nga Andon Dede, Nju York/
Para zgjedhjeve të qershorit 2013, si zakonisht, kishte parashikime nga më të ndryshmet e kontradiktoret, për fituesit e humbësit e mundshëm. Emërues i përbashkët qe se LSI-ja, si më e përfolura për korrupsion, do të dilte humbësja më e madhe. Këtë nuk e thosha unë, por gjithë ata që diskutonin për zgjedhjet, qofshin politikanë e analistë e deri popull i thjeshtë në biseda të përditëshme. Rezultati, siç dihet, i befasoi të gjithë: LSI-ja doli më e fituara, madje rrezik, me më shumë deputetë se sa shpresonte edhe ajo vetë. Që këtu zë fill paradoksi shqiptar. Nga media apo dhe nga bisedat direkte me njerëzit që kishin votuar, paradoksi i mësipërm shpjegohej në mënyra të ndryshme. Për hir të së vërtetës, arsyeja kryesore që jepej ishte…blerja e votave, zhvillimi i fushatës jo me platforma, ide e plane, por me premtime direkte për punësime e zgjidhje problemesh nga më të ndryshmet. Të jem i sinqertë me lexuesin, sado naiv të dukem, mua s’më mbushej mendja se ishin blerë votat, për më tepër në format që tregoheshin, si me zarfe me para, thes me miell e mënyra të tjera abuzive si këto. Por, kur iu kundërvihesha bashkëbiseduesve, ata qeshnin nën buzë e ma kthenin pak të nervozuar: “Ore, daç beso, daç mos beso, unë kam fakte konkrete, me emër e mbiemër që ma kanë thënë se kanë marrë para. Veç kësaj, për ditën me diell, aktivistë të LSI-së, kanë shpërndarë “ndihma” në shkëmbim të votës.”. Unë prapë nuk bindesha. Më dukej aq e shëmtuar sa s’më besohej se ne kemi rënë kaq poshtë. Të tilla veprime mund të jenë bërë dhe nga partitë e tjera, por mora si shëmbull LSI-në si më e përfolura dhe për rezultatet që arriti në ato zgjdhje e që i siguroi pushtetin PS-së dhe e bëri Ramën kryeministër se, të qe për partinë e tij, ajo nuk fitoi më shumë se në zgjedhjet para-ardhëse. Madje, dhe aq sa fitoi, siç doli më vonë, sidomos nga “gjylet” e Doshit dhe analizat e Blushit, ishte rezultat i të “fortëve”, i imponimit të këtyre ndaj masës së votuesve, me metodat më kriminale e më primitive. Por, nuk ka nevojë për shtjellime të mëtejshme: mjafton të shohësh produktin e atyre zgjedhjeve dhe bindesh se si u gatuan ato. Tashmë, të gjithë e pranojnë se ky parlament jo vetëm që është më pak cilësori nga tërë paraardhësit e tij, por dhe i mbushur me keqbërës, duke filluar nga trafikantët e deri tek autorë të krimeve ordinere. Për këto dukuri është folur aq shumë sa nuk e vlen të harxhohet as koha e as vendi. Imazhin e keq të atyre zgjedhjeve dhe nivelin poshtërues të produktit të tyre e kanë pranuar me gjysmë zëri edhe vetë fitimtarët e pamerituar.
Vimë tani tek zgjedhjet lokale. Ishte rasti, sidomos për pushtetarët, me që u demaskuan keq për zgjedhjet e kaluara, të përfitohej nga rasti për të ndryshuar sadopak atë imazh diskretitues, duke filluar që nga kandidaturat e paraqitura e deri tek zhvillimi i fushatës. Por, për fat të keq, nuk ndodhi kjo: kandidaturat vazhdojnë të jenë kryesisht militantët, besnikët e kryetarëve dhe jo ata që gëzojnë reputacion në popull të cilit do t’i shërbejnë. Për më keq, përsëri po flitet për blerje votash e manipulimesh të tjera. Unë prapë do bëja të habiturin por, kur lexoj gazetat, ndjek bisedat televizive apo kur takoj rastësisht ndonjë nga zgjedhësit e ardhshëm, detyrohem të hesht. Por, ajo që më shokoi e më mbylli gojën, ishte thirrja e kryetarit të shtetit drejtuar qytetarëve për të mos e shitur votën.(!). Kjo i vuri vulën gjithë përsiatjeve të mija. Nuk doja ta besoja se si mund të bëhej një pohim i tillë nga numuri një i shtetit. Sado inat që mund ta kesh atë, nuk ka se si të mos pranosh se ai nuk ka folur në hava, por ka të dhëna të sakta se shitja/vjedhja e votave është një realitet. Kaq poshtë kemi rënë?! Turp e faqja e zezë jo vetëm për autorët e këtyre pazareve të ndyra por edhe për të gjithë ne. Njëlloj si një kryetar familjeje, t’iu lutet fëmijve që të mos prostituojnë, se shit-blerja e votave, as më shumë e as më pak, është një prostitucion i mirëfilltë politik.
* * *
Tek ndjek fushatën e zgjedhjeve në Shqipëri, më kujtohet debati televiziv në mes Xhon Kerrit dhe Bushit të ri, për zgjedhjet presidenciale amerikane. “Unë nuk them se e dua më shumë Amerikën se rivali im, – tha Kerri që hapi debatin, – por mendoj se ka alternativa e rrugë të tjera më të suksesëshme se ato që ka zbatuar ai në katër vitet e kaluara…”. Po tek ne, a njeh historia çerekshekullore e pluralizmit, që rivalët politikë të vlerësojnë njeri tjetrin? Ata nuk shihen mes veti si pushtetarë e opozitarë por si armiq të betuar, të gatshëm për t’i ngrënë kokën njeri tjetrit. Jo vetëm kaq, por gjuha e tyre lë aq shumë për të dëshëruar, parë dhe nga etika më elementare. Le ta ilustrojmë këtë me fare pak shembuj. Kryeministri ynë i “nderuar” thotë për kryetarin e opozitës se “kastravec hyri e kastravec doli”. Në Pogradec ai i “gajasi” njerëzit kur iu tha se po të ishte gjallë Lazgushi do t’i lëshonte qenin kandidatit të opozitës. Refren i përbashkët i disa prezantimeve të tij ka qënë se po të votojnë për opozitën, do e kenë të vështirë në mos të pamundur të marrin fondet e nevojshme për zhvillimin e bashkive. Po të mos e kisha dëgjuar me veshët e mij, nuk do ta besoja kurrë një deklaratë të tillë që jo vetëm nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e demokracinë, por më duket dhe kriminale se t’i heqësh ndihmat një bashkie do të thotë të mos i krijosh mundësi asaj për të hapur vende pune, pra t’iu heqësh njerëzve kafshatën e gojës. Një Zot e di se si ia lejon vetes kryeqeveritari ynë të lëshojë lart e poshtë deklarata të tilla dhe si mund të heshtin ata që e dëgjojnë e i shkojnë pas?! Në takime të tjera ai ka pohuar se “kandidatët janë burra të mirë, por nuk bëjnë për të drejtuar bashkinë dhe se atij i vjen keq që nuk ka ndonjë motër t’ua japë për grua.” Do të kalojnë vitet dhe deklarata të tilla do të përbëjnë fondin e artë të barcoletave politike, se dhe muhabete kafenesh të ishin do dukeshin bajate, të tepëruara e pa pikë humori. S’ka si të të mos të vijë keq për ata që e dëgjojnë që janë të detyruar të qeshin të sforcuar, se në të kundërtën mund të kishin pasoja.
Por unë do të ndalesha pak më shumë tek këta “burrat e mirë” që përmend Rama. Kam mendimin se nëse Shqipëria është edhe sot në këtë gjendje të vajtueshme, një nga shkaqet kryesore do kërkuar pikërisht se ka pasur për politikanë e shtetarë jo burra të mirë po karrieristë, hajdutë e mafiozë që kanë parë ngushtësisht interesat e tyre dhe jo ato të popullit. Me këtë absolutisht nuk dua të them se pushtetarëve të ardhëshëm nuk iu duhen aftësitë menaxheriale e kualitete të tjera. Por, integriteti i tyre, pra të qënit “burra të mirë”, është kryesorja, njëshi. Të tjerat vinë pas tij: po mungoi njëshi, vlera e tyre del zero. Ne nuk kemi vuajtur e nuk po lëngojmë nga që nuk dimë, por nga që nuk duam. Edhe po të munguan aftësitë menaxheriale, ke plot ndihmësa e konsulentë që t’i plotësojnë boshllëqet. Por, e përsëris, e rëndësishme është që ti si vendim-marrës, të jesh i përkushtuar e me integritet, ndryshe e ashtuquajtura meritokraci, nuk i duhet kujt. Këtë e ka treguar bindshëm gjithë përvoja jonë e deritanishme e, po deshët, edhe ajo botërore.
Nuk është e vështirë të kuptosh përse ish-basketbollisti Rama e ka ndërtuar fushatën duke e hedhur topin në gjysmëfushën e kundështarit: se ai në këto dy vjet thuajse ka dështuar në tërë planet e programet e premtuara me aqë bujë në zgjedhjet e mëparshme. Po qe se ai do të kishte rritur pagat e pensionet, do të kishte ulur papunësinë, do të kishte favorizuar shtresat në nevojë e kështu me radhë, nuk do të kishte fare nevojë të ngjirej me retorikë boshe e me shaka bajate nëpër mitingje, duke anatemuar kundërshtarin. Por kjo nuk ngjit. Ne jemi vend i vogël dhe e njohim njeri tjetrin deri në vogëlima e jo më në vlerat kryesore dhe nuk presim të na thotë kryeministri se kush është burrë i mirë e kush i keq.
Duke i mbyllur këto shënime, do të doja të kthehesha shkurt edhe njëherë tek kërcënimet e tij arrogante se po votuan për opozitarët nuk do të kenë fonde dhe se si të tillë nuk iu duhen askujt. Të flasësh kështu, për më tepër duke qënë kryetar partie e kryeministër, do të thotë t’i vësh shkelmin demokracisë, lirisë e pluralizmit. As më shumë e as më pak, sikur zgjedhësit të vepronin vërtet kështu, do të thotë që të kthehemi në një monizëm monstruoz, edhe më keq se ai i diktaturës që lamë pas, se tashmë jemi në një kohë tjetër kur demokracia e liria po trokasin në të pesë kontinentet. Por, me që Rama po tregohet kaq i sinqertë në kërcënimet e veta dhe kur mendon se sa mund t’iu kushtojë kjo zgjedhësve, mos vallë do të qe më pragmatike që t’iu bënim edhe ne një thirrje krejt tjetër atyre që mund të na lexojnë e që janë nga krahu i opozitës. Kandidatët e saj, po qe se janë të ndershëm e të përkushtuar ndaj popullit, le t’iu thonë zgjedhësve, në takimet e ardhëshme: “Edhe pse ju mund të keni respekt për mua, me që kemi të bëjmë me një kryepushtetar të tillë që është gati për hir të karriges ku është ulur, t’iu presë juve dhe kafshitën e gojës, votoni për kandidatët e tij, sado keq që t’ju vijë. Me sa duket, liria e demokracia përbëjnë akoma një luks për ne; të paktën të sigurojmë mbijetesën…Më falni për sinqeritetin, por s’dua t’ju gënjej e t’ju mbaj me shpresa!”
Mbase e tepërova me këtë thirrjen e fundit, edhe pse në të ka diçka të vërtetë. Por, e sigurt është që, dhe këto zgjedhje tregojnë se ç’haraç të madh na duhet të paguajmë në rrugën drejt lirisë e demokracisë, drejt së cilës u nisëm një çerek shekulli më parë por që duken akoma tepër larg.
Tërmetet që tronditën Rilindjen e Ramës
nga Andon Dede, Nju York/
Shija e keqe e një skandali/
Me afrimin e, më pas, fillimin e fushatës elektorale u duk sikur poterja mbarëkombëtare Doshi-Frroku-gejt u shua e u la në harresë, por nuk është ashtu. Pasojat e saj janë tepër të ndjeshme edhe as që kanë për t’u shuar ndonjëherë. Me atë që bëri, Tom Doshi, as më shumë e as më pak, realizoi atë që paralajmëroi: tronditi me themel jo vetëm të ashtuquajturën “Rilindje” të Ramës por dhe gjithë koalicionin e majtë në pushtet, tronditje kjo që krijoi të çara jo vetëm përsa i përket qeverisjes aktuale por dhe propagandës marramendëse të Ramës e shpurës së tij politike e mediatike, për “fitoren plebishitare apo dërrmuese” të 23 qershorit 2013, për “një milion grushtat” që mori qeveria e mëparshme e broçkolla të tjera si këto. Duke denoncuar prapaskenat e ardhjes në pushtet të koalicionit anti-Berishë, (se ata s’kanë asgjë të përbashkët jo më me te majtën që pretendojnë, por as me PS-në e mëparshme), Doshi hoqi kapakun e pusetës të gjirizit ku ishin mbledhur ujërat e zeza përmes zgjedhjeve të 2013-ës, duke bërë të shpërthejnë prej saj tërë erërat e qelbura që gjallonin në të, duhmat e së cilës vazhdojnë të ndotin atmosferën e rënduar të politikës shqiptare dhe as që kanë për t’u pastruar ndonjëherë. Dosh-Frrok-gejti, pra, sikur na liroi nga ato fjalime të bezdisëshme deri në dhimbje koke të Ramës e kompani, për “fitoren historike”të qershorit 2013 e për një milion shpullaxhijnjtë që e ulën në karrigen e shumë-ëndëruar. Mjafton të njihesh me intervistën e Doshit në Top Chanel që të informohesh për shumat marrmendëse që ka derdhur ai për atë fushatë. Jo vetëm kaq, por Dosh-Frrok-gejti pati për publikun shqiptar edhe shumë vlera të tjera: ai hapi dritare edhe për afera të tjera të pista të pushtetmbajtësve të sotëm, siç janë p.sh. mënyrat dhe mjetet që u përdorën për t’iu hapur rrugën për në Parlament njerëzve të fortë, qofshin ata gangsterë që s’përtojnë të qëllojnë me grushte edhe në korridoret e Kuvendit, ashtu dhe kontrabandistë e trafikantë të të gjithë llojeve, që turpërojnë jo vetëm karrigen e deputetit ku janë ulur por edhe të gjithë ne që i përkasim atij populli e atij vendi. Skandali tregoi se maxhoranca në pushtet jo vetëm që nuk e lufton krimin por e ka aleat atë sa herë që i intereson, siç janë fushatat zgjedhore. Këtë e favorizon dhe sistemi aktual zgjedhor, rezultat i kompromisit të ndyrë në mes partive kryesore që e miratuan atë krejtësisht të nisura nga interesat e vogla meskine të kryetarëve të tyre, për të ushtruar pushtetin personal edhe në hartimin e miratimin e listave, gjë që lë shteg për filtrimin në Kuvend të të fortëve dhe të inkriminuarve, siç edhe ka ndodhur në dy zgjedhjet e fundit e siç po ndodh edhe aktualisht në zgjedhjet lokale. Justifikimet e Ramës se “nuk i njihnim si të tillë”, se “vërtet nuk flasin në Kuvend, por janë njerëz me influencë në bazë” e profka të tjera si këto të dala boje, nuk i ha më njeri. Parë në këtë prizëm, Dosh-Frrok-gejti na kujtoi edhe njëherë nivelin e ulët ku është katandisur Kuvendi i sotëm e sidomos kushtet e mundësitë që iu janë krijuar kontigjenteve të pista e kriminale për të ardhur aty. Ato i duheshin kryetarit të “Rilindjes” sa për të rrëmbyer votën, në këmbim të jetës komode të deputetit, paçka se kjo i kushton aq shumë popullit e vendit. U bënë tashmë vite e dekada që në politikë e qeverisje tek ne mund të hysh e të dalësh sa herë të duash, të shkelësh ligjin e të mos dënohesh, të flasësh mbarë e prapë nga tribuna e Kuvendit, të përqafohesh e të bësh aleancë me po atë që ke anatemuar pak më parë, e jo vetëm të të mos hyjë asnjë gjemb në këmbë, por, në të kundërtën, të dalësh nga Kuvendi me ofiqe, favore e me pasuri që as të kishte shkuar në mendje para se të hyje atje. Ndaj dhe zhurma që u bë e po bëhet për gjoja dekriminalizmin e Kuvendit s’ka si të mos tingëllojë thjesht si demagogji, përsa kohë që do jetë në fuqi ky sistem elektoral.
Për ne që jemi spektatorë e jo aktorë të këtij skandali, nuk ka shumë rëndësi se si është e vërteta e akuzave që ngre Doshi dhe as se si do të përfundojë ky skandal. Qoftë dhe thjesht ngritja e akuzës për kryetarin e Kuvendit, përbën një njollë turpi që do ta detyronte çdo homolog të tij, edhe në shtetet më diktatoriale të Afrikës, që të jepte dorëheqjen, kurse kryetari i LSI-së, as që u tund nga istikami. Shrapneli i Doshit nuk tronditi me themel vetëm të ashtuquajturën “Rilindje”. Saçmat e tij goditën shumë më gjerë. Ato i nxorrën bojën edhe më tej sistemit tonë të Drejtësisë, duke filluar nga organet e akuzës e duke vazhduar me tërë nivelet e gjykatave e institucioneve të tjera që lidhen me të. Dosh-Frrok-gejti detyroi të shkojë në Prokurori vetë kryemininistri e ministri i brendshëm, siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe të lëvizë nga vendi Prokurori i Përgjithshëm, për të vetmen arsye se në akuzat e Doshit u përmend edhe emri i tij. Kjo tregoi se Prokuroria kur do, e bëka malin fushë, siç thotë populli. Parë në gjithë këto vështrime, krahas së keqes së madhe që pati Dosh-Frrok-gejti, duke i vënë një njollë turpi jo vetëm politikanëve e shtetarëve tanë, por dhe tërë popullit e vendit tonë, jo vetëm brenda vendit por dhe shumë më gjerë, në aulat e Parlamentit europian e më tej, pati edhe ky skandal vlerat e tij, se iu hapi sytë njerëzvë për të parë “mbretin lakuriq”, e jo siç përpiqej të dukej ai. Faktet dhe informacionet e bollshme që dolën prej tij e implikojnë keqaz qeverinë e rilindasve jo vetëm në mbrojtjen dhe përkrahjen e kriminelëve por dhe në mosveprimin ndaj tyre, siç qe rasti flagrant i heshtjes për informacionin e ardhur nga Brukseli për implikimin në vrasje të deputetit Frroku.
Nga Dosh-Frrok-gejti tek Ben-Blush-gejti
Në vështrim të parë, Doshi me Ben Bliushin janë aq larg njeri tjetrit sa duket si gabim i rëndë t’i vësh së bashku qoftë edhe në një shkrim si ky. Unë nuk njoh asnjerin prej tyre drejtpërsëdrejti, por vetëm mediatikisht, njohje kjo e mjafueshme për të krijuar një ide të saktë për personalitetin e secilit. Megjithatë do të thosha se në gjithë këto që ndodhën, nuk është e vështirë të gjesh dhe shumë pika takimi. Një nga këto, të diskutuara tashmë edhe në media, si nga përkrahësit dhe kundërshatërt e tyre, është fakti se përse e bënë tani ata kundërvënien ndaj Ramës. Me fjalë të tjera, mos vallë Doshi e shpërtheu predhën kur pa se i shkuan dëm tërë paratë dhe sakrificat e tjera që kishte bërë për fushatën e 2013-ës, pra kur pa se jo më që nuk mori ndonjë post të shpresuar por as nuk po ia varte më njeri, madje, për qeveritarët qe kthyer dhe në një njeri të bezdisëhshëm, duke mos i ngritur as telefonin e jo më të kënaqnin kërkesat e tij. Bukur e thoshte në esenë e tij, K.Myftaraj, se Tom Doshi për Ramën e rilindasit e tij, kishte vdekur që më 23 qershor të 2013-ës. Po kështu thonë dhe për Blushin se po ta kishte ulur Rama në ndonjë post ministri, nuk do të fliste e nuk do të shkruante kundër tij. Edhe pse në këto pohime, nisur nga përvoja çerekshekullore e këtij tranzicioni, ka diçka të vërtetë, për temën që po trajtojmë nuk e vlen të merren në konsideratë. Për ne kanë rëndësi të vërtetat e atyre që thonë, diagnozat që japin. Jo se ne, dhe kur them ne, kam parasysh gjithë publikun, nga ata lart e deri tek fshatari më i humbur, nuk i dinim ato, në mos tërësisht, shumicën e tyre, falë tërë këtij rrjeti informatik shurdhues; por ndryshe kur e lexon në gazetë apo e merr vesh nga ekrani i televizorit apo internetit dhe ndryshe kur të vërtetat i dëgjon nga vetë pjestarët e klanit të akuzuar. Ne, fjala vjen, mund të kemi dëgjuar thashetheme sa të duash për një grua imorale, kushdo qoftë ajo, siç ndeshen në blogjet elektronike përditë; por, kur na e thotë këtë vetë punonjësi i hotelit ku ajo kënaq epshet, ndryshon puna, bëhet shumë më e besueshme. E pra, është kjo arsyeja që dhe Doshi dhe Blushi çojnë ujë atje ku kishte aq shumë etje për tu bindur për realitetin e përjetuar, si për zgjedhjet e shumëpërfolura të qershorit 2013 ashtu dhe për qeverisjen e sotme që jo vetëm nuk po rilind gjë, por po na kujton kohën e diktaturës me frikën e panikun që ka ngjallur në popull apo dhe me tërë treguesit e mirëqënies sociale që po njohin vetëm ulje. Treguesi më i qartë e më bindës për këtë është humbja e shpresës dhe largimi masiv i shqiptarëve, siç nuk kishte ndodhur prej kohësh.
Ne as kemi qënë ndonjëherë dhe as jemi si gjithë të tjerët
– Replikë me z. Henri Çili/
nga Andon Dede, Nju York/
Duke lexuar një kronikë nga promovimi i librit të Prof. Servet Pëllumbit, “Përmbysja e komunizmit”, më tërhoqi vëmendjen fjala e Henri Çilit ku ai hedh disa teza, pak konfuze, por mbi të gjitha të pasakta, madje tepër të gabuara. Sikur nuk më besohej se si mund të dilnin pohime të tillë nga goja apo dhe pena e tij, me që ka shkruar dhe parathënien e librit. ( Me librin nuk po merrem se as nuk e kam lexuar dhe as nuk ishte ky qëllimi i këtyre rreshtave). Aq përshtypje më bënë pohimet e tij, sa e lexova disa herë kronikën e mësipërme dhe kur u binda se ç’kish dashur të thoshte, vendosa të jap mendimin tim. Për të qënë sa më i saktë, po i riprodhoj më poshtë pohimet e tij, sipas kronikës së botuar në disa gazeta:
“Përmbysja e komunizmit është një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore. Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën. Pak a shumë, përmbysja e komunizmit në Shqipëri ishte mbi të gjitha, dhe kjo është teza themelore e profesor Pëllumbit, derivat i zhvillimeve në Europën Qendrore, Lindore dhe në ish- Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë zhvillimet në Shqipëri janë një derivat i kulturës ndërkombëtare dhe jo më kot kështu ka qenë shumë herë dhe vërtetohet dhe këtë radhë, se nuk mund të ketë zhvillime shqiptare jashtë një konteksti të madh të zhvillimit të perandorive apo gjeopolitikës së madhe. Nuk mund të kishte zhvillime të hapësirës së trojeve shqiptare jashtë kontekstit të Perandorisë Otomane, nuk mund të kishte të themi zhvillime të Shqipërisë apo versione të përmbysjes më para të komunizmit sepse nuk mund të flitej për sukses të diversantëve apo të sabotimit të komunizmit në Shqipëri jashtë Paktit të Jaltës, e kështu me radhë. Kjo i jep fund një herë e mirë sindromit tonë për të qenë një “rast i veçantë” apo një ‘rast sui-generis”.
Siç shihet, në këto pak rreshta ai hedh disa ide. Së pari, është e vërtetë se përmbysja e komunizmit apo më saktë, dikaturës tek ne,(se ai nuk qe komunizëm, siç e pohon dhe profesori në librin e vet), ishte “një nga momentet e jashtëzakonshme në historinë shqiptare e inkuadruar brenda historisë europiane të Europës Lindore.”. Por më poshtë ai bën një kapërcim pindarik që s’ka si të mos të të habisë: “Eshtë një nga ngjarjet që na bën europianë, është një nga ngjarjet që na lidh me Europën.”. Të thuash se përmbysja e komunizmit na bën europianë më duket jo vetëm e pasaktë, por tepër e gabuar. Ne gjeografikisht kemi qënë europianë, që në zanafillën tonë, por sot ky status “europian” shihet pak më ndryshe, si antar i BE-së etj. apo dhe më gjerë: që t’i përgjigjesh standarteve europiane në ekonomi, infrastrukturë, institucione, politikë, kulturë, nivel jetese, sjellje,etj.etj.. Siç dihet dhe pohoet nga të gjithë ne apo dhe nga të huajt që na njohin, ne jemi aq larg këtyre standarteve europiane. Zhvillimet e këtyre 25 vjetëve të fundit kanë treguar bindshëm se do të na duhet dhe shumë kohë që të europianizohemi, por kjo është një temë tjetër që del jashtë asaj që duam të trajtojmë këtu.
Është po ashtu e vërtetë se zhvillimet në Shqipëri janë derivat i zhvillimeve ndërkombëtare, por kjo nuk e përjashton specifikën e zhvillimeve tek ne. Le ta nisim me perandorinë otomane, që e përmend kalimthi edhe autori i parathënies. Mos vallë rastësisht ne ishim të fundit që fituam pavarësinë e u shkëputëm nga ajo perandori, ndonëse kishim ndihmuar Greqinë e ndonjë shtet tjetër për t’u shkëputur prej saj? Mos vallë qe rastësi që shqiptarët kishin marrë gjithë ato poste të larta në hierarkinë shtetërore të asaj perandorije apo që jeniçerët, trupat më besnike të Sulltanit, në pjesën më të madhe, ishin shqiptarë?
Për të mos u zgjatur, vimë në shekullin e njëzetë, zhvillimet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku ndalet dhe zoti Çili. Përsëri ne kemi qënë të veçantë. Për fatin tragjik tonin, në krye të PK Shqiptare e më pas dhe të Frontit Nacional Çlirimtar, doli Enver Hoxha që kishte si qëllim parësor marrjen e pushetit dhe jo çlirimin e vendit e më pas vendosjen e një shteti demokratik, në shërbim të popullit. Ai u tregua krejt ndryshe nga udhëheqësiit e tjerë. Mjafton të lexoni “Diktatorët e Ballkanit”, të B.Fisherit. Si i zbatonte direktivat e Internacionales “Enveri ynë” dhe Titoja? Ky i fundit shihte thjesht interesat e popujve të Jugosllavisë dhe nuk e çante shumë kokën për direktivat që i vinin nga lart. Këtë pozicion ai e ndoqi edhe pas Luftës, deri sa u shkëput e iu kundërvu Kominternit e Stalinit. Po “Enveri ynë”? Ai u tregua më Stalin se vetë Stalini në vendosjen e diktaturës, një nga më të egrat e kampit socialist apo dhe më gjerë. Mjafton të kujtoni kolektivizmin që e bëri me ritme aq të shpejta e me dhunë, sa që e kritikoi edhe vetë Stalini në bisedat që pati me të. (Lexoni librin “Me Stalinin”).
Sa për çështjen e diversantëve, që z. Çili e lëshon si pa të keq, problemi nuk është aq i thjeshtë. Nuk është vendi këtu ta shtjellojmë hollësisht këtë temë, por fakt ishte se SHBA dhe Perëndimi kishin vendosur që të eksperimentonin përmbysjen me dhunë të sistemeve komuniste dhe ia filluan me Shqipërinë. Këtu hyn sabotimi që i bëri kësaj ndërhyrjeje i shumëpërfoluri Kim Filbi, por dhe kjo është një histori më vete. Ne e kishim fjalën se dhe në këtë fakt ne patëm një zhvillim të veçantë, paçka se pa sukses, gjë që iu kushtoi jetën tërë atyre djemve të rinj, nga të dy palët, që me apo pa vetëdije, e dhanë jetën duke menduar se po luftonin për të mirën e atdheut e të popullit.
Shkojmë më tej. Gjithë zhvillimet tek ne gjatë Diktaturës, kanë vulën e tyre të veçantë, krejt ndryshe nga të tjerët. Mjafton të përmendim vetëm një fakt, ndalimin e Fesë? Ose, cili shtet tjetër ka kaluar nga pro-jugosllav në pro-sovjetik e më pas pro-kinez, përveçse ne?! Po varfëria jonë biblike, me kë mund të krahasohet? A mund të përfytyrohet një vend tjetër me dyqanet krejtësisht bosh, si tek ne? Për të mos u zgjatur , po tregoj vetëm një detal të përjetuar nga unë personalisht.
Sapo m’u dha mundësia, pas ’90-ës, bëra një vizitë tek një miku im në Çekosllovaki, me që s’kisha dalë asnjëherë e të “mos vdisja pa parë qoftë edhe një herë botën me sy”. Po ç’të them për atë vizitë? Tregjet çeke qenë plot. Po ku kishte pika krahasimi me varfërinë tonë?
Së fundi, edhe me zhvillimet post-diktatoriale, ne jemi shumë larg të tjerëve, në çdo aspekt. Kjo falë klasës tonë politike që nuk ndryshoi shumë nga ajo e mëparshmja, duke iu përshatur kushteve të reja të pluralizmit.(jo demikracisë, se jemi akoma tepër larg asaj).
Përfundimisht, ne as kemi qënë dhe as jemi si gjithë të tjerët, por “sui generis”, dhe as që e vlen të zgjatemi më tej. Kjo nuk është një sindromë e tejkaluar, siç thotë z. Çili, por një realitet.
Gjithë sa më sipër, nuk është thjesht një kënaqje kurioziteti, por një çështje shumë e rëndësishme: pa diagnoza të sakta, nuk shërohet i sëmuri. Dhe ne, po nuk u vetëdijësuam se ku jemi e qysh jemi, as që kemi për të bitisur gjë, ashtu si edhe deri tani.