• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI META NDEROI KENGETARIN E SHQUAR DEMIR ZYKO“NDER I KOMBIT”

June 26, 2020 by dgreca

– Kreu i Shtetit shqiptar çmoi gjithashtu edhe zotin Dule Caushaj (Malindi) me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë.

Nga Skrapari per Diellin- Sulo GOZHINA/


SKRAPAR – Sheshi në qëndror të qytetit të Çorovodës ishte kthyer në një ditë feste dhe kënge, për banorët e tij e të rethinave. Që herët në mëngjes grupet e këngës, i të rinjëve e të rejave të qëndrës kulturore  “Riza Cerova”, të veshura me kostumet Kombëtare, jehonin me këngët e Skraparit, edhe grupi i polifonisë të këngës të kësaj krahine e të krejt toskëristes me këngët e tij kishte mbledhur qindra qytetar. Kënga jehonte grykave të maleve të Skraparit, ndërsa pritej të vinte sot mes tyre me një mission të veçantë edhe vet Presidenti Rrepublikës Ilir Meta. Në këtë shesh ku janë bërë me qindra takime të llojve të ndryshme elektorale e promovime për prodhimet buqësote, agro-industriale, ditët e sezionit turistik etj. Sot këtu do të nderohen dy këngëtarët e Skraparit e më gjerë dhe ky nderim vjen nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta që nderon me: “Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes)., me motivacionin: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”. 

                                                                                                 
Demir Zyko, korife i këngës, një yll  vezullues, një meteor i zbritur nga qiejët që i buronte kënga nga shpirti e që i këndonte, jetës, halleve, mërgimeve, vuajtjeve, gëzimeve, trimerisë, mënçurisë, luftës e penës, dasmave e dashurisë. Demir Zyko, ngeli në pëjetësin e këngës në atë përjetësi që brezat që do kalojn një ditë do ta kthejë në legjendë.

                                                                 
“Dule Malindi,që me zërin e artë në këngët e polifonisë me iso të Toskërisë, tashëm i njohur në trevën e Skraparit, në të gjithë shqipërinë në diasporë e më gjerë,këngëtari që ka marë pjesë në qindra festival folkrorike të treva shqipfolse, por dhe në festivalet Kombëtare e ndërkombëtare etj, është cilsuar për nga zëri por dhe intepertimi edhe si një pasardhës i denjë i legjendës Zyko. Edhe këngëtari Malindi i këndon jetës, gëzimeve, vuajtjeve, trimërise, punës e jetës, madje edhe vetë kollofejit të këngës të Skraparit e të polifonisë me iso të toskërisë, Xha Demirit.  

 Kreu i Shtetit shqiptar çmoi gjithashtu edhe zotin Dule Caushaj (Malindi) me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.
Fjala e Presidentit Ilir META:
Të nderuar personalitete të kulturës!                                                                                                   Është kënaqësi dhe privilegj të nderoj sot dy personalitete të veçanta dhe tepër të spikatura jo vetëm të kësaj treve, por edhe të kulturës sonë. 

 Unë Demir Zykon, e kam njohur më shumë përmes Dritëro Agollit, këtij personaliteti shumë të madh të kulturës sonë kombëtare, i cili kishte një dashuri të veçantë për Skraparin, dhe një nga arsyet kryesore ishte adhurimi dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm për këngëtarin e madh Demir Zyko. Ndaj sa herë që vinim në Skrapar, Dritëroi kërkonte me këmbëngulje që të vizitonim Gjerbësin për të nderuar familjen e Demir Zykos, por edhe për të kënduar dhe për të thënë gjithmonë se: ‘Jeton Xha Demiri, se jeton gjithmonë kënga e tij’! Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë!  Malet, sepse gjithmonë ishin fortesat e lirisë dhe të qëndresës ndaj pushtuesit, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u transmetua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar. Ndaj jam shumë i lumtur që sot të nderoj Demir Zykon, këtë personalitet të jashtëzakonshëm të kombit tonë, i cili ishte ‘maestro’ i isolopolifonisë toske dhe u shqua në mënyrë të rrallë për intepretimin e këngëve me grupin e tij, duke nderuar kështu edhe bashkëpunëtorët e tij: Medin Kushen, Shahit Gjinarin, Neshat Ebibasin, Agim Cakranin, e shumë të tjerë. Në kuadër të 500-vjetorit të Skënderbeut, në Festivalin Folklorik Kombëtar në Lezhë, ai këndoi këngën lapidare ‘Mbeçë more shokë!’:                                                                                       

 ‘Mbeçë, more shokë, mbeçë!./ përtej Urës së Qabesë! / Falëm me shëndet nënesë, /kaun e zi le ta shesë. / Në pyestë nëna për mua / i thoni që u martua. / Në pyestë se ç’grua mori / Tre plumba te kraharori.’ . Ai u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por i këndoi si rrallëkush lirisë: ‘39 mos ardhsh kurrë, Ti që na rrëzove flamur!’. Zëri i artë i Demir Zykos u dëgjua në të gjithë Shqipërinë, deri sa u nda nga jeta në vitin 1992. Për vlerat e interpretimit të tij muzikor mjaft të veçantë dhe njëkohësisht shumë të vështirë për t’u interpretuar nga kushdo, Demir Zykos iu akordua titulli i lartë ‘Artist i Popullit’. Edhe pse jo fizikisht mes nesh, tradita e këngës së Skraparit me iso të xha Demirit, vazhdon të mbetet e gjallë, nëpërmjet interpretimit nga këngëtarët e Skraparit dhe nga grupi polifonik i  Shoqatës Kulturore ‘Demir Zyko’. Demir Zyko është vlerësuar për këngët e tij magjike nga studiues, muzikologë, shkrimtarë dhe artistë për zërin e një tenori lirik, të bukur e jashtëzakonisht të ëmbël. Dëshiroj të citoj fjalët e studiuesit të njohur Shaban Sinani: ‘Polifonia e Xha Demirit përveçoi dhe identifikoi një prej ligjërimeve më të pastra e më burimore të polifonisë shqiptare, polifoninë e Skraparit. Koncepti për polifoninë e pandashme vjen prej kohrash antike’. Demir Zyko e çoi më tej këngën polifonike toske, atë burimore të viseve të Tomorrit dhe ai, jo vetëm e ringjalli atë, por monumentalizoi këngën polifonike dhe mbetet një prej visarëve të traditës shqiptare. Demir Zyko mbetet një nga vlerat më të rralla e më të çmuara jo vetëm të isopolifonisë toske të Skraparit, por të gjithë Shqipërisë. Traditat e bukura të vendit tonë, veçantia dhe bukuria e isopolifonisë, e shumë vlera të tjera të çmuara që ne mbartim si komb duhen përçuar edhe te brezi i ri, të krenohemi me to dhe t’i promovojmë ato sa më shumë, sepse ato janë krenaria e pasurisë dhe trashëgimisë së vendit tonë.”
Ndërsa duke dekoruar zotin Dule Caushaj (Malindin), Presidenti i Republikës vuri në dukje se:
“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi. Këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit kam sot nderin t’i akordoj Titullin ‘Mjeshtër i Madh’. Pasioni i Dule Malindit për këngën popullore u shfaq që në fëmijëri duke kënduar këngët polifonike të Skraparit. I lindur në Malind, fshatin e poetit të madh Xhevahir Spahiu, magjinë e muzikës së tij, e transmetoi jo vetëm në vendlindjen e tij, por edhe jashtë kufijve. Zëri i tij melodioz dhe klarineta e tij përpiqeshin të shuante mallin e shqiptarëve të emigruar për atdheun e tyre. Dule Malindi ka një repertor të pasur këngësh, përmes të cilit transmeton thellësinë e bukurisë dhe shpirtit të iso-polifonisë dhe muzikës popullore. Ai e ka përçuar më së miri traditën e këngës së isopolifonisë së Skraparit dhe pa e cenuar atë, ka evoluar muzikën e tij duke sjellë risi në këngën përpunuese popullore me elemente qytetare. Dule Malindi ka realizuar deri më sot rreth 100 këngë, videoklipe dhe kolazhe të tematikave të ndryshme, duke bashkëpunuar për realizimin e teksteve me poetë të njohur si Xhevahir Spahiu, me krijuesit Arben Duka, Jorgo Papingji, dhe me kompozitorët më në zë në vend. Muzika e tij ka prekur të gjitha trevat e Shqipërisë, por është dëgjuar edhe në Kosovë dhe kudo në Diasporën Shqiptare, si Maqedoni, Turqi, Kroaci, Amerikë, Angli, Greqi, Itali e deri në Australinë e largët. Kjo karrierë kaq e pasur ka ardhur si fryt i punës përkushtuese ndaj këngës dhe muzikës, zërit të tij meliodoz, të ëmbël, tërheqës, që radhitet ndër më të mirët në Shqipëri. I jemi thellësisht mirënjohës Dule Malindit për vlerat që ka treguar dhe frymëzim që ka përçuar për të mbajtur gjallë traditën e këngës së  Skraparit e asaj mbarë kombëtare. Ai është një pasues i denjë i Demir Zykos, ndaj dhe këto dy vlerësime i kemi bashkuar në këtë ditë të veçantë.
Në vijim – Presidenti i Republikës së bashku me personalitetet e të pranishmit në veprimtarinë e dekorimeve ndoqën koncertin festiv të grupeve popullore të këngëve dhe valleve të zonës si grupi polifonik i grave të Skraparit dhe këngëtarët Petrit Lulo, Irini Qirjako, Ylli Baka e Avni Lushka.
Vlenë të pëmendet: Takimi i Presidentit Meta me Poetin Xhevair Spahiu, takimi me një grup të moshuar në lokalin “Verori” si dhe trokitja e gotave e një dolli për legjendën e iso polifonise se Toskërisë, Demir Zyka si dhe pritja që fëmijët i bënë Presidentit me përqafime e me buqeta me lule.

Filed Under: Kronike Tagged With: Demir Zyko, Dule Malindi, Mjeshter i Madh, nder I Kombit, Presidenti Meta

DIELLI, REGJISTRI ME I HERSHEM I SHQIPTAREVE TE AMERIKES

May 30, 2017 by dgreca

NGA DALIP GRCA/EDITOR I DIELLIT/*

1 Dalipi & Presidenti Nishani

 I nderuari Shkëlqesia Juaj, President i Republikës, z. Bujar Nishani/

Të Përndershëm klerikë/

Të nderuara diplomate të Shqipërisë dhe Kosovës/

Të dashur bashkatdhetarë/

Vatranë të nderuar/

Kam nderin që ta marr këtë Dekoratë të Lartë, në emër të gjithë Editorëve, që dhanë gjithçka për gazetën –Ikonë, më të vjetrën e Botës Shqiptare , që ende është në botim, falë kontributit të vatranëve, që ia kanë rritur jetëgjatësinë me kursimet e tyre. Dielli, ishte me fat sepse u udhëhoq nga pena të talentuara, shkrimtarë e gazetarë të njohur, (po perdor renditjen kohore)duke nisë me Fan S Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi, Bahri Omari, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Qerim Panariti,(ndihmës Peter Prifti) Dr.Athanas Gegaj,(pak kohë punoi si ndihmës editor edhe poeti e shkrimtari Çam Bilal Xhaferri) Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa dhe prej 8 vitesh kam nderin që ta Editoj  unë Gazetën-Ikonë, dhe të jap kontributin tim modest në rikthimin e Diellit, pas një pushimi prej 2 vitesh e gjysëm.

Tek mbushte Motin e parë të botimit, Editori i dytë i Diellit, Faik Bej Konitza, shkruante:”Me këtë numër, 22 Tetor 1910- DIELLI mbushi Motin e parë të Botimit. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjëherë, rri mbi gur dhe hedh sytë pas. Është një çlodhje, një kurajo për të shkuar përpara, kur sheh se sa eci dhe kur mendon se ku do të shkojë…”  …

Natyrisht, Konica, nuk e mendoi se Dielli do ta kalonte një shekull Jetë!

Ndërsa Editori i parë i gazetës, ai që e pagëzoi Diellin,me emrin e bukur ndricues-,ai që hartoi programin Kombëtar, të  botuar në numrin e parë, Fan S. Noli, që pati fatin ta shoh Diellin-burrë të rritur, tek festohej 50 vjetori i gazetës, Uronte:”Urojmë me gjithë zemër që DIELLI,gazetë e parë në Gjuhën Shqipe, që u botua e përditshme, të arrijë të festonjë dhe 100 vjeçarin.”

Dhe ja, Dielli e kaloi 100 vjeçarin, po mbyll dekadën e parë të shekullit të dytë të jetës së vet dhe vatranët nuk do ta lejonë që të shuhet ky qiri Kombëtar i ndezur në kohë errësire për Kombin.

Dielli i Vatrës mbetet regjistri më i vjetër dhe më jetëgjatë i Botës Shqiptare në Amerikë, që ka regjistruar jetën e shqiptarëve, që kur zbriti emigranti i parë e deri në ditët e sotme. Nuk mund të hartosh historinë e shqiptarëve të Amerikës pa u ndalë në Faqet e Diellit dhe pa patur si pikënisje Vatrën, që luajti për shumë kohë rolin e  shtetit të vdekur shqiptar dhe mbrojti kufijtë e Shqipërisë.

Po ku qëndron Misteri i jetës shekullore, 105 Vite VATRA dhe 108 Vite –Dielli?

Kësaj pyetjeje janë përpjekë që t’i japin përgjigje analistë, studiues, gazetarë, historianë. Duket se konkluzionet e ish sekretarit të Vatrës në vitet 1957-59, dhe ndihëms Editor i Diellit Peter Prifti, janë më të pranuarat. Së pari, Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë, por si një Institucion, si një Monument historik. Së dyti, edhe Vatra, edhe Dielli, lidhen me dy figura eminente të Historisë Kombëtare, Noli dhe Konica.

Së treti, Semantika kuptimore e VATRËS dhe DIELLIT, janë magjike. Emri i Federatës të sjell menjëherë në mendje imazhin e  ngrohtë të Vatrës dhe oxhakut, që shpërndajnë ngrohtësi, por dhe  Mikpritje, Bujari karakteristike shqiptare. Po edhe –DIELLI-, është një fjalë që na tërheq si me magnet, sepse”Diell” do të thotë Dritë,energji e pasosur,Jetë e Gjallëri. Vatra dhe Dielli janë emra të goditur, që i kanë tërhequr fort shqiptarët nga fillimi i Shekullit 20 e deri tash në shekullin e 21.

Mendoj se nuk ka kurrfarë misteri e enigmash në jetgjatësinë e Vatrës dhe Diellit. A e dini PSE?

Kush futet në Vatër, i jep besën, dhe nuk ndahet prej saj derisa të ketë frymë. Madje nuk i ndahet edhe kur janë të sëmurë, edhe kur janë në karrocë, sic është vatrani-simbol Jonuz Ndreu, që edhe pse në karrocë, ka udhëtuar 70 mile për të ardhur sonte këtu në darkë me Presidentin e Shqipërisë.

E dini kush e bën jetëgjatë Vatrën dhe Diellin e saj? Po ju tregoj një rast fare të freskët: një vatran që e ka në shpirt Vatrën, Mehmet Kadrijaj quhet, para tri ditësh me emocionoi, kur erdhi në Vatër dhe më tregoi: Kam punuar një muaj natën, dhe pagesën e parë dua t’ia jap Vatrës. Dhe nuk ishin pak, por 2 mijë dollarë, një punëtor i thjeshtë është Mehmet Kadrija, Jo biznesmen,por ja që jep me shpirt kursimet e veta! Po nuk është hera e parë: Mehmeti, kur dorëzoi Bibliotekën e vet në Vatër dhuroi edhe $2 mijë, kur nisi fushata për sistemimin e arkivit, dhuroi shumën 1 mijë dollarë. Nuk është i vetmi, ai, po kështu janë vatarnët.Ja pra kush e mbanë vatrën dhe Diellin gjallë! Fryma Vatrane, shpirti bujar Vatran!

…Edhe një herë falenderoj Presidentin e Republikës për Dekoratën e lartë, NDERI I KOMBIT, që i akordoi Gazetës”DIELLI”.

Falenderoj Vatrën, që ma besoi drejtimin e saj para 8 vitesh, Falenderoj vatranët që më japin mbështetje. Falenderoj bashkëpunëtorët e shumtë të Diellit, që ma lehtësojnë barrën.

Falenderoj familjen time, e cila me mbështetjen që më jep, është bërë pjesë e Gazetës dhe e Vatrës.

Faleminderit zoti President!

* KJO ISHTE PERSHENDETJA E EDITORIT TE GAZETES, NË DARKËN PËR DEKORIMIN E DIELLIT NGA PRESIDENTI BUJAR NISHANI ME URDHERIN”NDERI I KOMBIT”, POR QE PER MUNGESE KOHE NUK U LEXUA.

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Dekorimi i Diellit, nder I Kombit, pershendetja, presidenti Nishani

DERVISH LUZHA, NDER I KOMBIT(PAS VDEKJES)

October 30, 2016 by dgreca

1-d-lushaPresidenti Nishani vlerëson atdhetarin, humanistin dhe klerikun Rexhep Tarçuk Balaj (Dervishi i Luzhës) (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”/1nishaniNe Foto: 29 tetor 2016-Luzhë, Tropojë/1-ok-nishaniPresidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani çmoi gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në Tyrben e fshatit Luzhë të Bashkisë së Bajram Currit (Tropojë), Rexhep Tarçuk Balajn (Dervishin e Luzhës) (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim e nderim të veprimtarisë së tij të çmuar atdhetare si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe në veçanti, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si klerik i shquar, bamirës zemërgjerë dhe edukues, duke mëkuar plot durim e përkushtim me vlerat e virtytet më të spikatura kombëtare banorët e Tropojës, Malësisë së Gjakovës e më gjerë”.1-deputetja

Titulli i Lartë iu dorëzua mbesës së Dervishit të Luzhës, Aishe Balaj, në prani të Kryetarit të Bashkisë së Bajram Currit, Kryetarit të Qarkut, Kryetarit të Shoqatës Tropoja, drejtuesve të institucioneve shtetërore dhe vendore, deputetëve, klerikëve, përfaqësuesve të medias e studiues si dhe qytetarëve të Tropojës e bashkëkombasve nga viset shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi.1-ok-predid

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kreu i Shtetit u shpreh: “Për mua si President i Republikës është kënaqësi e posaçme, që në të gjitha vizitat e ardhjet e mia pothuajse të përvitshme në Tropojë e në Malësinë e Gjakovës, kam pasur nderin që në emër të Institucionit që drejtoj, të vlerësoj disa nga figurat emblematike që ka nxjerrë treva juaj, por të cilët qëndrojnë denjësisht në Panteonin e Kombit, të paktën që nga fillimet e Rilindjes Kombëtare, në vitet `30-të të shekullit të 19-të e deri më sot. Në hartën arbërore rrallë mund të haset ndonjë një trevë tjetër si Malësia e Gjakovës me Tropojën si yll polar, që t`i ketë dhënë historisë dhe kombit emra aq të mëdhenj të të gjitha fushave të historisë, artit, shkencës, besnikërisë dhe besimit fetar, por mbi të gjitha, të atdhedashurisë dhe patriotizmit. Jo vetëm këtu në Tropojë, por edhe në kryeqendrën e shqiptarëve, në Tiranë, edhe në Amerikë para pak javësh, kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin të nderoj me tituj të lartë të shtetit shqiptar një pjesë të elitës më të shquar atdhetare e intelektuale të lindur në këtë trevë me bukuri hyjnore, por që i përkasin të gjithë kombit dhe janë krenari e tij. Para dy vjetësh në qytetin fisnik të Bajram Currit, një poet i shquar, me të cilin ju krenoheni, Hamit Aliaj, që e vlerësova me Titullin “Mjeshtër i Madh”, në fjalën e tij falënderuese vuri në dukje se: ‘Tropoja është një abetare e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, një bibël e shqiptarëve që duhet ta lexojë secili’.

Fati i zymtë historik na ka detyruar që shumë përmendore të heronjve dhe figurave tona të shquara të historisë tonë t`i kemi me armë në dorë. Po unë do të thoja se nëse mund t`i ngrihej një përmendore poezisë, atë e meriton Tropoja, se nëse mund t`i ngrihej një përmendore këngës, e meriton Tropoja, se nëse mund t`i ngrihej një përmendore valles, atë e meriton ‘Kërcimi Tropojan’ që tashmë gëzon me plot të drejtë statusin e valles kombëtare, kudo ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë, në trevat shqiptare e në mbarë diasporën tonë. Por, ka edhe një lloj përmendoreje tjetër, si kjo e këtij burri të madh, ikonë e besimit popullor, Rexhep Tarçukut, i njohur kudo si Dervishi i Luzhës. Në dorë mban me dinjitet shkopin e udhëtarit, simbolin e lashtë të shpëtimtarit dhe udhërrëfyesit sipas gjithë librave të shenjtë. Shkopi i udhëtarit të palodhur e prijësit të shenjtë që simbolizon udhën hyjnore drejt Zotit, drejt vlerave më të mira njerëzore dhe fetare. Kam qenë edhe herë të tjera këtu tek Tyrbja e Dervishit të Luzhës, te ky monument kulture i admirueshëm, si një vizitor e si qytetar i thjeshtë. Nga çfarë kam dëgjuar dhe lexuar për këtë burrë të madh, i shenjtëruar nga besimi popullor, mund të them se në të dyja jetët e tij: në atë tokësore e atë hyjnore, vazhdon të mbetet njeriu më emblematik dhe më enigmatik i shekullit të `20-të në mendësinë e popullit të kësaj treve e më gjerë.”

Në vijim të fjalës së tij, Presidenti Nishani kujtoi kryengritjet për liri dhe pavarësi të kësaj zone: “Tropoja dhe në tërësi zona e Malësisë së Gjakovës gjithmonë është shquar si vendlindja, streha dhe vatra mbështetëse e kryengritjeve shqiptare për liri e pavarësi. Le të mos harrojmë, por të përulemi me respekt dhe nderim të thellë para heronjve kombëtarë: Bajram Curri, Haxhi Zeka, Mic Sokoli apo deri në ditët tona, Azem Hajdari, tribuni ynë modern i demokracisë, i cili veç të tjerash, kontribuoi në ngritjen e kësaj tyrbeje të shenjtë. Le të nderojmë me mirënjohje jetën dhe veprën madhore të të gjithë heronjve të kombit shqiptar, të cilët lindën, u rritën dhe u mëkuan me atdhedashuri pikërisht në këtë trevë!

Ati i Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së Tij historike në Shqipëri në shtator të vitit 2014, vuri në dukje dhe theksoi se: “…populli i Shqipërisë, i cili në sajë të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”. Themi po dhe jemi krenar për trashëgiminë që na kanë lënë të parët tanë dhe angazhohemi që ta ruajmë dhe ta pasurojmë këtë trashëgimi. Duke pasur këtë parasysh, si dhe aspiratën tonë për t’iu bashkëngjitur familjes së madhe evropiane, më lejoni të nënvizoj edhe njëherë absurditetin dhe çmendurinë e sistemit të kaluar diktatorial të atij komunist, që padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare, jo vetëm u përpoq të mbyllte kisha e xhamia e teqe, por arriti deri aty sa të na shpallte të vetmin vend ateist në botë.

Si President i Republikës, si baba, si bashkëshort, si bir, por dhe si qytetar ndihem i nderuar që të jem në Tropojën e legjendave shqiptare, Tropojën e bujarisë, trimërisë, atdhedashurisë e besnikërisë, në Tropojën e demokracisë! Është shkruar dhe folur shumë për Rexhep Tarçukun – Dervishin e Luzhës, por kemi dëgjuar edhe për Rexhep Belin, mikun dhe bashkëudhëtarin e tij. Veç tyre, Tropoja ka nxjerrë edhe një elitë të tërë njerëzish të devotshëm besimtarë e prijës të besimit, të cilët tropojanët i quajnë me emrin e përbashkët: ‘Baballarët e Shkëlzenit’. Jo rastësisht tyrbet e tyre, të gjitha janë ndërtuar në vende prej ku syri i lirë mund të dallojë malin hijerëndë e kreshtathinjur të Shkëlzenit. Ky mal ka qenë ngahera i adhuruar në mendësinë dhe besimin popullor shqiptar prej shekujsh, që së bashku me Tomorrin dhe Sari Salltikun në Krujë përbëjnë Trininë e shenjtë të maleve dhe tempujve natyrorë shqiptarë. Një pjesë e jetës dhe e personalitetit të njerëzve fisnikë e hyjnorë si Dervishi i Luzhës përherë mbetet e pashpjegueshme, një mister ende i pazbuluar për jetën tonë tokësore. Por, lirisht për të mund të thuhet, se para se gjithash, ai ishte një atdhetar mbi gjithçka. Ndoshta ka qenë luftëtari më i çuditshëm e më i efektshëm i Luftës së Dytë Botërore, një luftëtar i paarmatosur, por i pajisur më së miri me forcën hyjnore të besimit të palëkundur. Gjithkund me tri simbolet që nuk i ndau kurrë nga vetja në jetën e tij tokësore: kazmën për punë, lahutën për këngë dhe teberin (shpatën) e tij të shenjtë, e cila nuk simbolizonte vetëm armën, por diçka tjetër të shenjtë që lidhej me tarikatin ku ai bënte pjesë. Përveç bamirësive të panumërta shëruese, të cilat i përmendin edhe sot e kësaj dite bashkëkohësit e tij, veç cilësisë hyjnore të parashikuesit e sa e sa të tjera, Dervishi i Luzhës kishte një meritë tjetër të madhe që i duhet e i shërben çdo kohë njerëzimit: Mbajtjen gjallë të shpresës e besimit. Ai jetoi në vendin ideal por, në kohën e të keqes së madhe, në Shqipërinë tonë që komunizmi pa din e pa imam e shpalli si vendi i vetëm ateist në botë, në vendin ku Zoti u përpoq të zëvendësohej me diktaturën e pashpirt dhe partinë moniste, në kohën kur besimi në Zot ndalohej së praktikuari dhe dënohej egërsisht. Në këtë vendin tonë të dashur e në atë kohë të mallkuar, Dervishi i Luzhës u kthye dhe u shndërrua në një dritë të pashuar dhe besimi plot shpresë. Tyrbja ku prehet trupi i tij, është sot vend i shenjtë peligrinazhi për shqiptarët e të gjitha trojeve, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, për bashkëatdhetarët tanë të të gjitha besimeve. Sikurse në jetën e tij tokësore, edhe në jetën e përtejme, Rexhep Tarçuku, Dervishi i Luzhës, mbetet një shembull dhe faktor i madh bashkimi i shqiptarëve të të gjitha besimeve dhe origjinave. Pra ai përfaqëson simbolin e asaj vlere të madhe, e atij margaritari që karakterizon kombin tonë në qytetërimin e sotëm botëror të bashkëjetesës dhe respektit të të gjitha besimeve fetare. Luzha, ky fshat me bukuri të rralla është dhe do të jetë krenare me këtë njeri hyjnor që lindi dhe e mbajti në gjirin e vet, në tokën e saj të bekuar. Për të gjitha këto arsye, por i bindur se Dervishi i Luzhës po na vëzhgon, ruan, përkujdeset dhe bekon nga atje lart, duke na ndriçuar plot dashuri dhe mirëdashje rrugëtimin tonë kombëtar, sot, në cilësinë e Kreut të Shtetit, me shumë thjeshtësi dhe përunjësi, po i akordoj Titullin e lartë sa fisnik, aq edhe domethënës: ‘Nder i Kombit’. I bekuar nga Zoti, qoftë Ai përjetë në jetën e përtejme! E bekuar qoftë toka që e lindi dhe e rriti!” – tha në përfundim të fjalës Kreu i Shtetit shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Dervish Luzha, nder I Kombit, presidenti Nishani

KOMBETARJA KUQ E ZI-NDERI I KOMBIT

October 11, 2015 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson Ekipin Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë me Dekoratën “Nderi i Kombit”/
Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerëson Ekipin Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë me Dekoratën “Nderi i Kombit” me këtë motivacion: “Në vlerësim të arritjes historike të kualifikimit për në fazën finale të Kampionatit Europian ‘Francë 2016’, për rezultatet e shkëlqyera sportive që mundësuan këto fitore si dhe për lartësimin e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë duke na bërë më krenarë e të bashkuar se kurrë”.

Filed Under: Featured Tagged With: Kuqezinjte, nder I Kombit

KUSH ËSHTË RRUSTEM GECAJ-“NDER I KOMBIT”?

April 29, 2015 by dgreca

Rrustem Arif Gecaj ka lindur më 23 nëntor 1948 në Llukën e Ulët të Deçanit të Kosovës në një familje atdhetare që i qëndroi me stoicizëm represionit serb. Rreziku i jetës prej rritjes së dhunës dhe genocidit serb e bëri që të merrte rrugët e kurbetit dhe më 1972 arriti në tokën e Lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mërgimtari arriti që të përshtatej shpejt me jetën mërgimtare dhe në bashkëpunim me Harry Bajraktarin krijuan e fuqizuan bizneset në SHBA. Këtë biznes ata e vunë në shërbim të çështjes Kombëtare, veçanërisht të sensibilizimit të politikës dhe shtetit amerikan për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Rrustem Gecaj në bashkëpunim me nipin, Harry Bajraktarin themeluan Gazetën Shqiptaro-Amerikane “ILLYRIA” në Nju Jork, në qershor 1991, duke e kthyer në një zë të fuqishëm të informimit të Kongresit dhe Senatit Amerikan, duke e dërguar gazetën falas tek shumë kongresmenë e senatorë, përkrahës të Kosovës, ata informuan mbi genocidin që ushtrohej ndër shqiptarët.
Rrustem Gecaj ka qenë pjesë e të gjitha organizimeve dhe shoqatave që u ngritën në SHBA për të fuqizuar luftën e përbashkët për sensibilizimin amerikan për Kosovën dhe ngritjen e zërit për demokratizimin e Shqipërisë.
Së bashku me Harry Bajraktarin, Rrustem Gecaj kanë kontribuar edhe në Kosovën e okupuar. Është e dokumentuar që ndihma ndaj Kosovës ka nisë herët, që nga fillimi i viteve ‘80. Është e dëshmuar se ata nisën të ndihmonin familjet e minatorëve në grevën e urisë së Stari Tergut dhe e kanë vazhduar për vite ndihmën. Ishin 20 familje me 186 persona që mbaheshin nga Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj. Po ashtu ndihmuan Televizionin e Prishtinës kur Serbia ia ndërpreu fonde.
Rrustemi ishte pjesë aktive e LDK-së, siç u bë edhe pjesë e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, dy nga organizimet rezultative të shqiptarëve që ndikuan shumë në politikën amerikane në favor të Kosovës. Ai ishte një nga shtyllat e organizimit për mbledhjen e 3 përqindshit për shqiptarët e Amerikës në ndihmë të popullatës shqiptare të Kosovës.
Rrustem Gecaj nuk e ka kursyer pasuriën e tij për t’u bërë pjesë e mbledhjes së fondeve për presidentët, senatorët, kongresistët, e SHBA-ve, të cilët janë bërë mbështetës të zgjidhjes së cështjes së Kosovës.
Pas çlirimit, kur në Mitrovicë serbët i kishin vënë përpara shqiptarët dhe nuk po i lejonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre, Rrustemi konstatoi se Ali Kadriu po i sfidonte serbët dhe UNMIK-un, përkundër kërcënimeve; ai po përpiqej që ta ndërtonte shtëpinë e tij të rrënuar. Aliu duhej ndihmuar për t’u dhënë zemër shqiptarëve të tjerë në Mitrovicën e lakmuar nga Beogradi, kishte menduar biznesmeni në Neë York. Ishte nëntori i vitit 2008. Rrustem Gecaj nisi një aksion dhe u tha miqëve të tij: Duhet t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë të Mitrovicës, o sot o kurrë. Dhe i pari nxori çekun me mijera dollare. Nën shembullin e tij vepruan kushërinjët dhe miqtë përkrahës.
Atdhetar nuk bëhesh me fjalë, por me vepra. Këtë e tregon shembulli i Rrustem Gecajt për të sposorizuar qytetarë të Kosovës për mjekim në SHBA.
Ai ka sponsorizuar edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Dajë e nip kanë mbështetur zgjedhjen dy herë të presidentit Bill Clinton, të senatores Hillari Klinton, të senatorit Bob Dole, Joe Liberman, kongresistit Eliot Engel, Sue Kelly, McCain, D’Amato, e shumë mbështetës të tjerë të Kosovës dhe çështjes shqiptare.
Në Konferencën që përcaktoi të ardhmene Kosovës, në Rambuje, Rrustem Gecaj dhe Harry Bajraktari, ishin shoqërues të kongresmeneve Sue Kellit dhe Eliot Engel. Ata e nisën shpejt punën për ta bërë të njohur Kosovën në SHBA.
Dajë e nip, krahas suksesit të biznesit, nisën herët që të mendojnë edhe për lirinë e Kosovës dhe më pas iu bashkëngjitën Dr. Rugovës në doktrinën e tij për të sjellë lirinë përmes rrugës paqësore. Kjo i përshtatej mentalitetit amerikan, ku dyshja e biznesit, gjeti mirëkuptim dhe terren për ta bërë të njohur Kosovën. Rrethi i miqësisë së tyre ishte një mbështetje e fuqishme për të siguruar mbështetjen e Washingtonit për Kosovën e lirë.Nisja e botimit të gazetës Illyria në Neë York në qershor 1991 ishte një barrë e rëndë që ata morën përsipër dhe u kushtoi qindra mijera dollare.
Rrustem Gecaj mendon se shqiptarët e Amerikës duhet të bashkohen. Ka ikur koha e partive politike. Tani të gjithë duhet të bashkohemi në Vatër sepse kështu i shërbejmë më mirë Kombit. Vetë ai së bashku me miq të vet është anëtarësuar në Vatër dhe është i zgjedhur në Këshillin e Vatrës. Ai vuri në dispozicion me mijëra dollare për ta renovuar Shtëpinë trikatëshe të VATRËS.
Rrustem Gecaj ka qenë një ndër mbështetësit e fuqishëm për demokratizimin e Shqipërisë. Ai i ka dhënë përkrahje forcave demokratike dhe po rrit investimet atje.
Pas çlirimit të Kosovës rrustem Gecaj është ndër investitorët më të fuqishëm në Kosovë.
Z. Rrustem Gecaj ka mbështetë fuqishëm të ndjerin president të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, presidenten e tanishme të Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministrin Thaci dhe Haradinaj, ish presidentin dhe Kryeministtrin Sali Berisha.
Ai do t’i rrisë më shumë investimet jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri.(Dalip Greca)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, KUSH ËSHTË RRUSTEM GECAJ-, nder I Kombit

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHKOLLA SHQIPE NË LUGANO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË ZVICËR
  • Ngjarja përuruese e Pizza-me-Polic të Shoqatës Amerikane Shqiptare të Zbatimit të Ligjit me një sukses të jashtëzakonshëm
  • PËR FLAMURIN KOMBËTAR SHQIPTAR
  • PJESË NGA HISTORIA TRAGJIKE E ANEKSIMIT TË ULQINIT NGA MALI I ZI
  • “ÇLIRIMI” QË PUSHKATOI KORIFEJTË E PAMVARSISË!
  • NORMALJA E ELBASANIT – IKONA E ARSIMIT SHQIPTAR
  • New York City Hall echoed Albanian in an incredible celebration of 111th Anniversary of Albanian Independence
  • 28 Nëntori, një prej datave më të rëndësishme të historisë sonë
  • 111 VJETORI I PAVARËSISË, VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • Kryeministri Kurti pas homazheve në Prekaz: Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare
  • NJË VËMENDJE PËR KLERIKUN E PATRIOTIN E MADH HAFIZ ALI KORÇA
  • Përkujtohet me madhështi 111 vjetori i Pavarësisë në Michigan
  • NË DITËN E PAVARËSISË KOMBËTARE, 2023
  • PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE MIRËNJOHJA PËR KLERIN FETAR SHQIPTAR
  • Gazeta Dielli uron të gjithë shqiptarët: Gëzuar ditën e Flamurit Kombëtar dhe 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT