-Deklaratë e ambasadave të Mbretёrisё sё Bashkuar dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs pёr Këshillin Gjyqësor të Kosovës/
PRISHTINË, 25 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan sot se janë në dijeni për emërimet e fundit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të Kryetarit të Gjykatës së Apelit, si dhe të Kryetarit të Gjykatës Supreme pas anulimit, nga Gjykata Kushtetuese, të procesit të mëparshëm të emërimeve.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësuesit e ambasadave tona i sygjeruan KGJK-së përmirësimet që do të mund t’i bënte në procedurat e saja për emërim për të ndërtuar besimin e opinionit publik në sistemin e drejtësisë. Mirëpresim faktin që pas rishikimit të Rregulloreve, Këshilli Gjyqësor i ka miratuar disa prej këtyre propozimeve. Megjithatë, siç ia kemi bërë të ditur KGJK-së edhe atëherë, ne jemi të zhgënjyer me vendimin që votimi të mbahet i fshehtë. Besojmë se votimi i hapur do të dërgonte sinjal të fortë të përkushtimit të KGJK-së ndaj parimeve të transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies”, thekson deklarata e ambasadave të Mbretёrisё sё Bashkuar dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs pёr Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Për fat të keq, vijon deklarata e dërguar sot nga të dy ambasadat, shikuar procesin e përsëritur të përzgjedhjes për këto pozita nga këndi ynë, na ka bërë që sërish të vëmë në dyshim përkushtimin e sinqertë të KGJK-së ndaj këtyre parimeve. “Mungesa e çfarëdo diskutimi domethënës për meritat e kandidatëve në listën e ngushtë do të thotë se një pjesëtar i publikut që i ka ndjekur këto procese nuk do të mund të kuptonte përse një kandidat parapëlqehet para një tjetri. Arsyetimi me shkrim i dhënë nga KGJK-ja më pastaj fare nuk e korrigjon këtë përshtypje. Duhet të theksojmë që brenga jonë ka të bëjë me transparencën e procesit e jo me kandidatët veç e veç”, shprehen dy ambasadat.Më tej vijojnë se, ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë nuk nënkupton vetëm që procedurat të jenë në përputhje me Kushtetutën. “Ka të bëjë edhe me të siguruarit se proceset e rekrutimit, përzgjedhjes dhe emërimit janë vendosur dhe zhvilluar në mënyrë të tillë që maksimalizojnë transparencën e vendimmarrjes. Duke marrë parasysh pozitën thelbësisht të rëndësishme që KGJK-ja e zë në sistemin e drejtësisë të Kosovës, ajo duhet të udhëheqë me shembullin e saj. Kjo gjë kërkon përkushtimin e të gjithë anëtarëve të KGJK-së dhe lidership të fuqishëm nga Kryesuesi.
Presim të punojmë me KGJK-në për të përparuar në arritjen e kësaj”, përfundon deklarata e ambasadave të Mbretёrisё sё Bashkuar dhe Shteteve tё Bashkuara tё Amerikёs.
BE, MBËSHTETJE KOSOVËS NË FORCIMIN E SUNDIMIT TË LIGJIT
Edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së dhe EULEX-i u dërgua sot një deklaratë mbi procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit, ku thuhet:“Pas përsëritjes së fundit të procesit të votimit për kryetarët e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian dhe EULEX-i kanë bërë këtë deklaratë:Gjykata Kushtetuese, e cila anuloi procesin e mëparshëm të përzgjedhjes, konstatoi se mekanizmi i aplikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit, nuk ka garantuar mjaftueshëm një proces të barabartë, të hapur dhe të bazuar në merita. Për të adresuar shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese, BE-ja së bashku me partnerë të tjerë ka punuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të avancuar procedurën e përzgjedhjes dhe në këtë drejtim mirëpret përmirësimet e bëra në legjislacionin përkatës të Këshillit.Megjithatë, nga vëzhgimi i procesit të përzgjedhjes, BE-ja për fat të keq ka vërejtur se përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse. Ne theksojmë se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur.
Një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lirë nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojë dhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç për përparimin e Kosovës në rrugën evropian.
Zyra e Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe EULEX-i do të vazhdojnë t’i ndjekin këto procese nga afër dhe mbeten të angazhuar për të investuar burime të rëndësishme për të ndihmuar Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit”.