• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Femra shqiptare, filmi dokumentar dhe realiteti i sotëm

May 11, 2016 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/

Jemi pak a shumë të ndërgjegjshëm që shoqëria shqiptare është akoma e zhytur brenda një koncepti tepër të prapambetur kundrejt femrave. Ja p.sh, t’ia fillojmë nga lidhja martesore. Martesa përbën një lidhje shpirtërore, ndjesore dhe shoqërore, në të cilën të dy palët pranojnë të ndajnë dhe të gëzojnë në mënyrë të barabartë gjithçka, gjë e cila në Shqipëri akoma mbetet vetëm si ide në shumicën e rasteve. Thonë që burri është koka e shtëpisë dhe gruaja qafa, por, për fat të keq, në një familje tipike tradicionale shqiptare, burri është kokë dhe qafë bashkë. Gruaja është pa mendim ndaj asgjëje, e lehtë si pupla në erë. Në disa zona rurale, ku ende sundon ende psikologjia e Kanunit, gruaja konsiderohet si pronë e burrit. Ai ka lirinë e veprimit, të fjalës, të mendimit. Ai programon dhe marrëdhëniet seksuale. Gruaja është thjesht e detyruar të plotësojë çdo oreks dhe dëshirë të tij, si një marionetë e drunjtë, pa ndjenja…E kanë pakëz në gen femrat grindjen, pakënaqësinë në përgjithësi për gjithçka, ku për to fajin e kanë të gjithë dhe në veçanti burrat. Por mos e kanë tepruar pak, duke ia hedhur fajin shoqërisë apo burrave?! Mos vetë femra shqiptare ka faj për këtë ndrydhje dhe mbizotërim sjelljesh maskiliste brenda shoqërisë tipike shqiptare? Besimi në vetvete është një armë e fortë mbrojtëse për një femër. Nëse një femër është e pajisur me këtë armë të fortë, atëherë mund të ndryshoj gjithçka. Si mundet ta gjejë këtë armë? Është fare e thjeshtë… Jeta është aritmetike Olimbi, -i drejtohej Nikolaqi te “Karnavalet” e famshme të Korçës bashkëshortes. Le të zhvillojmë veprimin e mëposhtëm aritmetik, që mund t’ia drejtoj vetes çdo femër: “Ajo çka mendoj se jam…Doket dhe zakonet e pandryshueshme… Zakonet e dëmshme të mijat… Urdhrat që marr prej shoqërisë… Gjërat e kushtëzuara që duhet t’i zbatoj me doemos…Shuma e ndikimeve ndaj meje…Boshllëku i krijuar nga çka refuzoj, duke zbatuar me përpikëri çdo rregull shoqëror…” Duke bërë shumën e mbledhjes, pa pasur nevojë të bëjmë provë ta vërtetojmë… do marrin si rezultat “pasaportën” e tyre. Dhe, duke qenë tashmë me identitet, gjithsecila nga femrat mund të ndihet e lirë (sipas normave) në çdo çast, përtej ngushtësive të ambientit shqiptar… e lirë jo siç ndihet vetë, por siç e kërkojnë normat…e lirë të gjejë sjelljen dhe reagimin në orën e duhur. E lirë të jetë e pa parashikueshme, pa u ndjerë fajtore ndaj çdo gjëje skeptike që e rrethon dhe ndaj çdokujt, pa frikën se mund të shkaktoj pakënaqësi apo deziluzion. Nuk janë të pakta femrat sot ;politikane, moderator, spikere, deputete, ministre apo drejtuese biznesesh. Por ajo që do veçoj është femra regjisore dhe gazetare. Ka shumë femra të tilla që kanë bërë emër dhe për çdo ditë përcjellin emrin dhe personalitetin e vërtetë të femrës sot. Ka shumë që janë regjisore apo skenariste filmash dokumentarë që kanë marr çmime apo vlerësime edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare. Përpos kësaj, shumë prej tyre janë drejtuese të organizmave apo shoqatave femërore që përcjellin zërin e vërtetë të femrës shqiptare kudo në botë. Sot do të veçojmë tre prej tyre, Donika Mustafaj, Tefta Radi dhe Elsa Xhai, si regjisore dhe skenariste filmash dokumentarë dhe si gazetare dhe drejtuese shoqatash për të drejtat e grave (aktiviste) . Pyetja për forum është rreth rolit të femrës si regjisore apo skenariste në filmat dokumentarë dhe këndvështrimi i tyre për tematikat e këtyre filmave.

Tefta Radi, regjisore

Kjo gjini e filmit kishte kohë që flinte brenda meje, por ndoshta duhej koha fizike, duhej koha e bollshme, si dhe një pjekuri gazetarske që të futesha në këtë autostradë të re sa të bukur, po aq dhe të vështirë. Dokumentari është një gjini që kërkon vëmendje, kërkon hulumtime, biseda, arkiva. Dokumentari mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me personazhin (apo njohin mirë vendin apo fenomenin) por gjithashtu pasqyron jetën, veprën dhe virtytet njerëzore që ka pasur ai. Vetëm pas një pune hulumtuese, tek dokumentari përcillen dhe vijnë edhe fakte te reja e te panjohura më parë për personazhin (vendin apo fenomenin social). Të gjitha së bashku zbulojnë personazhin. Figura e çdo personazhi (vendi apo fenomeni social) vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me gjenialitetin e mendjes, të rezultateve, arritjeve, dështimeve, përpjekjeve, ku hidhet dritë dhe mbi historitë e dhimbjes e të dashurisë. P.sh, arsyet që më shtyn të bëjë një dokumentar për Migjeni janë të shumta, pasi e kam adhuruar Migjenin në krijimtarinë e tij (krijues për dhimbjen njerëzore), por e kam pasur dhe burim mirënjohjeje, pasi njerëz nga familja Radi kanë punuar me Migjenin në Pukë. Nga ana tjetër, personalisht kam punuar disa vite në Pukë (ku kam shumë kujtime), ku kam hulumtuar rreth tij dhe mbi të gjitha kam pasur fatin të njihem më nxënësit e tij, që mbeten dëshmitarët e fundit të viteve 1930, të cilët si askush më sollën afër shumë detaje jetësore që nuk mund ti gjeje veçse tek ata Një film tjetër… Im’Zot Vinçenc Prennushi. Një prej figurave të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Im’Zot Vinçenc Prennushi është prelati më i lartë dhe i fundit i fesë katolike në Shqipëri, deri më 1949 kur ai vdes nën tortura të tmerrshme të diktaturës komuniste, në burgun e Durrësit, në duart e Arshi Pipës ndërsa emri i tij ka shkuar edhe në Vatikan për t’u lumturuar. Për realizimin e tij, u jam referuar dëshmive autentike dhe dokumenteve të shumta arkivore. Dokumentari është shumë aktual dhe paraqet histori e materiale të pa dokumentuara më parë. Parë në këtë kontekst dua të them se filmi dokumentar ka një vend të veçantë në këtë gjini krijuese, por ai nuk po vlerësohet. Tematikat për shkak të financimit të dobët janë rrudhur. Kjo bën që të bjerë dhe cilësia. Çdo film ka parametrat e vetë me të cilët duhet të paraqitet, por për shumë shkaqe objektive dhe subjektive (të cilat i bëmë prezent) kjo gjini filmi nuk merr vlerësimet dhe përmasat e duhura. Defekte që nuk po zvogëlohen me kohën….

Donika Mustafaj, regjisore

Dokumentari ka fituar sot në botë një vlerësim të ri, qoftë për publikun, ashtu edhe nga kritika e specializuar. Sa për të dhënë një shembull, le të kujtojmë dokumentarin e Al Gore, i cili i shfaqur në kinema, ka tërhequr një rekord të jashtëzakonshëm shikuesish, duke tejkaluar edhe filmat më të suksesshëm të Hollivudit. Po ashtu, në festivalin më të famshëm të kinemasë, që është festivali i Kanës, para pak vitesh palmën e artë e mori një film dokumentar. Kjo do të thotë se edhe vetë dokumentari është zhvilluar për t’ju përgjigjur pritjes së publikut, është pasuruar me mjete shprehëse, është bërë më artistik. Do të thosha, me keqardhje, se dokumentari shqiptar nuk i ka ndjekur dot këto ritme zhvillimi. Por, tendencën e ka drejt modernes. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dokumentari tek ne vuan, ashtu si edhe filmi, nga mungesa e financimeve për projekte serioze. Sepse edhe prodhimi i një dokumentari të mirë ka kosto të konsiderueshme. Megjithëse, krahasuar me filmin artistik, dokumentari sot ka mundësi më të madhe, në sajë të rritjes së disa televizioneve private, të cilat, krahas TVSH-së, po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi prodhimit të mirëfilltë të dokumentarëve. Një defekt, që më duket me vend ta theksoj në këtë rast, qëndron te një disbalancë midis temave historike, apo atyre kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe temave sociale. Duket sikur autorët i kanë më për zemër temat historike apo dokumentaret portrete, dhe shpërfillin temat sociale, që do e afronin dokumentarin më pranë problematikës, me të cilën përballet sot shoqëria jonë. Entet financiare të projekteve mund të shërbejnë edhe si orientuese të prodhimit dokumentaresk. Brenda komisionit të vlerësimit dhe miratimit të projekteve ka personalitete, që e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e temave të ofruara. Dokumentari te ne vuan gjithashtu nga jetë shkurtësia. Ai shfaqet njëherë në televizion kur prodhohet dhe me aq vdes. Puna e madhe dhe shumë e lodhshme e ekipit realizues gjatë shumë muajve, mbetet kështu e pashpërblyer, gjë që i dëmton krijuesit. Po ashtu, me vetëm një shfaqje, dhe ajo jo në orët më të shikueshme, dokumentari humbet mundësinë për t’iu nënshtruar një gjykimi të vërtetë të publikut. Kjo bën që autorit, të cilët i kanë kushtuar jetën dokumentarit, mbeten më së shpeshti anonimë, pa marrë respektin e dëshiruar të publikut. Sot numri i grave të përkushtuara ndaj filmit dokumentar është rritur si kurrë më parë. Por edhe vepra e tyre vuan nga të njëjtat mangësi si edhe gjithë prodhimi ynë dokumentaresk.

Elsa Xhai, gazetare, skenariste

Roli i femrave regjisore apo skenariste të filmave dokumentarë ka ardhur në rritje. Por nuk duhet të anashkalojmë një fakt, që ato kanë qenë prezentë edhe në regjimin komunist, po aq sa dhe sot. Në ambientet e Radio Tirana kam pasur fatin të njoh shumë regjisore femra të cilat edhe sot kujtohen me shumë respekt. Mbi të gjitha veçohet Xhanfise Keko një personalitet i padiskutueshëm i regjisë shqiptare si i filmit dokumentar po ashtu dhe i filmit artistik. Personaliteti i saj, përgatitja e saj, vizioni i saj bënte që të krahasohej me çdo regjisor mashkull. Nuk mund të harrohen titujt e filmave “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo”, “Kur xhirohej një film”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër” na lidhin të gjithëve pazgjidhshmërisht me këtë emër të madh që ka bërë epokë. Por nuk do lë pa përmendur edhe skenaristen e filmave dokumentarë Angjelina Xharo. emër i njohur dhe në botën televizive dhe për të ardhur tek Tefta Radi dhe Donika Musraja dy realizuese të shkëlqyera të filmit dokumentar. Pra filmi si gjini ka vështirësitë e saj, por formimi, bota e brendshme e femrës, karakteri i fortë, dëshira për ti kapur në rrënjë problemet, eksperienca në media, ka bërë dhe bën që femrat si regjisore, skenariste të jenë po aq të suksesshme sa dhe burrat. Brenda tyre është një botë shpirtërore e pasur, që vetëm ato dinë ta përcjellin natyrshëm dhe bukur në art.

*Ne Foto:Donika Mustafaj, regjisore

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Zh Zholi, dhe realiteti i sotëm, FEMRA SHQIPTARE, filmi dokumentar

Flet aktorja, regjisorja dhe poetja Eliona Thomaraj

January 22, 2015 by dgreca

-Arma më e fortë e femrës është brishtësia/
-Politika jonë nuk është gati për idealistë/
– Vlerësimi për artistët shqiptar sot për sot është mbijetesa/
– Femra Shqiptare vetëm probleme ka sot…mbi të gjitha, pasiguria për të ardhmen/
– Teatri shqiptar ka shumë probleme, duhet ti zgjidhim me durim/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Dikujt edhe si besohet, apo mund ti duket paradoksale, pro ajo është një femër e guximshme, që edhe pse poezinë e ka lëvruar qysh në bankat e shkollës së mesme, librin e parë me poezi të titulluar “Poezi aktorësh” e botoi para disa muajsh dhe la gjurmë tek lexuesi. Si aktore ajo ka mbi 20 role, si regjisore 5 vepra të vëna në skenë, dhe ajo është gjithmonë në kërkime të reja të profesionit të saj. Duke parë vështirësitë e artit sot, ajo thekson me plot gojën se problemi më i madh i artisti sot është mbijetesa. Në Shqipëri aktualisht ka pak teatro dhe këto të përqendruara në qytetet më të mëdha. Universiteti i Arteve nxjerr pak aktorë dhe regjisorë për vetë faktin se kërkesat e tregut janë të pakta po ashtu dhe mundësitë e punësimit jashtë vendit. Ajo që e veçon jetën e Elionës është dashuria për librin. Atë e gjen gjithmonë me libër në dorë, ku veçon librat filozofik, por edhe ata me poezi. 


-Për një regjisore pushimet e verës apo të dimrit janë absolute apo dhe meditime për dramën apo komedinë e radhës?
– Asnjëherë për një artist pushimet s’janë vetëm pushime. Është fazë parapërgatitore për projektin e radhës. Përpiqesh të spikatësh karaktere ose situata.
-Regjisore por dhe aktore, ku ndiheni më komode?

Më komode sigurisht e ka një aktor pasi përqendrohet të bëjë vetëm rolin e tij…regjisori duhet te krijojë gjithë spektaklin.

-Ku i bëtë pushimet verore?
– Pushimet kryesisht në Jugun tonë.
– Cili vend i Shqipërisë të pëlqen për plazh?
Përtej Llogorasë më duket një super-perlë, plazhi ynë.
– Pse qëndroni larg politikës?

- Pasi politika jonë nuk është gati për IDEALISTË.
-Çfarë lexuat këto kohë?
“Identiteti dhe dhuna” – i nobelistit A.Seen. Një libër interesant që dëshiroj ta lexojnë të gjithë. 

-Para lexuesit dolët me një vëllim poetik “Poezi aktorësh”, si erdhi poezia tek ju. Të qenit poete sa ndikon në profesionin tuaj?
– Poezia tek unë ka qenë gjithmonë e pranishme edhe përpara se të frekuentoja Akademinë e Arteve. Të qenurit poete nuk ndikon drejtpërdrejt në aktrim, por indirekt ndjehet lirika poetike. Poezia ime merr forcën nga unë dhe unë marr prej saj. Sa për rininë tonë, më vjen keq për ta.
– Në këtë stinë të pëlqen të udhëtosh me aeroplan apo me makinë?
– Udhëtimet brenda Shqipërisë detyrimisht me makinë, përndryshe nuk i ndahem avionit.
Cili është ushqimi i mëngjesit?

-Qumësht pa diskutim.
-Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?

- Arma më e fortë e femrës është,brishtësia.
-Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

– Femra Shqiptare vetëm probleme ka sot…mbi të gjitha, pasiguria për të ardhmen.
– A ndiheni e vlerësuar ju dhe artistët?

- Vlerësimi për artistët shqiptar sot për sot është, mbijetesa.
-Aktualisht si aktore çfarë jeni duke realizuar?

– Si aktore luajta tek “Borxhlinjtë” e Strinberg e cila garoi në Festivalin e Aktrimit Dibër 2014 me datë 29 Tetor, ku përfaqësuam qytetin e Vlorës.
-Po si regjisore?
-Si regjisore po përgatis një vepër të Angelo Longoni ” Mysafiri”

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zh Zholi, egjisorja dhe poetja, Eliona Thomaraj

15 engjëj, 15 yje, 15 amanete që nuk do të shuhen kurrë

October 14, 2014 by dgreca

* Sot, 10-vjetori i 15 Trëndafilave të Malishevës që nuk do të vyshken kurrë/
*Ata shkuan në përjetësi në emër të dashurisë për të njohur atdheun
Nga Albert Z. ZHOLI/
Sot mbushen plot 10 vjet nga ndarja nga jeta e 15 gjimnazistëve të gjimnazit të Malishevës (Kosovë) në Fushë Arrëz, Shqipëri. Plot një dekadë që ata janë larg familjes, shokëve, shoqeve, bashkëmoshtarëve të afërmve, mësuesve. Ata ikën në kulmin e bukurisë rinore, në kulmin e ëndrrave, në kulmin e dëshirave. Ikën para kohe dhe ëndrrat i lanë në mes. Ikën si engjëj në jetën e përjetësisë duke lënë pas lot, ankth, dëshpërim, brenga, dhimbje që nuk mund të tregohet dhe as mund të përshkruhet. Sot pas dhjetë vitesh ata ndoshta do të ishin doktorë, inxhinierë, mësues, pedagogë, psikologë, mjekë, shkencëtarë… Ata do të ishin… Dhe çfarë nuk do të ishin! Ata rrezatonin si dielli, buzëqeshnin si vesa e mëngjesit plot pastërti, bisedonin si trëndafila aromëshumë, thurnin plane për jetën me pafajësinë më të madhe të moshës. Ata ikën kur i duheshin shumë atdheut, familjes shoqërisë. Ikën në atë moshë ku nuk i besohet askujt, në atë moshë që gjithkush e kujton me nostalgji pasi është kulmi bukurisë, freskisë, forcës, ideve. Ikën me buzëqeshjen e tyre duke realizuar një ëndërr stërgjyshore, që panë dhe vizituan dheun e të parëve, kryeqytetin e gjithë kombit shqiptar Tiranën, që gjyshërit e tyre ua lanë amanet. Po iknin nga Shqipëria plot energji, fantazi, gëzim shpirtëror, për të mbërritur sa më shpejt në shtëpitë e tyre, për t’u treguar familjes se çfarë panë në ëndrrën e tyre të dikurshme Shqipërinë Mëmë. Ata donin të fluturonin sa më shpejt në Kosovën martire, pasi aty i prisnin plot ankth dhe dëshirë për tu çuar përshtypjet mijëra pjesëtarëve të familjeve të tyre. Por në vend të çonin kujtimet e tyre, “ata çuan” lajmin e zi, lajmin kob që asnjë zemër njerëzore sado e fortë s’mund ta thotë, nuk mund ta përcjellë dot. Lajmi i kobshëm për humbjen e jetës së 15 gjimnazistëve pushoi dhenë. Gjithë globi u trondit. Në çdo emision lajmesh ai ishte lajmi i parë. Lajm tronditës. I pabesueshëm. Në ekranet televizive sheh vetëm lot. I pabesueshëm pasi Kosova po jeton lirinë. Ka ikur koha kur rinia vritej në emër të fjalës magjike LIRI. Dhe këta të rinj duhej ta shijonin rininë që u dhuruan prindërit e tyre me gjak. Liria është koha kur të rinjtë përcjellin prindërit sipas moshës dhe jo si lufta që prindërit përcjellin në përjetësi të rinjtë, heronjtë. Nuk ishte koha e tyre ajo ditë e zezë….

Në rrugën e një amaneti

Për here të parë pas luftës së fundit në Kosovë, nxënësit e gjimnazit “Abdyl Frashëri”, sikurse edhe të shkollave tjera të Kosovës nisën organizimin e ekskursioneve për të vizituar vendet historike të Shqipërisë. Pikërisht më 9 tetor të vitit 2004, 282 maturantë bashkë me 15 profesorë udhëtuan drejt Shqipërisë, për të realizuar kështu ekskursionin e planifikuar sipas planprogramit shkollor. Ishte një nisje plot entuziazëm thekson në librin “Lule që nuk vyshken”, Profesori i gjimnazit Malishevë, z.Ramiz Sopaj. Ata, jetuan çastet më të ëmbla rinore, gjatë 5 ditëve të shtegtimit cep më cep të atdheut, duke parë Tiranën, Krujën, Durrësin, Vlorën, Lezhën dhe Shkodrën. Por, më 14 tetor, kur po ktheheshin për në vendlindje, aty rreth orës 14 e 14 minuta, një automobil mercedes, të cilin e ngiste një shtetas i Shqipërisë, me një shpejtësi të madhe, pasi godet autobusin e parë përplaset furishëm në të dytin, të cilin e nxjerr jashtë rrugës.
Në këtë aksident të rëndë, humbën jetën 15 maturantë, ndërsa lëndime të rënda dhe të lehta morën edhe 33 nxënës dhe dy profesorë, që ndodheshin në të njëjtin autobus në momentin tragjik. Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës. Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit nën regëtimën e lotëve të përzier me pikat e shiut të pashtershëm të asaj dire të dhembshme për të gjithë ne. Për të nderuar maturantët që u ndanë fizikisht nga fa mil jetë dhe shoqëria e tyre, presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova shpalli një ditë zie kombëtare, ndërsa nxënësit dhe profesorët mbajtën një të pame të madhe tre ditore, duke pritur qindra mijëra nxënës e qytetarë në mjediset e gjimnazit, nga e gjithë hapësira shqiptare.
Në shenjë të kujtimit të përhershëm për maturantët, përfaqësuesi i atëhershëm i OKB-së në Kosovë, Soren Jesen Petersen, gjimnazit i dhuroi një bibliotekë moderne në vlerë prej 20.000 eurosh, e cila është pagëzuar me emrin “15 Maturantët”. Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, që tashmë veç është realizuar. Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: 15 gjimnazistëve, Albert Zh Zholi, në Fushë Arrëz, të gjimnazit të Malishevës (Kosovë)

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT