Nga MSC. Albert HABAZAJ/studiues/
Spiro Çomora, me prindër nga Vunoi i Himarës, u lind në Korfuz më 31 janar 1918 dhe mbylli sytë në Tiranë, më 16 prill 1973. Në profilin e tij letrar shfaqet si mbledhës folklori, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Shqiptarët, kur përmendin emrin e Spiro Çomorës, kujtojnë “Karnavalet e Korçës” dhe, kur shohin, lexojnë apo dëgjojnë për komedinë e famshme, u vjen ndërmend emri i paharruar dhe i papërsëritshëm atij vigani, që krijoi e la gjurmë në atë lloj të gjinisë dramatike, me subjekt gazmor, me vepra të cilat godasin veset e sjelljet e këqija të njerëzve, duke i vënë ato në lojë e duke i bërë qesharake. Letërsia e Çomorës u krijua, qarkulloi, u afirmua dhe u pëlqye në periudhën e Pasçlirimit. Veçse, edhe pse shkrimtari bregas iku shumë i ri, vetëm 55 vjeç, vepra e tij artistike satirike (rast unikal?) rrojti e freskët, rron e këndshme dhe mund të rrojë dhe 550 vjet, apo ndoshta mund të ketë fatin e përjetësisë, siç kanë përkthimet e tij të mëdha nga Homeri e Aristofani… Elsie, kur shqyrton dramaturgjinë në Shqipëri nga vitet 1944 deri më sot, përmend Kolë Jakovën që bëri hapin e parë në dramaturgjinë e realizmit socialist. Mbas tij përmend Spiro Çomorën e në vijim Sulejman Pitarkën, Ndrec Lukën, Andre Skanjetin, Jonuz Dinin, Loni Papën, Fadil Paçramin, Minush Jeron, Kujtim Spahivoglin, Ruzhdi Pulahën, Xhemal Brojën, Ibrahim Uruçin, Selman Vaqarin, Fadil Krajën, Hamza Minarollin, Dritëro Agollin, Naum Priftin, Dhimitër Xhuvanin, Teodor Laçon, Maku Ponen, Pëllumb Kullën, Fahri Balliun dhe Artur Zhejin. Nga bibliografia e S. Çomorës ka shënuar: “Karnavalet e Korçës”, Tiranë 1961, ribotim në Prishtinë 1986; “Dy me zero” Tiranë, “Naim Frashëri” 1969 dhe “Vepra letrare”, 4 vëll., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1979 -1980. Për autorin tonë shkruan: “Një dramaturg i njohur, poet satirik dhe humorist në vitet gjashtëdhjetë ka qenë Spiro Çomora (1918-1973) nga Vunoi në bregdetin himariot, i përmendur për komedinë me tri akte “Karnavalet e Korçës”, Tiranë 1961 përkthyer në greqisht (Athinë 1980) dhe “Dy me zero” Tiranë 1969. Në të parën veprimi shtjellohet në Korçë në vitin 1936 rreth përpjekjeve të pareshtura të një tregtari të pasur, por koprac, Nikollaq Jorganxhiut, për të martuar të bijën Afroviti me sa më pak pajë e shpenzime. Komedia zhvillohet në sfondin e kontradiktave të thella sociale dhe të varësisë gjithnjë e më të madhe të Mbretërisë së Shqipërisë nga Italia fashiste” (shih: Elsie, Robert: “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë – Pejë, Dukagjini, 1997, f. 431. Dhe kaq! Nga botimi më i ri i nivelit akademik “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (FESH, 2008) marrim këtë informacion: “Çomora, Spiro (1918 -1973. Poet dhe komediograf. Lindi në Korfuz në një familje nga Vunoi i Himarës. Ndoqi studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Romës. Nisi të shkruaj që para Çlirimit, por talenti i tij si letrar u zhvillua plotësisht më pas. Për një kohë të gjatë punoi si redaktor në revistën “Hosteni”. Në vjershat me temë politike e shoqërore të përmbledhura në librat “Për njoftim e për veprim” (1955), “Maska e fytyra” (1960), “Skena dhe prapaskena” (1962) satirizoi buroktatizmin, formalizmin, zakonet dhe shprehitë prapanike. S. Ç. Shkroi një varg skeçesh dhe komedish, ndër të cilat zë vend të shquar komedia “Karnavalet e Korçës” (1961; në përkthim greqisht: Athinë, 1980), ku fshikulloi mendësinë e borgjezisë tregtare, kotësinë e jetës, konformizmin dhe moralin hipokrit të saj. Ai dha ndihmesë edhe në letërsinë për fëmijë me një varg librash si, “Një tufë vjershash” (1952), “Shkolla jonë” (1954), “Çil, çil trëndafil” (1963) etj. S.Ç. punoi edhe në lëmin e përkthimeve; shqipëroi me mjeshtëri disa kryevepra nga letërsia antike greke, si “Odisea” e Homerit, “Lisistrata” e Aristofanit etj.” (Shih: FESH,1, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 401, zëri përgatitur nga Drita Siliqi). Në botimin enciklopedik të 1985-ës nuk trajtohet profili i tij si zë i përgatitur, por i përmendet telegrafisht emri për kontributin në letërsinë satirike: “…Ndër autorët që dhanë ndihmën e tyre në zhvillimin e këtyre llojeve [të letërsisë satirike, sidomos të krijimeve satirike në vargje si fejtoni, vjersha e shkurtër, epitafi, poema etj. – shën. im: A. H] janë N. Bulka, S. Çomora, D. Bubani etj., të cilët trajtuan tema të mprehta politike e shoqërore, fshikulluan burokratizmin, konformizmin, indiferentizmin, zakonet prapanike…”. (Shih: FESH, ASH RPSSH, Tiranë, 1985, f. 605). “Ndonëse me pak tradita, hapa përpara bëri edhe dramaturgjia me veprat e K. Jakovës (“Toka jonë” etj.), të S. Çomorës (“Karnavalet e Korçës”) etj.” (FESH, vep. e cit., f. 607). Dhe, së fundmi: “Dramaturgjia në letërsinë shqiptare pati një trashëgimi të vogël nga e kaluara. Ajo eci shpejt pas Çlirimit, duke pasqyruar luftën për lindjen e jetës së re kundër jetës së vjetër, konfliktet shoqërore që e përcjellin këtë luftë. Drama lulëzoi, duke ushqyer teatrin kombëtar. Në repertorin e tij qëndrojnë vazhdimisht drama “Toka jonë” e K. Jakovës, “Cuca e maleve” e L. Papës, “Familja e peshkatarit” e S. Pitarkës, komeditë “Prefekti” e B. Levonjës, “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës, “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës etj. (Po aty, f. 1055). Kuptohet që kjo do të ishte gjuha e shkrimit në ato botime, edhe pse të nivelit më të lartë, atij akademik – gjuha në funksion të kohës dhe në shërbim të sistemit në Shqipëri. Si e lexoj sot këtë tekst? Spiro Çomora ishte me shkollë të lartë dhe i arsimuar në Perëndim, në Universitetin e Romës, kur popullata shqiptare pothuaj qe analfabete dhe intelektualët e vërtetë numëroheshin me gishta, nuk ishin qindra… Përmendet fakti që Çomora është autor i komedisë “Karnavalet e Korçës”. Bukur. Shumë bukur. Ajo është kryevepra e tij në fushën e dramaturgjisë shqiptare dhe, ndoshta për tematikën sa lokale, aq universale, e, patjetër për mjeshtërinë e lartë artistike të ndërtimit të veprës kujtohet edhe sot me simpati ndër ne; si duket, do të jetë dhe nesër e bukur, e këndshme, argëtuese, zbavitëse, tërheqëse, thumbuese, fshikulluese dhe me mesazhe përmirësimi të shoqërisë, të grupeve përbërëse, të bashkësive më të vogla që realizojnë të tërën. Përmendet emri i tij si redaktor në revistën “Hosteni”. Mirë. Po shkenca e Bibliotekës, Bibliotekonomia na mëson se Klasifikimi Dhjetor Universal (KDU) mbi bazën e standarteve ndërkombëtare është klasifikim hierarkik. Rrjedhimisht, KDU është gjuhë informacioni dhe universi i informacionit, dituria (dijet e regjistruara) në KDU është e ndarë në dhjetë klasa, që zbërthehen e zbërthehen e zbërthehen…Kemi kuptuar që me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve. Në këtë klasifikim hierarkik, përkthyesi është shumë i rëndësishëm, sepse e trajton letërsinë tjetër për vete, si letërsi shkencore në rezonacë të plotë me letërsinë artistike, me logjikë, me koherencë, mbushur me emocion e me ndjenjë. Përkthyesi vjen i dyti, për nga rëndësia e vlerave, mbas autorit dhe qëndron përpara redaktorit, kryeredaktorit apo redaktorit përgjegjës. Në Bibliotekën tonë Kombëtare janë 40 regjistrime të Çomorës…
Faqja online e tij ka këtë informacion: Leu në ishullin e Korfuzit prej një familjeje vunjote, e cila kishte emigruar për arsye mirëqenieje në Greqi. Në vendlindje kreu mësimet fillore dhe të mesme, ndërsa shkollimin e lartë e filloi në Itali për drejtësi…Nis punë si mësues dhe mbledhës folklori, puna e të cilit përfshihet në radhojën e botimeve “Visaret e Kombit” IV gjatë kohës kur Ministri i Arsimit Koliqi dha urdhëresën për t’u mbledhur dhe botuar fruti i folkut. Pas luftës u vendos në Tiranë dhe pothuajse gjatë gjithë jetës punoi në revistën “Hosteni”. Në fillimet e veta nisi të shkruajë vjersha humoristike, të cilat i botoi tek “Hosteni”. Bën pjesë në komisionin e përbërë prej gjashtë vetëve që mbikëqyri e redaktoi përkthimin e “Iliadës” nga Shllaku, duke e shoqëruar botimin me studimin “Iliada dhe bota homerike”. Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike “Syfete”, “Për njoftim e për veprim”, “Maska dhe fytyra” dhe “Skena e prapaskena”. Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj., të cilat u botuan e u vunë edhe në skenë. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhën bërë”. Më vonë shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Syleshi”, “Iu hoqën petët lakrorit”, “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” më 1961 dhe “Dy me zero” më 1969. Spiro Çomora u muar edhe me përkthime, si poema “Skënderbeu” e shkruar nga Grigor Pŭrlichev më 1968. E sidomos i letërsisë antike greke për të cilën çmohej nga Gjon Shllaku. Më 1957 pruri fabulat e Ezopit “Sorra e pëllumbi”; “Paqen” 1958, “Lisistratat” 1960 dhe “Kalorësit” 1969 e Aristofanit; pjesë të zgjedhura nga Satirat e Junius Juvenalis dhe 12 këngët e para të “Odisesë” së Homerit të botuara vitin që vdiq”.
Nuk do të ndaloj gjatë në veprën letrare të Çomorës, që lexuesi shqiptar e ka të plotë në katër vëllime me kopertinë të trashë, botuar në Tiranë, nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në vitin 1980. Vëllimi i parë përmban krijimtarinë poetike të autorit; vëllimi i dytë komeditë; i treti skeçet dhe vëllimi katërt shkrimet satirike në prozë, si dhe disa artikuj e studime letrare. Me përjashtim të disa skeçeve të shfaqura nga estradat shqiptare, i gjithë materiali tjetër është marrë nga veprat e botuara të autorit dhe nga organet e shtypit periodik, kryesisht nga revista ‘Hosteni”, ku kontributi i Spiro Çomorës ka qenë i madh. Brenda vëllimeve, duke ruajtur kriterin gjinor botuesit i janë përmbajtur dhe kriterit kronologjik. Në këtë botim lexuesi gjen gjithë krijimtarinë letrare të Spiro Çomorës që ruan vlera edukative, estetike, morale dhe artistike edhe për lexuesin e sotëm. Redaktore e botimit është Rozeta Uçi. Emrin e Spiro Çomorës e gjejmë redaktor në librin “Antologji e poezisë antike greke” përkthyer nga Henrik Lacaj, botuar nga NSHB “Naim Frashëri” Tiranë, 1962. Nuk do të qëndrojmë as në këtë fushë, se, megjithë kontributet e tij të vlerta, del nga synimi i këndvështrimit, ngaqë është shumë e gjerë dhe e begatë veprimtaria e këtij njeriu të heshtur e punëmadh. Më vjen çudi, që përmendet për krijimet poetike, të cilat nuk kanë dhe aq vlera të qëndrueshme artistike, nuk i rezistuan kohës. Dhe në atë kohë nuk peshonin kushedi se çë. Dhe botohet një vëllim 391 faqësh me ato vjershurina! Përse bëhet kjo? Për të thënë: – Ja, kaq vlerë ka. Dihet që ai është poet i vogël apo mesatar (sikurse dhe Varfi, Luzaj, Kokoshi, Çaçi, të paktën flas për këta që kam nga Vlora) por , po ashtu dihet që Çomora ka qenë përkthyes i madh, sikurse Kokoshi, Luzaj, Çaçi, Varfi). SPIRO ÇOMORA KA PËRKTHYER NË SHQIP, KA RIKRIJUAR KRYEVEPRËN HOMERIKE “ODISENË”, një nga dy modelet e paarritshëm të botës së letrave! Pse nuk e evidentojnë këtë fakt të madh kritikucët tanë? Pse po e kalojnë ashtu, si diçka të thjeshtë? Përkthimi çomorian është ngjarje letrare. E theksoj këtë shqetësim, sepse nuk përmendet kurrkund, as në të tjera botime që kemi kërkuar, kontributi i tij i shkëlqyer si përkthyes, vetëm në fund e shkarazi. Në fakt, jo vetëm për Çomorën ndodh kështu. Të paktën, ndër profilet letrarë të autorëve vlonjatë, nga të cilët disa i kemi botuar edhe në gazetën ndërshqiptare “Dielli”, si K. Kokoshi, I. Luzaj, N. Hakiu e S. Çomora përmenden, ashtu shpërfillshëm, që, ja, edhe këta e bënë këtë gjë, sikur ata të kishin bërë diçka të rëndomtë, që i zuri hera…por përkthimet e tyre janë vlera, janë shqipërime, janë rikrijime. Pa u futur në bulëzimet e Rilindasve tanë, kujtojmë Fan Nolin e madh që bëri të flas shqip Shekspirin, Servantesin etj., sepse qe njeri i ditur, me kulturë të madhe, poliglot, stilist i artë. Afria që kishte me gjuhët e huaja greqishten, anglishten, frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen një gjuhë të stërholluar dhe elegante, duke na pasqyruar stilin e veprave të huaja me ngjyrat e ritmin e origjinalit. Po kështu, në vijim ata që hodhën themelet e ndërtesës së përkthimit, që krijuan shkollën e përkthimit shqip, pas farës diturore që mbollën Noli e Konica, si Sotir Papahristo, Lasgushi, Skënder Luarasi, Henrik Lacaj, Vedat Kokona, Jusuf Vrioni, Sotir Caci, Pashkë Gjeçi, Halit Selfo, Spiro Çomora, Vexhi Buharaja, Gjon Shllaku, Petro Zheji, Alqi Kristo e Robert Shvarc (vendosja e emrave, sipas ditëlindjes) janë Heronjtë Emblematikë të Përkthimit. Kur cilësojmë të Përkthimit nuk e kemi fjalën për ata njerëz të përkthimit, që bëjnë thjesht kthimin mekanik të letërsisë së huaj në shqip, se sot është dhe një mjet operativ digjital “Google translate”… Kemi parasysh pikërisht këta shqipërues, dijetarë e figura të shquara në shumë fusha, këta mjeshtra të përkthimit, që kanë dhënë një kontribut të shquar në krijimin e shkollës së përkthimit shqip, si përkthyes të talentuar të letërsisë botërore. Nga që përkthyes ka shumë, por ata që na lënë mbresa me artin e përkthimit janë pak, nuk do të ndalem tek emrat e tjerë të mëdhenj të përkthimit si Kuteli, Eqerem Vlora, Branko Merxhani, Lame Kodra, Martin Camaj, Koliqi etj., por po kujtoj e përmend me respekt ata që e vijuan dhe po e mbanë kaq lartësisht stafetën sa të bukur, aq të vështirë të përkthimit si Jorgo Bllaci, Aurel Pasari, Afrim Koçi, Nonda Varfi, Nasi Lera, Ardian Marashi, Pavli Qesku, Lili Bare, Shpëtim Çuçka, Mirela Kumbaro, Mira Meksi, Klodeta Dibra, Edmond Tupja, Ardian Klosi, Virgjil Muçi, Uk Zenel Buçpapaj, Jorgji Doksani, Bujar Doko, Zhak Pilika, Aleksandër Zoto, Aristidh Ristani, Klio Evangjeli e deri tek Mimoza Hysa e brezi i kohës që jetojmë. Emrat e rëndë të letrave si Fatos Arapi, Kadareja e Dritëroi janë gurë të çmuar në përkthimet tona, si diamanti, si ajo “Era pranverore” e Vaçe Zelës për muzikën shqiptare. Një fakt më çudit keq. Nga emrat e traditës, po thuaj të gjithë e kanë nga një “cen”. Po pse janë përndjekur, xhanëm!? Ca u vranë. Ca u burgosën. Ca u degdisën humbëtirave. Larg. Ku s’ka dy lek’ diell. Apo ku dielli të përvëlon. Ca u lanë në heshtje. U harruan. T’u humbte emri… Po ka një proverb latini: “Verba volant, skripta manent” (Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin, i merr era fjalët, e shkruara qëndron, ajo mbetet gjurmë, dokument përgjatë kohërave).
Përkthyes i kryeveprave të letërsisë antike: Duke kërkuar në Biblotekën Personale në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë, dhe, patjetër, mbasditeve në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemail”, Vlorë, ku punoj, përzgjodha botimet e Spiro Çomorës. Por, nuk do të trajtoj “Karnavalet e Korçës” se ajo dihet, njihet dhe është mbarëpopullore e më tutje. Shfletoj Aristofanin (Aristophanes): “Paqja” komedi, e përktheu nga origjinali Spiro Çomora, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve [me shkurtime: NSHB – shën. im: A. H], Tiranë, 1958, me 129 faqe. Libri çelet me tetë faqe e gjysmë shënime të Spiro Çomorës shkruar në Tiranë, korrik 1957. Komedia e botuar në shqip është e pajisur edhe me sqarimet e duhura e të plota gjatë tekstit, në fund të faqeve përkatëse. Gjykoj se ky libër dhe të tjerë të përkthyer nga Çomora apo “koka” si ai mund të shërbejnë si modele metodologjikë për përkthyesit dhe shkollat e përkthimit. Kam mendimin se shkrimtaria e Çomorës dhe e ekipit të ngushtë të këtij klasi shqipëruesish, e njeh mirë psikologjinë shqiptare, sa dhe atë greke etj., e njeh mirë pedagogjinë sa dhe artin e përkthimit, përndryshe s’ka se si të shpjegohet që na e bëjnë përkthimin (aq më tepër nga gjuhë të vështira si greqishtja) të lehtë e të bukur si muzikë. Çomora na bën këtë prezantim: “Për jetën e Aristofanit, i cili foli kaq shumë për jetën e njerëzve të kohës së tij, dimë fare pak gjëra. Ay lindi midis viteve 445 e 450 dhe vdiq pas viti 387 përpara E.R. Ishte prej fisit Pandhionis, prindërit e tij Filipi e Zinaida, ishin qytetarë të lirë dhe kishte tre djem: Filipin, Aràrin dhe Nikostràtin. Shkrojti 44 komedi, po vetëm 11 prej tyre shpëtuan në gjendje shumë të mirë gjer në ditët tona: “Akarnienët” v. 425 [p.e.r. – shën. im: A. H], “Retë” v. 423, “Kalorësit” v. 422, “Grerëzat” v. 422, “Paqja” v. 421, “Zogjtë” v. 414, “Lisistrata” v. 411, “Tesmoforet” v. 411, “Bretkosat” v. 405, “Parlamenti i grave” v. 392, “Pluti” v. 388. Pra shumicën e komedive të tij ay e shkrojti gjat kohës së luftës peloponeziane (431-404), e cila shënoi fillimin e mbarimit të botës greke… Aristofani është një kolos i fantazisë krijonjëse: krijon fjalë, krijon ngjarje, krijon legjenda dhe histori, zbret perënditë në tokë dhe shpie njerëzit në qiell (Paqja)…Të gjitha veprat e Aristofanit shprehin dashurinë e tij të thellë për jetën dhe për njeriun. Dhe kjo dashuri e Aristofanit nuk ka si prototip, si model nonjë ideal, jashtë realitetit, jashtë vendit dhe kohës. Aristofani është i huaj për çdo metafizikë. Ay e dashuron njerinë ashtu siç është, prej mishi e kockash, në jetën e përditshme…Ay qëndron me kamxhik në dorë gjithmonë. Po njerëzit s’i godit. Ay fshikullon “udhëheqësit” e këqij, godit mendimtarët e liq që trubullojnë mëndjen e popullit, godit zakonet e këqia që çkatërrojnë shoqërinë dhe i bëjnë qytetarët fatkeqë, ay godit çdo gjë që i pengon njerëzit- si individë e si unitet shoqëror- të shijojnë gëzimin e jetës dhe lumturinë. Satira e Aristofanit nuk drejtohet kundër njeriu “në vetvete”. Ay denoncon dobësitë dhe të metat e tij, shpesh e qorton me ashpërsi, po këtë e bën se ka besim tek ay. Ay nuk shpreh kurrë përbuzje ndaj popullit, ndaj njerëzve të thjeshtë. Ky humanizëm i thellë del mirë në shesh po të vihet re vëndi që kanë shërbëtorët në komeditë e tij. Ndërsa përpara- si na thotë vetë në Parabazën e “Paqes”- shërbëtorët hynin nëpër komeditë e ndryshme vetëm për të ngrënë dru e për t’u tallur, Aristofani hypi në skenë shërbëtorë si personazhe që luanin rolet kryesore në konfliktin dhe zgjidhjen e veprës. Ky humanizëm i tij shprehet gjithashtu dhe në qëndrimin që merr ay kundrejt gruas. Dhe është nder i madh për të, që, në këtë çështje të madhe shoqërore për çdo kohë, eci shumë përpara se koha dhe shoqëria e tij. Gratë janë të barabarta me burrat kur, në “Parlamentin e grave”, ato shtien në dorë qeverisjen e shtetit që ta shpëtojnë nga katastrofa. Po më shumë të barabarta me burrat janë ato kur, në “Lisistratën”, vendosin të marrin armët e të luftojnë që t’i japin fund luftës, derisa burrat i ka qorruar urrejtja ndaj shoku shokut dhe pasioni i katastrofës. Përkthimi i kësaj vepre në gjuhën tonë nuk u krye pa vështirësi. Satira ka specifikën e saj, si p.sh. stilin konciz, mendimet me dy presa, lojët e ndryshme të fjalëve, cilësi këto që spikatin në një masë të madhe edhe në këtë vepër të Aristofanit. Shprehja e tyre në një gjuhë tjetër- në besnikëri me origjinalin, po pa qënë i errët- është një punë delikate. Sigurisht, jo e pamundur. I theksova këto karakteristika të specifikës së Satirës, sepse ato janë shtyllat dhe ornamentet që pështetin dhe zbukurojnë çdo vepër të kësaj gjinie. U mundova të mos bëj një përkthim të lirë. Dhe besoj t’ja kem dalë mb’anë. Po kjo nuk do të thotë se kam nguruar të përdor “të drejtën e rikrijimit” që ka çdo përkthenjës i një vepre aristike” (Shih: Aristofani, “Paqja”, Tiranë, NSHB, 1958, f. 10,11). Këta paragrafë vola për të bërë një buqetë me lule për lexuesin e gazetës tonë të dashur “Dielli”, zgjedhur nga kopështi i mendimit të artë, që Mjeshtri Spiro Çomora pat’ mbjellë në Tiranë atë korrik të vitit 1957. Jo rastësisht i citova këto mendime të Ustait të Fjalës së Zgjedhur. Bota ndërtohet, ecë dhe zhvillohet me modele. Dhe krijuesi. Rikrijuesi (përkthyesi). Brezash. Krijuesi, në laboratorin e gjallë të krijimit merr e jep me personazhin që krijon. Apo me autorin që rikrijon. Dhe ÇOMORA. Më duket se ka ndikim të dukshëm pozitiv nga autori i tij i dashur, nga ARISTOFANI. Nga bota e tij, nga mendimet, nga idetë, nga shijet etike, estetike, morale e artistike, nga mesazhet që jep, pa dyshim, në përshtatje me rrethanat specifike të të qënit shqiptar, qytetar dhe banor i Shqipërisë, si krijues original e me botë të madhe humane. Pse, a nuk u ngjan Çomora si një Aristofan Shqiptar, pas afro 24 shekujsh, jo vetëm me profilin e kohës së jetoi?! Nga botimet enciklopedike, dimë që dramaturgu grek Aristofan, në të 11 komeditë e tij që kanë shpëtuar, karakterizohet nga situata të gjetura dhe nga një gjuhë e gjallë, që trajtojnë gjerësisht tema të aktualitetit. Komediografi antik satirizon politikanët dhe intelektualët (si Sokratin) dhe parodizon shkrimtarët bashkëkohës si Eskilni dhe Euripidin. Ka shfrytëzuar shumë fantazinë politike e shoqërore siç e tregon qyteti i zogjve (“Toka e qyqeve të reve”) te “Zogjtë”, si dhe ndërprerja e marrëdhënieve seksuale me burrat nga ana e grave që këndonin paqen te “Lisistrata”. Më duket se kanë kumbim edhe për sot ndër këto viset tona krijimet e Babait të komedisë klasike!… Vetëm për këto visare të shqipërimit, meriton përfillje të merituar Spiro Çomora dhe jo shpërfillje, mosvlerësim, mungesë vëmendjeje. Përse nuk ribotohen rikrijmet (përkthimet) e kryeveprave që na ka lënë trashëgim Spiro Çomora?! Patjetër, duke respektuar normat standarte të gjuhës së sotme shqipe. Përse?! S’ka profesionalizëm?! Kërkohen Para?! S’kanë interes botuesit?! Se gati gjithçka është kthyer tregti?!… Të njëjtën metodologji shkencore ndjek rikrijuesi Çomora me komedinë tjetër të përkthyer nga Aristofani “Lisistrata”, botuar në Tiranë nga NSHB “N. Frashëri” 1960, me 100 faqe, që nis me dy fjalë fillimtare prezantuese për lexuesin “Prolegomena”, me të cilat Çomora na njeh me gjendjen e vështirë të Athinës pas shkatërrimit që pësoi flota e saj në Siçili, në verën e vitit 413 p. E.R, me thesar të shkundur. Qyteti qante. Gjëma po pllakoste e… deri pa shpresë shpëtimi për athinasit. Për t’i bërë ballë gjendjes u formuan një farë komiteti i shpëtimit publik, me dhejtë komisarë në krye, tek të cilët u varën shpresat e fundit të shpëtimit të atdheut. Në këto rrethana e shkrojti Aristofani “Lisistratën”, e cila u shfaq në vitin 411 para E.R. Ja ç’ informacion na sjell Çomora: “Poeti u vërsul edhe një herë kundër luftës, me armët e fuqishme të artit të tij të madh e të ndërgjegjes së pastër qytetare, që të zbutë pasionet e të kthjellojë mendimet. Poeti – qytetar çvishet nga konsiderata të ngurta partie, universalizon ndjenjën e patriotizmit të vërtetë, dhe ngrihet shpirtërisht shumë lart, atje nga duket pastër në orizontin e gjerë tabloja tragjike e Greqisë së shkretuar nga lufta. Ay s’u drejtohet vetëm Athinasve, po edhe Spartanëve, të gjithë Grekëve, e i këshillon të heqin dorë nga një luftë çkatërrimtare, e cila vë në rrezik vetë ekzistencën e Helladës dhe pregatiste skllavërimin e saj nga Barbarët. Poeti mendon se tani nuk është koha e përshtatshme që t’i gjëndet filli përgjegjësisë së njërës ose tjetrës palë; një alternativë ka: o paqe, o çdukje e plotë. Kjo ndjenjë e lartë shpirtmadhësie e humanizmi e frymëzoi këtë komedi. Dhe poezia, në çdo kohë, s’ka si të mos krenohet për një fisnikëri të tillë shpirti e mendimi. Aristofani nuk u drejtohet luftëtarëveë, po grave të dy vendeve armiq, nënave, motrave dhe bashkëshorteve. Ato nuk merren me politikë, po u qan zemra për zinë që u solli lufta dhe për braktisjen e tyre kaqë vjet me radhë pa njerës të dashur pranë. Dhe që t’i përshtatet groteskut të Komedisë attike një situatë kaqë serjoze e dramatike, poeti imagjinon këtë fabul. Një femër Athinase, Lisistrata, fton në një mbledhje përfaqësonjëset e gjithë grave të Greqisë, pikërisht të Spartës, Beocisë e Peloponezit, dhe u parashtron planin e saj: të ndërpritet çdo marrëdhënie bashkëshortore me burrat, që kështu, nga halli, të detyrohen t’i japin luftës fund. Pas shumë ngurimesh, merret një vendim i përbashkët, gratë betohen dhe shkojnë e pushtojnë Akropolin, ku ndodhet thesari i Shtetit…”. Nuk po vazhdojmë më tej me subjektin, sepse është i njohur, por vlen të theksohet se nuk bën të lihet në heshtje sinqeriteti i plotë me të cilën u flet Aristofani, nëpërmjet Lisistratës, ambasadorëve të Spartës. Kjo nuk është e para herë që ai u jep të drejtat që u takojnë armiqve të Athinës; edhe më parë, në komedinë “Akarnienët”, Diceopóli kishte provuar me litar në grykë, se spartanët qenë detyruar nga të tjerët të hynin në luftë dhe Athina ishte vetë fajtore për zullumet që pësoi. Satira e poetit demaskon politikanët aventurierë, gjeneralët karrieristë dhe dallaveraxhinjtë e çdo marke e kallëpi, që ushqejnë zjarrin e luftës me lloj – lloj veprimesh të ulta, për interesin personal dhe ambicjen e tyre. “Lufta bëhet me para e për para”. Kjo e vërtetë është kaq e vjetër, sa vetë bota, kur u shtresëzua e u nda me klasa. Po pranë idesë qëndrore të pjesës, që është lufta për paqen, Aristofani ngre me forcë të madhe dhe problemin e të drejtave të gruas në shoqëri, duke shfaqur një virtyt emancipues të përparuar dhe patjetër të guximshëm për kohën e tij. Është interesant, se jehona e tonit polemist të Lisistratës, në debatin e saj me Komisarin, arrin deri në ditët tona, jo vetëm në komunitetet rurale e periferive. Përkthyesi Çomora sqaron: “Në tekst, Labitója, Kasneci dhe Ambasadori spartan flasin në dialektin lakón, si dhe koret finale të Spartanëve. Unë përktheva në dialektin geg pjesët e Kasnecit e të Ambasadorit Spartan, sepse mu duk që në këtë mënyrë stili i autorit respektohet sadopak më mirë dhe dialogu fiton më shumë gjallëri”. (Shih Aristofani, “Lisistrata”, Tiranë, NSHB “N. Frashëri”, 1960, f. 5). Kështu shkruan rikrijuesi në Tiranë, atë shtator të vitit 1958, kur po çonte për botim “Lisistratën”, të cilën e ka pajisur me shënime sqaruese në fund të librit. “Kalorësit” është një tjetër komedi e Aristofanit, shqipëruar nga origjinali prej S. Çomorës dhe botuar me 128 faqe në Tiranë nga NSHB “N. Frashëri”, 1962, e cila ka pak fjalë hyrëse për lexuesin dhe 15 faqe shënime mbyllëse nga përkthyesi. Futemi në situatë. Dihet që Aristofani për një vit zinte vend në Këshillin e Athinës. Nga kjo kohë, janë të njohura sulmet ndaj politikanit ushtarak me ndikim Kleonit (vdekur më 422) sulme, të cilat i paraqet edhe në veprat e tij, ndër të tjera në “Kalorësit” (424). Çomora na tregon, se Aristofani e shfaqi “Kalorësit” së pari gjatë festave të vitit 424, se lomediografi antik konkuronte për herë të parë me emrin e tij, fitoi dhe çmimin e parë me “Kalorësit”, duke lënë pas “Satirëve” të Kratinit plak (me çmim të dytë) dhe me çmim të tretë “Drumbartësve” (Ilofori) të Aristomenit. Përse poeti e quajti komedinë Kalorësit? Këtë na e spjegon qartësisht përkthyesi: “Kalorësit ishin e vetmja milici e përhershme e Athinës, e formuar nga 1000 të rinj, të zgjedhur nga familjet më të pasura; pra, përgjithësisht, aristokratë dhe armiq të Kleonit. Këta, menjëherë pas ngjarjes së Pilos [toponim – shën. im: A. H], nga fundi i verës së vitit 425, ishin dalluar në një ekspeditë kundër Korinthit, të komanduara nga Nikiasi. Me ndërhyrjen e tyre u sigurua fitorja. Prandaj Aristofani i zgjodhi si aleatë, e, ndofta, duke ditur se Kleoni nuk falte lehtë, mendoi të sigurojë dhe përkrahjen e tyre. Fabula e komedisë trajton një dramë familjare. Po alegoria e saj kapërxen të katër muret e asaj shtëpie dhe shtrihet në horizontin e gjerë të shtetit të Athinës, të mbarë botës greke. Thelbi i komedisë është demaskimi i demagogjisë. Këtu pikërisht qëndron vlera e saj politike e shoqërore dhe sot e kësaj dite. Aristofani e di se këtë luftë e shpërtheu dhe e vazhdon me një furi të pashembullt etja për hegjemoni mbi botën greke e Athinës dhe e Spartës. Interesat e mëdha ekonomike të klasave sundonjëse të atyre dy qyteteve, të atyre dy shteteve rivale, një ditë do të ndesheshin. Populli i Athinës po e paguan shumë shtrenjt këtë luftë. Ay do paqen me çdo kusht. Po Kleoni është për vazhdimin e saj, për mobilizimin total të popullit dhe të ekonomisë së vendit në shërbim të fitores. Atë, që nuk arritën ta shohin politikanët, e pa mendimi gjenial i poetit: lufta e peloponeziane shënoi fillimin e mbarimit të botës së vjetër greke! Dhe në mes të gjithë atij mjerimi, ngrihet titani dhe i tregon me gisht popullit, gjithë atyre që ushqehen akoma me ëndrra, se kush janë ata që e sundojnë, e vrasin dhe e varrosin në emër të atdheut!…I ra shorti Kleonit t’i presë shigjetat e Aristofanit. Po kushdo që të qe në vendin e tij e të sillej ashtu si ay në ato rrethana, këtë fat do të pësonte. Kanë kaluar 2400 vjet që atëherë. Politikanë, aventurierë, si Paflagoni dhe Agorakriti, bota ka patur e vazhdon të ketë. Kundër gjithë këtyre ngrihet si një shpatë e pamëshirshme satira e poetit dhe e mendimit të madh. Paralajmërimi që i bën ay popullit të Athinës, është një mësim i pavdekshëm edhe sot për popujt e sunduar nga kapitali, i cili nxit shovinizmin dhe ushqen e popullarizon luftën, që t’ja zgjatë vetes ditët” (shih “Kalorësit”, vep. e cit. f. 7). Ecim në kohë. Emri i Spiro Çomorës është si përkthyes edhe në vëllimin “Antologji e poezisë greke”, që është përmbledhja më e plotë poetike e botuar ndonjëherë në Shqipëri nga letërsia greke (Tiranë,”N. Frashëri”, 1986). Ky libër ka përkthime të poezisë re greke nga Aleks Çaçi, nga Kadareja, Dritëroi, Xhevahir Spahiu, Llambro Ruci etj. Spiro Çomora ka përkthyer “Dodekalogu i Evgjitit (Fjala e katërt- vdekja e Perëndive)”dhe “Fjala e pestë – Vdekja e të vjetërve” nga Kostas Pallamas (1859-1943), udhëheqësi shpirtëror e intelektual i Greqisë moderne, gjithashtu edhe shkrimtari i saj më i rëndësishëm. Maja merret me maja! “Dodekalogu i Evgjitit”, kjo poemë epiko – lirike, por me një domethënie të qartë alegorike, u shkrua në vitin 1906, dhe përbën një ndër kryeveprat e poetit. Për t’ia bërë të qartë domethënien e saj edhe lexuesit shqiptar Spiro Çomora botoi fragmentet e cituara nga dymbëdhjetë këngët e poemës, patjetër, shoqëruar me komentet përkatëse të domosdoshme. (Shih: “Antologji e poezisë greke”, vep. e cit. f. 64 -71, 289 – 293). Po në këtë antologji kemi një tjetër përkthim virtuoz të Çomorës nga një prej poetëve më të mëdhenj grekë dhe një figurë e shquar e poezisë europiane, Janis Ricos (1909-1990), nga poema e famshme “Mëhallat e botës”. E pra, a s’kam të drejtë kur them se me maja merren majat!…Padyshim, vulën si një nga kryepërkthyesit shqiptarë, si një ndër 7 yjet e përkthimit shqip të shekullit XX, ia vendosi Homeri i perëndishëm me poemën “Odisea”, një nga të parat poema të mrekullueshme të nivelit botëror, që krijoi poeti epik legjendar i botës antike greke. Te “Odisea”, të dhjetë vjetët vojtje e aventura të Odiseut, Homeri na i pasqyron me anë të kthimit në atdhe të heroit dhe një aksioni që zgjat 40 ditë. Në epiqendër ai vë Odiseun dhe pas tij vijnë i biri, Telemaku dhe e shoqja, Penelopa…Spiro Çomora ka përkthyer nga origjinali këngët I – XII të kësaj kryevepre homerike. Kjo ndërmarrje kaq e vështirë e delikate është realizuar në mënyrë të përsosur nga ky djalë i madh i Vunoit dhe i Shqipërsë, sepse “Odisenë” e Homerit na e ka dhënë në gjuhën tonë, duke ruajtur thjeshtësinë dhe madhështinë, besnikërinë ndaj origjinalit dhe shijes së shqiptarëve. Përkthyesi bën këtë bisedë të shkurtër me lexuesin në prill 1972, kur bëri “Odisenë” shqiptar…: “Ky libër i “Odisesë” përmbledh 12 këngët e para të mbarë poemës, e cila ka 24 këngë. Pa qenë pedant gjer në atë pikë sa ta përktheja këtë krijim artistik të pavdekshkëm fjalë për fjalë, u mundova ta vesh me rrobat poetike të shqipes, pa ju larguar as fjalës, as mendimit homerik. Dhe pse sepse, përveç masës së gjerë të lexuesve, që duhet ta kuptojnë sa më lehtë, studenti ynë i mesëm ose universitar duhet doemos ta shijojë Homerin jo nëpërmjet liçencave të një përkthimi të lirë. Vetëm kështu ai mund të çmojë vlerën universale artistike, filozofike, humanitare, patriotike të kësaj epopeje klasike…Kam përdorur me guxim hekzametrin, vargun e origjinalit, i cili, kur dimë ta lexojmë mirë, jo vetëm që s’bëhet monoton, por tingëlon si një muzikë e madhërishme. Dhe shqipes i shkon për bukuri! Dashuria e pakufishme për atdheun dhe për njerëzit më të dashur, përballimi i çdo sakrifice morale a fizike në shërbim të këtij ideali, përshkojnë tejembanë këtë poemë afro tridhejtë shekullore. Një falënderim mirënjohës meriton shoku Andrea Varfi për redaktimin letrar të këngëve, si dhe për shënimet e parathënien, të cilat e pasurojnë aq shumë përkthimin!” Emra si Spiro Çomora i përkasin dritërimit të mendimit, të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar. Ata vezullojnë…
*Albert Habazaj
, Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
NEXHAT HAKIU, POET I MANIFESTIT TË DASHURISË
nga MSC. Albert HABAZAJ/
Nexhat Hakiu mbahet mend si poet i ëmbël dhe njeri i ditur. Kur themi që Nexhat Hakiu është tërësisht poeti i dashurisë, kuptojmë që ai e zbërthente dashurinë me detaje shpirti si një sistem zinxhir në klasifikimin hierarkik të kësaj ndjenje universale, që thur ylberin më të bukur të botës njerëzore. Më të vjetrit në qytet kujtojnë lirikat e tij melodioze, (jo vetëm idilet e madrigalet) që vijnë si vijim i këndshëm nga këndvështrimi i tij artistik e shpirtëror i imazheve liriko – epike të princit të Principatës së Dashurisë, Ali Asllanit. Por përsëri, Nexhat Hakiu është zë i veçantë, sepse është zëri i tij, origjinal, me këngët e zambares si një simfoni pranvere. U lind në Vlorë më 20 qershor 1917 dhe vdiq më 18 qershor 1978. Njihet në letrat shqipe si poet dhe studiues, përkthyes dhe botues. Poezia e N. Hakiut është manifest në shërbim të dashurisë. Ai i përket brezit përparimtar të shkrimtarëve të viteve ’30 që kërkuan fjalën e lirë e u bënë zogjtë e fluturimit të saj në atë kohë të murme me vetëtima.
Emri i N. Hakiut në Bibliotekën Kombëtare, në kujtesën akademike dhe në memorien sociale: Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë regjistruar 15 botime që mbajnë firmën e Nexhat Hakiut, nga të cilat 11 tituj librash dhe 4 regjistrime bibliografike janë cikle me poezi të botuara në organet e e shtypit të përditshëm dhe periodik si suplimente apo në rubrikën e kulturës dhe letërsisë. Sipas rendit kronologjik ato janë: “Kangët e Zambares”, Tiranë : Shtypshkronja “Gutenberg”, 1939, autori në fletën e titullit është shënuar Nexhat Haki Mahmuti, libri ka 36 faqe; “Këndoj”, [poezi], Tiranë, 1958, 63 f.; “Zëri i fyellit” : vjersha Tiranë, “Naim Frashëri” 1959, 80 f.; “Fjala ime”, [poezi], Tiranë, “Naim Frashëri” 1961, 63 f. ; “Komente të zgjedhura : kl. V – XI”, Tiranë : Drejtoria e Studimeve dhe e Botimeve Shkollore, 1962, në serinë “Biblioteka e Mësuesit”, me 180 f., ku trajtohet letërsia shqipe, ajo botërore, si tekst për mësuesit dhe për shkollat 8 vjeçare të kohës; “Antologji e komentuar : klasa e V”, me 129 f. me serinë: “Biblioteka e Mësuesit”, Tiranë: Ministria e Arsimit dhe Kulturës, 1964, ku ka antologji të letërsisë shqipe me poezi dhe prozë, tekst për shkollat 8 – vjeçare; “Kënga e gjakut”, poezi, Tiranë, me 46 f.; “Një lule mbolla”, vjersha, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1973, me 44 faqe; “Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit : nga leximi letrar kl. 5 – 6”, përmbledhje (antologji) e përgatitur me përzgjedhje nga letërsia shqipe, si tekst për mësuesit), me 80 f., Tiranë: Instituti i Studimeve Pedagogjike, 1974; “Në garë me stinët” : poema, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1977, 38 f. Dhe, me këtë libër të vogël me poema, e mbylli jetën e madhe poeti optimist i dashurisë, i cili ishte ai intelektuali që ia ngriti Vlorës ballin në lartësitë kombëtare të vlerësimit e të nderimit të meritueshëm. Një vit më vonë, Nexhat Hakiu mbylli sytë nga emfizema polmonare. Vetëm 61 vjeç. Iku qetësisht, pa u ndier. Dhjetë vjetë mbas ikjes së poetit tonë të ëmbël, Mësuesi i Popullit Kristaq Shtembari (1934 – 2007) do të bënte shkrimin “Homazh i vonuar për poetin Nexhat Hakiu”, ku, ndër të tjera, na njeh: “Veç miqve, shokëve, dashamirësve e nxënësve, njerëzve të dashur të familjes, askush nuk tha ndonjë njoftim për vdekjen e tij. “Për të s’ra asnjë kambanë”. Edhe revista “Nëntori” nr. 7, korrik 1978, që botoi vjershën e fundit të shkruar prej poetit nuk dha ndonjë njoftim. Historia e letërsisë dhe e artit njeh plot shembuj të tillë. Por ajo rezervon edhe vende në panteon për ata- siç shkruante poeti – “që duke u djegur vetë, të tjerëve u falin dritë dhe jetë”” . (Shih: Shtëmbari, Kristaq, “Udhëve të hapësirës letrare”- gjurmime, studime, kritika, Tiranë,Toena, 2002, f. 134). Duhej të kalonte një çerek shekulli e kusur (plot 27 vjet) heshtje, që poeti i dashurisë t’i thoshte lexuesit vlonjat dhe atij shqiptar: “Tungjatjeta dhe mirësejugjeta!” dhe ata, që aq shumë e kishin pritur, ta përshëndesnin gëzueshëm: ‘Tungjatjeta dhe mirësenaerdhe për fare!”. Është pikërisht viti 2005, kur Prof. Nasho Jorgaqi mbledh, redakton dhe boton në Tiranë librin antologjik “Këngët e Zamabares” me krijimtari të zgjedhur nga poezia, proza, kritika, interpretimi dhe menditaria e Nexhat Hakiut, me 431 faqe. Gjithashu, pjesë të zgjedhura poetike nga krijimtaria e tij janë botuar, përkatësisht: [Poezi] në “Rilindja demokratike”, Nr. 1156, 13 janar, 1996, f. 5; “Si u lidh, o kjo krushqi…”; “Nusja mbi govatë lante”, në “AKS”, Nr. 27, 8 korrik, 1995, f. 7; “Pëshpëritje vjeshte; Madrigal; Vitit të Ri; Stinët e tua” në “Revista letrare”, Nr. 9, 1998, f. 37 – 41; “Nusja mbi govatë lante : poezi” në “Gazeta shqiptare”, (“Milosao”, suplement), Nr. 4948, 6 qershor, 2010, f. XI. Vetëm duke studiuar bibliografinë e botimeve të tij, kuptojmë kontributin e dukshëm të këtij intelektuali vlonjat, që na sjell imazhin e kallirit të grurit me kokrrën e plotë e të pjekur, i pabujë, i heshtur, punëshumë e punëdobishëm për arsimin, për kulturën, për letërsinë dhe qytetërimin shqiptar. Botimi i nivelit akademik “Historia e Letërsisë Shqiptare…”, 1983, kur merr në shqyrtim poetët e prozatorët e brezit të viteve 30 dhe letërsinë e tyre të rrymës së realizmit kritik zbërthen dhe mendimin e përparuar demokratik të kohës. Dhe në vijim: “Me disa përjashtime (Bulka, Spasse, Shuteriqi, V. Kokona, N. Hakiu) shumica e shkrimtarëve të rinj të viteve 30 nuk arriti të dilte me përmbledhje të botuar në vëllime me vete. Në këtë mënyrë, krijimtaria letrare e këtyre autorëve mbeti e përhapur përgjithësisht nëpër organe të ndryshme shtypi ose nuk u botua”. (Shih: “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te LANÇ”, bot. i ASH së RPSSH, IGJL, Tiranë, 1983, f. 568). Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH) kemi këtë informacion telegrafik: “HAKIU, Nexhat (1917- 1978). Poet dhe publicist. Lindi në Vlorë ku kreu dhe shkollën e mesme tregtare. U diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut. Punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë. Drejtoi gazetën “Bashkimi i Kombit” (1943-44) dhe është ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Debutoi në letërsi që në v.’30 me vëllimet poetike “Këngët e zumbares” (1939), “Këngë gjaku” (1944) dhe duke bashkëpunuar në shtypin e kohës. Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët (1977). Poezitë e N.H përshkon nga notat lirike dhe fryma popullore”. (Shih: FESH, 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 3033, zëri përgat.: Nasho Jorgaqi. Ndërkohë që Profesori ka vlerësim mirënjohës, sepse e nxorri nga hiri emrin poetik dhe intelektual të Nexhat Hakiut me botimin e krijimtarisë së tij të zgjedhur, duke dhënë mesazhin kohës së sotme, se Nexhat Hakiu me poezinë e tij më të mirë na paraqitet një poet i ngrohtë lirik, këngëtar i dashurisë, i botës dhe i natyrës shqiptare. Botimi i plotë i veprës së shkruar, që na ka lënë trashëgim ky njeri i dashur, i ëmbël, artist, virtuoz dhe njerëzor, do të jetë plotësimi i detyrës ndaj Njeriut që detyrat ndaj nesh dhe emancipimit letrar dhe kulturor të Shqipërisë i kreu korrektësisht. Shumë nga vjershërimet e tij mbahen mend përmendësh nga vlonjatët e vjetër, disa prej tyre dhe janë këngëzuar, sidomos ‘Banushja”, apo dhe të tjera që këndohen lehtësisht si: “Më more…”, “O moj lule!”, “U bubu…”, “Trim, o trim…”, “Ku ta dijë e zeza grua”, ‘Bir, të keqen…”, “Ç’ka ky trim…” etj. Këto tekste qarkullonin gojë më gojë në mëhallat e në lagjet e qytetit dhe këndoheshin nga banorët, sidomos nga plakat apo dhe vashat e reja. Disa vjersha të tij, sidomos dy, ato me titull “Pëshpëritje vjershe” dhe “Kam një fjalë” djemtë (trimat e dashurisë) ua këndonin si serenada vajzave të bukura, sidomos netëve të ullinjta me kitarë e mandolinë, poshtë dritareve të së dashurave përkatëse të zemrave djaloshare, trimërore dhe për dashuri. Poezitë e tij të kënaqin me gjuhën e pastër, me vargun elegant, në stilin popullor, me fjalë të ëmbla, të dhembshura, të natyrshme, me melodi të ngrohta Vlore. Ja teksti i plotë i serenadës së parë: “Ja po piqet, mike rrushi/ Deg’ e pjeshkës më një thyhet,/ T’i ka zënë faqet pushi/ Edhe gjiri po të fryhet…/ Eja mike bashkë të bredhim,/ Erdhi koha që t’i mbledhim:/ Un’ i zgjedh, ti i këput/ Ca në dorë e ca në futë…/ Në se degat nuk arrin/ Do të kap, moj, mu në mes:/ Të të ngre, moj, mbi pëqin/ Me një zemër, me një shpresë./ Kokrrat fshehur nëpër fletë/ Hajt t’i mbledhim, më nuk rriten,/ Eja mike, se un’ vetë/ T’i këpus kam frik’ se vriten…!”. Lirika e Nexhat Hakiut vlerësohet shumë në Vlorë, mbas Kushtetutës Poetike që shpalli përjetësisht Ali Asllani. Ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të poetit, që përbëjnë lirikën e natyrës, atë qytetare dhe dashurore të Hakiut rrjedhin, siç e përcakton kritiku dhe studiuesi Rinush Idrizi, “në psikologjinë e fizionominë e vlonjatit e vlonjates dhe nga kjo pikëpamje, ai është një biografi e vendlindjes së tij. Poet social, ai është njëkohësisht dhe poet i portreteve” (Shih: Hakiu, Nexhat, “Këngët e Zambares”, Tiranë, 2005, f. 408). Robert Elsie, teksa e trajton me poetë të tjerë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët, në rrymat e letërsisë shqipe deri më 1944, pasi na jep profilin e V. Prennushit, L. Shantos, B. Palajt, Gj. Bubanit e A. Asllanit, shkruan: “Nga Vlora është poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), i njohur edhe si Nexhat Haki Mahmudi, autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane me titull “Këngët e zambares”, Tiranë 1939, një përmbledhje e ribotuar më pas me titullin “Zëri i fyellit”, Tiranë 1959. Më vonë, Hakiu, poezia e të cilit është me ndikim të fortë nga poezia gojore toske, botoi edhe vëllimin “Fjala ime”, Tiranë 1961, por pati sukses më pak” (Shih: Elsie, Robert: “Histori e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë – Pejë, dukagjini, 1997, f.326). Dhe kur shkruan për vërshimin e realizmit socialist, për letërsinë shqiptare të pasluftës deri më 1961, krahas mjaft figurave të shquara intelektuale shqiptare që u arratisën nga vendi qysh vjeshëtn e 1944-ës, si Ernest Koliqi, Mehdi e Mid’hat Frashëri, Karl Gurakuqi, Branko Merxhani, Tajar Zavalani etj., studiuesi i huaj e përmend emrin e poetit Nexhat Hakiu ndër 25 shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë, ndër ta Mitrush Kuteli, Petro Marko, Musine Kokalari, Andrea Varfi, Kudret Kokoshi, Mirash Ivanaj, Sejfulla Malëshova, Pashko Gjeçi, Jusuf Vrioni, Selman Riza, atë Donat Kurti, Dionis Bubani etj. që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore [LDB]. (Shih: Elsie, Robert: vep. e cit., f. 377-378). Emri i Nexhat Hakiut dallon në zenitin kulturor të mesit të viteve tridhejtë, si një nga pikat më të larta për fuqizimin e kulturës së shkruar në Shqipërinë e asaj kohe. Nexhat Hakiu, së bashku me Mitrush Kutelin, Vedat Kokonën dhe Sterjo Spassen themeluan në 15 shkurt 1944 revistën e përdyjavshme “Revista letrare”, e cila edhe pse qe afatshkurtër u paraqit me një staturë serioze dhe pati ndikim më peshë në kulturën shqiptare gjatë jetës së saj të shkurtër nëpër stuhi lufte. Studiuesi kosovar Isak Shema, gjatë trajtimit që i bën monografisë së Ilinden Spasses “Im atë, Sterjo!: përmes arkivit vetiak”, (me kujtime e biografi në formë letrare), Tiranë, 1995, ndër të tjera shkruan: “Katër shkrimtarë dhe miq të pandarë: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu dhe Sterjo Spasse, më 13 shkurt 1944 botuan numrin e parë të “Revistës letrare”. “Revista është themeluar nga katër të rinj…që patën kujdes të madh të vinin emrat e tyre në majë të fletushkës, nga frika se mos nuk binin mirë në sytë e leçitësit…”. Më 1944 doli nga shtypi edhe përmbledhja e novelave “Nusja pa duvak”, në të cilën, në mënyrë realiste është trajtuar tema sociale. Në rrethanat e ashpërsuara të zhvillimit ëtë luftës, Sterjo, si edhe disa shkrimtarë të tjerë, bashkëpunonin me “Revistën letrare”. Ajo ishte gëzimi dhe shqetësimi i tyre. Pas botimit të trembëdhjetë numrave, revista u ndërpre së botuari, sepse bëhej presion i madh ndaj anëtarëve të redaksisë. Nexhat Hakiu ishte në rrezik, sepse ndiqej në çdo hap. Mitrush Kuteli kishte ikur, sepse edhe ai ndiqej nga oficerët gjermanë, “për ta arrestuar për sabotimin e emisionit të monedhës së re kombëtare”. Nonda Bulka ishte…”. (Shih: Shema, Isak: “Vlerësime të Letërsisë Shqiptare”, Orishtinë, Rilindja, 1996, f. 103). Ky informacion, të nderuar lexues të gazetës sonë “Dielli” nuk ka nevojë për koment. Ai flet vetë. Nga ne vetëm duhet drejtkuptuar. Dhe më tej Profesor Shema vë në dukje: “Mbas luftës Sterjo takohet përsëri me shokët e tij në “Kasollen e xha Tomit” me fjalët “Fitore dhe Paqe”; “…u përshëndetën…Nexhati, Mitrushi, Nonda, Vedati, Petro Marko, Andrea Varfi, Manol Konomi, Peter Elezi, Mustafa Greblleshi, çunaku më i ri etj.” (Shih: Shema, Isak: vep. e cit., f.104). Më 1979 Sterjo u nda përgjithmonë nga dy shokët e tij të dashur: më 19 qershor vdiq Nexhat Hakiu [18.06. 1978- shën. im: A.H] dhe më 1 tetor Petër Elezi [1903-1979. P. E. qe veprimtar i arsimit kombëtar, autor tekstesh mësimor, gjurmues i folkorit dhe studiues i etnografisë shqiptare. Atje ku lindi, prehet, në Shelcan, Shpat të Elbasanit – shën. im: A. H] Pikëllimin e thellë Sterjo e ka shfaqur edhe në kujtimet që ka lënë në dorëshkrim”. (Po aty, f.112). Qoftë dhe nga kjo paraqitje fragmentare, kuptojmë që ata burra të lartë e të pashëm edhe nga bota e brendshme, i lidhte diçka më e madhe në Bërthamën e Molekulës së Kulturës Shqiptare: Dashuria për jetën, për atdheun, për diturinë dhe përparimin, humanizmi m edritë të ngrohtë. Ata ishin altruistë, idealist, dritanë të dijes. Ishin Njerëz. Ishin Artistë. Nexhat Hakiu ka kontribute edhe për bibliografinë e veprave dhe të studimeve të historisë së letërsisë, që është vertët e pasur. Siç theksojnë edhe studiuesit, kronologjia e hartimit dhe e botimit të doracakëve, e teksteve shkolloree universitare dhe e historive të letërsisë shqiptare, paraqet më së miri zigzaget e zhvillimit të historisë së letërsisë gjatë shekujve XIX dhe XX. Ecim në kohë dhe vijmë në LDB, për ngjarjet letrare- arsimore- kulturore që ndodhën. Nën kujdesin e Ernest Koliqit dhe Namik Resulit, në Tiranë, më 1941, doli nga shtypi “Shkrimtarët shqiptarë I” (1462-1878), dedikuar klasës së tretë e të katërt të kursit të lartë të shkollave të mesme. Bashkëautorë të këtij vëllimi kanë qenë: Aleksandër Xhuvani, Filip Fishta, Justin Rrota, Karl Gurakuqi, Lumo Skëndo, Namik Resuli, Rosalin Petrotta, Simon Shuteriqi dhe Zef Valentini. Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare që nga viti 1878-1943 është përfshirë në pjesën e dytë “Shkrimtarët shqiptarë”, 1943. Bashkëpunues të vëllimit të dytë janë Aleksandër Xhuvani, Andon Fashëri, Filip Fishta, Gjon Kasmi, Henrik Laçej, Justin Rrota, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Nexhat Haki, Rosalin Petrotta, Stefan Shundi, Sterjo Spasse, Vedat Kokona dhe Zef Valentini. “Një poet që mbeti deri në fund poet- e cilëson studiuesi Jorgaqi Nexhat Hakiun. Lirik në shpir, lirik në këngët që këndoi. Nga mesi i viteve 30, që mund të quhet vërtet kohë e artë për për shpërthimin dhe lulëzimin e letërsisë artistike shqiptare, edhe N. Hakiu e nisi rrugën e vjersëhrimit me një grup vjershëtorët të rinj, që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së L. Poradecit. Të gjithë pothuaj u bënë lasgushianë, epigonë e tij të tij dhe askush nuk arriti të krijojë individualitetin e vet. Epigoni (fjalë me burim nga greqishtja – epigonos – i lindur vonë) quhet në mënyrë përbuzëse ai që ndjek dhe imiton verbërisht një shkrimtar të njohur pararendës, përsërit në mënyrë mekanieidetë dhe mjetet e tij artistike. N. Hakiu nuk u bë epigon as i Lasgushit, as i Ali Asllanit, pati ndikim nga ata, por asnjëherë nuk i imitoi. Sa qe gjallë këndoi me zërin e tij nëpër blerimet e ëmbla të lirikave intime, të florës, të faunës, të fshatit, të qytetit. Edhe këngë liriko – epike bëri ai. Këndoi këngë atdhetare që u pëlqyen nga njerëzit. Qe i vetmi ndër shokët e grupmoshës së tij që fitoi emër në poezinë shqipe të kohës me zërin e tij norigjinal. Të paktët moshatarë me shekullin në Vlorë, Petrit Velaj dhe Shaban Xhyheri e kujtojnë me mallëngjim dhe nderim “Kingun e Tregtares”, që bashkë me Sh. Musarajn, P. Markon e A. Varfin, më pas, u bënë katër shkrimtarët e Vlorës me djep formimi të përbashkët Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë. Pas studimeve të larta në Institutin Teknik të Selanikut, N. Hakiu punoi si gazetar e më von si mësues i shkëlqyer i letërsisë në shkollat e Tiranës. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro- kulturore të kohës: “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj. Në vitet ’40 drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”. Përmbledhja e tij e parë me poezi “Këngët e zambares” 1939 vlerësohet si më e mira artistikisht. Libri me poema “Kënga e gjakut”, 1944 erdhi si një frymë antifashiste në formë artistike. Mbas çlirimit botoi disa thërrime letrare. Ai do t’i paguante kështu haraç të pamerituar një kohe në të cilën nuk u rreshtua asnjëherë si këngëtar i saj i vërtetë i angazhuar, i përkushtuar dhe militant, sikurse ishin disa autorë minorë bashkëkohës dhe “patriotë” të tij (me origjinë nga Vlora e Himara). Shpesh herë në Vlorë poezive të tij u thonë këngë e disa prej tyre marrin trajtën e romancave dashurore. Kënga e N. Hakiut frymëzohete buron në radhë të parë nga gazet e dertet e fshatit, të agjes , të mëhallës, të rrugicës, nga jeta zakonore. Ajo gurgullon si poezi e mirëfilltë dhe e pastër rustike (fshatare), plot kolorit e frymë fshatarake, brend asë cilës gjallojnë personazhe dhe ndihen shqetësime të kohës. Poeti shfrytëzoi në mënyrë krijuese modelet e lirikës popullore, sidomos të këngëve lirike të Labërisë. Disa nga vjershat e tij më të bukura morën trajtën e idileve (poemtha dashuror me subjekt baritor e fusharak ku paraqiten në mënyrë të idealizuar tablo e ngjarje nga jeta e njerëzve të thjeshtë që rrojnë në gjirin e natyrës, sidomos nga jeta e barinjve, mes fluturimesh romantike – shën. im: A.H). Idilet e Hakiut janë si llokume të spërkatura në lëng portokalli dhe pëlqehen edhe sot, fakt që tregon se i kanë qëndruar kohës, të rreptës kohë, e cila s’pyet për miq, por vetëm për vlera. Vjershat e tij të bëjnë për vete e të rrëmbejnë me hovet lirike dhe situatat psikologjike, me tonet optimiste dhe reflekset e gjalla njerëzore. Të gjitha këto përcillen me një shprehje spontane, varg të harmonishëm e gjuhë të rrjedhshme, që i bëjnë të denja për çdo antologji të poezisë shqipe. Sa qe gjallë e në këmbë, ai mblodhi, zgjodhi, përgatiti, përpiloi, pajisi me shënime e botoi autorët e shquar pararendës. Tradita duhet ta vijojë fisnikërisht stafetën. Kritikët, studiuesit e poetët e sotëm duhet të bëjnë me Nexhat Hakiun atë që ai bëri me Ali Asllanin. Vetëm kështu shkon haka tek i zoti, siç na kujton fjala e urtë. Edhe pse ai qe mendimtar i lartë e përkthyes i mirënjohur, edhe pse pena të spikatura të kritikës letrare shqiptare e klasifikojnë si njërin prej këngëtarëve më lirikë të poezisë shqipe në kapërcyell të shekullit XX, gjykoj se poezia e N. Hakiut nuk është majë, kodër është, një ndër kodrat e shumta të letrave shqipe, që duket në horizont që tej. Ai është një individualitet artistik i pakontestueshëm, por poet mesatar është Nexhat Hakiu. As vetë poeti ynë nuk do t’i duronte këto lëvdata që kërcasin, se s’i ka patur kurrë qejf fryrjet si kokoshi i vitit të ri. Po seç m’u kujtua biseda e famshme e Johann Peter Eckermann me gjeniun Johann Wolfgang von Goethe, kur Gëte, midis të tjerash, i thotë Ekermanit, se ai njeri që njeh nga letërsia gjermane vetëm tre-katër shkrimtarë të shquar të këtij kombi nuk ka aspak dijeni të plota për këtë letërsi. Dhe më tejpohon mendimin: “Në doni të jeni të drejtë, t’i jepni cilitdo vendin dhe vlerën që meriton, duhet më përpara të njihni mirë letërsinë tonë mesatare, që nuk është punë e paktë”. Ndaj m’u shpalos në kujtesë ky mendim i vyer i Gëtes, teksa po shkruaja këto radhë paharrimi për Nexhat Hakiun, që na ka dhuruar gjithë këto lule artistike të pavdekshme me “Këngët e zambares”, antologji e përzgjedhur nga krijimtaria e tij e paraçlirimit. Fillimet e botimeve të vjershave të para datojnë: “Trëndafili dhe konxhja” më 22 shkurt 1934 “Poetit dhe bilbilit”, 12 gusht 1934, “Çerdhe e shqipes më 28 Nëndor!” dhe “Mike t’iku lumturia” të dyja botuar më 28.11. 1934 dhe të gjitha sa shkruan në “Kuvendi kombëtar”. Gjatë vitit 1935 ka dhe dy vjersha botuar në “Kuvendi kombëtar”: “Fytyra jote!” më 10 maj dhe vjershën humoristike “Agaj qan hallet”, po aty më 11qershor 1935. Edhe pse në rrafshin patriotik më pak poezi ka shkruar, ato janë të mbushura me zjarrin e dashurisë si rilindasit për Shqipërsinë, me vargje origjinale, që i burojnë natyrshëm e pa sforco figuracioniste: “Er’ e ditës shkoi, fryn flladi atdhetar…/ Dhe në zemrën e arbneshkës futet plot me dashuri”. Vijon me vjershën tjetër patriotike “Si bien dëshmor burrat”, botuar te “Populli”, 8 tetor 1935, me lirikën e dhembshme e të gjatë “Shegertit”, “Illyria”, 2 nëntor 1935, me “Epopeja Kombëtare (1443-1912), i kushtohet kujtimit të Naim Frashërit”, botuar te “Populli” 28 Nnëtor 1935, që vjen si “një psherëtimë djalërie për KOSOV’ E ÇAMËRINË”; me dy vjersha të tjera “Plakut të Njëzetetetës”, botuar te “Illyria” më 28 Nëntor 1935 dhe “Rrapo qorrit…” po aty më 1shkurt 1936. Më tej autori boton te “Bota e re” nga ku do të veçoja “Vallja e kohës” dhe tingëllimën “Djepit”, kur dimë që tingëllimën apo sonetin pak autorë shqiptarë e kanë lëvruar si L. De Martino, Z. Serembe, E. Koliqi, me kryemajë Mjedën poemat sonetike “Lissus”, “Scodra”, e “Lirija”. Është peshë e rëndë artistike dhe teknikisht kërkon mjeshtëri të lartë soneti, se pastaj i qorton keq krijuesit Francesco Petrarca e William Shakespeare. N. Hakiu ka guxuar duke lënë një gjurmë të bukur e ndjesore të virgjër në shportën e paktë me yje tingëllimash shqiptare. Në vijim të krijimtarisë së tij poetike autor boton tek “Përpjekja shqiptare”, “Kombi”, përsëri te “Bota e Re”, te “Jeta e re”, “Diana”, “Shkëndija”, “Shkolla shqiptare”, “Vatra shqiptare”dhe “Revista letrare”. Është një vjerëshëz e ëmbël, qaj e qesh e qesh e qaj: “Vaj -me det çobankë, vaj! (në kadencë popullore)”që nuk duhet komentuar. Duhet shijuar po aq ëmbëlsisht sa ç’e ka thurur autori në hojet e shpirtit të zjarrtë romantik e sentimental. Na vjen çudi se asnjë studiues nuk e ka vështruar këtë poezi dhembshurisht të zjarrtë. Do ta sjellim siç e ka shkruar në original, sepse duke respektuar parimin fonetik, kuptojmë frymën popullore të autorit dhe burimin e frymëzimit të krijimit. Vjersha na vjen si një melodie ngrohtë Jugu. Edhe dhembje, edhe mall, edhe dert, edhe gaz, edhe gjëmë, edhe fat: “Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj/ Se kasollja ty t’u doq/ Se manarja ty t’u poq,/ Qaj çobankë, q ëtë qaj/ Se kjo bota qënka vaj!/ Moj e gjor’, çobankë e gjorë,/ Mbete moj me krrab’ në dorë/ T’iku syska me këmborë,/ Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj/ Se kjo bota qënka vaj!/ Kú- kú- kú, çobanë kú,/ Bú-bú stani seç t’u doq/ Pú-pú nëna seç t’u poq,/ Bú-bú-ú, çobankë, bú,/ Ku je ti, çobankë ku,/ Mbete qyqe dhe kërcu!/….Há-há-há, çobankë, há/ Qesh, çobankë e vogël, qesh/ Se ky trimi të pru desh,/ Qesh, çobankë, qesh, mos qaj,/ bota qënka gas e vaj/ Qesh, çobank’, që të mos qaj!”. Përdorimi i onomatopesë për të krijuar harmoninë imituese i jep forcë shprehëse vargut dhe ndez emocione mbresëlënëse. Kontributi i N. Hakiut, përveç se si poet, shfaqet edhe në kritikë, studime e gazetari letrare, në mësuesi, në shërbim të arsimit kombëtar dhe në fushën e vështrirë të përkthimeve. Nuk do të zgjatem shumë në prozën e tij, që e ka brilante dhe na duket sikur flet me shumë elokuencë, por dua të theksoj se N. Hakiu ka një skicë të veçantë “Shamisë”, që ai e quan vjershë në prozë. “Fshi lotët e mos u gris, moj shami!- shkruan autori në mbyllje të kësaj proze kaq të gjallë, që duket se ecën kundër rrymës, duke i thurur himn shaminë, kur dihet se kujt i kushtohen himnet, ato këngë solemne…Në një trajtë tjetër, vjershanë prozë “Shamisë” e N. Hakiut më bën të heq një paralele të largët me prozën poetike të Gorkit “Kënga e Zgalemit”: “…Mbi të thinjtin shesh të detit, era fryn e mblidhen retë…” (Megjithëse këto krijime të Gorkit janë vigane, të papërsëritshme, të paarritshme). Pena e mendjes së Nexhat Hakiut ka bërë edhe përkthime dinjitoze, duke na sjellë në shqip poezinë “Kau” të Giosuè Carduccit (nobelist i vitit 1906), novelën “Shkallët e lumit” të nobelistit indian Rabindranath Tagore, (1913) “Formaliteti” të Luigi Pirandelos (nobelisti italian i vitit 1934), prozën “Stania” të shkrimtares italaine Ada Negri, “Dialogu i fisnikërsië” nga Giuseppe Parinio, si dhe poezinë e Petrarkës “Kajsia” me një koment për këtë vjershëtë vogël me katër strofa katërvargjëshe, nëntërrokëshe, me rimë të kryqëzuar ABAB, krijuar nga një prej më të mëdhenjve të Rilindjes Europiane, Francesco Petrarca. Me vlera është dhe mendimi kritik i N. Hakiut për veprën “Folkor shqiptar”, vëll.I me autor Stavro Th. Frashëri, për librin me poema “Ngjyra të jetës”, shkruar nga Skënder Arrëza, studimin e gjatë dhe të arrirë “Naimi si poet i dashurisë”, “Shkrimtarët dhe populli”, “Libra që duhet”, “Shkrimtarët, frymëzimi dhe origjinaliteti”, sidomos “shkrimi “Talentet femërore”, me rastin e librit “Rreth vatrës” të Musine Kokalarit, botuar me pseudonimin Ali Dervella në “Bashkimi I Kombit” më 9 korrik 1944. Vlera të veçanta studimore përbëjnë punimi i gjatë “Komedia hyjnore – Ferri”. Ato nuk janë dy fjalë për përkthyesin e talentuar Pashko Gjeçi të kryeveprës së madhështorit Dante Aligeri; ato janë një skaner i plotë i kritikës letrare shumë i nevojshëm sidomos për brezate sotëm, sepse punime të tilla i ka zënë pluhuri i harresës egoiste të gjithologëve të shqyer që kemi në qarkullim. Unë kujtoj. Po kështu, një artikull i goditur, serioz dhe i punuar me përgjegjësi profesionale është “Natyra në poemën “Milosao”, që, si duket, aq shumë i shkon për shtat dhe natyrës së tij poetike, të dashuruar aq fort me natyrën shqiptare. Shkrimi “Poezi të zgjedhura (vëllim nga Ali Asllani)” u botua në revistën “Nëntori”, nr. 7, 1974, pas botimit antologjik të lirikut të madh vlonjat. Artikullshkruesi thekson se me krijimtarinë e Ali Asllanit letërsia shqiptare mori tipare të reja dhe e vlerson fuqinë poetike të tij, q ëka ditur të transfigurojë realitetin me një veshje artistike, me frymë popullore dhe kolorit shqiptar. Na tërheq vëmendjen vëmendjen largpamësia, dhe vizioni i Nexhat Hakiut, kur shkruan, ndër të tjera në revistën “Shkëndija”, nr. 2, gusht 1949: Pasi të kemi formuar SHKOLLËN FOLKORISTIKE SHQIPTARE, atëhere jemi të pregatitur edhe për agime të reja të Muzës së huaj, e cila do të na zgjerojë horizontin e ndjenjave e të mendimeve dhe do të na bëjë të kuptojmë shpirtin e botës” (Shih: Hakiu Nexhat: “Këngët e Zambares”, Tiranë, 2005, f.300). Për veprën e N. Hakiut kanë shkruar Jani Lili, (Malseni) [1939], Qemal Draçini, [1940], Mario Skanjeti, [1942], Dr. Kolë Ashta [1943], H.H (iniciale vetëm) [1944]…heshtje, heshtje dhe Rinush Idrizi [1993], Nasho Jorgaqi [1995], Tarik Llagani [1996], Perikli Jorgoni[1996], Kristaq Shtembari[1998], Albert Habazaj [2007] dhe Hiqmet Meçaj [2009]. Ai bëri shumë për ne. Ne pse kaq pak për të?! Më kujtohet një natë magjike detare e 28 Gushtit 2006. Me të paharruarit Koçi Petritin e Kristaq Shtëmbari. Poeti, kritiku dhe mikpritësi. Sot e kujtoj si ëndërr. Ruaj në shtëpi edhe fotografi dhe kemi një kujtim të bukur, të papërsëritshëm: E gdhimë thuajse tërë natën me yje duke folur me zjarr e respekt për letërsinë, sidomos për korifejtë e traditës nga Vlora. Ju vlonjatët duhet ta mbani kokën lart, sipër te Çika, sidomos me shkrimtarët që keni nxjerrë: Ali Asllanin, Petro Markon, Nexhat Hakiun… Ju, ose s’i njhni, ose s’doni t’i njihni, ose s’dini t’i njihni. Vetëm Nexhat Hakiu është një ajsberg. Poezitë e Nexhat Hakiut, fliste me zjarr Profesor Kristaqi jan ësi buqeta lulesh shumë ngjyrëshe dhe erëmira, që të japin kënaqësi me freskinë dhe njomësinë e tyre. Vokacionet e vjershërimit të atij vlonjati dallohen që përtej nga ëmëblsia, natyrshmëria e ndjeshmëria emocionale që na përcjellin ne si lexues. Po të lexojmë, më mirë të këndojmë “Këngët e zambares” na duket se n ashfaqet parasyve një tablo sie punuar me akuarel, që na ngjallimazhet për natyrën dhe njeriun e thjeshtë. Dhe biseda mori zjarr nga mirësia e ëmbël e profesor Koçiut apo dhe detajet që dija unë. Dhe pimë raki rrushi shoqëruar me meze sinqeriteti. E mali na hidhte fllad. E deti na niste valë. Formohej një iso e magjishme sikur dilte nga Epi i Gilgameshit, nga Këngët e Kreshnikëve apo Labërishtja shumëzërëshe, e shtruar labçe, vënçe, himarioçe, që pastaj ndizet e s’ka zjarrfikëse ta shuaj… Në fakt ajo harmoni krijohej nga Akrokeraunet pellazgjiko-ilirike, që janë, ja këtu, sipër, mbi ballë të Vlorës. Me nderim u këndon edhe Homeri vargmaleve të Vetëtimës – Akrokerauneve… E…
Dy fjalë për vëllimin me poezi të zgjedhura “Këngët e zambares” të Nexhat Hakiut: Më kujtohet, ka qenë mesdita e së martës së datës 21 mars 2006, kur në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” të Vlorës me forcat krijuese të qytetit përuruam botimin e veprës së zgjedhur të poetit Nexhat Hakiu, i cili, ka qenë edhe një nga themeluesit e Bibliotekës së qytetit të Vlorës. Diskutuam për krijimtarinë e zgjedhur të poetit të ëmbël të Vlorës, mbledhur dhe redaktuar nga Prof. Nasho Jorgaqi, botuar në librin me titull “Këngët e Zamabres”. Edhe unë mbajta një kumtesë të shkurtër, në të cilën i quajta poezitë e Nexhat Hakiut Manifest në Shërbim të Dashurisë. Sot kujtoj, se pikërisht dje Nexhat Hakiu kishte 98 vjetorin e lindjes, ndërkohë që pikërisht në qershor, data 18, 37 vjet më parë, iku të prehet në heshtjen hyjnore 61 – vjecari i përjetshëm Nexhat Haki Mahmudi. Fatmirësia jonë është sot ky nderim i merituar që i bëjmë një pinjolli të kulturës kombëtare, që shkëlqeu për mendimin e tij brilant, human e të emancipuar. Emri i Nexhat Hakiut i bën mirë Vlorës në ballafaqimin që vendlindja e tij dhe e jona bën me djepet e tjera qytetare të Atdheut, siç janë për kohën: Korça, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra etj. Vepra e Nexhat Hakiut është një manifest bukurisht origjinal i lirikës dashurore vlonjate, ku ai shpall mesazhet, synimet poetike, shenjtërimin shpirtëror të vargut të lulëzuar, vlerat artistike, estetike, etike dhe humane të krijimtarisë së tij që e ngrenë veprën e këtij dashnori të penës së ëmbël në nivel kombëtar. Ne jemi me fat që kemi në dorë veprën e tij të zgjedhur me emrin kuptimplotë e të veçantë, labëror: “Këngët e zambares”. Liriku ynë mendjehollë qe me fat, se pati profesor Ernest Koliqin dhe Skënder Luarasin, të birin e Petro Ninit. Përsëri qe me fat sepse nuk e shpërdoroi këtë mundësi që iu dha. Ai shfaqet si një zë i dëgjuar në vitet ’30 dhe gjysmën e parë të viteve ’40 në shekullin e kaluar. Bashkëkohës i Petro Markos, Migjenit, Musarajt, Shuteriqit, Andrea Varfit, Branko Merxhanit, Krist Malokit, Nonda Bulkës, Vedat Kokonës, Sterjo Spasses, Lumo Skëndos, etj., ai bëhet krijues i angazhuar i këtij ansambli të zgjedhur dijetarësh. Shfaqet në disa plane me talentin e tij mendimtar.Veçojmë katër: I) Poezinë me sheqer për ndjenjën e hollë dashurinë dhe vargjet me kripë për ndjenjën e lartë, atdhetarizmin. II) Prozën e këndshme me skica, tregime e novelëza sentimentale. III) Mendimin kritik të vyer e të emancipuar si dhe IV (përkthimet dinjitoze që u ka bërë F. Petrarkës së madh, Pirandelos e Cardduccit, Giusepe Parinios e Ada Negrit,Tagores së papërsëritshëm të Indisë e mjaft penave të shquara të letërsisë botërore. Ai qe studiues e mësues i talentuar, një pedagog i klasit të lartë për t’u marrë shembull, sidomos me botimet e tij pedagogjike. Por së pari e mbi të gjitha ai qe poeti, liriku. Tok me Lasgushin, Ali Asllanin, Mitrush Kutelin çelën shkollën letrare të kohës me individualitete. Të veçantë, origjinalë, të talentuar. Me “Këngët e Zambares” ai shfaqet si emblemë lirike e Vlorës epike, sepse e ka spërkatur me sherbet trëndafili vendlindjen e bëmave të mëdha. Nexhat Hakiu është autor antologjik. Këtë e them me plot gojën, sepse emrin e tij e kam lexuar dhe te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” dhe tek “Histori e letërsisë shqiptare” të Robert Elsie: Nexhat Hakiu (3.12.1917 – 8. 6. 1968). Poet i lidhur shumë me frymëzimin popullor; poezia e tij është freskët, ka botuar këto vëllime me poezi “Këngët e Zambares”, Tiranë 1939; “Zëri i fyellit”, Tiranë 1959; “Fjala ime”, Tiranë 1961. Bashkë me M. Kutelin, S. Spassen dhe V. Kokonën ka botuar “Revistën Letrare” që në shkurt 1994. Ka punuar si gazetar dhe arsimtar. Figurë kryesore në letrat shqiptare, antar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, së ngritur më 07. 10. 1945 nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës, pati ndikim me peshë në kulturën e kohës. Poezia e tij e gjallë, spontane është e guximshme në vërtetësinë e shijshme me të cilën këndon autori. Duke kënduar me melodinë e këngëve popullore qytetare vlonjate, të shtatë strofat e “Banushes”, që s’donim të mbaronin kurrë as atë natë vere të grohtë të gushtit 2005, kur profesor Kristaq Shtëmbari vinte për herë të parë mik në shtëpinë time, në Ujë të Ftohtë. Duke biseduar në ballkon, ai më tha: “More, Berti! Jo vetëm “Banushja” po gjithë “Këngët e zambares” të vlonjatit tuaj dhe mikut tim janë me yndyrë. Poezi me yndyre të shëndetshme dhe të freskëta si ëndrrat e çupave labe, vargje ilaçi që të bëjnë mirë t’i dish e t’i këndosh”. Dhe unë mendoja gëzueshëm: “Lumthi ti, o xha Nexhat, që t’i ka mësuar përmendesh vjershat Vlora. Lum si ti që ike si një stuhi dashurie e vjen sot si mal i trishtuar me profil të ndezur lirik. Dritë paç ku prehesh mbuluar me ëndrra! “Nëno shpirti, nëno xhani/ M’u zvogëlua xhamadani/ Edhe linja m’u shkurtua/ Nëno gazi sa të dua!/ Mu fry gjiri, shpejt u zgjata,/ Po më ndjek një trim nga prapa/ Po më ndjek se u zu malli/ Për gërshetat vijë mali./ …E kur në shtëpi po via/ Prap-Banushe! – thirri trimi/ M’u te brodha ra shamia/ Ra dhe shtëma nga nxitimi!…”. Ja vargje të tilla mbushur me mjalt dashurie këndon Vlora dhe Labëria jonë nëpër dasma e gëzime dhe nuk harrojmë asnjëherë që është pikërisht Nexhat Hakiu majaja e këtye brilantinave që bota e qeshur e gëzimit i shikon me një zili të admirueshme.
Ne Foto:Drejtuesit e Revistes: Nexhat Hakiu, Sterjo Spase, Vedat Kokona dhe Mitrush Kuteli
ARMENI NE RRUGEN E DRITES
Nga MSc. Albert HABAZAJ/ studiues/
Shpresim Besim Kasaj ka botuar një monografi me titullin “Armeni në rrugën e dritës”, që rrok ngjarje, persona, zhvillime, ulje e ngritje, duke eksploruar në një shtresë kohore treshekullore: 1700-2000. Në atë libër trajton çështje të arsimit, të histories të vendlindjes së tij, Armenit të njohur deri në shkallë kombëtare gjithmonë me një prerje – në rrugën e dritës. Shkruan për mësues dhe biografi personale e kolektive të atyre që kanë kontribute për edukimin dhe arsimimin e bijve dhe bijave armenase apo dhe të atyre djemve dhe vajzave të Armenit që kanë dritëruar jashtë fshatit të tyre. Ai libër është botuar në vitin 2011 dhe është mirëpritur nga lexuesi i kulturuar vlonjat, nga mësuesit dhe veprimtarët shoqërorë. Është pëlqyer nga njerëzit që merren me libra, sepse Shpresim Kasaj të vërtetën e sheh në sy dhe me vërtetësi ua lë brezave të saktë, si pasuri e kujtesës kolektive për komunitetin e Armenit. Pas katër vjetësh, po ky autor, më i vëmendshëm, më i plotësuar, me sedër atdhetare e ndershmëri profesionale korrekte na vjen me
një monografi të re, titulluar “Vlera historiko-kulturore të Armenit dhe krahinës sonë”. Në këtë libër, diapazoni tematik ka shtrirje në gjerësi dhe në thellësi dhe vjen si një prurje e freskët e publicistikës historiko-kulturore. Në fushën e publicistikës lokale është një kontribut me vlerë, sepse vendos një gur të fortë e qosheli në murin e ndërtesës historiografike të krahinës së Lumit të Vlorës, në Labëri e në Vlorë. Falë intuitës si mësues, autori e paraqet këtë libër në trajtën e një mozaiku të përzgjedhur historik, si një tufëz shumëngjyrëshe kulturore, të cilat i shijon me ëndje, pa u shqetësuar, pa u bezdisur nga stërgjatjet e lodhura e të padobishme. Ky është një libër që të rrëmben, të bën për vete e s’do të shkëputesh nga ai. Si duket, kjo ndodh se Shpresim B. Kasaj bën libra me dashuri dhe vërtetësi për historinë e vendlindjes. Tërësia e shkrimeve të mbledhura e të botuara në këtë monografi nga autori më krijojnë imazhin e të gjitha luleve të një kopshti, të të gjithave; më ngjajnë shkrimet e Shpresimit si flora e pasur e Armenit në trajtë ngjarjesh dhe njerëzish, me fatet dhe antifatet e tyre. Materiali na vjen vërtet si tërësi shkrimesh, por në rrafshin e trajtimit, autori është treguar mjeshtër racional i studimit të çështjes dhe i paraqitjes së
saj, jo në përgjithësi, jo në vija të trasha, por, fatmirësisht, si thotë një fjalë e urtë “e ka grirë hollë” trajtesën, që lexuesi ta shijojë atë, mos ta flakë tutje. Si në një operacion, ku mjeku duhet të jetë i përqëndruar dhe maksimalisht i kujdesshëm për ndërhyrjet e imta mini milimetrike, edhe monografisht Kasaj ka studiuar e ka përmbledhur për botim substanciale e figurës apo të ngjarjes historike e jetësore, në detaj, pa përsëritur ç’kanë shkruar të tjerët dhe, mundësisht, duke na dhënë informacione historiko-kulturore të paditura më parë nga publiku libra lexues. Është e veçantë dhe meritë e autorit, që, për penën e tij, të gjithë i ka njësoj, të gjithë i ka të barabartë, sepse ai i falet vetëm vërtetësisë, sepse, edhe sipas tij, vetëm e vërteta na përmirëson duke e parë e duke e thënë atë në sy, pa e trishtuar shikimin e qartë, por me moral burri e dashamirësi qytetari, sepse motivi i botimeve të tij është edukimi që jep një nga korifejtë antologjikë të mendimit shqiptar, Mithat Frashëri (25.03.1880 – 3.10.1949) kur dëshiron, që të përpiqemi për moralizimin dhe përparimin e popullit, se vajtimi nuk hyn në punë, se sjell dëshpërimin
e fatalizmit, prandaj të përmirësohemi duke përparuar. Nuk kam ndërmend të bëj analizën e librit, as komente të artikujve të veçantë, qofshin ata nga më mbresëlënësit përmua (jo thjesht si lexues), por dua të shprehem që, tërësia e shkrimeve që trajtojnë çështjet historiko-kulturore apo
edhe politiko-kulturore, të cilat kanë të bëjnë me Armenin dhe armenasit, kanë rënë në dorë të sigurt për të patur jetëgjatësi lexueshmërie. Janë me fat për sot e për nesër, sepse autori i tyre ka qenë me fat dhe është, nuk ia ka mbyllur derën fatit asnjëherë, përherë ia ka hapur, në dimër e në pranverë. Së pari, ai vjen nga një gjak fisnik, me rrënjë e degë atdhetare, nga një fshat me emër kombëtar, Armeni i tij, që ka shenja të qytetërimit 3500-vjeçar ka nxjerrë figura historike të nivelit kombëtar, si Osmën Haxhi Muhameti apo Osmën Nuri, si flitej në popull, i cili qe edhe
kryetar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Epopesë Termopiliane të Njëzetës, një patriot i kulluar, që autori e përshkruan me koherencë shkencore dhe emocion të motivuar në shkrimet e këtij libri. Armeni i tij ka nxjerrë një nga 12 viganët e Luftës Skënderbejane të Vlorës, Sali
Bedinin, anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, e burrë gjykimi. Në rrjedhat e kohës, ka nxjerrë emra të dëgjuar për arsim e atdhe, që i dhanë emër në histori Armenit, prandaj autori shkruan përherë me dashuri për vendlindjen e tij. Ai krenohet me të parët e tij, por nuk mburret. Refat Ali Kasaj është një dekoratë morale e gjakut të Shpresimit, e fisit të tij, e fshatit të tij, prandaj ai shkruan me nderim për të, por pa e tepruar. Shpresim Bekimi ka patur dhe disa fate
të tjera, që i ka përdorur dobishëm, nuk i ka shpërdoruar. Nga bisedat me të, por edhe nga libri vërejmë adhurimin e tij për dijet e thella të profesorit të tij të gjimnazit Tanush Frashëri poliglot i madh me shpirt të gjerë, nga i cili Sh. Kasaj ka mësuar shumë, duke i vënë në jetë ato mësime të
vyera diturore qytetare. Një fat tjetër i Shpresimit është se, gjatë asaj kohe me furtunë e me lule, Instituti i Gjuhësisë, me burra të mëdhenj si Androkli Kostallari etj., u bë bërthama diellore që emetonte rreze për etnografinë, për fjalët e rralla, për folklorin, për Floririn e Shpirtit Popullor
anembanë Shqipërisë. Mësuesi Shpresim Kasaj ishte njëri nga ata dritanë të palodhur, të përkushtuar me shpirt e të pajisur me dijet e duhura për të bërë ekspedita vetjake, apo për të drejtuar ekspedita kolektive për mbledhjen e njësive gjuhësore, etnografike e folklorike, sipas kritereve shkencore të kohës. Duke qenë pjesë e shoqërisë elitare të arsimit dhe të kulturës, jo vetëm në Armen, por në rrethin e Vlorës, Shpresim Kasaj ka kontribute konkrete për
etnokulturën e krahinës e më gjerë. Shkrimi “Historia e një kënge (Xinxërfilja e Armenit) është modeli i duhur për një studiues të folklorit në aspektin metodologjik të punës në terren me variantet. Ndërkohë, në kushtet e reja, të shoqërisë së erës demokratike, Shpresim Kasaj u integrua në rrjedhën e kulluar të saj, atje ku kontributet e tij peshonin e peshojnë për edukimin atdhetar e kulturor të njerëzve e sidomos të brezave. Si veprimtar i dalluar shoqëror ai shquhet
ndër të tjerë dhe zgjidhet kryetar i shoqatës Atdhetare -Kulturore “Armeni”, në krye të së cilës realizon veprimtari cilësore në funksion të edukimit atdhetar dhe nderimit të figurave historike. Ai vlerëson shqiptarët, që mendojnë e veprojnë si shqiptarë e për Shqipëri, pa pyetur shumë
shohin majtas apo mbajnë djathtas, janë ballistë apo janë komunistë. Për këtë qëndrim korrekt e burrëror, Shpresim Kasaj është zgjedhur edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare -Kulturore “Labëria”, Vlorë e për këto vlera qe edhe delegat i Vlorës, bashkë me përfaqësues të
tjerë të Labërisë së Vlorës në Kuvendin e Pestë Kombëtar të Shoqatës Kulturore-Atdhetare “Labëria”, Maj 2014. Edhe në shkrimet e botuara në këtë libër të ri, që kemi në dorë, bie në sy këndvështrimi i autorit veprimtar për të ngritur në një shkallë më të lartë ndjenjën atdhetare të Armenasve në veçanti e të labëve të Vlorës në tërësi, për të forcuar unitetin midis njëri-tjetrit brenda fshatit e me fshatrat e tjerë, me të cilët na bashkon Labëria, Vlora, Kombi jo ca me sy të kuq e ca me sy të zinj, ca me sy të larmë e ca me sy blu. Duhen parë me syrin e vëllait të mirë – duket sikur na thonë shkrimet e Shpresimit sepse vëllai që të do ta thotë të mirën apo të keqen në sy, që të mos na rritet mendja e të na marrë lumi pastaj…
Harmonizimi i kriterit tematik me rendin kronologjik brenda hierarkisë shkrimore, e bën më serioz e të pranueshëm librin dhe premton për punime më të specializuara në fushën e historiografisë së Armenit nga autori. Dhe gjykoj se askush tjetër më saktë se Shpresimi nuk mund ta bëjë këtë vepër me rëndësi për historinë lokale, për të plotësuar faqe të munguara në historinë kombëtare, të panjohura më parë apo të shkruara bardh e zi. Duhen përdorur të gjitha
shkronjat, të gjitha ngjyrat të pasqyrojnë realitetin siç ka ndodhur, personazhet siç kanë qenë, me plus minuset e tyre, edhe me vijën e drejtë, edhe me zigzaket e jetës. Synimi është përmirësimi duke përparuar. Jo vetëm shkrimet historike apo kulturore-sportive, shkrimet nga
aktualiteti për armenasit dhe Armenin, po patjetër edhe katër homazhet, por edhe ato për Daut Seferin e Vranishtin, për Balil Pelarin e Dukatin, për Gani Iliazin e Tërbaçin, për Ahmet Lepenicën, dhe Lepenicën, për Qazim Koculin dhe kombin, për Zeqir Gjikondin, për Enver Memishën, për Bardhosh Gaçen e figura të njohura të botës së sotme kulturore janë frymëmarrje e vërtetësisë historike, që na shëndoshin qytetarisht, por sidomos dy tufa me lule të freskëta që vijnë në kapitullin e dytë “Shkrime për partizanë e dëshmorë” dhe “Shkrime për ballistë e nacionalistë”, në kapitullin e tretë janë një qetësim i pastër shpirtëror përkundrejt shqiptarëve të mirë, patriotë, të pafajshëm, me kontribute. Harrojmë ndoshta që njeriu është si deti. Sidomos për këtë çështje eksploron thellë në psikikën e banorit lab e del në përgjithësime për psikologjinë shqiptare të kohës, aq kthjellët autori Shpresim Kasaj në monografinë që po boton. Ky libër është edhe një zbukurim moral, që rrit më tepër dobinë e penës së autorit në komunitet.
Vlorë, 29.05.2015
Eqerem bej Vlora, aristokrati i publicistikës
VEPRA KUJTIMORE E INTELEKTUALIT TË NJOHUR, KONTRIBUT NË PUBLICISTIKËN LETRARE/
Nga MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/
Eqerem bej Vlora, në këndvështrimin tonë, është një figurë e mirëfilltë intelektuale, me kulturë të plotë perëndimore për kohën dhe matanë saj. Ai radhitet ndër emrat e dalluar të publicistikës letrare, ndërkohë, që si figurë historike është mjaft komplekse, me ulje – ngritje e me dritë hije të dukshme. Trajtimi historik i figurës së tij u takon historianëve dhe nuk është objekt i këtij punimi. Objekt i këtij shkrimi është vetëm publicistika e Eqerem bej Vlorës. Kulturologu Ndriçim Kulla e ka përfshirë publicistin aristokrat në veprën madhore “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar” (shih: vep. cit., vëll. 1 (1807 – 1927), Tiranë, Plejad, 2014, f. 557 – 585), duke e përfaqësuar me 9 shkrime të zgjedhura: “Fjalët e një ministri”, “Parahistoria e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, “Vitet pas shpalljes së Pavarësisë”, “Vitet 1920 deri 1923”, “Tetë muaj nëpër Evropë”, “Fan Noli”, “Beu i fundit”, “Përse unë nuk desha?” dhe “Shtëpitë e mëdha”. Pa u futur në jetëshkrimin e tij, gjykojmë të njohim lexuesin e “Tirana Observer” me zërin e tij përgatitur nga historiani Prof. Viron Koka për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH): “Veprimtar politik, diplomat. Lindi në Vlorë [1. 12. 1885, një variant tjetër shënon 21. 02. 1885 – shën. im: A. H]. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë u bashkua me xhaxhanë e tij Ismail Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Me Shpalljen e Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Gjatë LPB [Luftës së Parë Botërore – shën. im: A. H] u arrestua nga italianët, por më pas ishte një nga përkrahësit kryesorë të mbështetjes tek Italia. Deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese të v. 1924. Në 1925 u bë senator. Shërbeu në misione të ndryshme diplomatike. Në v. 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e më 1930 në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (1933). Deputet i Vlorës (1937). E.V [Eqrem Vlora – shën. im: A. H] e mbështeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Më 1942 u emërua ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish – Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore). Në kabinetin e Fiqri Dines (1944) kishte postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Pas LDB [Luftës II Botërore – shën. im: A. H] emigroi në Itali e më pas në Austri. E.V. ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore dhe etnografike, si “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar”), “Lebenserinnerungen” I, II, Munih 1968, 1973 (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001, “Mbi historinë e bujqësisë shqiptare” etj. Vdiq në Austri [Vjenë, 25 Maj 1964 – shën. im: A.H] (Shih FESH, 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2899). Pra, Eqrem Beu evidentohet siç ishte shfaqur: edhe si veprimtar i çështjes shqiptare, edhe si bashkëpunëtor i pushtuesit, për mbrojtjen e interesave të tij. Ai prezantohet erudit, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. I emëruar Beu i fundit, megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, përçoi tek bashkëkohësit dhe më pas tek lexuesit një nga mendtarët më të hollë të breznisë së tij. Pa u marrë më tepër me jetëshkrimin e tij, duhet shënuar se ishte bir i Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit, pra rridhe nga një prej familjeve më të pasura të Shqipërisë së deri asaj kohe. Nuk do të ndalojmë tek periudha e errët e pushtimit italian dhe veprimtaria e tij politike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, kuptohet, as te përndjekja e familjes dhe pronat, as tek titujt dhe nderimet shkencore që ka marrë.
Biblioteka dhe koleksioni arkeologjik
Meraku më i madh i Eqrem Beut, pas familjes qe biblioteka e Vlorajve, e cila ishte një nga bibliotekat private më të pasura të parakomunizmit, jo vetëm në Shqipëri. Biblioteka e Vlorajve ishte ndër më të njohurat edhe në Ballkan. Eqrem beu i përmend vleftën tek “Kujtimet” dhe e qan shpesh si nuk mundej t’ia shfrytëzonte burimet që ishin mbledhur ndër breznitë e Vlorajve që i dhanë rëndësi, nga vetë Eqremi me të atin, Syrja beun. Më 1812, vëllimet ishin diku tek shifra 5200 , pas gati një shekulli, më 1914 librat në bibliotekën e bejlerëve qenë 14640 vëllime; 2000 nga të këta vëllime me rëndësi të posaçme për fusha të ndryshme studimore të cilave do t’i shërbenin shumë. Ajo ndoqi fatin e bibliotekave simotra të Mit’hat bej Frashërit dhe të Lef Nosit duke u “shtetëzuar”, e brendësuar në Bibliotekën Kombëtare. Me t’u hapur Biblioteka “Shevqet Musaraj”, kishte të regjistruar në fondin e saj themelor bibliotekën private të Vlorajve. Përveç se fondit të Vlorajve, biblioteka e qytetit të Vlorës do vendosej po ashtu në shtëpinë e Eqrem beut mbas vitit 1974. Më 1924 në Apolloni nisën gërmimet arkeologjike të misionit të Leon Rey. Me zbulimet që u bënë, lindi nevoja të vendohej diku koleksioni arkeologjik i mbledhur gjer atëherë në ndërtesën e parë qeveritare, ku Eqremi dha shumë nga gjërat e zbuluara nga fshatarët ndër pronat e Vlorajve. Dëshmi për kujdesin që tregonte Beu për zbulimet vijnë edhe nga konti Ugolini, duke pasë mbledhur edhe në shtëpinë e tyre një sasi të çmuar sendesh e antikuaresh, të cilat arkeologu i kishte parë, ndërkohë që bujtte në shtëpinë e bejlerëve gjatë Lëvizjes së Qershorit, 1924.
Botimet. Si njeri i penës, Eqerem bej Vlora, siç dhe e shkruam më parë, përmendet për monografinë e tij “Aus Berat und vom Tomor: Tagebuchblätter” – (“Nga Berat dhe Tomori: Faqe të një Ditari”), Instituti i Studimeve Ballkanike – Sarajevë – Gjermanisht 1909, 1910, “E vërteta mbi politikën e Xhonturqve në Shqipëri”, Vjenë, Gjermanisht. Nga albanalogu gjerman Johann Georg von Hahn (1811 – 1869), që njihet si themelues i studimeve shqiptare, ka përkthyer veprën “Shënime përmbi shkrimin e vjetër Pellazgjik” më 1910 në Stamboll, që u shkëput nga “Albanesische Studien” /Studimet Shqiptare, botuar që më 1854. Eqrem beu shkruan tek “Shêjzat” e Koliqit artikuj me vlerë historike, juridike e folkloristike me trajtesa mbi të drejtën zakonore të Labërisë dhe kalasë së Kaninës; “Forca e Popullit Shqiptar”, (Enciklopedia e Akademisë Diplomatike) Paris, frëngjisht; 1956 dhe në veçanti, “KUJTIMET” e tij në dy vëllime në gjuhën gjermane që ia kishte caktuar dr. Bernath i Institutit “Südost” të Mynihut, botuar pas vdekjes me titullin “Lebenserinnerungen” (“Kujtime”), Mynih 1968, 1973. Ky punim jep një pasqyrë interesante në botën e një fisniku shqiptar të fillim shekullit të XX. Janë përkthyer në gjuhën shqipe “Kujtime 1885-1925”, Tiranë 2002, dhe në turqisht “Osmanli Arnavutluk’undan anilar, 1885-1912” (“Shënime nga Shqipëria otomane, 1885-1912”), Stamboll 2006. Kemi Dorëshkrimin monumental të tij të daktilografuar në 1200 faqe në bashkëpunim me Baroneshën von Godin “Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: Skizze eine historische” përkthyer nga Afrim Koçi nën titullin “Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike” në dy vëllime nga shtëpia botuese “55”, Tiranë 2010.
“Kujtimet” – kryevepra e publicistit aristokrat
Libri voluminoz nis me shënimin e Beut: “Gruas, si dhe dy vajzave të mia, që jetojnë larg, me dashuri dhe përkushtim të veçantë. Romë, 1963”. Në Shqipëri bëri bujë ribotimi i “Kujtimeve” dhe dëshmive të rralla të Eqrem Bej Vlorës nga shtëpia botuese IDK, përmbledhur në 618 faqe, pas goxha mungese në tregun e librit. Këto kujtime, të cilësuara si një nga librat më interesantë për historinë e Shqipërisë të botuar gjatë kohëve të fundit u pranuan nga opinioni i kritikës dhe lexuesit elitarë, se ishin një rrëfim i munguar, një tregim sa historik aq emocional, ku ndihen drithërimat e jetës së trazuar të një njeriu, të syrgjynosur diku larg në mërgim dhe që i vihet punës për të ndërtuar tablo, fytyra, emocione dhe ngjarje të së shkuarës së tij. “Një libër magjepsës! Një nga dëshmitë më interesante për këdo që dëshiron të njohë të shkuarën tonë, atë çka s’e gjen dot në librat e historisë dhe që të ndihmon të kuptosh shumëçka sot në kundërshtitë e dritëhijeve të jetës shqiptare”, – shkruan në parathënien e librit studiuesi Pirro Misha. Sipas tij, kjo vepër do të hyjë në fondin e artë të letrave shqipe, duke shtuar në këtë fond diçka që na mungonte. “Duke qenë se kujtimet janë shkruar nga një pinjoll i një prej familjeve të mëdha të Shqipërisë e të Perandorisë Otomane, një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, me një ndjeshmëri që e bën të tingëllojë aq modern, Eqrem Bej Vlora na ka dhënë një ndër dëshmitë më interesante për një nga periudhat më të trazuara të historisë sonë”, – thekson studiuesi. Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës përcjellin në ditët tona dëshmi dramatike të përmbysjes së madhe të një perandorie, çka shënoi fillimin e dhimbshëm e kaotik të transformimit të shqiptarëve dhe, njëkohësisht, të lindjes së Shqipërisë moderne. Studiuesi Misha nënvizon më tej në parathënien e librit se kujtimet e Eqrem Bej Vlorës janë dëshmi dramatike e shembjes së një bote të tërë, dhe në këtë kontekst citon Eqrem Bej Vlorën që shkruante “një botë merr me vete teposhtë ata, që deri atëherë qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë, duke i “humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë”, që kupton pashmangshmërinë e ndryshimeve, dhe i përjeton ato si një dramë personale…
Është një fakt interesant. Në librin e studiuesit të njohur Robert Elsie, shfletoj, ndër faqet e periudhës së Rilindjes, letërsinë e zgjimit kombëtar shqiptar dhe ndaloj tek përpjekjet për shkollën. Jemi në situatën, kur Porta e Lartë e shihte arsimin dhe librat në gjuhën shqipe si veprimtari subversive dhe e gjykonte të arsyeshme të ndalonte të gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur kësisoj vendin në padije e errësirë të thellë. Edhe në shekullin e njëzetë madje, autoritetet osmane shpesh shkonin aq larg sa t’u hapnin njerëzve çantat dhe korrespodencën e të bastisnin shtëpitë për të gjetur gjësendi të shkruar shqip. “Publicisti aristoktrat Eqrem bej Vlora – shkruan Elsie – njofton për një bastisje të tillë shtëpie në prill 1903: “Nuk doli gjë e madhe. U gjet një kartolinë e shkruar shqip në një fustan gruaje. Ky zbulim tronditës shkaktoi syrgjynosjen dhe burgimi e tetëdhjetë zotërinjve nga krahina e Vlorës”. (shih: Elsie, Robert, “Historia e Letërsisë Shqiptare”, 1997, f. 208.). Njoftim lakonik, tronditës, tërë fodullëk, therës në ironinë e tij ndaj sejmenëve të Perandorisë gërdallë në ngordhje, dhe, njëkohësisht i lartë për krenarinë e tij shqiptare. Kështu na duket. Art dhe realitet. Një fotografi artistike me shkronja shqipe. Një vizatim vërtetësor dhe letrar që s’të shklyhet dot nga kujtesa. Kurrë: “U gjet një kartolinë e shkruar shqip në një fustan gruaje”. S’ka të dytë. Gdhendur si me daltë historike kjo fjali e mrekullueshme. Është e botuar. Ka meritë për këtë paraqitje shkrimore Beu. Pikë.
Kontributi: Është pranuar ajo që dhe dihet siç ka funksionuar, se Eqerem bej Vlora është një figurë me dritë hije e kulturës shqiptare dhe e historisë së Shqipërisë. Duke bërë një vështrim krahasues, dallohet Eqerem Bej Vlora si studiues dhe emri i tij është i mbushur me dritë në fushën e kulturës shqiptare. Ai është një zë i nderuar i mendimit shqiptar dhe, sipas kriterit kronologjik radhitet krahas Vaso Pashës, Sami Frashërit, Luigj Gurakuqit, Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Fan Stilian Nolit etj. Eqerem Vlora është ndër 25 intelektualët shqiptarë të periudhës 1879 – 1945, të cilët përfaqësojnë antologjinë e mendimit shqiptarë, jo vetëm për kohën që jetuan, me ndikim jo vetëm në hapësirat e banuara me shqiptarë. Përkrah mendimin e një studiuesi bashkëkohor, që i cilëson ata edhe si “ndërgjegjja e nesërme e kombit shqiptar”. Nëqoftëse në fushën e kulturës, Eqerem Bej Vlora na mbush me dritë dhe vetëm me dritë, në rrafshin historik figura e tij ka dritë, hije dhe hije. Edhe në histori, ai është një figurë enciklopendike, e përfshirë në botimet e nivelit akademik. Sipas “Fjalorit Enciklopendik Shqiptar” (FESH), ai njihet si veprimtar politik dhe diplomat, i arsimuar në Vjenë dhe në Stamboll, ku mbrojti doktoraturën për drejtësi. Shërbeu në poste me rëndësi të Perandorisë Osmane. Edhe sipas këndvështrimit tonë, drita e tij në histori duket, kur u bashkua me Ismail Qemal Vlorën në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Sipas historianëve, Eqerem Vlora “Me shpalljen e pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Gjatë Luftës së Parë Botërore u arrestua nga italianët…”. Ky është fakt dhe e vërtetë dhe kjo paraqitje është pamja e tij e bardhë, me dritë. Në burimin e sipërcituar, vijon fjalia: “por më pas ishte një nga përkrahësit kryesorë të mbështetjes nga Italia”. Është fjala për kohën kur, në Vlorë dhe në krahinat e saj, italianët erdhën si kolonizatorë dhe pushtuan trojet e banorëve vendas, të cilët i kishin trashëgim prej të parëve të tyre. Njihet miqësia për interesa personale e Eqerem Beut me Piaçentinin. Ky fakt dhe kjo e vërtetë nuk mund të jetë faqe e bardhë, pra as dritë, por hije e cila u pasua nga një tjetër hije në vitet e Luftës së Dytë Botërore. “E. V. e mbështeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste”. Shqyrtimi ynë ka të bëjë me pjesën me dritë të tij dhe pikërisht me kontributin e tij në lëmin shkrimor.
Vepra kujtimore e Eqerem Bej Vlorës. Kontributi i mendimit të Eqerem bej Vlorës është i dukshëm dhe i dobishëm në këto fusha të dijes: në publicistikë, kulturë dhe histori, me punimet albanologjike, me studimet historike, arkeologjike, kulturore, etnografike e sidomos etnologjike. Nga literatura e tij e botuar, vjen me shungullimë vepra madhore “Kujtime nga jeta”, pjesa I, II (Mundien, 1973), e cila, në dorëshkrim daton Romë – Mynhen, 1963; ndërsa për botimin shqip u përgatit nga Shtëpia e Librit & Komunikimit, në trajtën më të plotë më vitin 2003, nën kolanën “Bota Shqiptare”, përkthyer nga gjermanishtja prej Afrim Koçit, nën redaktimin e prof. Ethem Likajt. Një lexues i vëmendshëm di ta lexojë dhe ta interpretojë tekstin, duke kuptuar dhe vlerësuar rolin e stafit realizues për botimin shqip. Libri në shqip titullohet “Kujtime (1885 – 1925)” dhe vjen në dy vëllime. Vëllimi i parë rrok periudhën 1885 – 1912, pra arrin deri në mbledhjen e Kuvendit të parë Shqiptar, më 27 – 28 nëntor 1912. Vëllimi i dytë kap segmentin kohor të ngjeshur me ngjarje 1912 – 1925 dhe përfshin edhe zgjedhjen e Ahmet Zogut si president i Republikës Shqiptare në vitin 1925. Monografia është e pajisur edhe me shtojcë, ku shënohen shtëpitë e mëdha, listat gjenealogjike, treguesi i emrave të personave dhe treguesi i emrave të vendeve. Jeta dhe veprimtaria e Eqerem bej Vlorës, i cili mbahet mend për kujtesën e habitshme, ka qenë e pleksur ngushtë me regjimin osman dhe me lindjen e Shqipërisë moderne për kohën. Sipas studiuesve, libri me kujtime i Eqrem bej Vlorës i ndarë në dy vëllime, përkatësisht vëllimi i parë 1885 – 1912 dhe vëllimi i dytë 1912 – 1925 të përkthyera nga gjermanishtja e të botuara në shqip më 2001 është jo vetëm libri më i rëndësishëm I autorit, por një prej librave më interesant dhe tërheqës për mendimin shqiptar. Vepra kujtimore e tij mund të quhet pa drojë hartim i një përshkrimi monografik të historisë shqiptare. Ajo vjen herë si serum i kujtesës historike, herë vjen si tetanos nga veprimtaria e tij politike. Gjykojmë se duhet të bëjmë dallimin në personalitetin e dyzuar të Beut të Fundit, se vlen dhe për të tjerët. Asnjë gjë nuk mund të pritet me thikë, veçse figura e Eqerem Vlorës nuk mund të shihet më bardhë e zi, sepse ajo kakolorit ngjyrash interesante dhe me kontraste të fuqishme, e dobishme dhe e dëmshme, veçse gjithmonë me një mendim intelektual të zgjedhur. Faqja e tij politike dhe diplomatike finalizohet në funksion të interesit personal. Faqja e tij kërkimore – shkencore është në interes të kulturës shqiptare. Nuk mund të zbehet shkëlqimi shkrimor i tij nga lëkundjet apo pamjet e kokolepsura politike të Beut, as dhunimi deri në shfarosje deri i bibliotekës së tij nga regjimi komunist. Në formë telegrafike po prezantojmë çka është botuar në “Kujtime”, atë çka është gjetur në dorëshkrimin e kujtesës së tij për jetëshkrimin dhe vitet e fëmijërisë, atyre të rinisë, të pjesës së parë të veprimtarisë politike, ekonomike dhe shoqërore të E.V. në Shqipëri. Nga libri, nëpërmjet dëshmive të tij, marrim një informacion të munguar, të pagjetur dot në librat e historisë. Ai rrëfen për vitet e fëmijërisë në Vlorë (1885 – 1899); vijon kujtimet shkollore në Terezianum të Vjenës (1899 – 1903); me vitet e mësimit në Stamboll; me përurimin e hekurudhës së Hexhazit, Siri (vjeshtë 1904); me udhëtimet nëpër Europë; flet për parahistorinë e lëvizjes kombëtare shqiptare; ritakimin me Shqipërinë, pas kthimit nga Stambolli (9 maj 1906- janar 1907), udhëpërshkrimin për në Stamboll, nëpër Tripoli (Pranverë 1907); shkreptimat para stuhisë, siç i quan ai lëvizjet kombëtare të kohës; jep pamje nga revolucioni i parë shqiptar, (në se shprehemi me gjuhën e tij) me Idriz Seferin etj, luftën midis dy drejtimeve për përdorimin e shkronjave latine apo arabe; më tej, për në vendin e faraonëve të rinj, Kajro (fund viti 1911); pamje nga revolucioni i dytë shqiptar me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin etj., kundër Turqve të Rinj; udhëtimet shqiptare (Maj- Korrik 1912); me misionin diplomatik të Gusht – Shtator 1912, që ai e quan të kotë; vjen një panoramë e vrullshme me ngjarje lufte (Tetor – Nëntor 1912); ëndrra e plotësuar nga Kuvendi i Parë Shqiptar dhe Qeveria e Përkohëshme e Plakut të Pavarësisë, që ishte xhaxahi i tij, Ismail Qemal Vlora. Më tej, marrim informacion për princ Vidin, gjerman protestant, nga dera e Vidëve, nip i mbretëreshës së Rumanisë; rrëfen Beu për fatin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore nëpër Europë; përsëri në Atdhe, mars 1919; vitet 1920 -1923; Shqipëria në udhëkryq dhe Beu i fundit. Për kohën pas vitit 1925 dhe për ditët e trishtme – shkruan Eqerem Vlora – kur unë u bëra top i fatit në vende të huaja do të shkruaj në vëllimin e tretë, por ai vëllim nuk arriti të shkruhej, sepse mbasditen e 25 maj 1964 ai uli penën në tavolinën e shkrimit dhe mbylli sytë përgjithmonë. Pa bërë analizë të tekstit, mund të shprehemi, se mendimi i studiuesve të sotëm është vlerësues pozitiv për këtë libër të rrallë me kujtime. Për “Kujtimet” e Eqerem Vlorës, jemi në krahun e atyre studiuesve që bëjnë këtë vlerësim: “janë perla në gjerdanin e praruar që zbukuron fondin më të mirë të letërsisë sonë historike, në këtë gjini botimesh” (shih: Verli, Maringlen, Syrja Vlora “Kujtime nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës”, Tiranë, Iceberg, 2013, f. 7 – 8). Në kuadrin vlerësues të plotmërisë diturore dhe të kontributeve të tij, jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe në rrafshin historiografik dhe të kujtimeve, gjykojmë të trajtojmë ndihmesën e prof. Ethem Likaj për redaktimin e librit madhor të Eqrem bej Vlorës “Kujtime (1885 – 1925)”. Në lëmin e albanologjisë, njihet emri i Eqrem bej Vlorës (Vlorë, 21 shkurt 1885 – Vjenë, 25 maj 1964), si një politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar. I cilësuar si Beu i fundit, ai qe mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi. Njohës i 9 gjuhëve të huaja, të vdekura dhe të gjalla, ku veçojmë turqisht, arabisht, italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermaisht, me bibliotekë personale nga më të pasurat e kohës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ai ishte i plotësuar edhe me një kulturë gjermane. Veprën e tij madhore, “Kujtime (1885 – 1925)”, ai e la në dorëshkrim, që u botua në gjermanisht, (Mynih, 1968, 1973). Për modelin e botimit në gjuhën shqipe të librit “Kujtime” të Eqrem bej Vlorës, (Tiranë, 2001, 2003) me këtë formë dhe përmbajtje që është paraqitur në shërbim të lexuesve dhe studiuesve shqiptarë etj., jemi të mendimit se roli i redaktorit të librit është i dukshëm, i prekshëm, i dobishëm. Redaktor i këtij botimi madhor të historiografisë shqiptare është gjuhëtari i njohur, prof. dr. Ethem Likaj, i plotësuar, edhe ky, me kulturë gjermanike.
Ndihmesa shkencore e Prof. Ethem Likaj me redaktimin e librit me kujtime Beut: Sipas mendimit tonë, Eqerem bej Vlora është një personalitet me peshë, protagonist i ngjarjeve të mëdha në historinë e vendit për gjysmës së parë të shek. XX, me dritëhijet e pranueshme. Në kohën e sotme, letërsia dokumentare, memoaret paraqesin interes tek lexuesi. Kujtimet në gjuhën shqipe, me analizat dhe vlerësimet për ngjarjet e jetuara të Beut të fundit, para se të mbërrinin në dorën e lexuesit, kanë kaluar në dorën e mjeshtrit të gjuhës shqipe, prof. Ethem Likaj. Duket përkujdesja e vëmendshme dhe përgjegjësia shumë e madhe për këtë angazhim kapital të Profesor Ethemit. Kush e njeh stilin dhe profilin e punës kërkimore – shkencore të Profesorit e ndjen dhe e shijon redaktimin e përkthimit të “Kujtimeve”(2003) të Eqerem Vlorës dhe çdo ndërhyrje rindërtuese, realizuar sipas kritereve më të mira për botimete e kësaj natyre. Vlen të përmendin, se është ruajtur plotësisht jo vetëm origjinali, por edhe stili e zhargoni i autorit dhe përkthyesit. Ndoshta e njëjta origjinë me autorin e kujtimeve dhe fakti që redaktori, po ashtu, është njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, e ngre këtë monografi në nivelin e botimeve më cilësore në gjuhën shqipe. Edhe studiues të tjerë bashkohen me mendimin tonë, që, pavarësisht vështirësive të shumta, gjithçka të realizuar profesor Ethemi e ka bërë në respekt të shkencës, të autorit, të përkthyesit dhe patjetër në nderim të lexuesit. Puna skrupuloze, përkushtimi për finalizimin e suksesshëm të botimit meriton fjalët më të mira për kontributin e madh që profesori ka dhënë që “Kujtimet” e Beut të Fundit të botohen me cilësi. Është dinjiteti shkencor i Prof. Ethem Likaj, që dorëshkrimin e shndërroi në një vepër madhore, etalon për botime të tjera të nivelit akademik. Nuk mjafton të thuash që redaktimi është thjeshtë ai procesi i ndreqjes e i përpunimit të një vepre para se të botohet; është tepër më shumë se kaq. Nga përvoja shkrimore dhe studimet, mund të shprehemi se, redaktimi është shkalla më e lartë e realizimit shkencor, gjuhësor dhe letrar të monografisë që përgatitet për botim. Atë mund ta bëjë vetëm një njeri i aftë i fushës përkatëse, që ka mësuar dhe e njeh mirë botën e botimit, që shkëlqen në fushën e redaktimit dhe rezonon punën me botuesin, korrektorin, recensuesin, përgatitësin, apo përkthyesin, sipas rastit, me aftësi të shfaqura e të pranuara nga bota e krijimit, që di të ruajë integritetin shkencor. Mos ka ardhur koha që redaktori (edhe korrektori) të jetë i plotësuar me arsimin e editorisë në nivel universitar dhe pasuniversitar? Bota e Librit prodhon perla, vlera të mirëfillta albanologjike, siç është edhe libri me kutime i Eqerem Vlorës, me redaktor Ethem Likaj. Por, bota e parasë sot prodhon edhe qofte të qullta nga furrat botuese. Është tronditës një lajm kulturor që ndoqa një një televizion lokal disa ditë më parë,të këtij maji 2014. Bëhej një përurim libri. Gazetari intervistron autorin (s’ja mbaj mend emrin autorit, se, as e kisha takuar, as e kisha dëgjuar më parë. Flet libërbërësi: Libri im me poezi është shumë i mirë. Kjo poezi ashtu e ajo poezi ashtu, njëra më e mirë se tjetra. Hej, dreqo punë, thashë me vete. Autorit i takon të flas për vete, apo të tjerëve…Gjysma e të keqes – kjo që dëgjova. Më tej tha: “Falënderoj redaktoren e librit, sepse i thashë shiko presjet, pikat dhe kaq. Asgjë më tepër, nuk e lejova të më ndryshojë asnjë fjalë” (S’po ia përmend emrin asaj, është mësuese letërsie, e njoh dhe kam respekt, por…) A nuk është tronditëse kjo situatë?!, këmbëngul në mendimin që me redaktim duhet të merren njerëz të pajisur me liçensë dhe jo gjithologë…
E bëra këtë ndërhyrje, sepse më vjen në ndihmë për të gjetur shtegdalje nga llumi i fasadës boshe shkrimtaria e Eqrem Vlorës. Gjykoj se në shkrimet e tij, Eqerem beu, ishte i besueshëm, brenda hapësirave që na lejon raporti midis objektives dhe subjektivitetit. Po përmend rrëfimin e Beut te libri “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar”, Tiranë, 2003 (Aus Berat und vom Tomorr) me studime sociale, përshkrime udhëtimi, folkor dhe etnologji. Diku paraqet bujtjen tek një fshatar i lodhur e i pikur, i cili, i gjendur në pozitë të vështirë, përpiqej t’i priste sa më mirë mysafirët e rëndë, me salltanetet e kohës, që ai, i varfëri, mendonte se ishte uturaku, që nxorri për qerasje. Kujtojeni situatën dramatiko – komike që u krijua. Beu na e tregon vetë, e shkruan. S’ka komplekse. Ai ironizon dhe veten kështu. S’ e ka problem se ç’do mendojnë të tjerët dh eta fshehë qoftë edhe një ngjarje qesharake si kjo. Pra, kur flet ashtu për veten, ç’pret? Të ruajë e të lustrojë apo të legjendarizojë të tjerët?! Jo, jo! Ai i godet veset e shqiptarëve. “…nuk kanë qenë kurrë engjëj të pafajshëm: dhuna, kapardisja, etja për grabitje, padurimi kanë qenë prej kohësh tipare të spikatura të tij”. Ndërkohë Beu nuk tregohet nihilist, ai ua vlerëson virtytet dhe tiparet fisnike, kur shkruan: “Shqiptari është trim, kokëkrisur, besnik, shpirtmadh, bujar, i vetësigurtë dhe i zgjuar. Ai i përvetëson njëlloj shpejt si vetitë e mira, ashtu dhe ato të këqija”. (Shih: Vlora, Eqrem bej, “Kujtime”, vëll. 2, Tiranë, 2003, f. 252 – 255.). Nëqoftëse do të flasim me gjuhën e publicistit erudit këta gjithologët vocërrakë janë gramë, nuk janë bimë e dobishme dhe grami, krisja, siç ndodh në natyrë, shtohet, harliset. Kërkon zgjidhje serioze nga vertikaliteti i drejtimit, shqetësimi intelektual i Prof. Dhurata Shehri për hierarkinë e vlerave të qëndrueshme letrare, që kërkon domosdoshmërisht mediumin e kritikës, “statuset” apo rregullat e kritikës.
VAJZA ME FLAMUR KOMBËTAR
Nga Albert HABAZAJ/
E vogël, me një klasë shkollë në atdheun mëmë, nga fillimi viteve 90 – të të shekullit që kaluar, mori rrugen e kurbetit pas prindërve për një jetë më të mirë dhe ajo Ardita Vreka lindur në Vlorë, por me rrënjë nga rrëza e Trebeshinës. Pavarësisht vështirësive fillestare në përvetësimin e gjuhës greke ja doli mbanë që klasat fillore dhe gjimnazin t’i mbarojë me rezultate të mira. Filloi dhe liceun, por në vijim e sipër e la në mes për t’u angazhuar në një shkollë profesionale, që ndoshta do ta nxirte më shpejt në jetë dhe në marrëdhënie pune për të ndihmuarë sado pak dhe familjen. E ndërsa kishte mbrojtur dhe gjuhën angleze, vazhdonte të punonte në një floktore private me një rrogë të vogël por edhe gjithë ditën në këmbë për trupin e saj të brishtë nuk ishte pak. Shikonte shoqet e saj greke që vazhdonin shkolla dhe universitete, i kishte zili por dhe ndjente një boshllëk në vetvete, ndaj ëndërronte dhe ajo të bëhej si ato.
Pa u shkëputur nga puna, me shumë sakrifica e përfundoi dhe liceun dhe, pas një testimi paraprak, hyri në një kolegj amerikan për “Business administration” për burimet njerëzore.
Mirëpo duheshin marrë masat paraprake – një shtëpi me para, gjë që e detyroi familjen të shtrëngohej ekonomikisht dhe ta mbështesë në misionin e saj. Punë dhe shkollë gati një pesë vjecar. Gjithë ajo lodhje dhe ankthi qe e mundonte, e motivonte më shumë, aq më tepër në dhè të huaj, që të mundëte t’ja delte ndanë. Vitet kalonin. Ardita rritej dhe në ngjitje shkonin dhe rezultatet e saj, duke patur siguri tanimë në vetevete, se kur i ke vënë vetes një qëllim, s’ka asgjë që të të pengojë në ecjen tënde përpara.
Punë dhe mësime, me netë të tëra mbi libra, sa herë duhet të shlyente provimet e radhës pa lënë asgjë prapa. Dhe rezultatet e larta do t’i buzëqeshnin në vazhdimësi. E shihte babai mëngjezeve të dremiste mbi libra dhe do t’i shkruante:
“Arti yt i të mësuarit / Ishin Kurani dhe Bibla, / Se yjet që linin sabanë /Do të gjenin prapë mbi libra”. Babai i saj është atdhetar idealist dhe poet i përkushtuar për shqiptarinë. Bashkë, thinjëm rininë për ideale kombëtare.
Shoqëria ecte përpara me kohen, grekë dhe shqiptarë jetonin në një komunitet, punonin bashkë, bashkë dhe fëmijët në bangat e shkollës, por ç’e do se, politika dhe burokracia bëheshin pengesë në inkuadrimin e plotë të emigranteve në shoqërinë greke.
Prandaj dhe Ardita, të parën temë që mbrojti ishte ajo “Në mbrojte të emigrantëve”, se diçka duhet të ndryshonte nga statukuoja ekzistuese. E vetmja gjuhë e folur dhe e shkruar, si gjithnjë, do të ishte vetëm anglishtja. Dhe aftësitë e saj rriteshin vazhdimisht. Mbrojti me radhë tema të Biznesit, ushtroi dhe manaxherin, mbrojti “Udhëheqës në emergjencë si Hitlerin” dhe deri në mbrojtjen me sukses të “Revoltave në Afrikën veriore”, pra “Revolucionet Arabe”. Vitin e fundit iu desh të linte dhe punën për të ngritur cilësinë e shlyerjes së provimeve. Akoma pa mbaruar viti kalendarik e marrin në provë në shkollë dhe i afrojnë punë si sekretare në një zyre avokatësh. Por ajo nuk rresht së mësuari. Mbron detyrat me shkrim, ushtron dhe praktikën dhe pas një viti bëhet gati për t’u ngjitur në tribunë për t’u kurorëzuarë me mundin dhe djersën e saj ndër vite, me marrjen e Diplomës.
Por ja, një ditë para betimit, i thonë se ishte ndër nxënëset më të mira të Kolegjit dhe e para ndër dhjetëra bashkëkombësit e vet. Habi, mallëngjim dhe lot!…Mundimi, përpjekjet dhe shpenzimet nuk shkuan kot. Kishte hedhur hapa të sigurta në rrugën e gjatë të jetës. Të nesërmen, në tokën e Prometheut duhet të parakalonte ndër 300 nxënës dhe auditorin e shumtë me flamurin përkatës kombëtar, me flamurin e Skenderbeut. Nuk e zinte gjumi se i erdhi lajmi si bombë… Qysh do ta mbante flamurin, si e para ndër shqiponja…?
Dhe te nesërmen, çdo gjë ishte gati për ceremoninë madhështore. Parakalojnë tradicionalisht mbi 300 nxënës që do betohen dhe pastaj flamurtarët e kombeve dhe kombësive të ndryshme. Kishin të drejtë të krenoheshin prindërit e saj, familjarët miq dhe të afërt, shoqet e saj bashkëkombëse Irini Duru, Elena Raka, Marjana Brunga, që u betuan dhe ato atë ditë. E panë në çdo anë të globit, se si na përfaqësoi me simbolin e kombit, flamurin kuq e zi. S’ka si mos të ndjehesh krenar, kur shikon një vajzë shqiptar në dhè të huaj të valëvit në qiell Flamurin Kombëtar. S’kanë se si të mos fluturojnë në qiejt e krenarisë fisnikja mëmë Theodora dhe babai i Arditës, miku im i pastër, Maliq Vreka për fëmijën e tyre, për bijën e tyre që mban lart flamurin kombëtar, me emrin “Albania”, fill pas flamurit Amerikan dhe atij Grek, si vendi i asaj shkolle të madhe. Por Ardita nuk ndalet. Ka vite që ka aplikuar për pasaportën e vendit ku jeton mbi dy dekada por me kot. Burokracitë bëjnë të tyren, duke mos i lejuar të drejtën e përfitimit të bursës se është e huaj. Megjithatë, studentja shqiptare parakaloi ballëlart në zemër të Athinës, nën dritën e praruar të Flamurit Kombëtar Shqiptar, se e meritonte. Na nderon një shqiptare e re me ndjenja kombëtare të zjarrta, porsa etja për dijen, për jetën.
Ka disa muaj që ka filluarë mësimet për “Master”, se do që të ushtrojë profesionin e saj “Busness administration” për burimet njerëzore, për të cilin ju përkushtua me studime vite të tëra.
Duke qënë se ishte nxënëse e rezultateve të larta, shkolla, të vetmen gjë që mundi t’i afronte, ishte ulja përgjysëm e shpenzimeve të studimeve. Por Ardita tani e ka të qartësuar misionin që ka marrë përsipër, punë dhe shkollë për perfeksionimin e dijeve dhe është e sigurt se vitin e ardhshëm përseëri do të jetë e para në piedestalin e dijeve. Sinqerisht i çojmë nga Vlora e përbashkët një det me urime Arditës, vajzës tonë, bijës së Maliq Vrekës, përmetarit të vlonjatizuar aq qytetarisht, shqiptares së re që na nderon me dinjitet në botën e dijes. I urojmë shëndet, mirësi dhe suksese të mëtejshme. Ndjen vërtet kënaqësi prindi kur ka fëmijë të talentuar dhe atdhetarë të zjarrtë, sidomos në mërgim, si ditë arta Arditë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
- …
- 19
- Next Page »