• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KTHIMI NË RREGULL I NJË BOTE TË PËRMBYSUR DUKE LUFTUAR PANDEMINË

January 11, 2021 by dgreca

Nga ALDO CAZZULLO-Përktheu: EUGJEN MERLIKA/

Mbas Luftës së Madhe në artin qe il rappel à l’ordre, thirrja për rregull. U qetësuan tërbimet e avangardave e u rizbuluan mjeshtrit e rilindjes dhe klasiçizmi. Për të thjeshtëzuar: më parë piktorët kishin sprovuar: abstraksionistë, kubistë, futuristë. Më pas edhe vetë Picasso u kthye në artin figurativ, pra për të bërë figura (më vonë do të mohojë se ka vizatuar një kuadër abstraksionist gjatë gjithë jetës së tij). Ja, 2020 do të kujtohet në politikë si viti I kthimit në rregull ; gjë që në një botë të përmbysur nga pandemia, mund të duket kërshëruese.

Për të thjeshtësuar: nëntëqindi është shënuar nga komunizmi që predikonte diktaturën e një klase shoqërore; nga fashizmi që teorizonte mbizotërimin e një race apo të një kombi (sigurisht të tijin) mbi një tjetër; e të liberalizmit, i bindur që liria e sipërmarrjes dhe e tregëtisë me kohë do t’i kishte sjellur përfitime çdo klase shoqërore e çdo Vëndi. Fashizmi u thye me luftën e dytë botërore, komunizmi me luftën e ftohtë. Në fillimin e shekullit të ri u duk se edhe vetë liberalizmi ndjehej keq. Më parë 2008 e krizës së madhe, pastaj 2016 e Brexit dhe Trump-it dukeshin se i kishin dhënë një goditje vdekësore idesë së shkëmbimit të lirë, të globalizimit të lumtur, të rritjes së përherëshme, me një fjalë të demokracisë liberale.

Nëse një vit më parë ndonjëri do të profetizonte një pandemi të aftë të shkaktonte shëmbjen e prodhimit e të punësimit, të bllokonte fluturimet ndërmjet Evropës e Amerikës, madje të na ndalonte të dilnim nga shpëpia, do të kishim menduar se ishte gati për të shpërthyer revolucioni. Ndërsa ndodhi e kundërta. Kthimi në rregullin, pikërisht; ose së paku kështu duket, Trump-i ka humbur një zgjedhje që pa Covidin me gjasë do t’a kishte fituar, e Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur presidentin më të moshuar të historisë, një demokrat të qëndrës; një tip “normal”. Brexit ka pjellur më së fundi një marrëveshje që shpëton tregun e përbashkët mes Londrës dhe kontinentit. Jo vetëm, pa Brexit ndoshta nuk do të ishte hovi i Evropës. 

Risia e madhe e vitit është që, mbi valën e krizës shëndetësore dhe ekonomike Angela Merkel i hapi portën borxhit të përbashkët evropian. Një veprim që mund t’i a dorëzojë historisë si shtetaren e parë t’Evropës e jo vetëm si shtetaren e fundit gjermane; edhe se mbi vaksinat Berlini është zhytur përsëri në egoizmin e zakonshëm në dëm të aleatëve. Evropa sigurisht nuk i ka zgjidhur problemet e saj; paratë e Next Generation Eu ende nuk janë parë; megjithatë Gjermania e Franca, Vëndet e mëdha të qeverisura fuqishëm nga qëndra, kanë rifituar qëndërsinë e tyre, ndërsa revanshizmat e përhapura në Lindjen evropiane janë riçuar në përmasën e tyre, shqetësuese por jo detyrimisht të zgjidhëshme.

Në Itali, kthimi në rregullin ka shënuar si zgjedhjet vendore, si vijën e partive që njëherej quheshin populiste. Të djathtët në Campanjë e Puglie kanë rizgjedhur De Lukën dhe Emilianon; venetët dhe ligurët e së majtës kanë votuar Zaian dhe Totin. Aty ku nuk kishte një dalës si në Toskanë, u ripohua sistemi. Pesë Yjet kanë kaluar nga Jelek Verdhët tek Macroni. Lega pyet veten a është vërtetë rasti të qëndrojë përkrah Marinë Le Penit – që këtë vit ka hequr dorë nga tonet skajore – apo të bisedojë me gratë që komandojnë vërtetë Evropën: Merkel, von der Layen, Lagarde.

Kjo nuk do të thotë aspak që 2020 ka shënuar fundin e sovranizmit. Aq më pak në Vëndin ndoshta më  të dobët të Perëndimit, që mjerisht është Italia. Prova e jashtzakonëshme e dhënë nga shoqëria qytetare – nga mjekë e infermierë që kanë luftuar pandeminë në rrjeshtin e parë, deri tek punëdhënës e puntorë që kanë qëndruar fuqishëm – nuk mund të fshijnë gabimet e klasës drejtuese. Shtresat më në dukje të ngasjes sovraniste janë ato më të goditurat nga kriza: shtresat popullore janë dobësuar më shumë; është zgjeruar gërshëra ndërmjet atij që është i siguruar e atij që nuk është, ndërmjet atij që mund të punojë në smart-working e të marrë pagesën e plotë dhe popullit të autonomëve, të zejtarëve, të të punësuarve përkohësisht.

Veç asaj po fillohet të kuptohet se Evropa ka bërë një gabim mjaft gjëmëmadh, duke synuar pothuajse gjithshka mbi një vaksinë që ende nuk është e të porosisë pak doza të asaj që është.  Për pasojë Kina , e dalë më përpara nga piskama, do të ndiqet nga Amerika, jo nga kontinenti i ynë; me përjashtimin e vetëm të Gjermanisë që po kërkon rrugën e shkurtër që nuk i bën nder.

Mbas Luftës së Madhe nuk erdhi në politikë kthimi në rregull. Erdhën revolucione komuniste e fashiste. Historia nuk përsëritet kurrë dy herë, madje: “Nuk kthehet kurrë më asgjë”, siç qorton Francesco de Gregori; dhe fakti duhet të pranohet “si një fitore”. Por nëse Evropa nuk do t’arrijë të vaksinojë në mënyrë të kënaqëshme qytetarët e saj – duke mbrojtur përveç të moshuarve edhe punonjësit veprues – , as të mos krijojë punë me paratë e Recovery-t, atëherë 2021 do të sjellë të tjera të papritura; dhe jo pozitive.

“Corriere della Sera”, 28 dhjetor 2020      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: ALDO CAZZULLO, Bote e permbysur, Eugjen Merlika

POR SIMBOLET E VËRTETA NUK MUND TË VDESIN

April 17, 2019 by dgreca

Shkruar nga ALDO CAZZULLO/

Eugjen Merlika e perktheu nga “Corriere della Sera”/

            Ata që flakërojnë në televizione apo në smartfone janë dru e metale; nuk është Notre Dame. Mund të shëmben mure që do të rindërtohen; nuk mund të vdesë një simbol, një besim, një komb. Kur një popull nuk din më se kush është, kur një Vend nuk njeh më misionin e tij në histori, kur një komb i lashtë, ndoshta i plakur, dyshon për rolin e tij në botë, atëherë një tragjedi mund të vlejë për t’a shkundur. Kur Victor Hugo shkruajti Notre Dame de Paris, Katedralja nuk ishte katandisur shumë më mirë se sa do t’a lenë flakët e shpërthyera dje mes lotëve të besimtarëve dhe tronditjes së turistëve. Revolucionarët e kishin shkatërruar dhe ëndërronin për t’a kthyer në tempullin e Perëndeshës Arsye, ose në një gurore.

            Përmendoret e ballores ishin rrëzuar sepse, në sytë e jakobinëve nuk paraqisnin mbretërit e Judesë, por Mbretërit e Regjimit të Vjetër. Ai që ndërtoi Notre Dame-n, para se sa arkitekti neogotik Viollet – le – Duc, qe një roman. Hugoi nuk ishte përshkuar nga një shpirt fetar. Ishte një romantik që kishte zbuluar diçka që i kishte ikur vrullit revolucionar: Notre Dame ishte Franca. Një popull është e shkuara e tij; pra një katedrale e kushtuar Zonjës së Bekuar përfaqësonte vetvetsinë kombëtare më mirë se sa Zhan d’Arka apo Xhokonda, që atëherë qe e ekspozuar në Louvre. Kështu shkrimtari shpiku një dashuri të pamundur ndërmjet një gungaçi e një arixheshke, dy krijesat më të përçmuara që, në hijet e kiklave gjenin strehë nga mizoria e pushtetit. Suksesi qe i pakufishëm. Që aty lindi ideja e shpëtimit të katedrales.

            Zjarri i djeshëm shënoi majën e një krize të vetvetësisë franceze. Flaka shpërtheu për shkak pakujdesie, pavarësisht nga vetmohimi i zjarrfikësve, ndihmat u dukën që në fillim të papërshtatëshme. Edhe Makroni u zu në befasi: po pregatiste një fjalë për t’a mbajtur në televizion, e kuptoi se nuk mund të fliste për tjetër gjë, por vonoi të turrej në vënd; ku nga ana tjetër prania e tij do të ishte lexuar si një vërtetim pafuqie me shkulmat e ujit që dukeshin si çezma të vogla në krahasim me madhësinë e tragjedisë, ndërsa çatia nuk qëndronte, kikla – neogotike, jo origjinale – po thyhej, dhe vetë zemra e Parisit dridhej.

            Megjithatë flakadani është për Francën mundësia për të gjetur bashkëqënien, të vënë ashpërsisht në provë nga kriza ekonomike, nga pasiguritë e presidentit, nga një opozitë e shterpët e shpesh e dhunëshme. Prej dhjetëvjeçarësh Vendi që ka ndihmuar për t’i dhënë botës të drejtat e njeriut dhe Evropës ëndrrën e demokracisë, jeton një grand malaise, një gjëndje të ligë që nuk mund të shpjegohet vetëm me rënien e fuqisë blerëse e shkatërrimin e punësimit. Franca dyshon në vetveten. Një Vend që kishte një perandori e që i kishte vënë vetes një detyrë ndjen se  vlen vetëm pak më shumë se asgjëja. Zjarri që ka shkatërruar Notre Dame-n ka qënë goditja e fundit; por mund të jetë edhe shenjë e një rilindjeje të mundëshme. E dëshmon këtë dhimbja por edhe krenaria që u panë gjatë natës nëpër rrugët e kryeqytetit.

            Sigurisht, në të shkuarën francezët e kishin të qartë se Notre Dame nuk ishte për ta vetëm një kishë. Katerina e Mediçëve kremtoi në të martesën që e bëri mbretëreshë të Francës. Hugonotët kërkuan shpëtim në të nga masakra e natës së Shën Bartolomeut. Mbreti Diell grumbulloi në të të gjithë flamurët e rrëmbyer armiqve nga ushtritë e tij e u mbiquajt “stolistari i Notre Dame-s”. Napoleoni mëtoi të ishte kurorëzuar aty nga Papa, në një skenar prej letrash të ngjitura nëpër mure për të fshehur shkatërrimet revolucionare, por kurorën e vuri vetë në kokë, ndërsa Davidi  ravijëzonte vizatime për pëlhurën e tij. Me Viollet – le – Duk romantizmi zotëroi arkitekturën gotike dhe u gdhendën ullukët e çatisë, të gjallëruara më pas nga filmi i Disney-t e të ripara në shfaqjet muzikore.

            Kur erdhi ora të lirohej Parisi nga nazistët, De Gaulle urdhëroi gjeneralin Leclerc të arrinte sa më parë në Notre Dame, nga trualli i shenjtë i së cilës nisnin idealisht të gjitha rrugët e Francës: pararoja ishte kompania e nëntë e divizionit të dytë, e përbërë kryesisht nga republikanë spanjolë, ndërmjet të cilëve shumë  priftngrënësa, që i kishin ripagëzuar autoblindat e tyre Guernika dhe Guadalajara, por që mbetën të shtangur nga guximi i arkitekturave, të kubeve, të paramureve.

            Këtu Chirac-u deshi të kremtojë ceremoninë e varrimit të paraardhësit të tij Mitterrand, por pa qivurin e tij: ndërsa dy familjet e presidentit – ajo zyrtare dhe ajo e fshehta – bashkoheshin në një varrezë fshati, të fuqishmit e Botës festuan aleancën mes fronit dhe altarit me kardinalin Lustiger, një hebre i kthyer në krishterim, pak si në gjëmba atë ditë.

            Me Sarcozy-n, Holland-in, Macron-in shënjtëria e presidencës humbi shumë. Mbreti është lakuriq dhe Katedralja është e pambrojtur. Sonde francezët qanë Notre Dame-n. Por do t’a rindërtojnë. Duhet një tjetër arkitekt i madh. Duhen muratorë të durueshëm, t’ardhur nga Vende të ndryshme të botës. Duhen dhuratat dhe lutjet e besimtarëve. Por Notre Dame është një monument fesë dhe shpresës. Mund të digjen gjërat e njeriut; por ajo që bartim përmbrenda është e paprekëshme nga zjarri si salamandra, simboli i Françeskut të parë, jo rastësisht mbreti që në fatkeqësi komentoi: “Gjithshka është e humbur, me përjashtim të nderit”.

            Marrë nga “Corriere della Sera”, 16 prill 2019     

E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Featured Tagged With: ALDO CAZZULLO

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT