• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AI U TREGUA SHOK

November 26, 2015 by dgreca

. Tregim nga Faslli HALITI/

Klasa e tretë “A” kishte dy veçanti. E para. Në klasën tonë kishim vetëm një vajzë thuthuqe, por e shkëlqyer në mësime dhe një komunist, gjithashtu i shkëlqyer në mësime, sidomos në histori…

***

Po ç’ndodhi në orën e psikologjisë me profesor Zenel H?

Profesor Zenel H. për të forcuar autoritetin e tij para neve nxënësve, meqë e kishte kaluar moshën e pensionit;  një e dy, me rast e pa rast, na thoshte se kishte qenë mësues i ish kryeministrit Mehmet Shehu të cilit i kishte shkulur disa herë veshin sepse ia bënte orën e mësimit rrëmujë. Kjo nuk kalonte pa ndikim te ne nxënësit. Në orën e tij ne rrinim sus. Por pyeste shoku ynë Fitimi M. se mësues i kujt kishte qenë profesori. Kur i lindte në kokë ndonjë kapriçio, Fitimi o e bënte o plaste. Dhe një ditë i hipi në kokë që, po ta ngrinte profesori i psikologjisë në mësim, ai do t’i thoshte me gjakftohtësi se, Fitim M. mungonte, se ishte dezhurn në mensë. E di më tha, po më ngriti sot profesori në mësim, unë e di se si do t’i them: Fitim M. mungon. Je në vete i them? Të them të drejtët s’ia vura veshin kësaj teke apo marrëzie të tij. Duket e pabesueshme, madje fare e pabesueshme aq e pabesueshme sa ajo ngjarje nuk besohet të ketë ndodhur. Duket se atë  po e trilloj unë, pas dyzet e shtatë vitesh që nga viti 1959. Mos më besoni, vetëm më dëgjoni.

***

Sapo ra zilja për mësim, profesori i psikologjisë u fut në klasë. U ngritëm të gjithë në këmbë. Profesori u ul në katedër dhe hapi regjistrin. Skënder, kush mungon sot?, pyeti kujdestarin e klasës. Mungojnë dy nxënës profesor, tha kujdestari që raportonte mungesat. Mirë atëherë, tha profesori. Të ngrihet, në mësim Fitim M…. Fitimi u çua dhe tha me gjakftohtësi: Fitim Mati mungon, profesor, është dezhurn në mensë. Me gjithë gjakftohtësinë e tij, Fitimi prapë la një shenjë në fytyrë  që e bëri profesorin e psikologjisë t’i lindte një fije dyshimi e cila sa vinte e trashej. Profesori i psikologjisë kishte  mjaft sensitiv. Ai dyshoi. Dyshimi e bëri atë që të niste verifikimin. Numëroi   nxënësit që ishin prezent në klasë. Gjithsej ishim pesëmbëdhjetë nxënës të pranishëm, plus dhe dy nxënësit dezhurn në mensë, gjithësej shtatëmbëdhjetë nxënës. I numëroi për së dyti, së treti. Të tri herët i dilnin po shtatëmbëdhjetë nxënës. U bind se dyshimi i tij nuk ishte i kotë, por me baza.

***

Po ju shtatëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë nxënës jeni, pyeti profesori që ishte bërë si shkumës në fytyrë nga zemërimi dhe fyerja. Ç’është kjo, pyeti veten profesori. Këta më pandehin matuf, meqë kam kaluar moshën e pensionit dhe pandehin se kanë të bëjnë me një të rrjedhur, pa memorie? Pyeti përsëri klasën. Sa nxënës jeni ju në klasë?

Gjashtëmbëdhjetë, profesor. Edhe në regjistër, po kaq jeni, po pse më dalin shtatëmbëdhjetë nxënës mua? Pesëmbëdhjetë prezent dhe dy në mensë, shtatëmbëdhjetë. Ç’më bëtë ju mua, tha Profesori i nervozuar në kulm, Nastradin Hoxha i cili, kur  numëronte gomarët,  i dilte gjithmonë një gomar mangët, sepse nuk llogariste atë mbi të cilin kishte hipur, kurse kur zbriste në tokë, gomarët dilnin tamam, sepse i numëronte të gjithë edhe atë që i zbriti. Klasa nisi të qeshte mbytazi dhe, pse i indinjuar thellë, profesori e fshehu zemërimin, nervozizmin, fyerjen dhe tendosi pak buzën, si për të qeshur. Klasa doli nga suspansa. U lehtësua. Ishte psikolog. Dinte të mos e tradhëtonte veten. Ai që u ngrit e tha në fillim se Fitimi mungonte, pikërisht ai është vetë Fitimi, mendoi me vete profesori dhe shtrëngoi nofullat, si të thoshte: Fitim, ja, mu këtu të kam dhe preku majën e lapsit. Kujt tjetri i interesonte, të thoshte se Fitimi mungonte? Askujt!, përsëriti me vete profesori. Hë Fitim, Fitim.., më merr për të lehtë ti mua. Nuk e di ti se sa peshoj unë. Por do të të dali boja pas pak. Ke për ta parë. Me mua hahesh ti?!. Kujtesën e kam fringo, tha përsëri me vete profesori dhe preku majën e lapsit. Mendoi të niste nga pyetjet. Në fillim pyeti klasën:

Gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë vetë jeni ju në klasë?

Shtatëmbëdhjetë, profesor… !, u përgjigj njëzëri klasa.

Ashtu?!

Atëherë nisi të pyesë nxënësit një nga një.

Të parën pyeti Vangjelicën, vajzën e vetme të klasës sonë kurse të fundit pyeti Thanasin, komunistin e vetëm të klasës.

Vangjelica, është Fitimi Mati në klasë?

Jo profethor!, u përgjigj thuthuqja.

Mirë. Ulu!

Pyeti kujdestarin:

Skënder, është Fitimi në klasë?

Jo profesor!

Mirë, e mora vesh,ulu dhe ti.

Po të pyes ty ithtarin e drejtësisë dhe kritizerin e padrejtësive, m’u drejtua mua me qesëndi, si duket e nuhaste përgjigjen time…. Pra, është apo nuk është Fitim në klasë?

Jo, profesor, ju përgjigja duke ruajtur mrekullisht qetësinë.

Të kuptova dhe ty, më tha profesori i ngrysur. Ulu!…

Dhe vazhdoi t’i pyeste të gjithë nxënësit me radhë, i nervozuar, meqë asnjeri nga nxënësit s’po i thoshte, po, profesor, ja ku është Fitimi në rreshtin e bangave nga muri në të djathtën tuaj, në bangën e pestë, pas Ermir D. Kisha përshtypjen sikur profesorit edhe nervozohej, por edhe i vinte mirë që nxënësit e ruanin shokun, nuk e zbulonin. Kujtonte vitet e veta të shkollës, kur ai dhe shokët e tij, nuk e tregonin shokun edhe pse ishte fajtor. Nxënësit kishin një kod të tyre se, kush tregonte shokun, quhej fuks, spiun i profesorit…

Pasi pyeti nxënësin e trembëdhjetë dhe mori  përgjigjen, jo, profesor, Fitimi nuk është këtu, tha me zë të butë:

Të fundit po të pyes ty Thanas, si nxënës i kësaj klase, por dhe si komunist.

Është Fitim Mati këtu?

Jo profesor, tha Thanas D. Klasa mori frymë e lehtësuar. Doli nga një suspansë e gjatë, e tmerrshme. Të gjithë mendonim se Thanasi, si komunist, do të thoshte, po profesor, këtu është Fitimi, po kur ai tha jo, ne u gëzuam, sepse nuk e zbuloi shokun, edhe pse jo-ja atij, do t’i kushtonte, ai do të përgjigjej për të në organizatën Bazë të partisë…

***

Ra zilja. Mësimi mbaroi.

Ne u çuam në këmbë për t’i lënë vendin klasës tjetër, pasi na duhej të shkonim në një klasë më tej, në fund të korridorit, pasi mësimi bëhej me klasa lëvizëse: dilte njëra klasë e hynte tjetra.

Ne u drejtuam drejt derës, tentuam të dilnim…

Qëndroni aty!. Asnjeri të mos lëvizë, të mos dalë nga klasa, urdhëroi profesori. Secili të qëndrojë në bangën e vet. Fitimi bëri të hidhej nga dritarja, pasi klasa jonë ishte në katin e parë.

Dhelpër, i bërtiti profesori Fitimit. Mos luaj!. Dhe iu kujtua gjuetia e dhelprave me të atin. Kur hasnin në një dhelpër apo skile, zagarët e ndiqnin kurse ajo vraponte vetëtimë drejt gropës së saj. Me t’iu afruar zagarët skilja futej në gropë. I ati i vinte tymin gropës. Kur skilja e shihte se po e mbyste tymi, ajo ecte me nxitim drejt hyrjes nga ishte futur për të shpëtuar nga asfiksia, por sapo nxirrte kokën, i ati i vinte lakun në fyt. Kështu do të bënte dhe profesori me dhelprën Fitim M. Nuk do ti vinte lakun në fyt, sigurisht, po të tentonte të vraponte drejt derës, të dilte, të merrte korridorit, të vraponte drejt oborrit, të kapërcente murin rrethues të Liceut.  Profesori do ta kapte Fitimin te dera, si dhelprën, do t’i shkulte veshin si Mehmet Shehut, nxënësit i tij trazovaç që ia bënte mësimin rrëmujë, që ishte bërë kryeministër dhe ai mburrej para nesh me të. Sidoqoftë duhet ta vërtetonte, nëse  Fitimi ishte pikërisht ai, fajtori. Dyshimi  nuk është argument, thoshte profesori me vete. Edhe krimineli, para se të jepet vendimin nga gjykata, quhet i pandehur, jo kriminel.

***

Një nga nxënësit e klasës tjetër që ngutej të hynin në klasë, hapi derën furishëm. Ishte Rolandi, flautisti më i talentuar i Liceut të cilin profesori, gjithashtu e kishte nxënës. Rolandi, po, do t’ma thotë të vërtetën, tha  profesori dhe  pyeti gjithë siguri:

Roland! Është Fitim  M., në klasë?

Ne ia bëmë jo me dorë Rolandit.!

Jo, profesor, tha Rolandi!.

Të mora vesh dhe ty, tha i zhgënjyer profesori. Mbylle derën. Ik!.

Hapet dera prapë dhe futet në klasë profesori Shundi, profesori ynë kujdestar.

Profesor Shundi, më thuaj të lutem, është Fitim M., këtu?.

Ja ku e ke sa një derr…!, iu përgjigj  profesori i rusishtes.

Profesori i psikologjisë nuk kishte dyshuar kot. Kur zbuloi se Fitimi ishte në klasë, u qetësua. Kjo ndodhi, mori ngjyrat e një testi për të si  mësues psikologjie. Ai kishte pasur arsye të dyshonte. Dhe nuk kishte gabuar E kishte pikasur dhelprën me sinjalin e tij të psikologut, jo të lindur, por të fituar gjatë jetës si mësues psikologjie. Sapo Fitim M., kishte thënë se Fitimi, mungon, profesorit në çast i lindi dyshimi se Fitimi ishte pikërisht ai vetë. Dhelpra, tha me vete profesori. Këtu ndodhet një dhelpër, përsëriti ai me vete, me bindjen se do ta kapte patjetër në dhokan…

***

Të nesërmen u bë mbledhja e Këshillit. Për klasën tonë ishte marrë vendimi që të rregullonte lulishten e shkollës; Fitimi të përjashtohej pesëmbëdhjetë ditë nga shkolla, por jo nga konvikti, pasi ishte nga Peshkopia, shumë larg Tiranës. Kurse organizata bazë e partisë dhe byroja e shkollës kishin propozuar që komunisti i klasës sonë Thanas D. të përjashtohej nga Partia me motivacionin se «nuk ishte treguar i partishëm».

Nuk u tregua i partishëm, por ai u tregua shok, kishte thënë profesori i psikologjisë Zenel H. që gëzonte besimin e organizatës bazë…

Portreti i shkrimtarit:Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»/

Lushnjë-Tiranë 1984-2015

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: ai u tregua shok, Faslli Halti, Tregim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT