Gjithkush e njeh Edlira Sulaj, atë që na bën të ndjehemi krenarë nëpër Botë, tek ekspozon Veshjet e bukura të Traditës,të veriut dhe të Jugut, të arbëreshëve dhe të Çamërisë, të gegëve dhe toaskëve, të Kosovës, dhe të Malësisë, të trashëguara ndër shekuj prej arbërorëve. Këtë herë, në paradën e 17 Qershorit, ajo ishte në qendër të vëmendjes. Kostumet arbëreshe dhe ato të trevave të tjera të veshura nga vajzat dhe gratë shqiptare në Nju Jork, ishin”qershia mbi Tortë” e kësaj Parade. Edhe pse shiu i rrëmbyshëm, i lagu në trupat e njomur të vajzave dhe grave, ato sërish shkëlqyen dhe tërhoqën vëmendjen e amerikanëve.
-Isha e pafat sepse kostumet u bënë qull dhe unë nuk mund t’i thaja ato në makinat tharëse sepse shpërbëhen dhe u prishen fijet e arit dhe të argjendit, që i përshkojnë dhe duan tharje natyrale, por ia vlejti që isha pjesë e kësaj Parade, tha për Gazetën Dielli, Edlira Sulaj, e cila, e shoqëruar nga Presidenti i Rrënjëve Shqiptare(Albanian Roots) z. Marko Kepi mbrëmjen e së Hënës, 19 Qershor 2017, vizitoi selinë e Vatrës, ku i priti Editori i gazetes Dielli, Dalip Greca..
– Nuk mund të ikja, pa e vizituar Vatrën, i tha Editorit të Diellit, mjeshtrja e Tradiës, Edlira. Ajo u ndal gjatë pranë stendave fotografike “100 vitet e Vatrës”, ku është fiksuar edhe Parada Shqiptare e 28 Nëntorit 1969, ku arbëreshët e ardhur nga Italia dhe Shqiptarët e Amerikës, në drejtimin e Vatrës parakaluan në të njetën Avenue, në të Gjashtën. Kostumet arbëreshe dhe ato të shumë trevave shqiptare janë përjetësuar në atë Paradë. Edlira i sheh me vëmendje, fokusohet gjatë në to, dhe i gëzohet çastit, sikur ka bërë zbulimin më të rrallë. Më pas ndalet tek një fotografi e Fan Noli me shqiptarin vatran Fehmi Kokalari, dalë me fustanellën e Labërisë,me qeleshen karakteristike të Gjirokastrës, jelekun me zbukurime me fije ari,me brezin e veçantë me shirita, një foto me rastin e 50 Vjetorit të Vatrës.
– Do ta bëj ne tezgjah një të tillë për Vatrën, zotohet ajo tek e sheh me vëmendje fotografinë, pastaj shton: Edhe atë foton e famshme të Faik Konicës me Fustanellë kur shkeli për të parën herë në Tetor 1909 në Boston, -më pëlqen shumë kjo pamje, do ta bëj dhe një tillë për Vatrën.
Në fund të vizitës së saj, Edlira i dhuroi Vatrës, një portret të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Edlira Sulaj, ka marrë pësippër që të riprodhojë në tezgjah, veshjet e traditës, nga të gjitha krahinat etnike të Shqiptarisë. Në Atelien e saj në Periferi të Tiranës, janë gjurmët e asaj pune plot pasion, por edhe ne i kemi pare shpesh ne Nju Jork, i kane pare edhe shqiptaret ne Toronto, edhe ne Europe….
Faleminderit EDLIRA!