• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Albanian Excellence” vizitë në Vatër

January 5, 2023 by s p

New York, 5 Janar 2023- Vatrën e vizituan përfaqësuesit më të lartë të organizatës kulturore-patriotike “Albanian Excellence” gazetarja Flora Nikolla dhe regjizori Andis Gjoni. Ata u pritën nga Editori i Diellit i cili u ndal në detaje rreth punës e përpjekjeve të vazhdueshme që Vatra e Dielli zhvillojnë çdo ditë në shërbim të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtuesja dhe themeluesja e

“Albanian Excellence” Flora Nikolla u shpreh se “Është një misión fisnik të tregojmë vlerat dhe suksesin e shqiptareve kudo jane. Vatra është e do të jetë një pararojë e historisë së shqiptareve kudo janë, ndaj dhe bashkëpunimin me kete vlerë historike e shohim si prioritet në bashkepunimin e në zhvillimin e metejshëm të Albanian Excellence”, tha gjatë kësaj vizite Flora Nikolla e cila nënvizoi faktin se historia e Vatrës, duhet vënë gjithnjë në vendin qe meriton. Andis Gjoni Drejtori i bordit të “Albanian Excellence” e cilësoi shumë të rëndësishme bashkepunimin e Albanian Excellence me Federatën Pan shqiptare të Amerikes Vatra. Ai tha se “Vatra është guri i themeltar i të gjithë mërgimtarëve shqiptarë qe dhane nje kontribut te madh ne themelimin e shtetit shqiptar. Ndaj ajo vijon të luajë nje rol të rendesishem ne zhvillimin e metejshem te komunitetit shqiptar ne SHBA” tha mdër të tjera z.Gjoni. “Albanian Excellence” u themelua në Tiranë ne nëntor 2012 në 100 vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar për të gjithë shqiptarët e suksesit kudo jetojnë. Nga Ky vit, ky misión fisnik i Albanian Excellence, është bërë realitet në botimin e 15 librave me histori suksesi të shqiptareve të të gjithe hapësirës mbarëshqiptare kudo janë, duke krijuar padyshim enciklopedinë e suksesit shqiptar. Albanian Excellence është themeluese e çmimit Albanian Excellence, Zonjat shqiptare në Nju Jork , Zonjat që bëjnë Shqipërinë, Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, Të jesh líder në kohë Pandemie, Hero Covid 19. Albanian Excellence është themeluese e Bienales Ndërkombëtare të Karikaturës, konkurs që e futi për herë të pare Shqipërinë në hartën e karikaturës Botërore, themeluese e Konkursit të letërsisë Satiriko-Humoristike Mbarëkombëtare. Themeluese e orkestrës Albanian Excellence me instrumentiste shqiptare kudo në botë. Ideatore e memorandumit “Te jesh grúa ne shekullin e XXI” nënshkruar ne Nju Jork 2016 me prezenncën e Presidentit Nishani, Peticioni per Viktimat e dhunës seksuale të luftës ne Kosovë ne Vitin 1999 nenshkruar në Nju Xhersi në Vitin 2018. Flora Nikolla, themeluese e Drejtore Ekzekutive Albanian Excellence, gazetare me një eksperiencë 30 vjeçare, kryeredaktore në Agjencine Telegrafike Shqiptare, kryeredaktore e revistës Kult, Andis Gjoni Drejtor i Bordit Albanian Excellence, piktor-Skenograf, regjisor – realizes shume veprave teatrore dhe operistike ne SHBA dhe ne Shqipëri. Fitues i disa çmimeve në SHBA.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Andis Gjoni, Flora Nikolla

MEBI FICO- Aristokratja jonë sot bën 100 vjeç

March 14, 2017 by dgreca

0001Nga Andis GJONI/ Nju Jork/003Në verën e vitit 1942 në librarinë “Flora” në Tiranë hyri një zonjë me një kapele që e mbante drejt mbi kokë. Nga pamja dukej aristokrate. Ishte ndalur atje për të përshëndetur djalin e saj të dajës Esat Dishnicën, i cili punonte në librari. Në ato kohë atje qëndronte në ilegalitet edhe Enver Hoxha të cilin e kërkonin për veprimtarinë e tij komuniste. Ai me siguri e njihte zonjën si gruan e një gjirokastriti të nderuar inxhinjerit Çefo Fico. Pasi u përshëndetën e folën pak Enveri ju drejtua zonjës :”Po nuk mbahet kapellua kështu moj zonja Mebi – dhe me duar ja uli pak nga njëra anë duke bërë që streha e gjerë e kapeles të merrte një kënd anësor duke i dhënë një pamje më çapkëne aristokrates. Më pas ai vazhdoi – Po kur të fitojë komunizmi nuk do kesh më kështu kapellash !” Aristokratja ishte Mebi Fico, gjyshja ime. Këtë anekdotë ajo ma ka treguar vite më vonë por interesant mbetet fakti që fjala e atij që do bëhej njeriu më i fuqishëm i Shqipërise nuk u vërtetua, pasi gjyshja ime mbeti përherë një aristokrate edhe në vitet e komunizmit. Ajo ndoshta nuk vuri më “kapella” me strehë për ca kohë deri kur erdhi në Amerikë, por me siguri di të them që ajo gjithmonë mbeti një zonjë e madhe edhe gjatë ditëve më të vështira.004

Mebi Fico lindi pikërisht sot 100 vjet më parë në Pogradec, më 14 Mars 1917, dhe ishte vajza e vogël e Hajdar Bej Starovës. Familja e saj e pasur dhe me shumë prona i siguroi që në fëmijëri një jetë mes bollëkut dhe mirëqenies. Gjyshi i saj Istref Starova bëri të mundur hapjen e shkollës së parë shqipe në qytetin e tij dhe ishte martuar me kushërirën e mbretit të Egjiptit dhe siç tregonte gjyshja, nusja kishte ardhur e shoqëruar nga dy shërbëtore zezake dhe dy kuaj rrace Egjypti shumë të bukur, nusja  kish prurë edhe një pajë të madhe transportuar me mushka të ngarkuara me qilima e hejbe të mbushura me flori e stolira.

005

Babai i saj ishte një njeri largpamës dhe shumë inteligjent. Ai jo vetëm kishte trashëguar një pasuri të madhe por e kishte shtuar edhe më tepër duke e futur në punë shumë mirë paranë me investime nga më të ndryshmet, ndërtoi tregun modern të qytetit, investoi në çentralin elektrik, solli disa traktorë për punimin e tokave, ndërtoi kinema në një kohë kur edhe qytete më të mëdha si Durrësi dhe Vlora nuk kishin kinema në atë kohë. Botoi gazetën e parë të qytetit dhe ndërtoi një hotel modern. Në të njëjtën kohë mendonte edhe për të mirën e përgjithëshme si në rastin e pajtimit të një inxhinieri francez gjatë Luftës së Parë Botërore me qëllim që të bënte planin rregullues të qytetit të Pogradecit. 006Dëshira e Hajdar Starovës ishte që jo vetëm ai të prosperonte me pasurinë e tij por i gjithe qyteti të lulëzonte, për këtë arsye pajtoi inxhinier Garrikun, një francez që kish ardhur me armatën e Francës gjatë luftës. Aq me vlerë ishte ky studim urbanistik saqë baza e planimetrisë së francezit u bë themeli i asaj që do ndërtohej në qytet për gjithë shekullin e XX dhe veçanërisht e asaj shetitoreje të bukur që edhe sot admirohet nga qytetarët dhe vizitorët në qytetin e Pogradecit.009

Që në fëmijëri Mebi u dallua për një zgjuarsi të lindur. Kurdoherë e kishte përgjigjen në majë të gjuhës dhe gjithmonë dilte fjala e saj në çfarëdo situate të ndodhej, me një vendosmëri të hekurt e arrinte atë që donte.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Sigurisht që njeriu më i pasur i qytetit u kujdes që fëmijët e tij të merrnin shkollimin më të mirë të mundshëm për këtë arsye e dërgoi edhe vajzën e tij të mësonte në shkollën e Dakos në Tiranë, ishte shkolla e famshme e motrave Qirijaz që kishin hapur të parën mësonjëtore të gjuhës shqipe në kohën e Turqisë. Shkolla ishte vetëm për vajza. 012Atje Mebi mësoi anglishten, italishten dhe frëngjishten, gjuhë në të cilat komunikonte lirshëm. Nën influencën e mësueseve amerikane dhe zvicerane mësoi edhe lëndët e shkencave dhe sidomos rregullat e sjelljes aristokratike në shoqëri. Luante në piano me katër duar me shoqet e saj. Atje ajo zuri miqësi me shumë trashëgimtare të familjeve më të pasura e të nderuara të Shqipërisë, miqësi që do vazhdonin për vite të tëra deri në ditët e sotme ku familja jonë mban marrdhënie të rregullta me nipat dhe mbesat e shoqeve të saj të shkollës. Mbi të gjitha tek ajo dallohej një etje për të mësuar. E dashuronte artin dhe letërsinë dhe shijonte me kënaqësi të madhe ariet e operave të cilat i dëgjonte në gramafon. Mbaj mend tek tregonte se kur ishte pothuaj fëmijë që të mos harronte titullin e operas së famshme të Puçinit “Toska” përsëriste me vehte “toskë dhe gegë”.013

Në vitin 1938 u martua me inxhinier Çefo Ficon, të birin e diplomatit dhe shtetarit të shquar Rauf Fico dhe menjëherë u nisën në një muaj mjalti që në të vërtetë do zgjaste 4 muaj nëpër kryeqytetet më të bukura të Europës. Jeta e saj filloi në përkundjet e shetitjeve me varkë në “gjolin” e dashur dhe më pas vazhdoi me gondolat e Venecies dhe udhëtimet me vetura në bulevardet e Parisit, Berlinit, Londrës, Romës e vite më pas do të vazhdonte me udhëtimet me anije në Bahamas, Florida, Meksikë, Kanada, Nju Jork, e shumë qytete të tjera të SHBA-ve ku ajo jeton prej 21 vjetëve.unnamed-1

Pas luftës do vinin ditë të vështira. Ajo nuk do kishte më shërbëtore, guvernante, guzhiniere e shofer në shtëpinë e saj, megjithatë si zonjë e vërtetë ju kushtua tërësisht familjes. Në vitet e persekutimeve të egra shumë nga miqtë dhe farefisi ja besuan pasuritë e tyre gjyshes tonë. Ajo i ruajti amanetet e tyre dhe pastaj ja u ktheu kur kohët u qetësuan. Disa herë shkoi deri në një kamp internimi e veshur si fshatare me shami në kokë që ti dorëzonte sendet e vyera që ja kishin lënë amanet për ti ruajtur disa kushërinjve që ishin atje. Për vite me rradhë priti në shtëpinë e saj me ushqim e fjetje gjithë kushërinjtë e persekutuar në kohën kur farefisi i tyre as nuk i përshëndeste në rrugë. Kur bashkëshorti i saj u sëmur rëndë ajo shiti gjithë sendet e çmuara dhe xhevahiret për ta shpëtuar dhe ju dedikua me vetmohim shërimit të tij.unnamed-2

Ndoshta është rast unikal në historinë e komunizmit në Shqipëri që në mes të Tiranës në pallatin ku Mebi Fico jetonte përgjatë 45 vjetëve banorët e shkallës 2, sigurisht nën ndikimin e aristokrates tonë, e thërrisnin njëri-tjetrin me “Zoti” dhe “Zonja”.unnamed-3

Shtëpia e saj mbeti gjithmonë e zbukuruar nga qilimat persianë, abazhuret e floririt, tabakatë e argjendit dhe pikturat në mure. Çdo të Enjte kishte ditën e vizitave ku priste e përcillte shoqet e veta të cilave u shërbente gjithmonë çaj me biskota.

Të gjitha faktet e mësipërme përbëjnë në vetvete një lloj heroizmi po të kemi parasysh se çfarë dënimesh e prisnin në rast se emri i saj do vihej në rrethin e kuq. Edhe në këtë rast kam përshtypjen që mirësjellja dhe jetëgjatësia e saj e shpëtoi, por veçanërisht respekti që të gjithë kishin për punën e palodhur të bashkëshortit të saj, inxhinjer Ficos.unnamed

Gatimet e saj legjendare të krijonin ndjenjën e një kënaqësie dhe bollëku të veçantë, edhe në vitet më të vështira të shtrëngesave ekonomike ajo gjithmonë kishte të ruajtura “zahiretë” si një nikoqire e përsosur. Me mua kishte një marrdhënie të veçantë, përgjithësisht nuk më thërriste në emër por thjesht “djali”, të gjithë e dinin mirë kuptimin, djali ishte mbi të gjithë. Që në moshë të njomë më dhuroi një lugë, një pirun dhe një thikë argjendi që kur të ulesha në tavolinë të haja “si princ” siç thoshte ajo. Dhe unë kam patur dhe ende kam një lidhje të veçantë me të, çdo mbrëmje shkoj e takoj dhe kam kënaqësi të shkëmbej disa fjalë me të e në fund me një puthje ti uroj një natë të mirë.

Mebi gjithë jetën u dallua për një karakter të fortë, ishte elokuente dhe i shprehte shumë bukur mendimet në sajë të botës së madhe shpirtërore që e karakterizon. Ajo kishte një kulturë të gjerë dhe një etje për të mësuar deri sot. Disa vjet më parë rreth moshës 90 vjeçare e gjej një ditë të mërzitur. E pyes përse dhe m’u përgjigj: ” Jam mërzitur sepse kanali televiziv Francë International nuk flet më frëngjisht. E kanë kthyer në anglisht. Më parë e kisha mirë sepse dëgjoja dhe e praktikoja frëngjishten.”

Sot ajo mbush 100 vjeç dhe sigurisht ca gjera kanë ndryshuar por deri pak kohë më parë kishte një regjim ditor të përkryer, me aktivitete, lexime dhe informacion të gjerë. I ndiqte lajmet përditë në tre gjuhë të ndryshme e po ashtu çdo ditë për një ose dy orë lexonte libra dhe revista. Dinte të “llafosej” me përpikmëri për çdo lloj teme. Nga ajo kemi patur gjithmonë se ç’të mësojmë. Çdokush që e ka njohur dhe ka folur me Mebi Ficon ka mbetur i habitur dhe i kënaqur me bashkëbisedimin. Miqtë e saj kishin vlerësimin maksimal si në rastin e senatorit amerikan Jeff Klein i cili ndalonte makinën në rrugë që ta takonte dhe çdo vit nuk harron t’i dërgojë kartolinë urimi me rastin e ditëlindjes. Ajo di të të bëjë për vehte, dhe gjithmonë ka zënë miq me lehtësinë më të madhe kudo dhe në çdo kohë. Një koncentrat mençurie dhe përvoje në marrdhëniet njerëzore që të habit me mprehtësinë e mendimit.

Sot sjell ndër mend me kënaqësi që liria që fituam në vitin ‘90 i zbukuroi jetën edhe gjyshes tonë aristokrate e cila pati ditë dhe energji të shijonte edhe një herë udhëtimet nëpër botë. Ajo është pjesëtare aktive e komunitetit shqiptar në Nju Jork dhe gjithmonë ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, ekspozita, koncerte, ekskursione e veçanërisht në festimet e ditës së Pavarësisë së Shqipërisë që e do aq shumë.

Mebi Fico shetiti shumë dhe pa shumë, u gëzua me fëmijë, me nipër e me mbesa e stërnipër. Ajo diti të ndërtojë një familje të mrekullueshme, edukoi tre breza dhe la një trashëgimi për tu pasur zili. Ajo jetoi gjithmonë si një zonjë e nderuar dhe e respektuar.

Në këtë përvjetor të madh ashtu si çdo vit në ditën tënde, që është edhe dita e verës që në kohët që s’mbahen mend, ne do vemë në duar veroret e do ndajmë kulaçin që këtë herë do ketë një monedhë floriri brenda. Do qeshim e do gëzojmë se kujt do t’i bjeri fati që të marrë floririn këtë herë ashtu siç kemi bërë për vite me rradhë, dhe për një gjë do jemi të sigurtë, sot gjyshja jonë i fryn qirinjtë e tortës së 100 pranverave e lumtur që të gjitha dëshirat ju plotësuan!

Mebi Fico është dhe do mbetet një aristokrate e vërtetë shqiptare jo vetem sepse ishte e pasur materialisht, por sepse gjithmonë pati pasurinë shpirtërore më të madhe të mundëshme, dashurinë për njerëzit.

Gëzuar aristokratja jonë!

Filed Under: Featured Tagged With: Andis Gjoni, Aristokratja jonë sot, bën 100 vjeç, Mebi Fico

Artikujt e fundit

  • Vatra Queens feston 10 vjetorin e themelimit më 3 Qershor 2023 ora 4 pm
  • THE MISSIONARY HERALD (1894) / GJERASIM QIRIAZI, PREDIKUESI I PARË PROTESTANT SHQIPTAR
  • Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin
  • NAT0 deploys 700 additional troops in Kosovo after clashes in Serb-majority North
  • Albanian American Community Calls for Immediate Action Against Serbia for Inciting Violence and Attacking NATO Troops in Kosova
  • Shënohet 4- vjetori i Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Kanadezë
  • Ismail Qemal Vlora në Staten Island, Amerikë – Takim pune për ditën historike 3 Qershor
  • Fe e re
  • Poezi nga Marjeta CANAJ – Bukuritë e vendit tim
  • Shqip për të huajt në Prishtinë
  • TENSIONET NË VERI, OSE PARADHOMA E NJË PROTEKTORATI TË RI!
  • Albanian Festival of Worcester
  • HOMAZH PATRIOTIZMIT TE POPULLIT UKRAINAS
  • Kosova përjetë do t’i kujtojë Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj
  • VATRA DËNON SKENARËT SERBO-RUSË NË VERI TË KOSOVËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT