Kosovë-Akademi përkujtimore për akademik Pajazit Nushin
PRISHTINË, 3 Shtator 2015/ Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, morën pjesë sot në mbledhjen komemorative të mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Pajazit Nushit, një ndër figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë.
Për jetën, veprën dhe trashëgiminë shumëdimensionale që akademik Pajazit Nushi i ka lënë Kosovës, para të pranishmëve folën kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami si dhe sekretari Jusuf Bajraktari.
Presidentja Jahjaga e kryeministri Mustafa bënë homazhe në nderim të figurës së shquar të akademik Pajazit Nushit, si dhe ngushëlluan familjarët dhe kolegët e pranishëm për këtë humbje shumë të madhe për Kosovën./b.j/
***
Akademik Pajazit Nushi, kontribut shumëdimensional për Kosovën
PRISHTINË, 3 Shtator 2015/ Drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës vlerësojnë lartë akademik Pajazit Nushin, i cili u nda nga jeta dje pasdite në moshën 82 vjeçare.
“Ndarja nga jeta e Akademik Pajazit Nushit, simbolit të dijes dhe të paqes, është humbje e madhe jo vetëm për familjen, miqtë edhe bashkëpunëtorët, por për gjithë Kosovën”, shprehet në telegramin e ngushëllimit Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Akademik Nushi, me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ka dhënë kontribut shumëdimensional për Kosovën, duke qenë ndër të tjera edhe një figurë e spikatur në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë”, thkeson kryeministri Isa Mustafa.
“Në memorien tonë kolektive, Profesor Nushi do të mbetet si njëri nga veprimtarët e palodhur i të drejtave të njeriut, pedagog i nderuar i Universitetit të Prishtinës dhe autor i shumë teksteve që kanë vënë bazat e dijeve psikologjike te ne”, vlerëson kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
“Akademik Nushi ishte pedagog, shkencëtar, humanist dhe mbrojtës e promovues i lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë”, thekson ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, duke përkujtuar edhe se “ishte një prej themeltarëve të Institutit për Hulumtime dhe Krime të Luftës”.
“Do të kujtohet përherë kontributi i çmuar dhe angazhimi i akademik Pajazit Nushit në fushën e shkencës si dhe veprimtaria e tij politike në shërbim të çështjes kombëtare, zhvillimit të demokracisë si dhe promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut përgjatë gjithë etapave të zhvillimeve në vend”, thekson deklarata e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës./b.j/
***
Kryeministri Isa Mustafa ngushëlloi familjen Nushi, me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Pajazit Nushit
Prishtinë, 2 shtator 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Nushi dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Pajazit Nushit, një ndër figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë.
“Ndarja nga jeta e Pajazit Nushit është një humbje shumë e madhe për familjen, për shkencën, arsimin, kulturën dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Akademik Nushi, me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ka dhënë kontribut shumëdimensional për Kosovën, duke qenë ndër të tjera edhe një figurë e spikatur në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. Me jetën dhe veprën e tij, akademik Pajazit Nushi, do të mbetet përherë në memorien e popullit të Kosovës si një nga personalitetet më të shquara të kohës sonë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Isa Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nushi, kolegëve, miqve dhe dashamirëve të shumtë anekënd Kosovës, dhe më gjerë.
“Vatra” dhe themelet e shtetit 100-vjeçar shqiptar
SHKRUAN: Akademik Beqir Meta/
Federata Panshqiptare “Vatra” ka hyrë në histori si organizata më e fuqishme dhe më jetëgjatë e diasporës shqiptare. Ajo ka gati një ditëlindje dhe të njëjtën moshë me shtetin shqiptar. Por për më tepër, që pas themelimit të saj, ajo u shndërrua në një aktor të fuqishëm dhe të pazëvendësueshëm për sendërtimin e shtetit shqiptar dhe për mbrojtjen e tij. Shërbimet që ajo i ka bërë kombit dhe shtetit shqiptar janë të panumërta dhe të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, ajo përbën një nga pjesët më të çmuara të trashëgimisë sonë historike.
“Vatra” u themelua vetëm disa ditë pas shpërthimit të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të pranverë-verës së vitit 1912. Qysh në këto momente, njëri nga drejtuesit kryesor të saj, Faik Konica, duke vepruar me përgjegjshmërinë dhe mendjemprehtësinë e një shtetari të vërtetë, paralajmëronte udhëheqësit e Kryengritjes se duhej të llogarisnin mirë disa rrethana që mund të sillnin ndërlikime të rrezikshme për Shqipërinë, duke ju referuar në radhë të parë mundësisë së shpërthimit të konfliktit midis shteteve ballkanike dhe Turqisë, të cilat i shihte si rrezikun kryesor për Shqipërinë. “Vatra” bëri vazhdimisht thirrje që Kryengritja të kishte shtrirje mbarëkombëtare dhe unitet e organizim të fuqishëm, të cilin ajo e shihte si kyçin e suksesit dhe të aftësive të shqiptarëve për t’i bërë ballë situatave të vështira që priteshin në të ardhmen.
Qysh në vitin 1911, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët një vit më vonë do të bëheshin drejtuesit kryesorë të “Vatrës”, projektonin themelimin e një shteti shqiptar. Ata u përpoqën të arrinin një marrëveshje me Greqinë, të cilën e shihnin si një shans për të siguruar mbështetje në procesin e vështirë të ndërtimit dhe afirmimit të këtij shteti, në atë fazë të situatës ballkanike. Por, ashtu si dhe disa nacionalistë të tjerë, ata u refuzuan nga pala greke. Pas kësaj, duke e ndjerë thellë rrezikun e fqinjëve ballkanikë, “Vatra” do të mbështetej shumë tek autonomia. Megjithëkëtë në momentin më kritik, kur ushtria osmane po dëbohej nga Ballkani, ajo e kapërceu dilemën rreth autonomisë dhe iu rikthye me forcë mbështetjes së pavarësisë së Shqipërisë. Madje, ajo i shtoi përpjekjet për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare për krijimin e shtetit shqiptar. Më 17 nëntor 1912, njëmbëdhjetë ditë para se Ismail Qemali të ngrinte flamurin në Vlorë, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston kundër planeve të Fuqive të Mëdha për një ndarje të mundshme të Shqipërisë midis fqinjëve të saj. Ajo i kërkoi Presidentit amerikan Taft, që të mbante një qëndrim të favorshëm për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.[1]
“Vatra” përpiqej për krijimin e një shteti kombëtar duke respektuar parimin e shenjtë të kombësisë. Qysh nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1912-1913 e deri në ditët tona “Vatra” mbrojti dhe argumentoi të drejtën dhe domosdoshmërinë që kombi shqiptar të ndërtonte një shtet kombëtar në territoret e banuara në shumicë nga shqiptarët. Por, ajo e konceptonte këtë shtet ndryshe nga shtetet ballkanike të atëhershme, të cilat dominoheshin nga nacionalizmi shoven, agresiv dhe intolerant ndaj fqinjëve dhe pakicave. Në shtypin e saj, në memorandumet e shumta drejtuar Fuqive “Vatra” e konceptoi shtetin shqiptar si një shtet që nuk do të përfshinte territore të huaja dhe tolerant ndaj pakicave. Në këtë kuadër, ajo bënte thirrje që Shqipërisë t’i jepeshin viset rrotull Manastirit, Janinës dhe Malit të Pindit, të cilat banoheshin nga vllehtë.[2] Këtë zgjidhje ajo e vlerësonte se ishte me interes të dyanshëm. Ajo u interesonte shqiptarëve sepse forcohej shteti shqiptar, por edhe vllehve, të cilët ishin të bindur se, vetëm me një bashkim politik me Shqipërinë, do të mund të ruanin kombësinë e tyre dhe të gëzonin një liri të plotë. “Vatra”, më se njëherë, u shpreh për njohjen e të gjitha të drejtave kombëtare kësaj pakice në shtetin shqiptar si të drejtën për të mësuar gjuhën dhe për të pasur kishat e saj.[3] Ndonëse ky ishte një vizion i avancuar për ndërtimin e një shteti liberal e tolerant, “Vatra” diti të ruante masën dhe balancën në këtë drejtim. Ajo denoncoi pikëpamjet që u shfaqën në atë kohë për autonominë territoriale të vllehve të Pindit e Gramozit, nëse ata futeshin në përbërjen e shtetit shqiptar. Prandaj ajo kritikoi si diplomacinë austro-hungareze që e mbështeste këtë pikëpamje ashtu dhe përfaqësuesin e vetë “Vatrës” në Kongresin e Triestes, Faik Konica që bëri lëshime në këtë drejtim.[4]
Qysh në momentet e para “Vatra” ishte shumë e vendosur dhe aktive që shtetit të ri shqiptar t’i jepej qartësisht forma e një shteti modern të ndërtuar me fizionomi e tipare perëndimore dhe i lidhur politikisht e shpirtërisht me Evropën Perëndimore. Ideali i saj ishte një Shqipëri si Danimarka, Belgjika, ose Holanda. Për këtë arsye “Vatra” denoncoi përpjekjet e xhonturqve për të orientuar politikisht shtetin e ri shqiptar drejt Turqisë. Këto reagime qenë më të ashpra veçanërisht pas zbulimit të misionit të Beqir Grebenesë, të cilin “Vatra” e denoncoi si hapin e parë të propagandës xhonturke në Shqipëri dhe gjatë rebelimit antikombëtar në Shqipërinë e Mesme.[5] “Vatra” e denoncoi përpjekjen ruse në Konferencën e Ambasadorëve që Shqipëria të bëhej një shtet nën hijen e Turqisë, duke pohuar se kjo ishte një politikë me qëllime të largëta që parashikonte krijimin e mundësive të tjera për të destabilizuar shtetin shqiptar, duke nxitur fanatizmin fetar dhe për të krijuar terrenin që të ndërhynin shtetet ballkanike.[6] “Vatra” kritikoi thellësisht pikëpamjen franko-ruse për t’i dhënë Shqipërisë një princ mysliman, duke vënë në dukje se ato synonin copëtimin e Shqipërisë dhe zmadhimin territorial të sllavëve dhe grekëve.[7]
Ky profil i spikatur properëndimor i “Vatrës” lidhej me prirjen e përgjithshme të nacionalizmit shqiptar për të ndërtuar një shtet modern me profil evropian. Por, ligjërimi properëndimor i “Vatrës” ishte më i spikaturi në skenën e atëhershme shqiptare. Kjo veçori lidhet pikësëpari me ambientin social-politik ku veproi kjo shoqëri. Demokracia dhe qytetërimi amerikan, të cilat emigrantët shqiptarë i përvetësuan shpejt, shkrirja e edukatës demokratike perëndimore me idealet kombëtare përbënin bazën dhe frymëzimin themelor të kontributit që dha “Vatra” për themelimin dhe konsolidimin e një shteti me fizionomi perëndimore.
“Vatra” dha një kontribut të pallogaritshëm për forcimin e karakterit kombëtar të shtetit shqiptar dhe të institucioneve politike, arsimore, fetare e kulturore të Shqipërisë. Themeluesi i “Vatrës”, Fan Noli ishte babai i Kishës Autoqefale Shqiptare në Amerikë, e cila u themelua katër vjet para “Vatrës”. Ajo u rrit dhe u fuqizua më tej si një institucion shumë i rëndësishëm kombëtar bashkë me “Vatrën”. Qysh në ditët e para të shtetit shqiptar “Vatra” u angazhua në një betejë të drejtpërdrejtë, të gjatë dhe të vështirë për eliminimin e privilegjeve të Patrikanës greke, të cilat ajo i konsideroi si të rrezikshme që çonin në shpërbërjen e Shqipërisë.[8] Në fillimin e viteve 20’ Noli dhe vatranët u bënë luftëtarët më të vendosur të kombëtarizimit dhe autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri, duke i bërë një shërbim të madh procesit të sendërtimit të shtetit kombëtar. Vatranët vlerësoheshin prej diplomatëve të huaj në Shqipëri si një grup pararojë në krijimin e Kishës Autoqefale, në këto momente të vështira kur një pjesë e mirë e ortodoksisë shqiptare, e gjendur nën presionin e fortë të Patrikanës dhe të qeverisë greke si dhe për shkak të propagandës shekullore fanariote, ishte e trembur ose apatike ndaj këtij procesi jetik për harmoninë, unitetin kombëtar dhe për konsolidimin e shtetit.
Drejtuesit e “Vatrës” në fillim diskutuan edhe për orientimin politik të shtetit shqiptar. Ata ishin të orientuar midis një neutraliteti të kushtëzuar dhe ndërtimit të aleancave që i shërbenin mbrojtjes së shtetit dhe të shqiptarëve të mbetur jashtë tij, nën sundimin e huaj. Faik Konica e vlerësoi vendimin e Konferencës së Ambasadorëve për neutralitetin e shtetit shqiptar pasi pengonte fqinjët që të cenonin shtetin e ri shqiptar, por ai nuk e quante shpalljen e neutralitetit si një garanci të plotë dhe bënte thirrje që shqiptarët duhej të përgatiteshin ushtarakisht për mbrojtjen e tij.[9] Por, neutraliteti u kundërshtua në mënyrë kategorike nga patriotë të tjerë. Njëri prej tyre, Loni P. Naumi theksonte se Shqipëria e gjymtuar nuk mund të qëndronte neutrale, pasi që të ruhej neutraliteti i Shqipërisë dhe të mos tronditej paqja në Ballkan, duhej që shteti shqiptar të përmblidhte katër vilajetet, pa lënë jashtë shtetit shqiptar as më të voglin fshat shqiptar. Nacionalistët shqiptarë nuk mund të pranonin një Shqipëri neutrale të përgjysmuar sepse kështu do të duhej të mohonin përgjithnjë vëllezërit e tyre të mbetur nën sundimin e huaj.[10]
“Vatra” ka pasur gjithmonë në themel të qëndrimeve të saj stabilitetin politik dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ajo ishte e ndërgjegjshme se ky proces do të ishte i vështirë dhe do të duhej kohë që ai të arrihej plotësisht. Si rrezik të brendshëm që kërcënonte pavarësinë dhe mëkëmbjen e shtetit shqiptar, udhëheqësit e “Vatrës” konsideronin fillimisht bejlerët separatistë, të cilët do të ishin në Shqipëri “shtet përmbi shtet”[11]; faktor tjetër negativ prapambetja e popullit shqiptar, i cili kishte qenë i shtypur për pesë shekuj me radhë nga pushtuesit e huaj. Ajo parashikonte se kjo gjendje do t’u krijonte terren të favorshëm Fuqive të huaja që edhe për disa kohë të ndërhynin në punët e brendshme të Shqipërisë. “Vatra” i ofroi shtetit shqiptar mbështetjen e saj për të ndihmuar në eliminimin e dasive krahinore të cilin e shihnin si njërin nga objektivat kryesore të politikës së brendshme, pasi këtë fenomen ata e vlerësonin si një rrezik për progresin e vendit dhe unitetit kombëtar. “Vatra” ofroi një koncept shumë realist dhe të avancuar për marrëdhëniet e fesë me shtetin, i cili ishte shumë i drejtë dhe i përshtatshëm në kushtet e Shqipërisë, ku ekzistonin tri besime fetare. Ajo kërkonte ndarjen e fesë nga shteti madje e avanconte më tej këtë pikëpamje duke kërkuar ndarjen e fesë nga sistemi shkollor shtetëror, pasi kështu Shqipëria do të shpëtonte nga ngatërresa shumë të mëdha.[12] Ky koncept frymëzohej nga nevojat e krijimit dhe konsolidimit të bashkëjetesës së qetë e koherente kombëtare midis popullsisë së besimeve të ndryshme dhe të forcimit të unitetit shtetëror e kombëtar.
“Vatra” që në fillim kërkoi me forcë krijimin e një shteti të centralizuar dhe unik kombëtar dhe dënoi çdo propozim apo përpjekje për decentralizimin e tij. Në këtë kuadër ajo kritikoi edhe propozimin për ndarjen e Shqipërisë në kantone duke paralajmëruar se kjo do të thellonte dasitë krahinore, mbizotërimin e tendencave fetare mbi ato të kombësive dhe fuqizimin e pozitave të krerëve turkomanë e grekomanë, thellimin e destabilizimit të vendit, i cili do ta bënte më të lehtë copëtimin e Shqipërisë prej shteteve fqinje. [13] Ajo kërkonte medoemos krijimin e një shteti të centralizuar me një mbret në krye, rreth të cilit të mblidheshin të gjitha forcat apo grupet politike të vendit. “Vatra” organizoi protesta të fuqishme dhe një aktivitet intensiv diplomatik për të kundërshtuar të ashtuquajturën autonomi “vorio-epirote” dhe krimet që kryen grekët në emër të saj në Shqipërinë e Jugut. Madje ajo organizoi edhe një lëvizje të gjerë në kolonitë e Amerikës për krijimin e trupave vullnetare, të cilat do të përbënin bërthamën e Milicisë Kombëtare në Shqipëri. Kjo forcë do t’i shërbente qeverisë së Vidit për të vendosur rregullin në vend dhe për të shtypur lëvizjet anarkiste që nxiteshin nga të huajt. Kontingjenti i parë i këtyre forcave u dërgua në Shqipëri në maj të vitit 1914.[14] Edhe në vitin 1921, “Vatra” ishte në pararojë të luftës kundër tendencave separatiste e autonomiste që u shfaqën në këtë rajon. Ajo kundërshtoi me forcë një lëvizje të rrezikshme për një autonomi të brendshme të Shqipërisë së Jugut të nxitur nga një grup politikanësh korçarë për interesat e tyre egoiste politike, duke nënvizuar me forcë rrezikun e çdo lloj separatizmi dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të një shteti kombëtar të centralizuar dhe unik.
Problemi i fronit të Shqipërisë ka qenë një nga shqetësimet kryesore të “Vatrës”. Ajo ndaj kësaj çështjeje mbajti një qëndrim kategorik duke mbështetur caktimin e një princi evropiano-perëndimor kundër kandidaturës së ndonjë princi mysliman. Që në telegramin e urimit drejtuar Kuvendit të Vlorës, ajo theksonte se Kuvendi duhej të zgjidhte në Fronin e Shqipërisë një princ nga një derë mbretërore evropiane, i cili do të ndikonte fuqishëm që vendi të orientohej drejt qytetërimit evropiano-perëndimor. “Vatra” mbështeti princ Vidin duke besuar se ai do të arrinte të stabilizonte gjendjen në Shqipëri, si një shpresë që do të pengonte ndërhyrjen e fqinjëve në punët e brendshme të Shqipërisë në gjyqet, në administratë, në hartimin e legjislacionit etj., dhe se ai do të mbronte më mirë interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ajo e ndihmoi konkretisht shtetin shqiptar në këtë fazë të vështirë. Dhjetëra vatranë të ardhur nga Amerika u futën në administratën e re shtetërore[15]. Gjithashtu shumë vullnetarë, të cilët luftonin kundër rebelimit në Jug dhe në Shqipërinë e Mesme ishin një forcë stabilizuese me rëndësi të madhe jo aq për nga numri dhe forca ushtarake por për shkak të ndërgjegjes së avancuar kombëtare e shtet-formuese dhe të rrezatimit që kishin këta në Shqipëri, veçanërisht në Shqipërinë e Jugut, e cila ishte edhe më e rrezikuara nga separatizmi dhe ndërhyrja greke[16]. Por, nga ana tjetër “Vatra” kërkoi me forcë vendosjen e qeverisë në duart e nacionalistëve shqiptarë dhe bëri kritika ndaj qeverisë së atëhershme në të cilën bënin pjesë edhe “elementë çifligarë pa të kaluar patriotike madje edhe antipatriotë”. Ajo kritikoi hapur veçanërisht përfshirjen e Esat Toptanit në këtë qeveri.
Gradualisht “Vatra” i thelloi kritikat ndaj qëndrimit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Në mitingun e madh të 17 majit 1914 të organizuar prej saj, mijëra shqiptarë miratuan një rezolutë me të cilën dënuan marrëveshjen e KNK me të ashtuquajturën qeveri vorio-epirote, dhe kundërshtuan me forcë kërkesat e Zografos. Rezoluta i cilësonte venomet si një faktor që do të nxiste intrigat dhe përçarjen në Shqipëri.[17] “Dielli” shkruante se këtu po luhej karta e Shqipërisë. “Po qe se Shqipëria i pranon kërkesat e Zografos atëherë është për të qarë hall, po qe se nuk i pranon atëherë do të kemi një Shqipëri të vërtetë”.[18]
Qëndrimi i “Vatrës” ndaj rebelimit në Shqipërinë e Mesme dëshmon qartë konceptin e drejtë të saj për shtetin dhe shtetësinë në Shqipëri. “Vatra” arriti në përfundimin se karakteri i kësaj lëvizjeje ishte antikombëtar, se në faza të ndryshme ajo u manipulua nga fuqitë e huaja, të cilat në çdo rast e drejtuan atë kundër shtetit shqiptar, pavarësisë dhe stabilizimit të Shqipërisë.[19]
“Vatra” mund të konsiderohet pa mëdyshje si një aktore kryesore e rithemelimit të shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore. Jo vetëm që ajo zhvilloi një aktivitet të fuqishëm diplomatik e propagandistik në favor të rikonfirmimit të pavarësisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore, por në fund të saj ishte aktor kyç në kompromisin që u arrit me qeverinë italiane për mbledhjen e Kongresit të Durrësit dhe krijimin e një qeverie shqiptare. Përfaqësuesi i “Vatrës”, Mehmet Konica ishte kryetar i Kongresit të Durrësit dhe luajti një rol të rëndësishëm në përpunimin e programit të qeverisë së re. Aftësia e “Vatrës” për të negociuar këtë kompromis të vështirë, madje do të nënvizonim tepër të vështirë, për ta udhëhequr Lëvizjen Kombëtare Shqiptare drejt shtigjeve tepër të ngushta e të thepisura, dëshmon për forcën, pjekurinë dhe aftësinë politikbërëse e shtetformuese të saj. Po kaq i rëndësishëm dhe me rëndësi historike ishte kalimi i “Vatrës” në pozita më të avancuara në fund të vitit 1919 dhe fillim të vitit 1920 duke hedhur tej tutelën italiane dhe duke u bërë mbështetje e krijimit të një shteti shqiptar me kufijtë e vitit 1913 dhe pa asnjë varësi të huaj. Ajo mbështeti fort vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe qeverinë e dalë prej tij. Kryetari i delegacionit të saj në Evropë, Mehmet Konica u bë Ministër i Jashtëm i qeverisë së re dhe kolegu i tij, delegati tjetër i “Vatrës”, Dr. Turtulli u zgjodh anëtar i Këshillit të Naltë (regjencës). Të dy këta personalitete të “Vatrës” shërbyen për të realizuar kalimin paqësor dhe pa konflikt nga qeveria e Durrësit drejt asaj të Tiranës, duke dëshmuar vizion të shkëlqyer shtetformues, mençuri dhe urtësi politike, e cila i forcoi shumë pozitat e Shqipërisë në ato momente tepër kritike kur po luhej fati i saj.
Qysh në vitet 1913-1914 e më vonë në vitet ’20, “Vatra” ishte kampione e propagandimit të reformave politike dhe ekonomike, për t’i hapur rrugën progresit kapitalist në vend. Por, ajo e konceptonte reformimin e vendit si një proces evolutiv, paqësor, gradual, pa tensione e tronditje të mëdha sociale, të cilat mund të vinin në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. “Vatra” mbështeste qysh në fillim të themelimit të shtetit shqiptar një formë qeverisje demokratike me pozitë dhe opozitë, ndonëse ajo propozonte që opozita e vërtetë politike të lejohej të vepronte pas konsolidimit të shtetit shqiptar dhe njohjes ndërkombëtare të kufijve të tij. Në vitet 1921-1924, “Vatra” dhe vatranët luajtën vetë rolin e një opozite politike në Shqipëri. Ndonëse ishte sprova e parë dhe kjo veprimtari ka mjaft për të kritikuar, vatranët ishin grupi më iluminist dhe më parimor i opozitës së asaj kohe, të cilët aspironin në mënyrë iluzive ta reformonin vendin në mënyrë radikale dhe brenda një periudhe të shkurtër, gjë që ishte e pamundur për kushtet e asaj kohe.
Kontributi i çmuar i “Vatrës” në momentet kur po hidheshin themelet e shtetit shqiptar shërbeu si një përvojë dhe trashëgimi për orientimin e nacionalizmit shqiptar në vitet dhe dekadat që pasuan, kur ky shtet do të rritej përmes vështirësive dhe sfidave të shumta. Në të gjitha rastet “Vatra” u rendit në anën e Shqipërisë, mbrojti ekzistencën, tërësinë territoriale, stabilitetin, unitetin, modernizimin dhe demokratizimin e shtetit shqiptar. Prandaj, ajo qëndron sot në piedestalin e historisë, si njëra nga shtyllat themelore të shtetësisë dhe nacionalizmit shqiptar.
[1] S. Peters, Karakteristikat, kontributet dhe përgjegjësitë e shqiptaro-amerikanëve, New York, 1969, f.90
[2] Loni P.Naumi, “Trazirat politike në Ballkan”, Dielli, 12 gusht 1913
[3] “Rumunët në Shqipëri”, Dielli, 11 mars 1913
[4] A. Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, 1912-1914, Tiranë 1978, f. 234-235
[5] “Puna e xhonturqve”, Dielli, 28 dhjetor 1914
[6] Dielli, 15 prill 1913
[7] “Do të zbrazet a nukë Shqipëria Jugore”, Dielli, 23 janar 1914
[8] Dielli, 29 gusht 1913; 4 nëntor 1913
[9] Dielli, 16 janar 1913
[10] Loni P.Naumi, artikull në gazetën Dielli, 21 mars 1913
[11] “Dielli për kohën e pritme”, Dielli, 22 korrik 1913
[12] Dielli, 8 gusht 1913
[13] “Me kantone apo me mbret?”, Dielli, 24 korrik 1914
[14] Dielli, 19 maj 1914
[15] The Albanian Struggle in the Old World and New, Boston 1939, f.54
[16] “Rrofshin mbretërit e Shqipërisë”, Dielli, 9 janar 1914
[17] Dielli, 26 maj 1914
[18] “Shqipëria dhe venomet e kërkuara prej Zografos”, Dielli, 19 maj 1914
[19] “Gjendja e Shqipërisë”, Dielli, 24 korrik 1914
PËRSE PENA E AKADEMIKUT SHABAN DEMIRAJ ËSHTË MË E VLEFSHME SE NJË GJERDAN VLERASH
Ç’gjuhë kane folur banoret e gjirit te Vlorës gjate shekujve?/
NGA GËZIM LLOJDIA*/
1.
Në historinë e gjuhës shqipe është i vijëzuar,rrugëtimi i Prof Shaban Demiraj, frymësjellësit të një grushti diell,nga diellzimi i shqipes .Shtrirja e shqipes dhe rrugëtimi i saj përmes hapësirave të reja ka meritën edhe të prof Demiraj. Kur rezidenca qendrore e Universitetit të Tiranës u vendos të ngrihet në kryeqendre e Shqipërisë,në kodrinat e buta të periferisë së Tiranës,në fillim të viteve 50,shqiptarët nuk u befasuan për ekzistencën e saj. Përkundrazi, banorët e këtij trualli që quhen shqiptarë si trashëgimtare e tij ,pra edhe të gjuhës së mëmësisë së tij këtij thesari të shenjtë,dëshmoi fuqinë tonë shpirtërore. Historia e gjuhësisë sonë e lashtë sa bota. Që kur mori formë trualli ynë shqiptar,kur u mblodhën dhe u bënë bashkë dhe funksionimi i tyre ishte i plotë,u pa se çdo të thotë gjuha shqipe,në këtë truall .Ajo na mbajti nëpër kohëra, llohra e shekuj për të mos u rrëzuar .Kjo është simetria, që mbante kahje të kundërt me të tjerët. Kjo ishte njëkohësisht ngritja në sytë e të tjerëve .Me forcën e shpirtit mendimtarët ngrohën venat e ngrira të kombit. Sa të rrojë kombi,do të rrojë edhe gjuha. Një patriot shqiptar ka thënë këtë pasazh dashurie për vendin e tij:”Neve s’na sos Perëndia,se na ka ngjizur vetë / Do të rrojë Shqipëria,sa të përmbyset kjo jetë.” Kjo nuk është muzë. Ajo është përpjekja e atyre rilindësve,që në çdo ditë e çdo stinë ,plotësuan kronikën e madhe të përndritjes kombëtare shqiptare. Ajo është “vula”, për kombin tonë. Jemi këtu ,thotë ky dervish,që kur s’mbahet mend. Ky dervish është Meleq Shëmbërdhenji , rilindas i shquar. Nga thellësia e kohës dëgjojmë klithmën e rilindësve. Gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, thotë Ëikipedia, që flitet në Shqipëri, Kosovë,Republikën e Maqedonisë, Serbinë jugore dhe nga shqiptarët etnikë në pjesë të tjera të Ballkanit jugor. Gjuha shqipe flitet gjithashtu edhe përgjatë bregdetit lindor të Italisë dhe në Sicili, në jug të Greqisë si dhe në Gjermani, Suedi, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Ukrainë dhe Belgjikë. Shqipja është një ndër gjuhët moderne që përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane.
2.
Është përdorur ky postulat:”Pena e studiuesit është me e vlefshme se gjaku i derdhur i dëshmorit”.Sqarim tek një religjion fetar. Për studiuesin e gjuhësisë Shaban Demiraj duhet thënë se ai është një rilindas i kohëve tona. Faktet,që prof Demiraj sjell për gjuhën amtare nëpër shekuj janë ndriçime, që zbardhërojnë errësirën e ngucur nga kohët e zymta. Një ndër studimet më me vlera për krahinën tonë është ajo për gjuhën se çfarë gjuhe amtare përdorej në Gjirin e Vlorës gjatë shekujve. Vërtetësia dhe argumentimi shkencor që sjell prof Demiraj përbënë një vlerë për banorët e gjirit të Vlorë,lidhur me të djeshmen dhe të sotmen e gjuhës .Prania e vendbanimeve të lashta në gjirin e Vlorës ka gjetur si burim argumentimin shkencor të akademikut Demira,j që ti vrojtoj me lupën e tij shkencor. 2 qytet antike, Oriku dhe Treporti,Aulona më tej në gji me 18 km gjatësi dhe 16 km gjerësi. Të dhënat historike tregojnë shumë por ajo që lëvron akademik Demiraj është fokusimi te gjuha që kanë folur në këtë zonë. Ç’gjuhë kane folur banoret e gjirit te Vlorës gjate shekujve?
Kjo pyetje, shprehet akademiku Demiraj ,natyrisht parakupton qe te sqarohet me pare nëse ata banore gjate shekujve kane folur një apo me shume se një gjuhe ne rrjedhe te kohës. Këtu është fjala për gjuhet e folura pas ardhjes se tribuve indoeuropiane ne Gadishullin Ballkanik, sepse gjuhet jo-indoeuropiane te folura para ardhjes se tribuve ne Ballkan dhe ne Evrope ne përgjithësi janë sot te panjohura për ne, me përjashtim te gjuhës se Baskeve, qe flitet ne viset kufitare midis Spanjës dhe Francës. Sqarimi i pyetjes se mësipërme edhe për periudhën pas ardhjes se tribuve i.e. ne viset e banuara sot nga shqiptaret paraqitet bukur, i vështire, sepse jo vetëm për kohërat e hershme, por edhe për periudhën e Mesjetës nuk mund te flitet për popullsi krejt te papërziera, jo vetëm ne gjirin e Vlorës dhe ne viset e banuara nga shqiptaret, por edhe ne Gadishullin Ballkanik e me gjere. Mjafton te kujtojmë dy periudhat e sundimit te mbretërisë Bullgare gjate shekujve IX –XIII dhe te mbretërisë Serbe te nemanjideve gjate shekujve XII – XIV, qe kane lënë gjurme te shumta jo vetëm ne fjalorin e gjuhës shqipe, por edhe ne emrat e vendeve, gjurme këto qe te lënë përshtypjen e një kolonizimi te pjesshëm te viseve shqiptare nga ana e pushtuesve sllave. E njëjta vërejtje vlen edhe për periudhat me te hershme, sidomos për periudhën e sundimit te gjate romak, qe solli si pasoje romanizimin e një pjese te mire te popujve te Ballkanit, si edhe për periudhën me te hershme te themelimit te kolonive greke ne brigjet e Mesdheut, te Adriatikut e gjetke. Si rrjedhim i këtyre ngjarjeve historike për periudhën e lashtësisë dhe te mesjetës, është e vështirë te flitet për një popullsi krejt homogjene ne viset e banuara nga shqiptaret, duke përfshirë edhe vendbanimet e gjirit te Vlorës. Akademik Sh.Demiraj shtron pyetjen se ç’gjuhë është folur ne vendbanimet e gjirit te Vlorës: ne lashtësi dhe ne mesjete, ne mungese te dhënash te dokumentuara me shkrim për periudhat e hershme, mund te ndriçohet kryesisht nëpërmjet te dhënave te tërthorta, qe mund te nxirren nga analiza e disa fakteve te gjuhës amtare, qe flitet ne këto vise, ne periudhën e dokumentuar historike. E ne këtë rast, shqipja si gjuhe amtare e vendbanimeve te gjirit te Vlorës, nuk mund te veçohet nga gjuha amtare e banoreve te Shqipërisë Jugore ne përgjithësi. Mençuria e akademikut Demiraj shfaqet qartësisht tek teza që ai përfshinë në këtë studim kur thotë se : Gjithsesi, mendimi qe, Shqipëria Jugore ne përgjithësi dhe i ashtuquajturi Epir ne veçanti, ishin te helenizuar ne lashtësi, nuk ka asnjë mbështetje dhe për këtë arsye është kritikuar me te drejte edhe nga një studiues specialist i kësaj treve, siç ishte dijetari anglez N.G.L Hammond, i cili ne faqen 423 te Vëllimit te Pare te veprës se tij madhore Epirus (1967) shkruan: “Dëshmitë arkeologjike tregojnë se, kultura Greke, siç shfaqet ne poçeri dhe objekte te tjera, nuk depërtoi ne Epirin e brendshëm me përjashtim te Dodonës dhe atje vetëm ne një mase te kufizuar deri ne Shekullin IV. Dëshmitë historike ne përgjithësi dhe përshkrimi i tribuve te Epirit te brendshëm si barbare (d.m.th jo Greke – Sh.D) nga Tukidi janë ne harmoni me dëshmitë arkeologjike. Prandaj, nuk mund te merret seriozisht ideja, qe gjuha greke u përhap prej qyteteve greke ne bregdet dhe zëvendësoi një gjuhe jo greke gjate shekullit V ose VI. Iliria qendrore ishte gjeografikisht shume me e hapur për depërtim nëpërmjet Epidamit (=Durrësit ), Apolonisë dhe Bylysit, por gjuha greke nuk e zëvendësoi gjuhen ilire atje ne shekullin IV ose me vone”. Gjithsesi, arsyetimi i mësipërm është një argument ex silentio. Prandaj, ne këtë rast është e nevojshme te parashtrohen edhe disa te dhëna konkrete, qe do te dëshmonin për një prani te hershme dhe te vazhdueshme te popullsisë autoktone ne Shqipërinë Jugore ne përgjithësi dhe ne vendbanimet e Gjirit te Vlorës ne veçanti. Parashtrimi i këtyre te dhënave do te kërkonte një monografi te gjere, prandaj ne këtë kumtese do te kufizohemi vetëm ne disa emra njerëzish tipike, qe dëshmojnë për një vazhdimësi te pandërprerë te popullsisë autoktone shqiptare ne trevat e tyre te sotme. E për këtë qellim, do te nisemi nga periudha e dokumentuar historike, për t’u ngjitur shkalle – shkalle ne periudhat me te hershme. Dhe po e nisim me periudhën e pushtimit osman te Shqipërisë, kur turqit për qëllimet e tyre pushtuese bënë regjistrime te herëpashershme te popullsisë se viseve te pushtuara. Ndër emrat e banoreve te qytetit te Vlorës dhe te Kaninës ne këto regjistrime dalin rregullisht edhe disa emra te vjetër tipike shqiptare si, Gjon, Gjin, Gjike, Gjergj, Pal etj që ndeshen dhe ne regjistrimet osmane te popullsisë se viseve te tjera te Shqipërisë Jugore dhe Veriore. Akademiku Demiraj zbërthen edhe burimin e emrit Gjon.Emrat Gjon dhe Gjin, shkruan ai, kane te njëjtin burim dhe përfaqësojnë trajtat shqiptare te një emri te krishtere me origjine hebraike, qe është përhapur nëpërmjet romakëve ne te gjitha gjuhet e Evropës dhe me gjere.Emri Gjon është përftuar nga evolucioni i trajtës latine Joannes, qe ne gjuhe te tjera paraqitet me trajta fonetike te ndryshme si: italisht Giovanni [Xhovanni], frengjisht Jean [Zhan], spanjisht Joan dhe Ion, anglisht John [Xhon], rusisht Ivan, serbo–kroatisht Jovan, greqisht Janis etj. Ne shqipe, a me sakte ne gjuhen “nene“ te shqipes, ky emër duhet te ketë depërtuar shume herët, qysh ne shekujt e pare te erës se re, për çka dëshmojnë disa dukuri te lashta fonetike karakteristike për mbare shqipen si evolucioni /j/ > /gj/ dhe zhvendosja e theksit mbi rrokjen nistore. Për depërtimin e hershem te këtij emri ne viset e banuara nga te paret e shqiptareve te sotëm dëshmon edhe përhapja e tij e gjere e dikurshme si ne viset veriore, ashtu edhe ne viset jugore te Shqipërisë. Mjafton te përmendim këtu Gjon Kastriotin dhe Gjon Buzukun nga veriu dhe Gjon Muzakën e Gjoleken < Gjon Leka nga Jugu. Emri Gjon ndeshet edhe sot ne qytetin e Vlorës dhe ne rrethinat e saj, madje kryesisht nder banore myslimane. Mjafton te kujtojmë këtu se, ne fshatin Tragjas Gjon ne brezin e vjetër ndeshet edhe si emër personi edhe si emër fisi si p. sh Gjovarfi < Gjon Varfi etj. Ne Tragjas kishte dhe një lagje me emrin Mehmet Gjoni. Natyrisht, ky emër dëshmohet relativisht më dendur ne defterët e regjistrimit te popullsisë te periudhave te ndryshme te sundimit osman dhe kuptohet vetiu qe dikur ai është përdorur nga pjesa e krishtere e popullsisë. Por edhe midis te krishterëve te jugut ne përgjithësi nen ndikimin e kishës greke kishte nisur prej kohesh te përhapeshin trajtat greke si Jani, Jorgo, Pavllo etj. Ne vend te trajtave te vjetra shqiptare Gjon, Gjin,Gjergj, Pal etj. Kështu, ne regjistrin turk te vitit 1520 për qytetin e Vlorës, ashtu si për qytetin e Gjirokastrës, emrat Gjon dhe Gjin ndeshen me rralle, kurse për qytetin e Kaninës ndeshen disi me dendur. Edhe me dendur ndeshen këta emra ne regjistrimet turke për fshatrat e bregdetit (Himare, Dhërmi e Palasë) si edhe për fshatin Goranxi e sipërme etj. Gjithsesi, ne regjistrimin turk te vitit 1520 ne qytetin e Vlorës ndeshet, nder te tjera : Gjon Mostura, ndërsa ne qytetin e Kaninës ky emër ndeshet disi me shpesh; Jorgo Gjon-i, Gjon Spiri, Andria Gjon-i, Gjon Miho, Kalo Gjon-i, Gjon Nikolla, Gjon Dhimo, Gjon Boriq-i.
Vlen te shënohet se emri Gjon ne rrethin e Vlorës ka lënë gjurmë edhe ne toponimi.
Kështu, emri i fshatit Gjorm ne defterin e regjistrimit osman te vitit 1431 shënohet ne trajtën Gonemi [Gjonem – i] si një vendbanim i Vilajetit te Kaninës. Ne këtë rast kemi te bëjmë me një trajte me te hershme te këtij fshati ku ruhet /n/-ja ndërzanore e paevoluar ne /r/. Te kihet parasysh se ne te njëjtin regjistrim janë shënuar edhe dy vendbanime te tjera me te njëjtin emër dhe pikërisht Gonom–a [Gjon-em-a, sot Gjorm]ne Vilajetin e Pavllo Kurtikut [Kerrabes ] dhe Gjon-om-i [=Gjon-em-i] ne Vilajetin e Krujës. Ne këtë rast bie ne sy se për fshatin e Vlorës dhe atë te Krujës regjistruesi ka përdorur nyjën shquese /i/ te rasës emërore te gjinisë mashkullore, kurse për fshatin e vilajetit te Kërrabës ka përdorur fundoren/a/.M tej akademiku shqyrton edhe rastin e emrit Gjin etj.
3.
Akademik Shaban Demiraj sot mund të konsiderohet një perlë ndër gjerdanët e margaritarëve të shkencës gjuhësore. Mendimtarët shqiptare vunë në lëvizje mekanizmin e kësaj orës. Ç’prej kësaj kohe,lëvizi ora e ndriçimit. Midis atyre të shumtëve gjuhëtarë të sotëm njihet edhe akademik Prof Shaban Demiraj. Nëse nuk do të ekzistonin këta heronj apo ,dëshmorët të fjalëve dhe germave, nëse nuk do të do të gjendeshin mendimtarët,patriotët e djeshëm , armiqtë ishin gati ta shkatërronin embrionin e lules,nëse e gjithë kjo aradhe e përbërë prej trimash dhe patriotë, mendimtarë e shkencëtar nuk do ta përballonin shkëlqyeshëm,sulmet që kanë ardhur nga pushtuesit, gjuha do të kishte ngecur e pluskuar. Rajvizimi i portretit të tij është i ndërlikuar .”Akademik Sh.Demiraj është një figurë e pazakontë. Prof Sh.Demiraj shkruan prof..Dr R.Përnaska, i përket në yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjithë kohërave.” Në të gjitha periudhat e vështira të rezistencës më të fortë të saj, kanë qenë së pari patriotët, e mendimtarë ,që kanë ruajtur pagabueshmërinë e gjuhës me sakrificën e tyre. Kush me shpirt,dikush me trup,kush me influencën e tij,një tjetër me jetën e tij e ruajtën gjuhën nga rreziqet,që kanë qenë jo të pakta dhe shumë kanosëse. Këta heronj të gjuhësisë tonë nuk vdesin, emrat dhe kontributi i tyre mbetet i skanuar në mendjet dhe shpirtin e një kombi,andaj nuk gremiset gjuha jonë në greminë si shumë gjuhë të tjera që sot gjenden veçse të harruara,pra të vdekura kësisoj.
*Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve