sopi, bishop of the Kosova Bishopric, the Kosova center of information reports.”We believe that we will celebrate our Saint’s day in Ulpiane of Pristina, in Kosova’ freedom and independence, as a people’s holiday,” the message says.August 18th is the Saint’s Day of Illyrian-Albanian Ulpiana and Dardania, Flori and Lauri, who have been living in the years 117-138 After Christ.Ulpiana, center of Dardania, the ancient name of today’s Kosova, was one of the 20 cities of Southern Illyria including Shkodra, Lisus, Dyrrahium, Skampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Aulona, Butrinti and other cities, which survived also in the Byzantium period.Ulpiana, which is being ruined by the Serbs, is preserving in its bosom the values of civilization of this important city of ancient Illyrian Dardania and shows that the Balkan history does not begin in the 14th century as pretended by the Serbs, but many centuries earlier, when they had not yet arrived in the peninsula.

The Serbs have destroyed in Kosova basilica, cult institutions, cemeteries, mosaics and many paintings and sculptures of great value.For seven years on end (1980-1987), the Archaeological Institute of Belgrade has carried out archaeological excavations and plundered from Ulpiana hundreds of exponents of Albanian cultural-historical values.More over, last year, the Serbs made use of bulldozers to open up channels in the archaeological center of Ulpiana.

The same Serb strategy has been used in the ancient city of Siparunt of Peja, the urban center of Pristina and the old cemeteries in Zvecan i Vogel of Mitrovica, where a settlement for the Serb refugees is being set up. a.ca/lm

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: agim Rexhaj, Behlul Jashari, Dita e Shenjëtorëve, të Ulpianës

SPECIALE-Në Pejë, e diel me shi, kujtime, shqetësime dhe festë

August 10, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI: Agim Rexhaj, Sylë Lajqi, Bajram Dreshaj e Behlul Jashari në Pejë, 7 gusht 2016/

-Një takim në Prishtinë dhe një udhëtim në Pejë drejt Rugovës, me ftesë të zv/kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Agim Rexhaj/

-Verave rritet Peja, vijnë këtu nga bota njerëzit e saj…/

-Kujtime për Presidentin historik Rugova, thoshte: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 10 Gusht 2016 /Mëngjesi i të dielës së 7 gushtit 2016 ishte me shumë shi, lojërat tradicionale në Rugovë, për ku isha nisur i ftuar nga Agim Rexhaj, ishin shtyrë në pritje të një të diele tjetër me diell, prandaj u ndalëm në Pejë, në qytetin e tij në Kosovë, ku ka ardhur për pushimet e verës nga qyteti i Nju Jorkut –Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

AGIM REXHAJ-NDERI I KOMBIT, ME DY DEKORATA PRESIDENCIALE, TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË

Këtë verë e takova për herë parë, ndërsa e njihja kaherë si emër: Agim Rexhaj, pjesë e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, mik e bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, themelues e udhëheqës i LDK-së në SHBA, për shumë vite vatran edhe aktualisht zv/kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” dhe Nderi i Kombit – i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë.

“Është ajo dekorata e dytë Presidenciale, e para ishte nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, më thotë ai, derisa bisedojmë bashkë në teracën e një hoteli buzë lumit Lumëbardhi në Pejë.

“Zotit Agim Rexhaj me nderim të madh për punën që ka bërë në SHBA për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ibrahim Rugova 8.11.2005 Prishtinë Kosovë”. Këtë dedikim e ka shkruar me dorën e vet Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në një komplet veprash në tetë vëllime. Ky komplet i veprave letrare të Ibrahim Rugovës, në vitin 2005, ishte botuar në Prishtinë nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, ndërsa promovimi do bëhej në 4 nëntor në Tiranë, në Panairin e librit në kryeqytetin shqiptar.

“Për Z. Agim Rexhaj nga Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova Prill 2004, USA”, shkruan në flakërim ari dedikimi te Vula e Presientit të Kosovës, me shqopnjën dykrenare – të Flamurit të Dardanisë, me yllingjashtëcepësh nga Flamuri i Skënderbeut.

Dekorata tjetër Presidnciale erdhi pas vitesh, edhe nga Shqipëria. Në Tiranë, në 24 nëntor 2014, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerësoi gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, veprimtarë të shquar të Federatës Pan-Shqiptare në Amerikë “Vatra”.
Kreu i Shtetit shqiptar nderoi veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare me Dekoratën Nderi i Kombit për Agim Rexhaj, ndërsa pas vdekjes u dekoruan vatranët dhe gazetarë të Diellit, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste: Aqif Përmeti, Bahri Omari, Kolë Tromara, Kristo Kirka, Kostaq Kota, Aqile Tasi, Kristo Floqi dhe Andon Frashëri.
Presidenti Nishani çmoi gjithashtu (pas vdekjes) veprimtarët e spikatur për lirinë dhe çështjen shqiptare si dhe në homazh të heroizmit dhe sakrificës për idealet atdhetare me Dekoratën e Artë të Shqiponjës: Faslli Frashërin, Ali Kuçin, Kolë Rrodhen dhe Halit Qytezën.

“Sot është një ditë e madhe për VATRËN”, është shprehur zv/kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, Agim Rexhaj, në fjalën përshëndetëse e falënderuese për dekorimet nga Presidenti i Shqipërisë.

“Unë ndjehem i lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundit të qenjes time për kombin tim.
Zoti President!
Nuk ka fjalë që ta përshkruajë mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.
Por ka një mënyrë për t’ua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më pëprara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë”, ka theksuar i sapodekoruari me Nderi i Kombit, Rexhaj.

Për këto dekorime rilexoj te Gazeta Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, derisa shfletojmë edhe ekzemplarë arkivi të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, duke pirë kafenë e mëngjesit në Pejë, rrugës drejt Alpeve shqiptare, Rugovës…

PRESIDENTI RUGOVA, INTERVISTAT NË GAZETËN RILINDJA: KOSOVA E PAVARUR NË NATO E NË BE DHE NË MIQËSI TË PËRHERSHME ME SHBA

“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull të ballinës gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President, një ditë më parë në 4 mars.

“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me pyetjen time të parë ishte edhe urimi për rizgjdhjen President i Kosovës.

Në mëngjesin me “mendime të bukura për Kosovën”, në qytetin e Pejës, shfletojmë edhe ekzemplarët e gazetës me intervistat ekskluzive për Rilindjen që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova: të fundvitit 2002 me titull “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, të jubileut të 60 vjetorit të gazetës tradicionale kosovare Rilindja -12 shkurtit 2005  me titull “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin” … dhe me intervistën  me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve” ekskluzive për Agejncinë shtetërore zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH, që kam zhvilluar në 22 shtator 1994.

Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës…Për Himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët (Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë)…”, më thoshte Presidenti Rugova në intervistë në fundvitin 2002.

“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në intervistën tjetër eksluzive në shkurt 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, dhe “njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova në intervistë për Rilindjen.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, dhe në intervistën që kam zhvilluar në shtatorin 1994 – intervistën e parë ekskluzive të një Presidenti të Kosovës për ATSH-në,  e vlerësonte Referendumin e 26 deri 30 shtatorit1991 “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…

Bisedojmë gjatë me Agimin, kemi kohë gjithë ditën që e kishim planifikuar të jemi në lojërat tradicionale në Rugovë, krahinën e njohur edhe për prejardhjen e familjes së Presidentit histotik Rugova, ku në fsharin Malaj ngrihet një Kompleks memorial.

Në vitin 1944, në 2 dhjetor u lind Ibrahim Rugova në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, apo siç njihej në ato anë, në familjen e Sadri Elezit. Familja është e njohur për tradita kombëtare dhe për qëndresë të pareshtur kundër pushtuesve. Familja i takon fisit Kelmendi, nënfisi Lajçi, e vendosur në fshatin Malaj të Rugovës, ku edhe sot i ka pronat e saj.

Në fshatin e lindjes së Presidentit historik Rugova, në Cerrcë të Istogut, është i lindur edhe Agimi dhe edhe për këtë flasim dhe e kujtojmë…

Në shtypin shqiptar kam lexuar se Rexhaj pas demontratave të vitit 1981, i përndjekur, u detyrua të largohet nga Kosova dhe nga Austria shkoi në SHBA. Shtypi thekson se, “Zoti Rexhaj ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova në vazhdimësi, apo thënë më drejtë një mik personal i Presidentit, dhe mikëpritës i tij në SHBA gjatë gjitha vizitave”.

VIZITAT E PRESIDENTIT RUGOVA NË SHBA. PRESIDENTI CLINTON: MË THA SE DUHET TË NA NDIHMOSH

 

Një prej atyre vizitave në SHBA, për të cilat edhe kam raportuar si korrespondent nga Kosova, ishte ajo kur në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 nëntor 2009,  në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Derisa dëgjoja nga vetë Presidenti i SHBA Clinton për ndihmën që i kishte kërkuar Presidenti i Kosovës Rugova dhe raportoja për këtë kujtoja edhe raportimet e mëhershme nëpër vite si korrespondent nga Kosova i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë -ATSH, pjesë e të cilave ishin edhe ato nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 qershorit 1999, nga ora 05 e 17 minuta, e më parë për fillimin e bombardimeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forave serbe në mbrëmjen e 24 marsit 1999, derisa goditjet e para në Prishtinë u ndien rreth orës 20:00. “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Derisa me Agimin flasim edhe për vizitat e Presidentit Rugova në SHBA, një vatran tjetër – shqiptar në Amerikë, veprimtar i hershëm e nënkryetar i LDK-së atje, Sylë Lajqi, që ka ardhë për pushime në vendlindje, në Pejë na bashkohet në teracën e hotelit. Ai na tregon edhe një barcoletë shqiptare nga ato që shpërthejnë të qeshur e që në një nga vizitat në SHBA, gjatë një ndeje, ia kishte treguar Presidentit Rugova…

SHQETËSIME PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT KOSOVË-MALI I ZI

Shiu i të dielës në Pejë bie pa ndalë dhe njerëzit mbushin teracën buzë lumit të fryrë, shumë prej tyre janë bashkëatdhetarë që kanë ardhë për pushime e për t’u çmallur në vendlindje. “Verave rritet Peja, vijnë këtu nga bota njerëzit e saj”, dëgjohet një nga bisedat në tavolinat e shumta në teracën e madhe të hotelit. Pejanët flasin edhe për shqetësimet e tyre dhe tavolinat në teracë shpesh “shndërrohen” edhe në tryeza debati për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, ku kufizohet edhe komuna e Pejës.

Një vatran tjetër, shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pronar atje i TVALB, Bajram Dreshaj, duke shprehur shqetësimin për variantin e demarkacionit të kufirit thotë se ndanë jo vetëm pjesë të Kosovës po edhe vallaun nga vëllau. “Në fshatin Haxhaj, me shtëpitë e tyre, një vëlla mbetet në këtë anë në Kosovë e një në anën tjetër në Mal të Zi”, tha Dreshaj, vatrani i tretë që erdhi në tavolinën ku ishim buzë Lumëbardhit të Pejës.

“Banorët e fshatit Haxhaj të Rugovës ndihen të pasigurt”, ka raportuar media kosovare këtë verë, duke shtuar se, “të shtënat janë dëgjuar, por nuk dihet se kush ka shtënë” dhe se, “banorët e këtij fshati thonë se ata janë dëmtuar më së shumti nga demarkacioni me shtetin malazez”.

Shqetësime për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi ka edhe Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, thotë zv/kryetari i saj, Agim Rexhaj, dhe mesazhi është të gjithë të mendojnë mirë, që  deputetët e Kosovës mos të ratifikojnë asnjë marrëveshje që dëmton trojet kombëtare shqiptare.

Me kohë, edhe në deklaratën e 12 korrikut 2016, theksohej se, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”, ashtu si shumë organizata e fondacione Shqiptaro Amerikane në SHBA, me shqetësim të madh ka përcjellë situatën e fundit të krijuar në Kosovë lidhur me kufirin Kosovë-Mali i Zi, pikërisht rreth ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin kufitar.

“Federata ‘Vatra’ për më shumë se 100 vjet ka qenë dhe mbetet edhe për këtë shekull avokatja e mbrojtjes së trojeve etnike. Askush nuk ka të drejtë që të ‘dhurojë’ atë çka brezat paraardhës e mbrojtën edhe me jetë. Nuk është vendi dhe koha të shesim patriotizëm, por me gjakftohtësi të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes kombëtare, para se të merret një vendim, që nesër nuk mund të korrigjohet”, theksohet në deklaratë.

“Shpresojmë dhe besojmë që do mbaheni mend ndër gjenerata si legjislativ i cili nuk ratifikon çfarëdo marrëveshje që dëmton trojet shqiptare”, është, mes tjerash, mesazhi i Federatës Pan-Sipitare të Amerikës “Vatra” për Kuvendin e Kosovës.

SHQIPTARËT NË SHBA EDHE PËR NDËRTIMIN E KATEDRALËS “NËNË TEREZA” NË PRISHTINË

Nga “Vatra” e shqiptarëve në SHBA këtë verë do vijnë edhe vatranë të tjerë në Kosovë. Do vijë edhe Marjan Cubi – arkëtari i “Vatrës”, kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. “Shqiptarët në Nju Jork mblodhën edhe $ 270 mijë për Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë”, ishte një nga njoftimet në fillimin e pranverës 2016.

“Marjan Cubi: Shqiptarët e Nju Jorkut kanë ndërtuar murin më të madh të Katedrales “Nene Tereza” ne Prishtine”, ishte titulli i intervistës që ka zhvilluar editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca, me të cilin kam komunikim e bashkëpunim të përditshëm, të shkëlqyer, ka më shumë se një vit.

Ndërsa, Agim Rexhajn e njoha nga afër, e takova për herë të parë në Prishtinë në këtë verë në teracën e një prej hoteleve në qendër, ku më dhuroi ekzemplarë të më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën, të themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica e që në 15 shkurtin 2016 festoi 107 vjetorin  – Gazetës Dielli, organ i “Vatrës”, për të cilën kam mësuar nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar e për të cilën jam korrespondent nga Kosova ka më shumë se një vit, nga Dita e Lirisë – 12 qershori 2015, që festohet tradiconalisht nga 12 qershori 1999 kur NATO-forca më madhe planetare hyri në Kosovë, pas ndërhyrjes shpëtimtare me aviacion  kundër caqeve të forcave serbe që bënin masakra, spastrim etnik e gjenocid kundër shqiptarëve që donin lirinë e pavarësinë e luftonin për këtë.

ÇMIMI PËR KONTRIBUT TË VEÇANTË NË PROMOVIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE, DEDIKIM VATRËS DHE DIELLIT

Ishte 2 gushti i kësaj vere, kur në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Diasporës, në kuadër të manifestimit tradicional Dita e Diasporës, në një ceremoni, ku mori pjesë dhe u përshëndet veçantë Agim Rexhaj, zv/kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, organ i së cilës është Gazeta Dielli, si korrespondent i saj në Kosovë mu dha Çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare. Duke u falënderuar në ceremoni për vlerësimin theksova se çmimin ia dedikoj  VATRËS dhe gazetës organ i saj  Gazetës DIELLI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gazeta Dielli edhe shumë vite më parë merrte e botonte shkrimet e mia – raportimet si korrespondent nga Kosova i Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, që nga 24 maji 1992, i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare, të mbajtura në rrethana okupimi e shtetrrethimi ushtarako-policor, që pasonin Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut  e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e fundshtatorit 1991 për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik…

Në Pejë dita me shumë shi e të dielës së 7 gushtit 2016 po sillte edhe me shumë gëzim, festohej: Kosova shtet i pavarur që nga 17 Shkurti historik 2008, i njohur deri tash nga 112 shtete anëtare të OKB-së, me xhudisten pejane Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë olimpike, në Rio 2016 në Brazil – të artë. Festë dhe gëzim për të gjithë shqiptarët në botë…

E Peja edhe një të diel tjetër, të ardhëshmen, do pres shqiptarët drejt Rugovës…

Lojërat tradicionale “Rugova 2016” në fshatin rugovas Kuçishtë, rrethina e Pejës, të paralajmëruara për 7 gusht e që nuk u mbajtën atë ditë  për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, do mbahen të dielen e 14 gushtit.

“Lojërat tradicionale ‘Rugova 2016’ janë lojëra popullore, karakteristikë etnokulturore e trevës së Rugovës dhe prezantojnë shumëllojshmërinë e traditës, zakoneve dhe dokeve të kësaj treve malore e që në përmbajtje të tyre hyjnë sikurse lojërat e shkathtësive fizike e lojërat luftarake të burrave, ashtu edhe lojërat humoristike, lojërat dëfryese, këngët tradicionale, vallet popullore dhe ritet e ndryshme etnokulturore të kësaj treve të njohur shqiptare”, thanë organizatorët.

Lojërat tradicionale “Rugova 2016”, që ruajnë traditën kombëtare kanë për qëllim edhe forcimin e identitetit te diaspora shqiptare, pjesëtarë të së cilës në këtë kohë pushimesh të verës vijnë edhe nga Amerika, vende të Evropës e të tjera të botës në Kosovë e trojet tjera etnike dhe janë pjesëmarrës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: agim Rexhaj, Behlul Jashari, e diela e Festes, ne Peje, speciale

Agim Rexhaj, zv/ kryetar i Vatrës, i ftuar në pritjen vjetore të kongresmenit Joe Crowley

December 15, 2015 by dgreca

Ne Foto: Zv/Kryetari I vatres Agim Rexhaj me senatorin democrat të Nju Jorkut Charles Schumer gjatë pritjes/

Zv/ Kryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj ishte i ftua të Dielën me 13 dhjetor 2015 në pritjen vjetore që dha kongresmeni demokrat Joe Crowley. Z. Rexhaj shoqërohej nga zonja e tij, Laura.

Gjatë mbrëmjes festive, ku morën pjesë shumë personalitete amerikane, z. Rexhaj e informoi kongresmenin për komunitetin shqiptar, dhe në mënyrë të vecantë për Organizatën më të vjetër të Shqiptarëve të Amerikës, Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra.

Po ashtu z. Rexhaj pati rastin që të takonte gjatë mbrëmjes edhe me senatorin e Shtetit të Nju Jorkut Charles Schumer, të cilin e falenderoi për mbështetjen që i jep komunitetit shqiptar. Zv/Kryetari i Vatrës e falenderoi senatorin edhe për pjesmarrjen e tij në festimet e Federatës Vatra me rastin e 100 vjetorit të themelimit , ku senatori ishte i pranishëm dhe përshëndeti gjatë darkës.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, annual Holiday, Joe Crowley, Kongresmeni

Z. Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, në takimin vjetor të Komitetit Kombëtar për politikën e Jashtme Amerikane

October 4, 2015 by dgreca

-Nju Jork, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli Atlantikut, mbajti takimin vjetor/

– Z.Agim Rexhaj,antëtar i rregullt që prej vitit 2004 i këtij Komiteti, u takua me Ambasadoren Rosemary A. DiCarlo, Presidente e Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshillin Amerikan Atlantiku, dhe e informoi për veprimtarinë e Federatës më të vjetër të shqiptarëve  në Botë, VATREN/

 Nga Beqir Sina/

Të mërkurën, 30 shtator 2015, në Nju Jork, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli i Atlantikut, organizoi takimin vjetor, ku kësaj radhe ky takim iu kushtua Afganistanit dhe u titullua :” Afganistani : Një vit në progresin e bërë dhe sfidat përpara tij”.

Në këtë takim, i cili është vjetor, Ambasadorja Rosemary A. DiCarlo, mori detyrën e Presidentes së Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, dhe Këshilli Amerikan e Atlantikut, mbas largimit të saj si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkauara. Ambasadoria DiCarlo, është njëkohësisht studiuese dhe lektore në Institutin Jackson Yale – të Universitetit për Çështje Globale – Yale .

Njëhereshit, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshilli Atlantikut, NCAFP, ftoi në këtë takim Shkëlqesinë e Tij Dr. Abdullah Abdullah, Kryeshefi Ekzekutiv i Republikës Islamike të Afganistanit në një bisedë pyetje përgjigje(Q&A) me ambasadorin James B. Cunningham, lidhur me gjendjen në Afganistan, në vitin e parë të Qeverisë së Unitetit.

Në këtë takimin vjetor në Nju Jork, morën pjesë një numër diplomatësh të huaj, akredituar në OKB , dhe institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, analistë dhe politikanë, gazetarë amerikanë e të huaj, anëtarë të Komiteti Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) , përfshirë dhe anëtarin e tyre, shqiptar, nën/kryetarin e Vatrës, z. Agim Rexhaj – me bashkëshorten e tij, zonjën Laura Rexhaj.

Zoti Rexhaj – i cili i ka shfrytëzuar vazhdimisht takimet e tij me personalitet si anëtar i klubit Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane dhe Këshillit Amerikan i Atlantikut, në Nju Jork, me prezencën e tij, edhe kësaj rradhe ka folur me Ambasadoren Rosemary A. DiCarlo, rreth Kosovës dhe shqiptarëve të Amerikës.

Me thekes të veçantë ai ka folur mbi veprimtarinë dhe historinë e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, duke e faleminderuar me këtë rast në mënyrë të posaçme, Shtetet e Bashkuara dhe ambasadoren amerikane, për angazhimin e saj në çështjen e Kosovës dhe ndihmën e SHBA për lirinë e pavarësinë e saj – dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

DiCarlo, thuhet se ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka mbajtur një sërë funksionesh në Departamentin e Shtetit kur zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës, deri sa u shpall pavarësia në vitin 2008.

Ambasadorja DiCarlo është fituese e Çmimit presidencialë “Merita të Shërbimit Diplomatik” dhe të arriturave të përgjithshme në Departamentin e Shtetit, dhe një çmimi meritor “Awards Honor”. Ajo është e nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentia e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, dhe Medaljen Presidenciale “Gjergji Kastriot Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Ajo ka marrë një doktoratë nderi nga Universiteti Haxhi Zeka në Pejë, Kosovë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij në SHBA, në prill të këtij viti, dekoroi ambasadoren amerikane Rosemari A. DiCarlo me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu” me këtë motivacion: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje të thellë për kontributin e saj të spikatur politik dhe diplomatik në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve historike dhe tradicionale amerikano-shqiptare”.

Ndërkaq, në këtë takim me Ambasadori Cunningham, i cili moderojë bisedën me një sërë pyetjesh nga kriza e vazhdueshme në Kunduz, duke filluar me pyetjen nëse rënia e qytetit është një provë për statusin e tranzicioneve politike dhe ushtarake, me të cilat përballet sot, Afganistani, Dr Abdullah, vazhdimisht theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar në të gjithë Afganistanin, përveç domosdoshmërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme ndërkombëtare pas shpalljes së tërheqjes, së tyre në vitin 2014.

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, amerikane, e Jashtme, në takimin vjetor E Komitetit Kombëtar për politikën, zv/kryetar i Vatrës

Agim Rexhaj: NË VATËR U RUAJTËN FATET E KOMBIT SHQIPTAR

January 6, 2015 by dgreca

….Një jetë me përpjekje, sakrifica, ëndrra, zhgënjime, suksese, e kaluar për të arritur çlirmin e Kosovës ku kam lindur dhe demokratizimin e Shqipërisë time Nënë, nuk mund të kishte një ditë më të bukur sesa kjo e sotmja.
Qindra mijëra kilometra udhëtime, netë e ditë në dispozicion të çështjes tonë kombëtare, përpjekje të paepura të bëra në një jetë që ndodhej midis dy botëve: Atë të dashurisë dhe dhimbjes për atdheun, për Shqipërinë në njërën anë dhe për Kosovën në anën tjetër.Te dyja të ndara prej një kufiri të vendosur në mes të një populli, të një kombi, të një gjaku, të një dheu – dhe një jete me të gjitha të mirat në vendin më të bukur në botë, Ameriken, por…gjithesesi,në mërgim.
Një jetë me shqetësimin e pandarë për fatet e njerëzve të gjakut tim, të vëllezërve, të të afërmve të bashkëkombasve tanë deri në ditën e lirisë;
Dhe të gjitha këto në një vend, në një Vatër, ku u ruajtën fatet e atdheut tonë këtej kufirit e ku u mbrojtën ato matanë kufirit në Kosovën tonë të dashur.
Ishte VATRA ajo që me ngrohtësinë e saj, me idealet e saj, me frymëzimin e saj në një vend të madh ku u vendosen fatet tona më mori pranë vetes për të bërë një udhëtim jo të shkurtër, por plot tridhjetë vjeçar që nga ajo ditë kur si emigrant i ri në Shtetet e Bashkuara iu bashkangjita për të mos u ndarë kurrë më prej saj.
Sot është një ditë e madhe për VATRËN.
JU zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Buçajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga çelja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Buçajt.
Unë ndjehem I lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.
Zoti President!
Nuk ka fjalë që ta përshkruajë mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.
Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më përpara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.
Zoti e bekoftë këtë vend, Shqipërinë tonë, Kosovën tonë , trojet tona shqiptare popullin shqiptar!
Zoti i bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikes!
Zoti ju bekofte juve!
Faleminderit!
* Pershendetja e zv/kryetarit te Vatres, Agim Rexhaj me 24 Nentor 2014, ne Presidencen e Republikes, me rastin e dekorimit me titullin “Nderi i Kombit”
***
AGIM REXHAJ: “NDERI I KOMBIT”, VLERËSIM PËR VATRËN
Zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, ndjehet i gëzuar dhe tepër i vlerësuar për nderimin që i bëri Presidenti i shqipërisë me Urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai i tha editorit të Diellit se këtë dekoratë të lartë e sheh jo thjesht si dekorim vetiak, por si një vlerësim për vetë Vatrën. E thashë edhe para presidentit, tregon z. Rexhaj pas kthimit nga Tirana:” Ju zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Buçajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga çelja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Buçajt.”
Agim Rexhaj është zv/ kryetar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”Vatra” prej më shumë se dy dekadash, dhe në Kuvendin e prillit të vitit 2013, kryetari i tanishëm, dr. Buçaj, e propozoi sërish për ta pasur në krah në drejtimin e Vatrës.
Z. Rexhaj tregon se e lëshoi vendlindjen, Kosovën e tij të dashur, në dhjetor 1983. Veprimtaria e tij kishte rënë në sy të okupatorëve serbë pas dmeonstratave të ’81-shit, ku familaj ishte e rrezikuar në egzistencën e saj. Persekucioni nis me nxjerrjen nga puna të familjarëve Rexhaj. Dy vëllezërit, Agimi së bashku me Bashkimin, duhej të gjenin shtegun e shpresës.Nuk mbeti rrugë tjetër,thotë ai, veç ikja në mërgim dhe vënia në shërbim të Kosovës. Marrin rrugën e dhimbshme të mërgimit dhe përmes vështirësish të panumërta arrijnë në kampin e refugjatëve në Austri dhe prej andej në SHBA, në tokën e bekuar, që do të ushqente me shpresa dhe ëndrrën për Kosovën e lirë.
Z. Rexhaj që në fillim u përfshi në organizimin e lëvizjes në ndihmë të Kosovës. Ai ishte bashkëthemelues i Shoqatës “Kosova Demokratike” 1990 ne New York, e cila zhvilloi një veprimtari Kombëtare të rëndësishme në drejtim të njohjes së represionit serb në Kosovën e pushtuar nga okupatori serb, që ushtronte gjenocid mbi popullsinë e pafajshme dhe mohonte të drejtat njerëzore.
Zoti Rexhaj me bashkëpunëtorët e vet u bënë bashkepuntorë të ngushte të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Themelimi i LDK-së në Kosovë, krijojë lëvizjen e shpresës tek shqiptarët e Amerikës. Në ato procese formuse të LDK, shqiptarët e Amerikës kanë pjesën e tyre madhore, ndërkohë që z. Rexhaj,tregon për Diellin se udhëtoi nga Amerika në Kosovë, në fund të Shkurtit 1990 dhe dha kontributin e tij. Ai u takua me presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij dhe mori udhëzime për krijimin e strukturave të LDK-së në SHBA.Pas kthimit në SHBA, ia nisi punës.
Ai kujton se ishte data 21- Mars 1990,kur nisën anëtarësimet në LDK, në Restorantin që ishte pronë e vëllezërve Bashkim dhe Agim Rexhaj.
Pas këtij momenti veprimtaria e LDK-së në SHBA nis të japë frytet e veta, të sensibilizojë politikën amerikane, përmes demonstratave dhe vizitave në Washington. Era e Lirisë për Kosovën po frynte nga brigjet e Atlantikut, ku bijtë e saj u organizuan.
Z. Rexhaj është pjesmarrës dhe organizator i demonstratave për Kosovën në New York, Washington, Dejton dhe etj. Ai e ka udhëhequr për disa vite LDK në SHBA, ku kontributi për mbledhjen e ndihmave financiare për Kosovën ka qenë i konsiderushëm.
Z.Rexhaj, tregon se ai kontribuoi edhe ne mbledhjen e fondeve per UÇK. Së bashku me Vatrën, ai mblodhi ndihma për Luftën dhe ndërmorën nëj udhëtim të vështirë deri në spitalin e Bajram Currit, ku kuroheshin të plagosurit e luftës dhe dërguan atje ndihma. Po ashtu mijëra dollarë u dorëzuan nga Vatra në zyrën e Kosovës në Tiranë. Z. Rexhaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dhënë kontribut të madh në afrimin e politikanëve dhe zyrtarëve amerikanë në mbështetje të çështjes së Kosovës. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin mbështetës të fuqishëm në Rambuje, ku shkuan dhe shumë vatranë.Në komunitetin shqiptar, zv/kryetari i Vatrës ëshët i njohur edhe për kontribut të veçantë në pajtimin e gjaqeve, të mbartuar edhe këtu në SHBA. Ai ka realizuar 38 pajtime.Ndjehet me fat që në vitin 1986 mori kontakt me vatranët dhe u bë pjesë aktive. Në vitin 1991 ishte sekretar i Vatrës, ndërkohë që ajo kishte për kryetar një ndër figurat eminente të inteligjencës shqiptare, Prof. Arshi Pipën.
Një vit më vonë do të zgjidhej zv/Kryetar i Vatrës, detyrë që e mban edhe sot.
Nuk ka veprimtari të Vatrës ku të mos jetë edhe kontributi i z. Rexha; ai ishte pjesë aktive e komisionit të përcjelljes së eshtrave të themeluesit të Vatrës, Faik Konica, po ashtu ishte nëTiranë në qershor 1998, kur një delegacion i shoqatës Vatra shkoi nga SHBA, qëndroi në Shqipëri në kuadrin e një misioni vëzhgues dhe ndihme për shqiptarët e Kosovës pas fillimit të agresionit ushtarak serb.
Vatra dorëzoi me atë rast në Zyrën e Kosovës në Tiranë, disa dhjetëra mijë dollarë për Luftën në Kosovë.
Po ashtu z. Rexhaj dhe një pjesë e delegacionit shkoi në Tetovë për t’u takuar me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Shqiptarëve,dhe per ta vizituar Kryetarin e Gostivarit z. Rufi Osmani, aso kohe i burgosur nga regjimi Maqedonas për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.
Bashkë me Vatranët, menjëherë pas luftës në Kosovë, Rexhaj ishte pjesë e delegacionit shqiptaro-amerikan qw vizituan Kosovwn.
Z. Agim Rexhaj ka qenë mbështetës i vendosur i proceseve demokratike në Shqipëri që në fillimet e Lëvizjes Demokratike e deri sot. Ai është aktiv edhe sot, si nënkryetar i Vatrës, por edhe si individ,është pjesmarrës i takimeve me kongresistë e senatorë amerikanë, merr pjesë në fushatat e tyre, në mbledhejn e fondeve etj.
Po ashtu z. Rexhaj, thotë se është në korent të zhvillimeve në politikën amerikane dhe kontribues në dhënien e opinioneve, prej vitit 2004 është anetar i Komitetit Kombëtar mbi Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP) National Committee on American Foreing Policy.Ai shton se ishte anëtar i Bordit per shume vite ne Ligen Qytetare Shqiptaro Amerikane nga 1990-1996.
Z.Rexhaj ne vitin 2004 me delegacionin e Vatrese dhe LDK-se ne Vatikan mori pjese ne ceremonin e Lumturimit te Nene Terezes.Ishte ne komisionin per ngritjen e shtatoreve te Nene Terezes ne Prishtine,Mitrovice dhe Struge.Ai tregon se ishte pjesë në komisionin per ngritjen e Memorialit te Shaban Polluzhes ne Fshatin Polluzhe-Kosove ne Gushte te vitit 2004 dhe se kanë pasur shumë probleme nga grupimet e majta që përpiqeshin ta pengonin, madje 9 here ka udhëtuar nga Peja ne Polluzh me kembengujle qe inagurimi i ketij memoriali, te sponzoruar nga shqipetaret e New Yorkut, të realizohej me çdo kusht. Kryetar i atij komisioni ishte vatrani Sejdi Hysenaj. Inaugurimi u bë në muajin gusht, por fatkeqsisht majtisët e Drenasit e bënë pa praninë e komisionit.
Z. Rexhaj, po ashtu ishte anëtar i komisionit per ngritjen e Katedrales Nena Tereze ne Prishtine.
Nënkryetari i Vatrës ndjehet tepër i nderuar që vlerësimi i tij u bë së bashku me nderimin e martirëve të Vatrës. Ia tahshë dhe Presidentit Nishai dhe të gjithë pjesmarërsve në ceremoni, thotë z. Rexhaj: “Unë ndjehem i lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.Nuk ka fjalë që ta përshkruaj mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta çojmë më përpara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.”(Botoi Dielli ne Print, Dhjetor 2014)

Filed Under: Vatra Tagged With: agim Rexhaj, E KOMBIT SHQIPTAR, nder I Kombit, ne Vater, U RUAJTËN FATET

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT