Presidenti Nishani dënon aktet kriminale të goditjes me shpërthim që ndodhën sot ne Tiranë/
Tirane, 10 Shkurt-Presidenti i Republikës, Sh.T.z. Bujar Nishani dënoi me ashpërsi aktet kriminale të goditjes me shpërthim që ndodhën sot në Tiranë.
Në një njoftim të zyrës së shtypit, thuhet se , Presidenti u kërkon agjencive ligjzbatuese, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të angazhohen maksimalisht për vënien përpara drejtësisë të autorëve të këtyre akteve.
Kreu i Shtetit garanton mbështetjen e tij të pakufishme për të gjitha strukturat shtetërore në luftën kundër krimit dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dënon me forcë aktet terroriste që ndodhën në Tiranë
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta dënoi me forcë të martën, aktet terroriste që ndodhën sot në Tiranë.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të punojnë për gjetjen e autorëve dhe ndëshkimin e tyre, duke ftuar politikën t’i dënojë njëzëri akte të tilla.
Kryetari i Kuvendit garantoi për mbështetje, Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Saimir Tahiri në detyrën e tij në luftën kundër krimit.
“Dënoj me forcë këto akte terroriste. Të gjenden autorët e të ndëshkohen. Politika t’i dënojë njëzëri akte të tilla. Mbështetje ministrit Tahiri në detyrën e tij. Mbështetje policisë dhe agjencive ligjzbatuese”, theksoi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në mesazhin e tij.