Nga Gani Qarri- Cyrih/
Personalitet i lindur dhe rritur në një vend të njohur për burrëri, shumë legjenda dhe kronika të panumërta trimërie, ku miti dhe realiteti, gjatë gjithë kohës bashkëjetuan si dy vëllezër binjak, Ali Ibra nga Malësia, përveç tjerash u dëshmua edhe si njëri nga shtyllat kryesore për ngritjen e Mburojës së parë Kombëtare pas vdekjes së Skënderbeut-Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ardhja në jetë e saj u dashtë të priste kohën dhe heronjtë e kalitur si ai me bashkudhëtarët historik të tij, Abdyl Frashërin,Ymer Prizrenin, Sylejman Vokshin,Haxhi Zekën etj., për ruatjen edhe me armë të tokave të atdheut që rrezikoheshin nga çdo anë me copëtim e zhbërje përgjithmonë.
Pas rreth pesë shekujsh pushtimi, jo vetëm Perandoria pushtuese Turke po shembej në mënyrë të merituar, shpejt dhe pandalshëm-si një grumbull dheu i pa-ngjizur asnjëherë,por para ujërave të rrëmbyeshme që kishin vërshuar turbullt nga çdo anë, edhe atdheu ynë rrezikohej seriozisht me fshirjen e tij të përhershme-si truall shqiptar, nga harta evropiane.
Mu në ato vite, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, (10 qershor 1878),mblodhi rreth vetes emrat më të njohur intelektual dhe luftarak nga të gjitha trojet tona etnike,përfshi edhe burrin e nderuar të Malësisë Ali Ibër Nezën me kontributin e të cilëve ajo u ngrit në ikonë të përpjekjeve kombëtare për mbrojtjen e vendit dhe krijimin e Shtetit Shqiptar në Ballkan.
Ali Ibra u lind në vitin 1835 në fshatin Shipshan të Tropojës dhe vdiq më 1900 në afërsi të Gjakovës. Ai bashkë me Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën,Mic Sokolin, etj., do të linte nam për kryengritjet heroike të Lidhjes kudo, dhe befasonte si Perandorinë pushtuese Osmane ashtu edhe pushtuesit e rinj hegjemonist me besnikërinë e tyre ndaj atdheut dhe trimëritë e treguara në luftë për lirinë e të gjitha trojeve të Shqipërisë etnike.
Falë kësaj organizate kombëtare, emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve, pas rreth 5 shekujsh pushtimi, po ri-dëgjohej përsëri ,madje për disa edhe për herë të parë, ndaj sado që me shumë vështirësi e pengesa edhe atdheu ynë po pranohej ngadalë, por sigurt dhe kudo.
Ali Ibra nuk ishte hero i rastësisë, por një dritë shprese, ardhur në momentet më vendimtare mbi qiellin e errësuar të gjeografisë shqiptare, si burrë i kalitur për përdorimin e pushkës dhe ushtar i mirë-përgatitur për realizimin e idealit të lirisë.
Të parën(pushkën) e kishte trashëgim familjar, kurse idealin-amanet të vendlindjes, të dyja bashkë ishin traditë e Malësisë e cila për qindra vjet me radhë kishte kalitur ushtar trimërie për ditët më të vështira të vendit.
Malësori ishte dhe mbeti çdo herë, në krye të altarit të trimërisë i gatshëm kurdoherë të shkrihej për komb e atdhe dhe tokat shqiptare kudo, pa u shndërruar asnjëherë në rob të nënshtruar nga sundues dhe pushtues të huaj.
Vet fakti se Ali Ibra bashkëjetoi me të gjitha trojet e atdheut,dëshmon se ato kudo, ishin vendlindja dhe jeta e tij. Ndaj,vetëm fal njerëzve si ai, lufta për liri dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë Etnike mundi të vazhdonte e pandërprerë,vepër- pa të cilën atdheu i shqiptarëve, nuk do të ishte ky që është sot.
Dyert e Malësisë ishin gjithmonë dhe në çdo kohë e situatë të hapura për të gjithë kryengritësit dhe luftëtarët e lirisë për të cilët, malësorët jo vetëm se treguan përherë simpati të jashtëzakonshme por kur e donte nevoja edhe bashkëjetonin me ta.
Në Malësi edhe Sefë Kosharja gjeti mbështetje e bashkëluftëtar, sikurse Ymer Prizreni e Sylejman Vokshi-mbrojtje dhe siguri, bashkudhëtarët më të denjë të Ali Ibrës e Mic Sokolit.
Edhe në periudhat më të vështira kur miqtë dhe aleatët e shqiptarëve ishin aq të pakët dhe shkëlqimi i shpresave të tyre zbehej aq shpejt, atje buronte frymëzimi nga bëmat e emrave më të lartësuar të kombit , përjetësuar në këngë patriotizmi e trimërie që mbi vete mbanin shumë histori të atdheut.
Pikërisht në vitet kur u vlerësua se ishte momenti vendimtar që pushtimi të mos tolerohej më në asnjë pjesë të atdheut, Ali Ibra pa asnjë hezitim do të merrte përsipër një detyrë të vështirë të cilën e kreu si duhet dhe me nderë, akt që atë do ta lartësonin në njërin nga emrat më të çmuar si për Lidhjen Shqiptare ashtu edhe për konsuj e diplomat ndërkombëtar.
Malësia e Ali Ibrës, Mic Sokolit, Binak Alisë dhe heronjve të tjerë, mësoi shqiptarët ta duan vendin e tyre, të luftojnë për liri dhe ti përkushtohen me të gjitha forcat çlirimit të atdheut, ashtu siç vepruan malësorët në çdo kohë.
Personalitete të tilla i duheshin edhe Lidhjes së Re Kombëtare, themelimin e së cilës e kërkonte koha, rrethanat e krijuara dhe ekzistenca e rrezikuar kombëtare e shqiptarëve kudo.
Mençuria e Ali Ibrës
Lidhja e Prizrenit do të formohej më 10 qershor të vitit 1878, dhe në radhët e para të emrave të nderuar të kryesisë së saj, përveç Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit, ajo do të vendoste edhe Ali Ibrën, si përfaqësues të denjë të Malësisë.
Vetëm një javë pas formimit të saj, dy aktet e para të kuvendit të përgjithshëm të Lidhjes, ,ishin një peticion për çështjen shqiptare, dërguar Kongresit të Berlinit dhe një tjetër dërguar portës së Lartë. (“Kanuni dhe Urdhëresa-17 qershor 1878” Gazeta “Shekulli” 11.01.2014)
Ndaj, Perandoria turke, duke pas parasysh se tani e tutje, do ta kishte të pamundur tregtinë me trojet tona, bënte plane sesi ta de-faktorizonte dhe shkatërronte sa më parë këtë Organizatë.
Osmanët, ishin zotuar para Fuqive të Mëdha se ata do ta bënin dorëzimin e Plavës e Gucisë, Malit të Zi, edhe pa pëlqimin e shqiptarëve, gjë që pas formimit të Lidhjes së Prizrenit, ishte komplikuar dhe bërë e pamundur, pa përgjakje me ushtrinë e saj.
Dhe, për dëmtimin sa më të madh e mundësisht edhe shkatërrimin e plotë të Lidhjes, turqit do të përdornin taktikën e propagandës së rrejshme të cilët për ta bërë sa më të besueshëm mashtrimin e tyre, vetëm 5-6-t, javë pas formimit të saj, do ta keqpërdornin një marshim të forcave austro-hungareze (22 korrik 1878-wikipedia) në drejtim të Bosnjës, duke propaganduar se gjoja ato vinin për të pushtuar trojet shqiptare.
Madje ata deklaronin sikur tokat tona etnike nuk rrezikoheshin nga tregtia që pushtetarët perandorak bënin me to dhe as nga pushtimet sllavo-greke, që me pëlqimin e Perandorisë turke ndodhnin para syve të shqiptarëve, por nga forcat austro-hungareze me të cilat turqit për shumë kohë, ishin në konflikt të hapur.
Në këtë mënyrë,tentonin që trupat e Lidhjes ti nisnin drejt Bosnjës në luftë kundër asaj ushtrie, për të dobësuar apo edhe shkatërruar këtë Organizatë Kombëtare, dhe liruar duart e tyre, për tregti të mëtejshme me tokat shqiptare.
Por fal mençurisë së tij, Ali Ibra në vend të dërgimit të ushtrisë në luftë, do të shkonte vet në krye të një delegacioni të Lidhjes, në Pazar të Ri (Novi Pazar) për vërtetimin e fakteve nga përfaqësuesit e forcave austro-hungareze.
Dhe, që në takimin e parë të përbashkët, Delegacioni i Lidhjes,do të mësonte se Perandoria Austro-Hungareze, atëkohë nuk kishte kurrfarë planesh invadimi të tokave shqiptare.
Kështu Ali Ibra me mençurinë e tij edhe njëherë dëshmoi se ai vërtetë meritonte besimin e përfaqësuesve të lart të Lidhjes dhe të Kombit tonë në përgjithësi, gjeturia e të cilit shpëtoi shqiptarët nga involvimi edhe në një luftë të panevojshme, të huaj dhe shkatërruese për ta.
Vrasja e Pashë Maxharit dhe Abdullah Drenit
Pas dështimit të këtij plani djallëzor, perandoria turke, duke njohur qëndrimin e Lidhjes dhe luftëtarëve të saj, organizoi tradhtinë tjetër të radhës dhe pandershmërinë më të madhe ndaj popullit tonë, jo vetëm me tentimin për të copëtuar trojet e tij, por qëllimin bizar për ti armiqësuar shqiptarët edhe më keq me Fuqitë e Mëdha të Evropës si Francën dhe Gjermaninë, në mënyrë që ata të mos gëzonin përkrahjen e këtyre Fuqive në përpjekjet e tyre kombëtare.
Në bazë të atij plani, nga fundi i gushtit të vitit 1878,Perandoria osmane do ta dërgonte në Kosovë, Mareshalin Mehmet Ali Pashë Maxharin, i cili ishte me origjinë evropiane,përfaqësues i Perandorisë në Kongresin e Berlinit dhe nënshkrues i vendimeve të tij.
Mehmet Ali Pashë Maxhari, i lindur më 18 nëntor të vitit 1827,në Brandenburg të Gjermanisë,njihej me emrin e origjinës si Ludwig Karl Friedrich Detroit dhe vinte prej një familje refugjatësh protestant nga Franca, e vendosur në shekullin 16-17, në Gjermani.
Ai, i etur për grada dhe karrierë,që në moshën 16 vjeçare do ti bashkohej ushtrisë perandorake, konvertohej dhe arrinte deri në gradën e Mareshalit të Ushtrisë.
Më 26 gusht të vitit 1878,po ky ushtarak, do të arrinte në Prizren, ku së pari do të takonte Ymer Prizrenin i cili do ti hidhte poshtë me vendosmëri të gjitha pretendimet e tij, me ç ‘rast do të vritej edhe telegrafisti turk që siguronte lidhjet e Mareshalit me Stambollin.
Kështu që më 1 shtator, Mehmet Ali Pashë Maxhari, nga Prizreni do të arrinte në Gjakovë dhe bashkë me përcjellësit e tij do të vendosej në kullat e Abdullah Pashë Drenit, shqiptar nga Gjakova, i cili edhe pse njëri nga krerët e Lidhjes, do ta tradhtonte kauzën kombëtare.
Kur të gjithë e shihnin me shqetësim ardhjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit në Kosovë dhe dridheshin prej rrezikut që i kanosej vendit nga misioni i tij, Dega e Lidhjes së Prizrenit për Gjakovë me rrethinë që përbëhej nga prijësit më të shquar të këtij populli, nga e cila do të zgjidhej edhe Komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së rregullt Kombëtare të Lidhjes Shqiptare, u hodh në aksion për të evituar copëtimin e mëtejmë të atdheut dhe parandaluar spastrimin etnik të trojeve të pushtuara shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi.
Forcat e Lidhjes, së pari rrethuan kullat e Abdullah Pashë Drenit, kurse më 3 shtator filluan edhe bisedimet tri-ditëshe për kthimin pa kusht të Mareshalit prej nga kishte ardhur, por pasi që edhe ato nuk ndihmuan, më 6 shtator të vitit 1878,në tendencat e tij të fundit për ti dorëzuar me forcë dhe pa pëlqimin e shqiptarëve, Plavën dhe Gucinë Malit të Zi, Mehmet Ali Pashë Maxhari do të vritej nga luftëtarët e Lidhjes në krye me Sylejman Vokshin, Ali Ibrën Haxhi Zekën, Mic Sokolin, Jakup Ferrin etj, bashkë me mbajtësin e tij vendor, Abdullah Pashë Drenin.
Parandalimi i vëllavrasjeve
Pas vrasjes së Mehmet Ali Pashë Maxharit më 6 shtator të vitit 1878, zhvillimi i papritur i ngjarjeve brenda territoreve shqiptare, përveç nxitjes së përgatitjeve të mëdha ushtarake nga ana e Malit të Zi për pushtimin me forcë të Plavës dhe Gucisë, edhe shërbimi i fshehtë malazez kishte mundur të krijonte rrjetin e tij me disa nga prijësit fetar katolik të Kishës së Gjakovës, për mes lidhjeve që ata kishin me Mark Milanin, udhëheqësin kryesor të ushtrisë pushtuese malazeze dhe bir i një nëne shqiptare katolike nga fisi i Kuqit të martuar me një serb nga rrethi i Podgoricës, i cili ishte zotuar para mbretit Nikollë se do ta pushtonte Plavën e Gucinë dhe çfaroste shqiptarët e Malësisë dhe Dukagjinit tërësisht.
Ky shërbim me ndihmën e kishës ortodokse serbe, kishte arrit që edhe në Manastirin e Deçanit, të organizonte një bazë të fortë antishqiptare e cila sado që nuk pati sukses në dobësimin e forcave mbrojtëse, megjithatë- mundi të fuste pjesërisht urrejtjen ndërfetare tek një numër i vogël i shqiptarëve katolik, (rreth 70 fanë-Wikipedia) të cilët morën guximin ti shkonin në mbrojtje me armë Mehmet Ali Pashë Maxharit si dhe përkrahnin hapur dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi.
Kështu, pas vrasjes së Mareshalit osman dhe Abdullah Pashë Drenit, nga disa luftëtar të Lidhjes pati tentativa që të ndiqeshin edhe mbrojtësit katolik të Mehmet Ali Pashë Maxharit dhe përkrahësit e dorëzimit të Plavës e Gucisë, Malit të Zi, si dhe të digjej kisha në Gjakovë si ndëshkim për tradhti kombëtare ndaj popullit shqiptar.
Por, ndërhyrja e Ali Ibrës bëri edhe një herë mrekulli, madhështia e fjalës së urtë dhe maturia e ndërmjetësimit burrëror të të cilit u pranua pa asnjë rezervë nga të gjithë.
Vullneti mirë i tij ndikoi si një bekim i zbritur nga qielli që të uleshin tensionet dhe mbyllej ky problem pa gjakderdhje ndërvllazërore në Gjakovë e rrethinë.
Përgjigjja burrërore e Ali Ibrës
Zhvillimi i papritur i ngjarjeve brenda trojeve shqiptare dhe vendosmërisë së shprehur të tyre për mbrojtjen e Plavës e Gucisë edhe me armë,do ti detyronte malazezët që nga fundi i tetorit të vitit 1879,të kërkonin bisedime me parinë e Lidhjes. Por në vend të bisedimeve ata do të përpiqeshin për ti kërcënuar shqiptarët që të pranonin pa kushte, pushtimin e këtyre tokave tona, për ndryshe do të nisnin luftën për ti marrë ato me forcë.
Ali Ibra si kryesues i Delegacionit, jo vetëm se nuk u përkul para kërcënimeve denigruese të malazezëve por edhe Teodorit-vëllait të Mark Milanit dhe kryesuesit të dërgatës malazeze iu përgjigj me trimëri se nëse malazezët do të guxonin ta kalonin kufirin dhe binin në rrafsh të Velikës, ai dhe mbrojtësit shqiptar do ta linin Malin e Zi vetëm në çika e në gra, fjalët e të cilit pak kohë më vonë do të personalizoheshin dhe merrnin formën e një kënge kombëtare:
Bjer në fushë të Velikës
dhe ti provojmë armët, se…
Edhe Dukagjinin me ta lëshue
nuk të duhet gja
asnjë mashkull të gjallë
ty më nuk do të la,
ta lë Cërnagorën
veç në çika e ‘n gra”.
Duke parë rrezikun që i kanosej atdheut, Shqiptarët nën udhëheqjen e Lidhjes së tyre kombëtare u bashkuan dhe luftuan heroikisht për çlirimin e të gjitha trojeve amtare nga pushtuesit e vjetër osman dhe mbrojtjen e tyre nga pushtuesit e rinj serbo-malazez.
Ndaj që në vitet e para të Lidhjes së Prizrenit(1878-1881), ishte marrë vendim për mbrojtjen me armë të të gjitha tokave shqiptare, siç do të veprohej edhe me rastin e Plavës dhe Gucisë, kur do të dilej me kushtrimin që të luftohej nga 7 deri në 70 vjeç, për të mos ia lëshuar trojet e të parëve shkjaut.
Trimëria e forcave shqiptare
Kërcënimet e veta, malazezët do të përpiqeshin ti realizonin edhe me luftë,por ashtu siç ishin zotuar, shqiptarët dëshmuan vendosmëri të pakufishme për mbrojtjen e trojeve të të parëve, në betejën e dhjetorit të vitit 1879 në Pepaj – dhe veçanërisht në atë të janarit të vitit 1880 zhvilluar në Nokshiq, ku mbi 12 mijë forca të udhëhequra nga Mark Milani dhe vëllai i tij Teodori shtabi i të cilit bashkë me armatim do të kapej nga shqiptarët, dhe ushtria malazeze, do të pësonte disfatë të plotë nga forcat e Lidhjes.
Ali Ibra, edhe në këtë luftë, ishte ndër të parët në ballë të forcave të Gashit, i cili në anën tjetër, kishte kërcënuar edhe valiun e ri, Muhtar Pashën për mos dorëzimin e Plavës e Gucisë, përndryshe do të pësonte fat të njëjtë me atë të Mehmet Ali Pashë Maxharit.
Duke parë keqësimin e gjendjes në terren, lëkundjen e disa krerëve të Lidhjes dhe kërcënimet e pandërprera që u vinin trojeve të tyre nga çdo anë, kërkesat e shqiptarëve për autonomi dhe krijimin e shtetit të tyre kombëtar, detyruan krerët e Lidhjes që të zgjidhnin një kryesi të re e cila me nismën e Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit , Ali Ibrës dhe disa emrave tjerë të shquar, në një mbledhje të mbajtur më 21 mars të vitit 1881,në Gjakovë, ndryshuan pjesën më të madhe dhe kryesore të udhëheqësis së Lidhjes, për të filluar pak kohë më vonë me krijimin e pushtetit vendor dhe çlirimin e të gjitha trojeve nga Perandoria Osmane me qëllim të arritjes së autonomisë dhe krijimin e shtetit të lirë shqiptar.
Besnikëria e Ali Ibrës
Megjithëse siç u cekë edhe më lartë,pati lëkundje të disa krerëve të Lidhjes, Ali Ibrën kurrë nuk arriti ta blej apo mashtroj kushdo-qoftë, me poste, grada as para.
Kushedi sa herë provoi edhe Valiu i ri, Muhtar Pasha, por nuk mundi asnjëherë ta tërhiqte as me dhurata prej ari. Dy herë vetëm brenda vitit 1880,atë do ta dekoronte vetë Sulltani, por Ali Ibra gjithmonë i refuzoi gradat dhe dekoratat e tij.
….kryesekretari i pallatit të sulltanit, Ali Riza, shënon: “Ali Ibra dekorohet me medaljen e Mexhidie të klasit IV, të cilën s’e pranoi kurrë. Brenda vitit sulltani kishte lëshuar dy dekrete për dekorimin e Ali Ibrës, të cilat s’i pranoi”.( “Udhëheqësi i Lidhjes sipas burimeve angleze”. Alma Mile; Panorama 10 tetor 2012)
Lidhja Shqiptare, fal udhëheqësve të saj trima dhe besnik, në dhjetorin e vitit 1880, pas afro pesë shekujsh robëri dhe qysh nga vdekja e Skënderbeut, për herë të parë po krijonte bërthamat e shtetësisë shqiptare dhe vendoste pushtetin kombëtar në qytetet më të mëdha të vendit duke filluar nga Plava e Gucia, Peja, Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Luma, Gjilani, Kumanova, Shkupi, Tetova , Gostivari,Dibra,Janina etj.,me qëllim çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike si dhe krijimin e shtetit të par shqiptar në Ballkan.
Ali Ibra në luftë kundër turqve
Pas riorganizimit të Lidhjes, nuk vonoi shumë dhe forcat pushtuese turke me mbi 20 mijë ushtarë e jeniçer do hidheshin në luftë kundër shqiptarëve dhe jetësimit të autonomisë së tyre.
Sidomos tani,prijësit kryesor të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli,Sefë Kosharja etj.,kishin barrën më të rëndë të udhëheqjes dhe organizimit të qëndresës me vetëm 5-6,mijë luftëtar të pa armatosur mirë, me pushkë të vjetra të cilat mbusheshin përpara me vetëm nga një fishek dhe arrinin të gjuanin deri në 100-120, metra largësi, të shpërndarë në një hapësirë tejet të gjatë,që nga Gryka e Kaçanikut deri në Shtime e Prizren.
Luftëtarët e Lidhjes,jo vetëm se përpara kishin mbi 20 mijë trupa të perandorisë osmane të udhëhequr nga dhjetëra gjeneral e mareshal të sprovuar lufte, qindra topa dhe artileri të rëndë e të lehtë-malore dhe fushore, armatimin më modern të kohës,por nuk munguan as hilet e bashkëpunëtorëve shqiptar të armikut, prapa shpinës së luftëtarëve kombëtar.
Në këto luftime përveç shumë burrave që do binin në fushë të nderit edhe Sefë Kosharja do të kapej i plagosur rëndë. Pasi që nuk pranoi as në gjendjen që ishte të kthehej kundër Lidhjes së Prizrenit,ai do të varej në një lis nga gjenerali turk Dervish Pasha,të cilit populli kështu do ti këndonte:
Sefë Kosharja i pari Fisit
Hije të paska maja e lisit
Hije më ka or shokët e mi
Se kam dhanë jetën për liri!
Pasoi rënia heroike e Mic Sokolit në dyluftim me topin turk dhe sa e sa trimave tjerë,ndaj megjithëse do të vriteshin mbi 1800 ushtar turq, edhe ndër shqiptar pati shumë viktima. Edhe me këtë rast, kënga e rapsodit do ti përjetësonte veprat e tyre ,e cila dhembjen për rënien dhe krenarin për heroizmin e tyre i shprehu me vargjet si këto:
Mos mi patë Smajlin dhe Micin
Fyt e m ‘fyt tha me Dervishin
Hej medet po ban mileti
Na u vra Elezi e Smajl Hyseni,
U vra Mici e Smajl Mehmeti…
Përveç vrasjes së disa prej prijësve të dalluar shqiptar si Mic Sokoli e Sefë Kosharja , në luftimet nga Shtimja në Slivovë pati edhe shumë luftëtar të plagosur rëndë, në mesin e të cilëve edhe udhëheqësit kryesor të luftimeve Ali Ibra e Haxhi Zeka.
Plagosjes së Ali Ibrës i cili me gjithë kërkesën e Sylejman Vokshit për tërheqje nga fronti,ai sado që i rridhte gjak pa ndërprerë nga plaga, vazhdonte luftimet, populli do ti këndonte me admirim:
Ali Ibra në Vranç të Zi
Po i shkon gjaku për zingji
Me gjithë flijimet e mëdha dhe vetëmohimin e treguar, pas disa dit luftimesh dhe një qëndrese historike e cila nuk ishte parë as dëgjuar ndonjëherë më parë në këto troje, jo vetëm rënia dhe plagosja e luftëtarëve por edhe mbarimi i municionit, si dhe pengimi i ardhjes së forcave të reja vullnetare me armatim, ushqime e veshmbathje, nga forcat reaksionare shqiptare, bënë që rezistenca e Lidhjes së Prizrenit, përkundër trimërisë dhe guximit të dëshmuar të shqiptarëve, përkohësisht të thyhej por jo edhe të përfundonte ideali i saj-asnjëherë.
Kthimi në Malësi
Burrat e njohur të Malësisë, luftës i shkuan gjithmonë atje ku ajo shpallte mejdan për matjen e trimërive. I tillë ishte Mic Sokoli, i tillë u dëshmua edhe Ali Ibra, Binak Alia e shumë të tjerë.
Shembulli më i mirë i luftëtarit tipik shqiptar, natyrisht vinte nga Malësia, ndaj edhe nuk ishte e rastësishme që shumica prej tyre jo vetëm se u bën emra të pazëvendësueshëm, por shumë herë ata edhe u flijuan larg vendlindjes duke mbrojtur çdo cep të atdheut.
Prijësit e Lidhjes nuk ishin vetëm luftëtar të dalluar por edhe heronj të vërtetë. Ata ishin udhëheqës të zgjuar dhe gjeneral shembullor të cilët përcillnin tek brezat artin e luftës çlirimtare dhe idealin e pashuar të atdhedashurisë. Ishin mësues të kryengritjeve kombëtare për të cilat Shqipëria Etnike ofroi djemtë më të mirë nga çdo familje dhe shtëpi.
I tillë ishte Ymer Prizreni,Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Dedë Gjon Luli, Haxhi Zeka, i tillë u dëshmua edhe Mic Sokoli, Binak Alia, Sefë Kosharja, Mehmet Shpendi e shumë të tjerë. Emrat e tyre ishin vetëm disa nga emrat e trimave të pa harruar të Lidhjes Kombëtare Shqiptare, të cilët në çdo kohë dhe periudhë lanë pa mend Perandorinë pushtuese turke dhe pushtuesit sllavo-grek, me besnikërinë e tyre ndaj atdheut dhe heroizmat e treguara në beteja për mbrojtjen e të gjitha trojeve të Shqipërisë etnike.
Vetëm kështu përpjekja për liri dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tokave tona mundi të vazhdonte e pandërprerë deri në shpalljen e Pavarësisë, vepër pa të cilën atdheu ynë nuk do të ishte ky që është sot. Heroizmi i tyre, lartëson dhe ngritë në piedestal kombëtar emrin e Ali Ibër Nezës dhe prijësve tjerë historik, si në vitet e veprimit të Lidhjes së Prizrenit(1878-1881), para dhe pas saj.
Malësia ishte edhe vendstrehim i sigurt për figurat kryesore të kombit, ku pas shuarjes së Lidhjes, një kohë, atje do të qëndronte edhe Kryetari i Qeverisë së përkohshme të saj, Ymer Prizreni,të cilit më kot Perandoria Turke i bëri shumë oferta për bashkëpunim me pushtuesit osman, ngase ai nuk i pranoi ato asnjëherë.
Shembulli i atdhedashurisë së Ymer Prizrenit mbetet i veçantë, sublim dhe përjetësisht i pa harruar. Ai edhe pse në moshën mbi 60 vjeçare, hodhi poshtë me përbuzje çdo ofertë të perandorisë osmane, duke u përgjigjur se edhe po ti jepnin të gjitha parat e Perandorisë dhe vet Sulltani ti ofronte kolltukun e tij, ai nuk donte të dëgjonte më kurrë për Turqinë.
Pas kësaj përgjigje të vendosur,si ndëshkim, pushtuesit osman do ti merrnin atij, të dy vajzat dhe gruan e shtyrë në moshë, duke i dërguar ato për syrgjynosje në Turqi.
Megjithatë Ymer Prizreni nuk do të dorëzohej as para këtij presioni dhe do të strehohej përkohësisht në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan të Malësisë, prej nga pastaj do të kalonte në Ulqin, ku nuk do të shkonte shumë kohë dhe do të mbytej me mjete të forta nga agjentë turko-malazez,mu para derës së shtëpisë në të cilën banonte.
Përveç Ymer Prizrenit, pas thyerjes së Lidhjes Shqiptare edhe Sylejman Vokshi do të qëndronte rreth 5 muaj në Malësi, prej nga bashkë me Ali Ibrën do të përgatisnin të paktën edhe dy kryengritje të reja anti-osmane, derisa edhe ai, në vitin 1885,do të kapej përfundimisht me tradhti nga njerëz të shitur dhe dënohej me burgim të përjetshëm nga Perandoria turke.
Me burgosjen e Sylejman Vokshit, veprimtaria e Ali Ibrës së mbetur pa bashkëpunëtorët më të ngushtë do të vështirësohej dhe binte nga intensiteti, por megjithatë edhe ai njëjtë si Ymer Prizreni e Sylejman Vokshi ,nuk u shit asnjëherë për grada as pasuri.
Ali Ibra nuk pranoi kurrë tituj as pozita perandorake të ofruara kohë pas kohe nga turqit dhe dallkaukët e tyre, duke mbetur përgjithmonë besnik i çështjes kombëtare dhe bartës i papërkulur i idealeve të Lidhjes, deri në vdekjen e tij më 1900, në fshatin Osek pranë Gjakovës, ku kishte kaluar vitet e fundit si njëri nga anëtarët e rrallë të kryesisë së Lidhjes, që do të ndërronte jetë nga vdekja e natyrshme dhe me krye në jastëk.
Dekoratat e vetme të cilat ai nuk do ti refuzonte, ishin ato që atij iu ndanë nga atdheu dhe bashkë-familjarët, pas vdekjes. Me të parën do të dekorohej në vitin 1937 nga Mbreti Zog, kurse më 12 tetor të vitit 2012,me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, do të përjetësohej edhe me një shtatore bronzi në fshatin Osek pranë Gjakovës, nga të afërmit e tij, lavdia e të cilit nuk mund të shpaloset tërësisht vetëm me një shkrim dhe as detyrimi ndaj tij si hero i kombit,nuk do duhej të përfundonte vetëm me kaq “pak” nderim.
Burimet:
1.“Historia e Lidhjes së Prizrenit” ( gazeta “Shekulli” 11.01.2014)
2. Libri “Krijuesit e Historisë” 2012 Prishtinë
3. Si e mbrojti Ali Ibër Neza Lidhjen e Prizrenit”.Alma Mile;10 tetor 2012,Panorama
4.”Berisha e Jahjaga zbuluan shtatoret e Ali Nezës dhe Isa Boletinit” : gazeta “koha” 12.10.2012
5.“Monografía “Krahina e Plavë Gucisë nëpër shekuj”, Rexhep Man Dedushaj,
6. Wikipedia
Gani Qarri Cyrih, 1 gusht 2014