• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fatbardha Saraçi, mbesa e Qazim Mulletit: Persekutimi i Mulletëve dhe fati i hidhur i Hajries, gruas së prefektit

July 7, 2013 by dgreca

Nga Ani Jaupaj/

Ne Foto: Hajrie Mulleti me të birin, Reshitin/

TIRANE : Ish-prefekti i  Tiranës, protagonisti i njërës prej komedive më të famshme shqiptare “Prefekti”, Qazim Mulleti, la pas arratisjes së tij, përveç gruas e djalit, edhe vëllezërit bashkë me familjarët e tyre. Të gjithë, aktivë politikisht ose jo, u internuan. Kjo është historia e njërës prej mbesave të tij, Fatbardhës, e cila,  e frymëzuar prej vuajtjeve që ka parë, është duke shkruar vëllimin e tretë të librit “Dhimbje”. Përveç intervistës e njohjes me të, prej vëllimit të dytë të këtij libri, jemi njohur edhe me jetën që iu desh të kalonte Hajrie Mulleti, gruas së ish-prefektit, bashkë me të birin, Rreshitin. I gjithë ilariteti i shkaktuar prej komedisë “Prefekti”, ironizues dhe tallës me prefektin e Tiranës në kohën e pushtimit fashist, Qazim Mulletin, ka rënduar mbi supet e gjithë pjesës tjetër të familjes së tij. Edhe të atyre fëmijëve të sapolindur, që as e kishin idenë se ç’do të thoshte të ishe në krye të drejtimit të qytetit, të udhëtoje me makinat e shtetit, apo gjithfarë privilegjesh, që për një kohë të shkurtër familja mund të kishte. E më shumë akoma, nuk mund të kuptonin se nga buronte gjithë ajo urrejtje e përbuzje, që kohë më vonë e një pjesë të madhe të jetës, njerëzit do tregonin ndaj tyre. Qazim Mulleti në prag të rrezikut u largua nga Shqipëria, për t’ia lënë “të keqen” jo vetëm së shoqes dhe djalit të tij të vetëm, por edhe gjithë familjarëve të tjerë, vëllezërve me gjithë kishin e ç’kishin në shtëpi. Një prej tyre është Fatbardha Saraçi Mulleti. Mbesa nga vëllai e ish-prefektit, që i pa dyert e internimit që 5 vjeç, pas daljes prej tij, për shkak të një marrëdhënieje të vjetër shpirtërore me letërsinë, mblodhi e shkroi gjithë ç’kish parë me sy e dëgjuar me vesh nëpër shëtitjet nga njëri fshat në tjetrin e nga kasollet në baraka. Ashtu si ajo, të pangrëna, të paveshura, ishin edhe sa e sa femra të tjera, që të bëra tok, kanë bërë të mundur botimin e vëllimit të dytë të librit “Dhimbje” me autore një nga vetë bashkëvuajtëset. Sot, Fatbardha është duke punuar

Fatbardha Saraçi Mulleti në kohë të ndryshme, gjatë viteve të internimit, si dhe kohët kur ishte mësuese

me vëllimin e tretë, por deri atëherë, të njihemi me jetën e saj dhe të atyre që u bënë pjesë e këtij libri. E meqë shkaku i gjithë rrjedhës së jetës së tyre erdhi i tillë për shkak të xhaxhait, Qazimit, do të flasim pikërisht për ato çka ai la pas, në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, gruan, Hajrien dhe të birin. Si dhe gjithë fisin që rropatej fushave e të korrave në Savër të Lushnjës apo ngado t’i degdiste partia. Gjithë historitë e emrat që shohim në librin “Dhimbje” ju i keni prekur vetë? Të gjitha historitë janë të vërteta, ato jetuan bashkë me mua që kur isha 5 vjeç e vazhdojnë të jetojnë deri tani, që kam prekur të 70-at. I kam njohur këto nëna e bija ndër vite në qytetet e Tiranës, Kavajës, Lezhës, në fshatrat ku kam punuar, Zadrimë, Kallmet, Dajç etj. Në ato vite bashkëjetese me të keqen, të gjitha ngjarjet e librit ishin pjesë e së përditshmes dhe liria ishte vetëm një iluzion. Duhet të ketë qenë vetëm dëshira për t’i ndarë këto dhimbje me të tjerët, sepse me letërsinë jo nuk ju lidh gjë… Në fakt, letërsia ka qenë brenda meje gjithnjë. Pasioni për të lexuar libra artistikë e shkruar kujtimet e mia, më ka shoqëruar përherë. Por po, ka qenë më së shumti dëshira për t’i njohur njerëzit me ato realitete të hidhura, me ato vrasje për së gjalli e pushkatime, që sot as mund ta imagjinojnë se ç’janë. Prekeshin e vuanin njerëz që as kishin të bënin me ngjarjen e parë. Vuanin dënimet e të tjerëve. Një nga këta ishit edhe ju vetë, apo jo? Babai apo ju vetë keni bërë diçka që i ka shkelur në kallo..? Im atë, Haki Mulleti, pati studiuar në Austri e pas kthimit punoi në administratë. Asnjë lidhje nuk kishte me politikën, por meqenëse vëllai i tij, Qazim Mulleti u largua nga Shqipëria, e kapën këta që mbetën këtu. Së pari e burgosën e mandej e internuan bashkë me ne. Kjo ishte arsyeja pse prej vitit ’44 nuk e kujtoi më babanë në shtëpi, edhe pse gjithë ne të tjerët u nxorëm nga shtëpitë në rrugë për të lëvizur kasolle më kasolle të Kavajës e Lushnjës. Ju keni qenë fare e vogël, ç’kujtoni nga ajo kohë? Sado e vogël të ishe, nuk mund të mos përjetoje pushkatimet që të detyronin të shihje në oborret e shkollës në Kavajë. Na nxirrnin jashtë për t’i parë, sado që përpiqeshim të mbyllnim sytë. Ndoshta shërbenin si shembuj, se një ditë të gjithë mund të kishim të njëjtin fat. Megjithatë, ju arritët t’i tejkaloni të gjitha sepse mundët të ndiqnit ëndrrën tuaj, të shkolloheni… Përveç se dëshirë e imja, kjo ishte një edukatë me të cilën na kishte ushqyer babai. Ishte brenda meje dhe do bëja gjithçka për ta arritur. Megjithatë, po të vijoja të jetoja në Lushnjë, nuk do arrija të shkoja përtej shkollës 8-vjeçare. Njerëzit e mamasë më morën në shtëpinë e tyre në Shkodër, kështu që munda të vazhdoj edhe gjimnazin. Por edhe pas kësaj kohe u ktheva në Kavajë, ku më duhej të flija sërish në një shtrat me disa njerëz. Punova në bujqësi, u përpoqa duke takuar Ramiz Alinë për t’i kërkuar shkollë, por pa i thënë se kush jam, sado që babai më tha se disa ndere ia kemi bërë, duhet t’i kishe thënë kush ishe. Pas vdekjes së tim ati shkova në Lezhë, ku për fat kishin nevojë për arsimtare. Në këtë kohë nisi një dashuri e re për nxënësit, dashuri e cila më shoqëroi gjithnjë. Bashkë me mësimdhënien nisa edhe plotësimin e dokumenteve për të ndjekur Fakultetin e Shkencave Natyrore për Biologji-Kimi, meqenëse në këtë degë kishte nevoja rrethi. U përqendrova vetëm në këto dy gjëra të reja të jetës sime dhe arrita t’ia dal më së miri. Studioja deri në agim, flija pak orë, e në mëngjes merresha me nxënësit, me ngritjen e laboratorëve, me edukimin e tyre dhe të vetes, derisa arrita të përfundoj studimet. Nuk është pak për “njollën” që kishit… Nuk është pak vërtet, por nuk ishte as e lehtë për ta arritur. I gjithë përkushtimi në studime më mori edhe kënaqësinë e krijimit të një familjeje, të cilën e realizova në moshë të vonë, kështu që pati gjithsesi kosto. Megjithatë, edhe me arritjet që pata, nuk munda të vazhdoj punën time pa u prekur. Në kohë të ndryshme mund të prekeshe nga lufta e klasave dhe në fakt më ndodhi një herë në ’67-n e mandej në ’75-n. Në këtë rast të dytë isha e para që u hoqa nga puna për të mos u rikthyer më deri në vitet e demokracisë. Për mua aty mbaroi gjithçka deri në rifillimin e jetës së lirë.

Hajrie Mulleti: Nga komedia te skleroza e vdekja në kampet e Tepelenës

 

Krahas Qazim Mulletit, një emër tjetër real që prekej në komedinë “Prefekti”, ishte edhe ai i së shoqes, Hajries, e cila në gjithë vitet që njerëzit gajaseshin me dialektin a veprimtaritë e të shoqit, hante groshë me krimba në kampin e Tepelenës. Por cila ishte në të vërtetë kjo grua, përtej stereotipave të krijuar të komedisë?

 

Martesa dhe lumturia e shkurtër

 

Hajrie Mulleti ishte e lindur në Tiranë në një nga ato familjet po aq të vjetra e po me aq tradita sa të të shoqit. Pas fejesës me Qazim Mulletin, u martua me të në Vjenë më 1929. Meqenëse i shoqi ishte emigrant politik, Hajries iu desh ta rriste të birin e vetme në Shqipëri, duke shpresuar gjithnjë në mundësinë e një ribashkimi me të shoqin. Dhe në fakt ajo ditë erdhi pas nëntë vitesh, edhe pse zgjati fare pak. Ju duk gati si një rilindje, por gëzimi u pre shpejt në mes. Diktatura ishte pas dere, i shoqi, pas drejtimit të Bashkisë së Tiranës, për të shpëtuar veten, duhet të kthehej sërish nga kishte ardhur.

 

Grabitja e pronave dhe internimi

 

 E nxorën me forcë nga shtëpia dhe iu grabit çdo gjë, përfshi dhe dhuratat që kishte marrë nga prindërit e saj. E internojnë bashkë me të birin, Reshitin 15-vjeçar, në kampin e Tepelenës më shumë bashkëvuajtës të tjerë. Flinin në kazermë bashkë me 200 veta të tjerë pa dallim moshe a seksi. S’kishin dritë, as ngrohje. Ushqimi ishte vetëm një copë bukë e zezë. Por për shkak të të birit duhej përballuar gjithçka. Duhet të duronte edhe dhimbjet e shpinës prej ngarkesës së druve që i vinin të transportonte, në vend të karrocës, për familjet e oficerëve. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Bashkë me të, ishin edhe motrat e vëllezërit e saj. Njëri u pushkatua i pari për shkak të bindjeve antikomuniste. Të tjerët ndoqën fatin e tij, u larguan nga jeta njëri pas tjetrit në internim, pa u parë a folur me të motrën. Natyrisht që nëse do të pranonte të bënte ndarjen nga i shoqi, fati do ishte më pak mizor, por këtë nuk e bëri kurrë. Sëmundja dhe vdekja

 

Hajrie Mulleti, gruaja e Qazim Mulletit, në internim në Tepelenë

Punoi në bujqësi, me hipertension, për të rritur të birin, në ato kushte që jeta e kishte hedhur. Kjo ishte gruaja që komedia e bënte të çalë, injorante, qesharake, tek ajo numëronte kafshatat e munguara të bukës së të birit. Por duhet të kalonin shumë vite përpara se e gjithë kjo të dilte në dritë. Aq vite sa Hajria ishte plakur, bërë me sklerozë, në internim. Fjalët e vetme që mund të shqiptonte pas sëmundjes, kur e pyesnin, ishin: “Jam te shtëpia e babait tim, në oborrin me diell e plot lule, në dhomat e mëdha me jorganët e bardhë”. Imazhe këto që i kishin mbetur nga vajzëria e që shtynte netët e errëta të pagjumësisë. Vdiq në një barakë prej llamarine e dërrase, mes baltës së Myzeqesë, në vitin 1980 larg Tiranës së saj, së cilës iu largua 35 vite më parë, për të mos iu rikthyer kurrë. Pas largimit të së ëmës, i biri, Reshiti, vetëm qante, i mbetur tashmë i vetëm, pa të ardhme e me zemrën mbushur me plagë.

Traumat e të birit 

Reshiti jetoi me të atin për fare pak vite. Edhe në kohën që ishin bashkë, për shkak të luftës e angazhimeve të të atit, momentet e tyre së bashku ishin të numëruara, kështu që kujtimet e tij ishin të lidhura vetëm me nënën. Kur një i ftuar, mik i familjes, e pyeti Qazimin se pse nuk e merr dhe djalin me vete, përgjigjja e tij ish se politikanët nuk merren me gra e fëmijë. Mbas vitit 1944 nënë dhe djalë i kishin arrestuar disa herë, duke i mbajtur në biruca të veçanta. Hajria pati presione të ndryshme në vitet pas largimit të të shoqit, për t’i grabitur pronat, ndërsa Reshiti akuzohej se shkruante parulla kundër komunizmit. Nuk mungonin as keqtrajtimet fizike nga shokët e shkollës, as herët kur kthehej i gjakosur në shtëpi. Kjo mënyrë jetese e përndoqi Reshitin në vitet më të mira të jetës, për t’i lënë kështu gjurmë të përhershme edhe kur koha do sillte të jetonte i lirë.

Qazim Mulleti në krye të Tiranës

Thuajse të gjithë qytetarët e kryeqytetit e pranuan me dëshirë zgjedhjen e një tiranasi në postin e kryetarit të bashkisë. Sekretar personal i tij ishte Mehmet Rushiti, ndërsa nënkryetar Halil Mëniku, që drejtoi më pas kryeqytetin përkatësisht në vitet 1943-1944. Shumë plane të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat apo sot Muzeu i Arkeologjisë, Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. Por reliktet e punës së tij, të cilat ekzistojnë edhe sot, janë banjat publike nën tokë. Sipas nipit të Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, me të marrë postin e drejtuesit të Tiranës, nisi vendosjen e çezmave publike në rrugica, si dhe ndërtimin e banjave publike në disa pika të rëndësishme të qytetit, duke zgjidhur njëkohësisht problemin e kanalizimeve nëntokësore. Një tjetër sipërmarrje e vështirë e kryebashkiakut ka qenë heqja e varrezave brenda qytetit. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë, ai e nisi nga vetja. “Ne kena pas afër xhamisë te Pazari i Ri varrezat e shtëpisë. Por duke dashur me bo i reformë e me i çu varrezat mo larg qendrës, Qazimi e nisi nga vorrezat tona e në ven të tyne ma pas u ndërtu markata e Pazarit të Ri”, rrëfen Tanush Mulleti. Karrocat me kuaj që në atë kohë mbizotëronin, nuk u lejuan të shkelnin në qendër të Tiranës, duke i dhënë kështu qytetit të viteve ’40 një pamje më të pranueshme. Në kohën kur Bashkia drejtohej nga Qazim Mulleti, u ndërtuan dhe furrat e para elektrike të bukës në kryeqytet.(Kortezi: Panorama)

 

Filed Under: Histori Tagged With: ani japupaj, Qazim mullneti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT