• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“KOHË E VRARË NË SY”- MADHËSHTI POETIKE QË DO TË JETOJË NËPËR KOHË

April 4, 2021 by dgreca

NGA ANTON NIKË BERISHA/

Profesor Anton Nikë Berisha, studiues i njohur i letërsisë shqipe, shkrimtar dhe përkthyer, vite më parë përgatiti vëllimin me poezi të zgjedhura të Visar Zhitit, “Kohë e vrarë në sy”, botim i “Rilindjes” në Prishtinë, të shoqëruar me një parathenie, të shkruar po nga Anton Nikë Berisha, një ese dhe kritikë letrare, që ka tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe ribotohet herë pas here në media duke kumbuar si risi…

Madhështi Poetike

Që Do Të Jetojë Nëpër Kohë

Interpretimi i poezisë së deritashme të Visar Zhitit,[1] sidomos i kësaj të këtij vëllimi[2], ku janë përfshirë poezitë artistikisht më të ngritura dhe kuptimisht më të pasura të shkruara deri më tash nga ky autor, nuk është punë e lehtë. Kjo ndodh për arsye se ajo është krijesë qenësísh dhe vlerash të mëdha artistike dhe ka në vete një forcë e madhështi poetike të veçantë e origjinale.

Tematika e saj ndërlidhet me realitetin konkret e me përjetimet e vetë poetit dhe është e kapshme dhe e qartë, ndërsa struktura gjuhësore shprehëse dhe mesazhet që dalin prej saj, që në vështrim të parë duken të zakonshme dhe të thjeshta, janë të nyjshme e të shumëllojshme. Këtë gjë e kushtëzon mënyra e qasjes dhe e vrojtimit të dukurive të trajtuara e sidomos e shtjellimit të tekstit. Poezia e tij ka një frymëmarrje sa të gjerë aq edhe të thellë, një lirshmëri, natyrshmëri e veçanti shprehjeje e një thellësi mendimi, që vështirë mund ta përmbledhësh brenda një formule ose ta sjellësh brenda një kornize a vlerësimi, aq më pak ta përcaktosh e ta interpretosh ashtu siç u veprua me poezinë e të ashtuquajturit soc realizëm. Kjo është krijesë e qenësive dhe krijesë artistikisht qenësore.

Poezia e Zhitit është fryt i perceptimit dhe i shqiptimit shumësor poetik të botës konkrete dhe i të pazakonshmes brenda saj, ndërthurur e përshkuar nga bota subjektive e tij. Poeti nuk e përfton poezinë mbi rregulla ose mbi dy ose tri modele. Trajtimi artistik i dukurive bëhet në mënyra të ndryshme, herë-herë krejt të ndryshme, edhe kur ato në jetë janë të përafërta ose të ngjashme. Pra, zbatohet shumësia dhe variantiteti i të trajtuarit dhe i të shprehurit, ku secila poezi përftohet si një krijesë e veçantë (Horhe Luis Borhes do të thoshte: Çdo temë më dikton teorinë e vet.).

Kjo gjë vërehet edhe kur ligjërimi poetik shpreh konkretësinë jetësore, edhe kur shprehet e krijohet e pazakonshmja brenda kësaj konkretësie, po edhe kur shqiptohen ndjesitë e botës vetjake. Temat dhe dukuritë e “mëdha” dhe të “vogla” trajtohen natyrshëm, pa ngarkesën e hierarkisë e të varësisë midis tyre; shqiptimi dhe shtjellimi artistik – arti – është përbërësi, elementi që i bën ato të mëdha ose të vogla. Strategjia e këtillë mundëson zbulimin dhe njohjen më të plotë e më të thellë të botës së brendshme dhe të jashtme dhe komunikimin më intensiv me to.

Duke pasur parasysh cilësitë që përmendëm, them se shkrimi diskursiv për këtë poezi, sado të synojë të jetë shterues, asnjëherë nuk do t’ia dalë ta shprehë krejtësisht atë; vetëm ajo e shpreh veten në plotninë e saj.

Njësimi i së vërtetës me të bukurën

Qenësia e objektit artistik të poezisë së Visar Zhitit është, siç thamë, e zakonshmja, që në fakt shpreh të vërtetën konkrete, përkatësisht të vërtetën jetësore dhe të vërtetën e mundshme, ku e vërteta në rrafshin thellësor të saj është e bukura. Kjo e bukur krijohet e shprehet nëpërmjet strukturës tekstore poetike, nëpërmjet fjalësh e thëniesh të zgjedhura, të përafruara, të ballafaquara e të kundërvëna, nga të cilat dalin kuptime të shumta e të ndryshme mbi botën, mbi të vërtetën jetësore e mbi subjektiven e poetit. Në qenësinë e vet kjo poezi është njësim i së vërtetës dhe i së bukurës. Alberto Moravia me të drejtë thoshte “Në artin modern është vështirë të dish se ku mbaron e vërteta e ku fillon e bukura.”

Në artin e fjalës, siç ngjet edhe në këtë poezi, e bukura nuk është e vetëdhënë, po krijohet nga mënyra e shqiptimit të së vërtetës dhe e së vërtetës së mundshme, që në thelb është e vërteta artistike. Kjo e vërtetë e krijuar është më shumë dhe më e vlefshme se e vërteta e zakonshme, se e vërteta jetësore. Ndodh kështu për arsye se brenda të vërtetës së zakonshme, perceptohet dhe shqiptohet edhe e pazakonshmja, imagjinarja. Së këndejmi, e vërteta artistike është ose rrjedhojë e perceptimit dhe e njohjes së realitetit konkret, ose krijohet mbi bazën e përfytyrimit të tij, pra është fryt krijues i botës së individit, në rastin konkret, i Zhitit. Poeti e krijon të vërtetën artistike dhe ajo është më e vlefshme dhe më e qenësishme.

Poezia e Zhitit trajton sidomos aspekte të ndryshme të jetës së njeriut tonë, në veçanti tragjiken e saj. Në rrafshin thellësor të mesazhit të saj poetik vërejmë se jeta në thelb është vuajtje, është pësim. Kjo gjë nuk del për shkak se në poezinë e këtij poeti s’ka dritë, se nuk përfillet e nuk përkrahet njerëzorja; se nuk mbëltohet e nuk gjakohet të mbillet mirësi e mirëqenie, po pse këto asnjëherë nuk janë të mjaftueshme dhe nuk i mjaftojnë jetës së njeriut.

Mirësia dhe mirëqenia janë të nevojshme për ta zbutur sado pak zhgënjimin dhe tragjiken e jetës (ato nuk mjaftojnë për arsye se nuk mund ta ndërrojnë fatin e njeriut dhe qenësinë e jetës, e cila, jeta, nuk mund të jetë ngadhënjimtare siç është vdekja). Në qenësinë e saj jeta e njeriut është mospajtim, kundërvënie, vetërrënim. Në çdo çast e në çdo ditë të gjallimit njeriu e rrënon dhe, thënë poetikisht, e vret atë – secilën herë i afrohet fundit – ngadhënjimit të vdekjes (ose lindjes së re; shkrimtari italian, Françesko Grizi do të thotë: “Kush vdes vazhdon të jetojë.”).

Meqenëse të vërtetën jetësore Zhiti e vrojton dhe e shpreh nëpërmjet botës së brendshme, poezia e tij është thellësisht e përshkuar dhe e shenjëzuar nga subjektivja (Borhes-i me të drejtë thotë: “Për veprat e mia do të thosha se janë thellësisht personale dhe jam i bindur se vetëm personalja ka forcë estetike.”).

Pra, botën dhe dramatikën e saj poeti ynë e vështron nëpërmjet tundimit dhe dramatikes së botës së vet. Ky ballafaqim dhe ky përafrim kushtëzon të vërtetën artistike, që, siç u theksua, është më e pasur dhe më e vlefshme se e vërteta jetësore. Në fakt, poezia e Zhitit është një dialog, siç do të thoshte Martin Camaj, me veten dhe me të tjerët. Rrëfimi i tij poetik nuk ballafaqon botën e brendshme dhe të jashtme për të theksuar e për të nxjerrë përparësinë e njërës ndaj tjetrës, por për t’i njohur sa më mirë të dyja.

Këto, të njësuara brenda subjektives së tij, poeti ia kthen, në formën e artit, vetvetes dhe ia ofron edhe tjetrit si mundësi njohjeje dhe komunikimi, po edhe ekzistimi shpirtëror dhe mendor. Në të vërtetë, kjo poezi sa ta zbulon botën e poetit, po aq mundëson njohjen dhe zbulimin e vetvetes si qenie, botën dhe qenien vetjake. Ky përcaktim i poetit nuk është i rastësishëm: pjesët e fshehta të gjërave, të jetës së njeriut e të kuptimeve si dhe e panjohura brenda tyre, janë qenësia e artit në përgjithësi e brenda tij dhe e artit letrar. Duke trajtuar thellësinë e gjërave përplotësohet realiteti vetë dhe njohuritë për të, krijohet kështu realiteti, e vërteta artistike, e cila, e gërshetuar me dramatiken dhe tragjiken, është e zonja të nxisë e të përmbushë katarsën shpirtërore, një tjetër qëllim i madh i artit të fjalës, pra dhe i poezisë.

Pozicionet nga rrëfen poeti dhe i shpreh mendimet dhe ndjenjat e veta, janë të shumta e të ndryshme. Ai u qaset dhe rrëfen për dukuritë herë nga afër, herë nga një largësi e madhe, po shpesh ai njësohet me çështjet që i trajton dhe, thënë kushtimisht, është brenda tyre. Kjo strategji dhe ky raport i zbatuar është, si realizim, sa i qenësishëm, po aq i papritur e befasues.

Një rëndësi të veçantë në këtë rrjedhë ka gjakimi i autorit që nëpërmjet artit ta lirojë njeriun nga e keqja, nga egoizmi e sidomos të nxitet e të kultivohet tek ai mirësia e mirësjellja, vetëdija për veten e për të tjerët. Nga mesazhi poetik i poezisë së Zhitit del, qoftë nga teksti, qoftë nga nënteksti, një shpirt i pasur, një ndjenjësim thellësor njerëzor. Poeti e ndjen dhimbjen e tjetrit, fatkeqësinë, tragjiken. Këtë ndjenjë ai e shpreh edhe ndaj atyre që ia errësuan dhe ia plagosën jetën duke e burgosur e rrënuar fizikisht dhe psikikisht. Ai ka fuqi shpirtërore të falë e të marrë një pjesë të dhimbjes dhe të fatkeqësisë edhe të atyre që e martirizuan, prandaj: që loti yt të rrjedhë në faqen time ose Plaga jote në trupin tim si diellth i vogël.

Ferri fizik dhe errësira shpirtërore

Me një natyrshmëri e me një thjeshtësi të veçantë, Zhiti shqipton realitetin e rëndë konkret shqiptar, duke filluar nga mosha e tij e re ose, siç shenjëzohet nga titulli i ciklit hyrës, Syth i orës së sëmurë, për të vazhduar me jetën e rëndë në burg, përkatësisht ferrin fizik dhe errësirën shpirtërore të botës shqiptare për gati një gjysmë qindvjetshi, po edhe jetën pas rrënimit të diktaturës komuniste. Pra, poeti shpreh dramën dhe tragjiken personale, po asnjëherë nuk mbetet vetëm brenda saj. Ajo është edhe pjesë e secilit prej nesh, pjesë e botës sonë në një kohë të plagosur në sy.

Qenësia e mënyrës së këtillë të perceptimit e të shqiptimit është e shumëfishtë: brenda botës subjektive ekzistojnë e shprehen të gjitha fshehtësitë, ndjesitë, virtytet, veset; koekzistojnë e keqja (destruksioni) dhe e mira; aty çdo gjë, thënë lirshëm, shprehet në mënyrën burimore e të veçantë; ajo është çelësi për ta kuptuar e për ta njohur individualen dhe të përgjithshmen. Në këtë rrafsh poezia e Zhitit sjell një dukuri të qenësishme në poezinë shqipe (në disa pikë përafrohet me poezinë e De Radës, veçmas me “Këngë të Milosaos”).

Poezinë e Zhitit e cilëson lirizmi thellësor dhe dramatika. Në thelbin e saj ajo është shqiptim, këmbim, ndërlidhje dhe plotësim i ndërsjellë mjeshtëror i mesazheve (kumteve) dhe i imazheve (tablove) poetike, të cilat krijojnë një mozaik shumësor. Ato janë herë konkrete, herë përfytyruese, imagjinare ose herë të njësuara njëra me tjetrën. Kjo i jep kësaj poezie gjallëri (vitalitet), mëvetësi dhe fisnikërim poetik.

Mesazhet dhe imazhet poetike krijohen e shprehen në mënyra e në forma të ndryshme, sidomos nëpërmjet kontrasttit, shpesh befasues, të pazakonshëm, tronditës, po artistikisht me vlerë.

S’paska fund rruga. As rrugë nuk paska. As mëngjes.

Thonë se janë të bukur yjet përmes lotësh. Notojnë
në sytë e hapur të të vdekurve…
*
Edhe unë do të vij të rri në buzët tua,
të shëtisim bashkë nëpër flokët e tua
si në një pyll
(…) Do të vij,
i butë si zjarri, i egër si zjarri, i ngohtë si zjarri,
i marrë dhe i mençur si zjarri,
tek ty do të vdes si zjarri që nuk vdes.
*
petalet plot ngyrë të vdekjes
që kurrë s’qe gjallë

Kuptimësitë, po dhe tablotë poetike, herë dalin në plotninë e tyre nga vetë struktura e tekstit, herë lihet mundësia e plotësimit të tyre nga lexuesi mbi bazën e përbërësve dhe elementeve që jep poeti. Ato, qofshin konkrete, qofshin përfytyruese, sa të cysin, të joshin e të ngazëllejnë, po aq të lëkundin dhe të tronditin.

Jo një herë Zhiti shpreh ashpërsinë, egërsinë, dhunën, pësimet dhe tragjiken e gjallimit konkret individual, por edhe kolektiv shqiptar. Kjo del sheshazi, qoftë kur rrëfen për kohën e fëmijërisë dhe rinisë së vet, për kohën në burg, për hyrjen e galerisë (që është si gojë kuçedre) për këpucët e spiunit (me lidhëset që varen si shpifje nëpër gojë), për vagonët me bakër vuajtjesh, për të pushkatuarin me mëkatet e të tjerëve, qoftë për jetën pas daljes nga burgu: kohën e frymëmarrjes e të veprimit të lirë në atdhe ose për përjetimet (nga vizitat) në vendet e tjera kaq të ndryshme nga bota e errët e kohës së sëmurë (komuniste) shqiptare.

Zhiti është i veçantë sa në perceptimin dhe shqiptimin e dukurive e të ideve, po aq në shtjellimin e tekstit poetik. Kështu, në një perceptim burimor poeti përafron dhe ballafaqon fabrikën e tullave me fatin dhe me tragjiken e grave që punojnë aty. Ato i presin dhe i përgatisin tullat, po vetëm për shtëpitë e të tjerëve; ngjajnë në duaj të rëna nga qerrja; bashkë me reçelin, vezët, e specin si abort, hanë edhe buzëqeshjet, premtimin, vazot. Një imazh që, sa më shumë thellohesh në të, të tronditë më shumë.

U lodhën gratë,
u ulën së bashku, tufë. Si duaj gruri ngjajnë –
rënë nga qerrja rrugës.
Po hanë bukë: me gjalpë e reçel buzëqeshjesh njëra
vezë e djathë tjetra
e një premtim
pak kos e një vazo
e një spec si abort i harruar.
(Gratë e fabrikës së tullave)

I ngjashëm është edhe imazhi i rrathëve të ferrit të jetës së tij dhe të bashkatdhetarëve në burgjet e mbushur me të burgosur, ku Gjella është si çdo ditë: me copa të çizmeve të vjetra të diktaturës dhe Ne jemi funerali / që s’do të shkojmë në asnjë varr ose Edhe i vdekur s’je më i lirë. Të burgosurit ëndërrojnë edhe si ua rrahin ëndrrat; shohim me sy se si të vdekurit i varrosin me pranga dhe, në rrethana të tilla, ata e kanë zili atë që e braktis fryma.

Dhuna e jetës së këtillë, që bie edhe mbi vetë poetin, është e rëndë dhe me pasoja të pazakonshme shpirtërore; ai është i zbrazët dhe thuaja i paqenë: (Fjalët e mia kanë vdekur si bletët / nëpër lule me helm.). Mundësia që poeti të ndërmarrë diçka e ta ndërrojë gjendjen nuk ekziston. Ai bën vetëm atë që mund të bëjë: ta flakë kokën e vet në terrin e universit ose të bëhet rrugë për të shkelur të tjerët mbi të, që të kujton qenësinë e mesazhit të flijimit të Krishtit, këtu thënë me art të madh.

Çdo gjë iku prej meje, me dhunë
me copa të mëdha si copa mishi, si copa qytetesh
që përmbyten befas. As panik. As revoltë.
As brenda vetes. Dhe unë
dua të marr kokën time, ta flak mes territ të universit.
(Braktisje)
ose
Më pëlqen të eci në thellësi të natës
vetëm, as me veten time.
Të jem erë, pa erën,
që thyen urtësira pemësh
si njerëz prej gjethesh.
Të jem rrugë pa rrugën
që e shkelin të tjerët me këmbë.
(Vetëm, as me veten time)

Cilësia dhe madhështia e poezisë së Zhitit, siç thamë, shprehet sidomos kur shqiptohen të njësuara konkretja dhe imagjinarja, kur krijohet realiteti artistik i veçantë, që arrihet në disa mënyra. Jeta dhunuese e mbytëse ia zë frymën poetit (Gjithë ai myshk si mjekër mbin / nëpër fytyrat tona ose Çdo natë fle në plagët tona ose Dua një kryq / të mbështes këto dhembje / të pavdekshme); brenda vetes së zbrazët, ai ka vetëm ëndrrën; shëtit zgjimeve të tij, ndërsa bari është jeta më e pastër që hesht.

Do të marr prej dore ty, ëndërr,
dhe do të shëtis zgjimeve të mia
si një i çmendur.
…………………………….
Njihu me barin, shijoje,
me gjuhën e ecjes. Bari është
jeta që hesht, më e thjeshta
dhe më e pastra jetë.
(I zbathur dhe i çmendur)
ose
Bosh mbeti horizonti. Dhe pasqyra e moshës në dhomë.
Asnjë vajzë nuk kreh flokët kumbues të qetësisë
me krëhërin e bardhë si dhëmbëzit e një lirike.
Dhe erdhi muzgu i vdekur. I kallkanosur. Që s’lëviz.
Në skajet e tij dergjen njollat e diellit dhe hënës. Të dy
të ftohtë, të zbetë. Si pëllëmbët e përgjakura të Krishtit.
(Në moshën e kryqit)

Në realitetin e këtillë jetësor, ku është rrënuar çdo gjë, edhe ndjenja më intime, dashuria, është e burgosur, e dhunuar, e paqenë. Ajo më tepër është gjakim, projeksion, nevojë ëndërrimi dhe ikje nga realiteti ose nevoja e mbytjes së realitetit të tillë. Dashuria në poezinë e Zhitit është më tepër formë e mbijetesës përballë pësimit e tragjikes të shkaktuar nga njeriu. Poetit (të burgosur) i mbetet vetëm gjakimi i përfytyrimit të jetës dhe i së vërtetës, i hijes së vajzës, i harrimit.

Na u plasaritën sytë si xhamat…
Zbathur shkelim mbi xhamat e syve tanë
dhe s’të arrijmë që s’të arrijmë dot si nëpër ankthe.
Me dorë hapim mjegullat si perdet…
(Mirënjohje)
ose
Do të hap një rrugë mespërmes harrimit
dhe do të vij.
Do të shtyj lotët me duar
dhe do të futem në sytë e tu.
(Hap një rrugë mespërmes harrimit)

S’ka dyshim se kjo poezi është poezi e dhimbjes, e fatkeqësisë, e tragjikes së njeriut tonë, që shenjëzohet nëpërmjet ofshamës, psherëtimës, plagëve, ankthit, vdekjes, (nevojës së) harrimit, fjalëve me helm, shpellave të dhembjes, mendimit si shelgu lotues e të tjera. Sidomos lotit, që në të është mjaft i pranishëm dhe ka një simbolikë të qenësishme e shumësore.

Poezia e Zhitit cilësohet edhe me një përmasë të protestës, të ironisë, të groteskës. Poeti nuk mundi të jetë indiferent ndaj dhunës që bëri njeriu i tij ndaj bashkëkombësve, po dhe të keqes së njeriut në përgjithësi. Së këndejmi: Dua t’i këndoj çlirimit të hijes së njeriut! Për ta shprehur këtë qëndrim të tij dhe fatkeqësinë e njeriut ai ka nevojë për:

Më duhet fjala natë
dhe fjala lakuriq,
fjala i verbër më duhet
për të shprehur fatin.
(Lakuriqët e natës)

Herë-herë poeti thuajse nuk mund ta përmbajë veten, prandaj shqiptimi është i pandërmjemë; shqetësimi dhe pezmi shpërthejnë, po kthehen brenda krijuesit; edhe flijimi është i tillë, i përmbrendshëm. Në të njëjtën kohë protestë e flijim i pashembullt i vetjes që rrëfen, i poetit.

Nën këmbë
më hapet dita si një humnerë e madhe.
Me se ta mbush që të dal në ditën tjetër?
Me qindra herë hedh veten time
dhe shkel mbi veten.
(Molla e dënimit)
Vëllim që mund të lexohet edhe si një poemë

Poezitë e vëllimit Kohë e vrarë në sy mund të lexohen edhe si një poemë. Ciklet janë pjesë që ndërlidhen si mënyra perceptimi e shqiptimi, si tematikë dhe si sistem shprehës kuptimor e simbolikë. E njëjta gjë ndodh dhe me poezitë brenda cikleve. Ato ruajnë mëvetësinë si krijime, po njëherit paraqesin pjesë të mozaikut tërësor shprehës poetik.

Pa dashur të zgjatem në ndriçimin e lidhjeve dhe të kushtëzimeve të ndërsjella mes njësive të niveleve të ndryshme që e bëjnë këtë vëllim tërësor, po përmend vetëm të dhënën se cikli i parë Syth i orës së sëmurë, që mund të merret si një hyrje në botën tematike e poetike të veprës, ndërlidhet në disa aspekte me ciklet e tjera dhe me ciklin e fundit Zhgjëndërr e përëndërrt. Në të parin trajtohet konkretësia jetësore e kohës së fëmijërisë e rinisë, pasojat tragjike të individit nga diktatura; gjakimi i lirisë, i qetësisë shpirtërore dhe i qenësisë individuale; i vetëqenies dhe i vetëveprimit të lirshëm. Ajo, me të gjitha pasojat dhe tragjiken e saj, është e vetvetes, e asaj vetë; është “mëkatare” për të gjitha pësimet e rrënimet fizike e shpirtërore të individit (zë fill me individin e merr përmasa të kolektivitetit). Ajo mbipeshon në çdo gjë që i përket jetës dhe fatit të individit, pra është “vetëpërgjegjëse” dhe “vetëdrejtuese”.

Në ciklin e fundit Zhgjëndërr e përëndërrt e tashmja nuk është krejt e vetvetes. Në qenësinë e saj ajo nuk “vetëdrejtohet”, edhe pse frymëmarrja e ekzistimit të saj është e madhe, po ashtu liria individuale e të vetëqenit dhe e vetëveprimit. E tashmja është e drejtuar nga e kaluara, nga pasojat e saj. Me fjalë të tjera, e kaluara është brenda së tashmes dhe në shumë pikë e drejton atë. E tashmja është e gjykuar (nga e kaluara) të jetë e tillë. Kështu tragjika në ciklin e parë, është pjesë edhe e së tashmes në ciklin e fundit: Poeti bart në vete barrën e së kaluarës, ferrin fizik dhe terrin shpirtëror, prandaj edhe në jetën e lirë nuk është i lirë; edhe në botën (në jetën) ku janë të rrënuar muret, kufijtë, ai jeton dhe frymon nën shtypjen e kufijve, të ndalesave; me hijen e burgut, me zhurmën e zinxhirëve të të burgosurit; jeta e lirë ngjet e zhvillohet nëpërmjet reflektimit pasqyror të së kaluarës, të pësimeve, të pasojave e të dhunës së përjetuar.

Kjo ia prish poetit drejtpeshimin dhe jeta në të tashmen i shkakton dhimbje (shpirtërore), ndonjëherë tejet të rënda, në mos edhe më të rënda së ato të përjetuara nga dhuna konkrete në të kaluarën. Së këndejmi, tragjika e së kaluarës shtrihet dhe bëhet pjesë e gjallimit të së tashmes. E tashmja, thënë me gjuhën e poezisë, është kohë e burgosur në plagët e së kaluarës. Këto dy cikle, po edhe ciklet e tjera, i ndërlidh dhe i bashkon veçmas tragjika jetësore që në poezinë e Zhitit gjakon të shprehë absoluten, sidomos absoluten artistike, që shenjëzon para së gjithash katarsën shpirtërore.

Me shumëllojshmërinë e shtjellimit të teksteve dhe me natyrshmërinë e shqiptimit të çështjeve të trajtuara, me qenësinë dhe me forcën e mesazhit e të tablove poetike dhe me dramatiken e veçantë që e përshkon atë dhe me nëntekstin e nyjshëm që krijohet nga struktura tekstore, poezia e Zhitit e tejkalon rëndësinë që i takon një krijuesi, një gjenerate dhe një kohe dhe shtrihet në diakroninë e gjithë poezisë shqipe, duke u bërë pjesë e vlerave poetikisht më të ngritura të saj.

Kozencë, tetor-dhjetor 1996
[1] Ky punim është parathënie e vëllimit me poezi të zgjedhura të Visar Zhitit, Kohë e vrarë në sy. Zgjedhur e shtjelluar nga unë. Rilindja, Prishtinë 1997.

[2] Zgjedhjen e poezive të Visar Zhitit e bëra nga katër përmbledhjet “Kujtesa e ajrit” (Tiranë 1993), “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” (Tiranë 1994), “Mbjellja e vetëtimave” (Shkup 1994), “Dyert e gjalla” (Tiranë 1995) dhe nga poezitë në dorëshkrim, të cilat autori pati mirësinë e m’i dha t’i shfrytëzoj.

Radhitjen e poezive, ndarjen në cikle dhe emërtimin e tyre e bëra në bazë të një koncepti të caktuar dhe të menduar. Kam emërtuar disa poezi që autori i ka botuar pa tituj, kam bërë shkurtimin e ndonjë titulli, përmirësimin e ndonjë gabimi shtypi, kam hequr ndonjë fjalë ose varg (me miratimin e autorit).

Në parathënie, për shkak të natyrës së punimit, janë vërë në dukje vetëm disa nga cilësitë dhe vlerat e kësaj poezie.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Nike Berisha, Visar Zhiti

SHTEGTIMI SHPIRTËROR SI SHQIPTIM POETIK

May 27, 2016 by dgreca

NGA ANTON NIKË BERISHA*/

Në punimin “Poezia si formë e mbijetimit dhe e pasurimit shpirtëror”, të shkruar në qershorin e vitit 2003, që është parathënie e vëllimit Fjalë në vargoj të muzgëttë Anton Çefës[1], kam ndriçuar disa nga qenësitë kryesore të poezisë së tij. Në mënyrë të veçantë kam folur për Fjalën poetike si art, si kumtimësi, dhe mundësi komunikimi dhe ndikimi estetik[2]. Po ashtu kam theksuar se poezia për poetin Çefa paraqet një mjet të rëndësishëm të mbijetimit e të komunikimit me veten e me të tjerët, domethënë paraqet një përbërës të qenësishëm të gjallimit shpirtëror.

Edhe në vëllimin e ri “Bardhsi me zdritje bore” Çefa përligj vijimësinë e shqiptimit të botës e të dukurive të saj përmes një strukture tekstore poetike të përftuar me përkushtim dhe dije.

Derisa sa në poezitë e mëparshme ai i vështron dhe i shqipton dukuritë që e rrethojnë, që kanë ndikuar në të dhe në njeriun e tij, sidomos ato që i kanë shkaktuar shqetësime, vuajtje dhe pësime në jetë, pra gjërat kryesisht jashtë tij, në poezitë e këtij vëllimi ai ballafaqohet para së gjithash me veten, me botën e tij të brendshme, me atë që i peshon më shumë, që e shqetëson dhe e bën edhe të vuajë. Këtë e përligjin dhe fjalët dhe shprehjet që ai përdor në tekstet e poezive, ku mbizotërojnë ato si: malli, dashuria, bukuria, etja shpirtërore, ëndrra, toka ime e dhimbshme, (poezia) qiri i pashuar, dega e mallit, shtegtimi, kthimi, vetja ime e zhveshur, mantel gri pendimi etj.

Vëllimi “Bardhsi me zdritje bore” hapet me dy krijesa poetike për shumëçka të rëndësishme, që cilësohen me një kuptimësi sa të gjerë dhe aq të thellë: “Poeti” dhe “Poezia ime”. Ato janë të lidhura ngushtë midis tyre dhe paraqesin përbërës të qenësishëm të konceptit poetik të Çefës si krijues dhe të qenësisë së vetë vëllimit.

Poeti dhe poezia shprehen si një binom i pandarë, një njësim shpirtëror i veçantë dhe i vijueshëm. Çefa është i lidhur ngushtë me poezinë që në nismë (krye) të stinëve të tij dhe kjo ka vazhduar pandërprerë; është shndërruar në qiri të pashuar, në flakë që i ka shkaktuar e do t’i shkaktojë – deri në sosje të frymës – kënaqësi e lumturi, shqetësime e brenga.

Gjithë ajo që krijon poeti – me çka i jep jetës një kuptim prej ëndrre – nuk është tjetër pos një shtegtim brenda tij, shtegtim nëpër shpirtin e trazuar dhe të përshkuar nga vuajtja, që nuk mbetet vetëm në rrafshin vetjak, po shtrihet dhe bashkohet edhe me fatin dhe me dhimbjen e të tjerëve, të njeriut të tij dhe të njeriut në përgjithësi.

Poeti i bën objekt vështrimi poetik kryesisht tri dukuri: jetën dhe fatin e njeriut, mallin për atdheun, për vendlindjen (rrjedhojë e mërgimit dhe e jetës larg tyre), dhe dashurinë.

Shtresime shumëkuptimore të mallit

Në poezitë e Çefës fjala mall ka një domethënie të gjerë: nënkupton gjakimin, dashurinë, kënaqësinë, prehjen, po edhe vuajtjen, dhembjen, pësimin, ashtu siç ngjet edhe në jetën konkrete: brenda kënaqësisë, ngushëllimit, prehjes dhe ngazëllimit, përligjen shqetësimi, dhembja dhe vuajtja.

Shqiptimi i mallit në këtë poezi zë fill me qëndrimin ndaj jetës: pezull jeta varet mbi greminë; me vështirësitë dhe të papriturat që duhet përballuar vijimisht, me pasojat që lënë ato në shpirt, rrjedhojë “e dallgëve të lumit”, siç shprehet poeti. Pra, jeta e njeriut është më tepër si një rrjedhë çasti e përshkuar me vështirësi, që në fund lë përshtypjen e përfytyrimit ose të një ëndërrimi; koha që kalon bëhet në qenësi e paqenë, jeton vetëm përmes kujtimeve, qoftë për të mirat ose për të këqijat që e kanë cilësuar.

Një dallgë lumi

dhe lumi nji andrrim

që shkon drejt grykderdhjes

e humb.

(Jeta)

Malli dhe dashuria shprehen sidomos ndaj atdheut, ndaj tokës së poetit dhe ndaj vendlindjes: një pjesë të madhe të jetës ai e ka kaluar larg tyre, në mërgim, gjë që ka kushtëzuar që malli për to të shtohet, madje të shndërrohet në vuajtje shpirtërore. Atdheu dhe vendlindja shprehen dhe si ngushëllim dhe prehje e pafund, që e kanë mbajtur gjallë, i kanë dhënë fuqinë që t’i përballojë vuajtjet. Atdheu – misteri më i madh, siç e cilëson poeti, është etje e mall, dashuri e dhimbje. Edhe në kohën kur sistemi komunist e solli atdheun e tij (natyrisht edhe njerëzit) në zgrip të rrënimit, poeti e deshi dhe e mbrojti atë përmes vargut poetik, që shprehet si kundërvënie e protestë:

Kortezhi i frikës

dhe i dhimbjes

përcjell Atdheun n’varreza.

(Një grusht dhé)

Në shpirtin e poetit atdheu dhe toka e tij gjallojnë si dashuri, që përmes tekstit shndërrohet në bukuri.

Te ti çelin agimet lule drite

e errën muzgjet në piklime yjzish

(Kangë për tokën time)

Ngjashëm ndodh edhe me qytetin e lindjes së tij, Shkodrën. Brenda dashurisë për këtë qyteti frymon shpirti i poetit, brenda këtij qyteti përkundet zemra e tij e përvuajtur dhe e lënduar.

Shkodër,

në degëz të mallit tand,

luhatet e varun zemra ime

(Mall agimesh)

Nisja në mërgim – shkuarja jashtë atdheut, tokës dhe vendlindjes: U nisa si një yll që shkëputet në muzg (Mërgim) nënkuptonte fillimin e vuajtjeve shpirtërore, pa marrë parasysh se kushtet e jetesës mund të kenë qenë më të mira, kënaqësitë e rastit më të mëdha. Pra, njohja me një botë të lirë, siç është ajo e Amerikës, i kanë ofruar Çefës pa dyshim edhe çaste të lumtura. Mirëpo, të gjitha këto nuk i kanë mjaftuar për ngushëllim dhe kënaqësi shpirtërore të mirëfilltë. Ai është bërë i vetëdijshëm se Lumtuninë kot e kërkojmë jashtë nesh; është pasuria shpirtërore ajo që heq peshë dhe jetës i jep kuptim dhe bukuri të njëmendtë.

Kështu, duke jetuar jashtë atdheut dhe vendlindjes, duke u ndjerë se edhe nga vetja / jam i zhveshun (Autoportret), poeti i drejtohet lejlekut që t’ia mësojë artin e kthimit:

Lejlek, o shpend i urtë,

me shpirt prej bore,

mësoma, të lutem,

artin e kthimit!

(Lejleku)

Shkëlqen shpirti në syrin tënd

Pjesën më cilësore të këtij vëllimi të Çefës e bëjnë poezitë që vështrojnë dashurinë, e cila (siç ngjet edhe me mallin) ngërthen disa kuptime. Poeti i qaset asaj në mënyrë të mëvetësishme duke e shqiptuar në një rrafsh të ngritur poetik. Veçimi i aspekteve dhe i nuancave të ndryshme të dashurisë, i mënyrës së perceptimit dhe të të shprehurit poetik, i japin veprës një vlerë të veçantë. Për shumëçka poeti shkëputet nga mënyra tradicionale e qasjen që i bën dashurisë dhe gjuhës poetike përmes së cilës e shpreh atë.

Poeti e ka pritur të dashurën te dera e jetës, e cila është në të njëjtën kohë Evë dhe Afërditë, ku “çdo gja asht shpirt / dashuria ime!” e ku matet e përligjet gjithë madhështia e dashurisë dhe e veprimit, kënaqësia dhe vuajtja, pësimi dhe fati tragjik. Në ndonjë rast Çefa niset nga një krahasim – metaforikë tradicionale “A je brymë moj a je borë?” për të kaluar në një krahasim – metaforë të ndërliqshme e të lartësuar:

Brishtsi me pah prej bryme

bardhsi me zdritje bore.

(Brymë e borë)

Në këto poezi nuk shprehet vetëm dashuria, e dashurën, po edhe bukuria: “Brymë e borë / Ti bukuria!”

Poeti ynë s’ka asnjë dyshim në vërtetësinë e asaj që thotë e shpreh; as nuk i bën pyetje të rëndomta të dashurës; qëllimi i tij është të përftojë tablo poetikisht sa më të pasura e sa më të veçanta, të përftojë diçka që do ta dallojë nga krijuesit e tjerë:

Te dera ku brenga e mallit rri zgjuem

e ernat përkdhelin gjijtë e andjes njerzore,

jemi takue,

njerëzorja Evë,

hyjnorja Afërditë!

(Te dera e jetës të kam pritë)

[1]Shih Anton Çefa, Fjalë në vargoj të muzgët. Camaj&Pipa, Shkodër 2003.

[2] Shih për këtë dukuri më gjersisht punimin Rëndësia e estetikës receptive dhe e ndikimit në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica 2006, f. 184 – 195. Shih dhe Jurij M. Lotman, Ogledi iz tipologije kulture. Në “Treći program Radio Beograda”, Jesen 1974, f. 443.

*Pjese nga parathenia e librit me poezi” Bardhesi me Zdritje Bore” i autorit Anton Çefa

(Lexojeni te plote en Diellin e printuar)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa, Anton Nike Berisha, SHTEGTIMI SHPIRTËROR SI SHQIPTIM POETIK

Qenësia e mesazhit:“Un mâ me sodjet / Shqyptar nuk jam”

January 25, 2014 by dgreca

Mbi satirën “Metamorphosis”, botuar më 1907/

Nga  dr. Anton Nikë Berisha/ Dielli-Arkiv/

 “Fundi i shekllit të nandëmbëdhetë, mund të thuhet se e gjet popullin shqiptar gati krejt të mpím; vetëm vepra e disa atdhetarve të pakët e zgjoi nga gjumi, e nji pjesë shum të randsishme në ket zgjim kombëtar e ka sigurisht puna e ndritun e prodhim-tare e At Gjergjit.”/

Karl Gurakuqi/

Shënim i editorit : e botojmë këtë shkrim të nxjerrë nga monografia « Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë-Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës » e autorit Anton Nikë Berisha sepse  edhe sot e kësaj dite, duke u mbështetur në disa vargje të poemit satirik « Metamorphosis », jo vetëm nga mosdija, por edhe nga qëllime dashakeqëse, poeti ynë Kombëtar, Atë Gjergj Fishta, cilësohet si reaksionar, mohues i atdheut e i kombit tonë dhe më tej, antishqiptar.

 Arsyeja e shqyrtimit

Poezia e Fishtës Metamorphosis, botuar në përmble-dhjen “Anzat e Parnasit” (1907), hyn në rrethin më të ngushtë të krijimeve më cilësore të satirës fishtiane. Ajo është dëshmi e pandërmjeme e konceptit krijues satirik, por edhe poetik e kombëtar të Fishtës. Disa nga vargjet e kësaj poezie si “T’a dijë Shqypnija / Prá, e sheklli mbarë, / Se mâ mbas sodit / Un s’ jam Shqyptár” ose “Un mâ me sodjet / Shqyptár nuk jam” tash gati një shekull përdoren në biseda dhe në shkrime me kuptime të ndryshme: herë për të dëshmuar ndjenjën kombëtare të poetit, herë për të mohuar atë e për ta shpallur autorin antishqiptar (siç u ve-prua gjatë sistemit komunist), herë për të mohuar vetë kombin shqiptar dhe shqiptarizmën. Me pak fjalë, ky mesazh, që shqiptohet nëpërmjet disa vargjeve të përdorura në poezinë Metamorphosis, u shfrytëzua e u keqpërdor në mënyra e në raste të ndryshme, më së shpeshti duke i shkëputur vargjet nga konteksti ku ato gjenden, nga kon-cepti krijues satirik fishtian ose edhe nga koncepti krijues poetik i tij në përgjithësi. Interpretimet e këtilla, herë nga mosdija e herë nga qëllime të ndryshme, bënë ndikimin e tyre dhe shkaktuan mëdyshje, mbështjellime dhe ngatërre-sa. Së këndejmi, jo një herë dhe jo vetëm në një kohë, kam menduar rreth këtij mesazhi të poetit e atdhetarit tonë të madh. Mirëpo, herë-herë krijuesi me vështirësi i shpjegon disa punë që i zvarris prej një dite në tjerën dhe prej një viti në tjetrin!

Konteksti ynë i sotëm më bëri që t’i kthehem poezisë Metamorphosis të Fishtës dhe t’i shpreh disa mendime e përsiatje rreth saj.

Satira fishtiane – jehonë e realitetit konkret shqiptar

Në fillim të shekullit tonë, kur Fishta shkroi e botoi disa nga poezitë e veta patriotike e satirike, pastaj këngët e para të epit Lahuta e Malcís si dhe shkrime të llojeve të tjera, jetën e përditshme shqiptare e cilësonte një gjendje e rëndë, qoftë në rrafshin social, ekonomik e politik, qoftë në atë shpirtëror e moral. Për këtë arsye është fare e natyrshme që krijimet e para të Fishtës, siç ndodh edhe me ato të shkruara e të botuara më vonë, të jenë të lidhura me ngjarjet dhe me gjendjen konkrete ose jehonë e pandër-mjeme e tyre.

Fishtën, si dhe intelektualët e tjerë shqiptarë, e shqe-tësonte pa masë gjendja e popullit dhe e atdheut, për shu-mëçka e padurueshme, prandaj ai gjakoi forma të ndryshme për t’i bërë të ditur njeriut të tij domosdonë e një veprimi aktiv për ndërrimin e kësaj gjendje – për një zotim më këmbëngulës për mirëqenien e botës e të jetës shqiptare si dhe përparimin e atdheut, Shqipërisë.

Fishta ishte i vetëdijshëm për faktin se sundimi i gjatë osmano-turk kishte lënë pasoja të rënda në mendësinë shqiptare, prandaj ishte i bindur se te një shtresë e shqip-tarëve, te të cilët ishin shuar në një masë të ndjeshme fryma patrotike e epike si dhe cilësitë dhe virtytet që i kishin dalluar paraardhësit e tyre, Të Parët tanë, poezia satirike, e gërshetuar me sarkazmë, me ironi e me groteskë, mund të ndikonte në mënyrë të veçantë. Pra, vetëm nëpërmjet kritikës, përqeshjes e thumbimit dhe prekjes në sedër, do të mund të “trokitej” në ndërgjegjen e përfaqësuesve të kësaj shtrese, e cila edhe kishte rol të rëndësishëm në mirëvajtjen dhe në zhvillimin shoqëror e kulturor të vendit. Së kën-dejmi, kritika e drejtpërdrejtë dhe e ashpër do t’i nxitte ata të mendonin një herë e mirë për fatin dhe përparimin e botës e të atdheut të tyre.

Duke u përcaktuar për një gjë të tillë dhe duke qenë i vetëdijshëm për mundësinë e ndikimit të artit të fjalës, sidomos të poezisë, Fishta sikur kishte parasysh mendimin e Eliotit, i cili, duke bërë fjalë për kritikën që bëjnë shkrim-tarët, për rëndësinë dhe rolin e saj, shkruante: “Kritika është po aq e pashmangëshme sa edhe frymëmarrja… Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është su-periore.”

Njëjtësim e vijimësi

Në vitin 1907 Fishta shkroi poezitë satirike Meta-morphosis, Nakdomonicipedija dhe Koha e arit në Shqyp-ni, të cilat ndërlidhen mes veti për shumë tipare.

Në poezinë satirike Nakdomonicipedija (satira Meta-morphosis për herën e parë u botua si pjesë e fundit e kësaj; më vonë poeti e botoi si poezi më vete) Fishta vë në thumb të kritikës gjendjen e rëndë shoqërore e shpirtërore të shqiptarëve, të cilët, të dhënë pas fitimit e interesave ve-tjake, kishin lënë anash kujdesin ndaj atdheut. Poezia është shtjelluar në formën e një letre, dërguar Dom Ndoc Nikajt, intelektual e shkrimtar i shquar, i cili atë kohë kishte botuar një libër të historisë së popullit shqiptar. Në fillim të kësaj satire Fishta i përkujton autorit të librit të historisë:

Sod n’Shqynpi, more lum miku,

Histori âsht meteliku.

dhe se shqiptarët po ia thoshin këngës “Haja qênit – pija qênit, / Edhè bjer karaduzênit!”. Pra, gjërat që nuk “pjell-nin” napoleona, siç ishte historia, shkrimi e botimi i vjer-shave ose veprimtari të tjera artistike e shpirtërore, s’kishin asnjë vlerë. Me fjalë të tjera, siç shprehet Fishta, në Shqi-përi dija, kënga e historia merreshin për punë dokrrash!

Nga fakti se në Shqipëri njerëzit mirreshin vetëm me punë dhe interesa vetjakë, përbuznin dhe mohonin të mirën kombëtare dhe mirëqenien e atdheut, gjallimin e përdit-shëm e cilësonte një situatë e rëndë dhe e pazakonshme: të mirës i thuhej e keqe ose të bardhës i thuhej e zezë dhe ana-sjelltas. Domethënë, në kontekstin përkatës ishte për-mbysur logjika normale dhe e natyrshme e veprimit dhe e mendimit.

Pse nder né kjo kohë ká ardhë,

Qi nji e zezë me u thirrë e bardhë:

M’êmen t’vet sendet s’duen qujtë

Per n’don qyqja mos me t’mujtë

E me t’frý era n’kuletë…

Pra, ndër shqiptarë punët po shkonin si ishte më keq “Ke na shkojn pûnët kambë e krye” dhe një shkallëzim më i rrezikshëm e me pasoja“Shoqi shoqit m’ia xjerrë trût.” Një kohë e tillë kishte shkaktuar përsëritjen e së keqes e tragjikës, që ishte dëshmuar edhe në të kaluarën: mospër-fillja e njëri-tjetrit, kundërvënia, përçarja, mashtrimi, tra-dhtia: “Medét per né! Pse heret si n’e s’ vonit / Skem’ mujtë dy vetë me u vû kurr m’ nji hulli: / Njani bje thumbit, tjetri patkonit” ose dy vargjet e njohura të Fishtës “Sod mâ shpejt nji thes me pleshta / Ti bân bashkë se dy Shqyp-tarë.”(nga satira “Koha e arit në Shqypni”).

Po qe se do të vazhdonte edhe më tej kjo gjendje dhe kjo sjellje e shqiptarëve, thekson poeti, atëherë për ta s’do të ketë as mëkëmbje e as përparim kombëtar; në qoftë se ata nuk do të kthehen për së mbari e nuk do të bashkohen dhe nuk do të kujdesen për atdheun e tyre, për ta nuk do të ketë më agim, po natë, varfëri dhe turp. Këtë Fishta e thotë në mënyrë të pandërmjeme e të qartë:

Pá nji bashkim t’vertetë s’ká per t’ague

Per né agimi kurr; gjithmonë por nata

E marrja e skami kanë per t’na ngushtue.

(Nakdomonicipedija)

Rrënimi i logjikës së natyrshme

Poezia Metamorphosis dëshmon me një anë jehonën e drejtpërdrejtë të gjendjes së rëndë shoqërore, shpirtërore e morale të botës e të gjallimit konkret shqiptar dhe, më anë tjetër, ndjenjën e madhe atdhedashëse të Fishtës. Poeti është i shqetësuar deri në paskaj për shkallën e ulët të vetë-dijes kombëtare te një pjese të shqiptarëve, për përmasën e shprishjes e të rrënimit shpirtëror të tyre, për qëndrimin mëdyshës po shpesh edhe përbuzëz ndaj atdheut dhe ndaj trashëgimisë shpirtërore e materiale, për zvetënimin ose lënien anash të virtyteve: burrërisë, besës, bujarisë, mik-pritjes, gjë që vërehej sidomos tek ata që ishin në pushtet ose që ishin pasuruar e po pasuroheshin në mënyra të ulëta, duke shfrytëzuar djersën e të tjerëve dhe gjendjen e vësh-tirë në të cilën po gjallonte pjesa dërrmuese e popullit shqiptar. Pra korrupsioni, mitoja, mashtrimi, tradhtia kishin marrë një përmasë të ndjeshme. Sa më shumë që individi tregonte indiferencë ose e mohonte atdheun, prejardhjen dhe të kaluarën kombëtare, çmohej e nderohej më shumë, zinte pozita më të larta dhe bënte një jetë të pasur e të rahatshme për t’u shpallur më në fund edhe udhëheqës shpirtëror e kombëtar! Në të kundërtën e kësaj, ai që bënte e vepronte për të mirën e popullit dhe të atdheut të vet, që synonte në forma të ndryshme të nxiste e të zgjonte ndër-gjegjen kombëtare pas sundimit shumëshekullorë osmano-turk dhe zotohej për përparimin e vendit në pajtim me ko-hën, merrej si njeri i dështuar, i mjerë, madje edhe i marrë!

Katër vargjet e para të satirës Metamorphosis e për-caktojnë dhe e shprehin në mënyrë të pamëdyshtë këtë gjendje të pazakonshme të gjallimit konkret shqiptar. Poeti është i shqetësuar thellë, prandaj me qëllim flet në veten e parë dhe që në këto vargje prek çështjen thelbsore.

Qe besa, o burra,

Nuk dij kah t’çajë,

Mbasi do t’thirret

Sot derri dajë…

Domethënë, në një kontekst të tillë të jetës kishte pu-shuar logjika e zakonshme dhe e natyrshme e gjallimit, e vlerësimit, e mendimit dhe e veprimit. Derrit i thuhej dajë! Një krahasim e kontrast i pazakonshëm: derr quhet daja, vëllai i nënës, njeriu më i afërt për nga vija e qumështit dhe e gjakut! Pra, obstruksioni ishte bërë bazë e vlerësimit dhe e gjallimit të përditshëm dhe kishte marrë përmasa gjith-sunduese, për këtë arsye çdo mendim e veprim jashtë asaj logjike çmohej si jo normal. Kështu, merrej punë e parën-dësishme, për të mos thënë e kotë ose e marrë, interesimi për çështjen kombëtare dhe veprimi në të mirë të saj; përpjekja për ruajtjen e trashëgimisë dhe pasurimin e më-tejshëm shpirtëror, kujdesi për gjuhën amtare, për arsimin. Me një fjalë: çdo gjë që nënkuptonte përtëritjen e jetës shqiptare në të gjitha rrafshet e saj.

Nëpërmjet ligjërimit në veten e parë Fishta na bën të kuptojmë se, si individ, ai mjaft kohë ishte përpjekur për t’i ardhur në ndihmë njeriut të tij dhe çështjes kombëtare; kishte luftuar pa frikë kundër armiqve të Shqipërisë dhe kishte qenë i gatshëm të presë e të durojë çdo ndëshkim e flijim.

Me anmiq t’Shqypnís

Un pa u frigue

Mjaft jam, i mjeri,

Kacagjelue.

Pse kam pasë thânun

Deri sivjet:

Lum aj qi shkrihet

Per atme t’ vet.

Një punë e këtillë për atdhe – brenda logjikës së përmbysur – nuk ishte pranuar e nuk ishte çmuar, përkun-drazi ishte nënçmuar e përbuzur dhe si individ ai kishte pësuar për arsye se nuk kishte gjetur përkrahjen pikërisht të atyre që ishin në pushtet dhe duhej të punonin e të ndih-monin për mirëqenien e bashkimin kombëtar. Së këndejmi

 

Po, po; kujdesi

Per Gegë e Toskë

Mue sod m’ka hjedhun

Si hút n’ketë prroskë…

Pra, po të kishte punuar ndryshe, siç vepronin shumë të tjerë, atëherë edhe ai do të ishte në një gjendje tjetër, do t’i kishte punuar kuleta e fjala; do të ndihej pikërisht si ata, të cilëve nuk u interesonte as e kaluara, as të Parët, as Shqi-përia e kohës.

Porsi njatyne,

Qi ndêjë n’ Shqypni,

Kujtojn se gjinden

Shi n’Australi;

E per dhé t’Parvet

S’u bjen nder mend

Me sa per kpurdha

Qi bijn n’dervend.

Konteksti i tillë kishte rrënuar qenësinë e veprimit të zakonshëm dhe të sjelljeve të njerëzve dhe kishte kushtë-zuar që të çmoheshin e të zgjedheshin në pozita me rëndësi shoqërore e politike njerëz që ishin zhveshur nga cilësitë kombëtare dhe si të tillë, më së paku, e meritonin të ishin në ato vende e t’u besoheshin detyra të tilla. Fishta vë në dukje se ata “Kanë spaten n’mjaltë” dhe përherë ngriten lart e më lart, po edhe

Per ditë t’u mâjun,

Si mâjet njala,

U punon n’shekull

Kuleta e fjala.

Ky kod sociokulturor, mbi bazën e të cilit çmoheshin njerëzit dhe puna e tyre, e shqetëson poetin dhe të thuash e rrënon shpirtërisht, prandaj shpreh sa zhgënjimin, po aq mospajtimin dhe kundërshtimin e tij. Kjo nuk bëhet me mjete e në mënyrë tradicionale, duke i dhënë përparësi ve-tëm pohimit të pandërmjemë. Të keqes poeti i qaset këtu nga një strategji dhe nga një mënyrë e veçantë: kalohet formalisht në anën e së keqes dhe prej andej rrëfehet e bëhet vlerësimi për të, shqiptohet qenësia e saj.

Akti i indentifikimit me bazën e kodit të tillë sociokulturor e me logjikën e njerëzve të tillë, ku e keqja mirret për të mirë, antikombëtarja për kombëtare, e bardha për të zezë, ka një shenjëzim të qenësishëm dhe thellësor. Poeti deklaron se për arsye “Me kênë i vetit” (lexo: ta shi-kojë vetëm punën dhe interesin vetjak) do të shporret nga Shqipëria e do të heqë dorë nga ajo që kishte bërë deri në atë çast. Shkallëzimi arrin pikën kulminante:

T’a dijë Shqypnija

Prá, e sheklli mbarë

Se mâ mbas sodit

U’ s’jam Shqyptár.

Këto vargje japin qëndrimin dhe përcaktimin e poetit në një rrafsh të përgjithshëm. Adresanti i mesazhit është, para së gjithash, atdheu, Shqipëria, por dhe më gjerë: she-kulli (lexo: bota). Shndërrimi, përkatësisht metamorfoza e tij nuk duhet të kalojnë në heshtje; akti i tillë është për shumçka i rëndësishëm dhe për të duhet t’u bëhet e ditur atyre që kanë pozita në jetën shoqërore e politike, pra që heqin peshë dhe vendosin në Shqipëri për – zotërinjtë – sundimtarët. Katër vargjet pasuese, që në esencë e për-sëritin mesazhin e vargjeve të përmendura më lart, përcak-tojnë në mënyrë të pandërmjeme e të qartë adresantin e vërtetë, të cilit i drejtohet mesazhi fishtian.

A ndiet, Zotní,

Qi rrini n’ shkam?

Un mâ me sodjet

Shqyptár nuk jam.

 “A ndiet, Zotni / “Qi rrini n”shkam?”, bëhet pyetja e prerë (shih shkrimin e fjalës Zotní me shkronjë të madhe), që shenjëzon përcaktimin e rëndësishëm. Pra, mesazhi fishtian në qenësinë e vet u drejtohet zotërinjve, njerëzve të pasur, atyre që pasuria u ishte bërë ideal vepri-mi e jete, përkatësisht njerëzve të pushtetit, që me qëndri-met e tyre kishin kushtëzuar gjendjen e tillë tejet të rëndë e të padurueshme të jetës shqiptare.

Pse zgjedhet kjo strategji e shqiptimit dhe e ligjërimit dhe pse veprohet në këtë mënyrë? Pse ky mohim i përkatë-sisë kombëtare i atdhetarit të madh, pse ky “shndërrim” në një person me qëndrime krejt të kundërta nga ato që i kishte mbrojtur me aq këmbëngulësi deri në atë çast, pra që ishte “kacagjelue” (lexo: kacafytur, luftuar) pa frikë me armiqtë e Shqipërisë? Pse ky përnjësim pohues me atë grup individësh, të cilët nuk çanin kokën për punët e atdheut e të mirëqenies shqiptare, me ata të cilët, edhe pse jetonin në Shqipëri, e ndienin veten të huaj pikërisht në atdheun e vet: “Kujtojn se gjinden ? Shi n’Australi”?

Ashpërsia e protestës dhe thellësia e sarkazmës

Në poezinë Metamorphosis Fishta dëshmon vetëdijë-simin atdhetar e poetik, strategjinë e krijuesit të madh, që jo vetëm e di detyrën e vet, por di ta mbërrijë qëllimin në një mënyrë të veçantë e të rrallë: pohon identifikimin me këtë shtresë njerëzish të zhveshur nga ndjenja kombëtare e morale për të shprehur më plotnisht e më gjithashëm shpirtin e tyre, për t’i vënë në pah veset dhe tiparet e ulëta: lakminë, karrierizmin, poshtërsinë, tradhtinë, korrupcionin, dyfytyrësinë, zbrazëtinë shpirtërore dhe morale. Njësimi formal me këta njerëz synohet të bëhet sa më i plotë për arsye se në këtë mënyrë shpalohej më bindshëm, nga një anë, thelbi i veprimit, i karakterit dhe i shpirtit të korrup-tuar, ndërsa, nga ana tjetër, shprehej ironizimi, kundër-shtimi dhe urretja ndaj tyre, pra vihet në pah shpirti i botës së kësaj shtrese, po njëkohësisht ajo qëllohet mu në palcë dhe zhveshet deri në paturpësi. Poeti, pasi njësohet forma-lisht, rrëfen nga “taborri” i atyre njerëzve.

Per mue Shqypnija

Kufij mâ s’ká,

Nuk kam kund atme

As fis as vllá,

Fis kam mâ t’fortin

E vllá bujarin,

Per atme barkun,

Per erz kam arin.

Çfarë mund të ishte kjo qenie, ky njeri që mohon ose që s’ka as atme (atdhe) e as fe, as fis e as vëlla; që fis ka të fortin e vlla bujarin, që atdhe ka barkun dhe erz e nder arin? Të jetë shqiptar? Po si mund ta mbante veten për shqiptar ai që s’ka as fis e as vëlla, që barkun e ka në vend të atdheut, Shqipërisë, dhe paranë (lekun) e ka në vend të nderit dhe të erzit? Shqiptar i tillë Fishta as nuk donte të ishte e as nuk mund të ishte.

Nëpërmjet një strategjie të këtillë të shqiptimit, me-sazhi i Fishtës fiton kështu peshë e të drejtë më të madhe morale dhe etnike, edhe efekti i ndikimit të vargut të tij bëhet shumëfish më i madh dhe më shkallëzues. Pra, në-përmjet identifikimit si pohim, poeti rrëfen dhe shqipton botën nga brendësia e saj, gjë që e bën rrëfimin më të bindshëm, më të natyrshëm dhe më të drejtpërdrejtë. Me fjalë të tjera, nga pozicioni i tillë Fishta flet me shumësinë e zërave të shtresës me të cilën njësohet formalisht; luftohet e keqja jo me të keqen personale, por nga pozita e së keqes së përgjithshme. Me gjuhën që “ther e pret” ai përqesh, iro-nizon; shpreh protestën e vet të pamëdyshtë. Gjithë këtë e bën për hir të ndryshimit, të zgjimit e të krijimit të vetëdijes kombëtare, edhe pse mesazhi i tij shqiptohet nga pozita e kundërt, e përmbysur, që në artin letrar përdoret shpesh.

Fishta i jepte rëndësi të jashtëzakonshme kritikës për arsye se nëpërmjet saj prekte sedrën e këtyre njerëzve, të cilët duhej e mund të bënin shumë për popullin dhe at-dheun. Kjo strategji nuk është e rastit dhe atë e kanë vënë në dukje edhe studiues të ndryshëm, njohës të mëdhenj të veprës së Fishtës. Kështu, Lasgush Poradeci theksonte se “Nuk duhet harruar trumbat me gjëmba e satirave, Anzat e Parnasit, të mbushura me një shfryerje mendimtare të tharbët, të tmerrshme, dhe të cilave Fishta – më rrëfen At Pali – iu jepte për veten e tij më shumë rëndësi sesa Lahutës”, ndërsa Ernest Koliqi shkruante më 1956: “Vish-kullen e sarkazmit Fishta e përdori me qortue shqiptarin dhe me nxitë të rrahi udhen e drejtë të qytetnís dhe fisnikoi në vepër të vet prirjen e talljes që nganjiherë ndër ne shtihet në punë me vra zemra dhe me përtrí ngatrresa e dasina. Gjuha shqipe sikur asht e pasun në skaje e fraza ku idhnimi e mënija shfrejnë me ma të madhen gjallní, ashtu ka mundsí të lakohet e të përkulet në shprehje dykuptimshe ku xhixhillon ironia e ku fjala në mbrendinë e vet që duket e mitun përmban thumbin ma shporrues.” Pra, në këtë sa-tirë fishtiane del ajo që thotë Poradeci, duke folur për Fish-tën, “Krijuesi kombëtar i vetdijshëm prej kombësije shqip-tare të pavetdishme”, i cili nuk kursei asgjë për ta bërë edhe atë të vetëdijshme, që është synimi kryesor i gjithë veprës së tij poetike.

Për të qenë edhe më i bindshëm në shqiptimin e tipa-reve të kësaj shtrese shoqërore shqiptare, Fishta shkon dhe e plotëson imazhin e saj edhe me disa elemente të tjerë: njerëzit e kësaj shtrese si të tillë në mbrëmje binin si grekë, ndërsa në mëngjes zgjoheshin “Shkjá ose Zebjek”, ashtu siç e kërkonte navoja dhe interesi vetjak; flitnin në gjuhë të huaja (herë gjermanisht, herë italisht, herë sllavisht, herë greqisht e herë turqisht) pa çarë kokën për gjuhën e nënës – shqipen; prandaj historinë, ngjarjet e mëdha dhe heronjtë kombëtarë i merrnin për dokrra; lavdëronin qyqarët, mash-truesit, pakurrizorët, puthadorët, të gjithë ata që nuk e kishin as unin e as mendimin e vet; edhe kryetrimin kom-bëtar, që në vetëdijen shqiptare kishte marrë përmasën mitike, e kishin harruar dhe e merrnin për hiçgjë. Pra, mo-honin krejt atë që dikur e kishte dalluar e cilësuar botën shqiptare dhe shpirtin shqiptar. Pas shndërrimit edhe atij do t’i ndodhë e njëjta gjë.

Luftët e Kastriotit

E t’Dukagjinit

Un kam me i mbajtun

Per dokrra t’hînit.

Sot per mue Leka

E Skanderbegu

Janë Palok Cuca

e Jaho Begu.

Përmes rrëfimit cilësor satirik, sarkazmës dhe grotes-kut, Fishta vë në dukje edhe çështjen e emërtimit dhe të gjinisë së këtyre njerëzve. Atyre u pëlqenin emrat nga të cilët nuk mund të dallohej përkatësia nacionale e as ajo gjinore: mashkull ose femër. Për ta ishte me rëndësi të bëjnë jetë të mirë, të hareshme e të qejfit dhe të jenë hyj midis njerëzve, të sundojnë mbi të tjerët pa i kursyer ata për asgjë. Ndodhte kështu për arsye se

Kemi për t’kênun

Si hyj në tokë,

Kem’ per t’zotnue

Pa dhimbë mbi shokë

qoftë edhe duke shkelur mbi eshtrat e të vdekurve bashkë-kombas: Kemi me shkelun / Mbi rrashtë t’Shqyp-tarve…gjë që shenjëzon shkallëzimin sa të tragjikës e të pësimit, po aq të shqetësimit e të protestës.

Pikërisht këta njerëz që vepronin brenda kësaj logjike të përmbysur (obstruktive) çmoheshin e shpalleshin (naty-risht të nxitur e të kushtëzuar kurdoherë nga ata vetë) edhe personalitete me rëndësi kombëtare. Për të ndodhur edhe më e keqja, të tillët viheshin në këngë dhe u ngriteshin murana e mbishkrime të ndryshme, ashtu si në kushte normale të gjallimit kishte ndodhur me njerëz të shquar të historisë sonë kombëtare, flijuar për atdhe, për fis, për nder të familjes e për fé. Pra, koha, në të cilën mbretëron logjika e tillë e për-mbysur, kushtëzon edhe paradoske të tilla: këndimin e per-sonit të tillë, as shqiptar, as turk, as femër e as mashkull:

E ka me u gjetun

Ndo’i far Orfeut

Qi lavdet t’ua

T’i a kndoje dheut.

Ose në pllakën e rrasës së varrit të personit të tillë do t’i shënohen edhe këto fjalë

“Ktû njaj fatbardhi

Âsht tue pushue

Per Fé e per Atme

Qi pat jetue.”

Është ky perceptim e shqiptim sa i veçantë, aq edhe dramatik e tragjik, i jetës dhe i gjallimit shqiptar në fillim të shekullit XX dhe një nga demaskimet më të plota dhe më thellësore që i ka bërë një gjendjeje të tillë ndonjë krijues shqiptar deri në ditët tona.

Vijimësia e aktualitetit

Poezia Metamorphosis, ndër krijimet më të fuqishme që ka dalë prej penës së Fishtës dhe të satirës shqiptare të të gjitha kohëve, në qenësinë e vet ka ruajtur edhe sot e gjithë ditën aktualitetin e saj. Rrjedha dhe ndodhitë e viteve të fun-dit në botën shqiptare dëshmuan se elemente të asaj gjendje e të asaj mendësie, që Fishta me aq mjeshtëri e ashpërsi i kishte vënë në thumb të kritikës në poezinë e tij dhe i kishte demaskuar e ironizuar pa kursim, u përsëritën e po përsëriten në forma të ndryshme. Fishta intelektual e poet i madh kishte kryer për gjeneratën e vet (e jo vetëm për atë gjene-ratë) detyrën e shenjtë që e theksonte Sartre: “Intelektuali është i shtyrë të bëjë vetëdijesimin për vetveten dhe, rrjedhimisht, për të gjithë”. Nevoja e këtij vetëdijesimi është e mbetet një detyrë qenësore edhe në kontekstin e gjallimit të sotëm. (Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Nike Berisha, Fishta, nuk jam shqiptar, Une ma me sodjet

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT