• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zgjedhjet në Amerikë dhe Shqiptarët

August 31, 2020 by dgreca

Nga Alfons Grishaj*-

Zgjedhjet në SHBA kanë hyrë në një fazë të re. Demokratët  padashur janë zhvendosur nga pozicioni i tyre tradicional  drejt  frymës së  vjetër socialiste të huazuar Ruse. 

Sanders, Kortez etj.  janë autorët e një qasjeje të re politike, e cila ka sjellë një impakt aventuresk në ndërgjegjen e të paformuarve dhe  zonave që udhëhiqen nga demokratët. Dikush shfaqet me flamuj socialistë Rus, disa të tjerë, me banderola, “Black Life Matter” (sikur,  white life don’t matter, blue life don’t matter, bird’s life don’t matter etj…), të tjerë… me flamuj hitlerianë… Ca gangsterë me sloganin, ANTIFA! Egërsia e majtë ka prapa një filantrop të zi, George Soros-in, i cili njihet si armiku numër një i Republikanëve, … gjithashtu  mjeshtër i kaoseve… 

Në kohët moderne, shkatërrimi  është rezultat i instrumentit të forcës së paguar… dhe veprimi  efekt i impaktit të synuar.

Biden dhe liberalët, mundohen të mbajnë balancën në Partinë Demoktratike, e cila nuk ka më finesën, inteligjencën dhe largpamësinë e paraardhësve. Fizionomia e Partisë Demokratike tradicionale është transformuar sa zor t’i gjesh ndonjë tipar të antikomunizmit të dikurshëm për të cilin shquhej, ndërsa e ka ulur dukshëm flamurin e forcës mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Tani ajo ka në gjirin e saj të gjithë kolonët e rrymave negative, duke humbur misionin autentik. Pjesa dërmuese e medias, përjashto këtu Fox dhe disa zëra të pavarur, janë në delirium tremens. Të  gjithë zërat kundër Presidentit, dhe pse  bëhen pararojë e shkatërrimit të Amerikës, ata nuk ndalen deri sa të fundoset Titaniku. Qofsha i gabuar, por siç shihet… vetë kundërshtarët po  e ndihmojnë Trumpin të lundrojë dhe për katër vite përmes akullnajave dhe politikave “akademike” standarte pa shpirt e novacion. 

Në këtë kaos udhëkryqi pasionesh në ndërgjegjen e zgjedhësve… shqiptarët janë ndarë në dy grupime, demokratë dhe republikanë. Klasa e vjetër e ardhur në vite nga Dardania dhe viset e tjera, duke përfshirë dhe elemente të tjerë nga toka mëmë, ka dalë në krahun e demokratëve, për çka, në të vërtetë, nuk duhen gjykuar… sepse, demokratët i kanë shërbyer në vite çështjes shqiptare në përgjithësi. Ne nuk mund t’i shesim kurrë miq si Klinton, Engell, Peters e të tjerë, miq që kanë ndihmuar kauzën e kombit tonë. Një demonstrim kundër tyre do të ishte amoral. Por, politika krijon gjithnjë hapësira të reja që duhen respektuar dhe luajtur në mënyrë të ndershme dhe  efikase për vendin tonë. Një përllogaritje e keqe ndëshkon pjesën e Dardanisë dhe viset e tjera jetike të kombit tonë. 

Në grupimin e demokratëve ka dy lloj karakteresh, klasikë dhe hibritë. Klasikët janë pasionantë dhe nuk e shohin shkarjen e partisë që të gjithë e deshën!  

Grupimi  dytë  brenda demokratëve janë hibritët, të cilët  janë kolonë e pestë, duke ardhur nga familjet më të përlyera post-komuniste, apo pakicat kontraverse, të cilët kanë bërë gjithmonë  rolin e minave. 

Disa  hiqen dhe si republikanë, por në fakt janë të majtë që kur lindi “Partia”. Vlen të përmenden shkrimet e ca mjeranëve (kandidatë apo anëtarë të PP-së ) që  gjoja janë shkrimtarë, të cilët mashtruan shtetin amerikan kur mbushën formularin e pranimit të SHBA, duke bërë një krim që është i dënueshëm në bazë të ligjeve në fuqi. Këtyre kopukëve injorantë e gënjështarë që rreken për t’u bërë dikushi duke u shfaqur aty-këtu si intelektualë, të cilët kërkojnë të mbulojnë defiçencën astronomike  intelektuale, herë me grup dhe herë të vetëm si gjarpëri, po ua them dhe njëherë:  koha e  mjeranëve ka vdekur! 

Republikanët, bazuar në ndërgjegjen konservatore unifikuese,  shprehur nëpërmjet vlerave të familjes, besimit dhe patriotizmit, kërkojnë rikthimin e ndërgjegjes së cunguar amerikane, e cila po humb qëllimin dhe bekimin e formimit si shtet. 

Forcat komuniste botërore, me në krye Rusinë dhe Kinën… dhe gjoja globalistët…, po përpiqen me të gjitha mjetet që të influencojnë në kontaminimin e ndërgjegjes dyzuese amerikane për t’ia dhënë votën humbjes së Amerikës. Shumë pak kush e kupton se, këtu nuk është lufta midis Trump dhe Biden, por lufta për të dobësuar Amerikën, ndikimin pozitiv të saj në botë me kulturën, ekonominë dhe, mbi të gjitha, modelin e lirisë. Sikur njerëzit, mediat dhe politika të mendojë për një minut të vetëm, duke i thënë ndërgjegjes, “ku jemi duke shkuar?”… e gjithë çorba e gatuar do të derdhej si jashtëqitje në gjirizet  e  Amerikës, duke u dekantuar nga bartja e trazuar e dyzimit…, dhe ky komb i bërë nga Zoti do të ndriçonte botën deri në kataklizmo.  

Shqiptarët nuk kanë pse zihen me njëri-tjetrin për një kauzë e cila i përket popullit amerikan që ta zgjidhë. Ne jemi miq të Amerikës dhe do ngelemi të tillë. Rëndesi ka që shqiparët të ruajnë statusin natyral të besnikërisë ndaj shtetit që e ndihmoi për më tepër se  një shekull. Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Por gjithashtu, le të edukohemi  që  mendimin e tjetrit (pa bisht)  ta respektojmë si një e drejtë e sanksionuar  në të drejtat e njeriut  dhe rregullat e demokracisë botërore.

*Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Zgjedhjet në Amerikë

Ligësia e helmtë

July 21, 2020 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ-Sa herë që recitoj Invictus, më mbushet zemra me forcë dhe krenari. Gurët e kundërshtarëve  më  duken prej pambuku dhe fanitja e  siluetave më ngjan si thëngjinjë të fikur në rrënojat e kasolleve prehistorike. Lukunia e tyre  fiket si fidane në tokën  e djegur që nuk prodhon më frute. Pezizhka, tjerrë prej  merimange që dikur mbillte vdekje,  nuk mund të bëhet dot më qefin i lirisë së fituar. Megjithatë ata nuk kanë vdekur, vegjetojnë birave e hijeve.Luajnë me momentin e fituar dhe mundohen për të përbaltuar çdo kundërshtar, deri tek ikonat e kulturës dhe lirisë.

            Dekadenca e marksizmit solli  përmbysjen e komunizmit dhe koha  vërtetoi diferencën e të qënit komunist si aksident (si në rastin e publicistit Gani Vila, i cili është bërë një shembull patriotizmi me emisionet e tija plot sens kombëtar) dhe komunistit  real e  injorant, i cili  dhe pas përmbysjes komunizmit nuk ndryshoi mendësi. Helmi i tyre vazhdon, me forma inferiore,  letra prapa shpine, shpifje, sajime teorish konspirative, si në rastin e një oficeri të PP-së që shkarravit në katramah  me bojë të zezë portretet  e kolosëve të letrave shqipe si Camaj, Koliqi etj.

            Shqetësimi i miqve të mi Romeo Gurakuqi, Dalip Greca, Visar Zhiti, Frank Shkreli etj.rizgjon revoltën shpirtërore të arsyes kundër helmit të trashëguar. Historianë eminentë si Gurakuqi parashtruan forcën e argumentit dhe disiplinën e shkencës historike përballë diletantizmit denigrues kundër inkompetencës dhe plastikës provokuese të improvizuar keq nga gazetarucë  gjoja “investigues”, të cilët  kanë dëshirë të stisin teori konspirative pa asnjë qasje të tillë. Bashkëpunëtori im Dalip Greca  (Bleta punëtore e gazetarisë dhe e Vatrës), në mënyrë të shkëlqyer sjell figurën reale të Martin Camaj, përpjekjet e tij për Katedrën e Shqipes (kur komunistët bënin aleanca me armiqtë shekullorë), dhe  me fakte degradon përçudnuesit e historisë.

            Po a mundet që insufiçenca intelektuale të zbehë personalitetin e titanëve të letrave të kombit? Jo! I çfarëdo shkalle që të jetë manipulimi  qëllimi është i dukshëm sepse bart me vete erën e mykur të zyrave që simbolet kombëtare i zëvendësuan me emblemat e krimit çnjerëzor dhe stemat e tipit drapër çekan.

            Mendime të ndryshme do të ketë! Siç ka dhe shije të ndryshme estetike.Por në rastin Camaj-Koliqi, nuk është fjala as për mendimin ndryshe as për dallime estetike.Teoritë konspirative janë mjete lufte dhe përdoren gjithmonë në mënyrë të qëllimshme.Me anë të tyre, synohet asgjësimi moral i personaliteteve me ndikim të lartë në shoqëri. Tek ne, komunizmi i përdorte në dy kohë: para dhe pas asgjësimit fizik të kundërshtarëve. Camaj dhe Koliqi nuk u eleminuan fizikisht nga Sigurimi edhe pse dihet se ka pasur tentativa në këtë drejtim.Çka bëhet sot ndaj tyre, s’është tjetër veçse një zhvarrim, nxjerrje eshtrash mbi tokë, profanim.

            Një herë e një kohë, gjatë një vizite tek shtëpia e mikut tim, Poetit Frederik Rreshpja, gjatë bisedës  m’u drejtua: “E shikove fytyrën që hyri dhe të dha dorën? Është  im vëlla…, komunist  i betuar,  injorant  i neveritshëm, një nga shpifësit që më kalbi në burg!” Ai e lexoi  mimikën time të habitur dhe nuk priti përgjigje, por vazhdoi, – “Do t’i shërbeja edhe Pinoçetit… vetëm të zhdukja këtë farë të keqe!”

            Po të trokasësh në qindra  dyer shqiptare, tragjedi si të Frederikut  do  dëgjosh me shumicë. Lotët dhe gjakun e tyre deri më sot  askush nuk i pagoi. Dhe  daullet e djallit  vazhdojnë të bien. Portalet e gazetat e kasnecëve rozë u bëjnë jehonë, duke na sjellë në  kujtesë kordonet e detashmentëve të kuq.

            Aspak nuk ka pse habitet kush me lutjet e patriotëve që kërkonin aleancë perëndimore për rrëzimin e këlyshve ideologjikë të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, sepse rrezikun dhe lehjet e tyre po i dëgjojmë dhe tani si jehonë e trishtë e  shkuarës në të tashmën.

            Patriotët tanë nuk bënë kurrë  aleanca në dëm të interesave kombëtare, por përkundrazi vunë në dispozicion edhe atë pjesë të vetes që duhet mbajtur për vete vetëm e vetëm që të mund t`i shërbenin sadopak vendit të tyre, pikërisht në periudha kur fatet e popujve të vegjël varen nga raportet apo ekuilibrat e fuqive globale. Aq më tepër Camaj, apoliciteti i të cilit është vërtetuar si qëndrim jo vetëm në vepër por edhe në jetë. Pa harruar që këto figura nuk u kursyen kur patën mundësi t’u hiqnin litarin nga fyti bashkatdhetarëve, ndërsa kriminelët e kuq nuk e bënë këtë as për familjarët e vet. Dhe këtu s’është nevoja të përcaktojmë se cila është njerëzore dhe cila jo.

            Do isha kurioz të dija sikur të ishin gjallë “luftëtarët” anti-imperialistë, si do ta gjykonin tani Shqipërinë në NATO, OSCE ( Organizatë që është ngritur kundër komunizmit), e organizma të tjera ndërkombëtare? Në këto organizma kolosët tanë dëshironin ta fusnin Shqipërinë prej kohësh, sepse e dinin se në ombrellën mbrojtëse të tyre armiqtë tanë shekullorë nuk do të mund të derdhnin shiun e kuq komunist. E pra nuk ka kaluar aq kohë sa të harrohet gjëma që iu bë Shqipërisë nga ata që u lidhën në aleanca antishqiptare. Nuk harrohen refrenet e “Bashkim – vëllazërimit”, idhujtarizmit stalinist dhe aleancës së çeliktë me Kinën, ndërsa çështja kombëtare shqiptare ishte zëvendësuar nga slloganet internacionalizmit proletar.

            Një fakt tjetër që nuk duhet harruar.Në luftën e dytë botërore humbën jetën rreth 60 milionë njerëz dhe s`ka dyshim që nazifashizmi është përgjegjës për këtë, por se çfarë ka qenë komunizmi kërkohet të harrohet.E si mund të ndodhë kjo, kur në këtë periudhë, që duhej të mbizotëronte paqja sociale dhe prosperiteti u martirizuan   mbi 100 milionë shpirtra.Stalini, Mao Zedong dhe Titoja zinin vendin e parë për ekzekutimin e miliona frymëve.Pikërisht këta monstra ishin aleatë por dhe model për Enver Hoxha, i cili bëri të njëjtën gjë me popullin e vet. Tani trashëguesit  e partisë së tij janë  Ramëzezët … Tarot e Larukët e shtypshkronjës së kuqe.

            Sot kur ripërtëritja e aleancave me Serbinë dhe Rusinë duken sheshit një tradhëti e lartë, gjenden njerëz që përhapin hije dyshimi duke ngritur “pikëpyetje shqetësuese”mbi jetën dhe veprën e korifejve të letrave tona. Shumë syresh paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë (jo keq për nivelin e pagave në Shqipëri) për të bërë tjetër punë, e jo për të parashtruar “hipoteza” apo për të përhapur “dyshime”. Këto i bënte dikur Sigurimi i Shtetit.E natyrisht i bën dhe sot.

            Asnjëherë nuk më ka pëlqyer t`i trajtoj disa tema nën prizmin e armiqësisë dhe jam munduar t’i evitoj deri në sacrificë, por lufta për të vërtetën duhet të mbetet e hapur, duke përdoruar arsyen e ftohtë shkencore, por dhe reagimin si pasojë e shkakut joproduktiv të kundërshtarit. Nëse dikush e sheh debatin brenda një shoqërie sipas teorive darviniste dhe marksiste, atëherë duhet ta kuptojmë që jemi në një “luftë për ekzistencë intelektuale”. Penat e mprehta intelektuale dhe patriotike nuk kanë pse të heshtin sepse kanë për çfarë të shkruajnë, kanë çfarë të mbrojnë, kanë për çfarë të krenohen.Koha dhe e vërteta është në anën e duhur. Misioni i intelektualëve patriotë  nuk është vetëm të kundërshtojë teoritë e luftës instiktive Marksiste-Darviniste, por dhe të gjejnë shtigje për të dalë nga impakti  i farës së keqe që ka pllakosur atdheun.

            Horaci, Senator dhe poeti më i shquar i antikitetit roman, thoshte:

“Littera scripta manent.”- Fjalët e shkruara  mbesin.

Filed Under: Emigracion Tagged With: alfons Grishaj, Ligësia e helmtë

“Jeta lojë numrash”( Pitagora)

June 5, 2020 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/DIELLI

Filozofi i parë i civilizimit perëndimor, Talesi i Miletit, theksonte se, “Uji ështëqendra e jetës. Anaksimandri, nxënësi i Talesit shkonte në një drejtim tjetër, i cili theksonte se gjithçka ngrihetnga pafundësia dhe shkon në infinit. Kurse Anaksimenesi,  nxënësi i Anaksimandrit  thoshte: “Ajri është i rëndësishëm po aq sa uji”, dhe besonte se shpirti është formuar nga ajri. Ndërsa  Pitagora, që besonte tek rinkarnimi,  thoshte: “Jeta është lojë e numrave!” 

Në të vërtetë të gjitha çfarë thonë tre filozofët e parë të perëndimit që studiuan burimin e jetës, kanë pasur rëndësi të padiskutueshme në mendimin filozofik përgjatë shekujve. Ndërsa definicionet e Talesit dhe Anaksimenesit janë më të lehta për t’u kuptuar, teoria  e Pitagorës, duket shumë më e ndërlikuar. Prandaj po tentoj  të ndalem tek “loja” e numrave të Pitagorës, për ta futur në hullinë time kompromentuese të këtij shkrimi.

Dikur, në një muzikal shqiptar, (Karnevalet e Korcës) një personazh i thoshte të shoqes në diskutim e sipër:  “Olimbi, jeta është llogari!”. Skenaristi, duke synuar ta satirizonte personazhin, pa dashur, jep efektin e kundërt. E bën atë të këndshëm. Unë nuk e besoj se ai e njihte Pitagorën sa të citonte gati me përpikmëri thënien e tij. Po, ç’ t’ i bësh, logjika e numrave!

Në botë, loja e numrave është leva e Arkimedit për të lëvizur materien rreth nesh, pro dhe kundra.  Siç dihet, luftërat fitohen me lojë numrash. Votat janë llogari numrash, por diku kanë tjetër funksion e diku tjetër.  Në vendet e civilizuara ato janë elementet e mekanizmit që sjell ndryshimin në shoqëri. Në vendet e pazhvilluara, ku votat blihen me para, janë thjesht elemente statistikore, numërorë barku dhe jo ndërgjegjeje. E kështu mund  të vazhdojë  deri në “infinit” siç, thoshte Anaksimenesi.

Këtu fillon dhe tragjikomedia e shumë popujve. Varfëria e tejskajshme dhe humbja e shpirtit janë lojë e numrave! Robëria dhe nënshtrimi janë lojënumrash. Gjymtimi i kujtesës historike, harresa dhe rikthimi prapa…, po shaka numërorësh! Prishja e shumë familjeve dhe miqësisë, lojë numrash. Prostitucioni dhe bordellot, lojë e dhimbshme numrash. Shkatërrimi i solidaritetit, lojë numrash.

Loja e numrave, të len pa bukë, pa shtëpi, të copëton  familjen. Nëse ndërgjegja e lirë do t’i mundte  numrat, njeriu që vuan do kish qenë në paqe hyjnore me burimet që ia ka dhuruar Perëndia, por janë pikërisht lojtarët e këqinj të numrave që  ngulen në çdo udhëkryq  si barrikada  të hekurta nëluftë të pabarabartë me viktimën. Dhe udhëkryqi është ekuacioni i banditëve politikë që militojnë 24/7.  

Karl Jungu thoshte: “Natyra, ndonëse shpesh tregohet e errët dhe jo e tejdukshme, kurrë nuk tregohet dinake siç tregohet njeriu.” 

Ngado të shkosh, injorantët politikë shtohen me një etje shtazore për të gërmuar  minierën e numrave, sepse injoranca politike numërore ka një bark të madh që shpesh gremis dhe veten, si në rastin aktual në Amerikë. Krahu i majtë është dashnor i numërorëve pa djersë. Dhe ky vend lind dhe importon komisarë të kuq që robotohen me peticione amorfe, Markoviç për llogari të Ramës, emërohet Dukë Hudhra i Diasporës. Tjetri,  Xhokeri i Thaçit dhe Vuçiqit. Lojë numrash o baba! Të heqim Richard Grenell! Opa, atij i çimentohet pozicioni…, dhe nëse Grenelli nuk e ka pasur ndërmend lojën e numrave kundër Dardanisë, tani mundet ta luajë atë i frymëzuar nga peticionistat e “zgjuar” që, në njërën  anë hiqen Trampistë, në anën tjetër sofistë.  

Megjithatë, askush nuk mund ta kthejë Zamzamin në shkretëtirë, përveç Zotit që e bëri për të shuar etjen e djalit të Abrahamit. 

Sartre thoshte, “disa zgjedhje (numrash*) janë bazuar mbi gabimin, dhe disa mbi të vërtetën”, dhe unë këtë të fundit  mundohem t’ua shpjegoj tinzarëve shqipfolës, sepse karma ka rrezë të gjerë, në mos sot… nesër të troket në derë. 

————————————-

* Shtesë e imja

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Loje numrash

Jemi bërë për t’ u qarë

May 20, 2020 by dgreca

Nga Alfons GRISHAJ/

Tek po digjej Biblioteka e Aleksandrisë, iu ankuan Cezarit, se po digjej biblioteka më e vjetër në botë, po zhdukej e shkuara. Cezari iu përgjigj: “Unë nuk merrem me të shkuarën, por ndërtoj të ardhmen!” Pas shëmbjes së Teatrit Kombëtar, m’ u kujtuan  fjalët e Cezarit, dhe bëra lidhjen me arkitepin e Ramziut. E kam shkruar dhe më parë, të gjithë diktatorët kanë një psikologji, një ndjesi, një paranojë, një frymëzim, një veprim me kosto shumë të lartë gati të  pariparueshëm. 

Pasi ka lënë dhe mjekrën sipas stilit të Ismail Qemalit, ka bërë dhe grimin si ai, pozon gjithnjë para fotos së tij, duke aluduar se ka risjellur lirinë e shumëpritur të “arnautllëkut”, por, pas Ismail Begut… ama!

Ramëziu çfarë nuk mendon, çfarë nuk ëndërron sepse paranoja e ka molepsur fund e krye. Të gjithë qahen për Teatrin  ku më qan zemra dhe mua, po shumë pak kush e ndjen se ai po shkatërron Shqipërinë, po instuticionalizon krimin, mafien,  diktaturën dhe mbi të gjitha, po vret shpresën e shqiptarëve kudo në botë. 

Nëse analizojmë shembjen e teatrit, do të thonim se u shemb një monument kulture të ndërtuar nga shpirtërat e një brezi artistësh brilantë, që i dhuruan emocione të pafundme publikut, por dhe një kështjellë të qëndresës së emancipuar të artistëve dhe aktivistëve të lirë të kryeqytetit. Dhe kështjellat e trashëgimisë kulturore e historike janë objekte strategjike që armiqtë i shembin siç bëjnë dhe me urat, rrugët, muzetë dhe shkollat. Sigurisht, ka mjaft njerëz që nuk e kuptojnë këtë akt barbar lufte, siç nuk e kuptonte plaku i shkandulluar tek filmi “Ura” që përsëriste herë pas here pyetjen,  “Po me urën çfarë patën xhanëm? Ç’ të keqe u bënte kjo urë?!”. Ata që nuk kuptojnë nuk kanë pse të gjykohen për indeferencën që treguan duke mos mbështetur masivisht artistët dhe aktivistët. Por ata që u ndanë nga lufta e drejtë dhe e ndershme, për t’u bërë palë me armiqtë duhet ta kuptojnë se përçmimi është pak për ta. Turpi i tyre le të jetë përjetë dhe damka e tyre.

Në Amerikë kanë status muzeal deri dhe sendet apo vendet e kriminelëve, deri tek kaçorret apo objektet e vjetra me vlerë historike apo monumentale. Askush nuk guxon t’ i tjetërsojë apo t’i shkatërrojë. Në Shqipërinë tonë, në emër të modernizmit:  mbjellin drogë, rrahin fëmijë, prishin monumente kulture, shesin pasurinë kombëtare, pa pikën e turpit dhe pa asnjë përgjegjësi morale bëjnë orgji politike, shembin shtëpia qytetarësh, fusin në burg fukarenj, punësojnë militantin e verbër, frymëzojnë vetë-gjygjësinë, i japin bonus krimit shtetëror etj…etj.

Ne sot qajmë një teatër, por fatkeqësisht, jemi bërë vetë ne  për t’u  qarë, sepse,  sipas atyre që rreshtova më lart, nuk jemi në gjëndje  të  themi me vendosmëri: Kurrë Më!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: alfons Grishaj

SOFRA E DIELLIT-ALFONS GRISHAJ

May 16, 2020 by dgreca

Fundi i turpshem/

Shqiptar’t shpesh terrin e pranun si dill.

Tokat  djeguna  ujiti me gjak  e djers,

lkura e thame antocianis  pa mill,  

Mortja rri  mi krye si gjama mas ders .

Rroft baba turku !   Viva Il Re-jan!

Pis  Jugosllavi ,  thika  e mpreht Ruse, 

Mas   Kinez verdhi pa nuse  , vejan …

Dashnort t’ komunistve  “Shqipnis nuse”.

E pra, i harruen  tana lot’t e vrame ,

Kojshis  tue i ra n’derë për nji lug kryp…

Zvarrit  pa qumsht  si dita e mbrame 

Fmija gjinin e nans n’ ran tue  e lyp.

E tash  rrecka rozë ka dal ne pazar

Tue i shit prap krunet , deken me letër, 

Kryesue nga nji bandit , katil,  zuzar

Qi farsoi me helm ç’ do qoshe e  metër.

Pa gjak shiptar’  bazhibozuk polic 

ADN  e internacionalizmit  proletar,

Tue i  rrah  fmijët   “aksioni  blic”

Me ligjin e turpit ushqim per trathtar.

Britmen teme e  kam palos  nen shkam

N’ malin e heshtun ku rrin e egër llava,

Ka me u thye  qielli e te tan ne kam

Mi gjakun e lirë ka me pushue vala . 

Heu! Andshëm kam me marr  lahuten

Me vllaun tem nga Jugu  i djelmnis, 

Zumarja , fyelli ,  liria   mi tuten 

Tu  i knue  fundin e turpshëm  tiranis.

 Michigan 16 Maj 2020

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT