• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si In memoriam për Albert Vërrinë

August 17, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

“Skulptori” i karaktereve në skenë,

Mjeshtri i mbikombëtares në Vlorë.

Sot në mendjen time, rivetëtiu shfaqshëm Albert Vërria. Ky artist, me ndikim të fuqishëm në jetën publike të Vlorës dhe me jehonshmëri vijuese në jetën dhe kujtesën artistike dhe aktruese të Shqipërisë, gjatë 70 viteve të shkuara dhe atyre që pasojnë.

Deri në çastin kur u “fsheh nën dhe”, aktori Vërria nuk iu nda qytetit të Vlorës duke i shtuar historisë kulturore të qytetit që tejkalon imazhin për të, edhe një fakt me peshë artefakti:

Teatrit dhe kinematografisë shqiptare, artisti Vërria u dhuroi talentshëm një galeri vetiake. Kjo galeri e bollshme me role dhe karaktere, spikatëse dhe atipike, si në lartësinë e talentit të vet, është hiseja e shqueshme e pavdekësisë që shenjohet me emrin e tij.

Qysh prej fillimit të viteve ’60, në Teatrin e Vlorës që tashmë mban emrin ” Petro Marko”, Albert Vërria mishëroi dallesat mes rolit të ri dhe pasuesit.

U lartësua në këtë artbërje, duke ia dalë të respektojë veçoritë e substancës jetësore në art dhe të vlerës artistike si specifikë e jetës. Në rolet e Vërrisë ngjet si në vargun e Rudyard Kipling:” Lindja është Lindja, Perëndimi është Perëndimi”. Xha Sulua tek ” Kapedani” është karakteri më potencial në kinokomedinë shqiptare.

I ngjashëm me ikonat e kinokomedisë italiane dhe franceze të viteve ’70 apo ’80.

Artisti Vërria është si xha Sulo, në aktin e vet artistik më triumfal. Skaliti një karakter aq tipologjik përmes një aktrimi modern e të përkorë. E imponoi shoqërinë dhe publikun (aq diversiv shqiptar), të qeshte dhe të rishihte me sytë e mendjes bashkëjetesën me brenditë dhe mendësitë obskurante e feudale, arkaike dhe ekstraurbane. Projektoi përmes peshës aq sarkastike të rolit të vet, se ishte jo vetëm artist i talentuar, por veçanërisht i rëndësishëm.

Nuk ka në rolet dhe karakteret mishëruese të Vërrisë elemente dhe substancë jashtëartistike.

Është aq pranë kësaj mundësie në rolin e Nuri Beut tek filmi “Koncert në vitin ’36”, por i mërgohet me aq elegancë dhe sharm, sa në memorien e publikut vijon të mbartet imazhi potent i atij karakteri si personazh kinematografik dhe si tip shoqëror përveçueshëm.

Albert Vërria i ndau rolet- karaktere që solli, përgjatë çdo interpretimi, me talentin dhe cilësitë unike të plastikës aktoriale. Sepse jetonte jo vetëm me ambicien krijuese e estetike, por veçanërisht me korpusin e brendshëm të kulturës, interesimit dhe dijes për galeritë jashtë tij dhe për empathitë që i mbartte si qytetar. Këto të fundit në ndërgjegjen e tij shëmbëllenin me një bahçe të papërsëdytë.

Artisti Vërria ishte armik i kaosit dhe i së paplotës në lojën dhe rolin e vet aktoresk apo kinematografik. Përmes episodit apo qoftë edhe së pjesëshmes, realizonte imazhin dhe siluetën e plotë të protagonistit pa protagonizëm skenari, të personazhit pa hapësirën e të shqueshmit, por që mbeti e shqueshme për shkak të ustait që e lozi.

Mjafton që lexuesit duke ndalur një çast shikimet në portretet e fiksuara nga celuloidi i kamerave në kohën e ” Kinostudios”, të vërrejë dhe natyrshëm të rigjejë, në frizerin e kujtesës së vet, portretet dhe karakteret e galerisë së Vërrisë.

***

Ka kohë që në Vlorë nuk ndihet as zëri dhe as hapi i Bertit, por vijon koha që e mban të shqueshëm Vërrinë e rëndësishëm. Atë zotni Bertin, që bëri një art dhe na dhuroi interpretim dhe që nga amëshimi, na imponon të saktësojmë se:

E kemi një rast artisti dhe personaliteti, prej vlerash të peshës dhe dimensioneve në nivel mbi kombëtar.

Filed Under: Kulture Tagged With: aleksander Cipa

Nik, rishihemi në Dukagjin…

August 12, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Dy ditë nëpër ujërat rrjedhëse të Shalës, nëpër Shosh.

Aty ku natyra e ka shëndet rrallësinë e njerëzve.

Ndonëse, tashmë e përditë, kjo mungesë është e ndieshme vetëm për tetë-nëntë muaj të vitit. Kurreshtarët nga krejt Bota shtohen përvitshëm. Dukagjini është territori ende i virgjër shqiptar.

E vetmja mundësi për të shkuar nëpër gjatësinë lartësore të krahinës është lumi, i cili në këto ditë gushti ka në nivelin më të lartë ujor.

Lëvrijnë skafet e ndërtuar artizanatshëm nga Komani drejt luginës së gjelbërimtë të Shalës. Ne na ra rasti të na shërbejë Nik M., një djalosh i fismë dukagjinas. I palodhshëm dhe besnik si malësor, i zgjuar, i shkathët, i mprehtë, symprehtë ndaj çdo pantomime dhe çdo rryme të ujit. Manovrues i shkëlqyer i varkës me motor të cilën e ka ndërtuar vetë dhe ka një kapacitet për rreth 20 persona.

Nik është një rrëfimtar ekspresiv i tipologjive të dukagjinasve, të zonës dhe të raportit të njeriut me këtë natyrë virgjine.

Por në udhëtimin drejt Shalës, ai na jep telegrafisht një skicim të trashëgimisë familjare, fisnore dhe zakonore e cila ende është në fuqi, në Dukagjin.

Ne jetojmë bashkërisht, familja e babës tem me atë të xhaxhait. Tashmë jemi 11 vetë. Qeverisjen e familjes e kryen xhaxhai dhe nusja tjetër e xhaxhait. Ata marrin vendime për gjithçka. Ne punojmë dhe ndihmojmë nën këtë “qeverisje” të patundshme e të padiskutueshme. Kurrë nuk kemi një përplasje. Arat tona atje sipër, ( na i tregon ndërsa ngjitemi përgjatë brigjeve), përballë bregut të zonës së Bushatit).

-Matanë,- thotë Nik, është Temali, andej ka qenë Martin Camaj. (E thotë me krenari, ndonëse pak gjasa ka ta ketë njohur ktejt veprën letrare të Camajt).

Nik është karakteri i një të riu që nuk e ndesh shpesh më në territorin shqiptar.

Besnik i qëndrimit në truall të vet. Rreth të 40-ve, me shtatlartësinë dhe elegancën sportive. Jeton me bindjen se ai duhet të jetojë vetëm duke punuar dhe me besnikërinë për të shtuar punën dhe sidomos rrjetin hotelier dhe restoranteve në Shalë. Aty ndërtohet bukur, me të njëjtën arkitekturë dhe me funksione shërbimi posaçërisht për turizmin lumor malor. Respektohen kushtet dhe ende ruhet sensi i masës. Është një sakrificë e madhe investimi në këtë vend. Shteti do të duhej t’i mbpshteste përmes një plani dhe projekti afatgjatë mbështetës. Ata janë vetëqeverisës dhe besnikë të palëkundshëm të mbrojtjes së pronës dhe të trashëgimisë mbi të. Janë në konceptin e trashëguar të truallit që u takon dheasve, të kësaj krahine.

Të gjitha i kemi bërë vetë. Elektrifikimin e kemi përfunduar para një ose dy vitesh. Shkrep më shkrep i kemi mbartur shtyllat e drunjta të tensionit të lartë dhe kemi zgjatur fijet e telit. Kemi punë, por zgjat shumë pak…Sivjet është shumëfishuar ardhja e njerëzve. Kryesisht dhe ma së shumti të huej!…

Në këto brigje shëtit realisht si në një vis ëndërrash dhe leximesh që nuk ke nevojë t’i imagjinosh, pasi janë realë, si ti që i viziton. Tokë, ujë dhe gjebërim gati stepor në shumë gjatësi brigjesh… Në kreshta ngjiten lloj, lloj bimësh e pemësh. Shquhen kurorat e gështenjave… ka ende shumë kafshë të egra… nuk gjuhet shumë… natyra nuk ka nisur ende “të trembet” nga njeriu…sepse vendasit kanë një trashëgimi të bukur primitive të besimit ndaj saj dhe tek ajo. Besim si ndaj një tempulli…

Nik, shpesh përmend e betohet në Zot, duke më lënë në shijen dhe perceptimin se zotëron një kod të bashkëkomunikimit me natyrën pra, me providencën e prekshme dhe të ndëgjueshme të tij.

Nik, një ditë më parë për herë të parë bëri tri rrugë me varkën motorike prej llamarine Koman- Shalë- Koman…

Puna po i shtohet si në imitim shtese të prurjeve në lumë…

Ne po kapim një shezlong ndanë ujit të kristaltë të lumit dhe mërmërisim:

NIK kemi për t’u riparë shpesh e më shpesh….në Dukagjin…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: aleksander Cipa

Eda Late si një Musine e kohës sonë, me shkëlqim inteligjence dhe urtësie

August 9, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Kur pashë titullin e kobshëm për ikjen tënde në amëshim, Eda Late, lëngova si prej dhimbjes së thellë prej miku. Qysh nga adoleshenca ime, (atëhere humba vëllain tim të vogël), ia mallëkoj me koshiencë vdekjes, rrëmbimet e befta.

Në këtë të sotmin, të rrëmbeu ty.!

Të rrëmbeu Eda e mirë, hapasëz, (siç do të thuhej në sofatë e qytetit jo vetëm nga anetë). Të rrëmbeu duke të lënë në mes, gjëra të vyera e merita që s’i trashëgojnë dot, qoftë edhe simotra të tuat…Ti ishe një model i fismë Musineje. E kam fjalën për Musine Kokalarin, shkrimtarja, intelektualja, bila ( bija) që i shtoi qytetit një dimension njerëzor të cilin e shton dhe vlerëson shtueshëm e ardhmja, më shumë dhe përherë më tepër se e sotmja, e aq më tepër, se e shkuara.

Eda, nuk ishte “Musine” për shkak të penës apo të fjalës, ishte fisnikërisht e tillë, për shkak të intelektit, për shkak të ambicies dhe dashurisë për dije, për shkak të etjes dhe urisë sharmante për kulturë dhe për të qenë një bijë e arsimit dhe shkollimit shqip në nivelet dhe ambiciet më cilësore të mundshme.

Eda Late ishte ndër ato të reja gjirokastrite që pasuronte perceptimin dhe dijeninë e çdo ekstra-gjirokastriti, për zonjëzat e kulturuara, të holla dhe fine, prej hir-it mendor dhe sharmit logjik e largshikues.

Me Edën kaluam mbi 35 vite njohjeje.

U rritëm në Gjirokastër dhe në Tiranë. Flisnim, molloiseshim, qeshnim, monologonim e dialogonim më shumë me një shikim se sa me qindra fjalë.

I thoshim të gjitha edhe kur nuk shkëmbenim qoftë edhe më shumë se tre fjalë. (!)

Kur im bir Akri, po spikaste si student i bachelorit dhe pretendonte bursën e ekselentit për në New York, Eda ishte një autoritet në administratën e lartë arsimore. Mishëronte punonjësen madhështisht modeste, studiuesen dhe kërkuesen me një rigorozitet dhe korrektesë sfidueshëm për në nivelet e larta, teknicienen gjakftohtë e buzëqeshur.

Ishte pjesë e administratës arsimore, pranë ministrit të atëhershëm të Arsimit, Profesor Myqerem Tafaj. Profesori duke dashur ta prezantonte me mua, i thotë:- Sandri është gazetar dhe biri i tij është shqiptar i gjeneratës që do na përfaqësojë Shqipërinë tjetër…

Eda, me buzëqeshjen e saj karakteristike, i përgjigjet:

– Nga qyteti ynë, Sandri vjen me historinë moderne të shtypit…

Eda, sa herë me mikun tonë të përbashkët, tashmë aq mungestar, Hysni Çani të sillnim në kujtesë e përmendje bisedash! Të sillnim, sikundër flisnim për Musinenë dhe letërsinë e saj aq tipologjike, me rrëfimin në gjirokastriçe, sepse ti ishe e tillë në ditët tona. Sot e humbëm mundësinë e përgjithmonshme për ritakim me ty, Eda Late. Të gjitha të pathënat, do t’i themi veçmas, ndarë e për së ndari. Tonat do t’i dëgjojmë e artikulojmë me njeri-tjetrin si frymorë. Të tuat, ndoshta mund t’i marrim mistikisht prej botës tënde të amëshimtë.

Gjithësesi, pengu mbetet i joni ndër ne:

Ishe më e mirë nga sa të njihnin, mbete më e mirë nga sa të njohën.

U prehsh në paqe! Në dritë të shpirtit tënd qëndrofsh, bija e mirësishme e Gjirokastrës!

Filed Under: Komunitet Tagged With: aleksander Cipa, Eda Late

“Feniksi i Himarës” si një kryevepër njerëzore edhe në amëshim

July 29, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Ka një shekull që mbetet aureoliku i Polifonisë Shqiptare. Eshtrat e tij nën këtë mermer të thjeshtë, janë bërë dritë që rrezëllin me gjithë fuqinë dhe dritat, përjetësisht në këngën shqiptare. Në varrezat e thjeshta të Himarës kala, nën këtë lis si të porositur prej De Radës, prehet poeti më i madh i të gjitha kohërave të polifonisë shqiptare. I konsideruar nga shtypi shqiptar i viteve ’30 si ” Feniksi i Himarës”, Nestor Muko Marioti, i njohur si Neço Muko, për disa dekada ishte varr-humbur në Himarë. Një tjetër poet pasardhës i tij, Lefter Çipa, adhurues si Ai i këngës dhe vjershërimit të Neços, tashmë i amëshimtë si Ai, ia gjeti varrin dhe tashmë fansat, adhuruesit dhe gjithë artdashësit e këngës himariote mund ta bëjnë një ndalesë tek ky memorial i ” Feniksit të Himarës”…

Në Himarë do të duhej me kohë të ishte shtatorja e lartë e Neço Mukos. Ashtu sikundër do të duhej të ishte monumenti i lartë mbi syprinën e detit, i kryeveprës së Poetit të Himarës, kryemetaforës së tij ” Vajzë e Valeve”, sikundër e ka propozuar eruditi i papërsëdytshëm, poeti dhe shkrimtari Moikom Zeqo.

Neço Muko Marioti është poeti që në këtë vis rivalizon edhe Malet e Vetëtimës, Brigjet e këtij Joni dhe vetë historinë mijëravjeçare të Akrokerauneve.

Sepse poetët si Neço Marioti, vendosin një referencë me kohën: jo me paraardhjen e tyre, por që nga koha e tyre dhe në gjithë ardhmërinë e ardhme…

Ka një shekull që ky poet sodit përjetësinë e tij nga amëshimi. Ndërsa arti i tij, mbetet frymë dhe shenjë identifikimi kombëtar, për më autentiken vlerë të kulturës shqiptare:- Fosforinën Vënçe Shqiptare- Polifoninë…

” Ju të bukur zogj,

Tek ju kam një shpresë,..”

Himarë Kala,

27 Korrik 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: aleksander Cipa

Guri dhe dritat e shpirtit njerëzor, një javë prej kënge, në Gjirokastër

June 28, 2023 by s p

Aleksandër Çipa/

Ka kohë dhe ditë të veçanta që për një qytet mund të marrin vlerën e një magjie të prekshme, të shijueshme dhe natyrisht imponuese, për t’u mbartur si hise e përhershme kujtese tek njeriu.

I tillë është Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës.

Ky i sivjetshmi që po ndodh, nga data 24 Qershor deri në 1 Korrik 2023, i njëmbëdhjeti në rendin numëror.

Gjirokastra ka shumë gjëra të rëndësishme që përbëjnë shenjat identifikuese të saj, sikundër ka disa gjëra atipike që kanë vlershmërinë e identitetit kombëtar të këtij qyteti. Njeri ndër më të rëndësishmit është pikërisht ky festival.

I ndalur, i penguar apo i ndërprerë, prej tetë vitesh, por sfidant për nga prurjet dhe spektakli që shpalos në shtatë ditët e tij.

Nuk gjen një sfilatë të tillë kostumesh në asnjë festival ndërkombëtar e aq më tepër, në asnjë bienale ndërkombëtare kostumografie.! Hapësira Shqiptare në kalanë e Argjiros, në mënyrën më natyrale dhe spontane të mundshme, njëjtëson vetveten përmes një shfaqjeje dhe sjelljeje kulturore.

Seicili grup, çdo krahinë dhe specifikisht njeri pas tjetrit, çdo entitet, në ditët e këtij festivali, janë materia unike e shpirtit dhe kulturës kombëtare, e shenjave etno dhe antropokukturore shqiptare..

Krejt ky vërshim folkloriko- kulturor, ka vlerën tingëlluese dhe pohuese të klithmës: ” Rron or rron dhe nuk vdes shqiptari!” Aq më tepër në kontekstin e një kohe si e tanishmja, kur po thahet dhe bjerret veçanësia dhe po triumfon depresivisht njëjtësia globale.

Në natën e katërt të festivalit erdhën ansamblet e Durrësit dhe Korçës.

Grupet nga Kruja sollën ciklin e parë të numrave të koncertit për qarkun bregdetar. Kostumet elegante dhe sidomos këngët folklorike qytetare, edhe pse nuk shënojnë një akt shtues për nga materia folklorike, gjithësesi, janë rifreskim i një paraqitjeje të fondit folklorik lokal.

Kënga aq tipologjike e pleqve të Krujës, shënon vijimësinë e një tradite aq qytetse.

Rrezëllitëse dhe elegante, sharmante dhe modul i elegancës qytetse ishin paraqitjet dhe interpretimet e grupeve të Korçës dhe Kolonjës.

Koloriti interpretues i këngëve, sidomos valleve të vajzave dhe djemve të kësaj trupe, rikthejnë shpresën e triumfit të traditës së ndërprerë por edhe të shtesës sharmante tek trupa dhe interpretët e një gjenerate të re artistësh e instrumentistësh.

Gjirokastra, natën e ka zgjatim dite, këto ditë. Grupet folklorike, artistë dhe instrumentistë të ndryshëm, fansa, adhurues të shumtë të folklorit, turistë, kurreshtarë nga vendi dhe bota janë të gjithë, banorët e mbrëmjeve dhe netëve të kësaj jave, në qytetin magjik të gurit dhe dritave.

Mes tyre; domethënë mes njerëzve, gurit dhe këngëve, (jo vetëm polifoniket), janë të meritueshmet për t’u ndriçuar prej dritash si në art. Të tillë, domethënë art, Gjirokastra ka prej kohësh më shumë se për vete dhe të çmuar për Botën.

Më të vjetra ndër gjithë dritësitë që gjeneron ky qytet, janë dritat e natyrës.

Por më të hershme për nga vlershmëria, janë ato të shpirtrave të talentuar njerëzorë të cilët, në shumicë dhe me kaq pasuri, mund t’i mbledhë e vetmja kala, si kjo e Argjiros.

Këtë aset unik kulturor të popullit tonë, mund ta shtojë dhe ekspozojë specifikisht, vetëm ky Festival Folklorik Kombëtar, i Gjirokastrës.!

Gjirokastër, Ora 1.10, 28 Qershor, E mërkurë 2023

Filed Under: Kulture Tagged With: aleksander Cipa

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT