Nga Gëzim Zilja/
Lidershipi e PD-së foli në mbledhjen e grupit parlamentar duke bër një analizë të shkurtër të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Vështirë të kuptoje në thelb gjithçka që ai tha por u premtua se do të bëhej një analizë e hollësishme zë për zë aty nga vjeshta e parë, nga degët te gjethet, e le të shpresojmë deri te rrënjët. Në sallën e mbledhjeve ndërsa kryetari fliste, të pranishmit aspak entuziastë, shikonin sa në tavan, sa në celular e sa majtas-djathtas. Pyetja që shtrohet është: Si është e mundur që pas një humbje të tillë të bujshme gjithë ata deputetë nuk kishin asgjë për të thënë? Duket e pabesueshme por ja që ndodhi. Më tej po dihet. Skifterët e PD-së (pa sqep e kthetra) nga mbledhja do të shkojnë në bazë e do të kërkojnë llogari strukturave në qytet e fshat që pse humbët. Do të hiqet pa u pyetur ndonjë apo dy gjynafqarë që dergjen kutive të votimit qofshin dhe Kryetarë PD-je dhe do të zëvëndësohet me dy a tre të tjerë besnikë partie apo të njohur të deleguarit. Kështu u veprua pas zgjedhjeve të vitit 2013. Bëhen shpejt e shpejt ndonjë palë zgjedhje por gjithmonë ai që zgjidhet domosdo do të jetë i caktuar ose favorizuar nga i deleguari, pavarësisht se ai vet mund të jetë një dështak dhe humbës. Me kaq do të mbyllet historia sërish, kupola do të jetë e paprekur, ata që humbën në 2013 e 2015 do të kandidojnë sërish në 2017, për fitoren kundër ’’ klikës, bandave dhe oligarkëve në pushtet’’.
Nuk duan të kuptojnë se kemi 25 vjet demokraci, se njerëzit janë tejet të zhgënjyer me politikën në përgjithësi dhe demokratët me partinë e tyre. Mekanizmi që funksionon në PD, ashtu si dhe në partitë e tjera është shumë i thjeshtë. Sot komandoj unë me njerëzit e mi, nesër vjen rradha jote e do të komandosh ti me njerëzit e tu. Duket si një lojë e zakonshme ku partitë nuk ndeshen për shndërrime thelbësore për të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë. Përndryshe çfarë të reje mund të sjellin një sërë ish ministrash e drejtuesish të lartë të PD? Është e qartë për ata që kanë mend më shumë se një peshk, se të paktën 50% e tyre, janë dështakë dhe servila. Nëse ata do të drejtojnë analizat në rrethe, teoria e tyre është ajo e gënjeshtrës dhe e mosmbajtjes së përgjegjësisë, sepse ata nuk dinë të bëjnë dot ndryshe. Nuk janë të besueshëm, nuk janë të qartë, nuk janë vizionarë dhe sigurisht nuk janë të sinqertë. Nuk bëhet analiza e humbjes duke sharë non stop 24 orë, për 24 orë maxhorancën me fjalët banda, armiq, kriminelë, hajdutë, oligarkë etj, etj. Opozita duhet të heq dorë nga fjalori banal i trashëguar deri tani, duke e konsideruar kundërshtarin politik armik e bandit e duke sharë me nënë e babë. Unë nuk besoj se gjithë drejtuesit e PS-së janë të tillë aq më shumë antarët e thjeshtë. Vend për kritika ka plot, por përdorimi vend e pa vend i sloganeve që përmenda më lart e që janë mbetje të ideologjisë komuniste vetëm shtojnë urrejtjen dhe hendekun e ndarjes midis shqiptarëve. Kjo kategori bashkë me përkrahësit e tyre presin të marrin pushtetin, duke sharë me gjithsej ata që janë në pushtet pa dhënë alternativë me njerëz e projekte për shndërrimin themelor që ka nevojë gjithë sistemi i organizimit të shoqërisë shqiptare. Ata thjesht presin rradhën të marrin pushtetin si rezultat i gabimeve të kundërshtarit. Për shembull: Sulmi i tyre ndaj LSI-së është i çuditshëm dhe jo i besueshëm. Është po ajo LSI, me po ata drejtues, me ato pikëpamje, me ato taktika e strategji të rekrutimit të njerëzve e drejtimit të ministrive, që qeverisi ‘’për bukuri’’ katër vje bashkë me demokratët. Po atëherë a nuk ishin banditë e kusarë ata? Këta lloj intelektualësh që gjenden me shumicë në të gjitha partitë mund të mbrojnë çdo parim, çdo teori, mjaft që të shërbejnë dhe të mbeten në politikë. Madje janë të gatshëm të ndryshojnë dhe rregullat e formulat matematike me lloj lloj sofizmash. Në se forca që ndryshon botën është DYSHIMI, kjo lloj specie (majtas dhe djathtas) vazhdon të gjej, e shpik argumente, duke humbur sensin kritik ndaj vetes, duke u bërë një b….lëpirës i lidershipit dhe i partisë, duke mos thënë asnjëherë të vërtetën. Tundimi për të mos thënë të vërtetën është përqafuar nga një aradhë analistësh e filozofësh partiakë që lëvrijnë penën në letër për para e favore. Tundimi për të mos thënë atë që mendojnë porse atë çka duket se drejtueve u pëlqen ( në të dy krahët) është buka e përditëshme e këtyre intelektualëve, megjithëse ka një hendek të madh midis asaj që ata thonë në publik e asaj që mendojnë realisht. Kjo është drama e të gjithë atyre intetektualëve politikanë e deputetë, që ndodheshin në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
Fjala analizë në PD është një term që i ka humbur kuptimi që kurse kjo parti u krijua. Në PD është bërë luftë klanesh, bërrylash, mashtrimesh me këdo që ka guxuar të konkurojë jo vetëm me lidershipin por edhe pa dijeninë e tij. Këtë e dinë mirë ata që kanë guxuar. Edhe në vitin 1997, kur ndodhi gjëma, PD-ja nuk bëri analizë e të mbante përgjegjësitë e veta, megjithëse u dogj e u shkretua Shqipëria. Edhe ca zëra që mendonin ndryshe për atë që ndodhi, u anatemuan e u quajtën karrigethyer, kollonë e pestë dhe spiunë. Fitorja e vitit 2005, erdhi më shumë si rezultat i zullumeve, hajdutërive e babëzive, të qeverisë së socialistëve sesa i besimit që kishte populli te PD-ja. Humbëm në 2013 dhe në demokraci pas tetë vitesh qeverisjeje, kjo është e zakonshme. Sigurisht u thanë shumë gjëra si po thuhen edhe sot po analizë nuk u bë. Me sa duket e njëjta taktikë do të përdoret edhe për 23 qershorin. Dhe këtu nuk është fjala për të kryqëzuar X-in apo Y-in. Analizat bëhen duke u mbështetut në statutin e partisë, me platforma të studiuara, me grupe pune, me njerëz të ditur e vizionarë, jo me delenxhinj e servila dhe jo ditë të premte për të shtunë. Lidershipit të ri që të bëje një analizë të vërtetë për ringritjen e PD-së ashtu si tha e premtoi në atë mbledhje i duhet të lëvizë malet, se eksperienca e këtyre 24 viteve është ajo e diktatit, dhe e mospranimit të gabimeve dhe fajeve. A do ta bëjë dot këtë kryetari i PD-së? Të presim e të shohim…