• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËFENJË NGA QYTETI STALIN

June 30, 2021 by dgreca

              Nga Agim Xh. Dëshnica/

     Pak histori/

Nëse dikur një shtegtar merrte udhën për Berat e pas Urës së Hasan Beut kthehej majtas në rrugën me plepa, herë në hije, herë në dritë, mbërrinte në qytetin, ku nxirrej naftë e bitum qysh në lashtësi. Ky vendbanim ndodhej në krye të fshatrave nën malin e Sulovës nga dielli del e zbret për nga perëndimi. Thonë se ajo qytezë ka ndërruar emrin disa herë, nga Seras në Zjarrishtë, më pas në Kuçovë. Ky emërrvend sllav, ndryshoi, edhe në kohën e miqësisë me Rusinë Sovjetike, e njohur për dimrin e gjatë, në hapësirat e gjera të pushtuara nga carët rusë.Nuk dihet dita e saktë, kur në qendër të qytetit u ngrit shtatorja e një burri të ngrysur, vetullzi me mustaqet e zgjatur anash buzëve. Nën shtatore qe gdhendur me daltë Josif V. Stalin.  Pas përurimit Kuçova mori emrin Qyteti Stalin, rusisht: Stalingrad, ndonëse ky qytet nuk njihej për beteja të përgjakshme! Pra, kujt i shkoi ndërmend ky emër i ri, gjysëm shqip e gjysëm sllav, të cilin populli e quante shkurt Qytet? Në biseda miqsh thuhej: “Do të shkoj në Qytet” “Ika nga Qyteti”, ose “Më caktuan në Qytet”. Ishte krejt e pamundur ta quanin shkurt, Stalin, sepse atëhere. duhej të sajonin, shprehje të pabesueshme e me rrezik si: “Vajta te Stalini,” “Ika nga Stalini.”, “U mërzita te Stalini!”,  “Më plasi shpirti  te  Stalini!”. 

Megjithëse nafta, qe shterruar dukshëm, skuadra e futbollit nga shefat e komitetit, u quajt Naftëtari dhe jo Stalini, ndryshe, do t’i gjente belaja me tifozët kundërshtarë, kur pas ndeshjes do të dëgjonin ulurimat e tyre: “Shkumbini i Peqinit e mbyti Stalinin,  Traktori i Lushnjës e dërrmoi Stalinin!’’

 Sot, edhe pse kemi alamet Akademie Shkencash, akademikët e quajnë prapë Kuçovë, ndaj historianët sërbë fërkojnë duart nga kënaqësia, kur hedhin sytë në harta e libra. Ndërkohë dijetarët tanë vrasin mendjen e thonë: “Ta quajmë Seras a Zjarrishtë, përsëri nuk shkon, sepse do të ngjalleshin kujtime të tmerrshme me tifozët e Naftëtarit, kur në mbarimin e një ndeshjeje, u sulën me tërbim të digjnin për së gjalli gjyqtarin tok me fubollistët e Dinamos. Nëse ia heqim Kuçovës mbaresën sllave ov, na del Kuç. Nuk mund ta quajmë as kështu, se Kuçin e kemi në malet e Kurveleshit, tek burronja nën rrepe.” 

Çudi! Sllavët, kudo tek shkelën, e harruan gjuhën, humbën etninë ose u larguan, lanë një varg marramendës emërvendesh, nga Novoselë në Zagori, nga Konispol në Poliçan e plot të tjerë. Ja, ç’do të thotë të jesh mikpritës e bujar ndaj ardhacakëve që kërkonin bukë e punë, për të mbajtur frymën. Pra, profesorët tanë ç’emër t’i vinin këtij qyteti që për çudi në kohë të ndryshme ndërron emrin?  Disa menduan ta quanin Plepas, disa Seras. Por, me urdhër nga lart i mbeti sërish emri sllav Kuçovë. Por, çudia më e madhe e kohëve të fundit, është se Ura e Hasan Beut, më pas Ura Vajgurore e ndodhur në truall fushor me lumin Osum mespërmes, nuk do te mbajë më ato emra. sepse disa burra fort të ditur nga qeveria e pagëzuan me emër te ri Dimal, si qyteti antik diku mbi Shpirag, Pra, vizitorët do të shohin jo një por, dy Dimale, njërin mbi mal, me  gropa, gurë e pluhur dhe heshtje, tjetrin në fushë me rrugë, urë, makina, lumë, shtëpi,  zyra, shkolla  e dyqane. Askush s’duhet të habitet, nëse edhe Beratit të njohur në histori me ndërrime emrash nga më të ndryshmit, me vendim po nga  ata burra, t’i ngjitet emrin Erdogan Kasaba,

 Portieri i Naftëtarit

  Në Qytetin Stalin të naftës, një ditë, ndërmjet dy djemve të rinj, plasi sherri për punë sporti, me fjalë pak si të ashpra. Njëri ishte  ndihmësmjek, i transferuar atje, nga Tirana, tjetri vendas, teknik nafte. Pas fjalëve nisën të flisnin grushtet. Tre policë kureshtarë, mbështetur në mur, e shikonin ndeshjen si në sallën e boksit. Në atë dyluftim, tiranasi, me goditjen e pestë, e hodhi kundërshtarin përtokë. Më pas, me urdhërrin e shefit, të dy i lidhën e i mbyllën në qeli. Ndihmësmjeku ishte edhe portier i Naftëtarit, madje i shquar në një ndeshje të bujëshme, në fushën sportive të Elbasanit, ku rrjeta e tij, u shqye keqas nga topat, e futbollistëve vendas, edhe për shkak të disa vajzave elbasanase të mbledhura tufë prapa portës. Ato, e qëllonin portierin, herë me guraleca, herë i tërhqnin rrjeten, duke bërtitur:

– O çuno!  Ktheje kryet!

– O çun i Qytetit, çile, çile portën!  

– Gol! Gol! Gol!

Në zyrën e shefit.

    Të  ngujuar në qelitë e ndriçuara keq,  të dy djemtë, pritën më kot të liroheshin po atë natë. Djaloshi nga Tirana, për të vrarë kohën, disa orë i kaloi duke hedhur e kapur një top ping – pongu në tavan e nëpër mure. Por, ja, erdhi çasti e u hap dera. Njëri prej tre policëve i thirri me zë të ashpër: 

-Ec me ne! Të pret shefi në zyrë! 

Toger Rakip Donofrosa rrinte ulur pas tavolinës me kokën mbi bllokun e  shënimeve dhe telefonin pranë. Nuk merrej vesh, flinte apo shkruante. Pas një heshtje të gjatë, ngriti ballin e gjerë.

– Hë, more portier, ulu e pëgjigju  drejt pyetjeve të mia! Emrin? 

– Kostandin.

– Mbiemrin?

– Vako.  

– Kur dhe ku ke lindur?

– Më 1933, në Londër.

– Si the!? Po ç’deshe gjer në Amerikë ti!?

– Jo, jo, në Angli  në Londër! Atje, më lindi nëna.

– Ç’bënte jot’ ëmë atje!? – uluriti togeri. – Fol!

– Ku ta di unë! 

– Kuptova! Më thuaj tani, merr vesh, e këndon apo jo gazetën e Partisë “ Zëri i  Popullit”? 

– Sigurisht!

-Pse ka atë emër ajo, gazeta?

– Sepse, nëpërmjet saj, populli, u thërret me zë  të lartë armiqve të brendshëm e të jashtëm.

– Po tjetër? Çfarë sheh mbi kokën e gazetës?

-Draprin e Çekanin. Drapri pret, çekani godet! Armiqtë e klasës, domosdo!

– Ashtu de! Më trego tani, nga cila faqe fillon ta këndosh gazetën ti?

– Nga faqja e parë, s’do mend! Shoh kryeartikullin dhe lajmet kryesore.

– Bukur! Pastaj?

– Kaloj te faqja e dytë, te “ Jeta e Partisë.”

– Vazhdo!

– E kështu me radhë! Në faqen e tretë gjej shkrime nga shendetësia, kultura , arti dhe…

 – Kaq? Po qysh e merr vesh ajo koka jote  se si është shtuar pambuku, misri, kupton, gruri ndër ara, kupton, dhe nafta tek ne në Qytet?! 

– Po si jo!

– Pastaj? 

– Hidhem në faqen e katërt, te lajmet e jashtme dhe sportive.

– Aty më qëndro! Te faqja e katërt mëson gjëra ti, kupton, edhe për qytetin ku je lindur? 

– Me raste.

– Si me raste!?

– Sepse kur ka raste, duhet të përfitojmë nga rastet, ka thënë Stalini.

– Si?

– Ja, për shëmbull, në Londër janë takuar Marksi dhe Engelsi.

– Ç’na përrallis, ore!? Ata qenë nga Rusia, ç’punë kishin me Londrën!? 

– Jo,  ishin nga Gjermnia!

– Pusho! – Për disa çaste pllakosi heshtja e plotë. Togeri, pasi u mendua, tha:

 – E di, e di. Vazhdo!

– Po, ja, në „Zërin e Popullit“ unë kam lexuar se në Londër, ka dalë për herë të parë  Manfesti i Partisë Komuniste.

– Manifesti? Ah po, nga Stalini ynë…

– Jo, jo, nga Marks dhe Engelsi.

– Pusho! Mos më jep mësime, po përgjigjju pyetjeve të mia, kupton?  Shefi nuk desh ta ngiste më atë udhë të vështirë hetimi, ndaj, e ndryshoi kahun, u hodh te gjimnastika e mengjesit, te puna vullnetare për korrjet e vaditjen e  ullishteve me fuçi e kova. Më në fund, u  kthye te sporti.

– Më thuaj tashti, përveç  Naftëtarit, me cilën skuadër  je?

– Me Partizanin. 

– Pse nuk je me Dinamon?! Mos ke qenë gjë partizan?

– Jo, ç’ne unë partizan.

– Ç’lidhje ke atëherë ti, me  Partizanin?

– Po, a nuk kam qenë pionier!? Kam mbajtur në qafë shallin e kuq! 

Për zënkën shefi nuk i bëri asnjë pyetje!

Doktor Vako në mërgim.

Në vitet e lirisë,  doktor Vako, mërgoi  në Angli. Me pasaportë angleze punonte mjek në klubin sportiv londinez me emrin “West Hamer.” Skudra e futbollit e atij klubi ndodhej në vendet e para të kategorisë së dytë të kampionatit anglez. Gjatë verës ajo zhvilloi dy ndeshje miqësore nëTurqi me skuadrën e mirënjohur “Fenerbahçe” të Stambollit. Ndeshja e parë  përfundoi 1-1 dhe e dyta 0-0. Skuadra angleze pushoi disa ditë në një nga plazhet e bukura të Izmirit. Atje lojtarët u njohën me dynmet apo si i thonë ndryshe me hanëmet e bukura, që shkuan nga Stambolli. Lozën tenis dhe vollejboll. Nuk thonë kot “Shih Stambollin pastaj vdis”! Biondët e Londrës mandej u larguan nëpër det, për në Greqi, me anijen turistike “Olimboz”. Në Selanik vizituan Lefkopyrgon. Natën u ndeshën me skuadrën vendase, “Aris”. Rezultati: 3-0.  

     Doktor Kosta, pas ndeshjes, në dalje të stadiumit pati një takim të këndshëm. Një djalë me pamje rreth të tridhjetave pranë autobusit po përshëndeste, me duart e ngritura lart, futbollistët.  anglezë.  Doktori iu afrua dhe e pyeti:

– Where are you come from?…

Djaloshi e pa i heshtur, u mendua pak dhe tha:

– Albania!

Doktorit i qeshi fytyra, e hoqi mënjanë për një kafe diku pranë. Atje, i foli shqip: 

– Shqiptar qenke!?  Po nga cili qytet? 

– Nga qyteti i Kuçovës.

–  Kuçova?! – thirri doktori me gëzim dhe i zgjati dorën. 

– Edhe ju shqiptar jeni?

– Po, nga Tirana. Si të quajnë ty?

– Josif –  pas pak shtoi: Donofrosa. 

         –  Ç’e ke Rakip Donofrosën?

– Baba. 

– Ou!  Pse, i biri i shefit qenke ti? Ç’ne, ky emër Josif?

   -E kam nga babai,  me atë kam çare këtu  për punë e strehim.

-Ashtu vërtetë. Po si është me shëndet babai yt tani?

– Mirë, mirë, por ca i plakur dhe i mërzitur. 

– Kur ta takosh, i bëj shumë të fala nga Kostandin Vako i Naftëtarit të Qytetit! Dhe pyete, a   e lexon më Zërin e Popullit?

Leximi i lajmeve

Doktor Vako, ndërsa pushonte në hotel, iu kujtua një ndodhi e largët e shkurtit 1975, me lexim gazete. Rrebeshi i shiut kishte vërshuar nëpër rrugët e Tiranës. Era përplaste shiun e rrëmbyer në trupat e kalimtarëve. Çadra nuk kishte më asnjë vlerë. Ftohtë. Doktori  i lagur qull u gjend në rrugën e Durrësit. Në shtëpinë e Naimit pa dritë. Tha me vete: „Sa të ulet  tërbimi i motit, po ngjitem pak lart!” 

Në katin e tretë trokiti fort. 

– Kush është?

– Hape! Jam unë! 

– O, kush paska ardhur! Kosta! Nga bredh kështu nëpër këtë kiamet! Qenke bërë ujë! 

Miku, pa përshëndetur, la çadrën afër derës, u përkul dhe zbathi këpucët. Pardesynë dhe xhaketën qull i vari në korridor dhe zuri vend në kuzhinën e ngrohtë. I mbërdhirë, edhe pse pranë sobës valë, thoshte i hutuar:

– Oh, çfarë rrebeshi! Ujërat e turbullta të kanaleve kanë shpërthyer lart. Lana ka dalë nga shtrati. Tirana  po mbytet!  

I zoti i shtëpisë i hodhi  në gotë çaj mali me pak sheqer. 

– Pije të ngrohesh! – i tha.-Dhe, për t’u qetësuar, merre ketë gazetë.  Ka lajme të reja.   

Kosta e pa në sy, pastaj nisi të shihte lajmet, radhë pas radhe.Në faqen e parë, në kryeartikullin me autor Brigata e Shtypit shkruhej:“Byroja  dhe Sekretariati i KQ të  PPSH, bëjnë thirrje për fitorje të reja.” Pastaj brodhi sytë lartë poshtë. Ktheu faqet në vijim e u befasua prej lajmeve për jetën e popullit në qendër e në rrethe, për arritjet nga puna në industri e bujqësi. Kudo rendimente të larta, thyerje normash e zotime!  Më tej me një farë kënaqësie hapi faqen e katërt. Lajme nga bota: nga Fronti i Fukienit. Krizë e rëndë financiare në Japoni.. Falimentim bankash amerikane. Kolaps ekonomik në Europë. Greva të fuqishme në Italinë e veriut. Bota kapitaliste në prag të katastrofës.“  Doktorin e kapi  papritur diçka, si turbullirë.  

-Të lutem, një gotë, por jo çaj! Ujë, ujë të ftohtë! – Piu me një frymë dhe iu kthye sërish gazetës. Për të larguar shqetësimin, hodhi sytë te rubrika sportive. Në lajmet për futbollin lexoi:  „17 nëntori i  Tiranës në prag  të ndeshjeve për turin e parë për kupën e Europës, në këtë vapë të nxehtë korriku, po kalon pushimet në plazhin e bukur të Durrësit, në ajrin e pastër buzë detit, me stërvitje të shumta, vrapime, vollejboll  dhe futboll  me porta të vogla.“ 

– Ç’dreqin bëhet kështu me këtë gazetë? – thirri. –  E kthehu me vrull  në faqen e parë.  I  befasuar pa: Zëri Popullit, organ politik i PPSH, n. 350 ( 8888877…)   20  korrik, 1965! 

  Naimi buzëgaz, iu qas dhe e pyeti: 

         -Hë, doktor! Si t’u dukën lajmet?-  

 Befas jashtë dritares  vetëtiu, shkrepi rrufeja  dhe më pas u degjua, diku afër bubullima pak si e zgjatur…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, Qyteti Stalin., Rrefenje

ARRATISJA NGA FERRI

June 8, 2021 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Ngjyrimet e vjeshtës shtriheshin në ultësira, ashtu si mjegullat e largëta zbardhnin përgjatë kreshtash e në maja malesh. 

Ishin kohë të turbullta me lajme të frikshme. Veriu i Shqipërisë, i dëgjuar në Europë për bukurinë e madhështinë e bjeshkëve, ngjante midis reve me një burg graniti, ku rapsodët u binin lahutave me këngë për Aga Ymerin e burgosur. Spaçi, Qafë Bari, Burreli, Bulqiza, Rubiku e kishin humbur historinë e hijeshinë e emrit.

Nëse rastisje të udhëtoje në ato vise me kamion, ulur pranë shoferit, të trazonte shqetësimi i fshehtë, kur ai të thoshte, pa e pyetur: 

– Kjo rruga nga e djathta të çon në minierën e Spaçit, ajo tjetra – në Qafë Bar. Minatorët janë të burgosur, njerëz me shkollë.

Ti e dëgjoje e s’kishe guxim t’i ktheje përgjigje. 

Kamioni merrte majtas e djathtas. Honet e ngrysur rrotulloheshin e lëviznin si porta të gurta. Nuk dukej askush. Duhej të hyje në atë ferr të padukshëm, për të mësuar seç ndodhte atje.

Astrit Drini, lindur në Tiranë, pasi mori diplomën për gjuhë – letërsi, u caktua mësues në një katund të thellë midis maleve të veriut. Shtëpia, shëtitjet në bulevard, biblioteka e ngrohtë, miqtë e shokët, tashti ishin larg, matanë maleve, tutje reve. Megjithatë, në shkollë ai ndihej mirë me nxënësit e vet, teksa e dëgjonin me vëmendje. Shpesh takohej edhe me burrat e atij vendi baritor, ku qielli i pakët dukej si çati e kaltër. Dëgjonte dhe mbante shënime për gjithçka me vlerë, fjalë të rralla, vargje nga këngët epike, gojëdhana e gjë e gjëza. Në mbrëmje, në dhomën e vogël ngjitur me shkollën, lexonte deri vonë detyrat e nxënësve dhe përgatitej për të nesërmen. Por shkruante edhe letra për nënën, sidomos, pasi i ati qe larguar nga jeta, si edhe për shokët, që të mos mendonin se i kishte harruar. Ose krijonte ndonjë poezi, apo tregim. Fshatarët, të lodhur në ato orë, flinin. 

Kaluan kështu disa vite. 

Një natë ai dëgjoi jashtë dritares zhurmën e një motori makine, pastaj hapa njerëzish e, më në fund, trokitje në derë. U ngrit dhe pa nga dritarja operativin e zonës në krye të tre policëve të armatosur. Ua hapi derën ngadalë. 

– Urdhëroni! – u tha. Por, oficeri ia priti qysh në prag: 

– Astrit Drini, në emër të popullit, je i arrestuar!

Me gazin e mbyllur të Degës, ndërmjet policësh të heshtur, ai udhëtoi në drejtim të panjohur. Makina, pasi eci me tronditje për disa orë nëpër udhën e ashpër malore, më tej vazhdoi më qetë. Mesa dukej, kishte dalë në asfalt. Diku frenoi. Astritin e nxorën të lidhur nga gazi, e pasi kaluan nëpër ca korridore të ndriçuar keq, e mbyllën te një qeli e errët. Ai e gdhiu natën herë fjetur e herë zgjuar. Vriste mendjen më kot. Çfarë kishte ndodhur!? Ç’paskësh bërë, vallë, që s’e dinte as vetë!? Përse e kishin përplasur aty si një vrasës!? 

Një natë e morën policë të tjerë dhe e çuan në zyrën e hetuesit. Ajo ishte me pajisje të zakonshme, me telefon, letra e makinë shkrimi. Hetuesi, me moshë mbi të tridhjetat, rrinte ulur dhe shënonte përgjigjet për emrin, mbiemrin… Papritur, Astritit iu duk sikur ai i hodhi në kokë ujë të ftohtë, kur i tha: 

– Kemi të dhëna se ti merresh me thashetheme kundër pushtetit! Se u lexon nxënësve e djemve të fshatit poezi të dyshimta. Por, nga burime të besueshme dimë edhe se ke menduar të arratisesh!

Astritin e hutuar sikur e përshkoi diçka si rrufe. 

– Ato që më thatë nuk qëndrojnë! – ia ktheu hetuesit. – Unë jam mësues. Fshati më nderon. Njerëzit e mi presin që unë të kthehem në Tiranë, pas një largimi kaq të gjatë.

Por pyetjet, britmat, fyerjet e kanosjet filluan e vazhduan radhas. Më në fund, Astritit iu desh të përballej edhe me shpifjet e dëshmitarëve të rremë. 

Makina e shkrimit nxinte letra me sajime për zyrtarët më të lartë, për gjykatësit e prokurorët. Pas torturave, që nuk zgjatën më pak se tetë muaj, i erdhi radha prokurorisë dhe gjykatës. Iu bë gjyq politik. 

Astriti, bir i një patrioti të dëgjuar, u dënua me burg për agitacion e propagandë, gjë që atij as që i kishte shkuar ndër mend kurrë ta bënte. 

+

Mirdita me hijeshitë e saj, me emërvende shqip, me male, pyje e livadhe, shkëlqente, kurse Spaçi i saj i kallte dridhmën gjithkujt. Ishte burg, kamp, katakomb me njerëz të gjallë. Fani, ditë e natë, rridhte e zhurmonte si Akeronti, lumi i ferrit. Qindra e qindra sy kërkonin në heshtje fajtorët pa faj. Atje, ku tërëçka qe e rrethuar nga gërxhe të ngrysur, kureshtja dhe hamendja bridhnin nëpër guvat e rrezikshme. Ai vend ishte një tokë e djegur, e ashpër, e gurtë. Brenda rrethimit me tela me gjemba jetonin skllevërit e shekullit, bijtë e kombit shqiptar, për faje të çuditshme, me dënime të pabesueshme për nga egërsia. Njëri kishte folur pak si tepër, tjetri pati shkruar poezi të dyshimta! Disa kishin dëgjuar në radio lajme të huaja, apo u mësonin të tjerëve frëngjisht e italisht. Dikush paskej menduar të kalonte i vetëm kufirin, për të kërkuar një jetë më të mirë. Miniera e Spaçit mund të krahasohej me një mal shtresash të pasura piriti, me bakër e ajër mbytës. Të burgosurit hynin në galeritë e nëndheshme me vagona, si “varka e Karontit“, që lundronte me shpirtra mëkatarësh, për në rrethet e ferrit. Ashtu si cerberët, policët në hyrje të tunelit kotrollonin me rreptësi të munduarit. I vetmi mik i të burgosurve ishte një qen me shpirt njeriu të mirë. Rrinte e luante me ta. Çdo mëngjes i përcillte deri te gryka e galerisë. Ulej atje dhe priste gjersa ktheheshin. Por, papritur, një ditë ai u gjend i vrarë, i goditur në kokë me kazmë a lopatë! 

Për ekzistencën e minierës-burg me emrin Spaç, askush nuk fliste. Askush nuk dinte seç bëhej atje. Misteri, si re e zezë, mbulonte gjithçka me heshtjen e harrimin. Edhe në Fjalorin Enciklopedik, miniera e Spaçit, mungonte. Përmendej shkarazi në zërin Spaç si fshat i vogël e me pak banorë. 

Jashtë burgjeve, njerëzit shkonin në punë dhe ktheheshin në shtëpi. Të rinjtë shëtisnin në bulevard. Disa hynin në kinema e teatër. Shumë vetë – në stadiume, me thirrje të fuqishme, shfrehnin dufin e mërzisë. Shkrimtarët e poetët merrnin çmime. Artistët këndonin e kërcenin në festivale. Shtypshkronjat ngrinin mure me libra lavdërimesh për regjimin. Për Spaçin-burg s’thuhej asnjë fjalë. Të vetmit që prishnin heshtjen, si përherë, në lartësitë e tokës mëmë, ishin shoferët e maleve.

Në pushimet e shkurtra Astriti shtrihej mbi mineral dhe e merrte gjumi menjëherë. Gjumë me ëndrra, me pamje që ndërroheshin shpejt. Nëna i sillte gotën me çaj të ngrohtë. Motrat lotonin për vëllanë e mirë. Ndonjëherë atij i bëhej sikur i ngjallej i ati, i afrohej e i jepte zemër: 

“Mbaju, bir!” 

Shokët të trishtuar i zgjatnin paketën e cigareve.

+ 

Në kamp Astriti u miqësua me një njeri të mirë, Naim Perlatin, i diplomuar për ekonomi në Budapest. Në universitetin hungarez ai njihej si djalë i zoti e bujar. Në prag provimesh drejtonte rrethe studentësh. Me t’u kthyer, u emërua në fakultetin ekonomik. Shquhej si pedagog me aftësi të rralla. Leksionet e kontabilitetit e të financës i jepte lirshëm pa letër para. Lënda bëhej edhe më tërheqëse për studentët, kur Naimi shtronte probleme ekonomike me disa variante. 

Një ditë, pas një pune të lodhshme si këshilltar në Ministrinë e Financave, i paraqiti ministrit një dosje me studime për zbutjen e vështirësive ekonomike. Pas pesë ditësh, e njoftuan të paraqitej në zyrën e ministrit, në prani të sekretarit të partisë, zevendësministrave dhe drejtorëve. Atje e mori fjalën i pari sekretari i partisë:

– Propozimet e tua mbajnë erë revizionizëm! – i tha Naimit. – Janë kundër vijës së partisë në ekonomi, pra armiqësore! 

Ndër të tjera, ai e quajti Naimin “rebel hungarez.” 

Nuk e lanë të fliste. Shfajësimet ishin të kota. Tani duhej vetëm të dëgjonte mendimet e shefave. Në fund të javës e arrestuan brenda në zyrë. U dënua me 15 vjet burg. 

Astritit, emri i tij Naim, i kujtonte poetin e madh të Shqipërisë. Kishte një natyrë të dashur, me sytë e qeshur e të çiltër. Kultura e gjithanshme ia ngrinte edhe më lart vlerat si njeri. Pëlqente letërsinë dhe artin. Përkthente lehtësisht vargje nga poetët hungarezë. Në kohën e pushimit ata të dy bisedonin me zë të ulët. Astriti e pyeste shpesh për Budën e Peshtin, Danubin e urat, për rrugën, ku shkrimtari i njohur Molnar krijoi romanin me famë “Çunat e rrugës Pal”, për vajzat hungareze dhe violinistët virtuozë ciganë. E pyeste për kompozitorin Frans List, për poetët Vëresh Marti e Shandër Petëf, për shumë shkrimtarë të lirisë. 

Kur ra fjala për Migjenin, Astriti tha:

– Si do të ndihej në këto kohë me poezitë e veta Migjeni, gjersa me to i pati rënë më qafë etërve katolikë? 

– Sigurisht, si shpirt i ndjeshëm, do të dëshpërohej për fatin e tyre. 

Astriti, pas lodhjes dërrmuese, ulur pranë Naimit, shpesh pëshpëriste vargjet e njohur të Dantes: 

“Nessun magior dolor che ricordarci i tempi felici ne la misseria.” Me këto fjalë të trishta të poetit fiorentin, qetësohej si nga një cigare me duhan sheldia të Shkodrës. Njëherë i tregoi Naimit papritur:

– Natën kam nisur të zgjohem nga një ankth i ri. Mendimi i arratisjes nuk më ndahet! 

Të dy, pas punës, rrinin ulur pranë e pranë, në diellin e pakët të atij fundi tetori. Nga malet, siç tregonte era e ftohtë, po afrohej dimri. 

Naimi e pa Astritin dhe buzëqeshi. 

– Është e pamundur ajo që thua! Shiko rrethimin, rojet me mitrolozë!

– Mendoj të arratisem në punë e sipër, kur ngarkohen kamionët.

– Shumë prej atyre që janë orvatur të arratisen, janë kapur, pa u larguar shumë. Ashtu ndodhi edhe me ata tre, që, duke gërmuar shtresat e mineralit, u gjendën padashur jashtë rrethimit. Po për nënën e motrat a ke menduar? 

U dëgjua çanga për apelin. Biseda e tyre u ndërpre. 

Gjatë vizitës mjekësore, mjeku i burgut shfaqi mendimin që Naimi dhe Astriti të punonin jashtë. Kaluan javë e muaj dhe ja, Astriti pa një kamion me targat e Tiranës. Shofer ishte Hamzai, një shok i rinisë, vëlla e shkuar vëllait. Ndërsa shikonte nivelin e ngarkesës dhe u binte gomave me shkelm, ai tha: 

– Nëna e motrat të puthin sytë! Shpresojnë të dalësh nga burgu para kohe!

Kur po hanin supën e zezë, ai i pëshpëriti Naimit:

– Nuk je më kot profesor i madh ti! Kam vendosur të mos mendoj më për asgjë.

 – Tani qetësohu! Merr e lexo libra e gazeta të kampit, siç bëj edhe unë! 

Dhe ja, pas mundimesh, Astritit i erdhi dita e lirimit. Para se të largohej, ai u takua me shumë vetë. Me Naimin u përqafua me lot në sy. 

– Mirupafshim! Nuk do të të harroj kurrë! Lirim të shpejtë!

Sapo doli, pa një kamion.

– Shofer, të lutem, merrmë deri në Milot! 

Tek Ura e Matit zbriti dhe shkoi në këmbë për në Mamuras, ku tani jetonin e punonin nëna e motrat. Tërë ditën të ngratat në arat e fermës me bel e shat! Në verë korrnin grurë, pastaj merreshin me mbledhjen e misrit e të perimeve. Kur po ktheheshin nga puna, u befasuan. E panë nga larg, tek priste jashtë. Të tria, të lumtura sa s’ka, nuk i mbanin dot lotët e gëzimit. Pas aq vuajtjesh, larg nga britmat e fyerjet, tani ai përqafonte njerëzit e tij të shtrenjtë. U kënaq nga bisedat plot gëzim e nga gjellët e shijshme. Pothuaj i pati harruar. Pyeti për gjithçka. Folën edhe për punën. 

Pas tri ditësh, Astriti u paraqit në seksionin e arsimit.

– Ju e dini, kam qenë mësues! – tha atje. – Mund të jap mësim në ndonjë nga shkollat e këtushme.

– Eshtë jashtë mundësive të mia! – ia ktheu shefi. – Të drejtat e tua për të shërbyer prapë si mësues duhet t’i kërkosh në Tiranë!

Dërgoi një letër në ministri. Pas një heshtjeje të gjatë, mbërriti përgjigja: 

“Çështjen tuaj e kemi në shqyrtim. Mund të gjejmë një vend pune në minierën e Martaneshit.” 

Pra, arsimi për të kishte marrë fund. I humbi shpresat. Pa e zgjatur, vendosi të punonte në argjinaturat e Thumanës. Tani pranë familjes, sado i internuar, ndihej i lirë e larg trishtimit. Mund të lexonte libra, madje edhe të shkruante. Papritur, nëna e lodhur u sëmurë rëndë dhe nuk jetoi më. U dëshpëruan të gjithë dhe derdhën lot. Pas një viti, motrat, njëra pas tjetrës, u martuan me djem të internuar. Astriti mbeti fill i vetëm. Papritur, prej një të liruari nga kampi i Spaçit, mori vesh se Naimi kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër. U hidhërua dhe qau si fëmijë,

Një ditë në zyrën e punës Astritit i thanë:

– Objektet mbaruan. Punëtorëve u kemi gjetur punë në vende të ndryshme. Ti do të shkosh në një nga minierat e kromit!

Në qetësinë e natës, sado që ai përpiqej t’i largonte mendimet e trishtuara, ishte e kotë. Mendimi i arratisjes iu zgjua me ankth sërish. Shkoi përsëri në zyrën e punës. 

– Më dërgoni në Bulqizë!

– Jo! Kemi porosi nga kryetari që të shkosh në minierën e Librazhdit!

Nuk kundërshtoi. Bëri gati plaçkat. Mori librat, letrat e fotografitë, që ishin mbajtur me aq kujdes nga e ëma, la qytezën dhe u nis për në Librazhd. Atje e caktuan të punonte në ngarkimin e kamionëve me materiale gjithfarësh. Dhe, veç kësaj, i bënë të ditur se nuk mund të largohej prej atje pa lejen e Degës së Punëve të Brendshme.

Kaloi një vit. Në klubin e minierës pa Hamzanë, i buzëqeshi dhe iu afrua. 

– Tani punoj këtu! – i tha.

– Eh! Ç’fat të mbrapshtë paske pasur! – psherëtiu miku i tij. 

Kaluan dy muaj të lodhshëm, në vapë e pluhur. Vjeshta, me ngjyrat e zbehta, erdhi përsëri. Kamioni i Hamzait u duk prapë pranë Astritit. E ky, ndërsa punonte, i foli shokut me zë të ulët: 

– Nuk mundem më! Jam i lodhur, sa s’ka ku të vejë!

– Ke të drejtë! 

– Shpesh vras mendjen për të ikur nga kjo jetë e rëndë. Rruga ime për shpëtim është vetëm arratisja.

– Po nga do t’ia mbash? Do ta kesh mjaft të vështirë t’ia arrish! Duhet shoshitur hollë ajo gjë! 

Pas një jave, Hamzai i tha:

– Më kanë caktuar edhe mua me disa shoferë, për të hequr hedhurinat e minierës. Nesër filloj. Ky është një rast i mirë për mua! 

– Të kuptoj! Tani edhe unë do të përpiqem të bëj diçka për ty!

Astriti sa nuk thirri nga gëzimi, teksa shtrëngonte spondet e karrocerisë të makinës së ngarkuar me mineral. 

Në mbarim të pesë ditëve, dëgjoi Hamzanë, tek i thoshte me gjysmë zëri: 

– Kur të jem në rrugën e fundit, sapo të bjerë muzgu, futu në vendin prapa meje, nga krahu i timonit, uli perdet dhe shtrihu te shtrati im! Rrugës bëj sikur po fle! 

Me t’u kthyer kamioni, Astriti i dha Hamzait çantën me sendet e veta dhe e nisi punën shpëtimtare me gjallëri si asnjëherë. Hodhi poshtë karrocerisë, sa me duar e sa me lopatë, dhera, gurë, dërrasa, teneqe, hekurishte të vjetra. Pluhuri mbytës mori përpjetë. Ishin pikërisht çastet, kur u fsheh në kabinë.

Skoda çeke, duke shfryrë, la pas pluhurin e dendur si re shtrëngate. Njerëzit bënë mënjanë, thirrën dhe e shanë shoferin. Pastaj zunë hundët dhe mbyllën gojën. Te peshorja shoferi mori fletëdaljen e zakonshme: “Mbeturina, ton 10”. Rrugës, duke e ngarë skodën shpejt, vërente i shqetësuar pasqyrën. Në drejtimin e kundërt u duk një Gaz – BÇ. Mandej, njëri pas tjetrit, kaluan me zhurmë tre kamionë pa ngarkesë. Hamzai i përshëndeti me fenerët e parë, duke e kthyer kokën pak majtas. Po errej. Nën hijen e një mali me pisha, skoda me motorin e ndezur u ndal.

– Dil shpejt dhe fshihu në ndonjë vend! – dëgjoi Astriti zërin e Hamzait. – Pastaj ngjitiu malit përpjetë! 

Dhe ai ashtu bëri. Pas ca, nuk e shihte më skodën. Ajo kishte humbur pas një ktheseje malore. Astritit tashmë i rrihte zemra me forcë. Ishte shtrirë njësh me shkurret në gjirin e pishave të larta e të dendura. Kaluan ndonja njëzetë minuta. Së lartmi pa, tek u duk në xhade, një skodë tjetër. E, sakaq, një shqarth i trembur rrëshqiti nëpër trungun e një druri dhe humbi nëpër degë, ndërsa një mëllenjë e vonuar i fluturoi mbi kokë. Të gjitha këto lëvizje e zhurma e bënin Astritin të tronditej. Priti sa u err mirë dhe eci në vijë të drejtë nëpër pyllin, që merrte përpjetë. I ndihmuar nga shkëlqimi i vagët yjor, ecte pa pushuar me sa i hanin këmbët. Pa vënë gjë në gojë e pa pirë një pikë ujë. Diku përplasi gjurin te një trung, më tej krahun. U shtri pak, sa t’i qetësoheshin dhimbjet. Por, shpejt u ngrit dhe nxitoi. Kur shkrepi drita, u bë rrafsh me tokën, nën shkurret e përskuqura, poshtë bredhave, përzjerë me pisha. Në atë gjendje, përgjonte me kujdes, merrte frymë me gojën mbyllur me shami të lagur dhe flinte disa çaste. Ishte një gjumë komitësh. Më së fundi, kur pa se ndodhej mbi një kreshtë, mori frymë i lehtësuar. Megjithëse shqetësimi nuk i qe ndarë, ashtu i fshehur e i shtrirë, vështronte qiellin dhe ndihej i lirë. Qetësi e thellë! Asnjë gjurmë kafshësh apo njerëzish! Ftohtë si në janar, ndonëse dëbora nuk kishte nisur të binte. Hapi çantën, piu ujë dhe hëngri pak bukë me djathë të bardhë e me ullinj. Nata ra sërish. Poshtë, aty – këtu, dritare shtëpish të shpërndara ndrinin si yje, por shpejt dritat ndër to u fikën. Tek – tuk ndonjë dritë shfaqej e shuhej ashtu siç këputeshin yjet në qiell. 

+ 

Qenia në mal nuk ishte befasuese për të. I kujtohej koha e luftës, kur tok me familjen pati jetuar dy vjet në një fshat mes maleve të Shpatit. Bashkohej atëherë me moshatarët, barinjtë e vegjël të dhive. I pëlqente të turrej pas dhisë së humbur në pyll me thirrjet “hajt, ca – ca!” Thellë në male, në shtëpinë e kryeplakut, i ati kishte strehuar një kapiten italian, që pati dezertuar nga lufta. Quhej Pepino Foresti. Sado e kërkuan milicët, nuk mundën ta kapnin. Me qylaf mbi kokë ai, me mustaqet varur mbi buzë, veshur me gunë e me shallvare, nuk dallohej aspak nga fshatarët e atyre anëve. I pari i shtëpisë e thërriste Ferit. Hera – herës, Astriti i vogël gëzohej, kur babai, tok me burra të tjerë të armatosur, kthehej në fshat pas shtegtimesh të gjata. 

Në mbarim të luftës familja e tij u kthye në Tiranë. Babanë e vunë të shërbente nja dy vjet në ushtri, në një qendër furnizmi. Atje ai mori në punë edhe kapitenin Pepino, si edhe disa ushtarë italianë, të cilët në vitin e fundit luftuan përkrah partizanëve shqiptarë. U gjeti edhe një dhomë, sa për të fjetur. Më pas, anijet e avionët e aleatëve vinin i merrnin robërit dhe i kthenin nëpër familjet e tyre. 

Një ditë kapiten Foresti e takoi të atin e Astritit i qeshur.

– Nësër nisem me avion për në Itali! – i tha. 

– Gëzohem shumë! Urime dhe udhë të mbarë! 

– Ju keni qenë për mua një engjëll shpëtimtar! Ju pres të vini ndonjëherë atje! 

Ai nxori nga çanta e i dha fotografinë e vet, tek ishte shënuar edhe adresa e shtëpisë. 

Astriti, pasi mbaroi filloren, vazhdoi shkollën e mesme, gjithnjë i shquar në mësime. Ai bënte mirë, sidomos, hartimet. Mësusesit ia vlerësonin shumë. Por atij i pëlqente të shkruante, veçanërisht për natyrën e bukur shqiptare, i nxitur nga mbresat e fshatit në Shpat. Njëherë, në pushimet e verës, mori pjesë në një marshim nxënësish drejt Jugut, që zgjati një muaj. Astritit i kujtohej rruga e lodhshme Tiranë – Berat. E kur e lanë pas Beratin dhe kaluan Qafën e Sinjës, në mbrëmje pushuan në kodrat e Ballshit. Për të mos u lagur nga vesa e mëngjesit, u shtrinë nën disa fiq degëgjerë. Ndërsa sodiste yjet lart, ai dëgjonte muzikë nga një altoparlant i largët. Por, gjatë atij udhëtimi në Jug, nga një mal në tjetrin, nxënësit flinin edhe nëpër kasolle dhish. Në ndonjë rast zinin vend buzë përrenjve të panjohur, tek, nën zhurmërimën e rrjedhës, i merrte gjumi lehtë. 

Vitin tjetër, pasi u shpërndanë dëftesat, maturantët i nisën me kamion për hapjen e një rruge në veri. Nga Miloti mbërritën në katundin e humbur Vablinë, mbi lumin Mat. Atje shihej tymi i oxhaqeve, por jo shtëpitë. As thirrje gjeli s’ndihej, as blegërimë bagëtish. Puna ishte e rëndë, ushqimi i keq e i pakët, fjetja përtokë, mbi degë drurësh, nën çadrat e grisura, faqe malit. Shumica e nxënësve vullnetarë u dobësuan. Disa edhe u sëmurën e i çuan me kuaj në Ulzë. Të gjithë qenë bërë sterrë të zinj, si afrikanë, megjithëse dielli në atë vend ndërmjet maleve shkëmborë, i shihte a s’i shihte katër orë në ditë, e pastaj humbte në hapësirë. Në mbarim të punës, që niste në tre të mëngjesit dhe mbaronte në tre pasdite, Astriti me shokët largoheshin nga çadrat. Gjenin vende me gëmusha dhe shtriheshin në bar deri sa ngrysej. Hapnin libra, si “Për bukën e gojës” të Gorkit, që nuk u lexua kurrë. 

Një ditë mbi kryet e tyre u shfaqën befas tri gra me furka, si tri shtojzovalle. Njëra prej tyre, ajo e mesit, pyeti:

– A me Zogjin e Parë jeni, or djelm ?

Djemtë u ngritën në këmbë dhe qeshën.

Astritit i kujtohej edhe shkolla e lartë, kur studentët merrnin pjesë në stërvitje e marshime të lodhshme ushtarake larg Tiranës. Ndërsa shkrepëtinte rrufeja, në shi e breshër, ata flinin nën kamionët e repartit, të mbuluar keq me fletë plastmasi. Në Kaptinën e Martaneshit, në një pllajë të rrethuar me pisha e ahe të lartë, ngritën çadrat. Edhe atje ai kishte vërejtur qartë yjet e qiellit mbi mal. Dukeshin sikur preknin majat e drurëve. Të nesërmen, si mbaroi stërvitja, u largua me dy shokë nga fushimi, për të parë vendin përqark. Dolën nga pylli dhe zbuluan një hapësirë të pafundme. Qafa, gryka e maja malesh humbisnin larg në mjegullnajën joshëse. Buzë një udhe kuajsh panë një barakë, ngritur me trungje e dërrasa. Te një tabelë e vjetër, që varej shtrembër, lexuan: “Grumbullim, shitblerje”. Hynë brenda. Një burrë i parruar e thatim mbështetur mbi banak, sa i pa tre ushtarët, drejtoi trupin. 

– Mirë se keni ardhë, hej burra! – u tha.

– Mirë se të gjejmë e t’u ngjatë! – ia ktheu Astriti. 

Të tre hodhën sytë rreth e rrotull, pastaj mbi shitësin. 

– A ke biskota, apo petulla? …

– Besa, kurgjo s’kom! – buzëqeshi shitësi. – Veç krypë për gjanë e gjallë! Ata të çitetit më konë qitë prej liste. 

Djemtë vështruan njëri – tjetrin e, pasi e nderuan si ushtarakë të vërtetë, dolën në heshtje.

Udhës hasën dy burra të dobët e të verdhë dyllë, me dy kuaj të ngarkuar me dru. Askush prej tyre nuk ua hodhi sytë. Tek largoheshin, u ngjanin hijeve. Vetëm natyra e bukur ishte treguar bujare me ta, me drurë, ujë e ajër të pastër. 

+ 

Astritin, nga një anë jeta e mundimshme, nga ana tjetër burgu e kampi, e kishin rregjur me vështirësi. Duke menduar, ai shqetësohej për gjithçka. Ç’bëhej në minierë? Me siguri, mungesa e tij kishte rënë në sy. Do t’u qenë sulur automjeteve nëpër xhade, duke kërkuar letër-njoftimet e udhëtarëve. Ndoshta do të kishin pyetur edhe shokun e tij. Kur kujtoi motrat, pati një therje në zemër. Kaloi në mendje gjithë rrugën që kishte lënë prapa, qelinë, kanosjet e çirrjet, hetuesit, burgun dhe minierën e frikshme. 

Herët në mëngjes, ajri qe i ftohtë, por i pastër e i qartë. Pasi largoi kujtimet, hapi hartën brenda shkurreve dhe u njoh me vendin ku do të kalonte, si dikur ushtar. Vendosi: “Duhet të dalë tek mali kundrejt me borë shekullore, aty – këtu mbuluar me shkurre. Kufiri kalon mbi të. Atje nuk ka postë kufitare, ndoshta as roje me qen kufiri. Por, mbase edhe mund të ketë, se do të jetë dhënë alarmi kudo. E, pra, duhet ta lë kalimin për natën vonë, kur asnjë frymë e gjallë nuk lëviz.” Po e ndiente veten si luftëtar lirie. Për të arritur deri atje, duhej të ulej poshtë me kujdes nëpër terr, larg udhëve, shtëpive e staneve. Duheshin kapërcyer disa përrenj, që nuk ua dinte emrin. Priti errësirën dhe u nis. Yjet e ndihmuan të ecte më tej e të mos binte në ndonjë humnerë. Më në fund e kuptoi se kishte arritur në pllajë. Befas, shquajti një flakadan, që lëvizte drejt tij. Ra për tokë nën një shkurre. Ndaloi frymëmarrjen dhe shtrëngoi në dorë një kaçavidë të mprehtë. Kishte dëgjuar nga një i burgosur, banor i atyre anëve, se disa hapësira të shkreta të kufirit ruheshin nga fshatarë vendas të paguar. Flakadani, duke sajuar një hije të gjatë, iu afrua dhe qëndroi pothuaj mbi kokën e tij. Dukej sikur mendohej. Pastaj u largua shpejt e shpejt. Ai ndenji i shtrirë rreth një orë, hetoi me vesh, u zvarrit si në zbor, u ngrit pak dhe eci me kujdes nëpër tokën rrëshqitëse në drejtimin për ku qe nisur. Kur arriti buzë një tatëpjete, i ngjeshi mirë hapat mbi tokë. 

+

Eci e eci pa ndaluar dhe në të zbardhur qe futur në një pyll të dendur, ndryshe nga toka e zhveshur që kishte lënë prapa. Eci sa u bë ditë me diell. Në disa trungje pa të gdhendur emra sllavë. E ndjeu se e kishte kaluar kufirin. Këngët e këndesëve e njoftuan se ndodhej pranë një fshati. Dëgjoi me vëmendje zëra e të folura shqip. Të binte në dorë njerëzish të mirë, ishte fat i madh. Në një rrugë pa një fshatar me kazmë e lopatë, që mbushte gropat me zhavor. Në çast e hëngri dyshimi: “Po sikur ky të jetë mik me kufitarët shqiptarë?” Mori zemër e i tha:

– Tungjatjeta, or mik! Puna e mbarë! 

Fshatari ndali punën dhe e vështroi djaloshin e lodhur. Mjekra e parruar, mënyra si fliste, tregonin se kishte bërë udhë të gjatë. 

– Mbarë paç! Nga vjen kështu?

– Nga Shqipëria. 

– Ke ikur?

– Po, besa! Siç më sheh! Kam disa ditë që udhëtoj. Jam i lodhur dhe i pangrënë.

– E shoh. Urdhëro në shtëpi! 

Astriti u qetësua, kur kujtoi se në ato fshatra shumë vetë ishin pritur me bujari. Shqiptarët e përtejmë e dinin se ç’ndodhte në atdheun amë. 

“Më duket shpëtova nga e keqja më e madhe!” – mendoi. E dinte se do të binte shpejt në duart e oficerëve maqedonas, apo serbë! Tashmë ishte në këtë botë një i huaj, i arratisur e i panjohur. Çdo gjë mund të ndodhte. 

– Pa merak! – i tha burri fshatar, kur po e shoqëronte për në postën e policisë. – Më keq se atje prej nga vjen, s’ke për të qenë asnjëherë! 

Te një zyrë në Strugë e morën në pyetje pesë oficerë, ndër ta një civil slloven. Gjuhën shqipe e njihnin të gjithë për bukuri. Pyetjet i bënë pa përkthyes. Megjithatë, çfarë t’u thoshte oficerëve kureshtarë një mësues, herë i harruar thellë në male, herë i burgosur e së fundi i internuar në minierë? Slloveni u befasua, kur mori vesh se si ai shqiptar i ri me shkollë të lartë, pati vuajtur aq shumë për shkak të poezive romantike. 

– Pas disa javësh, do të shkojmë bashkë në kampin e refugjatëve shqiptarë në rrethinat e Lubjanës! – i tha

Astritit iu desh të priste edhe një muaj afër Ohrit, pastaj udhëtoi drejt kampit. Atje, pas dy javësh, mbërriti përfaqësuesi i konsullatës italiane. Atij nëpunësi fisnik me pamje të qeshur, i tregoi të vetmet dokumente që kishte, letër-njoftimin dhe fotografinë e Forestit.

– Ky këtu është një oficer italian i luftës. Ja, emri dhe adresa! – i tha. 

Pasi ndenji dy muaj në kamp, një autobus blu erdhi dhe mori tridhjetë vetë, ndërmjet tyre edhe Astritin. Kur trari vija-vija i kufirit u ul pas shpine, do të thoshte se kishin kaluar në botën e lirë. Mori frymë i lehtësuar, pas aq tronditjesh shpirtërore e fizike, si të kishte dalë nga thellësia e ferrit. 

Udhëtim i këndshëm përmes fshatrave dhe në rrugët e asfaltuara të Triestes me ndërtesa pesë e gjashtëkatëshe, qysh nga koha e Habsburgëve, më pas e Austro-Hungarisë, tashmë e Italisë, qytet i pasur e port i madh në bregun lindor të detit Adriatik. Autobusi frenoi para hotelit Continental, një ndërtesë e bukur dhe e lartë, e mbështetur mbi harqe guri të gdhendur nga duar mjeshtrash. Ndërsa po pinte kafen, vuri re kamerierin, që po shoqëronte drejt tij një vajzë të hijshme bionde, një djalë të gjatë me pak mustaqe dhe shoferin e tyre, një burrë të shëndoshë me kapele. Ata kishin pyetur për të në hyrje të hotelit. Disa punonjës i treguan një zotni pak të hequr, të veshur thjesht, por pastër, ulur pranë dritares në kafene…

+ 

Shoferi mbylli me kujdes dyert e veturës “Ferrari”, ku kishin zënë vend tre vetë. Makina elegante u shkëput pa zhurmë dhe u largua nga qendra e qytetit.

Astrit Drini u zgjua nga drita e mëngjesit në një vilë të rrethinave të Triestes. U la, u vesh mirë e bukur, doli në paradhomë, u ul në kolltuk dhe ra në mendime. Të djeshmen e kishte pritur plaku i shtëpisë Pepino Foresti. Në lirim ai pati dalë me gradën gjeneral, pasi kishte shërbyer në qeverinë e De Gasperit, si edhe në disa qeveri që erdhën më pas. Qenë përqafuar si miq të vjetër dhe kishin biseduar gjatë.

– Ja, ç’vlerë ka fotografia e viteve të shkuar! – kishte thënë Foresti. – Kur ma treguan, thërrita nga habia dhe gëzimi. Më vjen keq, shumë keq, që nuk do ta takoj kurrë babanë tuaj, atë njeri të mirë, që më shpëtoi jetën. Me sa shoh, ju i ngjani nga sytë dhe balli.

Tani, ndërsa dera po hapej ngadalë, Astriti dëgjoi përshëndetjen e njerëzishme, që veç nëpër filma e pati dëgjuar :

– Buonxhiorno, xhiovanoto! Avete dormito trankuilo? 

Djali u ngrit menjëherë në këmbë para plakut të thinjur. 

– Buonxhiorno, xhenerale! Sono feliçisimo ke çi trovo sano e salvo qui, nela vostra amikevole kaza.

– Gracie!

Ndërkohë sherbyesja u solli kafetë. Me filxhanin e bardhë në dorë, Foresti vijoi:

– Sinjor Drini! Mendoj se ju këtë vit duhet të bëni një kurs në Milano, për zotërimin e italishtes. Vitin e ardhshëm do të studioni për letërsi në Rimini. Pasi të merrni diplomën, do të jepni gjuhën e letërsinë shqipe në ndonjë shkollë të lartë linguistike në Romë, a gjetkë. Të mirat e tjera vijnë më pas.

Astriti dëgjonte dhe falënderonte të zotin e shtëpisë. Fjalët i ishin prerë. Ai, ndonëse kishte përballuar e duruar aq tortura e padrejtësi, tani para plakut të thinjur e burrëror, dukej si fëmijë. Kishte lot ndër sy… 

Gjatë studimeve nisi ta digjte malli për njerëzit e dashur në atdhe, për ata që vuanin e vriteshin nëpër kampe. 

Pasi u diplomua, në ditë të veçanta, u jepte mësim studentëve arbëreshë e italianë, dhe i nxiste të lexonin në shqip poezinë e burgut: 

 O ti, o Orë e malit, pse rri këqyr më kot?

 Rrudh ballin e menduar, e n’faqe të rrjedhin lot!

 Po pse i prane këngët, moj shtojzovalle e bukur,

 mes drurësh e hutuar, e heshtur e përhumbur?

 O shqipe e lirë mbi kep, me sytë e turbulluar,

 prej sqepit vrer të del nga ankth i përvëluar!

 Tek jeta hiqet zvarrë, pa gjurmë e pa mbresë,

 Sizifi i dërrmuar po shuhej nën ngarkesë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, Arratisja nga Ferri

VJESHTË ME SHI E BALTË

April 14, 2021 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica/ Freski,  ditë vjeshte, e hënë. Aty nga ora dymbëdhjetë nisi të binte shi, shi i imtë Tirane. Nga plepat e  lartë trungjetrashë, rrëshkisnin tatëpjetë  rrëkeza ujërash, ndërsa nga degët  e lagura gjethet e  verdha, këputeshin e binin në asfalt. Në atë kohë  një Fiat-polak, dy Gaz–BÇ e një mikrobus Xin-Fu, pasi lanë rrugën e Durrësit, u kthyen djathtas e  hynë në udhën me gropa e baltë, të dëmtuar nga kamionët e ndërtimit. Makinat  e spërkatura me llucë,  ndoqën njera tjetrën,dalë ngadalë dhe më në fund ndaluan në qendër të Kombinatit  me fabrika  pllakash,tubash  çementoje, sheshe pune me beton hekur e tulla nën vinçat e lartë e plepat e ulët. Nga kulla e fabrikës  së çimentos, “e ngritur me  forcat tona,” shpërndahej deri larg pluhur i bardhë, tym  i hirtë  dhe i zi.

  Nga dritarja e zyrës së planit, Rudi  pa tre makina të ndaluara para klubit  të madh, tek po zbrisnin  disa me pamje zyrtarësh. Më prapa qendronte  pa lëvizur një mikrobus. Drejtori e sekretari i partisë, me çadra në duar, dolën me nxitim nga ndertesa e drejtorisë me dy kate e shumë dritare,   mesa merrej vesh, për të pritur miqtë e sapoardhur.  Disa të tjerë  nga zyrat e  repartet, vrapuan drejt klubit. Po në atë orë, çastisën gazetarët nga Zëri i Popullit e Puna, ndërsa nga një autobus i gjatë me rimorkio „Shkodra“, zbritën  gra  e vajza  të veshura për bukuri dhe djem me kostum e  kravatë,   “ Çjanë gjithë këta?” tha  Rudi me vete , ndërkaq u përmend,  mbylli zyrën,  doli jashtë  dhe nxitoi  pas të tjerëve.

 Në sallën e mbledhjeve busti i bardhë i derdhur në allçi, i udhëheqësit hijerëndë të partisë dhe të shtetit, gdhihej e ngrysej mbi skenë tok me parrullat në mure: “Lavdi PPSH!”,“Në një dorë kazmën, në dorën tjetër pushkën!” …Zakonisht në atë sallë mbaheshin mbledhje me rëndësi.Në mbarim shpërndaheshin urdhëra e medalje, fletë nderi e lavdërimi. Çdo të shtunë, pas orës tre, shfaqeshin dy drama, njëra me ballistë e gjermanë të trembur, tjetra me fletë-rrufetë e revolucionarëve të revoltuar. Jepej përherë i njejti koncert. Kovaçi Braçe i ofiçinës, i qeshur me gërnetë e def me zilka, këndonte dy këngë. E para, ishte „Kongresi i Përmetit me shumë vendime“ dhe  e dyta   „Më ka marrë malli me u fejue“. Kjo këngë  shoqërohej gjallërisht nga tre tenorë të Operës së mbyllur, me refrenin „Merre pra, lene pra!“ Pastaj në kor vajza e djem, këndonin dy lavde për partinë. Bardhi, zdrukthëtar, recitonte dy poezi nga dy poetë të shquar të ngjashme me hymnin për revolucionin botëror. Në ato vite akull të ftohtë poetët me urat e zjarrit të vargjeve, ndezën flakë dynjanë, male, fusha e pyje. Regjizori i gjithë programit artistik, ishte një aktor i njohur të cilin pas studimeve në Moskë, siç flitej, e kishin sjellë për edukim në gjirin e klasës punëtore.

 U përhap fjala vesh më vesh, se zytarët me vetura nuk ishin as artistë, as  konferencierë, ,as vizitorë, por njerëz të drejtësisë.Salla u mbush përplot me punëtorë e nëpunës. Rudi kërkoi e gjeti vend në radhën e tretë.   

 Në skenë, pas tryezës së gjatë mbuluar me cohë të kuqe, zunë vend vetëm juristët. Ata hidhnin sytë nga salla, afroheshin e flisnin kokë më kokë. Hapnin çantat, rrëmonin brenda e nxirnin dosje gri. Pastaj mbyllnin çantat e hapnin dosjet ngadalë. Mbi kokat e tyre, udhëheqësi i madh  i derdhur në allçi vështronte sallën  e murin përballë.

Sapo në sallë, hynë pesë djem të shoqëruar nga ushtarakë me uniforma blu, u kuptua se nuk do të mbahej konferencë për ligje, por gjyq, sipas rregullave të drejtësisë popullore. Kryetarja e trupit gjykues, shoqja Sandra, një grua e bëshme e pak e shkurtër, pasi paraqiti anëtarët  gjyqtarë, çeli seancën gjyqësore për shqyrtimin e aktakuzës së prokurorisë kundër pesë të pandehurve që ishin orvatur  me grusht shteti të krijonin një qeveri të re. Të pandehurit i përmendi me radhë: Ceni, mekanik,  Agroni, frezator, Nasi, elektricist, Pali, tornitor dhe Zefi, shofer.

 -Gjatë gjykimi të çështjes- tha ajo- do të dëgjohen edhe dëshmitarët.

 Më tej njoftoi se avokati  mbrojtës mungonte, se dergjej  në shtrat nga gripi kinez. Nuk la pa harruar as ligjet, rregullin e qetësinë në vend. Mandej iu drejtua anëtarëve të trupit gjykues, nëse kishin pyetje apo vërejtje. Në fund  i dha fjalën përfaqësuesit  të prokurorisë. 

 Prokuroti i shtetit, shoku Teli, i gjatë e pak thatim, me disa fletë të bardha ndër duar nisi me gjallëri  të lexonte aktakuzën. 

Rudi duke dëgjuar me vëmendje, mori vesh se bëhej fjalë për një qeveri fantazmë, sajuar nga dorë mjeshtri, hë për hë me pesë zanatçinjë: Ceni-kryeministër, Agroni- ministër i arsimit, Nasi-ministër i brendshëm, Pali- ministër i industrisë, Zefi- ministër i transportit. Autori me hetuesin në ato çaste ndoshta  ndodheshin aty, ose pinin kafe me konjak, fjaloseshin e  qeshnin. në klubin pranë Teatrit Popullor. 

  -Qeveria e re- tha prokurori- do të krijohej pas disa mbledhjesh të fshehta dhe agjitacionit e propagandës. Në fund me grusht shteti, të paktën me njezëtë vetë, do të përmbysnin pushtetin e popullit.

 -Na marshin të ligat! – shpërtheu zëri i njohur i Athinasë.

 -Poshtë armiqtë! – thirri sa i hante fyti një nga ata, që ishte ulur në stolat e prapëm.

-Në litar! Në litar!-ulëritën nja pesë a gjashtë. Këto britma u mbuluan nga një murmurimë e mbytur në sallë, por u shua sakaq. Akuzat ishin të shumta.  Sipas prokurorit pak si gjaknxehtë, në mbledhjet e asaj qeverie me zanatçinjë, ishte vlerësuar sidomos përhapja e njoftimeve për veturat në perëndim. Kush qe më i shpejtë, Fordi apo Fiati, Ferari apo Benzi, Pezho apo BMV?  Shoferi paskësh thënë një fjalë armiqësore,  se “me Xin-fu prej Tirane në Shkodër kam shkue bash për gjashtë sahat.”Në mbledhje ngrinin në qiell skuadrën e fubollit të lakejve  të Gjermanisë revanshiste. 

Mandej prokurori ngriti lart një letër. Sipas saj ishte nxjerrë një sekret i madh zyrtar! Ceni u paskësh treguar  shokëve për një mbledhje të hapur në Ofiçinën Qendrore të ndërtimit. Atje, pas kritikave të rrepta nga të dërguarit e ministrisë dhe kantiereve të ndërtimit, drejtori i oficinës i skuqur në fyturë,  qe ngritur e kishte folur shkurt kështu: “Diku në Torino, është një uzinë e madhe veturash. Në mbarim të proçesit teknologjik veturat njera pas tjetrës, dalin jashtë.  Kontrollori me shufër hekuri në dorë, hedh vështrimin rreth e rrotull veturës së parë, përgjon rrahjet e motorit e thotë: “kuesto buono!” Më tej pa pritur therret: “kuesto non e buono!?” Ngre shufrën e godet mbi të, kurse ju kamionët e shkatërruar në rrugë pa rrugë e zalle lumejsh, kur shumë pjesë këmbimi mungojnë,  i doni, “tuto buono!”

 Siç po dukej kjo shfaqje e çuditshme drejtësie, po merrej me punëtorët, të cilët pas punës kishin folur parqeve për  makina e sportin. 

Kur prokurori mbaroi rolin e caktuar, kryetarja thirri të pandehurit:

-E pranoni akuzën?

 Të pestë,  njeri pas tjetrit u përgjegjën me “jo!”: 

 Ceni: as në andërr, s’e kam pa veten teme, kryeministër.

Agroni:  ç’ne! Unë minister?

Nasi për një çast heshti pastaj tha: as unë.

Pali: ç’ka di veta! Veç në torno di me punue.

Zefi: tan kohën e lume kam drejtue veç kamiona „Zis“ ndër zalle lumejsh. 

Prokurori kërkoi fjalën përsëri e derdhi breshëri  akuzash e pyetjesh, sidomos ndaj  kryeministrit, pa harruar se në emër të kujt fliste: „parti, popull, pushtet, ligje, drejtësi etj…“

 -Na thuaj i pandehur, sa mbledhje të këshillit të ministrave keni zhvilluar? Kush diskutoi?  Ç’vendim morët për grushtin e shtetit?

Ceni, sa nuk qeshte me këto akuaza  e pyetje.

Rudi në heshtje e qortonte:”ç’qesh o i gjorë! Akuza të tilla të dërgojnë lidhur para togës së pushkatimit.“

 Kur prokurori ngrinte zërin edhe më, i akuzuari mblidhte mendjen e zbehej. Djemtë e tjerë, duke mos qenë të njohur me seanca gjyqësore, e ndërprisnin shpesh shokun Teli. Shoqja Sandra, përmendej dhe me të drejtë vendoste  rregull e qetësi.

Ndërkaq Rudi pyeste: „me gjithë mend e kanë këta juristë nga jugu, që ngrefosen përballë punëtorëve të lodhur, me defterë e stilografë kinezë në duar? Mos është kjo, posi loja me luftë para një jave në Kombinat, me alarme e sulme aeroplanësh me bomba atomike?“ Mesa i kujtohej, në raportin e luftës shkruhej: drejtori u plagos. Komandën e mori zv.drejtori. Sanitarët e mbartën drejtorin me barelë në spital-strehimin, ndërtuar me çimenton e prodhuar në fabrikën e çimentos me forcat tona. Shefi i furnizimit u vra. Shefit të planit iu shtua dhe detyra e furnizimit. Punëtorët-ushtarë luftuan trimërisht me mitrolozë mbi taraca, çati e buzë lumit. Disa dhanë jetën me partinë në gojë. Armiku nuk pati më guxim të vijonte më tej sulmet pirateske. Kombinati shpëtoi me pak dëmtime. Fabrikat punonin, norma tejkalohej e plani realizohej.” Kështu ishin këto lojëra. Mos vallë në sallën e klubit po ndodhte diçka e ngjashme?

Nasi, i caktuar ministër i brendëshem, ndërsa po pyetej, ndërroi mendje, duke pranuar gjithçka. Befas iu morën mendt e u shtri me atë trup të shëndoshë drejt e në dysheme. Prokurori me dorën drejtuar poshtë, i mëshoi zërit edhe më: -Shihni, ç’ministër kanë caktuar! 

 Një nga dëshmitarët, flok-kuq e verdhacuk, fliste shtruar. Nuk zbardhej, por as nxihej, me sajime e kallxime ndaj shokëve. 

Rudi vuri re se proçesi gjyqësor po zgjatej si shumë me çështje transporti ndaj mendohej: “përse kryetarja paska zgjedhur kombinatin tonë, që s’ështe as uzinë traktorësh e tankesh, as park dhe as ofiçinë veturash? Veturë ka vetëm drejtori.”  

Shoku Teli, sipas rregullit kërkoi nga trupi gjykues dënimin e tyre si fajtor: për kryeministrin 15 vjet me heqje lirie dhe për çdo ministër 5 vjet. Pas tij hynë në valle fajtorët pa faj e pa avokat, me kërkesa të kota për pafajësi. Trupi gjykues me dosjet mbi tryezën e gjatë u ngrit  në këmbë. Shoqja Sandra, pasi  hodhi vështrimin në sytë e bustit të bardhë derdhur në allçi, i quajti fajtor sipas ligjit  n.55, për agjitacion e propagandë, Vendimi: shtatë vjet heqje lirie për të gjithë, me përjashtim të ministrit të  brendshëm, i lirë me kusht. Ky vendim është i formës së prerë.

Rudit iu kujtua një përrallë me Nastradin, Padishah e me vezir në gjyq. Kadiu pas akuzash të rrepta, kërkoi nga Padishau i përgjumur dënimin e një farë filozofi, kockë e lëkurë, të quajtur Risili, me njëzetë goditje kamxhiku në prapanicë.

                                  ***

Rudi i ngritur në këmbë edhe ai tok me të tjerët, pyeste në heshtje kryetaren: “Po me grushtin e shtetit ç’u bë? Po qeveria? Mos vallë trupi gjykues harroi?” Iu duk sikur perdet e skenës, ashtu si në teatrin tragjik, nën breshërinë e duartrokitjeve, po uleshin përvajshëm. 

Në rreshtat e para shquhej shtati i lartë dhe i hollë i Rudit, ndryshe nga shoqja Sandra, e shkurtër, por e bëshme. Tek po dilte Rudit iu kujtuan shpikësit e dëgjuar të makinave dhe fliste me vete: “askush s’duhet të habitet me  ligjet tona  aq shkencore, që me të drejtë kërkojnë të mbyllet goja për shpikjet e tyre.” Ndërkohë Këshilli i Ministrave me Kryeministrin në krye pak javë më parë kishte marrë një vendim të jashtëligjshëm. Disa vetura çeke të mbetura parqeve, ua dhanë qytetarëve me çmime të caktuara nga lartë. Shumë djem vrapuan dhe i blenë pa ngurim. I ringritën menjëherë dhe u sulën me hare jashtë qyteteve. Një ditë, nuk dihet se kush, dha një kundër-urdhër. Veturat u ngujuan në oborre shtëpish për kotece pulash. Natyrisht si përherë, vetëm kuadrot kryesore, pas mundimesh në zyra, plenume apo mbledhje, duhet të shlodhen ndër vila pranë detit. Të shetisin me vetura nëpër atdheun tonë të bukur për të mirën e të cilit u del gjumi natën. Njeri drejt veriut, tjetri për në jug. Në ato orë vargu i gjatë i policëve në rrethe me radio në vesh, shfaqej  buzë xhadeve të cilat duhet të jenë të qeta e pa rrezik për jetën e tyre. Si mund të jetohet pa ta?”

Juristët e shtetit, të përcjellë nga drejtori e sekretari i partisë, u hipën veturave të përfolura . Të mbështetur  qetë në ndenjëset e buta  u larguan nëpër rrugën me baltë e gropa. Prapa  nxitonte me zhurmë Xinfu-ja-burg. Në ato çaste shkrepi rrufeja. Si mallkim,  qielli bubulloi. Shiu i imtë u kthye në rrebesh. Nëpunësit  e ndërmarrjes së madhe, të prirë nga drejtori e sekretari u sulën për në ndërtesën me dy kate e shumë dritare  të drejtorisë. Punëtorët vrapuan për në reparte, ndërsa ata të ndërmarrjeve të tjera, mbërritën me një frymë në autobusin “Shkodra.” Nëpër  retë e nxira të ulura poshtë,  tymi i zi i fabrikës së çimentos që ngrihej lart e shpërndahej në lagjen pranë, thuajse nuk dukej. 

  Prokurori i shkathët, kur dikush nga fisi i vet ra nga fiku, u emërua magazinier zhavori  jashtë Tiranës. Në kohra lirie, punoi avokat e mbronte mafiozët. Jo vetëm kaq, si i përndjekur, pas vitit 1997, u zgjodh anëtar i Këshilliit të Lartë të Drejtësisë.

Historianët e ndonjë shkrimtar i plakur këto histori i dinë më së miri, por nuk shkruajnë, se u është mbaruar boja. Kur takohen, nuk thonë asnjë fjalë për to, qajnë hallet për librat e tyre, që s’i prek me dorë askush e psherëtijnë për fatin e fabrikave gërmadha tok me oxhaqet pa tym. 

                                          

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, ME SHI E BALTË, VJESHTË

POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA

December 31, 2020 by dgreca

Nga Agim Xh. Dëshnica-Boston/

At Gjergj Fishta dhe profesorët  mjeranë të realizmit socialist

Në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare -1983“, u synua të hidhej poshtë vepra e poetit kombëtar At Gjergj Fishta me fjalë si këto: „Përfaqësuesi kryesor i klerit Gjergj Fishta (1871 – 1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë  shtypin e urdhërit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e stilit, gjer në banalitetitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”

Nuk do të mjaftonte ky qëndrim armiqësor ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu jashtë Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit – për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….” 

Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri  i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin  si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin përbuzjen e kundërshtimin, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!) Mirëpo, ai ishte ndër të parët,  që me vargjet e veta  qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo si poet i ndiesive atdhetare, që i zienin në zemër,  u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut. 

Në kohët e sotme aty – këtu vihet re, se si disa të ashtuquajtur prof. dr. kundër çdo rregulli, dëmtojnë dhunshëm me ndreqje antishkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin  e vargjeve  të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit tashmë të nderuar, dhe me frymëzim tymnaje, noton pa shpresë përmes dallgësh, në kërkim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish. 

Krijimtaria  e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta, e botoi më 1900, në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsis“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Viersha t‘përshpirtme“, „Pika voeset,„ „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“,  „Shën Françesku i Asizit“  „Gomari i Babatasit „ ,  „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“,  „Shën Luigji Gonzage„ ,  „Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e  të tjera. Në vëllimin „Mrizi  i  Zanave“, renditet  edhe poezia „Lule Vjeshte“,  nga më të dhimbëshmet e më të bukurat  e letërsisë sonë.

Me prozën e rrjedhshme Fishta u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen  „Hylli i Dritës.“ 

Në  vitet e  diktaturës,  kur vepra e Fishtës ndalohej,  një veprim i tillë, nuk ndodhte askund, madje as në shtetet fqinjë veriorë. Emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës, përmendej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta, Poet Kombëtar Shqiptar etj…“ 

Fishta dhe “Lahuta e Malësisë”

Gjatë kohës së diktaturës, sado që disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin: „Shkundu pluhnit pra, Shqypni! Ngrehe ballin si  mbretneshë!/ Pse me djelm, qi ngrof ti, /Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.“ Vargje si këto në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it, “vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund te kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund te kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahuten e Malësisë” të At Gj. Fishtës.” Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl, Erëin Stranik, Gustav Veigand, .etj. Veigandi, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht (Lahuta e Malcis von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Lajpcig 1925), kurse Lambertz po në gjermanisht (Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino (Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës „Lahuta  e Malësisë“, u njoh  në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck (The Higland Lute, Londër, Nju Jork, 2005).

Poemën  “Lahuta e Malcisë”,  Fishta e filloi më 1905, me këngën  e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën  e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”. Në shënimet e  veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës  së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin  bashkë. Nga Marashi, Fishta dëgjoi  rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazes, edhe  për betejën e rreptë në Urën e Rrazhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë.  Fishta vijoi  ta botonte  e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. “Lahuta e Malsisë”, me gjuhën  e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet  e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Poema  në vargje  tetë rrokësh  sado me ngjyrimet  e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është  histori  në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Ded Gjo Luli, Oso  Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima  kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit.  Rimat, herë janë të përputhura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë të hovshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, medituese dhe filozofike, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare. 

Nga kjo  kryevepër epike,  po japim  pjesë  vetëm nga pesë  këngë.

LAHUTA E MALËSISË

C U B A T 


Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue! 
Pesëqind vjet kishin kalue 
Çëse të buk’rën ketë Shqipni 
Turku e mbate në robnì, 
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,

frymën tue ia xanun njak, 
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà: 
kurr të keqen pa ia dà: 
rrihe e mos e lèn me kjà: 
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,            +

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!              +
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër spari, 
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari 
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari, 
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:                 +

e tue dhanë kryq e tërthuer, 
tu’ i dhanë bulkut shum mërzì, 
me u vu s’ ryset për hullì 
e as me shoq ai pendë me shkue: 
kështu Shqiptarët, të cilt mësue

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej, 
pagë e t’dheta me i là kujë: 
por të lirë me shkue ata motin, 
veç mbi vedi tue njohtë Zotin, 
e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta

mos me i bà kurr tungjatjeta, 
n’braz me Turk kurr nuk kanë rà 
e as kurr pushkën s’ ia kanë dà; 
por t’janë grì me tè e t’janë vrà, 
si me kenë tu’ u vrà me Shkjà

E prandej si pat fillue 
Turkut Ora m’ iu ligështue, 
e nisë pat m’ iu thy’ atij hovi, 
m’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi: 
e ato fiset e Ballkanit

zunë me i dalë dore Sulltanit, 
nisë Shqiptarët kanë me u mendue, 
si Shqipninë me e skapullue 
zgjedhet t’ Turkut: qi si motit 
n’ ato kohët e Gjergj Kastriotit,

krejt e lirë kjo t’ishte, e askujë 
n’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej, 
me i bà kurr mà tungjatjeta, 
kurr me i là mà pagë e t’dheta: 
edhe Flamuri i Shqipnisë,

si fletë Engj’lli t’Perëndisë, 
si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare, 
me u suvalë prap n’tokë shqiptare.

Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi, 
Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì: 

gërxhelì, por belaçì: 
na dyndë top, na dyndë ushtrì 
edhe del e bjen n’Shqipnì, 
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì, 
shka merr Drinin për s’të gjatit 

der’ n’ Kalà të Rozafatit, 
ku ai me ngulë do’ “trobojnicën”, 
do’ m’ ia vu Shkodrës “kapicën”: 
me bà Shkodrën Karadak, 
mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak!

VRANINA

Vojti fjala te Çetina:

-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!

Vallë! ç‘po ban  Vranina m‘Shkje?

rob tue xanë  e gjind tue pre,

tue pre gjind, tue xanë kajduka

qysh se duel njaj Oso Kuka! 

Oso Kuka, ’i  burrë Shkodran, 

shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë

për kah besa e kah trimënia,

qi zanatë i ka Shqipnia.

Kaleshan e sy-përgjakun,

mje m’sylah mustakun:

ushton mali, thonë, kur t’flasë,

dridhet  fusha kah t’vikasë,

e kah t’dredhë të rrebtë taga‘n

thue se rr’feja shkrepë për anë

kaq vringllim ai shkon  tu‘ i dhanë!

MARASH   UCI

Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba e e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike:
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
e u permendte Orë e Zana,
edhe u thotë shum punë t’ mëdhana,         +
për lugat kur xehet hana,
e  për luftë, qi me drangona,                      +
ban kulshedra n’ vise t’ ona;
edhe i njifte ai ma s’ mirit
sa drangoj janë rodit t’ njerit                       +
mbi Ranë t’ hjedhne e n’ Urë t’ Vezirit.
Prande’ e dojshin gjith barija
e ndigiojshin fjalët e tija
si kah pushka ashtu ka’ urtija. 

Po shka, Zot, ka Mashi sot,

Qi na a vra e nuk ban za?

TE KISHA E SHINJONIT

Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me i u afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kisht’ mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
( Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’ e rëmue dora grabitçare?
Ah! jo kurr: t’ isht’ çue mbarë bota…
pse ndo ‘i Lekë, a ‘i Gjergj Kastriota
do t’ kisht’ dalë, atë dorë rrëmbyese
m’ e cungue me armë ngallnjyese,
t ‘ cilat n’ shekull do t’ permenden
hanë e hyj sa qiellëve t’ enden.
Por kanë ndërrue sot moti e stina
për dhé t’ ngrît, ku rreh „martina“!
Gjinde e mbajtun me lot t’ shu‘mit
qi n’ djersë njomë busat e umit,
ja qi n’ kullmë rreshket kumbuese,
ja n‘për dét bjen valës shkumuese,
për me mbajtë nji grue te shpija
s’ cilës bukë i lypin fëmija,
edhe i len ndoshta me kjá,
përse e mjera bukë nuk ká:
gjinde, s’ cilës Zot i asht ari,
t’ zezën tokë qi i ngratë Shqiptari
shtrejt me gjak e pat fitue,
pa ndo ‘i dhimbë, kjoshin mallkue!
Sot m’e dá duen copa – copa:
e përse? Pse don Europa…
Lum, oj Zana e Veleçikut,
qi m’ ia lshon ti namët anmikut,
qi m’ i uron djelmët e Malsísë,
qi m’ i a kjánë hallin Shqipnísë;
kësaj Shqipníe, e cilla motit,
n’ za kah pushka e besa e Zotit,

pat kenë çmue prej fisesh t‘ tana

kah bien dielli e kah merr hana!

TE URA E RZHANICËS

Riza Pasha del n’ kalá:
‘Madhi Zot, se shka me pá!
‘Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:  
Hazna e madhe për bulqí!
T’ u ngjatët jeta! i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojn me Mal të Zí.

Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malësísë”  dhe  krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtquajtur popullor, ndërkohë u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991. Pas pëmbysjes  së diktaurës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malësisë”. Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen  me vlerësimin  e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta  Malësisë” përballë  poemës “Kunora e Malsisë” të poetit malazes  Negoshi. Me “Lahutën e Malësisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në një fe,  në  luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë. Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve. Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar. Në veçanti „Lahuta e Malsisë“, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë edhe vargje lirike, të rralla për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës shqiptare, si këto: 

Varza ka e varza s’ka,

porsi asht nji varz’ n’Janinë

kurkund shoqen s’ia ke pa,

kah bje‘ diell e serotinë;

synin diell, ballin si hana,

ardhun shtatit si selvija

Efruazin e  quejti nana, 

augur t’mir me e pas Shqipnia.

Autorë të shquar për Fishtën

Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satiric. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele  D’Anuncio thoshte:  “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli… Si këtë kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranat Tagora.” Në një kohë, kur Fan S. Noli në ligjërata shprehej nëpër ligjërata: “Fishta është i madh”. Kurse Faik Konica shprehej: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!” Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj  theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”.

Aurel Plasari shkruan: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.”

Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë studimet e korrigjuar  të viteve para ’90.  

Fishta për Atdheun

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së  Londrës -1913. Një gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën „Lahuta e Malsisë“ dhe në artikujt e botuar në revistën „Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në Shkodër më 1913.  Në  shkrimin  me  titull: “A jan t’zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi?“, Fishta kritikon ashpër, nga një anë veprimet grabitqare të fqinjëve e nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë.  Ndërkohë ai argumenton  me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin shtetit të pavarur brenda kufijve etnikë. 

Një ngjarje e paharruar do të mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky një veprim i guximshëm për bashkimin  e shqiptarëve me disa besime  fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e Shqypnisë.“ Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919,  ai tha: „Pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë asht vendi ynë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografik. Por çka, se simbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u sundue në vetëvete, përpos kombësisë duhet të mirret parasysh edhe ndërgjergjja e tij kombëtare. Tashti për në qoftëse si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesija për liri, si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhvillue, gjithnji përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarsinë si edhe sovranitetin e saj. E po thomëni, cili populll në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?  Në rast se ata nuk na duan në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Musliman, atëherë na Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”, Eshtë kjo një shprehje  e dalë nga shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare ndërmjet  shqiptarëve. Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. Në vitin 1922  Fishta pritet në Uashington si personalitet i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për çështjen e kufijve  të Shqipërisë. 

I ftuar, më 1930, në  Nju  Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të  poetëve nga 60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e  Bukuresht. 

Me prozën e tij të shkëlqyer përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit të trazuar  do ta rrëfente me një prozë plot humor,sipas ndryshimit të motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur  dhe shenjtorëve.

Nga  leximi  me vemendje i prozës, së  Fishtës, vihet re,  se ajo rrjedh  poashtu si poezia e tij. Poezia  ashtu edhe proza e Fishtës janë burime frymëzimi  për  poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata, që duan  të flasin  bukur shqip.

Veprimtaria e Fishtës në vitet 20 – 30

Në vitet 20, Fishta merr pjesë edhe ne veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti

zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet nga atdheu dhe vendoset në Itali.  Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon, boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë  pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më 1937 poemën epike „Lahuta e Malsisë“. 

Më 1939, Fishta ishtë kandidat i çmimit Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më 1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “qysh nga kohët romake përgjatë rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit.” Ky zë jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye dhe letrat e sajuara prej tyre askush nuk i beson.

Po dokumentet, ç’thonë për jetën e veprimtarinë e tij?

At Gjergj Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës, më 1871. Për fat të mirë mësimet e para i mori nga mësuesi e poeti Leonardo de Martini. Shkollën e mesme  e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji, filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjekë, Livno e Kreshevo të Bosnjës. Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua meshtar dhe u pranua në Urdhërin Françeskan. Në vitin 1899 së bashku me Abatin e Mirditës Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Babin etj. themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi.” Në vitin 1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi shqipen në mësime. Në vitin 1908 përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim  të Kongresit, Fishta  kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohë në moshë të re.

Dëshira e përkrahja gjuhës shqipe, trimëroi drejtuesin e arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin të themelonte më 3 gusht 1916, Komsinë letrare nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i ndikuar dhe nga Dr.R.Nachtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi. Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet  e tyre,  përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci  e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu. 

Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e veprës  së At Gjergj Fishtës ishin të pakët lexuesit e letërsisë që kaluan çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfiltë e të gjitha kohëve bashkohet në një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur që u ngrit madhërisht, për rreth dyzet vjet, mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në  shërbim të atdheut.

Nderimet nga vendi e bota 

At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë  zë një vend me rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe  nga shkrimi në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare“-1983, Fishta njihej kudo, si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar, edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist, politikan demokrat etj. Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante: “Fishta i la  nder gjithkund  emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ”Poeti Kombëtar”, por edhe bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj. Klubi “Gjuha Shqype” i dhuroi në vitin 1911 dy basoreljeve symbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë argjandi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të veprimit të tij letrar e politik. Perandoria otomane i dha dekoratën Mearif kl.II (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me Ritterkreuz (1912); Papa Piu XI e nderoi me Medaljen e Meritimit (1925); Paria e përgjithëshme e Urdhnit françeskan me titullin “Lector Jubilatus”(1929): Greqia me dekoratën.“ Phenix” (1931), etj.„ Për Gjergj Fishtën kanë shkruar edhe në botën gjermane.

Pas vitit 1990, At Gjergj Fishta u dekorua me Urdhërin Nderi i Kombit.

Përkujtimi i tij me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë,  ishte  një nga vlerësimet  më të larta, që  mund t‘i bëhej një Poeti Kombëtar si At Gjergj Fishta. 

Po ç’thotë Fishta me poezitë e veta?

NGA MRIZI I ZANAVE 

GJUHA SHQIPE

Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjinjt e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjuha e jonë shqiptare.


Ah, po, â  e  ambël fjala e saj,
Porsi gjumi m’nji kerthí,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pamashtrí;
Edhè ndihet tu kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka’i bjen qiellvet tue fluturue
N’t’zjartat valle t’amëshimit.
Prá, mallkue njaj bir Shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perendísë,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia lên ai fmís;
Edhè atij iu thaftë, po, goja,
Qi e perbuzë ketë gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuhë t’huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’veten lên mbas dore. 


Në gjuhë shqype nanat t’ona
Shì prej djepit na kanë thânun,
Se âsht nji Zot, qi do t’a dona:
Njatë, qi jetën na ka dhânun;
Edhè shqip na thanë se Zoti
Per Shqiptarë Shqipnínë e fali,
se sá t’enden stina e moti,
Do t’a gzojnë kta djalë mbas djali.

Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë jú për Shqiptarë:
Trima n’zà sikurse jini. 


Prandej, prá, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malsija
Prej njaj goje sot t’brohorisin:
Me gjuhë t’veten: “Rrnoftë Shqipnia!” 

SHQIPNIJA

Edhè hâna do t’ a dije,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja. 

Nen nji qiellë perherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.


Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye n’për mriza hale,
Gurgullojn n’për rrâjë e curra.


Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjnë mandej ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cilvet, p’rherë besnike,
Janë permendë nder fise t’ tana.


Atje léjnë, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.


Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqiptarit pît ka rá.


Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Liria.


Lume e shé para atij ngelin,
Ia lshojnë udhën dete e male;
Mbretnitë fjalën s’ mund t’ ia shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ ia ndale.


Shkundu pluhnit, prá, Shqipní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.

Po, edhè hâna do t’a dije,
Edhè dielli do t’ kétë pá,
Se për qark ksaj rrokullie,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqipní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí. 

I  DBUEMI

Lamtumir’!- vendet e mija,

Qe, po zhduken dal’- ngadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka  val’ mbi valë;

Kah njaj diell, qi a tue flakue

Andej fill un tash do t’veta…

Lamtumir’! o dhe i bekue!

Lamtumir’! përsa t’jet jeta!

Nesër nadje kur mbi ne

Rrezja e diellit ka me ra,

Kush e din sa ujë e dhe 

Mue prej tejet kan me m’da?!

E por n’pyetsha retë mizore,

E por n’pyetsha zojtë e detit

Se për ty, moj tokë arbnore,

S’ka me m’fol’ kush mue t’shkretit…

Tjera fushë e tjera zalle

Kam me pa, e tjera dete:

Kam me ndie, po, tjera valle,

Tjera gjuh’ n’tjerë qytete;

Vendin t’em, por, s’kam me e pa

Ku kam le e jam burrnue;

Syt e mij edhe kan me kja,

Pa u gjet’ kush, qi me i ngushllue.

Pa kend t’emin, po e’ nji Zotit,

Tue shtegtue për dhe të huej,

Kan me m’shkue mue ditt e motit

Sha e përbuzun prej gjithkuej.

Kam me pas’ shkretin për votër,

E për shtroj’ të ndeztën ranë.

Kam me pasë ulkojën motër,

Kam me pasë , ehu! tigrën nanë.

Nana e mbetne për s’të gjallit

Ka me m’kja, kushdi, ndo ‘ i ditë,

Der sa motra dekun mallit,

Kot ndo’ i her’ mue ka me m’pritë.

Ka me i njeh’, po, krushqit, e mjera,

Me i pru nanës n’shpi nji re:

Por i vllaj, kushdi m’ at-hera

Ka me u kalbun për nën dhe!

E, njaj dhe-ehu! Kob prej qiellet!-

S’ka me ken’, jo, dheu i t’ Parvet,

Ku ma bukur qielli kthjellet,

Ku ma ambël n’gjuh’ t’Shqiptarvet

Para Hyut naltohet luta,

E ku besa asht e shejtnueshme,

E ku zemrat, s’dijn’ shka a tuta,

E ku bjeshk’t jan’ të madhnueshme.

Oh! ju bjeshk’t e Shqiptaris, 

Ku ma mir’ shndrit’ dielli e hana,

E ku logu a i bujaris

E ku rriten djelm si zana!

Un ju kurr s’kam me u harrue,

Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:

Der sa t’muj me ligjrue,

Ju gjithmon kam me u përmendë!

E ato halë e qipariza 

Kam me i pas’ ndër mend gjithmonë,

E ato stane e njato mriza,

E ato berre e ato kumbonë…             

Por, oh, vaj! Malet e mija,

Qe, po zhduken dal’- ngadalë;

Gjimon deti, ushton duhija,

Lkundet barka val’ mbi valë.

Lamtumir’, pra, bjeshke e male!

E ju krepa edhe ju curra;

E ju breshta e ju gjeth hale;

E ju prroje edhe ju gurra!

Lamtumir’ ju mrrize e stana!

Lamtumir’ kumbona e  berre!

Lamtumir’, ju fusha t’gjana,

Ju livadhe, ende ju djerre.

Lamtumir’! ti shpija e t’Parvet,

Ku ma s’parit m’agoi drita

E ku strehë u dhaç’ shtegtarve

Miqt e babës’ edhe ku i prita

Lamtumir’! carani m’votër,

Lamtumir’! ju arm’t e shkreta;

Lamtumir’! ti nanë e motër,

Lamtumir’ për sa t’jet jeta!… 

Porositë e fundme të Fishtës

Sipas disa publicistëve shqiptarë, ndër ta Fritz Radovani, dihet se shkrimtarët e njohur në botën e letrave, para largimit nga jeta kanë shprehur fjalët e fundit prekëse, himne, testamente, këshilla, porosi… Poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta ndërroi  jetë në mbarim të dhjetorit 1940. Pak para se të shuhej  në spitalin e Shkodrës, nga  një polmonit  i rëndë në kohë ngrice  e bore, u la këshilla e porosi fretërve të rinj françeskanë. Në testamentin e tij  lexohen  këto fjalë: “Po vdes i kënaqun, sepse kam punue  për atdhe e fe.” Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit  Gjergj Fishta, kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe përsëriti  fjalën: “ i kryqëzuemi” në latinisht. Pastaj kërkoi t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”. Ndërsa, një mik i poetit, përmend fjalët e fundit të Fishtës: “Jo për tjetër, por sepse po lë anmikun mbi trollin shqiptar, mue më vjen keq se kam me vdekë.”

Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga sivëllezënit,  Fishta sipas një rregulli të caktuar duhej të mbante një varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai u përgjigj se: “Un ndër konferencat do t’u përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji  ato konferenca do t’i kryej për gjashtë muaj, siç e don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì.”

Duke lexuar shkrimin e prof. N Jorgaqit. kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të “Lahutës së Malsisë”  me të cilën iu drejtua tërë kombit shqiptar për bashkim  kundër pushtimit të huaj. Nga  vepra e ndritur e Fishtës plot larmi tingujsh, dëgjohet gjuha shqipe “porsi kanga e zogut t’verës.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, At Gjergj Fishta O.F.M.

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT