Nga Hysen IBRAHIMI/
Prizren-Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, mblodhi në Prizren studiues, intelektualë, e personalitete të shumta nga të gjitha trojet shqiptare, në një sesion shkencor që ia kushtoi 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit.
Hapjen e sesionit e bëri Osman Ahmetgjekaj nënkryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke shprehur një falendërim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët ishin në numër të madh në këtë sesion. “Faleminderit që na jeni bashkuar sot në këtë sesion, në Prizrenin tonë, në kryeqendrën shqiptare. Dua të falenderoj në veçanti donatorët, pa ndihmën e të cilëve nuk mund të veprojmë”, tha Ahmetxhekaj, I cili po shoqërohej nga njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj Naim Latifi.
Shoqata e shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI Albani”, kishte ideuar dhe kishte ngritur një Këshill Organizativ për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjës Shqiptare të Prizrenit. Kryetari i këtij Këshilli Mustafë Kabashi, tha se kishin bërë përpjekje maksimale për të realizuar këtë qëllim sa më mirë. Ai falendëroi anëtarët e Këshillit dhe komunën e Prizrenit, për gjithë mbështetjen që kanë ofruar.
Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë dhe mbetet një amanet i hapur për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme. “Ne çdo ditë kemi qenë të frymëzuar nga ajo Lidhje se si duhet punuar për atdheun. Tani, sa më shumë që shkruajmë dhe i përkthejmë ngjarjet tona historike, aq më shpejtë dhe më drejtë do të kuptojë bota për historinë shqiptare”, tha Ibrahimi në pjesën hyrëse.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vlerësoi punën e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” se ka mbajtur gjallë kulturën në mërgatë, duke theksuar se është e nevojshme të shkruhet edhe më shumë për çështjet dhe zhvillimet kombëtare, siç ka qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. “Lidhja e Prizrenit është një datë e rëndësishme e kombit shqiptar, ku për herë të parë kishte një bashkim të vilajeteve me kërkesa të njëjta, duke u bashkuar politikisht dhe ushtarakisht. Edhe 140 vjet pas ne nuk kemi arritur idealet e Lidhjë së Prizrenit, bashkimin e trojeve shqiptare. Ne nuk duhet t’i harrojmë ato kërkesa, përkundrazi, duhët të jenë synim i yni”, tha me këtë rast Haskuka.
Ai theksoi rolin e mërgatës, duke e cilësuar atë si bërthamë, që ka mbajtur gjallë Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe kërkesat e saj, si mërgata nga Kosova por edhe nga vistet tjera shqiptare. “Mërgata ende na e mbanë gjallë këtë frymëzim dhe nëse mërgata shqiptare nuk e ka humbur lidhjen me Kosovën, Shqipërinë, është pikërisht aspekti kulturor dhe ne si komunë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë më të gjitha shoqatat që mbajnë gjallë këto lidhje”, tha kryetari I Prizrenit Mytaher Haskuka.
Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë së Bashkëpunimit Shqipëri – Itali, Nikollë Lleshi, vlerësoi angazhimin e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, që ka zgjedhur Prizrenit të shënojë këtë ngjarje të madhe historike.
“Këtu në Prizren, që në themelet e tij ka punën dhe sakrificat e mëdha që shqiptarët kudo që ndodhën shpalosen identitetet e tyre më shumë dinjitet dhe largpamësi. Prizreni i Kuvendeve dhe i vendimeve të mëdha historike,i ka skalitur ato sakrifica në gurë, që nuk vdesin kurrë, ato janë një shembull i qendrës dhe i burrërisë së këtij vendi”, tha z. Lleshi.
Kryetari i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqyri Galica tha se SHSHASH në momentet vendimtare të historisë kombëtare ka ndihmuar ne pasqyrimin e aktivitetit te mergates. Kurse sot po vazhdon përpjekjet për ta ndihmuar edhe nëpërmjet krijimtarisë letrare e artistike dhe shkencore, për ta ngjallur vetëdijën e brezave të ardhshëm, për kontributin dhe sakrificën që do të bëjë çdo shqiptar. Krijimet e tuaja inventive, kontaktet me krijues gjithëandej, dëshmojnë përkushtimin tuaj për ta ndihmuar atdheun edhe në rrethana të reja dhe për ta pasuruar krijimtarinë letrare e artistike me vepra moderne”, vlerësoi Galica, duke shprehur gatishmërëinë e Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës për bashkëpunim shumëdimensional.
Ndërkaq, Prof. Asllan Murati, foli për figurën e Ymer Prizrenit, ai kishte bërë bashkë burrat e kombit për të pavarësuar trojet shqiptare. “Lidhja e Prizrenit është gurthemeli i pavarësisë së trojeve shqiptare. Ani që Turqia ishte islame, duke e parë që vendet ballkanike, kërkonin të merrni trojet shqiptare. Ymer Prizreni kishte tubuar rreth tij bashkë me Abdyl Frashërin shumë burrat tjerë të kombit per mbrojtjen e tokave shqiptare. Ata kanë hyrë në historinë e kombit tonë dhe janë të pavdekshëm. Ata duhet të jenë busullë për ne, se si ne duhet të shkojmë gjurmeve të tyre”, tha Prof. Asllan Murati, ish kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, duke përcjell mesazhin edhe njëherë se, pavarësisht përkatësive fetare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë për kombin.
Në sesionin e gjashtë shkencor u paraqiten tetë kumtesa shkencore:
- “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe rëndësia e saj”, autor Fadil Geci
- “Lidhja e Prizrenit në epikën historike, autor Mehmet Rukiçi
- “Për poemën, kënga e Lahutarit për Lidhjen e Prizrenit, I botuar 40 vjet më parë”, autor Nuhi Vinca
- “Burimet arkivore për themelimin dhe rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrnit”, autor Ruzhdi Panxha
- “Lidhja historike shqiptare e Prizrenit”, autor Sylë Osmani
- “Rrugëtimi i ekspozitës së Lidhjës së Prizrenit”, autor Jusuf Osmani
- “Mbrojtja e dokumenteve në Lidhjen e Prizrenit”, autore Myvedete Basha
- “Lidhja e Prizrenit – frymëzim për mërgatën shqiptare”, autor Hysen Ibrahimi
Të gjitha kumtesat në fokus kishin Rolin e Lidhjes së Prizrenit në proceset vendimarrëse të shqiptarëve, në të gjitha kohërat. Kumtesat e plota të sesionit të gjashtë shkencor të organizuar nga SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi do të botohen në vëllimin nr. 10-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi, që do të dalë vitin e ardhshëm.
Në kuadër të këtij sesioni u promovuan edhe 7 libra të rinj, të autorëve të ndryshëm, të cilët i mbështetë SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”:
- “Princesha Meri”, roman i autorës Elhame Gjurevci, referoi Mone Juniku
- “Fjalor, shprehje, fraza, dhe këshilla në shërbimet mjekësore, shqip-suedisht”, autor Fetah Bahtiri, referoi, Elhame Gjyrevci
- “Po të pres”, autor Idriz Gashi, referoi Isuf Bajraktari
- “Pëshpëritje e jetës në mërgim”, roman, autor Xhavit Çitaku, referoi Hysen Ibrahimi
- “Vullkan i shpërthithur”, autor Bajram Muharremi, referoi Fetah Bahtiri
- “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, autor Hyrë Tejeci Murati, referoi Mehmet Rukiqi
- “Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare”, nr.9, SHSHASH, “Papa Klementi XI Albani, në Suedi, referoi Rrahman Rrahmani
Në fund të sesionit shoqata ndau mirënjohje për disa personalitete që kanë kontribuar për Lidhje Shqiptare të Prizrenit dhe për ata që kanë ndihmuar organizimin e Sesionit e gjashtë shkencor të SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ndërsa Hyrë Tejeci Murati, u shpall “Anëtare Nderi” e shoqatës, për kontributin e saj me librin “MONUMENT dashurisë së përflakur për atdhe”, një përmbledhje e 9 vëllimeve e “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare” në Suedi.