Nuk është kurfarë risie nëse Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, thonë udhëheqës të institucioneve dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës./
Nga Anton Konushevci/
Zyrtarët serbë në Beograd, pritet që gjatë ditës së sotme të marrin vendim që të nënshkruajnë ose jo marrëveshjen e propozuar nga BE-ja, me palën kosovare.
Më herët gjatë ditës, zëvendëskryeministri i parë i këtij vendi, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar që qeveria serbe të insistojë në më shumë kohë dhe negociata nga Bashkimi Evropian për marrëveshje me Kosovën.
“Propozimi ynë për Qeverinë e Serbisë është që të mos nënshkruajë të martën marrëveshjen, atë që është në kundërshtim dhe nuk njeh interesat tona themelore”, ka thënë Vuçiq.
Nga qëndrimet e tilla të zyrtarëve të Serbisë, nuk janë befasuar politikanët në Kosovë, pasi sipas tyre, sjellje të ngjashme gjithmonë ka pasur Serbia.
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, theksoi se nuk është asgjë e re nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen.
“Me Beogradin edhe kur jemi marrë vesh, s’jemi marrë vesh. Ne nuk mund të ndikojmë se cilin qëndrim do ta mbajnë zyrtarët e lartë as të Bashkimit Evropian, e as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi ka deklaruar, po ashtu, se edhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje me Beogradin për veriun, siç tha ai, Kosova ka për obligim të shtrijë autoritetin e saj ligjor edhe në veri.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri tha se Kosova ka bërë lëshime, për komunitetet në vend, dhe ajo çka ofron plani i Ahtisaarit është maksimumi i mundshëm.
“Ne duhet ta mbrojmë Kushtetutën e vendit tonë. Të mbrojmë integritetin e vendit tonë, kjo është detyrë e institucioneve tona. Të tjerat janë probleme që duhet adresuar”, tha Beqiri.
Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini mendon ngjashëm.
Sipas tij, në këtë drejtim, nuk ka asgjë për t’u tmerruar nga qëndrimi i Serbisë në drejtim të refuzimit të një marrëveshjeje me Kosovën.
“Serbia njëjtë është sjellë gjithmonë. Sjellja e Kosovës ka qenë korrekte ndaj qytetarëve të vet serbë deri me tani. Dhe nëse refuzohet marrëveshja, nuk është kurrfarë befasie”, tha Gjini.
Duke pasur parasysh që Qeveria e Serbisë, ende nuk e ka shpallur zyrtarisht vendimin saj se a do të refuzojë një marrëveshje me Kosovën, në Bruksel, nuk kanë ndonjë qëndrim rreth deklarimeve të zyrtarëve të ndryshëm në Beograd.
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijançiq, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk duan të komentojnë deklarata të ndryshme pa pasur vendime zyrtare nga Beogradi.
“Ne ende jemi duke pritur vendimin nga autoritete serbe, që ata të na komunikojnë. Tash për tash, nuk mund të themi asgjë. Pas vendimit do të shohim tutje”, tha Kocijançiq.
Ndryshe, mbledhja e Qeverisë Serbe për të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje pritet të mbahet në orën 17:00.